E hene, 29.04.2024, 07:28 AM (GMT+1)

Speciale

Milazim Kadriu: Radio Kosova e Lirë, lajmëtare e fitoreve të mëdha

E diele, 29.11.2009, 11:00 PM


Radio Kosova e Lirë ka përuruar tri vëllime të Arkivit


RADIO “KOSOVA E LIRË”, LAJMËTARE E FITOREVE TË NJËPASNJËSHME NËPËR BETEJA DHE KUMTUESE E TRIUMFIT TË MADH TË LUFTËS ÇLIRIMTARE MBI ROBËRUESIN


Nga Milazim KADRIU


Në prag të shënimit të  datave  më të rëndësishme të së kaluarës së kombit tonë: Kthimi i Gjergj Kastriotit në Krujë, më 28 Nëntor 1443, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe shpalosja e Flamurit kombëtar, më 28 nëntor të vitit 1912, në Vlorë, lindja e legjendarit Adem Jashari më 28 nëntor të vitit 1955, në Prekaz dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Llaushë të Drenicës, Radio “Kosova e Lirë”,  ka përuruar arkivin e lajmeve të transmetuara gjatë kohës së luftës çlirimtare të Kosovës prej 4 janarit deri më 21 qershor të vitit 1999, i cili botim është financuar nga Qeveria e Kosovës. Burim kryesor i informatave ka qenë Agjencia e Lajmeve “Kosovapress”, radio “Kosova e lirë” dhe zëdhënësit për informim pranë shtabeve operative të zonave të UÇK-së u tha në këtë përurim.


Radio-Kosova e Lirë nxori në dritë Arkivin e lajmeve të dhëna gjatë kohës së luftës së UÇK-së


Radio-Kosova e Lirë, nxori në dritë tri vëllime të Arkivit, ku janë prezantuar lajmet, që janë transmetuar në këtë Radio, në vend emetimin e saj në fshatin Berishë të Drenicës, në periudhën kohore prej 4 janarit deri më 21 qershor të vitit 1999. Në këtë botim integral janë përfshirë rreth 3.500 informata të kohës së luftës së UÇK-së të përgatitura nga gazetarët e Radios dhe të Agjencisë Kosovapress.  

Duke folur për rëndësinë e Arkivit të Radios Kosova e Lirë, drejtori i kësaj radioje dhe anëtar i redaksisë së Arkivit, Ahmet Qeriqi, deklaroi se arkivi i kohës së luftës të cilin po e promovojmë sot ka vlera dokumentare e historike të cilat do të jenë bazë e fortë dhe e faktuar shkencore për studim dhe ndriçim të luftërave dhe betejave dhe në përgjithësi të gjitha ligjërimeve ushtarake dhe të atyre diplomatike gjatë epopesë së lavdishme të luftës së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Ndërsa ish-anëtari dhe inspektori i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, përveç tjerash ka deklaruar me këtë rast se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe radio “Kosova e lirë”, i dhanë shumë njëra tjetrës, por të dyja së bashku i dhanë popullit dritën dhe zemrën e lirisë me radion e saj, lufta e jonë u bë edhe më e prekshme edhe më e përjetueshme, dhe më e afërt për ata që e donin lirinë e vendit të vet dhe përpiqeshin të luftonin dhe vdisnin për te. Z. Selimi ka segmentuar edhe të dhëna të tjera lidhur me rëndësinë që pati kjo Radio si dhe Agjencia Kosovapress në informimin e drejtë të opinionit por edhe frymëzimin e luftëtarëve të lirisë kudo në Kosovë.


Çdo popull që dëshiron të ec përpara, të ardhmen e lexon në të shkuarën dhe e shkuara janë arkivat


Në përurimin e Arkivit të lajmeve të radios “Kosova e Lirë”, ishin të pranishëm edhe dy oficerë të lartë nga Tirana, kolonelët: Dilaver Goxhai dhe Halil Katana. Duke folur për vlerën dhe rëndësinë e Radios Kosova e Lirë dhe Arkivit të materialeve të saj të emetuara gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, koloneli i Ushtrisë Shqiptare, i cili ishte edhe ish zëvendës i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-s, Dilaver Goxhai deklaroi se çdo popull që dëshiron të ec përpara, të ardhmen e lexon në të shkuarën dhe e shkuara janë arkivat dhe një e tillë del sot në dritë. Ushtaraku Goxhai shtoi më tutje se përmes këtij botimi voluminoz jo vetëm historianët por edhe brezat tanë të ardhshëm do të kenë mundësinë të mësojnë se krijimi i Radios Kosova e Lirë, më 4 janar të vitit 1999 ishte i domosdoshëm. Ndërsa në emër të kryesisë së përgjithshme të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut dhe të redaksisë së revistës “Pavdekësia” të pranishmit në këtë promovim të Arkivit të radios Kosova e Lirë, i përshëndeti ushtaraku nga Tirana, koloneli, Halil Katana. Ai tha në mes tjerash se ndjehem i lumtur që kam rastin të marr pjesë në këtë Akademi promovuese të këtyre veprave që botoi radio “Kosova e Lirë” me dokumente që pasqyrojnë luftën çlirimtare të Kosovës.


Objekti muze i Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë merret nën mbrojtje institucionale


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Departamenti për Ruajtjen e Monumenteve të Kulturës, ka vendosur për të marr në mbrojtje institucionale objektin muze të radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë. Lidhur me këtë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Valton Beqiri, tha se me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave që posedon kjo shtëpi dhe në përputhje me ligjet në fuqi kam marr vendim që shtëpia e radios “Kosova e Lirë” në fshatin Berishë në të cilën janë të deponuara pajisje teknike të kohës së luftës, arkivi i lajmeve dhe i tërë materiali i cili është transmetuar gjatë asaj kohe të shpallet shtëpi muze.

 

Fjala e përhapur  u bë jehonë besnike e krismave në fushëbeteja kundër pushtuesit shekullor serb

 

Ndërsa në parathënien e tri vëllimeve të arkivit të lajmeve të Radios Kosova e Lirë,shkruar nga Nezir Myrtaj thuhet se : Vendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të themeluar institucionet informative të luftës, Radion Kosova e Lirë dhe Agjencinë e lajmeve Kosovapress, i marrë në nëntor të vitit 1998, atëherë kur lufta e armatosur çlirimtare ishte bërë sentiment i ndërgjegjes së çdo shqiptari liridashës dhe kur pushkët grykëpërflakura të lirisë nuk reshtnin krismat, ishte ngjarje me rëndësi të veçantë. Ngritja e këtyre dy institucioneve i dha impuls të ri luftës çlirimtare, sepse duke qenë krah i fortë i armëve të lirisë, ato u bënë mjete të fuqishme e të pazëvendësueshme të luftës.
 Fjala e përhapur prej tyre u bë jehonë besnike e krismave në fushëbeteja kundër pushtuesit shekullor serb. Ajo, po ashtu u bë lajmëtare e fitoreve të njëpasnjëshme nëpër beteja dhe kumtuese e triumfit të madh të luftës çlirimtare mbi robëruesin. Këto dy mjete lufte konfirmonin me fjalë ato që luftëtarët trima thonin me grykën e pushkës.
 Është e njohur thënia se nganjëherë më shumë vret fjala se plumbi. Radio Kosova e Lirë, sikurse dhe Agjencia e lajmeve Kosovapress, me fjalët e tyre të përhapura te opinioni i brendshëm dhe ai i jashtëm, së shpejti u bënë shituese vrastare për armikun serb. Dhembjen e përjetuar nga heshtat e tyre, Beogradi pushtues e shprehu që në goditjen e parë, prandaj i tërbuar aktivizoi të gjitha mjetet për t’i asgjësuar ato. Megjithatë, koha punoi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për lirinë e Kosovës, e jo për pushtuesin barbar. Radio Kosova e lirë dhe Agjencia Kosovapress mbijetuan dhe kryen misionin e tyre çlirimtar në funksion të kultivimit të fjalës së lirë e të vërtetë. Ato u bënë kronika më besnike e betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo kronikë u fiksua në shirita celuloidi e në mjetet elektronike dhe të shkruara përmes mijëra informacioneve të shpërndara në formë lajmesh; qindra komunikatave të SHP dhe të shtabeve operative; qindra reportazheve e intervistave të zhvilluara me luftëtarët e me popullatën civile; qindra komenteve, vështrimeve e shënimeve të ndryshme. Këto materiale të çmueshme përbëjnë arkivin autentik të fjalës së thënë, të shkruar e të emetuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo fjalë e përjetshme do ta pasqyrojë te brezat e ardhshëm të vërtetën dhe heroizmin e UÇK-së. Ajo do t’ua mundësojë periudhave të ardhshme të historisë të komunikojnë me epokën e lavdishme të luftës për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

 

Ideja dhe synimi për të botuar materialet e arkivit të radios Kosova e Lirë, kanë qenë preokupime të përhershme të stafit drejtues të RKL-së

 

 Pas përfundimit të luftës çlirimtare, në qershor të vitit 1999, para atyre që luftuan dhe udhëhoqën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por adhe para atyre që ndihmuan këtë luftë dhe atyre që gëzuan frytet e saj, ishte e shtruar detyra atdhetare për të mbrojtur dhe afirmuar vlerat e saj. Kjo sepse, pa mbrojtjen e këtyre vlerave nuk do të mund të jetësoheshin e të materializoheshin në formë të njëmendtë frytet e kësaj lufte – liria e Kosovës. Një segment shumë të rëndësishëm të këtyre vlerave përbënin edhe materialet arkivore të radios Kosova e Lirë dhe agjencisë Kosovapress. Për fat shumë të lumtur, pothuajse qind për qind e këtij thesari është ruajtur deri në ditët e sotme.
 Në këtë drejtim, merita kryesore i përket stafit të radios Kosova e Lirë të periudhës së luftës e të pasluftës, i cili me përkushtimin dhe fanatizmin më të madh, por edhe me ndërgjegjen më të lartë atdhetare ka bërë çdo sakrificë për të siguruar dhe ruajtur të gjitha materialet e transmetuara përmes valëve të kësaj radioje, duke filluar nga 4 janari e deri më 21 qershor të vitit 1999. Mirëpo, u desh të kalojnë mbi dhjetë vjet pas përfundimit të luftës që këto materiale arkivore të botohen e të bëhen pronë e shkruar e lexuesit shqiptar dhe e cilitdo që dëshiron të komunikojë me epokën e luftës së UÇK-së.
 Ç’ është e vërteta, ideja dhe synimi për të botuar materialet e arkivit të radios Kosova e Lirë, kanë qenë preokupime të përhershme të stafit drejtues të RKL-së. Me gjithë mundësitë fare të kufizuara, një pjesë e këtyre materialeve u botua disa vite më herët dhe bëhet fjalë kryesisht për materialet e rubrikave “Komente, vështrime e shënime” dhe “Intervista dhe reportazhi”. Komentet, vështrimet dhe shënimet autoriale janë përfshirë në përmbledhjen Jehonë lufte, të autorit Nezir Myrtaj, ndërsa intervistat dhe reportazhet, në përmbledhjen Reportazhe lufte, të autorit Martin Çuni. Megjithatë një pjesë e domosdoshme dhe e veçantë e arkivit të RKL, siç janë informatat e rubrikës së lajmeve, komunikatat e strukturave të UÇK-së, si dhe shkrimet me karakter të ndryshëm, kishte ngelur e pabotuar. Për ta plotësuar sadopak këtë boshllëk, drejtoria e Radios Kosova e Lirë, në vitin 2008 përgatiti dhe lidhi në formë blejsh tri vëllime të këtyre materialeve të pabotuara në nga një ekzemplar. Këta ekzemplarë u ekspozuan para pjesëmarrësve të akademisë kushtuar 10-vjetorit të hapjes së Radios Kosova e Lirë, më 4 janar 2009, në Prishtinë. Ishte ky moment i shënimit të një ngjarjeje të rëndësishme, që zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hajredin Kuçi, gjatë fjalës së tij para të pranishmëve bëri publik premtimin se Kryeministria do ta marrë përsipër botimin e arkivit të Radios Kosova e Lirë. Premtimi i dhënë u realizua dhe sot lexuesi ynë, por edhe ai i huaj, bibliotekat, arkivat dhe institucionet tona kanë në dispozicion lëndën arkivore të Radios Kosova e Lirë të periudhës së luftës, e përmbledhur në tri libra, e titulluar Radio Kosova e Lirë - Arkivi.

 

 Burim kryesor i informatave të transmetuara nga Radio Kosova e Lirë kanë qenë Agjencia Kosovapress dhe zëdhënësit për informim pranë shtabeve operative të zonave të UÇK-së

 

 Lënda arkivore e gjashtë muajve të funksionimit të Radios Kosova e Lirë është ndarë proporcionalisht në tri pjesë. Secila pjesë përfshin periudhën kohore dymujore. Libri Arkivi I përmban lëndën e periudhës 4 janar-28 shkurt 1999. Libri Arkivi II përmban lëndën e periudhës 1 mars-30 prill. Ndërsa libri Arkivi III përmban lëndën e periudhës 1 maj – 21 qershor 1999.
 Përmbajtja e lëndës është sistemuar në formë të kronikës ditore, ku një date të caktuar i përkasin lajmet, komunikatat dhe shkrimet e tjera të transmetuara brenda asaj dite.
 Disa prej informatave të transmetuara, ritransmetohen edhe në ditën ose ditët vijuese, për arsye të rëndësisë që do të kenë pasur për opinionin. Burim kryesor i informatave të transmetuara nga Radio Kosova e Lirë kanë qenë Agjencia Kosovapress dhe zëdhënësit për informim pranë shtabeve operative të zonave të UÇK-së, si dhe korrespondentët e RKL në terren dhe korrespondentët e Agjencisë Kosovapress në diasporë. Ndërsa si burime plotësuese të informatave janë shfrytëzuar edhe shtypi vendor, gjatë periudhës sa ato kanë funksionuar, e veçanërisht Radio Tirana dhe radiostacionet e huaja. Redaksia e emisionit të lajmeve, informatave të pranuara iu ka qasur në mënyrë kritike, duke zbatuar metodën krahasuese për të verifikuar saktësinë e tyre. Në rast të kontestimit të ndonjë informate të transmetuar, Redaksia e RKL e ka evituar pasaktësinë, duke e qartësuar lajmin në emisionet vijuese.
 Deri më një prill të vitit 1999, Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress kanë transmetuar dhe shpërndarë të njëjtat informata, të cilat janë përpunuar nga redaksitë e përbashkëta të këtyre dy institucioneve simotra informative. Në këtë periudhë, stafi i RKL dhe AKP kanë funksionuar si një trup i vetëm dhe në të njëjtën seli. Mirëpo, pas përpjekjeve të shtuara dhe bombardimeve të pareshtura në drejtim të kësaj selie, nga forcat pushtuese serbe, stafit të këtyre dy institucioneve i është imponuar ta ndërrojë vendqëndrimin dhe për shkak të specifikës së punës në radiostacion, RKL dhe AKP kanë funksionuar në mënyrë të pavarur dhe në seli të veçanta, por në këmbim të vazhdueshëm të informatave dhe materialeve të tjera informative. Në kushte të tilla të veçanta ato kanë funksionuar pas një prillit deri më 21 qershor të vitit 1999, kur RKL ka ndërprerë transmetimin e programit, me shpalljen si të përfunduar të largimit të forcave pushtuese serbe nga Kosova. Deri në këtë ditë, selia e RKL ishte vendosur në një bunker dhe në tendën pranë tij.

 

 Kronikë e gjallë e luftës dhe pasqyrë e epopeve të heronjve të UÇK-së


 Lënda e publikuar arkivore e RKL, paraqet një produkt arkivor me rëndësi të shumanshme. Vlera e saj ka dimensionin historik, politik, ushtarak, njohës, madje edhe atë letrar dhe epik. Ajo nuk është thjeshtë një informatë e transmetuar, apo vetëm një letërsi gazetarie. Si e tillë, ajo, gjithsesi është më shumë se kaq. Duke qenë kronikë e gjallë e luftës dhe pasqyrë e epopeve të heronjve të UÇK-së, ky arkiv konservon realitetin e një epoke dramatike, duke përfshirë mendimin politik, si dhe koniunkturat diplomatike të saj, filozofinë e luftës e të paqes, ndjenjat dhe ndërgjegjet e konfrontuara.
 Kjo lëndë arkivore nuk do të zvetënohet me kalimin e kohës, por përkundrazi ajo do të ruajë cilësinë e arit-shkëlqimin e përhershëm. Ky shkëlqim vezullues do të motivojë e frymëzojë historianët, shkrimtarët, poetët, piktorët, skulptorët, filozofët dhe shkencëtarët të shkruajnë e të skalitin vepra madhështore të cilat do të kenë për bazë heroizmin, flijimin dhe ndjenjat e fuqishme liridashëse të shqiptarëve, të cilave u dha kuptim UÇK-ja. Ai, po ashtu do ta pasurojë edhe historinë e diplomacisë dhe të artit ushtarak, duke dhënë mesazh të fuqishëm për epërsinë e pakontestueshme të luftës çlirimtare mbi atë pushtuese dhe të lirisë mbi robërinë.



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Ukshin Zajmi: Në përkujtim të 100 vjetorit të Normalës së Elbasanit Sabile Keçmezi-Basha: Pagëzimi, pseudonimet dhe rezistenca Qazim Namani & Enver Rexha: Gërmadhat e Gjytetit në Bellasicë Sabile Keçmezi-Basha: Aktet gjenocidale të UDB-së ndaj të burgosurve politikë shqiptarë Qazim Namani & Arzije Zeneli: Vlerat kulturore të kullës së Xhemajl Haxhisë... Isuf B. Bajrami: Kontributi i Kulturës Kombëtare në rrjedhat e Pavarësisë së Shqipërisë Avzi Mustafa: Kur bëhej Kongresi i Shkronjave në Manastir Vebi Xhemaili: Kryengritja e Dervish Cares, parapërgatiti Lidhjen e Prizrenit Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet jugosllave! Fotaq Andrea: Nderim për trimat francezë që prehen në varrezë të Korçës Besim Muhadri dhe Dukagjin Markaj: Masakrat dhe terrori serb në prill të vitit 1941 Qazim Namani: Pështjellaku i grave të Llapit dhe Gallapit Avzi Mustafa: Prof. dr. Nexhat Abazi, Personalitet i shquar i shkencave pedagogjike dhe i kulturës shqiptare Qazim Namani: Vlerat kulturore dhe historike të shtëpisë së Mulla Ademit Avzi Mustafa: Një dorëshkrim i posazbuluar në gjuhën shqipe me shkronja cirilike nga viti 1868 në Rekën e Epërme Besim Muhadri & Dukagjin Markaj: Vrasja e burrave në Kusur të Hasit në prill të vitit 1941 – pjesë e skenarëve serb për shfarosjen e shqiptarëve Intervista e Ismail Kadaresë, dhënë gazetarit Blendi Fevziu në emisionin ''Opinion'' në TV Klan Dorian Koçi: Ngjizja e nacionalizmit shqiptar Erika Camaj: Jeta ime me Martinin At Gjergj Fishta: Shqiptarët dhe të drejtat e tyne

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora