E premte, 08.11.2024, 07:40 AM (GMT)

Speciale

Mehmetali Rexhepi: Pleksjet Biblike dhe Etnike (Nuhi Ismajli: Nga vlerat e traditës)

E premte, 11.09.2009, 10:00 PM


Mehmetali REXHEPI

PLEKSJET BIBLIKE DHE ETNIKE

Nuhi ISMAJLI “ NGA VLERAT E TRADITËS”
RILINDJA, PRISHTINË 2000

SUPERSTRUKTURA PARAKE E VAZHDIMËSIA

    Që në nismë të librit „NGA VLERAT E TRADITËS”, Nuhi Ismajli rreket gjurmëve të hershme, që do të na shpinin në burimet e vlerave shpirtërore, vlera që do të rrënjosen thellë në mendësinë e paraardhësve. Ato vlera do të vijojnë ta ushqejnë botëkuptimin nëpër kapërcyej të shekujve duke u modifikuar, po pa u çrrënjosur kurrë, prore duke rrjedhur si lumi  nëntokësor, ku do të ngritet superstruktura shkrimore e parakëve tanë, pleksur në madhështinë hyjnore, biblike e etnike.
    Gjurmëqëmtuesi i literaturës ilire-shqiptare, në këtë vëllim artikujsh, që e përbëjnë një tërësi të organizuar e të harmonizuar për pikëcaqet dijesore, jep provën e peshës të zgjedhjes, qëmtimit e të zgjidhjes problemore të temave, përkitazi gjurmëve të fillim- krishterimit e të letërsisë në ILIRI.
    Ai ndjek logjikën e nënvizimit të hapësirës e kohës me lëndën e shkruar, sikurse teksti i letrës së njërit apostull të krishterimit ndër Ilirët, SHËN PALIT, i cili i dëshmoi ROMËS për gjeografinë shpirtërore të përhapjes së frymës së krishterë në ILIRIKUM, gjatë udhëtimit të tij të tretë, në vitet 53 – 58 „ kur kishte qëndruar në DURRËS, kurse për qëndrimin e tij në MAQEDONI dëshmon edhe BIBLA“ .
    Logjika e argumentimit të gjetjes së përhapur të krishterimit në ILIRI edhe para misionit apostolik të SHËN PALIT, përplotësohet edhe me makroburime, ku sipas BIBLËS pikërisht ditën e zbritjes së shpirtit shenjt, të Mesisë në JERUZALEM, Partët, fis ILIR i anës MATIT, të cilët bashkë me etni tjera të botës, dëgjuan në gjuhën e vet shpalosjen e veprave të mëdha të PERËNDISË.
    Trashëgimia e lashtë shpirtërore e kulturore prej Ilirëve tek shqiptarët, i dha kishës apostuj, martirë, etër e luftëtarë të mëdhenj kombëtarë, të cilët në vazhdimësi krijuan një literaturë të pasur me përmbajtje të gërshetuar: fetare e kombëtare.

    Autori i vlerave pararendëse nxjerr makrokonstatimin: „ Madje me atë kapital shpirtëror, ILIRËT dhe,më vonë shqiptarët, frymëzuan edhe popujt, vendet dhe qendrat e mëdha të botës (si ROMËN, GJERMANINË, etj), shkruan ose përkthyen veprat bazë për të, sikur është, psh: përkthimi i „ VULGATËS“  nga  SHËN JERONIMI, etj.“ 1

***

    
Nuhi Ismajli
Nuhi Ismajli
Dalja e librit të studiuesit  Nuhi ISMAJLI “ NGA VLERAT E TRADITËS”, përkoi me jubileun e madhërishëm: dymijë vjet krishterimi te shqiptarët, përkatësi mendësisë së përshpirtshme e vlerave të qytetërimit perëndimor. Ato vlera meqenëse lidhnin burimin me vijimësinë, kishin një nënshtresë parakristiane, ngase nëpër kapërcyej të epokave qëndruan të forta, edhe kur u kanosën për zhbërje prej barbarisë, ortodoksisë lindore SLLAVE e OSMANE,  u tëholluan në fije të holla, por kurrë nuk arriti askush t’i zhbinte.

    Kësaj rrjedhe të ngjarjeve të padukshme logjika e gjurmëkërkuesit dhe jona mëtojnë të futen në rrjedh, andaj shtrojnë pyetjen e njësuar: si qe e mundur të mos këputen të gjitha fijet e mendësisë shpirtërore shqiptare, pas gjithë atyre netëve shekullore ortodoksie: bizantine, turke-islame?! Arsyet duhet lypur në ngjizjen e thellë të shpirtërores e të etnisë, që e spikat në latinisht njëri nga humanistët tanë.
    Fjalët e SKENDERBEUT për JEZU KRISHTIN, kryqin, pendesën, besimin dhe shpëtimin, tregojnë se qe vërtet kristian. Fjalët si dhe bisedat për këtë problem tregojnë dijen e tij për të vërtetat themelore të Biblës.
    “Historia na tregon se Kisha Katolike Romane, qe e vetmja kishë në SHQIPËRI në kohën kur jetoi SKENDERBEU. Nuk kish asnjë kishë tjetër. Kisha Ortodokse e Lindjes erdhi në  SHQIPËRI disa shekuj më vonë”.2

MANGËSITË E DIJES

    Libri “NGA VLERAT E TRADITËS” paraqet një riinteresim, riqasje e ndihmesë vlerësimeve të trashëgimisë shpirtërore, letrare – artistike e historike, risaktësim vlerësimesh, jasht klisheve prokrustiane ideologjike e politike. Ndonëse artikujt që e përbëjnë librin, janë shkruar gjatë viteve 1992 deri më 1998, të botuar si artikuj më vete, në fund të të cilëve shënohen datat e viteve të këtij dhjetëvjeçari mohues për ne, pas rimarrjes, renditjes e shtruarjes për ta bërë tërësi: duke lexuar vëmendshëm nuk vërehet asnjë shkëputje, shpërputhje a zbraztësi tematike e metodologjike e lëndës që shtjellohet.
    Që nga shkrimi hyrës e deri tek artikulli, që nuk ma thotë mendja ta quaj përmbyllës, sepse i lë vend lëvrimit të mëtejmë të vlerave shkrimore burimore :  “Frymëzimet dhe porositë biblike të veprave të kohës së Rilindjes”,do të frytnojë ndonjë publikim pasues shterues.
    Edhe artikuj të veçantë e të publikuar ndaras, në këtë vepër sajojnë tërësinë. Gjatë shtjellimit e interpretimit të fakteve fragmentare, idetë artikulohen pa mbingarkesa digresionare, pa ndërlikime labirinteve të pafrytshme teorike, por rrjedhës së qartë sintaksore, zbërthimi i dukurive të shtruara ngre homogjenitet tekstor e konstatime në nivelin e stilit shkencor.
    Duke hetuar mangësitë e historisë sonë letrare, sidomos për mendimin e dokumentimit të vonshëm të letërsisë shqiptare krahasuar me lashtësinë e saj, Nuhi ISMAJLI pasojat e një gjendje të këtillë i sheh te disa faktorë negativë, që e kanë karakterizuar dijen tonë historike – letrare: në mangësitë e qasjes objektive të zbulimit e të ndriçimit të trashëgimisë letrare, mbetur rrënojave të kohës, njohja ende e përciptë e letërsisë së autorëve shqiptarë e shkruar në gjuhë të huaja dhe, nënvizon Nuhi ISMAJLI, mangësia e kërkimeve të gjithanshme të dijes së derisotme të historisë së letërsisë shqiptare.
    Si njëra nga mangësitë për ta dokumentuar hershmërinë e letërsisë shqipe konstatohet, lënia anash e atyre autorëve shqiptarë që shkruan në gjuhë  të tjera, në një kohë kur shkrimet në gjuhën shqipe mbeten të pazbuluara.
     Ndër shkaqet e mosdepërtimit tek rrënjët e letërsisë shqipe, theksohet  edhe mangësia e shqyrtimit teorik, heshtja, mohimi a pranimi shkarazi i veprave të mëhershme, i shkrimeve të para të dokumentuara dhe përqëndrim – pranimin kryesisht të atyre vlerave të vonshme, që paraqiten si fillime të letërsisë sonë kombëtare. Për pasojë të kësaj logjike ende zotëruese në mendimin historik – letrar, sipërshfaqet përfundimi: për një histori të letërsisë, e cila do t’i lidhte fillimet e letërsisë ilire me vijimësinë shqiptare.
    Meqenëse për lashtësinë e veprave të shkruara në ilirishte dhe kulturën gojore të saj, ka supozime të kapshme, këtu, sugjerohet të njihet gjithçka ka qenë krijimtari e shkruar ilire në gjuhët greqisht e latinisht, që ishin gjuhë të kulturës së përgjithshme.
    Në botën kulturore të qytetërimit grek e romak, posaçërisht në kulturën e shkrimit latinisht, shkrijnë dijet, intelektin, prirjet, bëmat e sublimën shpirtërore, njerëzore dhe tërë superstrukturën qytetëruese, artistike, botëvështrimin e strategjinë ushtarake e politike figura si: KLEOSTENI, PIRROJA, KUINT ENI, MARK PEKUVI, KORNEL EPIKADI, MEDAUR LUCEN TRAKUAT BASIANA, NIKETË DARDANI i “TE DEUM-it” të famshëm, SHËN JERONIMI, FILONID DYRRAHEMI e tjerë.
    Autorë e personalitete të dijes, poetë e gojtarë, filozofë, arkitektë, ligjërues, astronomë, matematikanë, diplomatë e kronikanë, strategë e humanistë, si: MIKEL MARULI, MARTIN SEGONI nga ARGJENTINA përkatësisht ARTANA (ish NOVO BËRDA), ALEKS TARKETA, GJERGJ MERULA, PAL ENGJELLI, GJON GAZULLI të gjithë, secili në një fushë a në fusha të shumta, i paraprijnë shkrimkronikanit të pakapërcyeshëm të shekullit 15, veprës “RRETHIMI I SHKODRËS”, e konsideruar si vepra nga më të hershmet e letërsisë shqipe e MARIN BARLETIT, për të cilën supozohet se është botuar mes viteve 1501-1504. Ndërsa, vetëm katër dekada më parë ishte “QARKORJA e PAL ENGJËLLIT, arqipeshkv i DURRËSIT e këshilltar i SKENDERBEUT. “QARKORJA” përmbanë frazën letrare shqipe, deri tash dëshminë më të hershme të dokumentimit të shqipes së shkruar.
     Nuhi ISMAJLI në qasjet e tij ngulmon që dija jonë historike shqiptare e teoria letrare për trashigiminë ilire dhe praninë e saj në mesjetë, duhet të kalojë nga supozime të rrëshqitshme në pohime stabile.
    Këto konstatime e pohime studiuesit ia përtrollis mesjeta, mbetjet materiale, siç është “KODIKU I ARTË” (CODEX ARENS), “dorëshkrimi në pergamenë me shkronja të arta”, “një nga dy kodikët e vetëm mesjetar që ruhen sot në botë e që i takojnë kulturës shqiptare”3
    
***
    
Artikulli “Polemika më e hershme në literaturën shqiptare”(1460), është vjelur nga thesari i letërkëmbimit, ndërsa autori këtë thesar e çmon si “të pasur, mjaft të vlefshëm dhe tejet interesant”, të kryeheroit GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT.
                                
Është kjo letër nga më të përmendurat deri më tash nga studiuesit, letra dërguar princit të TARANTOS, më 30.10.1460.
    Vlera e kësaj letre është e shumëfishtë:
    “ Por letra e GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT shkruar dhe dërguar princit të Tarantos, JOAN ANTONIT, më 30.10.1460, është me rëndësi edhe për faktin se, tash për tash, është shembulli më i vjetër i polemikës në literaturën shqiptare”4
    Përmes asaj letre lexuesi sheh dhe përplotëson përfytyrimet edhe të një ane, në aspektin intelektual të përplotësisë së madhështisë së GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT. Pos trimërisë dhe strategjisë luftarake, kryeprisi është i paisur edhe me shkathtësinë e gojëtarisë, madje me të shprehurit polemik rrënues për kundërshtarin, duke përdorur satirën krahas shpatës, si mjetin më të fortë intelektual, një satirë e përforcuar dhe e realizuar sipas parimit të shkallëzimit.
    Karakteristike për polemikën e GJERGJ KASTRIOTIT-SKENDERBEUT, e cila i paraprinë kulturës sonë polemike, pos tonit satirik, intonacioni i shprehjes së tij veshet edhe me ironi, sikur e përmbledh fjalia me një intonacion të dendur ironik:
    “Ndryshojnë zakonet e familjeve dhe bujqit bëhen mbretër e mbretërit bujq dhe as që zgjat më tepër fisnikëria nga virtityti”.

BIBLA DHE SHQIPJA

  Studimi “FRYMËZIME BIBLIKE TË SHKRIMIT TË HERSHËM SHQIP”
përmes nëntitujve: Ndikimi i literaturës biblike, Idetë biblike për FJALËN, Pikëpamjet biblike për gjuhët, a) Pikëpamjet biblike për gjuhët e njohura (kombëtare), b) Pikëpamjet biblike për gjuhët e panjohura, Disa frymëzime të tjera biblike të shkrimit të hershëm të dokumentuar shqip, Veprat kushtimore, Frymëzimet biblike të shkrimit të hershëm të dokumentuar shqip dhe kërkesat e rrethanave të kohës, në njëzeteshtatë faqe shtjellohet thelbi që është përbërësi i tharmit shpirtëror, me çka është brumosur, gatuar dhe ushqyer shpirti i barinjve të perëndisë dhe etnisë.

Studiuesi, Nuhi ISMAJLI në këtë studim shquhet për depërtime të gjithanshme, të shtruarjes e kapjes për zbërthim me bindshmëri e saktësi argumentuese të frymëzimeve, ideve, pikëpamjeve, mësimeve, parimeve e porosive biblike, ngërthimit e ngjizjes së jetësores e kombëtares me hyjnoren të autorëve të vjetër të dokumentuar shqiptarë.
    Autorët e vjetër përkitazi botës biblike, shembëllyeshëm BIBLËS përngjasohen me idetë, mësimet, parimet e porositë biblike dhe ato reflektojnë në bëmat e shkrimet e pleksura me përjetësinë hyjnore e dhuntinë e botës jetësore të njeriut, në funksion të PERËNDISË,  të njerëzores e të kombëtares.
    Studimi spikat pikëpamjen hyjnore për fjalën. FJALA identifikohet e njëzohet me PERENDINË, DRITËN dhe JETËN, andaj :

                “Në fillim ishte Fjala                            
                E fjala ishte në Hyjin
                E fjala ishte Hyj
                Kjo ishte në fillim në Hyjin
                Prej Saj u bë çdo gjë
                E pa të nuk u bë asgjë”
                E çdo gjë që u bë,
                e pati në Të jetën
                E Jeta është drita e njerëzve”    
                                (Gjn 1,  1-4)

    Ngaqë, fjala është dhunti madhore me të cilën e stolisi PERENDIA njeriun, gjithnjë në atë frymë “autorët e vjetër të shkrimit të shqipes, qenë të edukuar me ndjenjën e dashurisë hyjnore për gjuhën kombëtare”5
    Fjala si njësia qelizore e gjuhës dhe rrjedhimisht gjuha shqipe ngritët në kult adhurimi te GJON BUZUKU, PJETËR BUDI, LEKË MATRANGA, FRANG BARDHI, PJETËR BOGDANI... Duke vijuar në periudhën e RILINDJES KOMBËTARE, te NAIM FRASHËRI, GURAKUQI... Te moderniteti shqiptar:  FISHTA, PORADECI e tjerë.
    Gatuesit e shqipes edhe para sigurimit të BIBLËS  në gjuhën shqipe, por sidomos pas ligjërimit shqip të Librit të Shenjt, qoftë drejtpërsëdrejti, qoftë tërthorazi volën idetë, mësimet parimet, porositë e vlerat për prejardhjen hyjnore të gjuhëve, për barazinë e tyre, për dashurinë ndaj gjuhës kombëtare, papajtueshmërinë për mbizotërimin e gjuhëve të huaja, deri tek ato urti, këshilla, porosi e parime më të përgjithshme biblike: përmbushëse të misionit priftëror, përhapëse vlerash edukative, shporrjen e të së keqës në njeriun, shërbesën së mirës dhe përtrollisjen e këtyre jetës e   mjedisit të caktuar jetësor, rrethanave qytetëruese.

PASQYRIMI I MENDËSISË BIBLIKE

    Prania dhe pasqyrimi i mendësisë biblike, vijoi të ruhet në nënshtresëzat e vetëdijes së brezave, herë e modifikuar, herë e hapur, hiç instalimin e imponuar të totalitarizmit në SHQIPËRI për gjysmë shekulli.
    Figura engjëjsh, përfytyrime apostujsh e martirësh, sinonime të JEZUIT, copëza urtish, barinj të vetmuar të grigjës njerëzore, mëkatarë, tempuj të besimit, priftërinj e djaj, maksima udhërrëfyese, lutje ikonave, idhuj, kumbime kambanash, pendestarë, shërbesa, murgesha, mesha, përdëllesa e shëmbëllesa të tilla, i hasim në shkrimtarinë shqipe e kujtesën shqiptare.
    Edhe në letërsinë e moderinitetit shkrimor, në trajta, forma a në akëcilën mënyrë shfaqen, për t’u funksionalizuar galeria e personazheve e figurave, e ngërthyer në arsenalin me prejardhje biblike, por edhe i përmasave tejbiblike, mitike, relikte pagane dhe depërtime të mendësisë KURANORE të islamit. Ajo prani plekset në konotacione të ndryshme në prozën e MIGJENIT, MARTIN CAMAJT, ANTON PASHKUT, REXHEP QOSJES, BEQIR MUSLIUT, TEKI DERVISHIT, e tjerë.
    Sa për ilustrim: një figurë e tillë mendësie del, madje si titull libri, i prozatorit bashkëkohor ANTON PASHKU “LUTJET E MBRËMJES” (1978), liriku i hollë AZEM SHKRELI  një vëllim të tërë poetik e ka me togfjalëshin metaforik “NGA BIBLA E HESHTJES”.
    Shkrimet e hershme dhe veprat e dokumentuara shqipe, të shihen si vashdimësi rrethanash të brendshme, poashtu edhe ndikimet kulturore, ideologjike e politike si zhvillime të natyrshme e, assesi si imponime të jashtme.
    Shtruarja, shtjellimi e zbërthimi i ngërthimeve të elementeve, aspekteve e tipareve biblike në njerën anë, ndërgjegjësimi për statusin kombëtar e rrethanat vendore, për gjuhën kombëtare e “naltimin” kulturor të etnikumit shqiptar në anën tjetër, shpien në një përfundim mbresëlënës.
    Studiuesi i ka në dorë: dendësinë analitike dhe qartësinë sintetike të argumenteve.
    Anijen e pasionit të tij e shtyjnë drejt caqeve çaste të veçanta, jo të rëndomta, të shkrimfrymëzimit.
    Këmbëngultësia e autorit të veprës, “NGA VLERAT E TRADITËS”, jo vetëm për t’iu qasur, por edhe për të saktësuar, ose për të nxitur përqëndrimin e vëmendjes për studime të periudhës së rrënjve, formimit e rritjes së trungut tonë shpirtëror e etnik, është e pahezitueshme.

KURESHTJA PËR NJË PARAMESHAR

    Diskursi i këtij autori kap edhe aspekte qenësore rreth e në strukturën e monumentit të letërsisë së vjetër shqipe “MESHARIT” të GJON BUZUKUT.
    Tashmë dihet për vlerat e ngërthyera në “MESHAR”, por kureshtja për një MESHAR shumë më të lashtë, i shpuri një varg dijetarësh shqiptarë e të huaj, të thithin pluhurin e kureshtjes bibliotekave e arkivave të ROMËS, VATIKANIT, VJENËS, VENEDIKUT, PARIZIT, LONDRËS e gjetiu, me vite të tëra, kush më shumë e kush më pak: JUSTIN RROTA, K.PETROTA, SIMON FILIPAJ, EQREM QABEJ, NORBERT JOKLI, MAHIR DOMI, MARIO ROK, SELMAN RIZA,     MARTIN CAMAJ, IDRIZ AJETI, FIDLERI, KOLË ASHTA, NAMIK RESULI, STEFAN ÇAPALIKU, ENGJËLL SEDAJ, REXHEP ISMAJLI e tjerë, dhe, gjithsesi këtij vargu iu shtua edhe NUHI ISMAJLI.
    Në shkrimin dokumentar ”ZBULIMI I VEPRËS “MESHARI” TË GJON BUZUKUT”, mëtohet aktualizimi i intersimit për rigjetje, risaktësime e plotësime të dijes për “MESHARIN”
    Në këtë pikëpamje është me interes e dhëna për tri zbulime të “MESHARIT”. Zbulimin e parë të veprës ”MESHARI” e bëri arqipeshkvi i TIVARIT MARIN BICI, rizbulimin ose zbulimin e dytë e kishte bërë studenti nga GJAKOVA GJON N. KAZAZI, ndërsa heshtjen dyqindtvjeçare për “MESHARIN” e theu peshkopi arbëresh, PAL SKIROI,  i cili kopjen e vetme të kësaj vepre themelore, sërishmi e rigjeti në Bibliotekën e VATIKANIT, më 1910.

IDEJA MBIDIALEKTORE E “MESHARIT”

    “VLERA HISTORIKE – LETRARE E VEPRES “MESHARI” TË GJON BUZUKUT”, njohurive të derisotme për vlerën historike-letrare, shpirtërore, kulturore e të figuracionit poetik, i kapen e vijëzohen shmangiet nga teksti i përkthyer, duke shquar çështje të përmbajtjes, të  stilit, të strukturës morfologjike, mozaikët e kompozicionit ndërtimet e ideve të reja dhe origjinaliteti.
    Në “MESHAR” ngërthehet bashkimi e sintetizimi i letërisë, filozofisë, fesë e politikës me ideologjinë kombëtare. Vlershmëria ë “MESHARIT” për historinë e letërsisë qëndron edhe në shembujt e hershëm të llojeve letrare, madje edhe shkencore. Tekstet e përkthyera përfaqësojnë, ndoshta si një enciklopedi e parë, ide të shumëllojshme filozofike për njeriun e shoqërinë njerëzore, për familjen e shtetin.

    Në “LLOJET LETRARE NE VEPRËN “MESHARI” TË GJON BUZUKUT”, shquhet pedantëria nënvizuese e shumësisë së llojeve letrare, të veprave të ndryshme që nga historia e apostujve, epistolari, (psalmet) poezitë biblike, letërsia profetike, apokaliptike, përralla, alegoria, tregimi, llojet e krijimeve mësimore a didaktike, ditari, kronologjia, shkrimi polemik, llojet poetike si: himni, lutja, falënderimi, poezia atdhetare, poezia mendimtare, e dashurisë, poema, etj. Librat, letrat tërë gama e llojshmërisë, e shumësisë tematike, motivore stilistikore-poetike arrijnë përmasat e një bote enciklopedike.
    Për secilin kapitull, për secilin lloj, ISMAJLI bëri një lexim të veçantë për mbamendje të lexuesit. Përmes regjistrave e shifrave, të kapitujve, faqeve të akëcilit lloj a përmbajtje letrare-profetike, të urtive, apokaliptike, të akëcilës temë, motiv a gjini, himne, lutje individuale e të bashkësisë, vajtime, falënderime e tjera, për të sajuar kështu një skedar gjithpërfshirës për enciklopedinë e “MESHARIT”.
    Ai përdori depërtimet e dijetarëve të përkushtuar si: QABEJ, SIMON FILIPAJ, DHIMTËR S. SHUTERIQI etj, po edhe burime kishtare, si ato të GASPËR GJINIT, nga IPESHKVIA SHKUP-PRIZREN, me çka qasja e tij dukurive të këtilla të përziera, i jep edhe një çelës dijes sonë.
    Dimenzionet e “MESHARIT” shtrihen e pasqyrojnë vlera tejkohës e hapësirës së tij. Nënvizimi i pohimit të një gjuhe mbidialektore, që tek BUZUKU mori rol e karakter prijatar, pra, ideja për njësimin e gjuhës shqipe, do të spikatet pikërisht nga bazamenti i saj, ”MESHARI”, nga i cili pas pesë shekujsh  do të ngritet njësimi e standardizimi i gjuhës letrare kombëtare në përkim të parimit: një komb, një gjuhë letrare.

DENDËSI ANALITIKE QARTËSI SINTETIKE

    Qasja studiuese me frymëzim për vjelje të thesarit dituror të një tradite specifike, në studimin e ngjeshur me të dhëna për veprën “MESHARI”, si dhe “FRYMËZIME BIBLIKE” TË SHKRIMIT TË HERSHËM SHQIP”, Nuhi ISMAJLI nuk ndjehet inferior e periferik. Ai ia del të zgjedh atë çka është më thelbësore, më e qenësishme, më funksionale, më e domosdoshme, më e qëndrueshme, më e frytshme e gjithsesi mënyra e tillë e shkrimshtruarjes e shpie në përgjithësime gjithëpërfshirëse, në përfundime e reflekse të një natyre  diskurzive, me arritje përkufizuese e sintetizuese, me një përgatitje teorike-letrare profesionale e intelektuale, me invencë e kulturë, që ka për të zgjuar kërshërinë e  lexuesve e të studiuesve.

1. NUHI ISMAJLI “NGA VLERAT E TRADITËS” RILINDJA, PRISHTINE, 2000 

2. DHIMITËR FRANGU “ KOMENTAR I LUFTRAVE TË TURQVE KUNDËR SKENDERBEUT”
Përktheu nga anglishtja HYSEN HIDRI, “GLOBUS R” TIRANË,2000

3. Nuhi ISMAJLI “NGA VLERAT E TRADITËS”

4.RILINDJA, PRISHTINË,2000, f.22
. Po aty f.26, 

5. Po aty f.36 


(Vota: 23 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora