E shtune, 27.04.2024, 12:35 PM (GMT+1)

Speciale

Rexhep Kastrati: Diversion mbi linjën institucionaliste si mënyre për rrënimin politik të Dr. Rugovës

E marte, 15.09.2009, 07:09 PM


DIVERSIONI MBI LINJËN INSTITUCIONALISTE SI MËNYRË
PËR RRËNIMIN POLITIK TË DR. IBRAHIM RUGOVËS

Në pamundësi për ta komprometuar dr. Ibrahim Rugovën, përkundër faktit se u imponuan dhunshëm dhe në mënyrë arbitrare të ashtuquajtur liderë të shqiptarëve, rrënimi politik i dr. Ibrahim Rugovës u provua duke synuar rrënimin e bazës së tij politike, e që ishte linja institucionaliste, përkatësisht LDK-ja.

Nga  Rexhep KASTRATI

Diversioni mbi LDK-në, si mënyrë për dobësimin e lëvizjes politike të Kosovës, por edhe si mundësi e rrënimit të bazës partiake të dr. Ibrahim Rugovës, ka qenë i vazhdueshëm dhe me rezultate të ndryshme në kohë të ndryshme. Diversioni mbi LDK-në, në të vërtetë ishte diversion mbi projektin politik të shqiptarëve për lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës, dhe si i tillë ishte një nga veprimet politike, diplomatike, policore, ushtarake dhe agjenturore që Beogradi kishte ndërmarrë në Kosovë dhe në botë që nga fillimi. E konceptuar si lëvizje politike, LDK-ja ishte një gjigant i madh brenda të cilës vepronin grupe të ndryshme politike, bile edhe të kundërta. Branda saj ishin si marksist-leninistët, si jugosllavokomunistët, si nacionaldemokratët, e kështu me radhë. Kjo kishte ndodhur për shkak të përcaktimit të dr. Ibrahim Rugovës që të punohej dhe të bashkëpunohej me të gjithë, pavarësisht bindjeve politike që kanë dhe që e kishin pranuar programin politik dhe projektin politik për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, që e kishin pranuar strategjinë politike dhe diplomatike të ndërtimit të këtij shteti, si dhe veprimtarinë institucionale të përfaqësimit të interesave të shqiptarëve dhe të qytetarëve të tjerë të shqiptare. Mirëpo, filozofia politike dr. Ibrahim Rugovës e që u bë edhe filozofi zyrtare e lëvizjes politike shqiptare në Kosovë, kishte krijuar një unitet veprues të paparë në historinë e Kosovës, e të cilin dr. Ibrahim Rugova e quante unitet demokratik. Ky koncept gjithëpërfshirës, jopërjashtues dhe jodiferencues, përveçse do t’i bënte bashkë të gjithë shqiptarët, në anën tjetër hapte mundësinë për shuarjen e konfliktit historik ndërmjet nacionaldemokracisë shqiptare, jugosllavokomunistëve shqiptarë dhe marksist-leninistëve shqiptarë, që mund të rrezikonte jo vetëm unitetin veprues të shqiptarëve, por edhe raportet sociopolitike brenda tyre. Në diversionin ndaj LDK-së, qarqe të ndryshme kundërshqiptare, u mbështetën shumë në karakterin gjithëpërfshirës të saj, pra në karakterin jopërjashtues dhe diferencues të saj, përkatësisht u munduan ta ngjallnin pikërisht këtë konflikt historik ndërmjet tri rrymave kryesore politike brendashqiptare. Mirëpo falë autoritetit të padiskutueshëm të dr. Ibrahim Rugovës, as Serbia, as qarqe të tjera nuk arritën që të kenë sukses të plotë në diversionin e tyre ndaj LDK-së dhe ndaj linjës institucionaliste në përgjithësi. Krahas këtij diversioni, u provua që nëpërmjet shantazhimit, përgjimit, përcjelljes dhe kërcënimeve të ndryshme të rekrutohen individë të ndryshëm brenda LDK-së e brenda lëvizjes politike në përgjithësi, si dhe të infiltroheshin të tillë edhe nga jashtë. Edhe kjo mënyrë diversioni nuk i kishte sukseset e dëshiruara, pasi që veprimtaria e LDK-së dhe e linjës insitucionaliste në përgjithësi ishte veprimtari legale dhe e njohur si për opinionin e brendshëm, ashtu edhe atë ndërkombëtar, e rrjedhimisht edhe për Beogradin. Suksesin më të madh në këtë drejtim, Beogradi e arriti me dekonspirimin e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, të krijuara me një dekret presidencial të dr. Ibrahim Rugovës në janar të 1992, gjë që nuk kishte mbetur pa pasojë në organizmin e strukturave të përgjithshme të mbrojtjes dhe të sigurisë në Kosovë. Përveç kësaj, arrestimi i Grupit të Ministrisë Mbrojtjes, siç u quajt grupi në krye me Hajzer Hajzerajn më 1993, u përdor nga Beogradi për inkriminimin ndërkombëtar të dr. Ibrahim Rugovës dhe të politikës së tij paqësore, e që shkaktoi një trysni diplomatike ndaj tij, e që bëri që prej atëherë të jetë më i kujdesshëm në këto çështje, si dhe duke i dobësuar lidhjet me grupet guerille në Kosovë që në bazë të një marrëveshje ndërshtetërore me Tiranën e atëhershme zyrtare, që nga viti 1991, kryenin ushtrime ushtarake në kampet ushtarake të shtetit aktual shqiptar, derisa nuk u zbuluan nga shërbimet sekrete serbe dhe nga shërbime të tjera sekrete. Është momenti të thuhet se organizimi i strukturave të mbrojtjes dhe të sigurisë nuk ishte në kundërshtim me tërë strategjinë paqësore të veprimit politik e diplomatik, por ishte në përputhje me ndërtimin specifik dhe gradual të të gjitha mekanizmave të shtetit të Kosovës. Në kontekst të diversionit mbi LDK-në dhe mbi linjën insitucionaliste në përgjithësi, rekrutimi dhe infiltrimi i rekrutëve shqiptarë në lëvizjen politike shqiptare të Kohës, po ashtu ishte më lehtë i hutueshëm , pasi që hierarkia e vetë sistemit, mundësonte identifikimit të të infiltruarve, e edhe të rekrutuarve, e që është një përparësi e veprimtarisë institucionale. Ndërkaq, sa i përket ndonjë diversioni më të madh, që do të mund të shkaktonte dobësimin apo rrënimin e LDK-së, mund të thuhet lirisht si kishte pak gjasa të suksesit. Për këtë arsye, nga qarqe të ndryshme dhe jo vetëm serbe, u provua një formë tjetër e diversionit, e që kishte të bënte me veprimtarinë tërësore të grupeve të ndryshme marksist-leniniste që nuk kishin pranuar të bëheshin pjesë të lëvizjes politike në krye me dr. Ibrahim Rugovën, por edhe aso që ishin lodhur rrugës dhe kishin mbetur mbrapa, sikurse edhe njerëz të caktuar të linjës jugosllaviste të identifikuar si përfaqësues të shoqërisë civile. Ky lloj diversioni kishte të bënte me përpjekjet për diskreditimin e dr. Ibrahim Rugovës në baza kombëtare, në dështimin e kësaj lëvizjeje për të arritur qëllimin politik, e deri te komprometimi i rezistencës paqësore të shqiptarëve. Ky lloj diversioni kishte pasur sukses të caktuar, pasi që kishte bërë që të dizej debati i brendshëm ndërmjet marksist-leninistëve që synonin ta merrnin kalanë nga brenda dhe të tjerëve që këta të fundit i quanin komunistë, udbashë e kështu me radhë. Si rezultat të këtij debati, ndodhi që në Kuvendin e Dytë të LDK-së më 1994, marksist-leninistët në krye me Hydajet Hysenin të merrnin shumicën në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesinë e partisë, duke provokuar dorëheqjen e Fehmi Aganit dhe të Edita Tahirit, situatë që u zgjidh me ndërhyrjen e dr. Ibrahim Rugovës. Që atëherë, duhet thënë se pati debate të brendshme, pati tendenca për ndërskambca, si dhe për imponime. Natyrisht se edhe pse në rrethana specifike, këto zhvillime të brendshme mund të konsideroheshin normale, edhe për shkak të karakterit prej lëvizjeje politike që kishte LDK-ja. Arroganca e grupit të Hydajet Hysenit për t’u imponuar nga brenda, pra që dr. Ibrahim Rugovës t’i imponohet dhe t’ia imponojë konceptin e të bërit politikë, ishte shumë e madhe, gati e padurueshme, por edhe që kishte ngjallë xhelozinë dhe frikën tek të tjerët, të cilët kishin frikë se mos dr. Ibrahim Rugova binte pre e këtij presioni. Mirëpo, me mençurinë e tij, me urtinë e tij, por edhe me guximin e tij, dr. Ibrahim Rugova arriti t’i dëgjonte të gjithë, dhe pastaj të merrte vendimet politike. Kjo në një mënyrë u konsiderua si një lloj autoritarizmi, por që nuk ka lidhje me autoritarizëm. marksist-leninistët që nuk mund të duronin, pasi e konsideronin rast jetik për ta marrë kalanë nga brenda, filluan t’i shfaqnin pakënaqësitë e tyre, si dhe filluan që t’u bëjnë thirrje edhe Qosjes, edhe demaçit që t’u vinin në ndihmë. Dhe është pikërisht kjo kohë kur Qosja pat filluar të "hartojë" një "fjalor demokratik" në ish-organin e Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës(sic.), në Zërin" javor, kurse Demaçi kërkonte të bëhej nënkryetar i Kosovës. Të gjitha këto zhvillime brenda LDK-së, përveçse shfaqnin elemente të ngjashme si çdo parti e re në vendet e ish-bllokut komunist, dhe përvçse bazoheshin në konfliktin historik ndërmjet marksist-leninistëve, jugosllavistëve dhe nacionaldemokratëve shqiptarë, ishin pasojë e diversionit që qarqe të ndryshme bënin mbi LDK-në, me qëllim të rrënimit apo të dobësimit të bazës partako-politike të dr. Ibrahim Rugovës. Duhet thënë se diversioni si një aspekt i kundërrugovizmit, rezultatin më spektakular e dha në Kuvendin e Tretë të LDK-së më 1998, kur grupi i Hydajet Hysenit, në pamundësi për ta marrë kalanë nga brenda dhe kur veç dukeshin shkëndijat e një konflikti të armatosur në Kosovë, vendosi të largohej tërësisht nga LDK-ja, duke e shpallë jolegjitim LDK-në në krye me dr. Ibrahim rugovës, në përpjekje për të bërë diversionin më të rënë mbi dr. Ibrahim Rugovën. Edhe pse në planin e profilizimit të brendshëm, largimi i grupit të Hydajet Hysenit ishte pozitiv, rrethanat në të cilat u bë, nuk është se mbeti pa pasoja. Është kështu për faktin se paraqiste një çarje në lëvizjen politike shqiptare në Kosovë, por edhe për faktin se në këtë mënyrë iu mundësua hapësirë individëve jomeritorë dhe shumë të papërshtatshëm. Tashmë, përveç t’i quajmë fraksioneve të ndryshme, në LDK filluan të shfaqen edhe elemente klanore që mbështeteshin mbi interesa jopolitike. Një nga këto interesa ishte edhe tendenca për ekskluzivizma të ndryshëm, e që kiishin të bënin me dr. Ibrahim Rugovës. Për shkak të autoritetit të padiskutueshëm deri në kult që dr. Ibrahim Rugova kishte në popull, u provua një lloj monopolizimi mbi vetë dr. Ibrahim Rugovën. Me fjalë të tjera, pati tendenca që fraksione, apo grupe të ndryshme t’i imponoheshin dr. Ibrahim Rugovës, të cilat përveç kësaj, do të mund të kishin edhe një lloj imponimi të pikëpamjeve, të ideve apo edhe të dëshirave të tyre. Grupi Hydajet Hysenit këtë e kishte provuar, siç thashë, pas Kuvendit të Dytë të LDK-së më 1994, sidomos paras e të largohej. Në anën tjetër, edhe një grup tjetër i mbledhur rreth Sabri Hamitit kishte provuar të njëjtën gjë. Mirëpo, dr. Ibrahim Rugova, si gjithnjë, jo që nuk pranoi kurrë të jetë "pronë" e dikujt, por përkundrazi vazhdoi me përkushtim realizimin e projektit për sendërtimin e shtetit të Kosovës. Vendosmëria e dr. Ibrahim Rugovës për të minimizuar këto tendenca, e që u quajt si injorim që i bëhet formueve të partisë, e mendohej dhe thuhej kryesisht Këshillit të Përgjithshëm, kishte bërë që të ruhej në mënyrë solide funksionaliteti politik i LDK-së, si dhe kishte bërë që të dështonin të gjitha tendencat diversive mbi të, edhe pse gjakrat nuk u qetësuan kurrë nga individë dhe grupe të vogla njerëzish, ndër të cilët tani duhet dalluar ata që ishin të lidhur me Bujar Bukoshin, i cili nga ana tij, prej vitesh kishte provuar të bënte diversion mbi dr. Ibrahim Rugovën. Fillimi i konfliktit të armatosur në Kosovë, e që shndërrua në një masakër dhe në një spastrim etnik më tepër se biblik, sidomos gjatë kohës së mbajtjes peng të dr. Ibrahim Rugovës nga ana e policisë serbe, kryesia e LDK-së u çorodit dhe u çorientua, kurse anëtarët e saj filluan të mendojnë më shumë për vete se sa për partinë. ishte kjo kohë shumë e përshtatshme për gjueti dhe rekrutim njerëzish nga të gjitha anët. Dhe kjo ishte goditja më e madhe që kishte marrë linja institucionaliste në Kosovë që nga themelimi. Disa kërkuan shpëtim te komandat "Rremi", disa të tjerë te Hashim Thaçi, disa te Veton Surroi e kështu me radhë. Koha e mbajtjes peng e dr. Ibrahim Rugovës nga ana e policisë serbe, ishte kohë e ankthit pritës jo vetëm të popullit për lirimin e liderit të tij, por edhe ankth i pritjes së vetë linjës institucionaliste. Shumica prisnin lirimin e tij, por kishte edhe të tjerë që ia kishin frikën lirimit të tij eventual, pasi që tashmë ishin marrë vesh se kush është kush në linjën institucionaliste. Mirëpo, dr. Ibrahim Rugova nuk do të ishte ai që ishte, sikur të mos e kishte edhe ndjesinë e faljes, edhe për ata që nuk e kërkonin atë. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, i mblodhi të gjithë ata pavarësisht a e kishin mohuar më parë apo jo dhe kishte vendosur që ta vazhdonte punën. Të gjithë e kishin marrë vesh tashmë se as dr. Ibrahim Rugova, as LDK-ja nuk kishin vdekur politikisht. Në të vërtetë, tashmë ishte qartë se dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kishin bërë një simbiozë të pashkëputshme, pasi që fati i njëri-tjetrës ishte ngushtësisht i ndërlidhur: LDK nuk mund të bënte pa ose kundër dr. Ibrahim Rugovës, e as dr. Ibrahim Rugova nuk mund të bënte pa LDK-në. Pretenduesit kishin pasur kohë të bindeshin se populli e donte dhe i besonte dr. Ibrahim Rugovës. Përkundër kësaj, strategjia e diversionit mbi dr. Ibrahim Rugovën dhe LDK-në nuk u ndërpre për asnjë çast. Një nga diversionet e tilla kishte të bënte me themelimin e partisë së Hashim Thaçit, me ç’rast disa veprimtarë të LDK-së iu bashkuan asaj duke i themeluar degët e saj nëpër qytete të ndryshme. Në mesin e tyre kishte njerëz që vinin nga vija jugosllavokomuniste e që kërkonin gjoja rehabilitim, ashtu siç kishte edhe të tjerë që mund të mbanin përgjegjësi për keqpërdorime të detyrës zyrtare, kryesisht në aspektin financiar etj, por që edhe kjo dështoi falë vullnetit të popullit dhe falë besimit të madh që kishte dr. Ibrahim Rugova tek shumica dërmuese e shqiptarëve.


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora