E enjte, 24.07.2025, 10:08 PM (GMT+1)

Speciale

Ukshin Zajmi: Në përkujtim të 100 vjetorit të Normalës së Elbasanit

E diele, 29.11.2009, 08:45 PM


Hasan Prishtina
Hasan Prishtina
Normalistët e parë nga Kosova


Kongresi dhe hapja e shkollës Normale të Elbasanit bëri jehonë të madhe edhe në viset tjera shqiptare, andaj  shkolla fillore me alfabetin latin u hapen edhe në Dibër, Prizren, Gjilan, Mitrovicë e Shkup. Duke parë këtë invazion të hapjes së shkollave shqipe, xhonturqit filluan mbylljen e tyre, përkundër lejimit të tyre nga Hyrjeti (Kushtetuta) e vitit 1908.

Nga Ukshin Zajmi

Pas shpalljes së Hyrjetit dhe mbajtjes së Kongresit të Alfabetit në Manastir, patriotët shqiptarë nxituan që të shfrytëzojnë rastin e të hapin shkolla në gjuhën shqipe. Një kongres tjetër, i cili iu kushtua kryesisht arsimit ishte ai i Elbasanit, që u thirr më 3 korrik të vitit 1909, e u mbajt me 2-9 shtator 1909. Në mesin e 15 nenëve të Rezolutës së tij, çështja e parë ishte hapja e shkollës gjashtëklasëshe pedagogjike (Shkollës Normale) në Elbasan, e cila do të aplikonte të folurit e dialektit të Elbasanit, i cili ishte më i përafërti me të gjitha dialektet e trojeve shqiptare. Në të katër vilajetet ku banonin shqiptarët, filloj të mësohej gjuha shqipe në shkollat ekzistuese të sistemit ottoman, por filluan edhe te hapen shkolla me mësim në gjuhën shqipe. Dhe pikërisht Shkolla Normale e Elbasanit duhet të ishte qendra prej nga do të dilnin mësuesit për shkollat e reja në gjuhën shqipe. Për mësimdhënës në këtë shkollë u caktuan intelektualët dhe patriotët më të shkuar të kohës: Luigj Gurakuqi (gjuhë, dituri, logjistikë, vizatim); Aleksandër Gjuvani (gjuhë, histori, frengjishtë); Hajdar Blloshmi (gjuhë turke dhe frengjishtë); Dhimitër Papa Kristo (këngë, gjimnastikë); Hafëz Ibrahim Dalliu (turqisht, fe muslimane); Peter Dodbiba (fe krishtere, greqisht, matematikë dhe drejtshkrim) dhe Hasan Mezeja (histori, matematikë). Për drejtor të shkollës Komisioni nismëtar i themelimit të Normalës caktoi gjilanasin Qamil Bala. Atbotë, ai ishte në Jerusalem dhe autoritetet palestineze, në fillim nuk e lejuan, por më vonë i dhanë leje për të marrë detyrën e re në atdhe. Ai, bëri një rrugë të gjatë e të mundimshme deri në Manastir, por aty, burokracia xhonturke e ndalojnë dhe e pengojnë, andaj detyrën e drejtorit e merr Luigj Gurakuqi.

Shkolla Normale e Elbasanit ia filloi punës me 1 dhjetor të vitit 1909, në fillim me 111 nxënës, e më vonë ky numër u shtua edhe me nxënës të tjerë për t’u shtuar numri në mbi 140 nga të gjitha trojet shqiptare.

           
Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi
Për regjistrimin e nxënsve në shkollën Normale të Elbasanit nga Kosova rol të madhe pati Hasan Prishtina. Këtë e dëshmon Gazeta e Manastirit “Lahutë e Malsise” nr.2, shkurt 1910, e cila shkruante:” Kollozhekun (janarin) shkuan katër herë që këtu, duke ardhur më së shumti nga vilajeti i Ysqupit (Shkupit) nxënës për në shkollën Normale ndë Elbasan, herën e fundit shkuan 16. Këta janë pemë te të çmuarit atdhetar Hasan Beut Prishtina-deputet.” Këtë e vërteton edhe vet Hasn Prishtina, në fjalimin e tij para popullit të Kosovës me 5 maj të vitit 1912 në kullën e Ahmet Delisë, kur në mes tjerash thot:”U përpoqa me ngulm t’i mbroja të drejtat që na u garantuan me Kushtetutën e vitit 1908, por kot. Sa patëm mundësi e shfrytëzuam: e bëmë alfabetin dhe i hapëm ca shkolla shqipe. Disa djem kosovarë ia dërgova Luigjit në Normalen e Elbasanit.” Për këtë edhe Muhamet Pirraku pas hulumtimeve të  tij nxjerr konstatim, se në at vatër diturie do të mësojnë edhe shumë nxënës nga Kosova, shumica me hargjimet e Hasan Prishtinës. Në gjeneratën e parë të shkollës normale, sipas Shpëtim Salës, nxënës nga Kosova ishin: 5 nga Gjilani; 5 nga Vushtria; 3 nga Gjakova; 3 nga Mitrovica; 2 nga Prizreni; 3 nga Presheva dhe një nga Peja. Sipas tij, nga Prishtina ishin: Halit Eypi, Murat Abdullai, Mustafa Ismaili dhe Jahja Ademi; nga Vushtria: Rakip Abduramani, Afez Xhaferi, Alim Shaqiri, Izet Ymeri; nga Prizreni Hamdi Bajrami, nga Gjakova Rexhepi Mehmeti dhe nga Gjilani: Seit Ademi dhe Beqir Sadiku, kurse sipas Abdylaziz Veselit nga rrethina e Gjilanit ishin edhe Nevzat Sherifi, Qamil Zeneli dhe Shyqeri Malushi.


Mënyra e shkuarjes se këtyre nxënësve nga Kosova në Normalen e Elbasanit bëhej përmes Shkupit dhe Manastirit. Në Shkup nxënësit i pritnin antarët e Klubit shqiptar të  Shkupit, në mesin e të cilëve ishte edhe Kolë Bojaxhia, babai i Gonxhe Bojaxhisë përkatësisht Nënës Tereze. Me shpenzimet e këtij klubi nxënësit nga Kosova strehoheshin e ushqeheshin në Shkup dhe udhtonin me tren deri në Manastir. Këtu i pritnin përfaqësuesit e Klubit “Bashkimi” dhe i vendosnin në hotelin “Liria” të vëllëzërve Themistokli e Telemak Gërmenji, dhe prej këtu me karavane qerresh dërgoheshin në Elbasan. Këtyre nxënësve u bëhej një pritje madhështore. Këtë e organizonte Dërvish Biçakçiu, kryetar i komisionit për mbarëvajtjen e Shkollës Normale. Ja si e përshkruajnë një pritje të tillë. “Me 8 shkurt 1910, mësues, nxënës të Normales, të iptidaies (shkollës fillore) dhe qytetarë të Elbasanit, që herët në mëngjes dolën për të pritur djemtë e Kosovës, në rrugën e Manastirit, një orë larg Elbasanit. Të gjithë u mblodhen në një fushë afër teqesë. Kur të rinjtë kosovarë u shfaqën në horizont, djemtë u rreshtuan në të dy anët e rrugës së Manastirit. Kur karvani u afrua brohoritjet e gëzimit bashkuan të dy palët: Rrofshin trimat e Kosovës! Rrofshin patriotët elbasanas! Rroftë Hasan Prishtina! e të tjera.”

Kongresi dhe hapja e shkollës Normale të Elbasanit bëri jehonë të madhe edhe në viset tjera shqiptare, andaj  shkolla fillore me alfabetin latin u hapen edhe në Dibër, Prizren, Gjilan, Mitrovicë e Shkup. Duke parë këtë invazion të hapjes së shkollave shqipe, xhonturqit filluan mbylljen e tyre, përkundër lejimit të tyre nga Hyrjeti (Kushtetuta) e vitit 1908. Kështu edhe shkolla Normale e Elbasanit u mbyll shumë herë si pasoje e represionit te pushtuesve xhonturq, por edhe rifilloi për shkak te ndjenjave të mëdha arsimdashës të popullit shqiptar, andaj edhe shkolla Normale e Elbasanit ka marrë legjitimitetin e Universitetit të Parë shqiptar.

            Vendimet e Kongresit të Elbasanit dhe hapja e shkollës Normale pati jehonë të madhe si në vend, ashtu edhe jashtë trojeve shqiptare. Po përmendim vetëm disa shkrime: gazeta serbe “Politika” e datës 12 shtator 1909, thekson se :”…kongresistët i kanë bërë një kërkesës Portës që në tërë Shqipërinë të hapen shkolla me mësim vetëm në gjuhën shqipe.”Në gazetën “Journal de Geneve” të Zvicrës thuhej: “…në kongresin e shqiptarëve që u mbajt në Elbasan u vendos organizimi i shkollave me themel në gjuhën shqipe.” , për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta “L’Italia all’estero”.

            Në fund të theksojmë se rëndësia e shkollës Normale të Elbasanit është e madhe për historinë shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti, sepse ketu zë fill aftësimi i kuadrove të para për arsimin shqip. Por, për rëndësinë e kësaj shkolle dhe për figurat e vijuesve të saj nga Kosova fare pak është punuar, andaj për ta fare pak dihet. Kësisoji për vijuesit e parë të kësaj shkolle nga rrethina e Gjilanit: Seit Ademin, Beqir Sadikun, Nevzat Sherifin, Qamil Zenelin dhe Shyqeri Malushin, nuk ka  asnjë të dhënë në Arkivin rajonal historik, por as në botimet e ndryshme nga sfera e arsimit. Ndonëse tash është vonë, sepse 100 vjetori i Shkollës Normale të Elbasanit shënohet me 1 dhjetor të këtij viti, është e udhës që në të ardhmen gjeneratat e tashme të hulumtojnë për këto përsonalitete dhe për fatin e tyre.


(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Pagëzimi, pseudonimet dhe rezistenca Qazim Namani & Enver Rexha: Gërmadhat e Gjytetit në Bellasicë Sabile Keçmezi-Basha: Aktet gjenocidale të UDB-së ndaj të burgosurve politikë shqiptarë Qazim Namani & Arzije Zeneli: Vlerat kulturore të kullës së Xhemajl Haxhisë... Isuf B. Bajrami: Kontributi i Kulturës Kombëtare në rrjedhat e Pavarësisë së Shqipërisë Avzi Mustafa: Kur bëhej Kongresi i Shkronjave në Manastir Vebi Xhemaili: Kryengritja e Dervish Cares, parapërgatiti Lidhjen e Prizrenit Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet jugosllave! Fotaq Andrea: Nderim për trimat francezë që prehen në varrezë të Korçës Besim Muhadri dhe Dukagjin Markaj: Masakrat dhe terrori serb në prill të vitit 1941 Qazim Namani: Pështjellaku i grave të Llapit dhe Gallapit Avzi Mustafa: Prof. dr. Nexhat Abazi, Personalitet i shquar i shkencave pedagogjike dhe i kulturës shqiptare Qazim Namani: Vlerat kulturore dhe historike të shtëpisë së Mulla Ademit Avzi Mustafa: Një dorëshkrim i posazbuluar në gjuhën shqipe me shkronja cirilike nga viti 1868 në Rekën e Epërme Besim Muhadri & Dukagjin Markaj: Vrasja e burrave në Kusur të Hasit në prill të vitit 1941 – pjesë e skenarëve serb për shfarosjen e shqiptarëve Dorian Koçi: Ngjizja e nacionalizmit shqiptar Erika Camaj: Jeta ime me Martinin At Gjergj Fishta: Shqiptarët dhe të drejtat e tyne Aleksandër Stipçeviq: Etnogjeneza e shqiptarëve nga ilirët Mërgim Korça: Përjetime thellësisht mallëngjyese: Kujtime të një të internuari

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx