E shtune, 27.04.2024, 08:00 AM (GMT+1)

Speciale

Xhafer Durmishi: Organizatat politike shqiptare në Evropë 1979-1985

E diele, 13.09.2009, 04:59 PM


Shënime për autorin
 
Xhafer Durmishi u lind më 14 maj 1958 në fshatin Stanoc të poshtëm të komunës së Vushtërrisë. Nga arsimtarët e vet të shkollës fillore angazhohet në organizatën “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi”. Në vitet 1977-1981 ka studiuar në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë, në degën e Teknologjisë. Nga korriku 1981 gjendet pranë Vëllezërve Gërvalla në Shtutgart. Pas atentatit të 17 Janarit 1982, në mars 1982 vazhdon redaktimin e asaj gazete që më parë e kishte redaktuar Jusuf Gërvalla. Fillimisht në redaktimin e plotë dhe në përgatitjen teknike të gazetës kryesore të Lëvizjes për Republikë punon gjer në mars 1983. Pas një qëndrimi prej 100 ditësh në Paris, në korrik 1984 vendoset në Suedi. Në korrik 1985 shërbimet e tij për çështjen apo në emër të çështjes shqiptare, nga rrethi që i kishte qëndruar afër, nuk konsiderohen të nevojshme dhe lirohet nga detyrimet politike.
   Jeton në Suedi. Është përkthyesi i parë i autorizuar për përkthime në mes suedishtes e shqipes.
 
Organizatat politike shqiptare në Evropë 1979-1985
 
Nga Xhafer Durmishi
durmishi1@hotmail.com
 
Nga tri fotografi të botuara në “Zëri”, të Sabri Novosellës, Metush Krasni­qit dhe Jusuf Gërvallës, fitohet përshtypja se LNÇKVSHJ është udhëhequr nga treshi Sabri-Metush-Jusuf.
Jusuf Gërvalla nuk e ka njohur Metush Krasniqin në cilësinë e kryetarit të LNÇKVSHJ. Në qoftë­ se shërbehemi, për hir të qartësisë, me gjeometri, nuk ka ek­zistuar trekëndëshi Sabri-Metush-Jusuf, dhe as segmenti Metush-Jusuf, pra lidhja e drejtpërdrejt Metush Krasniqi-Jusuf Gërval­la. Këtë nuk e pohon drejtpërdrejtë as Sabriu, por përpiqet ta parash­trojë në mënyrë indirekte: “Për këtë Jusufi e njoftonte vazhdimit degën e LNÇKVSHJ në Turqi dhe Metush Krasniqin, kryetarin e Lëvizjes në Kosovë”.
 
Jusuf Gërvalla, Metush Krasniqi dhe Sabri Novosella
Jusuf Gërvalla, Metush Krasniqi dhe Sabri Novosella

Për të painformuarin citati i tillë duket i kthjellët dhe të lenë përshtypjen se lidhja e drejtpërdrejtë Metush-Jusuf ka ekzistuar. Për ata që formulimin e tillë e kuptojnë se lidhja ka ekzistuar, ky është një mashtrim. Për ata që e dinë këtë, e ky është një numër i vogël, Sabriu në frazën e vetë e ka gatuar mbrojtjen. Jusufi e njohtonte degën në Turqi (së pari pra-shënim i Xh.D.) dhe Metush Krasniqin, kryetarin e Lëvizjes në Kosovë (së dyti-shënim i Xh.D.). Del se të painformuarit, 99,9 % e lexuesve gënjehen, ndërsa për të informuarit është mburoja: Jusufi kishte lidhje me kryetarin Metush Krasniqi, por kjo lidhje ishte nëpërmjet Sabri Novosellës, i cili informohej së pari, e që ky pastaj e njoftonte kryetarin në radhë të dytë.
Jusuf Gërvalla nuk ka pas kurrë lidhje me Metush Krasniqin. Për këtë nuk ka asnjë dëshmi. Pasi që nuk ekziston asnjë letër, asnjë artikull, asnjë udhëzim me vlerë që ka qenë i njohur në Gjermani apo dikund tjetër, kjo duhet të merret si e pavërtetë. Ai që do ta nxjerrë Metush Krasniqin si kryetar të Lëvizjes, duhet të sjellë fakte.
Në një bisedë me Jusufin në verën e vitit ’81 lidhur me udhëheqë­sinë e Lëvizjes, ai thotë: “Sabriu është kryetari i Lëvizjes”.
Kaq për (jo)lid­hjen Metush Krasniqi-Jusuf Gërvalla.
 
Lidhja Sabri Novosella- Jusuf Gërvalla
 
Kjo lidhje ka ekzistuar, dhe si reale është më lehtë të ilustro­het me shembuj të shumtë. Ta shohim nga afër!
Sabri Novosella është ai i cili i ka ofruar anëtarësim Jusuf Gërval­lës në LNÇKVSHJ. Jusufi pranon menjëherë me kënaqësi të madhe. Është meritë e Sabri Novosellës që duke e organizuar Jusuf Gërvallën në LNÇKVSHJ bëri që energjitë dhe talenti i tij të derdhen e të kanalizohen menjëherë në mënyrë të drejtpërderejtë për çështjen e popullit shqiptarë në ish-Jugoslla­vi. Përveç Sabriut, Jusufi nuk ka njohur asnjë kuadër më të lart, as personalisht e as përmes ndonjë vepre. Natyrisht se Sabriu i ka fol Jusufit se ekziston Komiteti Qendror,­ Kryetari e gjëra të tjera.
Në dhjetor të vitit 1979 Sabriun për t'iu shmang ndjekjes e burgosjes, rrethanat e qesin në Turqi, ndërsa Jusufi, për arsye se Bardhosh Gërvalla punonte në Gjermani, shkoi në Gjermani. (Sabri Novosella dhe Jusuf Gërvalla e lëshuan Kosovën pothuaj njëkohë­sisht.)
Nënvizoni, jemi në mesin e dhjetorit 1979. Prej dhjetorit 1979 e deri në Mars 1981 Jusuf Gërvalla nuk ka asnjë lidhje të vetme me Sabri Novosellën, e lere më me Metush Krasni­qin.
Si e udhëhoqën LNÇKVSHJ, Sabri Novosella e Metush Krasniqi prej dhjetorit 1979 e deri në mars 1981?
Po Jusuf Gërvalla?
Dalja e Jusufit jashtë si personalitet i njohur, bëri jehonë të madhe në Kosovë. Jehona ishte e ngjashme edhe në Gjermani. Ai u kontaktua nga Ibrahim Kelmendi i cili i kërkoi ndihmë për nxjerrjen e “Bashkimit” si organ i Frontit të Kuq Popullor. Ibrahim Kelmendi vetë e kishte nxjerrur vetëm një numër në verën e vitit 1979. Jusufi i ofroi çdo ndihmë Ibrahimit, duke i lënë në dispozicion artikuj të shumtë të cilët Ibrahimi i zgjidhte sipas dëshirës. Jusufi i nxori dhe përgatiti 3 numra të “Bashkimit”, nga gjithsejt katër sa dolën. Vetëm pas dy muajsh, në shkurt 1980, në Gjermani Jusufi nxori numrin e dytë të “Bashkimit”. Në maj 1980 nxori numrin e tretë dhe në janar 1981 numrin e fundit të “Bashkimit”.
Në fillim të vitit 1981 Jusufi e ndërpreu bashkëpunimin (në nivelin apo në cilësinë e redaktorit dhe ideologut të Frontit të Kuq) me Ibrahim Kelmendin, çka bëri që Bashkimi të mos dali më.
Në gusht 1980 doli numri i parë i “Lajmëtarit të lirisë”. “Lajmëtari i lirisë” doli gjithsejt në tre numra. Nr.1, gusht 1980, nr.2, tetor 1980, nr.3 janar 1981. Në një pyetje të drejtpërdrejtë Jusuf Gërvallës, pse e ke nxjerrë “Lajmëta­rinë e lirisë” pa e përzier atë me organizatën të cilës i takonte, Jusufi përgjigjet: “Unë nuk kamë pas lidhje me LNÇKVSHJ e me KQ, unë nuk kamë marrë asnjë direktivë për të nxjerrë ndonjë gazetë. Kam vepruar kështu që të mos mundet nesër të më thotë dikush se me kënd u more vesh që e nxore gazetën në emrin e LNÇKVSHJ-së”.
Revista “Lajmëtari i lirisë”
Revista “Lajmëtari i lirisë”

Se ka dalë një revistë me emrin “Lajmëtari i lirisë”, Sabri Novosella e ka marrë vesh kah fundi i janarit 1981, d.m.th. pasiqë janë nxjerrë të gjithë numrat dhe është ndërprerë dalja e tij.
Prej gjysmës së dhjetorit 1979 deri në gjysmën e janarit 1982, për këtë kohë sa Jusufi e Sabriu ishin njëkohësisht në mërgim, (25 muaj), kanë qenë në kontakt vetëm 10 muaj, d.m.th. 40% të kohës. Gjatë 25 muajve, përveç shumë trakteve, thirrjeve e artikujve, Jusufi herë pjesërisht e herë tërësisht punoi në nxjerrjen e 4 gazetave të ndryshme:
“Bashkimi”: shkurt 1980, maj 1980, janar 1981,
“Lajmëtari i lirisë”: gusht 1980, tetor 1980, janar 1981,
“Liria”: nr 3, maj 1981, nr. 4-5 korrik/gusht 1981,
“Zëri i Kosovës”: nëntor 1981, janar 1982.
Pra prej 11 numrave të gazetave në të cilat pati dorë në nxjerrjen e tyre, vetëm 2 ishin të LNÇKVSHJ-së, të asaj organizate në të cilën ai ishte anëtar. Puna e tij për LNÇKVSHJ në mërgim nga aktiviteti i tij i gjithmbarshëm është vetëm 18,18%.
 
"Bashkimi"-Organ i FKP-së

LNÇKVSHJ dhe OMLK
Jusuf Gërvalla- Kadri Zeka

Në tetor 1980, dy muaj pas numrit të parë të “Lajmëtarit të lirisë” filloi dalja e revistës “Liria”, organ i Marksistë-Leninistëve të Kosovës, që pati si rrjedhim edhe njohjen e Kadri Zekës me Jusuf Gërvallën. Ata duhet të jenë takuar në mes të shkurtit 1981. Por nuk është e vërtetë se ata filluan menjëherë bisedimet për bashkim. Pra fjalët e Sabriut, se menjëherë pas kontaktit të Jusufit me Kadriun filluan bisedimet për bashkim nuk janë të vërteta. Të pa vërteta janë edhe fjalët se ai e njoftonte LNÇKVSHJ-në në Turqi dhe kryetarin Metush Krasniqi. Është pikë­risht mungesa e çfarëdo kontakti me LNÇKVSHJ-në, ajo që Jusuf Gërvalla nuk mund të bënte kurrfarë bisedimesh për bashkim. Por fakti që ai nuk mund të zhvillonte bisedime për bashkim nuk do të thotë se edhe nuk bënte punë për bashkim. Ai Kadri Zekës i ofroi ndihmë ashtu siç i kishte ndihmuar më parë Ibrahim Kelmen­dit. Ia la në disponim disa artikuj Kadri Zekës që të zgjedhë për numrin e tretë të “Lirisë”, i cili doli në maj 1981, nën mbikëqyrjen teknike të Jusuf Gërvallës, i cili e radhiti dhe bëri të gjithë punën grafike e teknike për nxjerrjen e numrit të tretë. Jusufi gjithashtu organizoi dërgimin e këtij numri në Kosovë, duke e angazhuar për këtë punë shokun e vetë të ngushtë Haxhi Berishën nga Prapaqani, i cili ka futur me mijëra ekzemplarë të këtij numri në Kosovën e mbushur me forca të mëdha ushtarake e me atmosferën e orës policore.
 
Jusufi e Kadri Zeka
Jusufi e Kadri Zeka
Pranvera e vitit 1981 edhe në Evropën Perëndimore shkoi në shenjën e demonstratave të ndryshme e të një aktiviteti intensiv në përkrahje të demonstratave të Kosovës.

Tek në mars 1981, pas 15 muajve, Sabriu mori kontakt me Jusufin dhe menjëherë filloi të diskutoj me të për çështjen e nxjerrjes së “Zërit të Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ-së.
Jusufi përgatiti teknikisht numrin 4-5 të “Lirisë”, që doli në korrik 1981, dhe kontribuoi me artikuj. Edhe në këtë rast ai i dha detyrë Haxhi Berishës ta marrë përsipër futjen e këtij numri të dyfishtë në Kosovë. Kësaj radhe, prej anës së Kadri Zekës, ndihmës e shok i tij i rrugës u caktua Hasan Mala.
 
Çështja e bashkimit u aktualizua pas pushimit të demonstra­tave në mërgim, aty kah mesi i korrikut, kur  numri 4-5 i “Lirisë” doli nga shtypi. Për një nevojë të bashkimit flitej e bëhej shumë fjalë. Në pritje të një bashkimi u vendos që të mos dilet me “Zërin e Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ-së.
 
Revista
Revista "Liria"- Organ i OMLK-së

Tezat e OMLK-së rreth Fronit Popullor për Republikën e Kosovës
 
Në shtator erdhën Tezat rreth Fronit Popullor për Republikën e Kosovës tek Jusufi. Jusufi ishte parimisht 100 % me tezat që shtroheshin. Ai i shtypi (radhiti) në makinën e tij të shkrimit, i shumëzoi, i dërgoi një numër ekzemplarësh Kadri Zekës në Zvicër dhe vet i shpërn­dau në krejt rrethin e Shtutgartit. Bashkimi shikohej si një çështje dite, bisedat dukej se do të ishin vetëm formalitet me një pro­cedurë shumë të shkurtë. Jusufi kurrë nuk do të përshkruante (radhiste) ato teza e t’i shpërn­dante sikur të mos pajtohej pikë për pikë me pikëpam­jet e tyre.
Sabriu vazhdon: “Unë dhe Bardhoshi dolëm me qëndrimet e Organizatës që përfaqësonim: Të bashkohemi në një organizatë të vetme e cila mund të quhej Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi”. Jusufi nuk ka përgatitur asgjë me shkrim për bisedimet e Stam­bollit të tetorit 1981, as Bardhoshit nuk i ka thënë asnjë fjalë për ndonjëfarë Lëvizje për Republikë. Jusufi është pajtuar me germën dhe me frymën e tezave rreth Frontit për Republikë, ashtu si ai i ka lexuar ato dhe si ua ka përcjellë vetë të tjerëve. Tezat Jusufi i ka kuptuar në këtë formë:
- Formimi i partisë pararojë e cila do ta udhëheqë Frontin,
- Në parti do të hyjnë kuadrot më të formuar dhe më të dësh­muar.
Këtë lloj interpretimi e ka lënë të nënkuptohet Kadri Zeka gjatë kontakteve me Jusufin.
Në Stamboll, gjatë bisedimeve Kadriu jep sqarimin e vetë konkret e lakuriq se si duhet lexuar tezat:
- Jo parti pararojë e përbërë nga anëtarë të organizatave të tjera, por vetëm nga radhët e OMLK-së,
- vetëm anëtarët e OMLK-së janë marksistë, komunistë të formuar,
- në organi­za­tat tjera të tillë nuk ka, prandaj të tjerët - në Front për Republikë, nën udhëheqjen e OMLK-së.
Bardhoshi u kthye aty kah 9 tetori 1981, më saktësisht një ditë para se të hapej panairi i librit i Frankfurtit. Rrugës për në panair na u dha rasti së pari ta dëgjojmë Bardhin të tregoj për takimin e Stambollit. Bardhoshi tregoi se bisedimet në mes Sabri Novosellës e Kadri Zekës sa i përket bashkimit ishin të shkurta, dhe u ndërpre­në shumë shpejt pasi Kadri Zeka tha se nuk ka ardhë të bisedoj për bashkim.
Thelbin e bisedimeve ai e tregoi me këto fjalë:
Sabri Novosella: Mund të fillojmë bisedimet për çka jemi mbledhur, bisedimet për bashkimin e organizatave në një të vetme?
Kadri Zeka: Ne jemi për krijimin e një fronti në bazë të këtyre tezave, i cili do të udhëhiqet nga OMLK!
SN: Ne kemi menduar se do të vish për çështjen e bashkimit të organizata­ve. Është çështja e këtyre bisedime­ve për shkak të të cilave ne e kemi pezulluar nxjerrjen e “Zërit të Kosovës” qe disa muaj!
KZ: Unë nuk kam autorizime me bisedua për bashkimin më shumë se ajo që thash, e që është në teza!
SN: Atëherë pse ke ardhur?
KZ: Që të shihemi!
SN: Sa për t’u parë, mua më shumë më ka marrë malli për familjen time që nuk i kam pa qe dy vjetë.
Bardhi vazhdon, se, menjëherë pas mbylljes së bisedimeve u vendos që të fillohet me nxjerrjen e “Zërit të Kosovës”, si organ i LNÇKVSHJ-së.
Jusufi u befasua nga mosrezultati i takimit, por edhe ishte i kënaqur që gjërat ishin qartësuar. Puna në nxjerrjen e “Zërit të Kosovës” qe e shpejtë dhe numri i parë doli pas njëzet ditësh, pra në fillim të nëntorit 1981.
Ballina e ZiK-ut
Ballina e ZiK-ut" Nr.1 Nëntor 1981

Është paradoksale se si në bisedime qenka arsyetuar një qëndrim i përpiktë ndaj Republikës para dikujt që nuk ka ardhur as të zhvilloj bisedime, përveçse t'i komentoj e sqaroj tezat rreth Frontit, e vetëm pas një ore të jepet direktiva për nxjerrjen e një gazete krejt në kundërshtim me atë që është mbrojtur në bisedime.
Në bisedimet e Stambollit roli përçarës i Bujar Hoxhës nuk ka qenë vendimtarë për rrjedhën e tyre.
 
LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, bisedimet në Ankara
 
Rruga ime në Turqi më 13 shkurt 1982, në radhë të parë ka qenë për ta informuar Sabriun për gjendjen e krijuar pas atentatit të 17 janarit dhe për të planifikuar punën e ardhshme.
Sabriu thotë se Shtabi i partisë me Abdullahun në krye, me gjithë gjërat qesharake e budallallëqet e tyre çmohet shumë nga diplomacia shqiptare e Bujar Hoxha. Ne do të bisedojmë me ta për bashkim. Mos ta nënçmojmë gjendjen, përkundër budallallëqe­ve që ke me i dëgjuar nga goja e tyre, mund të ndodhë që të vij deri te bashkimi.
Udhëheqja e Partisë përbëhej nga:
- Abdullah Prapashtica, Kryetar i Partisë Marksiste Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ),
- gruaja e tij (e cila do të zgjidhej) kryetare e organizatës së gruas,
- Osman Osmani, sekretar,
- Faton Topalli, kryetar i organizatës së rinisë dhe nip i Ab­dullahut.
I vetmi prej tyre që din diçka, thotë Sabriu, është Fatoni, por si nip i Abdullahut nuk guxon të ketë mendime të pavarura.
Dhe me të vërtetë kur u takuam më vonë dukej se Fatoni ishte në aso pozite të keqe ku e kishte vu Abdullahu sa nuk di se a mund të gjendet ndonjë rast i ngjashëm tjetërkund. Vuajtja dhe mundimi i Fatonit qëndronte në atë se ai shpesh ngatërrohej dhe e kishte vështirë se si ta thirrte Abdullahun; shoku Kryetar apo dajë.
Thelbi i aktivitetit të partisë në gjithë “modestinë” e vetë ishte ky:
- Partia është autore e kërkesës Kosova Republikë dhe organizuese e demonstratave të vitit 1981,
- Abdullahu, në cilësinë e inspektorit të sigurimit shtetëror, ka pas mundësinë ta studioi aktin e Adem Demaçit. Për këtë arsye Adem Demaçi i takon PKMLSHJ-së, ai është ideologu i saj.
- Kriteri kryesor për zgjerimin e radhëve të partisë janë lidhjet familjare,
- Partia ka nxjerrë organin e vetë “Revolucioni”, në të cilin Kryetari i partisë dhe sekretari i saj shpallen heronj të popullit, si dhe organin e rinisë “Atdheu”,
- Partia i ka shkruar KQ të LKJ-së dhe e ka thirrë në bisedime nga pozita të barabarta,
Prandaj, vazhdohet me stilin e “modestisë”,
- çdo gjë e mirë nga demonstratat e vitit 1981 janë vepër e popullit, ndërsa për pasojat merr përgjegjësinë partia,
- të gjithë ata që kanë luftuar për bashkim kombëtar janë njerëz të komprometuar nga pikëpamja e Kosovës Republikë, dhe si të tillë duhet të tërhiqen mënjan ose t'i vihen në dispozicion politikës e shtabit të partisë, i cili ka dalë jashtë t'i bashkoi organi­za­tat në PKMLSHJ.
 
Gazeta
Gazeta "Punëtorët, Organ i PKMLSHJ-së

Ndaj budallallëqeve të këtyre kalorësve të situatave, unë reagova ashtu siç ishte e natyrshme për të reaguar. Përkundër të gjithave ne do të duhej të bisedonim me ta.
Pas tri ditë bisedash në Adapazar, në mbrëmjen e 16 shkurtit u nisëm me Sabriun për në Ankara, atje ku ishte vendosur udhëheqja e PKMLSHJ-së. Së pari në Ankara, në paraditën e 17 shkurtit, takuam Bujar Hoxhën dhe biseduam për gjëra të përg­jithshme. Ai e dinte se ne do të bisedonim për bashkimin. Ai shtroi një pyetje të drejtpërdrejtë: Pse unë isha kundër asaj që organizata e krijuar të quhet parti, dhe shtoi më pas: “Bashkohuni!”
Ndërhyrja e tij kishte një peshë. Por kryesorja ishte ajo që ne (unë e Sabri Novosella) nuk ishim kundër bashkimit, ndërsa “motivi kryesor” i udhëheq­jes së partisë për dalje jashtë, thuhej se ishte pikë­risht që t'i bashkoj organiza­tat. D.m.th. ekzistonte baza për fillimin e bisedimeve pa kushte, me mundësi për marrje vendi­mesh, pa u fshehur pas mungesës së autorizimeve.
 
Prishja e Sabri Novoselles me Xhafer Shatrin
 
Ardhja e Sabriut nga Turqia në Evropën Perëndimore nuk ishte ndonjë çështje e shpëtimit të vijës së Lëvizjes. Sabriu ishte mërzitur vetëm në Turqi dhe donte të vinte në Perëndim. Si refugjat politik në Turqi ai e kishte shumë vështirë të merr pasaportë. Xhafer Shatri ia dërgoi disa vërtetime e dokumen­te përmes lidhjeve që kishte me Ramadan Osmanin në Malmo të Suedisë, dokumente e ftesa për vizitë në Suedi, të cilat qenë vendimtare që Sabriut t’i jipet pasaporta e leja për të udhëtuar. Përgatitjet për sigurimin e dokumenteve të udhëtimit Sabriu i ka bërë pothuajse gjatë gjithë vitit 1983. Këto m'i thotë Xhafer Shatri, kur po përgatisnim numrin e dytë të “Zërit të Kosovës”, në mars 1983 në banesën e tij në Gjenevë. Ai disa herë u shprehë në formën: “Ta shpëtoj­më Sabriun nga shkretinat e Anadollit”.
Në fillim të nëntorit 1983 Sabriu erdhi në Gjenevë te Xhafer Shatri dhe dukej sikur “moti ishte i kthjellt” e çdo gjë do të jetë mirë. Sidomos qëndrimi i tyre ndaj diplomacisë shqiptare ishte pika më unike.
Sabriu sheh se, për gjithë ato kontakte që ishin krijuar përmes adresës së “Zërit” në Biel Bienne, ai ishte i painformuar dhe e ndjen veten të mënjanuar. Divergjenca të tjera lindin edhe për atë se, në historinë e Lëvizjes për Republikë cila datë është më e rëndësish­me: 17 shkurti apo 15 maji 1982. Pikë tjetër fërkimi ishin edhe bisedimet e tetorit 1981 të Stambollit me Kadri Zekën, ku Sabriu e paska paraqitur Xhafer Shatrin si anëtar të organizatës së vetë dhe krejt lindjen e OMLK, vetëm si rezultat të këputjes së lidhjeve me LNÇKVSHJ-në.
Sabriu e akuzon Xhafer Shatrin në Gjenevë dhe akuzat i shpërndan përmes telefonit të tij. Akuzat e Sabriut pra nuk ishin ndonjë kritikë, por akuza të vrazhda që kishin për qëllim shkarkimin e Xhafer Shatrit si drejtues të “Zërit të Kosovës”, qërimin e hesapeve me te në stilin “ose-ose”. Në akuzat e tilla Sabriu mbeti i vetmuar, sepse ato nuk i pranoi askush.
Nga procesverbali i mbajtur prej Ibrahim Kelmendit, del se Xhafer Durmishi, lidhur me fjalët që lëshonte diplomacia shqiptare kundër Xhafer Shatrit në vende të ndryshme tek shumë njerëz e jo vetëm tek Sabriu, i cili u bë zëdhënës i tyre, thotë: “Nuk jam për atë që të bazuar në Shqipërinë të akuzohen shokët”.  Ky qëndrim i imi ndaj intrigave të diplomacisë shqiptare figuron edhe në letrën e Sabri Novosellës të 16 janarit 1984, dërguar mua e Faridin Tafallarit. Xhafer Durmishi dhe Faridin Tafallari nuk e pranuan propozimin e Ibrahim Kelmendit për përjashtimin e Sabriut nga Lëvizja, dhe kështu erdhi tek një thyerje e re, thotë Sabriu në shkrimin e tij. Pikëpamjet e ndryshme e diametralisht të kundërta të Xhafer Durmishit me Ibrahim Kelmendin kanë qenë rregull dhe votimi i ndryshëm në këtë pikë nuk ishte diçka e re. As Xhafer Shatri nuk ishte për thellimin e acarimeve për faktin e thjeshtë se sulmi i Sabriut mbeti i pa efekt. Kjo nuk do të thoshte se do të vazhdonte loja sikundër nuk ka ndodhur asgjë.
Sabriu ishte i vetmi të cilit i ngutej, ishte i vetmi që kishte interes që përçarjen ta çoi deri në shkëputje. Vetë sulmi i tij nuk kishte qenë i atij lloji për të lënë ndonjë urë lid­hjeje. Ai ishte i interesuar për këtë sepse pas atyre sjelljeve, ai kurrë më nuk do të mund të preten­donte për ndonjë vend me rëndësi në Lëvizje. Prandaj ai vazhdoi me disa  “komunikata”, “proklamata” e “qarkore” për të cilat vazhdimisht e ngarkon diplomacinë shqiptare.
Fushata kundër meje prej diplomacisë shqiptare, e as ndonjë fjalë e mirë prej tyre (nëse është thënë ndon­jëherë) kurrë nuk kanë pas ndikim në vendimet e mia. Fushatat e periferisë (me periferi nënkuptoj edhe intrigat e PPSH) nuk luajnë asnjëherë ndonjë farë roli, në qoftë se ata që ulen në një tavolinë janë unik dhe i mbajnë fjalët edhe pas përfundimit të mbledhjeve.
Komunikatat, qarkoret, një gazetë që doli në Bruksel si organ i një dege të Lëvizjes, pa marrëveshje me udhëheqjen dhe pikëpamjet e ndryshme sollën deri tek shkëputja.
Arsyeja që edhe unë u largova nga Xhafer Shatri e Ibrahim Kelmendi ishin pikëpamjet krejtësisht të kundërta lidhur me qëndrimin ndaj klubeve shqiptare e çështjeve organizative, pikë në të cilën Xhafer Shatri e Ibrahim Kelmendi mendonin njësoj. Për shkak të këtyre dallimeve unë kisha kërkuar dorëheqje nga Qendra Ekzekutive e Lëvizjes, qysh në korrik 1983 e që nuk ishte pranuar.  
 
“Zëri i Kosovës”, Suedi
 
“Zëri i Kosovës” që ka dalë në Suedi, për ndryshim nga shumë gazeta të asaj kohe- pikë qendrore në politikën e saj nuk e ka pas in­formatën bardhë e zi, por të përpunoj qëndrimet ndaj   - taktikës për Kosovën Republikë,
- klubeve shqiptare, që kanë qëndruar jashtë Lëvizjes,
- punës ilegale e legale,
- metodave reale dhe atyre aventuriere,
- çështjeve të organizimit,
- punës për nxjerrjen e një gazete,
Me fjalë tjera ta përshkruaj jetën e asaj organizate nga e cila është mundësuar dhe kushtëzuar dalja e tij. Për këtë edhe ka pasur shumë kritika në adresë të tij. Por ato gjithmonë kanë qenë nga një krah më i majtë e “revolucionar”. Epitetet kanë qenë: likuidatorë, revizionistë, republikan, dorësh­trirës etj.
Nga procesverbali i mbledhjeve në banesën e Hasan Malës dhe nga letra e Sabriut e 16 janarit 1984, del se unë nuk i kamë pas kurrë për busull pëshpëritjet e Bujar Hoxhës, Ibrahim Qavollit dhe as të Engjell Kolanecit, dhe kam pasë guxim me u deklarua për to, edhe pse dihej se atë proces Sabriu ia dërgonte Ibrahim Qavollit, në konsullatën shqiptare të Stambollit.
Botkuptimet e mia politike, pikëpamjet e mia mbi zhvillimin historik janë konstante materialiste përkundër furtunave e stuhive kaq të forta duke filluar prej dyfytyrësisë e deri tek njëqindëfytyrësia.
Numri i parë i “Zërit të Kosovës”, me adresë në Suedi, doli në qershor 1984. Kjo gazetë doli përafërsisht njëherë në muaj gjer në korrik 1985. Në fillim të shkurtit 1985 Sabri Novosella, për shkaqe e teke të veta, ndoshta i penduar për prishjen e tij me Xhafer Shatrin u distancua krejtësisht nga gazeta “Zëri i Kosovës” me adresë në Suedi. Për këtë ai njoftoi shokët në Shtutgart e Zurich. Në prill apo maj 1985 Sabriu iu mbështetë Hysen Gërvallës, i cili u bashkua me atë pjesë të Lëvizjes që kishte qendrën në Zvicër. Nga kjo rrjedhë se thënia e Sabriut “urdhnova me e ndalë gazetën në Suedi” është falsifikim i të vërtetës.
Pohim tjetër i Sabriut lidhur me “Zërin” që dilte në Suedi: “...e jepte bekimin diplomacia shqiptare për çdo numër të orga­nit”.
 
Numri i parë i “Zërit të Kosovës”, me adresë në Suedi - qershor 1984
Numri i parë i “Zërit të Kosovës”, me adresë në Suedi - qershor 1984

Unë nuk di asnjëherë se si reagonte diplomacia shqiptare ndaj gazetës. Ata janë interesuar shumë se çfarë po shkruhet dhe kontaktonin vazhdimisht me të gjithë ata që kishin të bënin me gazetën, por kurrë drejtpërdrejt me drejtuesit e gazetave. Sipas logjikës së tyre ai që drejton gazetën duhej vetë të merrte iniciativën për t'i takuar. Në pranverën dhe verën e vitit 1985 thirrjet e kritikat e diplomacisë shqiptare se unë “punoj krye në veti e pa u konsultuar” kanë qenë monotone.
Numri i fundit i “Zërit të Kosovës”, Suedi, doli në korrik 1985. Në këtë numër paralajmërohej ndërrimi i emrit të gazetës dhe emrit të organizatës për të zhdukë përzierjet që bëheshin me atë në Zvicër. Pas botimit të këtij lajmi, të gjetur para një situate të re, shokët në Gjermani e Zvicër dërguan katër veta në Stockholm dhe e morën makinën e shkrimit me të cilën ishte nxjerrë gazeta. Pra, ai i cili nuk është në gjendje për ta filluar e për ta mbajtë gjallë një gazetë ai kurrë nuk pyetet as kur me e ndërpre atë.
 
“Zëri i Kosovës”, organ i LNÇKVSHJ-së
 
Në vitin 1979 në statutin e LNÇKVSHJ-së, thuhet organ i saj është “Zëri i Kosovës”. Se si duket ky organ para nëntorit të vitit 1981, kur doli numri i parë, i nxjerrur nga Jusuf Gërvalla, unë nuk e di dhe nuk kam takuar asnjë njeri që mund ta qes në tavolinë organin e lartpërmendur. Për këtë arsye ekzistenca e një gazete me emrin “Zëri i Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ-së, përderisa të mos vërtetohet e kundërta mbetet një trillim, një çështje që në mungesë faktesh s'ka se si të besohet.
ZiK-u Nr.3, Mars 1982 i botuar pas vrasjes së Jusuf Gërvallës
ZiK-u Nr.3, Mars 1982 i botuar pas vrasjes së Jusuf Gërvallës

“Zëri i Kosovës”, organ i Grupit Komunist të Riza Salihut
 
Në fillim të vitit 1980 në Kosovë ka qarkulluar një fletushkë e “Grupi komunist Zëri i Kosovës” që është nxjerrë nga Riza Salihu në Shtutgart. Në verën e vitit 1980 Sabri Novosella lajmërohet në Stamboll për fletushkën e Grupit Komunist “Zëri i Kosovës” për çka ai dëshiron t'i sigurohet shpejt një kopje që ta dërgoj në konsullatën e Stam­bolit dhe t'ua dëshmoj atyre tetekëve se shokët e Sabrisë dhe Komiteti Qendror me Kryetarin e vet nuk hanë bukë badihava.
____________
Riza Salihu
Riza Salihu
Po në verën e 1980 Jusuf Gërvalla takohet me Riza Salihun. Në bisedë e sipër Rizahu e pyet Jusufin se çfarë organi nxjerr organiza­ta e juaj. Kur Jusufi i përgjigjet se organ i LNÇKVSHJ është “Zëri i Kosovës”, Riza Salihu dëshpërohet e revoltohet shumë dhe e prishë bisedën me Jusufin. Më vonë kur Jusufi merr kontakt me Sabriun, në një ndër letrat e para i thotë se emri “Zëri i Kosovës” nuk është i përshtatshëm për organizatën tonë pasi të njëjtin emër e përdorë Riza Salihu për grupin e tij. Sabriu i thotë se “Zëri i Kosovës” i grupit të Riza Salihut është diçka tjetër nga “Zëri i Kosovës” i LNÇKVSHJ-së.

 
“Zëri i Kosovës”, organ i LNÇKVSHJ-së, i drejtuar nga Jusuf Gërvalla
 
Dalja me “Zërin e Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ-së ishte planifikuar në verën e vitit 1981, por bisedimet me OMLK-në e që nxirrte revistën “Liria” e pezulluan këtë punë gjer në nëntor 1981, kur doli numri i parë i saj. Në janar 1982 doli numri i dytë. Vetura e Bardhosh Gërvallës në të cilën u vranë vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka ishte e mbushur me këtë numër i cili posa kishte dalë nga shtypshkronja. Mu për këtë, për aktivistët e rrethit të Shtutgartit kjo gazetë mori një përmbajtje shumë më të thellë se sa që kishte pasur përpara.
 
“Zëri i Kosovës”, organ i LRSHJ-së
 
Në bisedimet e Ankaras të 17 shkurtit 1982 shtrohet pyetja se çfarë emri të ketë gazeta e LRSHJ-së. Për shkak të ngjarjes së 17 janarit, para se të shkojmë në bisedimet e 17 shkurtit ishim marrë vesh me Sabriun që të mbrojmë emrin “Zëri i Kosovës” për organizatën e bashkuar, e cila u quajt LRSHJ me propozim të Osman Osmanit.
ZiK-u, Organ i LRSHJ-së, Nr.1 Qershor 1982
ZiK-u, Organ i LRSHJ-së, Nr.1 Qershor 1982

Kur Sabriu ua propozoi “Zërin e Kosovës”, shokëve të partisë u qitshin sytë xixa. Kurrsesi- thanë ata në fillim. Ne kemi nxjerrë dy organe, “Revolucionin” si organ të partisë dhe “Atdheun” si organ të rinisë që kanë luftuar për republikë dhe po heqim dorë nga emri i tyre për hir të bashkimit, kurse ju kërkoni ta mbajmë emrin e “Zërit të Kosovës”, emër i cili është i komprometuar me kërkesën për bashkim e për luftë kundër Jugosllavisë. Parimisht ata kishin të drejtë, por nga ato që kishin thënë se kishin bërë kishte aq mendje­madhësi të paskrupullt, kështu që ne nuk besonim aspak se organe të tilla kanë ekzistuar, bashkëbiseduesit nuk shfaqnin ato cilësi që do ta mbushnin mendjen se kanë qëndruar pas çfarëdo gazete që meriton për t'u zënë në gojë.
Shokët e partisë u treguan mosmirënjohës dhe nuk ia dinin aspak për faleminderit Sabriut që e kishte gjet emrin për organin e Lëvizjes, duke lënë të nënkuptohej se bisedimet për bashkim nuk ishin drekë nrikulli­jash për t'ia ngjitë emrin një foshnje. Por meqë ne nuk u lëshuam pe në këtë pikë ata u pajtuan me këtë, apo thënë më drejtë u detyruan të pajtohen.
Unë e Osman Osmani u kthyem në Gjermani më 22 shkurt 1982. “Zëri i Kosovës”, numri i tretë, ishte në fazën përfundimtare. Unë pritja se ai do të dali si organ i LRSHJ-së. Ndërrimi në kokën e organit nga LNÇKVSHJ në LRSHJ ishte një çështje tepër e thjesht. Osman Osmani ndërhyni duke thënë: “Le të del edhe ky numër si organ i LNÇKVSHJ-së në mënyrë që armiku të mos kujtoj se mbas atentatit u shkatërrua LNÇKVSHJ”. Ne në rrethin e Shtutgartit nuk e kundërsh­tuam në këtë pikë. Por e gjithë kjo ishte një dredhi e intrigë e cila kishte për qëllim të vonon çështjen deri më 14 e 15 maj në mënyrë që aty të shtrohej prapë çështja e emrit të gazetës për LRSHJ. Pra në këtë pikë ku ata vetëm nuk kishin mundur të bënin asnjë ndryshim, shpresonin tani më  14 e 15 maj se me ndihmën e Xhafer Shatrit do të bënin ndërrimin e emrit të organit. Xhafer Shatri, si përfaqësues i OMLK-së dhe i revistës “Liria” kishte arsye shumë më të mëdha që të kërkonte një emër më neutral se sa “Zërin e Kosovës”, për LRSHJ. Por emri i “Zërit të Kosovës” nuk u ndryshua as më 15 maj, përk­undër faktit se ishte e vetmja pikë që u diskutua.
 
“Zëri i Kosovës”, organ i Grupit Revolucionar të Xhafer Shatrit
 
Më vonë, në vitin 1984 Xhafer Shatri shkroi një artikull, sipas të cilit një gazetë që ka dalë me emrin “Zëri i Kosovës” diku në vitet 1970 ka qenë organ i Grupit Revolucionar.  
 
Kronologji e shkurtër ngjarjesh në jetën e organizatave në mërgim
 
Verë 1979: Ibrahim Kelmendi nxjerr numrin e parë të “Bashkimit”, organ i Frontit të Kuq.
Dhjetor 1979: Jusuf Gërvalla arratiset nga Kosova dhe shkon tek vëllai i tij Bardhoshi në Gjermani, në Shtutgart.
Shkurt 1980: Jusuf Gërvalla nxjerr numrin e dytë të “Bashkimit”.
Maj 1980: Jusuf Gërvalla nxjerr numrin e tretë të “Bashkimit”.
Gusht 1980: Jusuf Gërvalla nxjerr numrin e parë të “Lajmëtarit të lirisë”.
Tetor 1980: Jusuf Gërvalla nxjerr numrin e dytë të “Lajmëtarit të lirisë”. Në Zvicër del numri i parë i “Lirisë”, organ i OMLK-së.
Dhjetor 1980: Del numri i dytë i “Lirisë”.
Janar 1981: Jusuf Gërvalla nxjerrë numrin e fundit të “Bashkimit”, të katërtin me radhë, dhe ndërprenë bashkëpunimin me Ibrahim Kelmendin, në cilësinë e Redaktorit të “Bashkimit” dhe të ideologut të Frontit të Kuq Popullor. Del numri i tretë dhe i fundit i “Lajmëtarit të lirisë”.
Maj 1981: Jusuf Gërvalla ndihmon dhe bënë përgatitjen teknike të numrit të tretë të “Lirisë” dhe organizon dërgimin e saj në Kosovë.
Prill-Maj-Qershor 1981: Punë e madhe praktike për organizimin e tetë demonstratave në qendra të ndryshme të Evropës në përkrahje të demonstratave të Kosovës në Pranverën 1981.
Korrik 1981: Jusuf Gërvalla ndihmon me artikuj dhe përgatitë teknikisht numrin e dyfishtë 4-5 të “Lirisë” dhe organizon dërgimin e saj në Kosovë.
Shtator 1981: Dalin Tezat rreth Frontit për Republikë, të OMLK-së.
Tetor 1981: Në Stamboll mbyllen pa rezultat bisedimet për bashkim në mes Sabri Novosellës dhe Kadri Zekës. Me propozim të Sabri Novosellës, Jusuf Gërvalla fillon të nxjerrë “Zërin e Kosovës” si organ të LNÇKVSHJ-së.
Nëntor 1981: Del numri i parë i “Zërit të Kosovës”, i  LNÇKVSHJ-së.
Janar 1982: Del numri i dytë e “Zërit të Kosovës”, i LNÇKVSHJ-së.
Në Untergrupenbah, në mbrëmjen e 17 janarit 1982 nga armiqtë e popullit shqiptarë vriten vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka.
4 shkurt 1982: Varrosen vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, në varrezat kryesore të Shtutgartit.
17 shkurt 1982: Në orët e vona të natës përfundojnë bisedimet për bashkim në mes LNÇKVSHJ-së e PKMLSHJ-së në Ankara. Në bisedime marrin pjesë Sabri Novosella, Xhafer Durmishi, Abdullah Prapashtica, Osman Osmani dhe Faton Topalli.
Mars 1982: Del numri i “Zërit të Kosovës”, (pas atentatit të 17 janarit) nën drejtimin e Xhafer Durmishit.
3 prill 1982: Demonstratë e shqiptarëve në Bon.
24 prill 1982: Demonstrata e parë shqiptare në Vjenë.
14 maj 1982: Në Biel Bienne takohen Xhafer Shatri, Osman Osmani dhe Xhafer Durmishi. Përkundër kërkesave të Osman Osmanit e Xhafer Shatrit për ndryshimin e emrit të organit, “Zëri i Kosovës” mbetet organ i LRSHJ-së. Në takim ndahen detyrat, ku Xhafer Durmishi ngarkohet të vazhdoj me nxjerrjen e organit të Lëvizjes. Pjesërisht me shkrime dhe me përgatitjen e plotë teknike merret gjer në mars 1983.
Takimi i 14-15 majit 1982 është i pari dhe i fundit ku ishte e pranishme ajo pjesë që rridhte nga PKMLSHJ-ja.
Qershor 1982: Del në Shtutgart numri i parë i “Zërit të Kosovës” si organ i Lëvizjes për Republikë.
26 qershor 1982: Demonstratë e koordinuar shqiptare në Bern dhe Sydnay të Australisë, në ditën e fillimit të punimeve të Kongresit XII të LKJ.
Dhjetor 1982: Demonstrata më jehonëmadhe deri atëherë (e para e mbajtur në një ditë pune) në Gjenevë, më 10 dhjetor 1982, me rastin e ditës për të drejtat e njeriut.
Janar 1983: Mbledhje në banesën e Hafiz Gagicës. Marrin pjesë: Xhafer Shatri, Hasan Mala, Ibrahim Kelmendi, Xhafer Durmishi. Zgjidhet Qendra Ekzekutive (emër i propozuar prej Xhafer Shatrit) e Lëvizjes. Ndahen këto detyra:
Xhafer Shatri- nxjerrjen e gazetës,
Faredin Tafallari- arkëtar,
Hasan Mala- lidhjet me Kosovën,
Ibrahim Kelmendi- lidhje me organizata të jashtme,
Xhafer Durmishi- çështjet organizative në mërgim, relacionet me klubet shqiptare.
Mars 1983: Del numri i dytë i (për vitin 1983) “Zërit të Kosovës” në Gjenevë nga Xhafer Shatri e Xhafer Durmishi, dhe pas përfundimit të punimeve bëhet një mbledhje e Qendrës Ekzekutive. Hasan Mala dhe Faridin Tafallari votojnë për pikëpam­jet e Xhafer Durmishit lidhur me qëndrimin ndaj klubeve shqiptare në mërgim.
Korrik 1983: Në një shtëpi malore në Zvicër bëhet një tubim i madh i aktivistëve më të dalluar të Lëvizjes në Evropë si dhe përfaqësues klubesh. Merret një vendim për themelimin e një Bashkësie të klubeve shqiptare dhe demaskohet puna intriguese e PKMLSHJ-së.
Në mbledhjen e Qendrës Ekzekutive që mbahet pas tubimit, Xhafer Durmishi kërkon dorëheqje për shkak të pikëpamjeve të kundërta me Ibrahim Kelmendin e Xhafer Shatrin në çështjen e klubeve shqiptare dhe punën e tyre.
Nëntor 1983: Sabri Novosella vjen nga Turqia në Gjenevë te Xhafer Shatri dhe pas disa ditësh i bënë një varg akuzash. Akuzat e Sabri Novosellës hidhen poshtë nga të gjithë.
Qershor 1984: Del “Zëri i Kosovës” në Suedi. Gjatë vitit 1984 dalin 5 numra.
Korrik 1985: Del numri i fundit i “Zërit të Kosovës” në Suedi. Gjatë vitit 1985 dalin 8 numra. Pjesa më e madhe e atyre që e kanë përkrahë këtë gazetë u aktivizuan në partitë e ndryshme demokratike të Kosovës.
 
(Këtë shkrim e kam kryer në maj të vitit 1992. Ka qenë i paraparë si reagim ndaj një shkrimi të Sabri Novosellës botuar në “Zëri”, por “Zëri” e ka cunguar dhe ka botuar vetëm një pjesë të vogël të tij. Autori) 


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora