E merkure, 30.04.2025, 11:49 PM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (III)

E premte, 18.12.2009, 10:57 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Vogëlsia si sëmundje


Në një intervistë të tij (19 gusht 2008, marrë nga interneti), duke rënë pre e tundimeve të tij të brendshme, Rexhep Qosja e cilëson shkrimtarin botëror Kadare si “mit të krijuar nga komunizmi”, duke mos lënë pa përmendur edhe meritat e tij krijuese, që, sipas tij „janë të ngërthyera me të meta krijuese ideologjike dhe politike të mëdha… Një prej miteve të tilla, që komunizmi ka krijuar për nevojat e veta, është Ismail Kadareja, sado shkrimtar i merituar që është” - thekson ky akademik dhe shton alla zotçe se „Këto nuk duhet vetëm t’i dimë, por edhe t’i themi.

A mund të jenë të vërteta këto që thotë Qosja? Mund të jenë! Mirëpo, lidhur me këtë përkufizim rreth mitit komunist të Kadaresë, duke e kërkuar këtë të vërtetë, që del vetëm nga gojëtaria e papërtueshme e Qosjes, sikur dalin pa përtesë edhe një varg çështjesh të tjera, që kërkojnë shpjegim dhe shpalim faktesh. Nëse Kadare, sipas pohimit qosian, qenka „mit i krijuar nga komunizmi“ në Shqipërinë enveriste, atëherë mit i kujt qenka vetë Qosja në Kosovën e pushtuar nga sllavët e jugut dhe nga Lidhja jugosllave komuniste, nga të cilat kishte privilegje aq të mëdha në një kohë robërie të dyfishtë, edhe gjeografike, edhe ideologjike? Nëse Kadarenë e krijonte mit komunizmi i Shqipërisë, Qosjen e krijonte dhe e krijoi komunizmi jugosllav. Derisa i pari ia dilte të krijohej mit në Shqipëri me shpirtin e tij të madh krijues dhe komunizmi i atjeshëm dinte ta cilësonte dhe ta avanconte, Qosja nën Jugosllavinë titiste bëhej i madh, i pëlqyer dhe i ledhatuar nga LKJ-ja jugosllave. Në këtë kontekst Kadareja ishte në shërbim të një situate politike në vendin e tij, kurse Qosja në shërbim të një situate politike të huaj dhe robëruese. Ai gëzonte të gjitha përparësitë e mirëqenies, të favoreve të paskajshme, ndërkohë që kolegët e tij krijues shtypeshin, burgoseshin e likuidoheshin. Këta të fundit kërkonin që me ndërgjegjen e tyre krijuese të mos i bindeshin sistemit dhe pushtimit jugosllav, duke sakrifikuar qetësinë e tyre individuale.

Megjithatë, nuk mund të thuhet vetëm një e vërtetë qoftë edhe e vërtetë e padiskutueshme për Kadarenë, nëse z. Qosja nuk e thotë edhe të vërtetën tjetër për vetveten e vyeshme brenda një sistemi tjetër robërues, ku jetoi dhe ku u bë i madh, madje më i madhi si ndëshkues i trurit kombëtar në Kosovë dhe ngado ku janë shqiptarët. Kadare ka shkruar dhe mbase edhe i ka shërbyer politikës enveriste në Shqipëri. Qosja i thuri lavde Titos dhe politikës së tij, nga e cila vuante aq shumë populli shqiptar nën Jugosllavi, për të cilat lavde ai asnjëherë nuk u pendua. Përkundrazi. Nga urrejtja e pazakontë dhe përtej të gjitha përmasave dhe veseve njerëzore ndaj intelektualëve, ai, siç e thotë vetë në një intervistë, vazhdon edhe më tutje ta dashurojë Titon dhe Enverin. E ngase vetë ai thotë se „këto nuk duhet vetëm t’i dimë, por edhe t’i themi”, atëherë, së paku është mirë të përpiqem t’i them, jo sa për ta kundërshtuar këtë filozofi qosiane, as për ta shpëtuar nga këto Kadarenë, këtë „mit të krijuar nga komunizmi“, por që ta siguroj veten dhe të tjerët se nuk na i mbushi dot mendjen akademiku dhe nuk na mashtroi Kadare.

Së pari: Edhe po të ishte Kadare „mit i krijuar nga komunizmi“, siç konstaton inatshëm Qosja, do të duhej ta lavdëronim dhe t’i ngremë përmendore këtij komunizmi në Shqipëri, i cili paska qenë aq gjurmues i thellë dhe aq i vetëdijshëm kombëtarisht sa ta krijonte një shkrimtar të tillë, vërtet aq të madh, Ismail Kadarenë. Mbase ky dyshim mund të shpjegohet, apo të supozohet, se, duke sjellë para nesh këtë konstatim për Kadarenë si „mit i krijuar nga komunizmi“, Rexhep Qosja u përpoq që, në të njëjtën kohë, brenda të të njëjtit kuptim të frazës së tij, të degradonte Kadarenë dhe veprat e tij artistike, të cilat „janë të ngërthyera me të meta krijuese ideologjike dhe politike të mëdha”, por me sharm nostalgjik të lavdëronte komunizmin enverist dhe stalinist në Shqipëri, i cili paska qenë aq i flakët që të krijojë shkrimtar aq të madh, siç e paska krijuar Ismail Kadarenë mit të vetin! Mund të jetë edhe kështu. Ndoshta vetëm kështu. Një lavd i tij i tërthortë për sistemin komunist dhe, një rrënim mjaft etiketues për shkrimtarin e madh Ismail Kadare ishin të mjaftueshme për akademikun tonë që të shfrynte tundimet e lemerishme të tij.

Së dyti: Nëse Ismail Kadare qenka, sipas Qosjes „mit i krijuar nga komunizmi“, del se atëherë të gjitha shtëpitë botuese shqiptare, evropiane dhe, përgjithësisht botërore, që i  përkthyen dhe i botuan veprat e Kadaresë në shumë gjuhë botërore, qenkan hiç më pak se dashamirë të miteve, që i paska krijuar komunizmi në Shqipëri. Siç del tërthorazi nga kjo deklaratë e Qosjes, kjo botë e madhe letrare, nëpërmjet përkthimeve dhe nëpërmjet Ismail Kadaresë, falënderuaka një komunizëm të tillë! Rrjedhimisht, po të mos e donin këtë „mit të krijuar nga komunizmi“, kjo botë e madhe letrare e botës nuk do ta përkthente në të gjitha këto gjuhë të shumta. Ose: nuk do ta përkthenin Kadarenë, nëse ai nuk do të ishte „mit i krijuar nga komunizmi“! Kjo mund të jetë njëra anë shpjeguese e kësaj deklarate të pakontrolluar logjikisht. Ana tjetër do të mund të dukej edhe kështu: bota e madhe letrare e rruzullit tonë me të marrë vesh këtë të vërtetë për Kadarenë, si „mit i krijuar nga komunizmi“, mund t’i hidhërohet shumë Qosjes, këtij gjeniu prodhues të fjalëve ferrash, se pse ishte vonuar kaq shumë ta thoshte këtë të „vërtetë“, kaq „të vërtetë“, se Kadareja paskësh qenë „mit i krijuar nga komunizmi“, por kishte pritur kaq gjatë derisa veprat e këtij „miti të komunizmit“ ishin përkthyer gati në tërësi dhe në shumë gjuhë të botës së madhe letrare. Shikoni se si përgjigjet z. Qosja në këtë intervistë në pyetjen për figurat letrare që krijuan dhe u krijuan përgjatë viteve të komunizmit: „Vetë komunizmi ka krijuar mitet e veta, për nevojat e veta! Një prej miteve të tilla që komunizmi ka krijuar për nevojat e veta, është Ismail Kadareja, sado shkrimtar i merituar që është. Ai është mit që komunizmi e krijoi për nevojën e tij. Është shkrimtar me merita krijuese, por dhe me të meta krijuese ideologjike dhe politike të mëdha. S’mund të heshtim për këto dhe duhet t’i themi se cilat janë të mirat dhe të këqijat, pasi kjo ideologji, është jo thjesht komuniste, por më keq: Ideologjia reduktuese krijuese, e realizmit socialist“.

Së treti: Edhe po ta ketë krijuar mit komunizmi „për nevojat e veta“ Kadarenë, çfarë ia zë rrugën dhe frymën Rexhep Qosjes? Më mirë do t’i bëhej këtij akademiku, të cilin e mbanë ASHAK-u me të gjitha mungesat e tij shumëvjeçare, që kultura dhe letërsia shqipe të mos përmendej askund në botë? Që të mos përkthehej fare Kadare në shumë gjuhë botërore dhe që kjo botë të mos kishte dëgjuar kurrë për letërsinë shqiptare? Që të mos kishte ekzistuar fare Kadare, as si shkrimtar i madh dhe i pranuar gjithandej rruzullit, as si „mit i krijuar nga komunizmi“, që të mos kishte mundësi të ndihmonte dhe të këmbëngulte t’i përkthehej e t’i botohej në frëngjisht romani „Vdekja më vjen prej syve të tillë“ i Rexhep Qosjes?

Së katërti: Çfarë i ndihmon letërsisë dhe historisë së letërsisë shqiptare konstatimi i Qosjes se Kadare qenka dhe paska qenë „mit i krijuar nga komunizmi“, që tash e sa kohë ky (ri)shkrues i historisë së letërsisë nuk pranë së denoncuari pa asnjë takt të logjikshëm?

Së pesti: Çfarë do të humbte apo do të pësonte letërsia shqiptare dhe historia e saj nëse vazhdojmë të themi se Rexhep Qosja u krijua dhe u vetëkrijua mit i LKJ-së dhe i keqpërdori të gjitha privilegjet e tij të mëdha që të përmbysë, të rrënojë dhe t’i zhbëjë të gjitha vlerat letrare të autorëve të tjerë shqiptarë në Kosovë, që detyroheshin të ecnin tehut të shpatës edhe vdekjeprurës?

Ku dëshiron të arrijë ky denoncim fyes, jo shumë për Kadarenë, sepse nuk e arrin dot atë, por më shumë për lexuesit e shumtë të tij? Që lexuesit shqiptarë të mos duan më ta lexojnë Kadarenë dhe të ndihen të penduar pse e deshën dhe vazhdojnë ta duan shkrimin e tij? Që bota të mos e botojë dhe të mos e lexojë më Kadarenë? Që bota ta njohë sa më parë këtë „mit të krijuar nga komunizmi“ dhe nëpërmjet këtij denoncimi, vërtet të pajustifikueshëm, ta falënderojë Qosjen për këto sihariqe shkencore dhe, bashkë me këtë, ta dashurojë komunizmin në Shqipëri që paska ditur aq mirë që Kadarenë, jo vetëm ta krijojë si mit, por ta mbushë atë edhe me dije letrare-artistike, edhe me prirje, edhe me fuqi krijuese botërore? Deshi që me kësi deklaratash të pakripë të vërë në hulajë miqtë e brendshëm dhe të jashtëm për letërsinë shqipe, shkrimin e Kadaresë, që nuk është tash e shumë vjet më parë vetëm shkrimtar i madh yni, por është me madhështi dimensionesh botërore, që është ambasador i kulturës sonë kombëtare në botë, e që z. Qosja, as kështu siç flet e predikon urrejtshëm, as ndryshe, nuk i arrin dot? Deklaratat e tilla sikur ngjasojnë shumë, përfundimisht shumë, me ato të një imami në Prishtinë, i cili dërgon shpirtin e Nënës Tereze në ferr! Të dy këta përpiqen me morbiditete t‘i dërgojnë krijuesit dhe humanistët e mëdhenj kombëtarë në ferr, që të sigurojnë për vete një vend, qoftë edhe të turpshëm, në parajsë!

Së gjashti: Nëse Kadare qenka „mit i krijuar nga komunizmi për nevoja të veta“, atëherë kush e paska krijuar Rexhep Qosjen „mit“ në Kosovë (kështu e konsideron, apo ka dëshirë të konsiderohet, kur kishte dhe ka fuqi t’i rrënojë të gjithë të tjerët dhe kur i thurte me frymëzim lavde Titos)? Komunizmi në Shqipëri? Jo! Komunizmi i Kosovës nën Jugosllavi? Po! Kush e bëri të madh me të gjitha privilegjet e mundshme? Miqtë e tij ideologjikë të komiteteve të LKJ-së? Po. Pse atëherë shanë të tjerët? Që t’i fshehë bëmat e veta në përputhje të plotë me statutet e LKJ-së së atëhershme dhe me lirinë e tij të sotme kaotike në Kosovë? Ka një shkak që akademiku ynë e ka këtë sëmundje gjithnjë e më të pashërueshme, apo një dëshirë klinike për të gjithë vrapin e tij rrënuese, degraduese e hilesh kaq të pahijshme, kaq të pafakte, kaq narcisoide, kaq irracionale, kaq egoiste dhe me kaq mungesë fuqie për të mos rënë pre e këtyre tundimeve të tij të brendshme, siç thotë Frojdi. Soji i Qosjes, që bie pre e këtyre tundimeve, është, në të vërtetë, i pamoral. Ku nuk shihen e ku nuk vrasin këto tundime të brendshme klinike të akademikut tonë, të cilat lëvrijnë nga brenda tij dhe llava e tyre përvëlon padinjitetshëm gjithçka që çmohet nga brenda dhe sidomos nga jashtë ambientit tonë kulturor. Duke folur për Kadarenë, ai nuk flet për veprat e tij. Ose flet rrëshqitshëm dhe përfundon vetëm me të keqen e tundimeve të tij të brendshme, duke rënë në secilin rast dhe në secilin çast pre e tyre. Kur flet a shkruan, duket sikur flet e shkruan vetëm për ata që nuk dinë ta kuptojnë. Vetëm për ata që nuk dinë t‘i lexojnë (siç janë në të vërtetë) mendimet e tij të shkruara, të mbushura me vetveten, në njërën anë, dhe për ata që janë të mbushur si ai me hile ndërsyese e helm, në anën tjetër. Ose vetëm për ata që janë të mbushur me urrejtje dhe rrojnë me kënaqësi të tilla mllefesh. Po e zëmë, në përgjigjen që ofron në të njëjtën intervistë, Qosja herë përdorë njëjësin, kur kërkon të shquajë veten, herë përdorë shumësin, kur i duhet të ndërsejë të tjerët për një çështje a për ndonjë krijues, siç bën pa ndërprerë edhe kundër Kadaresë. „Ka pasur vende komuniste që nuk e kishin realizmin socialist, nuk e kishin doktrinë. Por disa e zbatuan dhe kjo solli shumë kufizime të lirisë krijuese. Ka krijues që e kanë predikuar shumë këtë dhe i kanë shërbyer duke e zbatuar vetë atë. Një prej tyre është dhe Ismail Kadareja“, deklaron Qosja dhe me kaq përfundon kjo tezë e tij për realizmin socialist dhe për kryepersonazhin e tij, Kadarenë, me të cilën deklaratë ky akademik ofron dhe shpalon zotësinë e dijes së tij teorike e praktike për vendet komuniste, shumë nga të cilat „nuk e kishin realizmin socialist“ e, rrjedhimisht, nuk e kishin as edhe të ngjashëm ndonjë shkrimtar si Kadareja. Pjesa tjetër e përgjigjes, menjëherë pas pikës, ku përfundon kjo tezë e tij dhe vetëm e tij, s’ka të bëjë me konstatime e teza, por me ndërsime, dhe vetëm me ndërsime, duke kaluar kështu nga njëjësi i tij deklarues, në shumësin e ndërsimeve. Me shumësin ai kërkon një kolektiv më të gjerë, i cili duhet të bëhet krah i hilesë së tij, duke shtuar: „Nuk mundemi të mos ia themi këtë!... Nuk na përkthejnë për artin e bukur tonin, se kanë boll art të niveleve të larta... Këto nuk duhet vetëm t’i dimë, por dhe t’i themi“ (nënvizim imi).

Përse akademik Qosja, në kontekst të pjesës së parë të përgjigjes, nuk vazhdon të japë mendimin e tij, vetëm mendimin e tij, por shtrihet të kërkojë pasuksesshëm, nëpërmjet shumësit, sa më shumë përkrahës në sulmet e tij, të cilat nuk i përngjajnë asnjë lloji të mendimit të shëndoshë intelektual dhe moral? Ai nxjerr brirët dhe klithë: „Nuk mundemi (kush, cilët?) të mos ia themi këtë…Nuk na përkthejnë… (Në këtë shumës Qosja e fut edhe veten në „artin e bukur tonin“, si arsyetim se pse bota e madhe letrare nuk e përkthyeka edhe këtë, siç e ka përkthyer dhe e përkthen Kadarenë!) Përse nuk u përgjigj njëjës, si në pjesën e parë të përgjigjes, po e zëmë: nuk mund të mos ia them këtë… Nuk më përkthejnë për artin e bukur timin… Këto nuk duhet vetëm t’i di, por edhe t’i them… Përse thërret kaq ndërsyeshëm që të gjithë, ama të gjithë, përkundër bindjeve, shijeve, dijeve, qëndrimeve dhe përjetimeve të tyre, të deklarojnë, të sulmojnë, herë në njëjës, herë në shumës, në të njëjtin kor me Qosjen, kundër vlerave tona piedestale të kulturës kombëtare, qoftë për Kadarenë dhe për krijuesit e tjerë të mëdhenj që ka letërsia shqipe, por që janë të padashur për Qosjen, që janë të padashur për shkak të prestigjit të tyre edhe në gjeografinë botërore të kulturës a të politikës, që janë të padashur dhe armiq të tij për shkak të përcaktimeve të tyre edhe politike në të djathtën e urtë, që nuk janë të përkatësisë politike, siç thotë vetë të „revolucionit të vonuar demokratik“, të atyre revolucionarëve të cilët e dogjën, gati e zhbënë dhe e mbushën Shqipërinë me turp në vitin 1997? Përse e keqpërdorë kolektivin, do të thotë shumësin në deklaratat e në intervistat e tij (por dhe në libra)? Përse ndihet i vetmuar dhe kërkon ndihmën e shumësit kundër të gjithëve, që mendojnë e shkruajnë ndryshe nga ai? Këtyre çështjeve nuk u përgjigjet, siç nuk iu ka përgjigjur kulturalisht asnjëherë askujt „sy më sy“, përveç në libër-pamflete të tij tashmë të bëra të mërzitshme, në kolumnet e tij, në intervistat e tij, brenda të cilave jeton vetëm ai, krijon vetëm ai, ku është gjithmonë vetëm ai kombëtar, vetëm ai kamxhik, vetëm ai armik i të gjithëve, si mënyrë e paraqitjes së armiqësisë gati të plotë të të gjithëve ndaj tij, që të tregojë se sa i fuqishëm është ai ndaj të gjithëve dhe përballë të gjithëve!

Kjo sëmundje e tij e ka zanafillën që herët, që atëherë kur gjithë intelektualët e Kosovës e llastuan si një fëmijë bonjak, si një fëmijë në strehimoren humane të Kosovës, si një intelektual që do të mund të inkuadrohej në idealet e tyre për prosperitet kombëtar.

Në këtë strehimore të ngrohtë vëllazërore, ku piqej me zor, vjedhurazi e me sakrifica truri kombëtar në Kosovë, i cili ishte vërtet i ndjekur, i persekutuar, i shtrënguar nga titizmi, ishte përqafuar me ngrohtësi shprese të përbashkët, ndihme dhe vizionesh, edhe Rexhep Qosja, që vinte nga vendlindja e tij Vuthaj nën Malin e Zi, njësoj siç ishin pritur e përqafuar edhe intelektualë e shkollarë të tjerë shqiptarë, që vinin në Kosovë nga Maqedonia, nga Presheva, Bujanoci e Medvegja…

Pritja e tillë shumë njerëzore, shumë vëllazërore, shumë shpresëdhënëse për një kompletim gjithnjë e më të rëndësishëm të trurit të njëmendtë kombëtar në një situatë koloniale, në të cilën gjendej Kosova, sikur nuk u kuptua siç pritej ta kuptonte Rexhep Qosja. Ngjau e kundërta. Gjithë kjo pritje që iu bë, gjithë ai afrim dhe ofrim ndaj tij i asaj klase të pamjaftueshme intelektuale që kishte Kosova, Rexhep Qosja, sipas zhvillimeve të pakmëvonshme, i mori dhe i ndërtoi si merita të tij, ama vetëm të tij, duke ua kthyer kurrizin pikërisht atyre që e kishin afruar dhe që e kishin përqafuar aq vëllazërisht. Duke ua kthyer kurrizin atyre, nisi të bëhej figurë interesante për mjediset e tjera shoqërore të kohës, mjedise këto që drejtoheshin, natyrisht, nga trupa titiste komuniste-socialiste jugosllave në Kosovë. Atëherë nuk dukej e një rëndësie të veçantë ikja e tij nga vëllazëria pritëse. Megjithatë, nga sjellja, nga denoncimet, nga rrënimet, nga përgojimet e tij të shkruara pikërisht ndaj thuaja gjithë klasës intelektuale pritëse, sikur ofronte një shpjegim tjetër veprues: ishte aq i mençur të kuptonte me kohë se po të mos ua kthente kurrizin, veprimtaria e tij krijuese, apo dhe ai vetë do të detyroheshin të kalonin rrugëve dhe shtigjeve shumë të zorshme dhe me sakrifica të rrezikshme, që po kalonin të tjerët. Ndaj hoqi dorë nga angazhimet e tilla, që kishte klasa intelektuale në të mirë të interesave kombëtare, duke ua kthyer kurrizin. Në këtë kthesë veprimi nuk vonoi dhe ai gjeti parajsën e të gjitha privilegjeve të jashtëzakonshme dhe mjaft të çuditshme për atë kohë titizmi. Sa më shumë përfitonte nga titizmi dhe titoistët e harlisur të Kosovës, aq më shumë i bëhej (edhe tash ndjen njësoj) se ish-kolegët e tij idealistë për çështjen e kombit nuk ishin tjetër përveç armiq të sistemit dhe të tij. Prandaj nisi t’i shajë, t’i degradojë, t’i denoncojë publikisht dhe t’i quaj edhe kërcënues të tij, edhe linçues… Askush aso kohe nuk e besonte se këta ish-kolegë i urrente aq shumë. Askush nuk mund të besonte se këta ishin për t’u urryer kaq me uragan nga Qosja. Askush nuk mund të besonte se Rexhep Qosja, për të cilin përjetonim, njëmend përjetonim respektin më të madh, të kishte fuqi aq të padisiplinuar e të pakontrolluar urrejtëse. Por ajo ngjante. Ngjante publikisht nëpërmjet shkrimeve të tij pamfletuese, denoncuese dhe të liga shumë herë. Atëherë edhe intelektualët, edhe ata që përpiqeshin ta lexonin brendësinë e tij të mendimit, nisën të mendojnë ndryshe: ndoshta Rexhep Qosja nuk është kaq i sëmurë nga urrejtja, sepse është intelektual, por gjithë këtë kthesë kundër çdo mendimi, kundër çdo përpjekjeje intelektuale dhe krijuese të ish-kolegëve të tij, e bënte që të ishte i besueshëm për sistemin kontrollues, që ishte LKJ-ja. Sipas privilegjeve, që ai vërtet i fitoi, u pa se kjo përshtypje e dytë ishte shumë e saktë. Përveç zhbërjes së mendjes intelektuale te të tjerët, ai u pa të ishte shumë besimtar dhe i besueshëm në gjithë hierarkinë e sistemit të atëhershëm, duke u emëruar dhe duke u riemëruar në poste të rëndësishme në jetën dhe në institucionet kulturore e shkencore në Kosovë. Duke qenë besimtar dhe i besueshëm, pastaj nisi të ndihej si Zot, fjala publike e të cilit duhej patjetër të ishte e vetmja, që do të thoshte se të gjithë intelektualët dhe krijuesit e tjerë duhej t’i bindeshin. Ata që nuk i bindeshin, i xhumëhazte dhe vazhdon t’i xhumëhazë edhe tash, siç përpiqet t’ia bëjë edhe Ismail Kadaresë për shumë vjet me radhë. Ai jetonte mirë me të gjitha ato privilegja të sistemit titist. Prandaj, ai në deklaratën e tij  të shkruar në librin e zisë kur vdiq Tito, ky kujdestar i tmerrshëm i ripushtimit të Kosovës, do të shohim se ç’përmbajtje kishte jeta e pa asnjë telashe e vetë këtij akademiku. Le ta citojmë përjetimin e tij të zisë, që marrë ndryshe, meqenëse ai gjithnjë dhe gjithmonë është shumë kombëtar, del se i njëjti përjetim i shqiptarëve në Kosovë paska dalë nëpërmjet shpirtit të tij plotë dhembje dhe plotë humbje për kolonialistin e tërbuar Tito; dhembje kjo „kolektive“ për humbësin nga kjo botë e ndërtuesit të vëllazërim-bashkimit, nën të cilën parullë të rrejshme ka ruajtur, së bashku me të besueshmit e tij, me sukses Kosovën dhe shqiptarët e saj si koloni:

“Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjell deri në triumf përfundimtar luftën Nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë – ja një meritë e mjaft historike për të gjitha kohërat; Tito e ka udhëhequr, dhe e ka sjell deri në triumf përfundimtar luftën që ka përmbysur monarkinë, duke i hapur rrugën ngadhënjimit të socializmit – ja një meritë tjetër e mjaftë për historinë; Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve dhe kombësive – ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike; Tito i ka prirë idesë së madhe që i reziston presionit të fuqive të mëdhaja e që sot njihet si ide e mosinkuadrimit – ja edhe një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në historinë e përbotshme (…)” (“Rilindja”, 11.V.1981). 

Asnjë intelektual tjetër shqiptar nën ish-Jugosllavi nuk vajtoi. Përkundrazi, u ndjenë të çliruar. Vetëm Qosja vajtoi kështu për Titon. Bile kështu nuk arritën të vajtojnë as bashkëpunëtorët dhe shërbëtorët shqiptarë titistë. Po të vazhdonte të jetonte edhe më deri në ditët e sotme ky harbut dhe vjedhës i egër i lirisë së popujve të Jugosllavisë gjithnjë të mashtruar demagogjikisht prej tij, Kosova sot nuk do të arrinte të jetë e lirë, të jetë e çliruar nga prangat shekullore të robërisë nga sllavët e jugut. Është e vërtetë se ai arrinte që me demagogjinë perfide të „zbuste“ në një masë gjenin e egër e kriminel serb, i cili shpërtheu pas tij, jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj të tjerëve. Pikërisht ky shpërthim i egër i gjenit serb krijoi domosdoshmërinë e përpjekjeve pa mashtrim të shqiptarëve për kërkim të lirisë dhe të çlirimit. Tito, që sipas Qosjes kishte „merita të mjafta“ e për shumë çështje të tjera të numëruara nga Qosja në fjalën e tij të dhembjes për të, vdiq dhe brenda pak vitesh nga ikja e tij e bizarshme nga kjo botë, shqiptarët e njëmendtë arritën të dalin nga skëterra e robërisë jugosllave dhe sot të pavarësohen në gjeografinë e tyre të lirë.



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fehmi Sadiku: Të dhëna statiskore për trysnitë ndaj kosovarëve me anë të “tepricave” të shpikura! Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Studime të Poshtme (Martiraj) 1998-1999 Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (II) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (I) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në qytetin e Vushtrrisë (1998 - 1999) Sabile Keçmezi-Basha: Angazhimi i grave në jetën politike e vendimmarrëse në Kosovë Tefik Ramadani-Qarri: Gjurmeve te krimeve partizane mbi Shqiptaret Qazim Namani: Kultura materiale dhe historia e qytetit të Prishtinës Sabile Keçmezi- Basha: Çështje të përdorimi të nocioneve: ilegale, klandestine dhe e fshehtë Hilmi Saraçi: Lashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë Shevki Sh. Voca: Vrasja e Kryetarit Kenedi - Atentati i shekullit XX Mahmut Elez Mahmuti - Kqiku: Përveç datave kurgja tjetër nuk ka të vërtetë Valon Kurtishi: Faleminderit Austro - Hungari, i përjetshëm kujtimi për Franc Jozefin e I Hilmi Saraçi: Luftëtarë të njohur të Artakollit (1918-1947) Milazim Kadriu: Radio Kosova e Lirë, lajmëtare e fitoreve të mëdha Ukshin Zajmi: Në përkujtim të 100 vjetorit të Normalës së Elbasanit Sabile Keçmezi-Basha: Pagëzimi, pseudonimet dhe rezistenca Qazim Namani & Enver Rexha: Gërmadhat e Gjytetit në Bellasicë Sabile Keçmezi-Basha: Aktet gjenocidale të UDB-së ndaj të burgosurve politikë shqiptarë Qazim Namani & Arzije Zeneli: Vlerat kulturore të kullës së Xhemajl Haxhisë...

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx