E merkure, 01.05.2024, 02:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Universi i mistershëm poetik

E hene, 18.01.2010, 06:55 PM


UNIVERSI I MISTERSHËM POETIK

Moikom Zeqo: Miscellanea 6, (poezi), Tiranë 2009

Shkruan: Ahmet Selmani

a) Antipoezia

Gjithnjë e më tepër bindemi se përvoja krijuese e Moikom Zeqos ka bërë që pikëpamja ndaj zhanrit letrar të marrë një kuptim jashtëzakonisht relativ, por njëherësh edhe një kuptim shumë të veçantë në thelbin e vet. Kjo do të thotë se, sa herë që e lexojmë ndonjë libër të tij, qoftë në prozë, ose në poezi, në fakt ballfaqohemi me një tendencë të pastër antizhanrore, nëse mund ta quajmë kështu. Siç e kemi theksuar edhe në disa raste të tjera, edhe në vëllimin 6 të “Miscellaneas”, ai kapërcen lehtësisht mbi format e tejkaluara e të ngurta të zhanrit poetik, disi pamëshirshëm i shemb pengesat formale që shfaqen në këtë aspekt dhe, rrjedhimisht, e transformon natyrën e tij deri në skajshmëri, ndoshta për ta quajtur, më në fund, edhe si antipoezi. Për sa i përket kësaj, në një intervistë dhënë Mira Meksit, ai shkon aq larg sa thotë se proza dhe poezia janë një. Që do të thotë se për autorin nuk ekziston asnjë lloj mundësie për t’u krijuar miti për zhanrin, ose, thënë me fjalë të tjera, ai është tejet i parëndësishëm, krejtësisht joesencial dhe tepër formal në krijimtarinë letrare. Prandaj e shohim teksa kapërcen me aq lehtësi nga njëra formë në tjetrën, përkatësisht nga proza në poezi, ose anasjelltas, nga poezia në prozë, për të kuptuar menjëherë se gjithçka është, në fund të fundit, vetëm art në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Gjithsesi, edhe në “Miscellanea” 6, që e kemi në duar, e bën këtë kapërcim kaq të natyrshëm, duke na vënë në sprova të shpeshta të kësaj natyre, herë në trajtën e ndonjë dromce klasike të krijimit poetik, e herë në atë të ndonjë trajte të përshtatur sipas ndonjë vepre të ndonjë autori tjetër. Në të vërtetë, ky është krijimi dhe rikrijimi njëkohësisht, që shpaloset përpara nesh, që merr përmasa të plota artistike, që bëhet pjesë e mëvetësisë sonë, e që e vë në lëvizje aktive edhe leximin e tekstit etj. 

b) Ekzistenca e krijimit

Si kudo tjetër, edhe në këtë vëllim të madh autori merret me një univers të gjerë makrotematik, brenda të cilit vërehet teksa lëviz lirshëm historia dhe arkeologjia, arti dhe kultura, feja dhe filozofia etj., gjithnjë si referenca dhe ekuivalente që përputhen ose që koincidojnë me njeriun dhe kohën konkrete, duke u ngritur në metafora shumë sfiduese e domethënëse. Sado që shpesh u referohet teksteve të vjetra dhe të reja, si dhe thënieve të shembëlltyrave nga më të ndryshmet, gjersa i shfrytëzon ose i ndërfut ato brenda tekstit të krijuar vetanakisht, ai prapëseprapë ndërton edhe gjykimin personal për çështjet që ngërthehen aty. Në njërën anë përmes tyre zgjidh një mister historik e ekzistencial, kurse në anë tjerër krijon një mister të ri, krejt të befasishëm, që ia lë lexuesit për ta zgjidhur sipas intuitës së tij. Gjithë universi është shumë simbolik dhe kërkon forcë krijuese. Vetë autori thotë se “kozmosi është simboli im potencial”, me të ciklën na e bën me dije se ballafaqimi me fshehtësinë, me të panjohurën, është pjesë e pandashme, është një lloj modus vivendi. Në këtë univers të pafund kozmik ai nuk sheh asgjë tjetër, përveç të fshehtat e kësaj bote, simbole që bartin kuptime të mistershme, por njëkohësisht edhe joshëse. Prandaj, këtej  është shumë e pritshme kur ai thotë:
Kudo shoh simbole – simbole – simbole – simbole simbole, që u ngjasojnë të folmes së luleve – dhe yjeve – dhe erërave
Kjo na e përkujton Gëten i cili dikur thoshte: “Çdo gjë është simbol”. Njëlloj vepron edhe M. Zeqo, i cili aq më tepër futet në të fshehtat e kozmosit, për t’u bërë pjesë e tyre, ose për të hedhur misterin e vet poetik si brumë perceptues. Me një fjalë, autori gjithë kohën s’bën asgjë tjetër, përveçse krijon tekstin dhe kontekstin poetik, që pastaj lexuesi në vazhdim të mund ta krijojë edhe nëntekstin ose metatekstin e tij. Kjo kategori estetike e M. Zeqos bëhet një tipar dallues në poezinë e tij, sepse gjithçka e vë në veprim të shpejtë, mjaft aktiv, shumë shkoqitës. Në të vërtetë, ky është misteri i ngjeshur midis universit të tij poetik, një mister brenda të cilit autori e shqipton ekzistencën e vet krijuese dhe njerëzore. Artikulimi i qenies individuale nëpër këto situata të gjithëkohshme, është modus parësor, esencë faktike, e cila paraqitet me ritme të dukshme. Kjo është një lidhje hyjnore, e cila doemos do të dalë në dritë dhe do të shquhet me praninë e vet përballë çështjeve të ndryshme. Prandaj ai thotë me gojën plot:
Zoti, Zoti
Pranë e do poetin
Si i gjalli të gjallin
Kështu arrin ta përcaktojë sferën e ndodhjes së krijuesit, përkatësisë së tij, ku drejtpërdrejt e identifikon lidhjen hyjnore dhe, si i tillë, e sfidon vdekjen, ose e siguron statusin e përjetësisë. Në qoftë se gjatë shtegtimit të tij nëpër hapësirën misterioze ndesh lloj-lloj thirrjesh fatale e absolute, ai di të ngrihet edhe kundër tyre për të thënë prerazi:
Me poetin ndodh ndryshe – dhe i vdekur – ai ngrihet vetë – u thërret të gjithëve në emër – dhe u thotë “Të vdekurit jeni ju – jeni ju!”.
Kështu e krijon epërsinë absolute të ekzistencës së poetit, i mundëson të jetojë në gjithëkohësi, ose në epokën pastekstuale, nëse na lejohet të themi kështu, e cila është epoka më reale dhe më jetëgjatë. Sipas kësaj logjike, edhe vepra artistike merr status të pavdekshëm, ose thjesht ekziston në të tashmen jashtëkohore, siç do të thoshte Hans Georg Gadamer. Në këtë aspekt poeti shndërrohet në një udhëtar të denjë të hapësirës misterioze që mbretëron gjithandej, për të cilën ai thotë:
Është Grua, që më josh – epem drejt saj, rrëzohem e ngrihem.
Pikërisht kjo hapësirë kaq joshëse për autorin është libri si një makrokozmos i pafund, si një palimpsest i përhershëm, e që përbën një makrotemë tipike borgesiane, e cila i mundëson të identifikohet me qindra e mijëra gjëra të ngjashme, si individ dhe si kolektivitet, si metaforë dhe si metafizikë. Në këtë mënyrë e koncepton poetikisht botën e gjerë ekzistenciale, për të marrë prej saj atë që është e nevojshme dhe njëkohësisht për t’i dhënë asaj atë që i mungon. Ky është synim ndërtues dhe mbindërtues, është ndërhyrje e veçantë në gjërat e thëna nëpër libra e tekste të ndryshme, për t’i ngritur ato në një shkallë tjetër, të cilën mund ta bëjë vetëm poeti. Prandaj, duke marrë e duke i dhënë asaj, ai thotë:
Poeti – hajdut inteligjent – vjedh dorëshkrimet – nga arkivat sekrete – Universit të Madh – por ju s’e dini – ju s’e dini!
Hulumtimi i këtillë detyrimisht nxjerr në pah një raport të ri brenda tekstit poetik, raport i cili është mbushullues, përplotësues, ridimensionues dhe, gjithsesi, rikrijues. Me këtë ekspeditë të vazhdueshme, s’ka si të mos e shfaqë përpara nesh plotninë e universit ekzistencial, i cili mbetet cytës gjer në fund. Ndaj autori do të shprehet me vendosmëri:
Po i jap mish të paprekshmes – të panjohurës – të paperceptueshmes – në horizontin – ku luhaten zambakët e Judesë – mbi baltë zëerash të vdekur – në harresën e detit eterik – në rrënojë tempujsh – ku të vdekurit – shijojnë të shtangur vdekjen.
Krejt kjo do të thotë se ai siguron statusin ekzistencial e historik, si dhe atë fizik e shpirtëror, sepse duke e plotësuar atë zbrazëtirë të krijuar, duke e rikuptimësuar, ai e hap udhën e jetës poetike, aventurën rikrijuese. Në fakt ky është poeti që lëviz nëpër universin e gjerë, që ngrihet edhe mbi vdekjen, prandaj shndërrohet në metaforë përjetësie.

c) Ekzistenca e njeriut

Në qoftë se brenda universit aq misterioz arrin që ta japë pasqyrën e ekzistencës së krijimit poetik, ta kristalizojë atë në bazë të kuptimit metaforik, nga ana tjetër gjithsesi ia del ta japë edhe atë të ekzistencës së njeriut në kuptimin më shpirtëror. Këtë e bën duke u përqëndruar në motivin e dashurisë si lëndë mbizotëruese, të cilën e trajton me një ndjesi shumë të stërholluar. Përsiatjet e shumta poetike e filozofike që i gjejmë vazhdimisht, dëshmojnë qartë për një përkushtim të jashtëzakonshëm, ngase ato e kapin çështjen në përmasa të gjithanshme. Në të vërtetë, ky është një udhëtim i pandërprerë, tepër kërkues, përzgjedhës, gjatë të cilit shpalos situata e përjetime të nduarnduarshme. Kulmi i gjithë kësaj, mbase është poezia me titull “E dashur mos vdis”, që është një varg i famshëm i Pablo Nerudës. Thirrja e këtillë në formën e një refreni ndërtekstual, është antitezë tepër funksionale, ku dashuria ngrihet në piedestal shumë të lartë, si ndjenjë dhe si vizion, si realitet dhe si univers. Aty e shohim qartë se kemi të bëjmë me një reagim dhe me një ringjallje, me një përjetim dhe me një mishërim. Lutja e poetit “mos vdis”, është një dëshmi tepër sublime, kryekëput jetike, skajshmërisht njerëzore, por edhe parandjenjë reale që na e bën me dije se çdo gjë ka fund, mund të ndodhë kurdoherë. Në fakt këtu poezia bëhet identifikim i dyfishtë, lapidar i poetit dhe i të dashurës:
Poezi, trupi im – shpirti yt – dhe asnjëherë – tabuti yt – e dashur, mos vdis!
Më një fjalë, gjithçka ndërtohet në bazë pohuese dhe distancuese; në njërën anë vëzhgohet universi i gjërave që ndodhin dhe që pësojnë, ndërsa në anën tjetër vëzhgohet e dashura, e cila shndërrohet në një vizion dhe dëshirë për të mos vdekur. Shikuar kontekstualisht, çdo gjë merr kuptim vetëm nëse e dashura nuk vdes, për shkak se me anë të saj pohohet ekzistenca personale, ose ekzistenca njerëzore në kuptimin më metaforik. Së këndejmi duket se edhe përsiatja poetike dhe filozofike për dashurinë bëhet rrjedhojë jashtëzakonisht e theksuar. Shikuar si një strukturë poetike, pa e tepruar mund të themi se kjo është njëra nga poezitë më universale dhe më totale për dashurinë që janë shkruar ndonjëherë, sepse aty ka shpirt jashtëzakonisht të pasur, ka ndjeshmëri tepër të lartë dhe forcë të madhe poetike.

ç) Loja metaforike

Si në çdo vepër tjetër të Moikom Zeqos, edhe në “Miscellanea” 6, ajo që e dallon diskursin poetik të tij pa dyshim është loja metaforike që e përshkon gjithë strukturën gjuhësore të tij. Secili krijim poetik i këtij autori na fut brenda një sistemi të veçantë, për t’u ballafaquar me një metaforë qendrore, siç do ta quante Zh. Zhenet. Në fakt kjo është metaforë e ekzistencës, e cila perceptohet në qindra e mijëra derivate të saj brendapërbrenda tekstit poetik. Thjesht është një lojë e ndërlikuar, e pambarim, nxitëse, një rrokme shumë intriguese, një grishje e vazhdueshme për t’u futur në misterin e botës së autorit, mister i cili edhe zbërthehet edhe errësohet, duke mos lënë asnjë mundësi përfundimi, por që çdoherë mbetet si një joshje për të depërtuar edhe më thellë. Pikërisht kjo lojë metaforike arrin deri në atë shkallë sa bëhen edhe përmbysje esenciale, transformime të skajshme gjuhësore, vetëm e vetëm që të krijohet metafora kontekstuale e një realiteti të caktuar. I tillë është cikli i tretë me titull “Moi kom zeqo Kom moi qoze”, në të cilin autori përmbys emrin dhe mbiemrin e tij, për të krijuar një mister të çuditshëm, një lojë të re në sistemin e tij krijues. Në fakt, nëpërmjet një dorëshkrimi të pabotuar, me një gjuhë të përmbysur, me një mozaik enigmatik, ai i përgjigjet një kaosi, një kohe të pakohë, ose thjesht e demaskon atë metaforikisht, kuptohet duke e sjellë si evokim në kohën e tashme, në mënyrë fare të lirshme, me të cilën vetvetishëm krijon një ligjërim tejtërfare, ngaqë gjërat shqiptohen me një gjuhë të pazakontë, e që për lexuesin përsëri paraqesin një mister edhe më tërheqës. Pra kjo është befasia poetike e M. Zeqos, sepse gjithë struktura gjuhësore e tij vihet në një kontekst të vazhdueshëm dinamik, jashtëzakonisht intrigues dhe po aq edhe nxitës. Prandaj, këndej mund të themi se loja metaforike transformohet në forma të ndryshme, herë ngrihet në shkallën e një figure të mëvetësishme, e herë në shkallën e një konteksti të caktuar, gjithnjë duke e plotësuar strukturën e ligjërimit poetik.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora