E diele, 28.04.2024, 06:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Betim Muço

E diele, 10.01.2010, 09:20 PM


Betim Muço ka lindur në vitin 1947 në Tiranë. Është diplomuar për fizikë dhe ka ushtruar profesionin e kërkuesit shkencor në fushën e shkencave të tokës. Botimet e para letrare i ka që nga shkolla e mesme. Ka botuar mjaft libra me poezi, tregime, romane e letërsi për fëmijë dhe ka përkthyer në shqip shumë autorë të njohur nga letërsia botërore.
Nga viti 2001 jeton e punon në Merilend, SHBA ku është aktiv si në profesionin e tij ashtu dhe në letërsi.

Betim Muço

BALLADA E SKLLAVIT

Gjithë jetën e ngrysi në piramidë
Robtuar, përgjakur
Me gurët mbi shpinë.
Ditën koka nënë gur
Natën koka përmbi gur,
Ç’i takoi për të rrojtur se kuptoi dot kurrë.
Bir skllevërish
  skllav,
    baba skllevërish të tjerë,
Ngrysu e gdhihu:
Rrofsh! - thërriste, - O Faraoni-diell!

Kur Nili vinte i butë e pjellor
Faraoni ma sjell,
Ai thosh,
Kur vinte i egër e bënte kërdi,
Ma sjellin, thoshte
Armiqtë e tij.

Kështu i shkoi jeta
Brohorimë në terr:
Rrofsh o Faraoni-diell!

Natyra e paisi me një durim bujar
Si vinte re ditët
Psherëtimë e vaj,
Bile edhe gëzimin
Që e ka dhe një krimb
Mendonte se prej Faraonit e kish.

Dhe ngrihu e ngrysu
Dhe çohu e bjer:
Rrofsh, thoshte, o Faraoni-diell!

Por erdhi një ditë
Faraoni s’qe më
E futën thellë piramidës atë,
Dhe skllavi i gjorë
Doli vetë vullnetar
Më futni, tha, dhe mua në varr.

Se s’kishte se si
Ndryshe të qe:
Rrofsh, kishte thirrur, Faraoni-diell!

Por ndodhi që thellë
Në vdekje, në terr
Shpirti i tij të kuptonte ç’nuk kuptoi mbi dhe,
Ia doli të shohë se jeta e tij
Kish qënë varr nënë varr
E zi përmbi zi.

Dhe ishte ai
Që ishte ngjirur sa herë:
Sa malet rrofsh o Faraoni-diell!

E dredh piramidën
Ky shpirt i mashtruar
Që mori për jetë një vdekje të gjallë,
Çdo ditë një gur
Rrokulliset e bie
Nga kreu në fund si një lot i valë.

Po të gjitha më kot
Se asgjë më s’ka vlerë
Për skllavin
            bir skllevërish
    baba skllevërish të tjerë.

NE MUZG

Peshkatarët mblidhnin rrjetën
Në muzg
Dhe deti këndonte këngën e vjetër
Me shekuj.

Unë e di,
Mes tyre është dikush
Që pret më shumë
Se kuintalët e peshkut.

Pret të dalë papritur
E bukura e dheut,
Sirena prrallore a peshku magjik
Që ai t’i thotë, pa zë, i përmallur
Të kam pritur,
E dija që do vije një ditë.

KAM LIDHUR BESË...
 
Kam lidhur besë me ditët që vinë
Në këtë fundshekull ku pesimizmi është luks
E miopia krim
Dhe kur njeriu kërkon të bëjë Njeriun
Nga vetja e tij.

Kam lidhur besë me ditët që vinë,
Të ma ruajnë një copë agimi
Një muzg të përflakur,
Një fllad, një aromë
Një luledele të thjeshtë.

Sepse edhe unë jam i kallur
Në këtë luftë pafund
Që njeriu bën me përbindshat e pjellë
Prej tij,
Në këtë kohë çudirash
Kur çudirat çuditen me ne.

Kam lidhur besë me ditët që vinë...

ËNDËRR

Pashë në ëndërr një ëndërr
Sikur ëndërroja për ty,
Kaq larg natyra na ka hedhur
Miliona vite largësi.

Planeti ynë, kokër rëre
Kaq largësi ku vallë e fsheh?
S’mjafton një jetë për t’u gjetur
Mbete në ëndrra e nuk del.

Dil pra andej, si s’u mërzite
Se jeta prapë është e bukur
Gjithë qënia ime të pret ty,
Kështu siç është, megjithë rrëmujën.

KUR TË DASHUROJA TY

Kur të dashuroja ty...
Sa herë që binte zjarr në qytet
Dhe vërshonin zjarrfikset
Me shpejtësi
Duke ngjethur me sirena alarmi
Shtjellat e ajrit,
Më dukej se të gjitha ato nxitonin drejt meje
Nxitonin drejt zjarrit më të madh të planetit.
Kur të dashuroja ty...

VRAPONTE HËNA

Vraponte hëna nëpër re
Me vrap të trembur, të tmerruar
Për ku po shkon moj hënë e re
Me sytë e veshët zënë me duar?

Ç’shikon ashtu që rend e rend
Me llahtarinë që pas të ndjek
Dhe sy nuk kthen e kokë s’kthen
Po ikën, ikën nëpër qiell.

Moj hënë, mike vetmitare
E të vetmuarve mbi dhé
Më vjen kështu dikur dhe mua
Si ty të iki nëpër re.

Të iki e mos kthehem pas
Të syrgjynosem nëpër terr
Se me ç’jetova e kam parë,
Një oqean e bëja vrer.

NJË HALË PISHE

Një halë pishe më ra në flokë
Dhe më rizgjoi një mall të vjetër,
Njutoni, nga një kokër mollë
Kështu zbuloi, thonë, gravitetin.

Zbulimi i tij për gjithë botën
Kuptohet, pati rëndësi,
Kurse ky mall  tani  veç mua
Më bën diçka tjetër njeri.

Njuton, e di, të dua shumë
Po hiqu me gjithë ligjin tënd,
Një halë pishe më ra në flokë
Dhe,... e harrova ligjin tënd.

VDEKJA E BETHOVENIT

Ai dëgjonte një muzikë të largët
Po ishte shurdh
Dhe zemra e pengonte
Duke i rrahur gjoksin
Monotone.

Ai i tha:
Të lutem hesht
Pusho!
Se nuk po mundem dot
Të shquaj tingujt.
  
Dhe ajo përjetë e pabindura
Iu bind
Dhe heshti.

THIRRJE

O Poseidon !
Iu kthye Odiseu
Hyut të madh të detrave pafund,
Gjer ku mbaron
Tërbimi yt i verbër
Që po më hedh në ishuj kuturu ?

A s'e kupton
Që me tërbimin tënd
Pavdekësinë time po ndërton ?
Ti do kujtohesh
Vetëm pse jam unë
Dhe unë do rroj në këngë përgjithmon.

Ndaj lermë pra të shkoj
Në atë shtëpizën time,
E t'i ngrys ditët gjer thellë në pleqëri
Të bëj atë punëzën e bukur
Prej njeriu
Që ti s'e bën dot kurrë, qofsh dhe perëndi.

NUK ËSHTË E VËRTETË
  
Mos pandeh se s'të dua më
Nuk është e vërtetë
Vitet janë shkëndija të zjarrit
Që ti m’i ndeze në jetë.

Velahapur, i etur endem det më det
Dhe prapë vij te ti
Si anija në limanin e vet.

Po veç mos harro:
S'ka liman kur s'ka det.
Mos beso se s'të dua më,
Nuk është e vërtetë.

PRANVERA DO TË VIJË

Pranvera do të vijë,
Fola mbrëmë me ujrat,
E futa dorën nën cipën e akullit
Dhe ndjeva ngrohtësinë e tyre.

Pranvera do të vijë.

Më pëshpëritën pemët si një miku të vjetër
Dhe farëzat e barit nën baltën e ftohtë,
Kur pashë si vlonte gjaku i dheut.

Pranvera do të vijë.

Nën pjalmin e borës fle buka e nesërme
Akulluar majëmalet dhe qiejtë
Të murrëtyer,
Dëgjova në eter rrahjekrahët e largëta
Të zogjve.

Pranvera do të vijë.

Ju që s’besoni,
Pse rroni?!

KLITHMA

Çfar ke kështu që grindesh
E marrosur
Rrëmbushur e rënduar
Me rënkime
Më ndjek në rrugë
Me llahtari të verbër
Flokët m’i shkul
Dhe ma ngërdhesh fytyrën
Në njëmijë maska të shëmtuara
Trishtimi,
Veshjen ma shkapërthen
Lecka flamurësh
Me klithmën që bën ajrin
Si teh brisku,
Ma rreh dritaren
Xhamet zënë e dridhen
Aq sa u duket rëra që i polli,
Më hyn në dhomë
E ftohtë, e mavijosur
Dhe klithma jote
Nuk lejon spjegime
Por m’i rrëmben të gjitha
Shkruar e pashkruar
I shprish, i shuk, i shkatërron
Si flluska.

Po mjaft, pra
Mjaft!
Më thuaj ç’ke?
O vetëm hesht
E mos më thuaj gjë
Se e njoh mirë unë klithmën tënde
Që bën ta ndjesh vetveten
Kaq pavlerë
E të kërkosh të futesh
Nga ke dalë
Diku mes shalëve të nënës tënde
Plakë.

E di,
E meritoj kamxhikun-klithmë
Që çjerr e shqyen
Mish, ide, mendime,
Sepse s’kam bërë
Atë që duhej bërë
E nuk kam qënë
Ai që duhej qënë.

Po tani, ç’kuptim ka?
Të lutem, mos!
Se do të ngjallësh ti te unë
Një tjetër klithmë
Para së cilës jotja është këngë
Dhe do kërkosh e ngjirur
Dhe e mekur
Një skutë në më të thellën
Thellëtirë
Që të shpëtosh o erë
Nga klithma ime.

NJË BAJGË KALI

Një bajgë kali në mes të rrugës
Përpara ish shtëpisë
Së Enver Hoxhës,
Një bajgë e sapobërë
E freskët
Kali
Me avullin përsipër
Si hieroglife të padeshifrueshme.

I lehtësuar, kali ikën tej
Përcjellë nga rrokullimat
E karrocës,
Dhe trotuareve
Rinia dallgëzon
Harenë e jetës ndrydhur
Nga absurdi.

Mendimet m’i shkëput
Kjo jashtëqitje kali
Ardhur nga zorrët e pafajshme
Të një kafshe
Që sigurisht nuk di asgjë
Nga bota e njeriut
( Çudi,
Sa shumë i ngjajmë ne
Atij,
Ashtu me vegjetimin tonë
Të jetës,
Me një çengel prej turpi
Lidhur hundës
Ku koha na zvarrisi
Nga lindja gjer në vdekje?)

O kalë i gjorë,
Të ishte tjetër kohë
Ç’tërmet në qeveri  do bënte
Bajga jote,
Me farefis në burg
Do ndryhej karrocieri,
Dënuar roje, kujdestarë
Dhjetra njerëz
Dhe do shkarkoheshin deri ca ministra,
Armiqtë tanë do merrnin plot mallkime
Se bajga - bombë do qe vepër e tyre.
Ti vetë o kalë i gjorë
Do ishe bërë kërmë
Për të ushqyer urinë
E zooparkut.

Dhe ja tani,
E njëjta rrugë,
Shtëpi e njëjtë dhe ajri që valvitet,
Të njëjtat pemë
Me po të njëjtët zogj,
Eshtë shtuar vetëm kjo rini
Që pa të cilën kjo rrugë përjetësisht
Ka ndjerë dhimbje.

Kam mbetur i menduar
Në mes saj
Para një bajge të sapobërë
Kali,
Një bajge të zakonshme
Kalërore
Të thjeshtë e të pazëshme
Si liria.

KËNGËT E BALENAVE

Takova një njeri që merrej
Me këngët e balenave.
Tërë jetën i kish ndjekur
Nën ujë e mbi ujë
Oqeaneve,
Dhe fliste për to
Më me pasion se gjithë gratë
Që kishte dashur,
U shkruante letra qeverive
Që vrasjet e balenave të ndalnin.
Nuk kish fëmijë
Dhe s’qe martuar kurrë
E gjithë jeta e tij
Lidhur me atë punë të çuditëshme
Qindra kaseta me këngë balenash mbushur.

Dhe tek po vrisja mendjen
Për të dhe ato këngë
Ai deshi të dinte se nga isha.
Nga Shqipëria jam i thashë,
Atje nuk ka balena.
Dhe për çudi,
Ky burrë që më dukej se s’dinte asgjë tjetër
Më pyeti befas se si shkuan zgjedhjet
Në vendin tim të largët
Mijra kilometra

KRONIKË

Ditën e parë u end kuturu
Duke ngjallur kureshtje dhe rëndësi në përshtypje.
Gjithshka ishte e lirë
Kafja, cigaret, buzëqeshjet dhe uiski në bar.

Ditën e dytë takoi partnerët vendas
Që ngjanin si qenushë të bindur,
Ajri ishte i freskët dhe nga dritarja e hotelit
Shihte malin homolog.
Në darkë piu një verë të vjetër
Me peshk që i shijoi pa masë
Dhe fjeti me një çupkë të ëmbël
Për vetëm dhjetë dollarë.

Ditën e tretë mendoi
Se ky vend ishte vërtet i bukur
Me mundësi biznesi të pafundme,
Seç kishte një aromë, vrau mendjen ai
Seç kishte një aromë të veçantë që s'e kish ndjerë kund.

Ditën e katërt nënëshkroi ca kartëra
Dhe dëgjoi entusiazmin e partnerëve të ardhshëm
Që fryhej si shkuma e birrës në gotë.
Takoi njerëz që e shihnin me respekt
Dhe e ndjeu veten më të mënçur se ç'e dinte.
Gjithshka qe e lehtë të blihej këtu,
Dhe sendet dhe njerëzit dhe punët.

Tek gdhihej ditën e pestë
Mendoi se kishte gjetur parajsën
Dhe u telefonoi miqve të tij përtej detit,
Ç'bëni? u tha. Pse nuk vini këtu ?

Në darkë pësoi një helmim të lehtë ushqimi
Nga mishi i ardhur si ndihmë prej vendit të tij,
Dhe miqtë vendas u alarmuan aq shumë
Sa si për ngushëllim,
Bënë që një tjetër ëngjëll të gdhihej në shtratin e tij
Krejt falas
Vetëm për një vizë që kërkoi rastësisht
Në të ikur.

Ditën e gjashtë takoi një ministër
Me një kravatë njëqind dollarëshe
Dhe kostumin sa gjysma e saj
Nga i cili mësoi se e bija e tij
Mbaronte maturën atë vit
Dhe ishte e shkëlqyer në mësime.
Pasdite një gazetar i televizionit
I mori intervistë
Dhe ai buzëqeshi sa mundi
Duke u shprehur optimist për të ardhmen.
Në darkë von,
Nuk mori vesh se qysh
E pa veten me një thikë në bark
Buzë një lumi të pisët në mes të qytetit
Me yjet breshërues si fishekzarë mbi të.

Dhe tek e shpinin në aeroport nga spitali
Ditën e shtatë, ashtu të përhumbur
Ai ende mendonte për atë aromë të veçantë
Që kishte ky vend
E që kurrë s'e kishte ndjerë në jetën e tij.

BALONAT E HUMBURA

A i mban mend balonat e vjetër
Që i ngrinim me penjrat e lidhur me kombe,
Dhe rendnim në fushë të pushtonim qiejtë ?
A e mban mend kur na iknin
Nga penjtë e këputur
Dhe treteshin larg mushkërive të qiellit ?
S'më kujtohet asgjë
Nga jeta e asaj kohe
As ç'haja, as ç'pija
Po vetëm balonat që iknin e treteshin
Dhe linin një bosh në shpirtrat tanë të vegjël.

Tani pasi u rreka në jetë sa munda
I lashë të gjitha, miku im,   
Të gjitha
Dhe quamë si të duash
Me mendjen racionale.
Asgjë s'më hyn në sy
Asgjë s'më ngjan se vlen,
Po endem nëpër qiej të gjej ato balona
Të ikura që më munguan gjithë jetën
Dhe që më bënë kurdoherë të ndjehem
Se kurrë s'mund të jem ai që jam.

DËSHMORËT E KOMBIT

Sa të mirë janë dëshmorët e kombit
Në bulevardin "Dëshmorët e Kombit"
As na shajnë
As na qeshin,
Të vrarë e të vdekur
Prapë vriten e vdesin.

Sa të mirë këta dëshmorë
Nuk ankohen fare
Nuk kanë pretendime:
Poste në ambasada e ministri,
S'kërkojnë prona e dëmshpërblime,
Bëjnë bile më pak zhurmë
Se gjethet e rëna të pemëve
Dhe fëshfërimat e gazetave
Në kioskat buzë udhës
Që herë i shajnë e herë i lavdërojnë
Jetët e tyre të shkurtra, gri.

Sa të mirë këta dëshmorët e kombit
S'na hyjnë në pjesë hiç,
Ata punën e tyre
Ne tonën.
Vetëm nga një herë themi me mall:
Ah, ku t'i gjejmë t'i kishim
Në ballë të luftrave tona
Se vetëm ata
Njohin artin e vdekjes
Dhe s'çajnë kokë për gjërat e gjalla
Të jetës sonë të  gjallë.

INTELEKTUALËT

Kafenetë janë mbushur
Me intelektualë
Me shallet e gjatë
Hedhur mbi pardesytë e bardha,
Që diskutojnë mbi konceptin
E intelektualit.
Fjalë pafund mbi avujt
E kafeve,
Quo vadis moj botë,
Quo vadis Shqipëri?
Ata që kanë para
E heqin pas kulturën si një kone
Ata qe s’kanë thonë:
Ne jemi skllevërit e saj.

Shtjellat e bisedave bredhin kontinentet
Dhe si avionë letre
Vinë e bien të lodhur
Në thashethemet e zakonshme.
Tirana qan
Nëpër shiun e këngës së Fitnete Tudës
Shi që do të shpikej
Edhe po të mos ekzistonte.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora