E diele, 28.04.2024, 04:07 PM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VI)

E hene, 21.12.2009, 08:58 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Një gënjeshtër e Qosjes dhe një përgjigje e ASHAK-ut


„…Oj Kosovë e mjera Kosovë!“ - klithë Qosja për Akademinë e Shkencave të Kosovës në intervistën e tij në të përditshmen e Prishtinës „Infopress“ të fundvitit 2008 dhe, vazhdon:

Seksioni i Gjuhës e i Letërsisë për tetë vjet ka pranuar vetëm një anëtar të ri! Si është e mundshme kjo? Pse iu mbyllën dyert e Akademisë sa e sa gjuhëtarëve, historianëve të letërsisë, shkrimtarëve? Akademia sot nuk është në gjendje me anëtarët e vet të ngris e të realizojë asnjë projekt shkencor nga fusha e gjuhësisë, nga fusha e historisë së letërsisë, nga fusha e historisë së arteve të tjera, nga fusha e kulturës. Me kë? Me dy gjuhëtarë të shkuar në moshë dhe me një gjuhëtarë tjetër tashmë të burokratizuar? Me një historian të letërsisë! Me anëtarët tjerë mund të shkruhen artikuj në gazeta, por jo të bëhen kërkime  e studime shkencore. Nuk janë bërë as përpara! Hajde e mos të shkoj mendja se në Seksionin e Gjuhës dhe të Letërsisë urrehen gjuhëtarët, historianët e letërsisë dhe shkrimtarët më të talentuar e më të merituar të Kosovës sot. Sikur të mos sundonte kjo patologji në Akademi, sot në Akademi do të ishin edhe Adem Demaqi, Agim Vinca, Ramiz Kelmendi, Shefkije Islamaj, Din Mehmeti, Ymer Jaka, Shekfi Sejdiu, Rruzhdi Ushaku e edhe Qemal Murati. Disa prej këtyre krijuesve sot janë krijues me shumë më tepër ndikim në jetën shkencore, letrare, arsimore e kulturore kombëtare në përgjithësi se kolegët e tyre anëtarë të Akademisë. Po të mos ishte shpërfytyruar siç është shpërfytyruar Akademia, në mënyrë të veçantë seksioni i saj i Gjuhës e i Letërsisë dhe Seksioni i Shkencave Shoqërore, Akademia do të luante rolin që i takon shkencor, kulturor e shoqëror e s‘do të kthehej në shtëpi të vogël private, që zgjedh anëtar partizanët e vet partiakë, kurse në Kryesi qe 15 vjet militantët e të njëjtit klan“.

Këtë që e thotë në krye të kësaj përgjigjeje për Akademinë e Shkencave në Kosovë, e ka me të drejtë z. Qosja: Oj Kosovë e mjera Kosovë! Faktet që i kritikon dhe faktet që sjell, jo vetëm janë qesharake, bile të dhembshme qesharake, që e bëjnë secilin t’ia thotë „Oj Kosovë e mjera Kosovë“, por „faktet“ e reja të tij edhe të trishtojnë. Me dy gjuhëtarë, thotë ai i pezmatuar, të shkuar në moshë dhe me një gjuhëtarë tjetër, tashmë të burokratizuar, me një historian të letërsisë, të quhet kjo Akademi e Shekncave e Kosovës!? Pastaj përlan lava e tij mohuese e anëtarëve të tjerë të kësaj Akademie, të cilët nuk qenkan për tjetër gjë aty, pos të shkruajnë artikuj në gazeta. Pastaj, sjell propozimet e tij emrash që do të duhej të ishin anëtarë të kësaj Akademie, disa nga të cilët janë edhe më pleq se ata akademikë, që i zë në gojë, bile edhe më pleq se shumica e pleqve të Kosovës. Por ai i shan akademikët pleq dhe i propozon edhe më pleq se të parët! Ai habitet i shqetësuar se pse Adem Demaçi nuk është akademik, edhe pse vetë e kishte quajtur për nevoja të veta „limon i shtrydhur“, edhe pse edhe ai i ka kaluar të shtatëdhjetat e moshës! Ndoshta sugjeron për të për shkak të projektit të tij të famshëm për Ballkaninë, si konfederatë ballkanike, në të cilën, përveç trojeve të tjera të copëtuara shqiptare, si njësi konfederale, do të hynte edhe Shqipëria, që të humbte sovranitetin dhe të qeverisej nga saçi sllav! Ndoshta ia njeh mirë temperamentin e tij të pakontrolluar dhe i duket sikur mund ta ndërsejë lehtë kundër Akademisë! Ai sugjeron për akademik Agim Vincën, i cili tashmë është i njohur për plagjiaturë e hajni poetike nga poetë të tjerë, që nga Kadare e deri te Halil Qendro. Ndoshta këtë e ka sugjeruar, sepse edhe vetë Qosja është marrë e merret me të tilla marrëzi plagjiaturash, që do të shihen pak më vonë në këtë libër. Ndoshta propozon Vincën për shkak të fushatës së tij kundër historisë sonë të dizajnuar mrekullisht në Flamurin shtetëror të Kosovës motivesh të Dardanisë Antike, që e kishte propozuar dr. Rugova dhe e kishte jetësuar sa ishte gjallë në gjithë Kosovën dhe në institucionet e saj. Fushata e tij mediatike arriti qëllimin e turpshëm: huliganët „atdhetarë“ e dogjën këtë flamur dhe historinë e tij të lashtë në sheshin e Prishtinës. E pse jo, kur të dy këta e urrenin aq shumë dr. Rugovën dhe për inat të tij e dogjën edhe historinë tonë kombëtare?!

Por, pse ai nuk vete qe më shumë se gjashtë vjet në ASHAK? Kush i ka thënë të mos shkojë? Kush e ka përzënë? Askush. Duke dashur ta ketë brenda saj z. Qosje, Akademia e Shkencave dhe e Arteve në Kosovë, ka bërë shkeljen më flagrante të statutit të saj, të rregullave dhe të rregullores së saj, duke e lënë ende anëtar të rregullt të Akademisë edhe pse me mungesa shumëvjeçare të paarsyetuara asnjëherë. Nuk e ka shmangë ASHAK-u atë, ai e ka shmang ASHAK-un, në mënyrë që përsëri nga larg të gjejë mënyra për të sharë, për të trilluar dhe për të gënjyer pandalshëm.

Po në këtë intervistë trivazhdimëshe dhënë së përditshmes prishtinase „Infopress“, jo vetëm që qortoi kuadrin plak të Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe, jo vetëm propozoi emra të tjerë  edhe më pleq (bile disa edhe më pleq se ai vetë), që do të mund të ishin anëtarë të kësaj Akademie, por nga kroi i tij thashethemesh (të tjerët do t’i thoshin ndryshe këtyre të pavërtetave), renditi një varg të pavërtetash të tjera rreth raportit të kësaj Akademie me të, si anëtar i saj. Pasi qortoi me radhë pushtetet e deritashme në Kosovë, se pushteti i LDK-së ia paska mbyllur dyert dhe se pushteti i tashëm i PDK-së, pushtet ky, të cilin Qosja e quan të luftëtarëve të UÇK-së (jo edhe të luftëtarëve të FARK-ut, të cilët edhe këta luftuan për çlirimin e Kosovës), ia paska mbyllur dyert, por edhe më shumë – me shtatë brava - ankohet se edhe Akademia e Shkencave e Kosovës ia paska mbyllur dyert, edhe pse nuk e thotë se me sa brava (lexo: dryna) ia paskan mbyllur këto dyer!

Nuk është hera e parë që akademik Qosja deklaron dhe manipulon pashtershëm me të pavërteta. I thotë këto dhe nuk ndjehet keq. Nuk ndjehet keq edhe kur pasojnë reagimet e rralla, të cilat sheshojnë të vërtetën, duke i shpaluar të pavërtetat e tij të deklaruara. Përkundrazi. Hesht. Nuk i demanton reagimet, nuk i del zot të „vërtetave“ të tij. Pse duhet t‘i demantojë të vërtetat e të tjerëve ndaj të pavërtetave të tij? Të pavërtetat e tij i ka thënë i pari dhe tash, sipas mentalitetit të tij tashmë të njohur, lokomotiva le të ecë, të tjerët le të lehin! Kështu i do të jenë jo vetëm individët, të cilët që moti i ka bërë personazhe të tij sulmesh, por gjithë popullin e Kosovës, të cilin e quajti edhe qen, edhe qene, edhe bushtra, edhe kuçka, me pomada qytetesh evropiane, edhe me kravata, edhe me shalle, edhe me sheshirë. Të gjithë lehin në drejtim të tij, të gjithë nuk e duan dhe sharjet e tij, rrënimet e tij, denigrimet e tij, injorimet e tij janë aq të fuqishme sa t’u përballojë të gjithë këtyre armiqve të tij! Fuqi e madhe, fuqi e Zotit të pandjeshëm, fuqi e Zotit të fjalës së ligë, fuqi kjo e z. Qosje, që s’e ndjeu e nuk e ndjen gëzimin e as dhembjen e të tjerëve dhe për të tjerët, por që e ndjen me frikë zellin, mendjen dhe namin e të tjerëve. Është ky vetë fuqia e Zotit, që ka shkulur nga vetja rrënjën e dashurisë njerëzore dhe në vend të saj ka mbjell farën e egër të urrejtjes dhe të shembjes. Nuk e njeh dhe nuk e ndjen në asnjë mënyrë as fajin, as pendesën, as keqardhjen, as turpin për të pavërtetat e tij që i deklaron dhe i plason pareshtur para publikut.

Megjithatë, reagime dhe përgënjeshtrime ndaj të pavërtetave të tij vijnë fare rrallë. Ata që provojnë të bëjnë diçka të tillë, më tepër e kanë, jo që të mbrohen nga breshëria e tillë e të pavërtetave të akademik Qosjes, por më shumë e kanë nga konsiderata që kanë ndaj tij. U vjen keq, madje shumë keq. U vjen rëndë, madje shumë rëndë deri në skuqje, kur shohin e dëgjojnë këto të pavërteta që vijnë nga ai, që dalin nga ai, duke u përpjekur gjithmonë që të gjejnë shkakun që shtynë këtë akademik të krijojë parajsën e tij të sigurisë nëpërmjet të pavërtetave. Natyrisht, nuk e gjejnë shkakun, ndaj heqin dorë, duke u arsyetuar se „kush ka kohë të merret me të? Është i sëmurë fare!“.

Ishte i vërtetë pohimi i akademikut se Akademia e Shkencave e Kosovës, anëtar i së cilës është edhe vetë, ia paska mbyllur dyert? Pas deklarimit të tillë në „Infopress“, reagoi dhe e përgënjeshtroi të pavërtetën e tij vetë Akademia e Shkencave e Kosovës. E përgënjeshtroi dhe para publikut e nxori të vërtetën për të pavërtetat e deklaruara të Qosjes. Por ky heshti. Nuk e tha më asnjë fjalë. U fsheh prapa tylit të heshtjes derisa mbi të pavërtetat e tij dhe të vërtetave të ASHAK-ut të bie harresa, në mënyrë që pastaj, prapë të dalë në opinion dhe të vazhdojë avazin e tij tashmë shumë të njohur e të përsëritur kaq shpesh.

Çfarë thotë reagimi dhe përgënjeshtrimi i Akademisë së Shkencave të Kosovës ndaj këtyre të pavërtetave qosiste?     


Qosja nuk ka marrë asnjë votë


Lidhur me deklarimin publik të akademik Rexhep Qosjes dhënë gazetës “Infopres” dt. 31.12.2008 dhe 1, 2 e 3/01/2009, në të cilën ai shprehimisht thotë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ia ka mbyllur dyert, Shërbimi Administrativ e Profesional i Akademisë sqaron opinionin publik, si më poshtë:

Akademik Rexhep Qosja në të gjitha veprimtaritë e Akademisë është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet si të gjithë anëtarët e tjerë të Akademisë. Rregullisht është ftuar në të gjitha veprimtaritë e organizuara në Akademi. Megjithatë, më se 6 vjet nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje pune në Akademi. Edhe pse gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka shkelur pragun e Akademisë, ka marrë shpërblimin e akademikut, si çdo anëtar tjetër aktiv i Akademisë.

Në zgjedhjet e fundit për Kryesinë e Akademisë, megjithë mungesën e tij, konform Rregullores mbi propozimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të Kryesisë së ASHAK-ut ka qenë në të gjitha listat kandidat për të gjitha funksionet e Akademisë, si çdo anëtarë tjetër i rregullt, por nuk ka marrë asnjë votë. (Gazeta Express, 9 janar 2009)


Qosja dhe shqiptarët


Motivet qosiste, që shpërndahen nëpër eterin tonë publik kundër Kadaresë, sikur janë të njohura dhe të kualifikuara tashmë: dëshpërimi i tij nga madhështia e Kadaresë, dëshpërim ky që e frikëson aq shumë. Ndaj dhe kërkon në çdo çast dhe në secilin rast ta zbresë me padinjitetin e tij deri aty ku do të shihet vetëm pak, natyrisht në nivelin e ndjeshëm nën madhështinë e vetëtrilluar, që duhet të ketë Qosja. Zotësia e tij, vërtet, e paimagjinueshme për përfitime privilegjesh, nuk arriti të realizohet edhe si zotësi krijuese çfarë e ka Kadare, e cila tash e sa vjet njihet me respekt në botën e madhe letrare. Njohja apo vetënjohja e kësaj pazotësie të tij, karshi të mëdhenjve të tjerë të kombit, sikur e detyroi të ndërrojë kursin moral prej intelektuali, në të cilin besonin në fillim të gjithë, dhe u bë manifestues i vazhdueshëm i përjetimeve dhe i shpjegimeve të liga, madje vetëm të liga. Lexuesi apo studiuesi, nuk mund të gjejë tjetër te ky autor. Sa qanë e qeshë, sa ngërdheshet e bëhet ndëshkues, sa ankues dhe sa derdhë gjithandej mllefe e intriga të pasistemuara, por të cilat të gjitha janë në shërbim të tij dhe vetëm të tij. Bota shqiptare nuk guxon të mendojë, të shkruajë a ta dojë as Kadarenë, as edhe ndonjë krijues a politikan, të cilin ai nuk e ka të vetin, që do të thotë nuk e ka në korin e tij të urrejtjes. Nuk është vetë, ndaj nuk guxon të jetë askush tjetër mbi të! Kjo është logjika e tij publike. Kjo është logjika e përmbajtjeve të tij edhe të librave, edhe të penës së tij, tashmë të lodhur e të mërzitshme nga britmat boshe, nga britmat rrënuese dhe mohuese. Cila, po e zëmë (hiq Historinë e letërsisë) nga rreth katër mijë faqet e shkruara prej tij për „çështjet shqiptare“ paraqet ndonjë përpjekje për përparimin kulturor e krijues të shqiptarëve? Asnjëra. Po a kaq të zinj qenkan politikanët dhe krijuesit e mëdhenj shqiptarë, që i ka njohur dhe i njeh bota, të cilët nuk mundohet t’i zbardhë, por i nxinë pareshtur në sytë e botës? Pse e bëri dhe vazhdon ta bëjë këtë? Pse ua zë për të madhe Kadaresë, Sali Berishës dhe studiuesve e njohësve të tjerë shqiptarë, kudo që janë ata, kur shprehin mendimin e tyre, po e zëmë, kur trajtojnë, ashtu siç është, figurën historike të Skënderbeut? Jo vetëm ua zë për të madhe, por ngutet si një satrap të rrëzojë mendimin dhe përjetimin e tyre, ndërkohë që për të tjerët që kanë mendime ndryshe nga këta, që u theksuan, i lavdëron dhe i quan me të drejtë të plotë të shprehin mendimin e tyre. Nëse është kështu, edhe të parët sollën fakte dhe shprehën mendimin e tyre. Këta, sipas deklaratave të Qosjes, nuk paskan të drejtë të shprehin mendime, kurse të tjerët e paskan këtë të drejtë, sepse këta të fundit nuk janë dhembja e tij? Të parët, sidomos dr. Rugova, akademik Fehmi Agani, Kadare, Berisha dhe një varg i gjatë krijuesish dhe akademikësh të tjerë në Kosovë e në Shqipëri,  janë bërë dregëza të pashërueshme për të dhe për egon e tij, të cilën tashmë e cilësojnë si të sëmurë dhe me patologji të shumta.

Derisa dihen shkaqet e një fobie të tillë ndaj Kadaresë dhe penave të mëdha e të rëndësishme të krijuesve në botën shqiptare, veçmas ndaj dr. Rugovës (i cili pati guximin e idesë afirmuese të shqiptarëve dhe të Kosovës në botë, të cilin guxim ky akademik nuk e pati asnjëherë, ndaj dhe nuk iu bashkëngjit, nuk bashkëveproi, por ngeli prapa perdeve të shtëpisë së tij të vështrojë dhe të mbledhë brenda vetes vetëm pezmatimet e tij tashmë të njohura), nuk dihen ende mirë shkaqet e një fobie të çmendur fare ndaj dr. Berishës që nga fillimet e viteve nëntëdhjetë. Cili është ai që mund të thotë se dr. Berisha në jetën e tij politike nuk bëri gabime, bile edhe ndaj Kosovës, kur kjo kalonte ferrin më të egër nën pushtimin serb, si? bënë edhe pushtetarë të tjerë socialistë? Megjithatë, supozimet janë të shumta. Një ndër to thuhet të jetë urrejtja e tij ndaj Berishës, sepse ky, me turmën e tij të madhe lirikërkuese dhe shpëtuese nga një sistem i egër stalinist në Shqipëri, e bëri Shqipërinë të lirë, edhe pse e varfëruar deri në asht, duke ia rrënuar kështu kështjellën dhe ideologjinë e tij enveriste e staliniste në Shqipëri. Kjo prekje dhe këto ndërrime, për këtë akademik ishin mjaft të ndjeshme dhe ai nuk kishte nga t’ia mbante tjetër, përveç derdhjes së përhershme vreri ndaj tij. Edhe tash, kur Shqipëria është ngritur në këmbë nga zhvillimet e gjithanshme të përparuara, edhe pse të ngadalta, ai e urren. Aq e urren sa edhe hyrjen e Shqipërisë në NATO nuk e sheh aq të rëndësishme, aleancë kjo e fuqishme ushtarake e botës, e cila, sipas tij, „sot është e nesër mund të mos jetë“! E urren sot Berishën, me të cilën Shqipëria eci kaq shumë përpara në zhvillimin e saj të gjithanshëm dhe do ta urrejë prapë, ndoshta edhe më egër, kur e djathta shqiptare do të futë Shqipërinë edhe në Bashkimin Evropian. Këtij akademiku nuk i intereson ecja e mbarë e Shqipërisë, as edhe e Kosovës, nëse kësaj ecjeje nuk i prin vetë, qoftë edhe si dije, qoftë edhe si pazotësi e tij praktike. Këtij akademiku i intereson secila ecje e këtyre dy vendeve shqiptare, nëse ai do të mund t’i realizonte privilegjet e tij, të cilat i kishte gëzuar po me aq privilegje në periudhën e Titos, ani pse rinia shqiptare e Kosovës dergjej e vritej nga Tito dhe nga regjimi i tij i egër politik. Disa thonë se Qosja filloi ta urrejë Berishën kur i njëjti ideal e bashkoi me dr. Rugovën, për të cilin ky akademik s’e kishte thënë kurrë një fjalë të mirë për të, madje nuk kishte lënë gjë të keqe pa shtuar për të. Ai shau edhe kryetarin e Shqipërisë, Bamir Topi vetëm pse vinte në këtë post nga PD-ja e Berishës dhe pse e përmendi dr. Rugovën. E shau dhe e shanë, sepse ai, si president i Shqipërisë, është angazhuar dhe angazhohet edhe zyrtarisht për çmimin e meritueshëm Nobel për Kadarenë. Domethënë presidenti Topi nuk guxuaka të flasë e të shkruaj mirë për Kadarenë! Do të ishte një president i mirë dhe i pranueshëm për të vetëm nëse organizon, siç kanë organizuar të tjerë miq të Qosjes, t‘i shkruajë letra bordit të Nobelit kundër Kadaresë.

Sa për ilustrim po sjell mendimin shkarravitës të këtij akademiku për kryetarin e Shqipërisë, z. Bamir Topi, pas vizitës së tij të vjetshme, që i bëri Kosovës, të cilit i vërsulet, së paku, për dy arsye: e para, se ai vjen nga një parti e djathtë, të cilën e udhëheq i urryeri i tij Sali Berisha dhe, e dyta, se gjatë kësaj vizite në Kosovë, kryetari Topi as ishte lodhur ta kërkonte e ta takonte këtë akademik (përveç z. Sabri Godo, i cili nga hoteli Grand në Prishtinë, i kishte telefonuar Qosjes që ta takonte me z. Topi, por i cili nuk kishte pranuar, sepse „Bamir Topi flet dhe e lavdëron Ismail Kadarenë e dr. Rugovën“), siç kishin bërë dhe bëjnë të majtit e tij jashtëzakonisht të dashur dhe jashtëzakonisht të „pafajshëm“, si Rexhep Mejdani e Paskal Milo, të cilët i ka quajtur edhe revolucionarë të vonuar demokratikë, kur e dogjën dhe për pak e zhbënë Shqipërinë në vitin 1997. Lexuesi mund të nxjerrë vetë përfundimet nga kjo deklaratë e Qosjes:


Rexhep Qosja: Kryetari Topi kundër historisë


Vizita e kryetarit të Shqipërisë, Bamir Topi, në Kosovë prej 25- 27 janar (2008-shënim imi), në mediat e shkruara e elektronike dhe në opinionin shqiptar të Kosovës u quajt vizitë historike. Dhe, u quajt, kështu, vizitë historike, për arsye se u bë në prag të ngjarjes më të madhe në historinë e Kosovës, të ngjarjes së ëndërruar nga të gjithë brezat e atdhetarëve gjatë një shekulli: në prag të shpalljes së pavarësisë.

U harrua se vizitat zyrtare të politikanëve dhe shtetarëve nuk mund të quhen historike vetëm pse ndodhin në çaste me rëndësi historike. Vizitat zyrtare të politikanëve dhe të shtetarëve edhe më shumë sesa çasti me rëndësi historike i bëjnë historike idetë e tyre, gjykimet e tyre, largpamjet e tyre, vizionet e tyre, më në fund, karakteri i tyre i treguar në çastet historike.

Vizita zyrtare e kryetarit të Shqipërisë, Bamir Topi, në Kosovë, përpos se u bë në prag të ngjarjes së madhe, historike për popullin e Kosovës dhe për popullin shqiptar në përgjithësi, nuk kishte asgjë tjetër historike. As ide, as gjykime, as largpamje, as vlerësime, as vizione historike. Përkundrazi: ajo kishte shumëçka të vogël që nuk përkonte me ngjarjen e madhe, në prag të së cilës ngjau. Fjalimet që ai mbajti, së pari në institucionin më të lartë politik të Kosovës - në Kuvendin e Kosovës dhe, mandej, në institucionin më të lartë të arsimit, të shkencës dhe të edukimit moral e atdhetar të rinisë shqiptare - në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ishin fjalime tipike burokratike, të cilave u mungonte ajo që pritej ta kishin: larghedhja në gjykime dhe shpirtgjerësia në vlerësime.

Në vend se ta shikonte Kosovën nga lartësia mendore dhe morale e kryetarit të shtetit, që qytetarët e Kosovës e quajnë shteti Amë, ashtu siç e shikuan kur ishin në Kosovë paraardhësit e tij ish-kryetari Rexhep Meidani dhe ish-kryetari Alfred Moisiu, ai e shikoi nga niveli i një partie - i partisë së cilës i takon!

Dhe, shikimi i tillë, i partishëm, madje, palejueshëm i partishëm, i bëri fjalimet e tij intelektualisht boshe, historikisht të papërgjegjshme, politikisht polarizuese! Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet kështu, e para, për arsye se kryetari Bamir Topi kishte harruar se Kosova ka bërë luftë, ka bërë një luftë që në historiografi nuk ka se si të quhet ndryshe përpos luftë çlirimtare dhe, e dyta, për arsye se ai ishte kryetari i parë i Shqipërisë, të cilit gjatë këtyre 95 vjetëve prej se Kosova i është shkoqur me dhunë Shqipërisë, i është bërë e mundshme të flasë para popullit të Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari Topi me sa dihet, nuk reagoi fare në këtë deklaratë sharëse e të mllefshme të Qosjes. E, pse duhej të reagonte ndaj insinuatave të tilla gati klinike? Një deklaratë e tillë, më tepër se reagim ndaj një vizite të tillë, ngjau të ishte bukur shumë servile ndaj së majtës bile ekstreme në Shqipëri, nën kupolën e fajshme të së cilës, akademik Qosja gjen prehjen e vetë emocionale, mundësinë e bashkëveprimit rrënues, si një kor disharmonik me realitetin e përgjithshëm kombëtar. Derisa Shqipëria dhe Kosova, ose gjithë shqiptarët në vendet e tyre po rindërtojnë, ndërtojnë dhe mbrojnë imazhin e tyre pozitiv në botë, janë këta, soji i Qosjes dhe i së majtës së fajshme në Shqipëri, që përpiqen t‘i shkatërrojnë deri në turp të gjitha këto përpjekje. Indiferenca e z. Topi karshi kësaj fuqie rrënuese, mohuese dhe zhvlerësuese të Qosjes, nxiti domosdo reagimin mjaft domethënës dhe kuptimplotë të publicistit të njohur Mero Baze, pjesë të të cilit reagim (edhe pse pa leje të autorit) po i sjell sa për ilustrim:

„… Nuk dua të merrem me gjithë shfrimin e dufit të prof. Qosjes ndaj presidentit Topi. Ky i fundit është i paqëm në distancën që ka nga ngjyrat e brendshme të shoqërisë së Kosovës, saqë, po t’ia kishte rekomanduar Sabri Godo, mund ta fillonte vizitën në Kosovë dhe me takimin me Rexhep Qosjen… Unë i kuptoj të gjitha këto dhe, duke njohur mirë dhe presidentin Topi, jam shumë i qartë në pafajësinë e tij në çdo detaj që mund t’iu jetë dukur i gabuar në Kosovë dhe në çdo detaj që mund t’i ketë mrekulluar ata. Nuk kam asnjë drojë të them se Bamir Topi e do Kosovën, por nuk e njeh aq mirë, sa të gjejë stilin e të shprehurit të kësaj dashurie që t’iu pëlqejë të gjithëve. Ka politikanë të tjerë në Shqipëri që e njohin këtë teknikë dhe dinë ta përdorin shumë mirë. Por dua të ndalem te thelbi i sulmit të prof. Rexhep Qosjes. Sipas tij, Bamir Topi me qëndrimet e tij kishte ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës dhe kishte rishkruar historinë e Kosovës sipas brumosjes së tij politike. Argumente natyrisht nuk kishte, por kishte aq shumë mllef, sa kishte arritur të mbushte një faqe me fyerje. Duke mos pasur argumente për çfarë kishte gabuar Bamir Topi në Kosovë, prof. Qosja merrej me çfarë kishte gabuar Bamir Topi në Shqipëri. Ky njeri, i cili ankohej pse Bamir Topi shkoi në parlament të Kosovës e nuk përmendi luftëtarët, që shkoi në universitet dhe përmendi vetëm marksistë-leninistët e 1981, që shkoi në institucione shkencore dhe përmendi mësues katundi, pra ky kritik i rreptë, si kryeargument për sjelljen e Topit, kishte faktin që Bamir Topi ka shkarkuar Sollakun, ka dekretuar ligjin për akademinë dhe ligjin për TVSH e librit që shtypet jashtë Shqipërisë. Një nonsens më të madh se kaq nuk kam lexuar kurrë nga ndonjë njeri që merr mundimin të sulmojë presidentin e një vendi. Të thuash se Bamir Topi po ndërhyn në punët e Kosovës dhe të merresh me gjithë punët tona në Shqipëri, vetëm një mendje inatçore dhe tërësisht e ideologjizuar mund ta bëjë. Së pari, shkarkimi i Sollakut nuk është më një çështje që shqetëson as të majtën në Shqipëri dhe s’ka pse shqetëson Rexhep Qosjen në Prishtinë. Së dyti, ligji për akademinë u pranua dhe presidenti Topi u falënderua nga akademikët e Tiranës dhe nuk ka pse mërzitet një akademik i Prishtinës. Dhe së treti, më skandalizoi TVSH e librit që shtypet jashtë Shqipërisë, e cila është një çështje tërësisht financiare dhe spekulative që nuk ka të bëjë as me çështjen shqiptare, as me PD dhe as me PS… Ai ka dekretuar një ligj që mbron lirinë ekonomike dhe tregun e lirë të Shqipërisë dhe për këtë duhet përgëzuar nga ne që jetojmë në Shqipëri dhe ku ka fuqi vepruese ky ligj. Marrëzia për të gjykuar punët tona në Tiranë me syrin e një majtisti ekstrem nga Kosova dhe përpjekja për ta shitur këtë si histori kombëtare është mungesë e madhe dinjiteti.

Problemi i dytë që ngre prof. Qosja dhe që ka të bëjë me rishkrimin e historisë në Shqipëri është dhe më i rëndë… Ne kemi pasur fatin e keq që historinë e letërsisë të na e shkruante Dhimitër Shuteriqi, i cili deri më 1948 mburrej që ishte me origjinë serbe, deri më 1960 që ishte me origjinë ruse dhe pastaj që ishte dashamir i Kinës. Dhe për këtë shkak ai na rreshtoi në historinë e letërsisë sonë me vlera të barabarta Naim Frashërin, Çajupin, Asdrenin, Migjenin, Memo Meton, Shefqet Peçin, Shefqet Musarajin, Ismail Kadarenë etj. Na zhduku nga çdo libër Fishtën, Konicën, Koliqin, Pipën, Camajn, na zhduku studimet e Mustafa Krujës dhe Mitrush Kutelit, na zhduku Lasgush Poradecin dhe Skënder Luarasin. Rexhep Qosja që shkruante po historinë e letërsinë shqipe në Kosovë mund ta ndalte këtë masakër. Mund t’i thoshte jo barbarisë që zhdukte vlera kombëtare dhe mbillte ferra në vend tyre. Nuk e bëri kurrë. Historia e tij e letërsisë shqipe është një fotokopje e sistemit të vlerave që na ka ofruar Dhimitër Shuteriqi, i cili ka dhe njëfarë arsyeje të justifikohet se e ka shkruar nën regjimin e Enver Hoxhës. Liria e Rexhep Qosjes na ka ofruar të njëjtin produkt dhe në raste të tilla është mirë që njeriu të heshtë. E di që falje s’kërkon dot, se nuk e lë sedra e sëmurë, por heshtjen mund ta përdorë si mburojë në këto raste.

Dhe, së treti, ky njeri ka një problem me të jetuarit si njeri i njohur në Shqipëri dhe i papërfillur në Kosovë. Ka plot personazhe të tillë të botës shqiptare. Ka politikanë e gazetarë dhe emra të botës akademike që i çmojnë më shumë në Kosovë, ose në Shqipëri, dhe anasjelltas. Rexhep Qosja është thjesht një idol i së majtës shqiptare, por i së majtës së vjetër, nacionalkomuniste me plot retorika për Kosovën… Prof. Qosja, që drithërohet nga ideja se historia mund të rishkruhet, akuzon Bamir Topin pse s`ka përfillur tekat e tij në Kosovë dhe vetë është simbol i përzierjes deri në imtësi në gjithë historitë e pista të komunizmit në Shqipëri, së paku sipas dokumenteve zyrtare që nga viti 1978. Jam i gatshëm dhe të pranoj se ai e ka bërë nga idealizmi dhe dëshira për të ndihmuar Shqipërinë edhe pse komuniste, por së paku tashmë që është në fund të jetës, ose të thotë ndonjë të vërtetë, ose të heshtë dhe të dëgjojë dhe palën tjetër që ka të vërtetat e saj.

Bamir Topi ishte në Kosovë si President i Shqipërisë dhe është sjellë si i tillë. Është e vërtetë se ai nuk di gjithçka për Kosovën, nuk njeh klanet dhe prapaskenat e shoqërisë atje, nuk njeh kulisat e politikës dhe ngjyrat që ka çdo fraksion, por dhe nuk ka pse i njeh të gjitha. Rexhep Qosja ka përparësi ndaj tij, se njeh çdo pisllëk të Shqipërisë, çdo skutë të saj dhe e përjeton historinë e Shqipërisë si një militant socialist i traumatizuar nga ideja që u zgjodh Bamir Topi president. Kjo është e vetmja diferencë mes tyre. Por Bamir Topi konkurron dhe jeton në Shqipëri. Aty votohet, aty drejton, aty ndëshkohet dhe nderohet. Njësoj dhe Rexhep Qosja në Kosovë. Bamir Topi nuk i ka zënë hisen e diellit, duke e lënë me 1 për qind të elektoratit të Kosovës“.



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (V) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (II) Sulejman Sulejmani: Rezistenca ndaj Brigadës së XII Maqedone... Hilmi Saraçi: Si u pushkatuan 21 shqiptarë nga forcat partizane komuniste... Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (I) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IV) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (III) Fehmi Sadiku: Të dhëna statiskore për trysnitë ndaj kosovarëve me anë të “tepricave” të shpikura! Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Studime të Poshtme (Martiraj) 1998-1999 Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (II) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (I) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në qytetin e Vushtrrisë (1998 - 1999) Sabile Keçmezi-Basha: Angazhimi i grave në jetën politike e vendimmarrëse në Kosovë Tefik Ramadani-Qarri: Gjurmeve te krimeve partizane mbi Shqiptaret Qazim Namani: Kultura materiale dhe historia e qytetit të Prishtinës Sabile Keçmezi- Basha: Çështje të përdorimi të nocioneve: ilegale, klandestine dhe e fshehtë Hilmi Saraçi: Lashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë Shevki Sh. Voca: Vrasja e Kryetarit Kenedi - Atentati i shekullit XX Mahmut Elez Mahmuti - Kqiku: Përveç datave kurgja tjetër nuk ka të vërtetë Valon Kurtishi: Faleminderit Austro - Hungari, i përjetshëm kujtimi për Franc Jozefin e I

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora