E merkure, 01.05.2024, 06:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabile Keçmezi- Basha: Vetëm tri minuta...

E diele, 17.01.2010, 10:51 PM


Sabile Keçmezi- Basha
Sabile_basha@hotmail.com

VETËM TRI MINUTA ...

Të kujtohet ajo natë... Kur qyteti ynë ishte shndërruar në qytet fantazmash. Sigurisht që të kujtohet... ajo natë... që ishte nata më e tmerrshme e atyre ditëve të mugëta. Rrinim të strukur në dhomën e errët dhe herë pas here i afroheshim dritares, me kujdesin më të madh, që të mos vëreheshim nga larg, që të mos tërhiqnim vëmendjen e ndonjë fantazme se në atë shtëpi ende kishte njerëz. Atë natë ishte shumë vonë.  Bënte ftohtë i acartë. Në qiellin e pastër si loti shndriste hëna dhe nga lagjja e jonë vërehej çdo gjë me dritë-hijet e saj. 
Të kujtohet... Kur në dritaret e dhomës që e kalonim pjesën më të madhe të ditës, e besa edhe të natës, kishim vënë batanije, që mos të vërehej drita e qiriut, që ndizej lodhshëm dhe me ngadalë lëpinte errësirën që krijohej në të... Silleshim si somnambul...Unë, Ti dhe fantazmat përreth. Kishte orë e ditë të tëra që qëndronim të mbyllur... Merakoseshim deri në çmendi për fatin e të mbeturve në qytet. Riga e Gjoni, fëmijët tanë, nuk më shqiteshin nga mendja. 
Ti më ngushëlloje, por fjalët e tua shpresëdhënëse shumë pak, ose aspak, depërtonin në kasafortat e kujtesës sime të stërmbushura me vuajtje e lëngatë. Kishte net që nuk kishim futur gjumë në sy. Endeshim poshtë e lart nëpër shtëpi, duke kërkuar shtegdalje nga ky labirint. 
Edhe atë natë qëndronim të shushatur prapa perdeve. Frikësoheshim se do të ndodhte ndonjë e papritur..., diçka e tmerrshme, që nuk kishim forcë ta ndalonim. Kishte ditë që fëmijët i urdhëroja që të vishnin sa më shumë rroba, që, në rast të ndonjë sulmi nga fantazmat, së paku të ishin të veshur...
Ishte fundi i marsit, ndonëse në decenien e fundit nuk i vërenim shumë as vitet, as muajt e as ditët e zymta që ishin shtruar këmbëkryq në shtëpitë tona. Në një mënyrë apo tjetër, shumë pakë na bënin përshtypje ritualet e përditshme të jetës. Se... kishim... kishim punë më të rëndësishme në pranverën e pazakontë..., që me shekuj e kishim gjakuar.
Dhe... shikonim...Të gjithë shikonim në drejtim të shkallëve, që ndanin lagjen në dy pjesë. Kishte qëlluar që shkallët të ishin mu afër shtëpisë sime. Mbretëronte qetësi mortore atë natë. Asgjë nuk lëvizte, asgjë nuk pipëtinte. Me gjasë, as puhizat nuk guxonin të kalonin këndejpari. Dhe... të kujtohet... me siguri të kujtohet, sapo binte terri, rryma ndalej, uji ndërpritej dhe në shtëpi vinte pushtet një ankth i vërtetë. Gypat dhe bojleri lëshonin ca zëra të paartikuluar, që të fusnin datën. Në rrugë nuk kishte lëvizje automjetesh, e të mos flasim për lëvizje njerëzish. Aty-këtu, pas ndonjë alarmi që vinte nga ndonjë stacion policie a ushtrie, fillonin lëvizjet e ethshme e të çmendura të “kampanjollave” të fantazmave policë dhe të fantazmave ushtri, që suleshin rreth stadiumit të qytetit për t’u strehuar. Por, tollovinë më të madhe e bënin fantazmat të cilat ishin vendosur, aty... në hyrje të lagjes sonë. Në fillim e patëm shumë të vështirë të jetonim me praninë e tyre, po me kohë filluam të mos i vërenim, së paku kështu bëheshim... 
Me kalimin e ditëve, ne bënim jetë hadiane. Dikur filloi edhe buka të ishte me kët. Në qytet u mbyllën shumë furra. Disa i mbyllën nga frika e disave u mungonin mielli e drutë. Buka filloi të plaçkitej me të madhe nga fantazmat që kudo mbillnin vdekje. Ishte krejt e natyrshme që në ato ditë të kobshme njerëzit filluan të silleshin ndryshe..., krejt ndryshe. Gati-gati të gjitha dyqanet, një nga një, filluan të mbylleshin. Rrallë..., shumë më rrallë, shihje njerëz në rrugë. Kryesisht shihje pleq e plaka, të cilët kursenin të rinjtë, duke u frikuar  mos po u ndodhte gjë. Se, shpesh ndodhte, i përpinte qyteti dhe nuk ktheheshin më. Ata, të moshuarit, keqtrajtoheshin e fyheshin rëndë nga fantazmat, por i përpinin me zor të gjitha ato, duke u bërë kinse nuk i kuptonin dhe nuk i dëgjonin. Vërtet, ata kishin një fjalor që rrallëkush e kishte të qartë, fjalor mesjetar, që e kishin sjellë nga Karpatet e largëta (le të më falin malet Karpate). 
Zakonisht, mëngjeset ishin më të gjalla. Njerëzit me nxitim kryenin ndonjë punë, apo ndonjë tregtim të vogël dhe pas orës njëmbëdhjetë të ditës qyteti shndërrohej në arenë fantazmash. Boshatisej i tëri. Më vonë, pas kësaj kohe, në rrugë e rrugica dilte llumi i qytetit dhe bënin kërdinë. Kishte hajna, shumë hajna që sorollateshin pa fijen e frikës, poshtë e lart qytetit. Vidhnin sa mundnin dhe ato që i vidhnin i ndanin me fantazmat. 
Nga shtëpia ime vërehej çdo gjë. Vërehej aq qartë, si në shuplakë të dorës. Me sytë e mi i kam parë duke e thyer tregun e plaçkave duke grabitur dhe duke shkatërruar çdo gjë sa çel e mbyll sytë. Më herët, në këtë treg tregtohej gjithçka, duke filluar nga gjilpëra e deri te palltot e dimrit e orenditë shtëpiake. Pas ardhjes së fantazmave, të gjitha ato u mbyllën me dry nga pronarët, për të pritur ndonjë ditë më të mirë. I vrojtonim nga larg dhe e shihnim se çdo gjë ishte e dirigjuar nga policët-fantazma, të cilët nga larg ndiqnin fushatën e plaçkitjes. Po ashtu, me sytë e mi i pashë se si i thyen dyqanet më luksoze të Qafës dhe se si ata-hajnat u vendosën në veturat e fantazmave. I pamë... për besë, të gjitha i pamë... po çfarë të bënim se... Ishim të pafuqishëm që të ndërmerrnim diçka...
 Ata, ndërkaq, tërë ditën e natën e lume, i kishin të tyre. Ata ishin të lirë të bënin ç’të donin. Me armë në krah frikësonin pulëbardha, vetëm e vetëm që t’i detyronin të iknin sa më larg... Armët ishin bërë përditshmëri në duart e burrave e grave fantazma, por rrezikun më të madhe e ndienim nga fëmijët -fantazma, që bridhnin rrugëve me armë. Ata endeshin poshtë e lart rrugëve dhe sulmonin kënd u tekej. Atëherë... dhe në ato ditë vlente vetëm ligji i xhunglës. 
Shpesh i thosha burrit:
-Shihe, Bes... shihe..., a nuk është banale të vdesësh nga një armë që e mban fëmija, - dhe tmerrohesha e tëra. Ai qeshte, sa për të më larguar trishtimin dhe lëvizte mendueshëm kokën në shenjë pohimi.
Edhe më tej qëndronim pranë dritares. Edhe më tej diku larg dëgjonim gjëmimin e topave. Ashtu e shqetësuar, pa lëshuar asnjë zë, bëja numërimin e krismave. Numëroja me ngadalë, që të mos më dëgjonin burri e fëmijët. Së pari, curroja veshët, merrja frymë thellë, për një çast ndalja frymëmarrjen, dhe... filloja...
- Një... dy... tri... pesë... dhjetë... pesëmbëdhjetë... o Zot, - thërrisja e trishtuar, - kur do të ndalen këto gjëmime?! - Kapja Besin për mënge dhe i thosha:
- Më trego, ku gjuajnë tani këta të çmendur. Sa shtëpi kanë rrafshuar me tokën, sa njerëz kanë vrarë e plagosur, sa gjak është derdhur e sa të tjerë rënkojnë pa pasur mundësi për t’u dhënë ndihmë. Vrapoja shkallëve poshtë e lart, pa pasur kurrfarë haberi përse veproja kështu.
Burri më kapte për krahësh, më ulte pranë dhe më ngadalë mundohej të më bindte, duke më thënë:
- Qetësohu tani, e sheh se këta gjuajnë kot së koti. E kupton se e kanë nga frika. E sheh se këto krisma vijnë zakonisht pas bombardimeve që i bëjnë forcat e NATO-s. Merre me mend, a nuk është qesharake, kur këta shtien në ajër, duke menduar se do ta rrokullisin ndonjë raketore. Dhe qeshte, duke më rrahur krahun. Unë e shikoja vëmendshëm, pa pasur mundësi t’i shihja fytyrën në terr. Pas një pauze që bëja, i thosha me zë të ulët, për të mos dëgjuar fëmijët:
- Kam frikë... tmerrësisht kam frikë... për Ty, për fëmijët, - dhe dënesja ngadalë...
- Asgjë s’kanë ç’na bëjnë. Jemi në shtëpinë tonë..., -dhe heshtte mendueshëm. 
- Shiko..., - më thoshte, 
- Ne kemi përgjegjësi për njerëzit, për lagjen... se... ne i ndaluam që të mos largoheshin, të mos iknin, andaj duhet ndërmarrë diçka që të organizohemi... - Heshtte një kohë dhe përsëri vazhdonte: 
- Ne, me vetëdëshirë nuk do të dalim nga qyteti, por ...po qe se na ndjekin... është tjetër muhabet... 
- Fëmijët!!! Çfarë të bëjmë për ta...?! - dhe për të parën herë mendova trishtueshëm, o Zot, ç’faj kanë bërë këta... për të pasur këtë fat?
- E qartë..., e qartë..., por po ta them troç, unë nga këtu nuk largohem. Nuk largohem nga shtëpia ime, nga vendi im. Këta duhet ta kenë të qartë se ne tjetër vend nuk kemi... Unë i gjallë nuk dal nga shtëpia... Për një moment u frikësova për të... E dija se ai nuk e kishte të lehtë largimin, ngase në do vite të largëta e kishte provuar ikjen nga vendlindja dhe e kishte përjetuar rëndë... dhe tani  pa masë shqetësohej për Rigën, e cila në vitin e fundit kishte lëshuar shtat. E flitej shumë çka... që të çmendnin fare.
Nga qosh i dhomës u dëgjua zëri i djalit:
- Unë nuk shkoj askund pa babin. Babi, unë nuk largohem pa ty... kupton... nuk largohem... dhe mbuloi kokën me batanije.
Nga shtrati u zgjua vajza e shastisur.
- Ma... po ikim... ku po shkojmë, o Ma...? - dhe vrapoi drejt meje, duke më përqafuar trishtueshëm.
- Askund... më kupton... askund nuk shkojmë, qetësohu tani... ne po bisedonim ashtu kot me babin, e Gjoni e mori mbrapsht bisedën tonë, ji e qetë tani... Pas një sirene alarmi, që u dëgjua diku poshtë, te hekurudha, që të gjithë u drejtuam nga dritarja për të parë se çfarë po ndodhte. Një kolonë e autoblindave, pastaj edhe ca tanke lëviznin në drejtim të stadiumit, me drita të fikura. Pastaj, pamë shumë fantazma, që zhurmshëm dilnin nga Qendra e Rinisë dhe futeshin fshehurazi në stadiumin e qytetit. Mbetëm të shtangur.
- Diçka do të ndodhë... e sheh, i ka kapur paniku. Shih pak më andej, shtëpinë e ndëshkimit... I sheh lëvizjet e nxituara të personelit në atë ndërtesë shumëkatëshe... Jam i bindur se kanë paralajmërime për bombardime, - dhe ende pa e përfunduar fjalinë, në fillim u dëgjua një ushtimë, pastaj një shtypje e madhe e ajrit dhe ... Bum-buu..., u dëgjua gjëmimi i tomahovkës që theu qetësin e natës dhe shndriti qytetin tejpërtej. 
Çudi, në atë moment nuk ndjeva frikë, por një lloj gëzimi i padefinuar më kaploi të tërën. Pastaj, nga vrima e perdes, me sytë tanë pamë se si i përpinte flaka fantazmat në shtëpinë ndëshkuese dhe në ndërtesën shumëkatëshe. Pas një copë here, diçka e tmerrshme shpërtheu në të. U krijua një apokalips i vërtetë. U dëgjuan britma dhe pamë makina të zjarrfikësve tek përpiqeshin diçka të shpëtonin. E tëra zhvillohej në një heshtje tmerruese. Nga atje, filloi një breshëri e madhe rafalësh, që shpërndahej në gjithë qytetin. Në mëngjes, në tarracën e shtëpisë gjetëm shumë gëzhoja plumbash, që kishin ngelur si dëshmi e tmerrshme e natës që lamë pas.
Prejse kishin filluar bombardimet, një skenë të tillë nuk e kishim  parë. Xhamat në shtëpi, në katin përdhes, ishin thyer e bërë copë e grimë. Disa tjegulla kishin rënë nga çatia. Shtëpia ishte trandur nga themeli. Kishim përshtypjen se asgjë në qytet nuk kishte mbetur në pozitë vertikale.
Dikur... më vonë, shumë më vonë... çdo gjë u qetësua. Në ato momente heshtja ishte e frikshme dhe tmerruese. Gjithçka pritej nga fantazmat e plagosura. Më herët... shumë më herët, më thoshte babai:
- Dëgjo, bija e ime, bishat janë shumë të rrezikshme, atëherë kur marinë plagë. Atëherë, ato nuk zgjedhin mjet për të shkatërruar çdo gjë rreth vetes. Tani po mendoja, bisha ishte e plagosur dhe pritja në çdo moment edhe plojën e tyre.
Vazhduam të shikonim nga prapa perdeve që qëndronin varur në dritare, pa ditur të na tregonin për rrezikun që fshihej menjëherë matanë rrugës së asfaltuar. Pa ditur të na tregonin se në zonën e gjelbëruar të Arbërisë, njësitet paramilitare kishin zënë vend dhe survejonin çdo lëvizje. 
Papandehur, ndjeva një dridhje, që më përshkoi trupin tejpërtej. Nga drita e hënës vëreja hijet e padefinuara që lëviznin me ngadalë në drejtim të lagjes sonë. E Besi, pa ditur se ç’ndodhte në përpjetën e shkallëve,  u tregonte diçka fëmijëve, duke bërë me gisht në drejtim të Gërmisë, nga dukeshin gjuhë të shumta zjarri.
- O Ba..., atje nuk bombardoi NATO-ja, pse del ajo flakë, - pyeste Riga me kureshtje. U afrova ngadalë për t’i bërë me dije burrit se çfarë kisha parë pak më parë, por ai edhe më tej u fliste atyre...
- Këto janë zjarre që i kanë ndezur këta... Budallenjtë mendojnë se në këtë mënyrë do të kamuflojnë lëvizjet... Pas pak shtoi: 
- Po, de, duke ndezë zjarre, mundohen të fusin panik te popullata...
E dija se nata kishte ecur... kishte ecur bukur mirë... Diku larg u dëgjua një këngë gjeli, që pa drojë lajmonte mëngjesin e afërt... Unë, edhe më tej shikoja në drejtim të shkallëve të lagjes, që nga larg dukeshin të frikshme dhe kobndjellëse. Duke shikuar shkallët dhe zonën e lirë e të pabanuar, edhe më tej m’u duk se dikush po lëvizte, po ngjitej shkallëve... drejt nesh. Pastaj m’u dukën se ishin shumë veta... Më vonë, pata përshtypjen se u shpërndanë dhe lëviznin zhargas, duke ardhur përpjetë. I numëroja. Herë më dilnin shtatë e herë tetë. Nganjëherë më bëheshin njëmbëdhjetë, bile herë-herë edhe më shumë. Shiheshin qartas... mundja edhe t’ua njihja uniformat. Përsëri numëroja: pesë, gjashtë... tetë... njëmbëdhjetë dhe, më besoni, herë-herë ua shihja edhe armët që i tërhiqnin zvarrë...
E frikuar tej mase, iu afrova Besit dhe në vesh i thashë: 
- Të lutem..., eja këtej..., - i bëra me dorë nga ana tjetër e dritares. - Më shikoi habitshëm dhe më ndoqi tek vendi ku i tregoja.
- A po sheh diçka...? - i thashë. 
- Jo..., – tha trishtueshëm. Unë asgjë nuk po shoh, pse çfarë ke parë? - më pyeti.
Iu afrova dritares dhe përsëri pashë lëvizjet e fantazmave.
- Shiko..., shiko, të lutem... aty pranë shkallëve... A s’i sheh se si lëvizin në drejtim të shtëpive tona...?! - thash me një frymë. Ishalla nuk je qorruar, - pëshpërita me nervozizëm.
- Zemër, qetësohu... E kur më thoshte zemër, e dija se e kishte shumë seriozisht dhe donte të më bindte për diçka.. - Dëgjo, tani është natë, ne jemi brenda, natën ecin fantazmat... lugetërit..., andaj mos u frikëso... Është mirë të pushosh... pak, mundohu të bësh një sy gjumë..., se unë me fëmijët do të bëjmë rojë.
Nuk e di se si, më kishte zënë gjumi apo kishte qenë një kllapi... dhe... në mëngjesin e nesërm, veten e pashë se isha e shtrirë në strehimoren e improvizuar të shtëpisë. Besi po dëgjonte të vetmin transistor që e kishim (në të vërtetë, që kishte ende bateri), por më kot, lajmet e mëngjesit na kishin ikur. Mirëpo, diku... mbas orës njëmbëdhjetë të ditës, si zakonisht, me padurim pritnim lajmet që i transmetonte një stacion televiziv, që tani nuk më kujtohet se cili ishte, dhe  vetëm nëpërmjet tyre dëgjonim se çfarë kishte ndodhur dhe po ngjet në Kosovë.
Mezi rregulluam antenën satelitore mbi tarracë, ngase nga dridhjet e bombës që kishte shpërthyer në natën e kaluar kishte pësuar defekte.
Me pak vonesë u inkuadruam në program dhe spikerja lajmëronte:
- Mbrëmë, me një të qëlluar të suksesshme, aeroplanët bombahedhës arritën të shkatërronin në tërësi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe burgun në qytetin P...
- Këtë ne e dimë..., se e pamë me sytë tanë... –pëshpërita me mllef, për mungesë të informatave, por ajo vazhdoi: 
- Ndërsa, po ashtu, brenda natës policia serbe ka hyrë në shtëpitë në lagjen D..., ka keqtrajtuar dhe ka arrestuar shumë qytetarë të pafajshëm... Sipas burimeve të sigurta që kemi, - vazhdoi ajo, - mbrëmë i vranë edhe dy patriotë dhe atdhetarë të devotshëm të çështjes së Pavarësisë së Kosovës, dhe i tha emrat... 
E shikova Besin... dhe nuk i thashë asgjë. Vetëm ofshava frikshëm. Derisa dëgjonim lajmet dhe veshët i kishim bërë pipëz nga ajo që dëgjuam, në derë u dëgjuan krisma, ama çfarë krismash se... Xhamat ranë nga shkelmat e tyre... dhe hynë brenda... fantazmat... Ishin të armatosur, tytat i drejtuan drejt nesh dhe bërtitën sa mundën: “Tre minuta keni kohë për t’u larguar”. Vazhduan të na shtynin me kondakë të armëve në drejtim të derës, që më nuk i ngjante asaj...


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora