| E diele, 29.11.2009, 11:00 PM |
Radio Kosova e Lirë ka përuruar tri vëllime të Arkivit
RADIO “KOSOVA E LIRË”, LAJMËTARE E FITOREVE TË NJËPASNJËSHME
NËPËR BETEJA DHE KUMTUESE E TRIUMFIT TË MADH TË LUFTËS ÇLIRIMTARE
Nga Milazim KADRIU
Në prag të shënimit të datave më të rëndësishme të së kaluarës së kombit tonë: Kthimi i Gjergj Kastriotit në Krujë, më 28 Nëntor 1443, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe shpalosja e Flamurit kombëtar, më 28 nëntor të vitit 1912, në Vlorë, lindja e legjendarit Adem Jashari më 28 nëntor të vitit 1955, në Prekaz dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Llaushë të Drenicës, Radio “Kosova e Lirë”, ka përuruar arkivin e lajmeve të transmetuara gjatë kohës së luftës çlirimtare të Kosovës prej 4 janarit deri më 21 qershor të vitit 1999, i cili botim është financuar nga Qeveria e Kosovës. Burim kryesor i informatave ka qenë Agjencia e Lajmeve “Kosovapress”, radio “Kosova e lirë” dhe zëdhënësit për informim pranë shtabeve operative të zonave të UÇK-së u tha në këtë përurim.
Radio-Kosova e Lirë nxori në dritë Arkivin e lajmeve të dhëna gjatë kohës së luftës së UÇK-së
Radio-Kosova e Lirë, nxori në dritë tri vëllime të Arkivit, ku
janë prezantuar lajmet, që janë transmetuar në këtë Radio, në vend emetimin e
saj në fshatin Berishë të Drenicës, në periudhën kohore prej 4 janarit deri më
21 qershor të vitit 1999. Në këtë botim integral janë përfshirë rreth 3.500
informata të kohës së luftës së UÇK-së të përgatitura nga gazetarët e Radios
dhe të Agjencisë Kosovapress.
Duke folur për rëndësinë e Arkivit të Radios Kosova e Lirë, drejtori i kësaj radioje dhe anëtar i redaksisë së Arkivit, Ahmet Qeriqi, deklaroi se arkivi i kohës së luftës të cilin po e promovojmë sot ka vlera dokumentare e historike të cilat do të jenë bazë e fortë dhe e faktuar shkencore për studim dhe ndriçim të luftërave dhe betejave dhe në përgjithësi të gjitha ligjërimeve ushtarake dhe të atyre diplomatike gjatë epopesë së lavdishme të luftës së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Ndërsa ish-anëtari dhe inspektori i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, përveç tjerash ka deklaruar me këtë rast se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe radio “Kosova e lirë”, i dhanë shumë njëra tjetrës, por të dyja së bashku i dhanë popullit dritën dhe zemrën e lirisë me radion e saj, lufta e jonë u bë edhe më e prekshme edhe më e përjetueshme, dhe më e afërt për ata që e donin lirinë e vendit të vet dhe përpiqeshin të luftonin dhe vdisnin për te. Z. Selimi ka segmentuar edhe të dhëna të tjera lidhur me rëndësinë që pati kjo Radio si dhe Agjencia Kosovapress në informimin e drejtë të opinionit por edhe frymëzimin e luftëtarëve të lirisë kudo në Kosovë.
Çdo popull që dëshiron të ec përpara, të ardhmen e lexon në të shkuarën dhe e shkuara janë arkivat
Në përurimin e Arkivit të lajmeve të radios “Kosova e Lirë”,
ishin të pranishëm edhe dy oficerë të lartë nga Tirana, kolonelët: Dilaver
Goxhai dhe Halil Katana. Duke folur për vlerën dhe rëndësinë e Radios Kosova e
Lirë dhe Arkivit të materialeve të saj të emetuara gjatë luftës së Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, koloneli i Ushtrisë Shqiptare, i cili ishte edhe ish
zëvendës i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-s, Dilaver Goxhai deklaroi
se çdo popull që dëshiron të ec përpara, të ardhmen e lexon në të shkuarën dhe
e shkuara janë arkivat dhe një e tillë del sot në dritë. Ushtaraku Goxhai shtoi
më tutje se përmes këtij botimi voluminoz jo vetëm historianët por edhe brezat
tanë të ardhshëm do të kenë mundësinë të mësojnë se krijimi i Radios Kosova e
Lirë, më 4 janar të vitit 1999 ishte i domosdoshëm. Ndërsa në emër të kryesisë
së përgjithshme të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut dhe të
redaksisë së revistës “Pavdekësia” të pranishmit në këtë promovim të Arkivit të
radios Kosova e Lirë, i përshëndeti ushtaraku nga Tirana, koloneli, Halil
Katana. Ai tha në mes tjerash se ndjehem i lumtur që kam rastin të marr pjesë
në këtë Akademi promovuese të këtyre veprave që botoi radio “Kosova e Lirë” me
dokumente që pasqyrojnë luftën çlirimtare të Kosovës.
Objekti muze i Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë merret nën mbrojtje institucionale
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Departamenti për
Ruajtjen e Monumenteve të Kulturës, ka vendosur për të marr në mbrojtje
institucionale objektin muze të radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë. Lidhur
me këtë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Valton Beqiri, tha se me
qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave që posedon kjo shtëpi dhe në
përputhje me ligjet në fuqi kam marr vendim që shtëpia e radios “Kosova e Lirë”
në fshatin Berishë në të cilën janë të deponuara pajisje teknike të kohës së
luftës, arkivi i lajmeve dhe i tërë materiali i cili është transmetuar gjatë
asaj kohe të shpallet shtëpi muze.
Fjala e përhapur u bë jehonë besnike e krismave në
fushëbeteja kundër pushtuesit shekullor serb
Ndërsa në parathënien e tri
vëllimeve të arkivit të lajmeve të Radios Kosova e Lirë,shkruar nga Nezir
Myrtaj thuhet se : Vendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës për të themeluar institucionet informative të luftës, Radion Kosova e
Lirë dhe Agjencinë e lajmeve Kosovapress, i marrë në nëntor të vitit 1998,
atëherë kur lufta e armatosur çlirimtare ishte bërë sentiment i ndërgjegjes së
çdo shqiptari liridashës dhe kur pushkët grykëpërflakura të lirisë nuk reshtnin
krismat, ishte ngjarje me rëndësi të veçantë. Ngritja e këtyre dy
institucioneve i dha impuls të ri luftës çlirimtare, sepse duke qenë krah i
fortë i armëve të lirisë, ato u bënë mjete të fuqishme e të pazëvendësueshme të
luftës.
Fjala e përhapur prej tyre u bë jehonë besnike e krismave në fushëbeteja
kundër pushtuesit shekullor serb. Ajo, po ashtu u bë lajmëtare e fitoreve të
njëpasnjëshme nëpër beteja dhe kumtuese e triumfit të madh të luftës çlirimtare
mbi robëruesin. Këto dy mjete lufte konfirmonin me fjalë ato që luftëtarët
trima thonin me grykën e pushkës.
Është e njohur thënia se nganjëherë më shumë vret fjala se plumbi. Radio
Kosova e Lirë, sikurse dhe Agjencia e lajmeve Kosovapress, me fjalët e tyre të
përhapura te opinioni i brendshëm dhe ai i jashtëm, së shpejti u bënë shituese
vrastare për armikun serb. Dhembjen e përjetuar nga heshtat e tyre, Beogradi
pushtues e shprehu që në goditjen e parë, prandaj i tërbuar aktivizoi të gjitha
mjetet për t’i asgjësuar ato. Megjithatë, koha punoi për Ushtrinë Çlirimtare të
Kosovës dhe për lirinë e Kosovës, e jo për pushtuesin barbar. Radio Kosova e
lirë dhe Agjencia Kosovapress mbijetuan dhe kryen misionin e tyre çlirimtar në
funksion të kultivimit të fjalës së lirë e të vërtetë. Ato u bënë kronika më
besnike e betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo kronikë u fiksua në
shirita celuloidi e në mjetet elektronike dhe të shkruara përmes mijëra
informacioneve të shpërndara në formë lajmesh; qindra komunikatave të SHP dhe
të shtabeve operative; qindra reportazheve e intervistave të zhvilluara me
luftëtarët e me popullatën civile; qindra komenteve, vështrimeve e shënimeve të
ndryshme. Këto materiale të çmueshme përbëjnë arkivin autentik të fjalës së
thënë, të shkruar e të emetuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo fjalë e
përjetshme do ta pasqyrojë te brezat e ardhshëm të vërtetën dhe heroizmin e
UÇK-së. Ajo do t’ua mundësojë periudhave të ardhshme të historisë të
komunikojnë me epokën e lavdishme të luftës për çlirimin përfundimtar të
Kosovës.
Ideja dhe synimi për të
botuar materialet e arkivit të radios Kosova e Lirë, kanë qenë preokupime të
përhershme të stafit drejtues të RKL-së
Pas përfundimit të luftës
çlirimtare, në qershor të vitit 1999, para atyre që luftuan dhe udhëhoqën
Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por adhe para atyre që ndihmuan këtë luftë dhe
atyre që gëzuan frytet e saj, ishte e shtruar detyra atdhetare për të mbrojtur
dhe afirmuar vlerat e saj. Kjo sepse, pa mbrojtjen e këtyre vlerave nuk do të
mund të jetësoheshin e të materializoheshin në formë të njëmendtë frytet e
kësaj lufte – liria e Kosovës. Një segment shumë të rëndësishëm të këtyre
vlerave përbënin edhe materialet arkivore të radios Kosova e Lirë dhe agjencisë
Kosovapress. Për fat shumë të lumtur, pothuajse qind për qind e këtij thesari
është ruajtur deri në ditët e sotme.
Në këtë drejtim, merita kryesore i përket stafit të radios Kosova e Lirë
të periudhës së luftës e të pasluftës, i cili me përkushtimin dhe fanatizmin më
të madh, por edhe me ndërgjegjen më të lartë atdhetare ka bërë çdo sakrificë
për të siguruar dhe ruajtur të gjitha materialet e transmetuara përmes valëve
të kësaj radioje, duke filluar nga 4 janari e deri më 21 qershor të vitit 1999.
Mirëpo, u desh të kalojnë mbi dhjetë vjet pas përfundimit të luftës që këto
materiale arkivore të botohen e të bëhen pronë e shkruar e lexuesit shqiptar
dhe e cilitdo që dëshiron të komunikojë me epokën e luftës së UÇK-së.
Ç’ është e vërteta, ideja dhe synimi për të botuar materialet e arkivit të
radios Kosova e Lirë, kanë qenë preokupime të përhershme të stafit drejtues të
RKL-së. Me gjithë mundësitë fare të kufizuara, një pjesë e këtyre materialeve u
botua disa vite më herët dhe bëhet fjalë kryesisht për materialet e rubrikave
“Komente, vështrime e shënime” dhe “Intervista dhe reportazhi”. Komentet,
vështrimet dhe shënimet autoriale janë përfshirë në përmbledhjen Jehonë lufte,
të autorit Nezir Myrtaj, ndërsa intervistat dhe reportazhet, në përmbledhjen
Reportazhe lufte, të autorit Martin Çuni. Megjithatë një pjesë e domosdoshme
dhe e veçantë e arkivit të RKL, siç janë informatat e rubrikës së lajmeve,
komunikatat e strukturave të UÇK-së, si dhe shkrimet me karakter të ndryshëm,
kishte ngelur e pabotuar. Për ta plotësuar sadopak këtë boshllëk, drejtoria e
Radios Kosova e Lirë, në vitin 2008 përgatiti dhe lidhi në formë blejsh tri
vëllime të këtyre materialeve të pabotuara në nga një ekzemplar. Këta
ekzemplarë u ekspozuan para pjesëmarrësve të akademisë kushtuar 10-vjetorit të
hapjes së Radios Kosova e Lirë, më 4 janar 2009, në Prishtinë. Ishte ky moment
i shënimit të një ngjarjeje të rëndësishme, që zëvendëskryeministri i
Republikës së Kosovës, z. Hajredin Kuçi, gjatë fjalës së tij para të
pranishmëve bëri publik premtimin se Kryeministria do ta marrë përsipër botimin
e arkivit të Radios Kosova e Lirë. Premtimi i dhënë u realizua dhe sot lexuesi
ynë, por edhe ai i huaj, bibliotekat, arkivat dhe institucionet tona kanë në
dispozicion lëndën arkivore të Radios Kosova e Lirë të periudhës së luftës, e përmbledhur
në tri libra, e titulluar Radio Kosova e Lirë - Arkivi.
Burim kryesor i
informatave të transmetuara nga Radio Kosova e Lirë kanë qenë Agjencia
Kosovapress dhe zëdhënësit për informim pranë shtabeve operative të zonave të
UÇK-së
Lënda arkivore e gjashtë
muajve të funksionimit të Radios Kosova e Lirë është ndarë proporcionalisht në
tri pjesë. Secila pjesë përfshin periudhën kohore dymujore. Libri Arkivi I
përmban lëndën e periudhës 4 janar-28 shkurt 1999. Libri Arkivi II përmban
lëndën e periudhës 1 mars-30 prill. Ndërsa libri Arkivi
Përmbajtja e lëndës është sistemuar në formë të kronikës ditore, ku një
date të caktuar i përkasin lajmet, komunikatat dhe shkrimet e tjera të transmetuara
brenda asaj dite.
Disa prej informatave të transmetuara, ritransmetohen edhe në ditën ose
ditët vijuese, për arsye të rëndësisë që do të kenë pasur për opinionin. Burim
kryesor i informatave të transmetuara nga Radio Kosova e Lirë kanë qenë Agjencia
Kosovapress dhe zëdhënësit për informim pranë shtabeve operative të zonave të
UÇK-së, si dhe korrespondentët e RKL në terren dhe korrespondentët e Agjencisë
Kosovapress në diasporë. Ndërsa si burime plotësuese të informatave janë
shfrytëzuar edhe shtypi vendor, gjatë periudhës sa ato kanë funksionuar, e
veçanërisht Radio Tirana dhe radiostacionet e huaja. Redaksia e emisionit të
lajmeve, informatave të pranuara iu ka qasur në mënyrë kritike, duke zbatuar
metodën krahasuese për të verifikuar saktësinë e tyre. Në rast të kontestimit
të ndonjë informate të transmetuar, Redaksia e RKL e ka evituar pasaktësinë,
duke e qartësuar lajmin në emisionet vijuese.
Deri më një prill të vitit 1999, Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia
Kosovapress kanë transmetuar dhe shpërndarë të njëjtat informata, të cilat janë
përpunuar nga redaksitë e përbashkëta të këtyre dy institucioneve simotra
informative. Në këtë periudhë, stafi i RKL dhe AKP kanë funksionuar si një trup
i vetëm dhe në të njëjtën seli. Mirëpo, pas përpjekjeve të shtuara dhe
bombardimeve të pareshtura në drejtim të kësaj selie, nga forcat pushtuese
serbe, stafit të këtyre dy institucioneve i është imponuar ta ndërrojë
vendqëndrimin dhe për shkak të specifikës së punës në radiostacion, RKL dhe AKP
kanë funksionuar në mënyrë të pavarur dhe në seli të veçanta, por në këmbim të
vazhdueshëm të informatave dhe materialeve të tjera informative. Në kushte të
tilla të veçanta ato kanë funksionuar pas një prillit deri më 21 qershor të
vitit 1999, kur RKL ka ndërprerë transmetimin e programit, me shpalljen si të
përfunduar të largimit të forcave pushtuese serbe nga Kosova. Deri në këtë
ditë, selia e RKL ishte vendosur në një bunker dhe në tendën pranë tij.
Kronikë e gjallë e luftës dhe pasqyrë e epopeve të heronjve të UÇK-së
Lënda e publikuar arkivore e RKL, paraqet një produkt
arkivor me rëndësi të shumanshme. Vlera e saj ka dimensionin historik, politik,
ushtarak, njohës, madje edhe atë letrar dhe epik. Ajo nuk është thjeshtë një
informatë e transmetuar, apo vetëm një letërsi gazetarie. Si e tillë, ajo,
gjithsesi është më shumë se kaq. Duke qenë kronikë e gjallë e luftës dhe
pasqyrë e epopeve të heronjve të UÇK-së, ky arkiv konservon realitetin e një
epoke dramatike, duke përfshirë mendimin politik, si dhe koniunkturat diplomatike
të saj, filozofinë e luftës e të paqes, ndjenjat dhe ndërgjegjet e
konfrontuara.
Kjo lëndë arkivore nuk do të zvetënohet me kalimin e kohës, por
përkundrazi ajo do të ruajë cilësinë e arit-shkëlqimin e përhershëm. Ky
shkëlqim vezullues do të motivojë e frymëzojë historianët, shkrimtarët, poetët,
piktorët, skulptorët, filozofët dhe shkencëtarët të shkruajnë e të skalitin
vepra madhështore të cilat do të kenë për bazë heroizmin, flijimin dhe ndjenjat
e fuqishme liridashëse të shqiptarëve, të cilave u dha kuptim UÇK-ja. Ai, po
ashtu do ta pasurojë edhe historinë e diplomacisë dhe të artit ushtarak, duke
dhënë mesazh të fuqishëm për epërsinë e pakontestueshme të luftës çlirimtare
mbi atë pushtuese dhe të lirisë mbi robërinë.