E marte, 08.10.2024, 01:49 PM (GMT+1)

Speciale

At Gjergj Fishta: Shqiptarët dhe të drejtat e tyne

E enjte, 08.10.2009, 08:00 PM


SHQIPTARET DHE TE DREJTAT E TYNE

(Tekst i mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris, 1919)

Nga At Gjergj Fishta

I

Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme( përjetshme)  të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna (shkëmbijt e thepisur-prej këndej ka ardhur emri i maleve Karpate në Rumani) të Karpatëve, ende të rime me gjak njeriu, (të njomura nga gjaku i derdhur ndër luftra),  në ato kavaljete (shekuj) të kalueme të vjetra, - si edhe Zotnia juej mirë e din, - banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të gjireve të motit,(vorbujve  te historisë), e kështu nuk mundi ma, ç'më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i ilirëve, më 168 para Krishtit, kanditi (ndriti, mundësoi) triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme. Ku shue shqimit (krejtësisht, fare), ku shkri e shartue me familje të tjera, ajo sot nuk ka ma nji fizionomi individuale të veten në shtiell të punëve njerëzore (ne shtjellim të ngjarjeve). Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësajë familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në stom (bregore) të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave gratçore dhe të kërthnesta (pjellore dhe plot jetë) , - tbanë( banesë ) e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. - Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të kavaljeteve (furive të shekujve), qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë. E pra sa kavaljete(shekuj) gjëmuen mbi krenat e tyne, sa ndolli e ndeshtrasha ( fate e të papritura) u shkrefën mbi shpinat e tyne! Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë romake; mbi ta u lëshue e irun (fytyrë kërcënuese) prej mënije dhe gjithmonë e pabesë sfinksa sllave; rrjesht për katër kavaljeta( shekuj ) të gjata i ra përsipër boena( përmbytja) e barbarisë aziatike. Por, megjithkëtë, ata nuk e vdarën njininë e vet kombëtare (nuk e humbën unitetin) dhe as që i lëshuen doket dhe idealet e veta. Po, bash ky popull që ende nuk asht përkulun, gjindet atje, mbi ato maje të thepisuna, në ato zaje të plleshme (hapsira pjellore) ku të parët e tyne mprefshin rrasat me ba me to armë për me ça rrashtat e armiqve, ose ma vonë janë po ata që u jepshin ujë pallave të hekurta për me shtrue me to mbarë botën nën kambët e nji Leke të Madh, - ose kur të ishte rasti që me i ba me qa me to dhimbshem vashat e Romës përpara nji Burri ( Pirro).

E mirë pra, Zotni të nderuem, ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë bucave të Shqipnisë ( rrënjëve të vjetra  te pemëve që nxjerr parmenda), ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.

Ende sllavi nuk kishte dalë prej bjeshkëve të thella të Uralit, dhe ende s'ishte ngjizun e sotmja frotë laramane neo-helenike, kur shqiptari korrte me zagna (lloj kose primitive) fushat e pafund të Ballkanit. Qe, kështu shqiptari e kishte mbyllë nji periudhë të gjatë të historisë së vet në moshën e rrozullimit. Thomëni, kush para shqiptarit i ngau qetë sinorëve të Ballkanit? Historinë e kemi aty, Zotni të mij, dhe ajo na flet shumë qartë. Më kot hipokrizia diplomatike mundohet me ia shue zanin me shtupa (letër e bërë shuk) notash zyrtare ose gjysmë-zyrtare: zani i sajë i pingrueshëm(si klithje) përshkon kavaljetet ( shekujt ).

Pra, për në qoftë se nëpër forcë të nji preskripcioni (përshkrimi) e të nji trashëgimi të pakëputun etnik, ka tagër ( pushtet) për me nda vetë për vetvete shartet ( fatet) politike, ky asht padyshim vetë populli shqiptar i cili vetëm mund të lavdohet se ka nji preskripcion prehistorik mbi tokë të Ballkanit si dhe nji kombësi kryekëput të ndame (të veçantë) prej atyne të popujve të tjerë ballkanikë. Prandej, po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë.

Por çka se, simbas teorisë wilsonjane (të Presidentit amerikan Willson) për me mundë nji popull me u sundue në vetvete, përposë kombësisë, duhet të mirret para syshë edhe ndërgjegja e tij kombëtare. Tashti, për në qoftë se si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesia për liri si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t'u zhdrivillue në vetvete, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t'ia njohë Shqipnisë pamvarësinë si dhe sovranitetin e vet. E njimend, e po thomëni, cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar? A dro asht sllavi i ngadalshëm e i ngathtë, i cili, deri dje, i përkulun mbi shatë, pa nji ukaz ( leje, serbisht: ukaz) të Carit të vet autokrat, të thuesh as që i bahej me marrë frymë? Apo a thue asht greku, - ajo skilja e vjetër, - që, si nji bimë parasitare, gjithmonë iu ngjesh ma të fortit për me gjallue në shpinën e tij? Apo asht shqiptari i cili e mbështetë gjithë shpresën në fuqinë e vet e në atë të armëve të veta: gjithmonë i drejtë me miq, bukëdhanës ndaj të huejit, i rreptë me armiq, - të cilët ma në fund nuk i mninë ( urren) veçse i përbuzë, - e që ende deri më sot nuk i asht përkulun nji force të huej? Çëse mbi tokë nisen të derdhen lot, çëse mbi botë forca ia zuni vendin së drejtës dhe hipokrizia qeveritare filloi me ua pi gjakun popujve, balli madhështor i shqiptarit s'iu përkul kurrkuj, përposë Zotit të vet. Kaluen po pushtuesit mbi Shqipni, por nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë. Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinës dhe me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrenë drojen (kall brenda shtëpisë frikën) dhe pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurrë me thanë se ka sundue aty mbrendë: njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue shqiptarët. E mos kujtoni, zotni, se unë këtu jam tuj ju thanë sende të cilat mos t'i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej me vlerë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipni: "Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshqet mbi shpinë të rosës".

I ndritshmi zotni Rene Pinon, mandej, - kompetenca e të cilit ndër punë të Ballkanit asht fort e çmueshme edhe përjashta France, - në nji artikull të vetin mbi Shqipninë, botue në blenin

( volumin) e dhetorit të 1909 të së përkohshmes "Revue de deux mondes", shkruen: "Bullgari, atje ndër fusha të Maçedonisë, përkulet mbi shatë dhe punon tokët e turkut, ndersa shqiptari asht mbret i maleve të veta, gjuetar, bari, ushtar, ose cub; por kurrë nuk i nënshtrohet kujt përveç kanunit të vet dhe nuk pret ndihmë tjetër veçse prej armëve të veta."

 Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndollive dhe ndeshtrashave ( te papriturave ) politike e për nji periudhë kaq të gjatë kavaljetesh ( shekujsh ), ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar, - dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë, - kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ngjet sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa. Le ti themi me gjuhën e poezisë:

Tuj zbardhun mosha dhetepestë e jona (shekulli i XV), atje prej shtojesh( fushave të mëdha) të Anadollit të plleshme( të begatshme)hanza përgjakshëm nisë mbi Europë të kukzohet (kërcënohet- në shekullin XV, flamuri turk ishte hëna në një fushë të kuqe). Ishte Zotmadhi i turqve që në krye të ma së rreptes ushtri të kohës së atëhershme, ujnat e njelmëta dilte të Helespontit edhe betohej në mëni të vet mizore se shpirti trupit s'do t'i ndahej para se hanëzën ta ngrifte mbi Shën Sofi të Bizantit e në Shën Pjetër të Romës tagji t'i jepte kalit.E ai burrë dokrrash dhe pallavrash nuk ishte: Përpara tij ranë frone e ranë therore,e u rroposën mbretni, e u shkimën(shfarosën) fise,e as bar ma s'mbijti andej kah i shkeli kamba.Humbi, po, serbi, madhështia e të cilit atje te e vona (në kohë të pastajshme) botën mbarë në zi do ta mbështillte. - Të flegruem droje ( tmerruar prej frike) shuejtën zanin mbretnitë e Europës.Kur qe, mbi kep(shkëmb) të Krujës titanike, po del nji hije burri,vetullat ngërthye si dy hulli(brazda) rrufeje,me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji curri( shkëmb i lartë) të thepisun. Mbi krye trishtueshëm flakë i shkëlqen tarogëza brinatake (përkrenarja me brirë) që tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse danë ndër sytë e armikut. Ai asht fatosi i ndimun ( i dëgjuar) Gjergj Kastrioti, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi zdredhun (shpalosur) përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, sireshme (stuhi) bore prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, rrajnë fulikare mbi aradhe (vërsulen vetëtimthi mbi formacionet) të turqve,të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.Tanë fusha e gjanë e Dibrës me kurma (llokma) barbarësh të zeshkët asht mbulue.Me dhambë brenë buzën atëherë Zotmadhi i turqve dhe pendohet që i ra ndër mend ta mësyjë Shqipninë mizore. E sheh po vetë gjakbasi se rob nuk bahet ai dhè ku flamuri kuq e zi valavitet. (Shenim-Këto janë vargje nga një poezi e vetë Fishtës). Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet. Se sa e pathemel kishte me qenë kjo fjalë, duket prej punëve( veprimeve) të Skanderbegut i cili, në mos me atë mëni, ai luftoi po me aq trimni kundra venecianëve, sa ç'pat luftue kundra turqve. Kjo pat ngja atëherë kur venecianët deshën të pushtojshin vise të reja në Shqipni, si Dejën e Drishtin. Këtu, disi për rrëshqit, due t'ia kujtoj Zotnisë suej, edhe nji tjetër punë. Ndërsa shqiptarët luftojshin kundra turkut për liri të Shqipnisë dhe të Europës mbarë, shka bajshin grekët e serbët, njata që sot Konferenca e Paqes asht tuj i mbajtë nën sqetull si djem dëshiri? Grekët, si Zotnia juej e din mirëfilli, edhe atëherë kur turqit kishin mbërrijtë te dera e Stambollit, rrijshin tuj u marrë me çashtje fetare kundra Kishës së Romës. Po kështu edhe Despoti i Serbisë, sadoqë kryetar i nji populli trim e luftëtar, - ndërsa gjaku shqiptar shkonte rrëkajë për liri dhe pamvarësi të atdheut, - ai bante krushqi me turq tuj ia dhanë të bijën për grue haremi Sulltanit, dhe mbështetë mandej në këtë fakt, serbi pengoi bashkimin e ushtrive të Skanderbegut me ato të Huniadit e për rrjedhojë, u thye ushtria e krishterë në Varna tuj marrë në qafë ma se gjysmën e Europës. Dhe tash shi (bash.) këta grekë e këta serb, janë po ata që ma fort se askush tjetër shpifin kundra shqiptarëve tuj thanë se nuk kanë ba kurgja për liri dhe pamvarësi të kombit të vet.

E mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër kavaljeteve( shekujve ) kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue ( detyruar) që mos t'ia bante në asgja(mos t'ia mohonte) të drejtat e tija. Edhe pamvarësia e Greqisë asht nji lule e rimuun(vaditur, njomur) me gjak të shqiptarit. Zhavellët dhe Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo besa por Greqinë e kanë lirue shqiptarët dhe jo ma pak janë mundue se sa disa Pushtete të mëdha të cilat aso kohe bajshin spekullime mbi Greqi, njashtu si do Zoti po bajnë sot edhe mbi Shqipni. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ju a vertetue edhe Venizellos vetë; por, në mos dashtë me ju a thanë ai, ja u kallzon Lamartine, i cili, tuj folë mbi pamvarësi të Greqisë, thotë se kjo nuk qe tjetër veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbreda Greqisë kundra elementit turk.

Edhe konstitucioni i Turkisë qe nji vepër e shpirtit të lirë dhe të pamvarun shqiptar. Shqiptarët, po, qenë ata që ngushtuen Sulltanin me e dhanë e me e shti në punë konstitucionin në vjetën 1908. E kur Tuqit e Ri nisën ta përdhosin(degjenerojnë)dhe ta çorodisin konstitucionin, tuj u mundue me e sjellë atë krejt në dobi të veta të veçanta dhe jo për të mirë e dobi të Mbretnisë, shqiptarët u ngritën dhe me armë në dorë lypën prej Sulltanit decentrilizacionin dhe autonominë e krahinave të mbretnisë. Edhe Sulltani qe gati me ua çue në vend dishirin e tyne. Kur qe, shtetet e vegjël të Ballkanit, - të cilët Shqipninë e kanë pasë mbajtë si nji "trashëgimi"(pasuri e lënë trashëgim) të tyne, - tuj pa se nëpër autonomi Shqipnia po u dilte dore nji herë e përgjithmonë,  - çohen dhe i qesin luftë Turkisë. Asht e vërtetë se nji pjesë e shtypit europian e përshëndeti këtë luftë si nji luftë kryqtare për librimin e popullit kristian prej zgjedhës otomane; por ajo në vetvete nuk qe tjetër veçse nji luftë rrenimi çue peshë ( e shtyrë) prej kristianve të Ballkanit për me e rrenue Shqipninë dhe me e humbë të mjerin komb shqiptar.

Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se ati i mungonte ndërgjegja kombëtare ose ndjesia për liri e pamvarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështuqë prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që  u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.

Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time (me që ligjëruesi është prift, pra s'ia jep feja) disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Por shka t'i bajmë punës, janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, - por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani ( është fjala për ortodoksinë sllave) me Shqipni e me shqiptarë. Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. E mirë. Po shka bajnë këta? Nji herë mbysin pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue (zhduke) kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnjisend përsëmbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji smuetore (spital), nji send të vetëm që t'i vyente përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar. I gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t'u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.

Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë jugore. Por shka se, në vend të smuetoreve, ngrefin kala; në vend të barnatoreve, ngulin topa dhe gopedra( lloj topi) në vend të hapave (kokrra ilaçesh) dhe barnave, mbjellin mina në det, athue se dy vjet ma parë Qeveria Shqiptare nuk e kishte dorzanue(garantuar) integritetin dhe neutralitetin e Shtetit Shqiptar. Në vjetin mbrapa, 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. E mbas pak kohe, shi ata qi kishin ba gjithë atë zhurmë e poterë për me e mëkambë Shqipninë shtet më vete, i proklamojnë popullit shqiptar se ky do ta kishte autonominë e vet atbotë kur ky të ishte i zoti. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë. E sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç'ironi e helmueme! Prej këtyne punëve, - për mos me folë për të tjera, - duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombëtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohtë Shqipnisë nji farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.

II

Thonë armiqt tonë, si dhe do mbrojtësa të tyne, se vërtetë që kombi shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit dhe se ka nji dashuni të gjallë për liri dhe pamvarësi të veten; veçse shka se megjithëkëto, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vete sepse shqiptarët janë a) barbarë, b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vete dhe krejt i pamvarun... Pra, simbas mendimit të armiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyneve, lypset që Shqipnia të coptohet e t'u jepet atyne në dorë për me e sundue dhe për me vu rregull, - meqë shqiptarët janë barbarë e të egër e nuk janë popull që di me qitë shtet më vete, pra me qeverisë. Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën me të cilat ka nisë e vijue lufta e madhe europjane,( është fjala për luftën e parë botrore) kisha me thanë se barbarësia dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dëshirën për liri e pamvarësi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të "qytetnisë" kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun ( braktisur); që kanë ba me vdekun prej urie e gazepit me mijëra njerëzish të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombëtare dhe njerzore dhe kanë pre në besë me qindra mijëra robsh të ramë në dorë, - e megjithate sot ata munden me qenë shtete të lira; - po atëherë, pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie, ku ndorja e besa edhe ndaj armikut janë të pathyeshme? Serbt, në kohën e luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çelë nanave shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden shqiptare shi( bash) ne të XX qindvjetë, ndersa sot Konferenca e ka menden me ia dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera, kupto, Shqipninë. Pra tash, shqiptari, i cili nuk i njef këto "qytetni" në veten e vet, pse s'mundet me dalë shtet më vete, i lirë e i pamvarun? Por edhe me pasë për ta marrë barbarinë si shprehje vetore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se kombi shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë qenë po me ato mndorje (garanci) që ka pasë kombi shqiptar. E për mos me shkue tepër gjatë, këtu nuk po u përmend se si spanjolët kanë mbytë ma se 15 miljon hindjan të Amerikës, siç e kallzon imzot De La Casa në nji relacion që i bani mbretit të Spanjës. Dhe as po e zgjas se si Henrikët dhe Elizabetet e Anglisë i kanë vu reformat besimtare në mbretni të vet; vetëm po due me ju qitë ndër mend kobin dhe hallin e zi që e mbuloi këtë të bukurin kombin tuej, (është fjala për Francën ku u mbajt Konferenca e Paqes) i cili qe gjithmonë shkolla e lirisë dhe e qytetnisë. - Atëherë kur populli francez, në kryengritjen e vitit 1789, mbrrijti me marrë armët në dorë dhe me i rrëzue autoritetet e nderueme, ju Zotni, e dini fort mirë, se si ky popull francez, që edhe atëherë ishte pasqyra dhe modeli i elegancës dhe politesës, jo vetëm që e lau tanë Francen me gjakun e vëllazënve të vet, por nuk i fali as rreshtnat e atyne fatosave të cilët aq lumni e nderë i kishin sjellë "a la grande nation", po due me thanë se i kanë dhunue deri kockat në vorr martirëve të vet. Me këtë rast po due t'ju qes ndër mend sa gjaqe e sa dhuni bahen shi ndër këto kohët tona, në atë lulishten e Europës që asht Italia. Shumë e njohtuna e përkohshmja e Romës "La civilta Cattolica" në numrin e vet të dhjetorit të 1914, botonte nji artikull interesant të quejtun "Il pericolo interno", ku, me statistika në dorë, thotë se në Itali, për njizet vjet rresht, që nga viti 1894 e deri më 1914, kanë ndollë nga njiqindmijë vrasje në vit, me nji përqindje tre për qind të popullsisë. Kur pra në mjedis të nji mbretnie të qytetnueme si Italia, që asht vendi i bukurisë dhe i fisnikrisë, e ku ka polici e gjendarmeri e ushtri e flotë detare, të ndollin kaq gjaqe e vrasje, atëherë pse Shqipnisë nuk mund t'iu njihka e drejta e lirisë dhe e pamvarësisë ku, megjithse nuk ka as polici, as gjendarmeri, as ushtri kombëtare, as gjykatore, as shkolla e institucione të tjera kulturore, numri i të vramëve, - siç dihet prej statistikave, - memzi mbrrin në nji për qind në vjetë? Ah, po, duket çiltas, se nuk "duen" me e qitë Shqipninë shtet më vete e të pamvarun, dhe kjo jo sepse shqiptarët na qenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot nji ushtri e nji flotë të veten me të cilën të mund t'u dalin zot tagreve të veta. Ose thanë ma qartë, u vehet kamba shqiptarëve vetëm sepse këta janë ma të ligësht (dobët ushtarakisht) dhe jo sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.

Por këtu tash vjen edhe puna e gjakmarrjes, - la vendetta, - prej të cilit fakt armiqt tonë si edhe kumbarët e tyne, duen me e pru si argument për barbarësinë dhe egërsinë e kombit shqiptar. Askush ma fort se unë, - si nji Prelat kishtar (shërbyes i kishës) nuk mund ta dënojë punën e gjakmarrjes në vetvete e ta marrë si nji fakt të çveshun prej mndorjeve( kushteve, ligjeve) ndërmjet të cilave kjo ndollë. Veç shka se, për me e caktue gjendjen shpirtnore, asht apo nuk asht barbare në nji njeri ose në nji komb, nuk duhet të mirret aq në kujdes fakti sa shkaku psiqik që e shtyn njeriun ose nji komb me veprue kështu. Bie fjala: Kanibali mbyt nji njeri, por edhe gjykatësi europjan e mbyt nji njeri. Tash, a mund të themi se të dy janë njisoj barbarë? Jo. kanibali e mbyt njeriun për me i hangër mishin, dhe prandaj si rrjedhojë, asht barbar. Ndersa gjykatësi europjan e mbyt njeriun, por jo me i hangër mishin dhe as për me e shfry mëninë e vet mbi të, por për ta pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm, e bash për këtë nuk asht barbar. Në se e marrim punën pra nga ana psikologjike, unë them se çashtja e gjakmarrjes në Shqipni, nuk asht nji argument i cili sherben për me përcaktue barbarinë dhe egërsinë e kombit shqiptar, por ky asht si rezultat i disa mndorjeve ( ngjarjeve, ligjeve) të cilat nuk mvaren prej shpirtit të këtij kombi.

Simbas kanunit, i cili asht të shprehunit e shpirtit të kombit shqiptar, çdo vrasje asht e ndeshkueme me dekë. Dihet se, simbas kanunit, po t'i kishte ra në dorë gjaksi autoritetit ekzekutiv të kanunit, ky do ta kishte mbytë atë në vend, pa kurrfarë ngurrimi.( Sipas kanunit, pleqt e fisit gjykonin për vrasjen e bërë nga një person. Në se kjo vrasje duhej shpaguar, atëherë vetë pleqt e vrisnin fajtorin po ta kishin pranë, dhe kështu "gjaku" mbyllej. Përndryshej gjaksi ose ngurrohej ( mbyllej) brenda shtëpisë, ose ikte në një fis tjetër). Por qe se gjaksi shpesh ikë, lëshon vendin dhe struket larg, si mik, në mbrojtje të nji Bajraku tjetër, tuj i pshtue kështu gjyqit të Bajrakut të vet. Duhet dijtë se në Shqipni, miku asht i patrazueshëm dhe nuk mund të preket prej kurrkuj. Sepse po ndolli që ndokush ia ngau mikun kujt, kjo "dhunë e bame ndaj mikut", s'mund të lahet ndryshe veçse me gjak prej anës së mbrojtësit të tij që e ka marrë mndore ( dorezim). Kështu ndoll që autoritetet e Bajrakut të gjaksit nuk kanë mujt me i dhanë ndeshkimin e dekës tuj qenë se po ta kishin vra në ndoren e nji Bajraku tjetër, do të ishte ngrehë luftë ndërmjet këtyne dy Bajraqeve. Për mos me i dhanë shkas pra nji lufte civile, autoritetet e Bajrakut të gjaksit, ia djegin shtëpinë gjaksit, - i vetmi ndeshkim që simbas mdoreve të vendit, mund t'i bahej atij, - e përsa i përket ndeshkimit të vdekjes, ia len këtë përlim ( të drejtë) shtëpisë së të vramit që ta kërkonte dhe ta vriste gjaksin, por jo si nji bajrak me tjetrin. Këtë punë kanë mbrrijtë me e ba autoritetet e Bajrakut, tuj qenë se në sy të tyne çdo njeri që asht i zoti i armës, quhet edhe si ushtar i bajrakut. Për ma tepër duhet dijtë edhe se këto vendime të kanunit kanë qenë njohun edhe zyrtarisht prej Sovranit të vendit që ishte në këtë rast Sultani i Stambollës. Shqiptari pra, tuj vra gjaksin e vet, nuk ban tjetër veçse çon në vend nji ligj të cilin ai e mban si të drejtë. Në se duem të flasim në pikpamje psikologjike, veprimi i atij që merr gjak asht nji veprim i ligjshem e nuk mund të quhet kurrë uhamarrje, vendetta. As xhelati i  Luigjit të XVI, i cili ia preu kryet mbretit, nuk pyeti fare a ishte e drejtë apo jo me ja pre kryet këtij, por e mbyti se ishte i bindun se ligji ishte i mirë dhe i bazuem në arsye. Qe përse atij nuk iu desh t'i përgjigjej (të japë llogari) askujt për premjen e kokës së krajlit të Francës dhe as sot e kësaj dite askush nuk thotë se ai qe nji njeri barbar. Se vrasja e gjaksit nga pikpamja psikologjike nuk asht nji vendetta, dan (duket) edhe për faktin se vrasja ndermjet dy familjeve hasme, nuk shtyhet në nji numër të pacaktuem, por, nji të vrame gjaksit, dy familjet marrin e japin njana me tjetrën si me të gjitha familjet e tjera të Bajrakut, - pak a shumë, aq sa marrin e japin ndermjet tyne shtetet e mëdha e të qytetnueme të Europës mbas nji lufte botnore.

Por asht edhe gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji kombi, në qoftë se ne nën fjalën barbari kuptojmë egërsinë ose breshtninë ( degjenerimin) e shpirtit të tij, ashtu siç duen me e kuptue kundërshtarët e tonë, kur e kanë fjalën për kombin shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej mndorjeve (ligjeve ) të jashtme dhe prej të metave të organizimit shoqnor të nji kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve për të cilët nuk mund të thohet se kanë qenë të egër e breshtnorë. Në Biblën shenjte lexohen këto fjalë: Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t'i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21)  Po kështu edhe në Iliadë, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:".........Il prezzo qualcuno accetta del'ucciso figlio o del fratello; e l'uccisor, pagata del suo fallo la pena, in una stessa citta dimora col placido offeso." (Ndëshkimin sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të të vëllait; dhe ai që e bën këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë pastaj i qetë në të njejtin qytet me atë familje së cilës i bëri vrasjen - fyerjen e parë.)

Duket pra mirëfilli se prej të marrunit të gjakut - vendetta - nuk mund të thohet se kombi shqiptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeverisë në vetvete dhe i pamvarun. Por "JO!" thonë kundërshtarët tonë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej mndorjeve ( faktoreve, ligjeve ) të jashtme, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të kombit shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye e cila edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e mbështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderit të vet. E për në qoftë se asht e vërtetë, - sikurse njimend asht e vërtetetë! - se poezia popullore asht pasqyra e shpirtit të nji kombi, kjo duket çiltas, - thonë ata, - prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjaku.

Por edhe këtu danë mirfilli se kundërshtarët tonë ja kanë zejen ( zanatin) shpifjeve dhe gënjeshtrave e se kësodore ata flasin jo sepse kanë dëshirin që të vihet paqja ndërmjet kombeve, por sepse  e lakmojnë këtë tokë shqiptare.

Asht e vërtetë se poezia popullore shqipe tregon punë të veçanta vrasjesh dhe gjaku; por kjo nuk don me thanë se kombi shqiptar vret njeriun për instikt. Shqiptari nuk i këndon çdo lloj vrasjeje dhe gjaku. Ai këndon vetëm për njato vrasje dhe gjaqe të cilat janë ba vetëm me i dalë zot jetës, gjasë dhe nderit dhe se për me u krye nji veprim i tillë, lypet nji forcë e nji trimni e jashtzakonshme, ashtu siç mundet me u vërtetue ndër kangët heroike shqiptare të mbledhuna në vëllimet VISARET E KOMBIT.
Ata thonë se këto vrasje e gjaqe nuk janë të bame gjithmonë për nji interes të përgjithshëm dhe se çmimi i nderit të njeriut në Shqipni nuk asht i matun gjithmonë simbas kriterit të kombeve të qytetnueme. Por kjo nuk don me thanë se kombi shqiptar asht i egër dhe barbar; por don me thanë se organizimi shoqnor i tij ka nevojë me u përmirësue dhe se do( disa) parime morale ende s'janë zhdrivillue plotësisht në Shqipni. Na këtu nuk po flasim për moralitet të akteve të nji legjislacioni, por po flasim për "movent" (shtytje) të këtyne akteve. Prandaj e theksojmë se vrasja në Shqipni nuk bahet për instikt, por për nji "shkak" i cili simbas mentalitetit të kombit asht i mirë dhe i arsyeshëm. Prandej për këtë, populli shqiptar nuk mund të quhet i egër e barbar. E mos të harrojmë se edhe ata paladinat e Ariostit dhe kreshnikët e Tassos,( Personazhë të poemave të poetëve italianë Ariosto dhe Tasso) nuk kanë luftue gjithmonë për interes të përgjithshëm dhe as që kanë qëndrue gjithmonë për nji nder të kuptuem simbas parimeve të Etikës së popujve të qytetnuem. Por, për me e diftue egërsinë e kombit shqiptar dhe pazotsinë e tij për me u qeverisë më vetvete dhe i pamvarun, kundershtarët tonë kapen edhe në nji punë tjetër. Ata thonë: Nuk mbahet mend në histori se kombi shqiptar asht gjetë kurrë i bashkuem e i unjisuem mnja ( në unitet) si shtet, por gjithmonë, - si edhe sot, - ai shfaqet i ndamë në Fise e Bajraqe, gja kjo qi ndollë vetëm nder kombe të egra.

Këtë fjalë ka mujt me e thanë edhe me e shkrue edhe ndonji dijetar i cili drejt për drejt nuk hyn në numrin e frotës ( grumbull rrugaçësh) së armiqve tonë. Ata thonë se kombi shqiptar nuk shfaqet në histori i unjisuem në nji bashkim qi të ketë pasë formën e shtetit. Ne na duket se këta dijetarë janë si të ngutun në dhanjen e këtij gjykimi. Asht e vërtetë se mundet me qenë që ky komb të shfaqet në histori si gjithmbarë i unjisuem në nji shtet nën emnin Shqiptar ose Albanensis, nën të cilat emna historia e tashme  e quen kombin shqiptar. Por duhet dijtë se fjala shqiptar dhe albanensis nuk shënon individualitetin etnologjik  të familjes së këtj kombi. Fjala "shqiptar" vjen prej verbit "me shqiptue", e që don me thanë "enuntiare", "exprimere"( njoftuar, shprehur) dhe shënon njeriun që mundet me folë dhe me qenë kuptue në këtë gjuhë prej të tjerëve. E prandaj "shqiptar" asht edhe francezi për francez, kinezi për kinez, hindjani për hindjan etj. Pra mjaft që ta kenë gjuhën amëtare së bashku. Për antonomazi pra, dhe vetëm përpara kuptimit të kombit shqiptar, fjala shqiptar shënjon kombësi; sepse në vetvete, siç e thamë ma sipër, nuk e ka këtë kuptim. Po kështu edhe fjala "albanensis" nuk përcakton individualitetin etnologjik të nji familjeje kombëtare, por shenjon popullin që banon në Albanie ose Shqipni.

Tash përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se kombi shqiptar nuk shfaqet kurrë i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se nga e ka rrajën ky komb, kë ka fis e vëlla mbi botë, - sepse ky nuk ka mbijt vetvetiu mbi botë, - e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto historia ende s'i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me mujt me i përcaktue, sepse historia e kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të muzgëta të kohëve ma të vjetra. Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët mbështeten historianët e sotshëm, t'i kishin dajtë me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë që të gjithi të nji fisi apo jo? Prandaj kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s'kanë qenë kurrë të bashkuem më nja dhe s'kanë qenë shtet më vete.Por edhe po e zamë se shqiptarët s'kanë qenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak kombi shqiptar nuk duhet qitë shtet më vete, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne si gja e pazot. Kush i mban mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s'kanë qenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqishoqin shi ( bash) mbrenda kufijve të vet. E pse pra shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që qenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi për arsye se s'na paskan qenë kurrë të bashkuem në nji shtet? Siç e dishmojnë vetë diplomatët e sajë, Franca ka hy në luftë botnore vetëm për me i dalë zot integritetit dhe pamvarësisë së Serbisë. Epo, aso kohe, serbt nuk kanë qenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na qenkan të tanë prej nji fisi. Mirpo nuk po kuptohet qartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve dhe të grekëve. A për arsye se deri dje edhe kombi i tyne nuk ka qenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?

Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se kombi shqiptar duhet mbajtun për barbar për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat e tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tuj qenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vetit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet (mbahet gjallë) prej asajë bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mbërrin forca që do t'i mbrojë ato interesa. Tash, tuj qenë se populli shqiptar, për shkak të pushtimeve të huej të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë qi me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të kombit, këtij iu desh domosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jipte do familjeve me u vëllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue "shtetin" e me organizue jetën e vet shoqnore. Dhe ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njanën anë shqiptari nuk donte t'i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë kombin. Shqiptarit iu desh me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta tuj i mbajtë së bashku parimet e kanunit kombëtar si rregull jete. Prandej fakti që kombi shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej mndorjeve (faktoreve ) të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë se si me i shndërrue.E, me e vertetue se kombi i ndamë në shumë fise nuk asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë. Në kohën kur Filipi i Maqedonisë kërcënonte republikën e Athinës, kjo republikë zu me u forcue për t'i ba ball armikut e kështu mëkambi nji ushtri prej 500 vetash kambësorë dhe 50 kalorës të armatosun, gja kjo që mundet me u lexue në Filipiket e I të Demostenit. Prej këtyne shifrave duket kjartë se Republika e Athinës, në kohën e Demostenit, nuk dij a mund të kishte qenë shumë gja ma e madhe se ndonji fis i Shqipnisë. Por megjithkëtë, s'e besoj se kundërshtarët tonë mund të thonë se Atdheu i Demostenit ka qenë barbar për arsye se kjo republikë ka qenë ma e vogël se Serbia.

Së mbrami, kundershtarët tonë thonë se shqiptarët janë jo veç barbar, por, për ma tepër, shpirti i tyne asht i ngathtë e i plogësht aq sa mos me mundë kurrë me u qytetnue e me përparue. Ka pasë thanë nji gjakovas i motshëm: "Shtanga e thyen nji herë shtangën, por fjala s'e mund kurrë fjalën!" Prandaj unë këtu nuk po due me u hallakatë fort ndër fjalë, veçse me arsye të forta, - të cilat janë shtanga në nji kuvend burrash të mendshëm, - due me diftue se shpirti ose psikja e kombit shqiptar nuk asht aspak ma e ngathtë se ajo e sllavëve.

Psikja e nji kombi ndanë ma së miri në poezinë popullore të tij. Le ta përballësojmë ( krahasojme ) pra poezinë popullore shqipe me atë të sllavëve.

Tuj gjikue simbas poezisë popullore të sllavëve të jugut, rodi (lloji ) i poezisë që zotnon ma shumë ndër ta, asht legjenda. Legjenda, siç dihet prej natyrës së vet, kërkon me lurtue (përkëdhelë) veshët e të mëdhejvet, e prandej këtë rodë poezie e gjejmë të përhapun sidomos ndër epoka dhespotizmi dhe autokracie si dhe ndër popuj të cilët ndjenjat e lirisë nuk i kanë fort të shqueme, gjithashtu që nuk kanë shpirt iniciative në vetveti. E të këtillë janë sllavët, përposë malazezve të cilët janë të shartuem me fort se me të tjerë, me shqiptarë. Sado që sllavët janë nji familje e madhe fort në Europë, megjithkëtë, të thuesh deri dje i kemi pa tuj u vu pa za nën zgjedhë të nji Cari ose të nji Habsburgu, kush nën tirani të nji Kalifi ose të nji Dhespoti autokrat dhe që për t'i pshtue robnisë së huej, i asht dashtë gjithmonë ose nji kombinacion politik, ose ndihma e nji të treti i cili i ka pshtue për me i pasë ma vonë si mashë për vete.Por prej poezisë popullore del në shesh edhe nji tjetër njollë e psikes sllave. Fatosat e kombit sllav, ashtu siç i paraqet poezia e tyne popullore, nuk janë njerëz të nji force të jashtzakonshme, siç asht Akili, Diomedi, ose Ajaksi në Iliadë. Nuk janë as vetje gati të hyjnueshme si Luciferi i Miltonit në "Parrizin e djerrun" (Poeti anglez Milton ka shkruar poemin "Parajsa e humbur"), por janë do përbindsha të përçudnuem. Kështu bie fjala, Kralievi Marku, tash këcen me sharcin (kalin) e vet prej nji mali në tjetrin, tash han 50 okë groshë në hae (gjellë) tash pi venë me legena 12 okësh, tash e hedh topuzin tre dit udhë larg e tj. Kisha me thanë se madhnia e këtyne fatosave përngjanë ma fort me madhninë e nji sfingsi që nuk asht as shtasë, as njeri e që s'ka asgja me natyrën e mendjen e njeriut. Ai asht nji peshë shtjelli (përzierje përbindshi) të çuditshëm që nuk thotë asgja e as që duhet gja. Tuj i ndi ato kangë, shpesh herë të duket vetja se je në ato kohë kur flitshin zogjt e hardhuckat, e kur ujku e dhelpna ishin ndrikull e kumbarë; pra në nji kulturë hindjane kur poezia i përziu dhe i bani përshesh sendet e mbinatyrshme me ato të natyrshmet tuj përftue kështu sfingset, piramidat dhe poemat e pafundshme.

Mbasi pra vjershëtori sllav, për me mujtë me ba përshtypje në mende e në zemër të popullit me poezitë e veta, duhet me e thanë se asht ngushtue me përftue do forma krejt shpellanike si dhe fatosa matrahula e maluketën,(të çmendur e përbindsha) meqë mentaliteti i atij populli nuk asht i zhdrivilluem aq sa me i kuptue plotësisht përmasat e numrit, të peshës e të masës dhe se prandaj ka mbetë ende në nji shkallë mjaft të ulët të qytetnisë.Asht e vërtetë se poezia popullore sllave ka nji trajtë të përjashtme fort të bukur; por kjo nuk rrjedh prej njomësisë së ndjesive të shpirtit të tij, por prej servilizmit që e dallon. Tuj i pasë sherbye gjithmonë tiranit të huej, ose tiranit të vet, ai, për me e lurtue e për me ia këndellë veshët atij, ka qenë i ngushtuem me zgjedhë fjalë e thanje sa ma të hijshme ndër poezitë e veta. Askush nuk ka mënyra ma të bukura në të folun se ata që sherbejnë ndër pellaze të mbretënve. E nuk ka pse të thojë kush ndryshe, sepse edhe kombet e qytetnueme i kanë këto forma shpellanike e të përbindshme ndër poezitë e veta, si bie fjala Ipogrifi i Ariostit. Poetët e kombeve të qytetnueme i bijnë këto forma jo si nji ideal të vetin, por si nji çudë, nji shtriganeri ose si nji shprehje të mentaliteteve të kalueme. Përderisa shkohet deri aty sa sllavi Kraleviç Marku nuk do të kishte qenë Kraleviç Mark po nuk i hangri 50 okë groshë në hae dhe kali i tij mos të hidhej mal mbë mal.

Ndërsa poezia popullore shqipe asht krejt ndryshe. Shqiptari, ndër poezitë e veta, nuk këndon për të tjerë, ai këndon vetëm për vete. Ndër lufta e ndër punë trimënie, ai nuk i ven shenj fakteve; ai shqyrton vetëm rrezet e namit e të lumnisë të cilat shkrepin prej atyne fakteve. E kështu kah nami e lumnia asht prirë ideali i tij dhe prej këtij ideali i mbushet shpirti me entuzjazëm, i gufon vetvetiu zemra ndër kangë të cilat i këndon si ai zogu i verës i cili këndon jo për me e ndi të tjerët, por sepse nuk i rrihet pa këndue ndër blerime dhe hije të rinjta të lugjeve mbi ato stome gurrash të argjanda. E kah ai nuk i ka shërbye kurrë kujt, fjala, thanja si dhe krejt forma e mbrendshme dhe e jashtme e poezisë, i ecë, tash e ambël si pranvera e Arbrit, tash e rrëmbyeshme si ato përrojet e Bjeshkëve të Namuna ku era ulurin andej nga vjeshta. Ai nuk i dron (nuk i ka frikë- siç e kishte sllavi frikë Carin ) nipat e fatosave të cilët i këndon ndër kangët e veta, e as që ja ka nevojën e tyne. Ai këndon lirshëm, si të ishte i vetëm mbi botë, botë e cila për te përmblidhet krejt mbi ato maje malesh ku veten e mban mbret. Asht pra poezia nji Ode e rendit të parë saqë, s'ka shumë vjet, filologu i përmendun i universitetit të Gracit, profesor Meyer, thonte se poezia popullore shqipe, prej pikpamjes estetike, asht ma e bukura ndaj të gjitha poezive të tjera të Europës.

Për ne daçim pra me e gjykue punën simbas kritereve të njohtuna të psikologjisë, njani ndër të cilët asht shi poezia popullore, do të themi se psika shqiptare, përsa i përket lakmimit për qytetni, i rrin përballë psikes sllave, ashtu siç i rrin përballë Legjenda Odes. Kjo na ban të kuptojmë se psika sllave asht ma pak e  zhvillueme se ajo e kombit shqiptar. Dhe për me e përforcue edhe ma shumë këtë mendim timin, këtu due me ju pru edhe disa fakte prej të cilëve Zotnia juej ka me pa edhe ma kjarisht se kundershtarët tonë gjykimin e vet mbi shqiptarët, e japin jo simbas së vërtetës, por simbas interesit të tyne.

Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë qenë të lirë e më vete. E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I-rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekëput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta turko-ballkanike, ka qenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa që në Shqipni, që prej viti 1908, kur qe shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të luftës ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çelën nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të kombit shqiptar. U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e njado (disa) edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randësi të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombëtare tuj i dhanë në pak kohë shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që, në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative. Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese Gjuhësie ( pra nuk është Kongresi i parë i gjuhës shqipe ai i mbajturi në vitin 1972) si dhe qenë disa shoqni letrare, e tj. e tj... E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.

E po përse tash, inteligjenca sllave, e cila në Mal të Zi, gjatë 50 vjetëve jetë kostitucionale nuk përfton (nuk krijon) kurgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për kombin? Zotni! Le të lihet nji herë në paqe shqiptari dhe le t'i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë ( hap pas hapi ) me kombe të tjera të Ballkanit gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.

Kombi shqiptar i ka dhanë burra në za për urti perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së turkisë, shqiptarë kanë qenë. Shqiptar ka qenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu shqiptar ka qenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në se bazohemi në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, shqiptar asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.

Por, për me ju a mbushë mendjen edhe ma mirë se kombi shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “ Histoire et descriptions de la Haute Albanie” , ka shkrue se në histori të shqiptarëve "ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti." Ma poshtë thotë: "Ata kanë ruejt doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm të cilëve u këndohet kanga. Për ma tepër, githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme". Mandej Lordi Bajron gërthet nga ana e vet: "Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike; atje ka ende do familje për të cilat kisha me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve." Dëshmi janë këto, Zotni të mij, të cilat kishin me ja shtue namin edhe nji kombit ma të madh e të qytetnuem.

III

Tash, Zotni, mbasi ju diftova se kush janë dhe shka janë shqiptarët, më duhet t'ju flas për të drejtat e tyne. E po ju tham se shqiptarët kanë të drejtë a) për nji pamvarësi politike; b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë. Mbi pamvarësi të kombit shqiptar nuk kam shumë fjalë me ju thanë. Dihet se kjo e drejtë ka qenë njohtë, sigurue dhe dorëzanue (garantuar) me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, pra, me fjalë të tjera edhe prej Francës, që prej Nandorit të vitit 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto Pushtete mandej ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombëtare ata nuk i mbajnë për shtupa letre,( dokumenta të zhubravitur për kosh) por i respektojnë si akte të cilat prekin nderin e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e zamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të dorës( firmës) që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjikës. Pamvarsia e kombit shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz (nder) të kombeve të mëdha të Europës, tash ne nuk na jet ( mbetet ) tjetër veçse me folë për kufij të natyrshëm të shtetit shqiptar, dhe kjo asht nji çashtje po aq me randësi sa edhe ajo e pamvarësisë.

Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë, saqë sot nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas (që nuk mban anë) memzi mundet me e njohtë me nji të këqyrun. Edhe nji nanë shpesh e ka të vështirë me e njohtë fytyrën e të birit kur këtë t'ia ketë përçudnue me varrë e me dermishime (përgjakje) arma e armikut. - Prandaj lypset të përcaktojmë ma përpara disa kritere të sigurta mbas të cilave mandej me përskajue (skicuar) kufijt e natyrshem të Shqipnisë. Simbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvete, ashtu si ky përcaktohet prej ndërmbyllzave ( klauzolave) të teorive willsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshëm. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombësija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skundill (skaj, skutë) toke të këti shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorëzanueme dhe e sigurueme siç duhet dhe sa duhet.

Simbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri (pushteti)  i autodeçizionit nuk asht e lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me nji "avrom" të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i pambështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm dhe me të padrejtë. Por në bazë të cilit kriter ka për të mujt me u caktue të përshtrimit e kombësisë shqiptare?  Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mbas dore. Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot,   kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to me rranjë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh që që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më vete e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Europës. Sepse nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t'ia ketë tatue (  imponuar) shqiptarit nji gjuhë që dhe as nji tjetër popull europian mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i tatohet( imponohet ) nji populli mbarë. Por as populli shqiptar nuk ka mujt me ia tatue popujve të tjerë gjuhën e vet. Gjuha tatohet ose me forcë të armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por si prej njanës, si prej tjetrës pikpamje, shqiptari nuk ka qenë ma i fortë se popujt që ka përbri. Prandej nuk ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare. E për këtë arsye, shteti sqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe. Tuj pasë caktue këto parime ose kritere, të shohim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të shtetit shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm ( paaneshem)në këtë çashtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë (shqyrtuar) prej armiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon i cili ka qenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy tuj e prekë vetë me dorë se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje.

Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej "Revue des deux mondes", tuj folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: "Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toke asht shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti". E tanë krahina e Kosovës e cila prej Konferencës së Londonit (1913) i qe lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, "Epiri i Nordit", të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej shqiptarësh dhe prandaj e drejta e lypë që të njehen ( numrohen) me shtet shqiptar. “

 Dhe mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht shqiptare. Serbt na thonë se banorët e Kosovës me rod (gjins, prejardhje)  janë të gjithë sllav, por, gjithnji siç thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë tuj u kthye në shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të nordit grek, atëherë serbia nuk do të kishte mbytë e gri  deri më sot afro dyqind mijë vetë në Kosovë dhe Greqia nuk do të kishte djegë ma se treqind e gjashtëdhjetë katunde në Epir të nordit tuj e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhjetë mijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urie dhe sikletit. Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjeje me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mbrrijnë kurrë me gri - e në ç'mënyrë mandej! - me qindra e mijëra vëllazën "bashkëqytetarë" të vet. Qyshse serbt kanë vra me qindra mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e qindra katunde në Epir të nordit, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë qenë serb, as ata të Epirit të nordit nuk kanë qenë grek.

Jo jo, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qindra mijëra  në Kosovë dhe janë djegë me qindra e qindra katunde të Epirit të nordit për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: "Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant." Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqen.

Por për me i forcue ma tepër fjalët e z. Rene Pinon mbi kufijt e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çashtje Lordi Fritznaurice, mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi Foreign Office e që masandej qe botue në nji Libër Bleu ( i kaltërt-frengjisht; në diplomaci-  asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: "Për me folë se shka asht kombi shqiptar, i bie me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit te Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare dhe ka vetëm nji skundill ( copë e vogël) fort të vogël serb. Statistikat bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrena e leni ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpi."

 Qe pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç'kufij duhet të ketë shteti shqiptar. Mbas dëshmisë së këti diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme po nuk e nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë ato tokë të cilat Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtësie, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë për me ia lëshue grekëve dhe serbve.

Tuj ju falë nderit me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më dëftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtë ( modeste) me ato fjalë që me 24 nandor 1880  thonte në Parlamentin italian Madero Savini kur Europa pat çue donamët ( anije luftarake) e veta përpara Ulqinit për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipisë. E qe çka foli në atë rasë deputeti italian: "Pse francezve nuk u mbushet mendja me heqë dorë nga Alsace-Loren? Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë, me heqë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit? Vetëm mbështetun në parimin e kombësisë! E pra, kujtoj unë, se, për me qenë burra fjale, ne na duhet me thanë edhe për Shqipni ato çka thamë edhe për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë... Në mos paça harrue, siç kam ndi prej profesorëve të mij, Grotius ka pasë thanë se tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau gërthet: "Ani, ndërrojani zotat, por të paktën pyetni këto bagëti njerëzore që quhen popull!"


(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora