E shtune, 27.04.2024, 05:41 PM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XI)

E marte, 29.12.2009, 08:55 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Rishkrimi i historisë së letërsisë


Studiuesit e njëmendtë në Shqipëri sjellin fakte të palëkundshme, që do të thotë të qëndrueshme, për shkruesin e letërsisë shqipe, Dhimitër Shuteriqin, i cili “herë kishte qenë serb, herë kishte qenë me origjinë ruse dhe si i tillë kishte qenë dhe dashamir i Kinës”. Për shkruesin tjetër të historisë së letërsisë shqipe, Rexhep Qosja, këto fakte as ishin e as janë të rëndësishme. Përkundrazi. Ai tash së voni, pranon të gjitha pohimet e deritashme të ketë qenë vjelës i mundit të autorit para tij të historisë së letërsisë shqipe të shkruar nga Shuteriqi, për të cilin Qosja thotë se i detyrohet shumë. Në një intervistë më 19 gusht 2008 në Ulqin, pyetjes për idenë aktuale rreth rishkrimit të historisë së letërsisë shqipe, akademik Qosja, ndërmjet të tjerash, përgjigjet:

Nocionin, të rishkruhet historia politike, historia e shqiptarëve dhe të rishkruhet historia e letërsisë shqipe, nuk e gjykoj të drejtë. Kam shkruar “Historinë e Letërsisë së Rilindjes”. E kam kundërshtuar nocionin “të rishkruhet” pasi kjo do të thotë që ta rishkruash çdo gjë nga fillimi, nga A-ZH. Si është e mundur të rishkruhet edhe nëse do duash? A do shfrytëzosh punën e atyre që kanë botuar deri më tani; do shfrytëzohet mundi i atyre që e kanë shkruar deri më tani këtë histori të letërsisë?! Ata që e kanë shkruar, kanë shfrytëzuar mundin e të tjerëve më parë?! Patjetër që po! Atëherë ne do ta plotësojmë, korrigjojmë, përmirësojmë, pasurojmë, historinë e letërsisë, por ta rishkruajmë prej fillimit nuk është e mundshme. Historinë që kam shkruar, kam shfrytëzuar të dhënat e atyre që kanë studiuar para meje. E kritikojnë shumë Dhimitër Shuteriqin, po unë i detyrohem shumë… Ato që ka bërë Shuteriqi janë të pakalueshme për atë që shkruan historinë e letërsisë shqipe. Ai ka studiuar librin shqip dhe ka zbuluar veprat e shqiptarëve, ka shpjeguar jetëshkrime dhe ka sjellë të dhëna të plota për ta. Shuteriqi na i ka sjellë! Ndaj them se kam shkruar “Historinë e Letërsisë së Rilindjes” por s’e kam rishkruar, kam shfrytëzuar përvojën e atyre para meje. Pra historinë nuk e rishkruajmë dot! Thjesht, shkojmë përtej, me shpjegime më pranuese duke u nisur nga një përvojë e krijuar para nesh. Kjo është e vërteta sipas meje dhe duhet t’i jemi mirënjohes atyre që kanë punuar para nesh.

Të ndalemi vetëm pak në një segment deklarate të Qosjes në këtë intervistë, kur flet për kundërshtimin e rishkrimit të historisë së letërsisë. „…do shfrytëzohet mundi i atyre që e kanë shkruar deri më tani këtë histori të letërsisë?!“, pyet ai edhe çuditshëm, pastaj i përgjigjet pyetjes së vetë: „Ata që e kanë shkruar, kanë shfrytëzuar mundin e të tjerëve më parë?!“. O, Zot! Ç’ngjau dhe po ngjet kështu me këtë njeri! Ai e paska shkruar historinë e letërsisë dhe këtu, sipas tij, duhet të pushojnë studiuesit dhe historianët e tjerë të tashëm dhe të ardhshëm të letërsisë sonë. Ai e paska kryer që nga rrënjët e deri te e ardhshmja shkrimin e kësaj historie, duke „shfrytëzuar mundin e të tjerëve më parë“, ndërkohë që të tjerëve nuk ua lejon këtë mundësi të shfrytëzimit të „mundit të të tjerëve“. Ka ndonjë rëndësi tjetër shkencore se a shkruhet, apo rishkruhet historia e letërsisë shqipe, duke pasur mbështetjen te historia e letërsisë shqipe e Shuteriqit, ku u mbështet dhe ai, apo në të ardhmen edhe te kjo e z. Qosja? Ai paska pasur të drejtë të shfrytëzojë „mundin e të tjerëve“, kurse të tjerët pas tij s’e paskan këtë të drejtë? Historia e tij e letërsisë qenka absolute, e përkryer dhe aq e plotë sa pena e askujt tjetër nuk guxuaka të shkruaj a të rishkruaj këtë histori letërsie? Nëse i detyrohet aq shumë Shuteriqit, punën dhe mundin e të cilit e shfrytëzoi aq shumë, përse e rishkroi pra ai historinë e letërsisë shqipe? Kush ia zuri për të madhe për këtë? Kush e kritikoi? Askush. Përkundrazi. Ai mori lëvdata të shumta dhe, në saj të kësaj, ai mori dhe titullin historian i letërsisë, pavarësisht nga shfrytëzimi i mundit të të tjerëve. Ai i solli ridritën kësaj historie, njësoj siç do t’i sjellin edhe të tjerët, tash ose më vonë, me ndonjë shkrim a rishkrim të historisë së letërsisë. Përse e kundërshton me aq ngulm, me aq frikë dhe me aq injorim idenë e rishkrimit të saj? Përse nuk pret të rishkruhet kjo, në mënyrë që pastaj të thotë fjalën e vetë, vlerësimin e vet, zhbërjen e saj? Përse nuk pret, që të shoh se si dhe në çfarë mase rishkruesi (apo rishkruesit) e kësaj historie e „kanë shfrytëzuar mundin e të tjerëve“ dhe, rrjedhimisht, edhe mundin e tij? Nuk pret, sepse nuk i pritet. Nuk i pritet, sepse ka frikë se mund të dalë ndonjë penë edhe më e fuqishme, ndonjë dije shumë më e fuqishme e shkrimit të historisë së letrave shqipe se ç’e pati dhe mendon se e ka vetëm ai. Ndoshta nuk i pritet ngase është mësuar që të vjelë frutat vetëm ai nga pema e studimeve tona të deritashme. Ndoshta, prapë them, nuk i pritet sepse ku e di ai, nesër, kur të rishkruhet kjo histori, ai do të mungojë fizikisht në mjediset tona të debateve, në mjediset tona letrare, në ato politike, në ato patriotike, në ato servile, në ato zhbërëse, në ato mohuese, në ato ku mund të shihet vetëm ai, si Zoti.

Dihet (dhe ai e pranon vetë) se Rexhep Qosja ka „shfrytëzuar mundin e të tjerëve“ kur e shkroi historinë e letërsisë shqipe. Dihet, gjithashtu, se ai ka shfrytëzuar edhe mundin e të tjerëve jashtë letërsisë. Dihet, megjithatë se shkenca nuk njeh e nuk ndërtohet pa shfrytëzimin e mundit të të tjerëve. Ajo nuk fillon dhe nuk mbaron vetëm me „shfrytëzues“ shkencorë të privilegjuar, të cilët mendojnë se botën e dijes duhet ta kenë vetëm ata, siç ishte dhe është vetë Qosja kur e shfrytëzonte mundin e Shuteriqit, kur e shkruante (me vjelje të jashtëzakonshme) „nënhistorinë“ e letërsisë shqipe. Ajo zhvillohet e do të zhvillohet, ajo studiohet e do të studiohet brez pas brezi. „Shfrytëzuesit“ shkencorë nuk mund të shahen. Përkundrazi, duhet të lavdërohen me respekt. Mirëpo, kur Rexhep Qosja ynë i madh kalon nga shfrytëzimi  „i mundit të të tjerëve“ në pirateri, në hajdutëri të dënueshme, në përvetësime vlerash shkencore e hulumtuese të të tjerëve, atëherë nuk ngelë gjë nga autoriteti i tij prej Zoti, të cilin e ka vetëkrijuar brenda vetvetes. Për hajdutërinë e tij nuk e pyet askush, nuk kërkon përgjigje askush, bile as mediat e tij, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri. Nuk e pyet askush dhe ai heshtë dhe në heshtje injoruese (s’preket e nuk skuqet nga turpi në asnjë rrethanë) përpiqet t’i shafitë, t’i bëjë të paqena të gjitha denoncimet jo të pakta publike rreth hajdutërisë së tij të vlerave studimore hulumtuese të autorëve të tjerë. Ai vodhi pikë për pikë “Programin e partisë radikale serbe të Vojisllav Sheshelit” nga libri “Spastrimet etnike” të akademikut Hivzi Islami, i botuar në vitin 2003, dhe i futi në librin “e tij” “Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe”, të cilin e botoi “Toena” e Tiranës (2005).

 

Mbulesa e „miqve“


Në vazhdë të reagimeve, analizave, shkrimeve të ndryshme që u botuan në shtyp për një periudhë kohe, si shkriftim i asaj që kishte thënë e shkruar Qosja nëpër media të shkruara e elektronike, janë për t’u përmendur shkrimet e Piro Mishës, Mero Bazes, Shkëlzen Gashit etj., të cilat nxjerrin në shesh se kah synon dhe çfarë brumi ka Qosja, por në mënyrë të veçantë po përmend shkrimin e akademik Hivzi Islamit, për plagjiaturën që Qosja në mënyrë të pashembullt e ka botuar pa pikë turpi, si pirat i vërtetë i fjalës e mendimit të tjetrit.

Pasi u botua shkrimi i Hivzi Islamit, në mbrojtje të Qosjes dolën disa pasues të tij, midis tyre edhe botuesi Fatmir Toçi. Ishte për t’u admiruar gjuha e butë e botuesit “Toena” Fatmir Toçi, me të cilën i drejtohet akademik Hivzi Islamit, të cilin as e njeh si shkencëtar, as si profesor universitar, as si akademik dhe as e ka mik, e as ka dëgjuar ndonjëherë për të! Që në titull ai vë në thonjëza shkallën “akademik” për të. E, përse të mos e vë nën thonjëza, kur ky akademik nuk bën pjesë në dimensionet e tij të bizneseve kulturore, me të cilat merret si botues i miqve. Ishte për t’u admiruar edhe gatishmëria e tij e plot prej miku të vërtetë, që të shkelë të gjitha parimet morale të një botuesi serioz, që të mbrojë, jo vetveten e mashtruar, por mikun e tij Rexhep Qosja, i cili njëmend ka marrë të gatshme qindra faqe material të gatshëm, madje krejtësisht të gatshëm, nga libri “Spastrimet etnike” të akademik Islamit, i botuar në vitin 2003. Kështu mbrohen miqtë edhe kur ata gabojnë, siç ka “gabuar” tepër naivisht dhe komprometueshëm miku i tij, Rexhep Qosja, duke “huazuar” pikë për pikë materiale të gatshme nga autorë të tjerë. Po të “gabonte” kështu ndonjë autor i “vogël” dhe jo Qosja i “madh”, mbase askush nuk do të merrej më një trajtim të tillë “parimesh” dhe piraterish. E vetmja përpjekje e padisiplinuar e z. Toçi për ta mbrojtur një “huazim” të tillë të z. Qosja, duket të jetë konstatimi i tij: “Libri “Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe” ka dalë në qarkullim në mars të këtij viti dhe është një vështrim kritik i zgjeruar i akademikut Rexhep Qosja”. Ku e kishte gjetur ky botues “vështrimin kritik të zgjeruar të akademikut Rexhep Qosja”, në pjesët e marra pikë për pikë nga libri “Spastrimet etnike” të akademik (pa thonjëza) Hivzi Islami, material ky vetëm i përkthyer dhe pa ndonjë “vështrim kritik të zgjeruar”?

Mbrojtja që i bën mikut të tij Qosja botuesi i “Toenës” është e mbushur me fakte “të palëkundshme”. Ai thotë se “materiali i titulluar “program i partisë radikale serbe, 1991”... është marrë i gatshëm nga interneti dhe nuk ka emër përkthyesi...”. Le ta marrim për një çast se ky material nuk është marrë pikë për pikë nga libri “Spastrimet etnike” të akademik Hivzi Islami, i cili në fusnotën e tij ka shënuar edhe emrin e përkthyesit, por qenka marrë “i gatshëm nga interneti”, ku nuk paska pasur as emër përkthyesi. Një akademik, siç është Qosja, si mund të bëjë libra me materiale të tilla të gatshme interneti? Nuk i përngjet kjo praktikë piraterisë dhe përvetësimeve të punës së të tjerëve? Përse në fusnotën e domosdoshme ky “autor” nuk e kishte theksuar në librin e tij se materialin e kishte marrë të gatshëm nga interneti, siç thotë ky botues, në mënyrë që as te lexuesit, por as te akademik Islami të mos krijohej kjo bindje e “gabueshme” përvetësimesh për njeriun e “madh” Qosja? Por, z. Toçi e di se nuk është kështu siç përpiqet të thotë dhe siç përpiqet ta mbrojë mikun e vet nga veprimet e tij të palejueshme. Edhe atij do t’i bënte mirë të merrte këta dy libra të këtyre dy autorëve, të cilët edhe nëse nuk do t’i lexonte, së paku do të mund t’i krahasonte tekstet e njëjta. Nuk mund të ndodhë që dy a më shumë përkthyes të të njëjtit material të jenë pikë për pikë identikë, me të njëjtat njohuri gjuhësore, sintaksore, morfologjike dhe ortografike. Atëherë, përse u përpoq z. Toçi ta tallte lexuesin e këtyre mediave dhe të këtyre dy autorëve? Mendoj se kështu z. Toçi ka tallur punën dhe qasjen e tij, të cilën e konsiderojmë serioze. Një emër, që ai e thekson si përkthyes, e siguroj se bën gabim edhe më të madh. Ai nuk i njeh normat letrare të shqipes, që të jetë një përkthyes i kalueshëm.

Plot admirim ishte dhe reagimi plot habi edhe i romansierit të njohur (jo politikanit) Sabri Godo për ta mbrojtur mikun e tij Rexhep Qosja nga shpalimet e fundit të “huazimeve” pikë për pikë të materialeve të autorëve të tjerë shkencorë, siç “huazoi” (nuk dua të them se vodhi) materiale të gatshme, madje krejtësisht të gatshme, nga libri “Spastrimet etnike” të akademik Hivzi Islamit, i botuar pikërisht para dy vjetësh, kur këto materiale paskan “dalë në internet”, siç përpiqet të thotë gënjyeshëm z. Toçi. Reagimi i z. Godo nxiti te lexuesit mallëngjimin plot vuajtje dhe bashkëvuajtje, që paska dhe paska pasur ai ndaj Rexhep Qosjes, kur ai gjatë luftës ka qëndruar i rruar në Tiranë. Kjo miqësi bashkëvuajtëse ka domethënie të veçantë dhe admiruese, edhe pse ai nuk e di (ose bëhet se nuk e di) se kur kishte filluar dëbimi serb i shqiptarëve nga Kosova, z. Qosja u kishte bërë thirrje të gjithëve të mos e braktisnin Kosovën, sepse “s’kemi atdhe tjetër”, ndërkohë që i rruar, i tebdilosur, kishte lënë prapa popullin në golgotën më të llahtarshme të përndjekjes dhe gjenocidit dhe vetë kishte ikur në në Maqedoni e pastaj në Tiranë. Ai nuk e di (ose bëhet se nuk e di) se pas luftës, derisa ishte ende në Tiranë, pyetjeve të reporterëve të shumë mediave se “çfarë mendoni për shqiptarët që qëndruan në Kosovë gjatë gjithë luftës”, ai qe përgjigjur”: “Ata janë lojalë të Serbisë”. E kupton, z. Godo këtë ndryshim qosian?

Reagimi i tij për të mbrojtur “huazimet” dhe përvetësimet e palejueshme të mikut të tij, Qosja, shpaloi, mbase padashur, të vërtetën tjetër se ai, jo vetëm s’e kishte lexuar fare librin e akademik Islamit, edhe pse i botuar para dy vjetësh, por as e kishte në dorë fare librin e Qosjes si autor i materialeve të gatshme, qoftë edhe nga interneti, i botuar në marsin e këtij viti në “Toena”. Edhe më keq. Në sajë të reagimit të tij të përmallshëm, “dinjitoz” dhe luftarak për të mbrojtur edhe piraterinë e mikut të tij, shihet se ai s’e di se ç’do të thoshin faksimilet e botuara në media. Ai numëron rreshtat e njëjtë të njërit dhe tjetrit faksimileve. “Kureshtja më shtyu të lexoja të gjithë shkrimin e akademikut Islami dhe pashë se kjo gjë fare e vockël, inekzistente, përkthimi i 24 rreshtave...”, thotë ai në vështrimin e tij. Ai nuk mund ta marrë me mend se këta 24 rreshta identikë të këtyre dy faksimileve të botuara, paraqesin dëshminë e vjedhjes së më shumë se 100 faqeve të tjera nga ana e Qosjes. Përse iu desh këtij romansieri të njohur e të dashur në Kosovë t’i hyjë një pune të tilla jorgani pa asnjë nevojë dhe përse iu desh të shpalohej në këtë mënyrë (duke mos e ditur as kuptimin e faksimileve? Si krijues serioz që është, nuk do të duhej të mbronte veprimet e palejueshme, qofshin këto edhe të mikut të tij vuajtjesh a bashkëvuajtjesh - Qosja, duke i quajtur të vërtetat e verifikuara dhe të provuara si inekzistente!

Le t’i drejtohem me këtë rast z. Godo! Nga shkrimtari ynë i madh botëror Kadare shumë krijues, sidomos në Kosovë, kanë marrë dhe marrin, ndikohen dhe nuk mund t’i ikin ndikimit të tij përmbajtjesh, stili dhe hapësire. Me sa dimë, ky shkrimtar botëror asnjëherë s’ka marrë të gatshme nga krijuesit e tjerë shqiptarë, që t’i përvetësojë dhe t’i bëjë të tijat. Ai nga mjedisi i tij intelektualë dhe nga mjedisi i tij injorant ka marrë vetëm personazhet. Prandaj, Kadarenë e shani në Shqipëri? Prandaj, ju në Shqipëri e mbroni piraterinë e Qosjes në Kosovë?

Megjithatë, reagimi juaj për “Rexhepin” tuaj “të madh”, tregoi se çfarë është i gatshëm të bëjë (edhe gabimisht) miku për mikun, ndonëse nga leximi i veprave tuaja të mëdha, nuk kemi gjetur asgjë të përbashkët me mënyrën e shfrytëzimit të materialeve të gatshme për t’u bërë domosdo autor i tyre. Është e natyrshme që autorët e vjedhur reagojnë dhe duhet të reagojnë. Duhet të reagojnë edhe krijuesit e moralshëm që të mos bëhen mbrojtës të hajdutërive të tilla. Ata që mbrojnë “vlera” të tilla piraterish, logjikisht janë të njëjtë me përvetësuesit e punës dhe angazhimit të të tjerëve.  

Pas shumë vjedhjeve, piraterive dhe përvetësimeve poetike, që kishte bërë Agim Vinca nga disa poetë e shkrimtarë këtu e në Shqipëri, si dhe pas vjedhjes, përvetësimit gati plotësisht dhe, piraterisë më të fundit të Adem Gashit (atëherë edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës) të antologjisë “Eni vjen pej Çamërie” të Ali Podrimes, duke u bërë autor i këtyre vlerave të vjedhura poetike për çamët në librin “Pikoi molla gjak”, të cilin libër të përvetësuar e botoi me paratë e padhembshme të Ministrisë së Kulturës, por tash jo për çamët, por për arvanitasit, duke falsifikuar edhe motivet, edhe gjeografinë e dhembshme dhe autoktone çame, qe pritur ndonjë reagim, ndonjë porosi a ndonjë vërejtje nga letrarët dhe nga krijuesit letrarë. Por, heshtja e tyre ishte lejim publik dhe i përkrahur për  vjedhësit e tillë të vlerave shpirtërore të të tjerëve, të cilët, natyrisht nuk skuqen asnjëherë për veprime të tilla dhe as për ndërrim të tillë motivesh dhe gjeografishë. Të tillët duan të vjedhin dhe me të tilla vjedhje të fitojnë paratë e turpshme, me të cilin turp ata ndihen gjithmonë krenarë. Po të mos e përjetonin vjedhjen e tillë parazite të vincave dhe të gashëve, si një veprim që nuk është edhe pjesë e tyre e fshehtë e gatishmërisë për të vepruar njësoj, letrarët dhe krijuesit gjithandej do të kishin reaguar dhe do të ishin vënë në frontin e luftës kundër këtyre hajdutëve, jo shumë për të mbrojtur paranë, sa për të mbrojtur letërsinë nga këta kusarë. Ata e pëlqyen dhe e pëlqejnë këtë kusari autorësh hajdutë, prandaj dhe në heshtje u duartrokasin dhe i lënë të jenë prijës të tyre dhe pedagogë studentësh! Ç’prijës organizatash letrare paskan krijuesit dhe ç’prijës pedagogësh paskan edhe studentët e letërsisë shqipe!?

Qytetarët dhe intelektualët e Kosovës gjatë gjithë kohës ishin bërë sikur kishin harruar çfarë ishte dhe çfarë kishte bërë më parë Rexhep Qosja, për të cilin kishin qejf ta ruanin atë nga gabimet e tij të qëllimshme, të cilat asnjëherë nuk harroi t’i bënte dhe t’i vazhdonte. Kishin dashur të mos e përmendnin dhe të mos e kujtonin kurrë pamfletin më të përdalë dhe më denoncues “Morfologjia e një fushate”, me të cilin kërkohej që e gjithë klasa e atëhershme (dhe e sotme) intelektuale ishte një kërcënuese e pashembullt e integritetit të tij personal (me të cilin identifikonte pushtetin). Kishin dashur të mos e kujtonin gjëmën e tij me shkrim për vdekjen e Titos...

Njerëzit dhe intelektualët e Kosovës me shumë dëshirë do të bënin sikur kanë harruar se, për t’u bërë drejtor i Institutit Albanologjik, Rexhep Qosja kishte shkruar disa faqe biografi për anëtarësim në LKJ, sikundër që kur ishte dënuar me një vërejtje partiake në vitet ‘80-të kishte bërë ankesë shumëfaqëshe me shkrim, me të cilën kërkonte t’i bindte komitetet se është dhe ishte anëtar i denjë  dhe i verifikuar i linjës së LKJ-së. Do të bënin sikur kanë harruar se Rexhep Qosja i tyre, për merita të jashtëzakonshme, është “çmuar me shpërblimin e RS të Serbisë “Shtatë Korriku”, më 1975, siç shkruan vetë Qosja në biografinë e tij (botim jubilar për njëzetvjetorin e Institutit Albanologjik 1967-1987, faqe 110). Edhe pas pushtimit të plotë të Kosovës nga Serbia, Rexhep Qosja kurrë nuk e ktheu këtë çmim, i cili i kishte sjell atij privilegje të mëdha financiare e shoqërore.

Njerëzit dhe intelektualët kishin dashur që kurrë të mos e kujtonin veprimin rrënues të Rexhep Qosjes, kur, me të gjitha përpjekjet e tij, ishte angazhuar të zhbëhej Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës gjatë “qeverisjes” së tij në KPA (Këshilli i Përkohshëm Administrativ) dhe, pas mossuksesit të tillë, kishin pasuar përpjekjet e tij për “bashkimin” e kësaj Akademie me atë të Shqipërisë, si mundësi e vetme që ai të vihej në krye të tyre.

Njerëzit dhe intelektualët e Kosovës kanë aq shumë çështje e veprime të dëmshme të Qosjes, të cilat me dëshirë nuk do t’i kujtonin. Por që të mos i kujtonin këto, atëherë atyre u duhet të harrojnë fare se e kanë dashur të jetë më ndryshe, më i njëmendtë, më i tyri, që do të thotë të ishte më pak komunist, më pak LKJ-ist, më pak të kishte gjëmë respekti e dhembje për Titon dhe më shumë dashuri për të mëdhenjtë e tjerë të kombit, të cilët vazhdimisht ka kërkuar t’i rrënojë e t’i heshtë me pamflete të atëhershme linjash dhe privilegjesh të LKJ-së, siç përdorë dhe keqpërdorë tash flamuj të shpifur të patriotizmit të tij njerëzor e intelektual.

Është vetë Qosja ky që as atëherë e as tash nuk i lë njerëzit dhe intelektualët t’i harrojnë të bëmat e tij nënshtruese për përfitime privilegjesh e mirëqenieje personale në kurriz të popullit shqiptar, që i vinin nga zyrat e larta të komiteteve të LKJ-së, të cilat sot s’ka kush ia ofron.

Kot kishin shpresuar njerëzit dhe intelektualët se do të reagonin parimet morale, krijuese dhe intelektuale të Rexhep Qosjes kundër hajdutërisë në letërsi, qoftë edhe kundër veprimeve të tilla të miqve të tij, siç janë Vinca e Gashi. Ngjau e kundërta. I frymëzuar mbase nga efektet dobiprurëse të hajdutërisë së miqve të tij e të përkrahur me heshtje të plotë edhe nga krijues të tjerë parimesh periferike të përjetimeve të përditshme inferiore e llaskuce, edhe Rexhep Qosja, pa një - pa dy, pasi kishte konstatuar në librin e tij pamflet “I ringjalluri i penduar” se Kosova është një “fermë qensh”, që kishin dalë, siç thotë vetë në këtë pamflet të pashembullt, qen e kudra të prisnin ardhjen e përmendores së Skënderbeut në Prishtinë, kishte filluar edhe ai të bëjë po këtë zeje kopjimesh të vlerave të punës së të tjerëve. Kështu le të më lejohet të përsëris edhe një herë se Qosja, pas stërshfrytëzimit të punës e të mundit të Dhimitër Shuteriqit për (ri)shkrimin e historisë së letërsisë, pas vjedhjes së motiveve të romanit „Ahmet Koshutani“ të Ramiz Kelmendit, mori një pjesë të madhe të punës së gatshme nga libri “Spastrimet etnike” të akademikut Hivzi Islami, i botuar në vitin 2003, dhe i futi në librin “e tij” “Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe”, të cilin e botoi “Toena” e Tiranës (2005).

Me “huazime” të tilla vlerash e punësh të të tjerëve, lexuesit nuk janë çuditur aq shumë nga vincat dhe nga gashët, por që edhe Rexhep Qosja të merret edhe më intesivisht me këtë zeje të turpshme “huazimesh” (nuk them vjedhjesh), njerëzit dhe intelektualët nuk do të arrijnë ta kuptojnë kurrë. Pavarësisht nga tipi i vazhdueshëm i shkrimit të tij denoncues, rrënues dhe pamfletor e fyes, me të cilin tashmë nuk çuditet askush dhe askush nuk e merr seriozisht (thonë se ai do të ketë probleme në të ardhmen me biografinë e tij), kurrë nuk do të mund ta merrnin me mend se edhe Qosjes do t’i nevojiteshin “huazimet” e tilla të paskrupullta edhe në fushën e historisë, siç bëri tash, ngjashëm me veprimet e miqve të tij Agim Vinca e Adem Gashi, të cilët “krijojnë” vargje dhe libra me vargje dhe me libra të autorëve të tjerë, pa u rënë ndërmend se njësoj ky akademik kishte vepruar dhe kishte vjedhur edhe historinë e letërsisë nga Dhimitër Shuteriqi!  



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (X) Behxhet Dibrani: Rrethanat shoqërore- politike nderkombëtare dhe shqipetarët nga lufta e krimes deri në krizën lindore Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (V) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IX) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Qyqavicë, në vendin e quajtur “Llaza” dhe në Beqiq (Besnik) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VIII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (III) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VII) Qazim Namani & Arzie Zeneli: Vlerat historike dhe arkitektonike të kullës së Sylejman-Fazli Tahirajt Naile Mala-Imami: Sa shqiptarë jetuan dhe sa janë tani në Beograd? Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (V) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (II) Sulejman Sulejmani: Rezistenca ndaj Brigadës së XII Maqedone... Hilmi Saraçi: Si u pushkatuan 21 shqiptarë nga forcat partizane komuniste... Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (I) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IV) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (III) Fehmi Sadiku: Të dhëna statiskore për trysnitë ndaj kosovarëve me anë të “tepricave” të shpikura!

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora