Speciale
At Zef Pllumi: Parathanje e Lahutës së Malcis
E hene, 28.09.2009, 09:00 PM
PARATHANJE E LAHUTËS SË MALCIS
Për botimin Jubilar të 100-vjetorit, 1905-2005
Nga At Zef Pllumi
Pak histori kombtare
Fillimi i shekulllit njizetë.
Si gjindej Shqipnia në atë kohë? Në kulmin e mjerimit. Jo vetëm qi nuk kishte zhvillim ekonomik e kultural, por në shumicën e popullsisë nuk dukeshin kurrkund as ndjenjat e natyrshme njerzore të lirisë, barazisë e ato kombëtare. Gjumi letargjik i injorancës ma të mbrapametun e nënshtrimi shekullor ndaj robnisë e kishin marrakotë krejtësisht kët vend e kët popull. Tempujt e bukurisë kombëtare e europjane ishin rrafshue per tokë ashtu si edhe kishin dalë nga kujtesa luftat heroike legjendare që dikur ishin zhvillue për mbrojtjen e lirisë e të nderit kombëtar e të kulturës së lashtë. Pushtuesit e huej kishin synue që me anën e ndrrimit të bindjeve e të ndërgjegjes ta shndrronte kët popull jo vetëm në një rob të thjes1.të, por f'1Q tepër në nji shërbtuer besnik, e përkrahës të zellshëm në shtypjen e lirisë së popujve të tjerë.
Për t'i shpëtue robnisë pjesa mâ e kamun e ktij populli kishte ikë , strukë atje ku mund të ruente traditat. Ndërkaq nji pakicë e vogël, kalue ndër male shqiptare, e vazhdoi luftën me pushtuesit për jetë a vdekje. Pionierët e kësaj qendrese kjen kryesisht klerikët katolikë që nëpërmjet fesë mendonin me shpëtue kombin e gjuhën e tij, si tipari kryesor, doket e traditat e lirisë. Edhe sot mbeten emnat e ktyne pionerëve: Buzuku, Matranga, Budi,Bardhi, Bogdani, Kazazi, etj. etj., të cilët me anë të ndërgjegjes fetare dhe të kultivimit të saj, që në atë kohë ishte ma emocionale se ndjenja komëtare, menduen me shpëtue jo vetëm lirinë, por edhe dashuninë për kët tokë. e për kët popull.
Me kalimin e kohëve, atje në Europë, tashma të largët për ne, u zhvillue përveç ndërgjegjes fetare edhe nji ide e re: Iluminizmi, ose i quejtun ndryshe ndërgjegja e mendimit të lirë. Iluminizmi - besimi i mendimit të lirë, pothuej u shpall si fe e re. Ky besim i ri nuk kishte si të mos ndezej në gjinin e nji populli të shtypun në robni. Dikund atje i strukun ndër malet e largëta të Vithkuqit shpërtheu "fenomeni Voskopojar". Nji aleancë e ngushtë me shokun e vuejtjeve, popullsinë Vllahe, populli shqiptar krijoi mrekullinë e re me themelimin e qytetit të Voskopojes, qendra e iluminizmit shqiptar. E qëllimi kryesor kje: mendimi i lirë i 'mbrujtun përmes kulturës. Mendimi i lirë do të çonte pa tjetër ne veprime të lira. AkadeMia e Voskopojës nuk kje nji çfaqje e huej, por thJeshtë kombëtare. Ajo jo vetëm që vuni përpjekje me qandra të Europës perendimore, por mendonte me e shtri kulturën edhe në vise të tjera të Shqipnisë, sepse besonte se vetëm 'kultura mund të sillte lirinë. Atje u kultivuen talentet shqiptare në shkencë, letërsi e arte, gjurmët e të cilave, për fat të mirë, kan teprue gjithnji atje.
Mjerisht nuk do të vononte që drita e mendimit të lirë, e iluminizmit kombëtar, të vriste sytë e pushtuesit që përfaqësonte errsinën dhe injorancën. Ky tue shfrytëzue forcat e fanatizmit atavik e shkatrroi me zjarm e shpatë qandrën e kulturës së re shqiptare. E gjithçka u shue. Errsina marrakoti përsëri kombin që nuk piptinte ma as ndër malet e Verit as të Jugut.
Nga rrenojat e kulturës Voskopojare kishte teprue nji fëmijë i vogël, por që kur u rrit i lëshoi kombit nji kushtrim për bashkim, kulturë e liri. Ky kje shqiptari i madh Naum Vithkuqari ose i njoftun Veqilharxhi. Megjithëse historiografia shqiptare nuk e ka fare në rabush un mendoj se ky kje burizani e përçuesi i vetëm i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare në atë kohë, titan ndërlidhës mes territ toksor e qiellit të ndritun.
Kushtrimi i tij nuk ra në vesh të shurdhët. Mirë e ndigjuen edhe disa beglerë shqiptarë, të cilët dikur e kishin kuptue se njerzimi nuk mund sundohej gjithmonë vetëm me anë të dhunës xhahile, por duhej të kishte vend mâ tepër arsyeja e ditunia që fitohej me ânë të shkollës, fakt ky i sprovuem ndër Bushatlitë e Shkodrës kur sundimin e patën në dorë Mehmeti e i biri Mahmudi. Ky mësim u përvetësue (ndërgjegjësue) te Dinollarët e Çamërisë, Vlorajt, Frashërlijt e Përmetit, bejlerët e Konicës etj. Në rrjedhën e iluminizmit shqiptar u shfaqen edhe shanse te reja: Bektashizmi shqiptar, Arbreshët e Italisë dhe Arvanitasit e Greqisë. Kështu gjindemi para nji praku historik gjithë shqiptar ku, në qandrën historike të rezistencës shqiptare, në kurrfarë mënyre nuk përjashtohej Kleri Katolik Shqiptar. Kto rryma të ndryshme të gjitha vepruen për të njatin qëllim: Lirinë e Shqipnisë.
Që nga ajo ditë që urditë turke u thyen në rrethimin e Vjenës, kryesisht falë forcave polake, Perandoria Osmane filloi teposhten e vet të pashmangshme. Ma vonë revolucioni francez pruni nji ndryshim të madh jo vetëm në politikë, por në të gjithë mendimin kulturor. Gjatë perjudhës së perandorit ilegjitim Napoleon Bonapartit, idetë e besimet e revolucionit francez, jo vetëm që ishin të pranishme, por dhe u përhapën gjithkund e u banë agresive.
Përveç filozofisë, nga shoqënitë e mshefta e sekrete të quejtuna "inasonike", lindën edhe dy rryma të reja agresive: nacionalizmi e internacionalizmi. Kto rryma të reja dashtë e padashtë hyne aso kohe edhe në Perandori në e madhe Osmane .. Sa për internacionalizmin Perandoria nuk çante kryet fare, sepse ajo vetë; e mbështetun në ligjet Kuranike, ishte internacionale, shumkombshe, por ajo e nacionalizmit zgjoi ndjenjat kombëtare, së pari të grekëve, e mandej të rumunëve e të sllavëve. Luftat e vazhdueshme të Perandorisë së madhe ruse kundra Turkisë, tue ia fillue që nga Kaukazi e në Krime, kishin shkaktue shum humbje territoresh osmane edhe ndër vendet krejt islamike të Kaukazit! Gjithashtu, në luftat heroike të grekëve për pamvaresi kjenë edhe forcat vullnetare ruse të drejtueme nga gjeneral Ypsilanti si edhe arvanitasit e Greqisë.
Në vazhdim të kësaj politike ruse u hap fronti ballkanik, ku në përgjithsi elementi fetar i krishtenë kishte prioritet. Në luftën ruso-turke të vitit 1876 ku popujt ballkanikë kristjanë duelën fitimtarë, u gjetën para nji gjendje konfliktuale. Epoka historike postnapoleoniane karakterizohej nga dishiri i të gjitha fuqive europjane për t'u ba fuqi koloniale ose ma saktë dishiri për të shfrytëzue të gjitha ato vende ku ende nuk njihej ndjenja nacionale. Dishiret e pangopshme kapitaliste kërkonin burime të reja fitimi e shfrytzimi. Kjo ishte tendencë e përgjithtë, prandej politikani i madh gjerman Bismarku thirri Kongresin e Berlinit. Ktu u hapën kjartas hartat gjeografike të dishireve:
Rusia dhe kombet ballkanike ishin fitimtarët, por u vunë në pah edhe dishiret e Perandorisë AustroHungare si edhe ato të Italisë; Franca e Anglia paraqiteshin si aleatë të Turkisë ose së paku si dashamirë. Gjatë Kongresit te Berlinit për te parën herë u përfaqësue popullli shqiptar në personin e Abdyl Bej Frasherit, aso kohe deputet në mishlizin ose parlamentar turk. Ai shkoi në atë Kongres si përfaqësues i Lidhjes së Shqiptarëve të Prizrenit.
Praktikisht kjo Lidhje kje e para mbledhje e gjithë shqiptarëve pa dallim feje e krahinash dhe nacionalizmi shqiptar filloi jetën e vet aktive ndër të gjitha nivelet, sepse muer pjesë i gjithë islamizmi shqiptar.
Në historinë kombëtare të popullit shqiptar mund të thomi se pishtari i dritës e i lirisë kaloi dorë në dorë gjatë shekujsh në kët mënyrë: Kleri Katolik Shqiptar, Arbëreshët e Italisë, Voskopoja shqiptare, Arvanitët grekë që dhanë kontributin e madh me Marko Boçarin e së fundi me Anastaz Kulluriotin, tue ia dorëzue stafetën beglerëve shqiptarë me përfaqësuesit e mdhaj Bushatlijët si dhe Dinollarët e Çamërisë, e së fundi me Frashërlijt të cilët i dhanë drejtimin kombëtar që ndrydhej në zemër edhe gjithë bektashizmit shqiptar derikah gjysa e fundit e shekullit të nantëmdhetë.
Mjerisht duhet të thomi se të gjitha kto rryma kombëtare të popullit shqiptar nuk kishin kurrfarë lidhje me njana-tjctrën, por vepronin tepër të përçame.
Mbas vdekjes së Naim Frashërit, stafeta i kaloi ma tepër Faik Konicës e Gjergj Fishtës, të cilët menduen kryesisht për të bâ bashkimin e të gjith popullit shqiptar. Sigurisht që kjo barrë do të ishte tepër e randë edhe sot mbas nji shekulli e jo ma në fillim të shekullit të kaluem.
Megjithkta Fishta e ka shkri të gjithë talentin e tij, jo vetëm si letrar, por edhe ndër fusha të tjera të mendimit, kulturës e politikës për kët qëllim. Për ta vertetue kët mjafton vetëm nji fakt historik i jetës së Fishtës të cilin e kam ndigjue vetë nga goja e tij:
"U mblodhëm të gjithë njerëzit ma të ditun të Shqipnisë në Manastir për me caktue alfabetin me të cilin duhej shkrue gjuha jonë, sepse në atë kohë ajo shkruhej në afër dhetë mënyrash. Krytari i Kongresit u caktue Mit'hat Bej Frashëri, mbasi baba i tij, Abdyli, kishte ndezë Lidhjen e Prizrenit. Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguem me të vertetë shqiptarë sepse kurrjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërdahej pa marrë kurrnji vendim. U tërbova nga inati. U çova në kambë e u fola:
- O burra shqyptarë po a me të vertetë do t'i lamë marre vedit para të gjithë botës? Po a mendoni ndopak se çka do t'u thomi shqyptarëve kur të na pëvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir? Çka do t'u tfromi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue? Na jemi që mendojmë me bâ Shqypninë e si do ta bâjmë ate kur na nuk duem me u marrë vesht ndermjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I? Burra po u flas me zemër në dorë se âsht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona. Por ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shum në kët vend, mos ta lamë duer bosh popullin që na pret!...
Aferim! P. Gjergj!... Aferim të kjoftë, - bërtiti me të madhe një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e erdh drejt te un, më puthi në ballë e më tha: Kështu flet shqiptari që e di që âsht shqiptar!...
Ulnju burra, - u tha, - ulnju këtu me Pater Gjergj Fishten e vetëm komisioni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot për të mirën e popullit shqiptar nesër!. ..
Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të ishte tregue toleranca e erne që të pranojshim dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit'hat Frashëri dhe kët që u vendos.
Kjo sjellje e emja në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shtrejt në jetë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në ate Kongres m'u idhnue e kur u ktheva më tha: Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë!... Por Shqypnija nuk mund të bahej ndryshe ... "
Poeti dhe Poema
Poeti që në moshën fëminore hyni në Kolegjin Françeskan të Troshanit që aso kohe drejtohej nga arbëreshi italian At Leonnard De Martino, atdhetar, njeri i letrave e kulturës, plot aktivitet shoqnor. Nën drejtimin e tij Fishta, aso kohe Zefi i vogël, muer mësimet e para në gjuhët italiane, latine, greke antike . si edhe edukatën e parë fetare e atdhetare. Studimet e mesme i vazhdoi në Bosnje, që aso kohe ishte nën proteksionin austro-hungar.
Përveç pak kolegësh shqiptarë ai studioi Filozofinë e Teologjinë me shokët e vet boshnjakë. Thohej se ndër të gjithë dallohej për talent të veçantë. Aty u njof t edhe me gjuhët gjermane, franceze e sllave. Përmes përkthimesh njofti dhe letërsinë angleze. Ndëkaq nuk i harroi, por i vlerësoi edhe kangët gojore shqiptare, deri aso kohe të pambledhuna. Atje filloi, në gjuhë të huej, edhe poezitë e para. Udhëheqësi i tij në letërsi kje nji ndër poetët e njoftun të serbo-kroatishtes. Kështu ai kishte nji kulturë tepër të haptë në letërsinë botnore. Pëlqente klasikët e mdhaj të letërsive greke e latine e ndoshta mendonte të kishte si model poetin latin Horacin, lirik e satirik. Ai shkroi shum satira që qarkullonin dorë më dorë në përdorim të mbrendshëm, por filloi me botue dhe shum satira politike, kryesisht në revistën "Albania" të Faik Konicës, nën pseudonimet Costigat ridento, Fushk në dushk, etj. etj. të cilat kan shum përgjamje të satirikut italian Giuseppe Parini, gjithashtu po me atë revistë provoi të shkruej kângë trimënie nën pseudonimin "e Popullit".
Në vjetën 1903, ndërsa ishte emnue drejtor i "Shkollës Françeskane" dhe vuni si gjuhë mësimi ndër të gjitha landët gjuhën shqipe, gjatë pushimeve verore shkoi në Hot për me zavendësue famullitarin. Aty u njof t shpirtnisht e personalisht me malsorët. Mendoi me shkrue nji kângë baritore si bukoliket e Virgjilit, të këtij poetit të madh latin e në gjasim të eklogës së parë e cila fillon kështu:
Virgjili
Tityre, tu patulae recubans sub tegmine fagi
Silvestrem tenui, Musam meditaris avena;
Nos patriae finis et duleia linquimus avarva.
Nospatriam fugimus; tu, Tityre, lentus in umubra ...
Fishta e filloi kângen e Marash Ucit:
Te nji mriz, te nji lejthi
Kishin ndodhun tre bari
Dy me dhen e nji me dhi
Marash Uei e t'bijt e Calit
Dy djelm t'lehtë si shpezët e malit. (etj .... )
Onomatopeja në mes të ktyne vargjeve, edhe pse në gjuhë të ndryshme ndjehej tepër kjartë.
Fishta e kishte zakon që poezitë e veta t'ua dërgonte kolegëve, miqve të vet, për t'i dhanë mendimin. Kjo kângë u pëlqeu të gjithëve pa përjashtim, të cilët jo vetëm e përgëzuen, por i kërkuen që kët kângë ta vazhdojë, madje i kërkuen që të shkruente nji vepër që të përfaqsonte "Epikën Shqiptare". Edhe Faik Konica i shkruente kështu: "Sikur të gjitha poezitë e shqipes të shkruheshin me kët tonalitet, me kët energji, letërsia e shqipes do të zinte vend ndër të gjitha letërsitë europjane" ... Edhe Abat Doçi i Mirditës i tha: "Ndigjo Pater Gjergj, populli shqyptar për me u lirue nga robnia shekullore ka nevojë me i nxitë trimninë e të parëve. Shkruej nji epikë, sepse ajo sot i nevojitet popullit shqyptar që kërkon lirinë".
Aso kohe Abat Doçi ishte personaliteti ma i madh i patriotizmit shqiptar. Fishta e adhuronte dhe bante pjesë në grupin e itelektualëve që të organizuem prej tij formuen "Shoqnin Bashkimi", të cilën Asdreni e ka quejtë "Akademia". Fishta iu vu punës që t'ua plotësonte dishirin, dhe kshtu, siç shifet në nji fletë dorëshkrimi të vjetit 1904 me alfabetin e Bashkimit ai shkruen:
LAHUTA E MALCIS
Te Ura e Rrzhanicës
Shqyptar!
Kët kângë vetë e kam shkrue;
Por m 'thuej, çka kam fitue?
Idhnim e t' çame kreje
Me t'ba me dalunfeje! ...
E pra tash kallxon moti
Se a kjesh kangtar i zoti...
Por s'asht per t'u çuditun;
Pse kur mbl dhe t 'pa pritun
Kryekungujt vehen t'parë;
Vaj halli! Per kangtarë ... Ani;
kryekungujt desin;
Por kangët e mija jes in .
Kështu nxjerrim nji farë dyshimi në se Fishta ishte ba pishman për nji ndërmarrje kaq të madhe pa e fillue mirë punën. E kah t'ia fillonte? Ai kishte parasysh pjesën dërmuese të epopeve botnore, të cilat u këndojshin trimnive të nji heroi protagonist legjendar, ndërsa Lahuta e Malcis cilin do të kishte?
Megjithkta ai e vazhdoi punën dhe në krye të vjetit, nën kujdesin e kolegut të tij At Pashko Bardhi, që aso kohe kishte hapë shkollën e Arbëneshve në Zara të Dalmacisë, boton këtu nji librec të vogël, i cili bani nji zhurmë të madhe ndër të gjithë intelektualët shqiptarë. Ai e boti si kângë popullore, sepse aso kohe nji shkrimtar nuk mund të shkruente shqip, prandej u ba libër xhepi që hini tinzë në Shqipni dhe u shpërnda msheftas, dorë më dorë. Ky botim pati si moto vargjet e poetit latin Horac Flakut:
Tyrtaeus mares animos ad
Martia bella Versibus exacuit
Të cilat po t'i përkthej më shqip thonë:
Tyrteu me anë të kangëve të veta
U dha zemër burrave për lufta të vështira
Ky librec pat 48 faqe me pesë kângë: 1. Marash Uci; 2. Besa e lidhun; 3. Kushtrimi; 4. Kasneci.
Poeti në Shqipni pat me të vertetë rolin e Tirteut antik, sepse kangët e ktij libri jo vetëm entuziazmuen njerëzit që dinin me lexue, por ato i xuni permendësh edhe çdo analfabet që filloi me u këndue me lahutë në çdo votër shqiptare.
Me gjithë suksesin e madh që pat, Fishta nuk kje i knaqun. Ai e dinte se malsorët e krishtenë nuk kishin nevojë aq shum. Ai mendoi ma tepër për me ndezë flakë zemrat e popullit shqiptar me shumicë myslimane, prandej, menjiherë pregatiti bIenin e dytë të Lahutës së Malcis me Oso Kukën si hero i Vraninës.
Edhe ky bleni i dytë nëpër kujdes të At Pashko Bardhit, koleg i Fishtës, u botue në Zara të Dalmacisë, në shtypshkronjën e VATALIANIT. D botue në vjetin 1907, pa datë e pa emën.
Msheftas u shpërnda në Shqipni e kolonitë shqiptare. Ky 1ibrec pat 52 faqe i damë në katër kângë: l. Çeta; 2. Cubat; 3. Kuvendi i Cetinës; 4. Deka. Suksesi kje i jashtzakonshëm. Nuk mbet kurrnji shqiptar pa e lexue, pa e xanë përmendsh. Fishta me kët poemë u ba "Poet Kombëtar". Lahuta e Malcis sot e deri tash u ba e të gjithë kombit. Po në atë msheftësi që u shpërnda libri, po ashtu u përhap edhe emni i Fishtës në të gjith popullin shqiptar. Nji vit ma vonë, kur shkoi në Kongresin e Manastirit, ai kishte sigurue besimin e të gjithë shqiptarëve. Edhe pse në kët Kongres disa e shifshin për të parën herë, jo vetëm që e duartrokitën, por e emnuen si Kryetar i Komisjonit për të vendosun alfabetin e shqipes. Fishta nuk ishte gjuhtar, nuk ishte njeri fanatik i kurrnji ideje a shkence.
Ai kërkonte me çdo kusht bashkimin e shqiptarëve. A thue ia doli? ..
Mjerisht jeta e çdo njeriu vjen e rrokulliset si nuk don vetë. Shekulli i njizetët pruni shum të paprituna e të gjitha me shpejtësi marramendëse. Fishta dashtë e padashtë u ba nji ndër faktorët kryesorë në çashtjet shqiptare: Konstitucioni i Turkisë, Xhemjeti, Kryengritja e malsorëve, lufta ballkanike, rrethimi i Shkodrës, pamëvarsia e Shqipnisë e lufta e parë botnore e të gjitha ngjarjet që erdhën me vrull, e detyruan poetin të vozisë në kët vorbull gjigante të njerëzimit. Gjatë kësaj perjudhe të termekshme ai nuk e lëshoi kurr pendën nga dora. Ajo kje arma e vetme e tij për t'i dalë zot popullit të vet shqiptar, kundra çdo anmiku që paraqitej ndër ato vite uraganesh.
Shkroi lirika, drama, publicistikë, satira, si t'ia kërkonte rasti, por ndoshta si duket, a e kishte gjithnji ndër mend Lahutën e Malcis. ... Sigurisht që po. por ... por i kishin dalë shum pengesa në rrugë. Çfarë lidhje historike kishin mes vedit Bleni i parë i Lahutës ose Marash Uci me Oso Kukën e bleni i dytë: Jo, ndërmjet vedit as nuk i lidhte koha as vendi. Ku ta gjente Fishta nji tjetër hero legjendar? Skanderbegu ish nji figurë e provueme nga Naim Frashëri, por pa sukses, sepse gjatë shekujve të robnisë së gjatë shqiptarët e kishin harrue krejtsisht. E pra populli ynë nuk kishte tjetër kohë heroike. Në vjetën 1915 kthei gjithnji atje, shkroi poemin Moisi Golemi, por jo nën emnin e Lahutës së Malcis. Moisi Golemi e Deli Cena paraqitnin skemën ideale të një epopeje shqiptare me protagonist e antagonist. Por çka? ... populli nuk i njifte ma. Prandej e braktisi. Fishta kishte si kritik të vetin vetëm popullin e vet analfabet. Në vjetin 1940, dërsa ishem student në Troshan, Fishta kalonte ditët e veta të mbrame. Gjithë ditën e lume aty jashtë te çezmja, në nji karrige xunkthi, nën hije të pjergullës e të fiqve, mes zadrimorëve të vet analfabetë. Si ju duket? .. Ai e shifte përgjigjen negative, e shifte se popullit nuk i pëlqen. E braktiste punën. Gjithnji tue pasë mendjen te Lahuta e Malcis atij i erdh mendimi gjenial që t'i bashkonte ngjarjet e kohëve të ndryshme, e vendeve të ndryshme me nga nji kângë ndërlidhse. Kshtu, simbas rendit kronologjik vuni në vendin e parë Oso Kukën. Por në të vertetë ndërgjegja e të gjithë shqiptarëve për të mbrojtë tokat e të parëve filloi me Lidhjen e Prizrenit 1878. Kshtu Fishta poet në Lahutën e Malcis ka gjashtë cikle luftash të cilat me nga nji kângë ndërlidhse autori të dërgon ndër kohë e vende të ndryshme. Në botimin përfundimtar të vjetës 1937 kemi kët skemë:
Cikli i Oso Kukës pesë kângë, ose lufta e Vraninës në vjetin 1858. Kanga e gjashtë: Dervish Pasha paraqet nji perj udhë njizet-tridhetë vjeçare luftash turkemalazeze.
Cikli i dytë: Lidhja e Prizrenit (1878) përfshinë katër kângë. Kanga ndërlidhse âsht Lugati ose Kanga e 11të.
Cikli i tretë: Te Ura e Rrzhanicës (1880) që përfshinë që prej Kangës 12-të deri në të 15-tën. Si kângë ndërlidhëse vjen Kanga e 16-të: Kulshedra.
Cikli i katërt: Te ura e Sutjeskës që përfshinë që nga Kanga e 17 -të deri te Kanga e 21-të, nëpër të cilën bahet ndërlidhja me
Cikli i pestë: Tringa që përfshinë që nga Kanga 22të deri te e 25-ta. Kanga e 26-të: Koha e re, ndërlidhë perj udhën e luftave të kohës së Lidhjes së Prizrenit me ato në zhvillim në shekullin e njizetët.
Cikli i gjashtë: Dedë Gjo Luli ose kryengritja e malsorëve në vjetin 1911 e· përfundon me traktatin e Londrës më 1913.
Fishta me gjetjen gjeniale të këtyne katër kangëve ndërlidhse filloi edhe nji herë ripunimin e unifikimin e ktij poemi mjaft të ndërlikuem ndërsa ndër kto katër kângë, si pjesë përbase të poemit epik shqiptar, ai përshkruen jo vetëm nji pjesë të historisë, por ma tepër na jep në dorë mitologjinë e vertetë shqiptare me shtriga e lugetën, dragoj e"kulshedra, orë, zana e shtojzovalle, të bukurat e dheut e me gjithshka tjetër që fantazia e pakufishme e nji populli malsor, të pa rysun nga dijet e shkollave, paraqet e spjegon të gjithp fenomenet të spjegueshme e të paspjegueshme natyrore e mbinatyrore ndër të cilat jeton.
Kur Fishta vendosi me epërpunue krejtësisht poemin e muer që nga fillimi. Si ndër të gjitha poemat klasike ai në fillim bani nji protasis ose hymje poetike të përmbajtjes së luftave që tregohen aty. Ky protasis përfshinë jo ma pak se 270 rreshta të kangës së parë që titnllohet Cubat, marrë nga cikli i aso Kukës. Nga cikli i ktij eposi, botim i vjetës 1907, me atë të vjetës 1937, ndryshimet shifen kryesisht jo në tekstin, po: ndër tituj dhe ndamjen e tekstit.
Si kohë e zhvillimit historik, ajo që paraqitet në protasis, fillon që në vjetën 1834 kur ishte në Mal të Zi Vlladik Petar Njegosh i dytë deri në vjeten 1854. Ndërsa luftat fillojnë në vjetën 1856-1858.
Dervish Pasha ose kanga c gjashtë na paraqet perjudhën e luftave turko-malazeze që nga vjeta 18581876, ose lufta me të cilin u muer Kongresi i Berlinit.
Cikli i dytë: Kuvendi i Berlinit me katër kângë të cilat paraqesin Lidhjen e Prizrenit e vendimin e shqiptarëve për të mbrojtë tokat e veta.
Lugati: âsht kanga ndërlidhse para se të fillojnë frontet e betejave shqiptare. Cikli i tretë i Marash Ucit me të cilin u botue së pari në 1905 Lahuta e Malcis me pesë kângë, ndërsa në botimin e 1937 u hoq kanga e katërt e ktij cikli e u vu kjo në gojën e Lulash Ndreut, si episod i kangës së nandëmdhetët, në faqen 416-495.
Kulshedra âsht kanga ndërlidhse e gjashtëmdhetët. Ktu poeti portretizon dragojt shqiptarë ose nji luftë hipotetike që simbolizon luftën e shqiptarëve me nji pushtues.
Cikli i katërt edhe ky përmban katër kângë, ose ma mirë thomi pesë, sepse me anë të nji episodi të fundit të kangës Ndermjetsia poeti e çvendosë luftën në nji tjetër front ~ufte për të na dërgue te
Cikli i pestë: Tringa me katër kângë me të cilin mbaron edhe periudha e luftave të popullit shqiptar për të mbrojtë tokat e veta (1880).
Koha e re ose kanga e njizetegjashtët që lidhë ngjarjet e shekullit të nandëmdhetë me ato të fillimit të shekullit të njizetët ose luftat deri atëherë të zhvillueme nga shqiptarët për mbrojtjen e tokave të veta nga "shkjau" sllav, ndërsa tash shi ata malsorë e të bijtë e po atyne do të zhvillojnë luftat e tjera për të largue pushtuesin turk.
Mendoj se kjo kângë âsht ajo që italianët e thrrasin "Canto del cigno" ose kanga e mjellmës, sepse ajo para se të mbarojë jetën e vet këndon melodinë ma të bukurën, kështu edhe në kangën Koha e re poeti e ndien vedin të plakun e thotë:
A din shka moj gerxheli.
Mori rrezja nper frangi:
Se mue kripit m'i ra bora,
Se kah m'len âsht kama e dora,
Se edhe as vonë, tham, s'ka me shkue,
N'jetë pertej un pa kalue,
Prej kah s'lanë kend me u kthye dalë ...
Pra ndigjioma ktu nji fjalë:
(rr. 35-42)
Poeti e shef se ka shkue tepër gjatë pa u përfundue poemi i filluem në rini, prandej don të shkrijë edhe nji herë gjithë vrullin poetik për me i dhanë veprës nji përfundim të pritun nga të gjithë shqiptarët e i kërkon Zanës që ta ndihmojë, sepse gjatë shum vjetësh poeti kishte përballue nji jetë tepër të ngërthyeme ndër të gjitha çashtjet jetike të kombit, gjatë të cilave Zana nuk e frymzonte. Në kët kângë e thrret aty në Lezhë, qytet antik i ilirëve me mure çiklopike~ qandër e kujtimeve legjendare të të kaluemes ilire, arbnore e shqiptare, ku ndodhi vdekja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit. Në të vertetë Fishta kishte projektue restaurimin e Kuvendit të vjetër të Françeskanëve; aty kishte rezerv ue nji dhomë për vete që të përfundonte Lahutën e Malcis. Kjo dhomë në të cilën Fishta punoi, mendoj se duhet të shpallet monument kulture e të mbrohet nga kombi.
Po kthej te poemi: Kemi:
Ciklin e gjashtë ose Dedë Gjo Lulin. Në kët cikë përshkruhet lufta e fundit e shqiptarëve për pamëvars dhe përfshin edhe kjo katër kângë të cilat përfundojn( me njohjen e Shqipnisë në arenën ndërkombëtare, nf Konferencën e Londrës 1913.
Poemi dhe realiteti historik
Fishta nuk kishte kurr ndërmend me shkrue nji histori të Shqipnisë as të popullit të saj, por nji poem i cili të paraqiste në mënyrën ma të bukur disa shembuj urtije, trimnije e sakrificash me të cilat mjaft shqiptarë i kishin dhanë hov lëvizjes patrotike edhe në se jo në emën të saj. Po e marrim që nga fillimi.
Oso Kuka. Kush ishte ky hero? Nuk ish tjetër, por vetëm nji mercenar shkodran në shërbim të Turkisë. Ai nuk e kishte aspak ndjenjën e "shqiptarizmës" të shekullit XX, e ndoshta-ndoshta, sikur të ia përmendje atij Shqipninë, nuk e dijmë se çdo të kishte ndodhun. Kët e dinte aq mirë Fishta sa në polemikën që pat me Z. Mehdi Frashërin, emnon shi kët hero. Por aso kohe nuk kqyrej çashtja si sot. aso Kuka kishte nderin e vet personal edhe pse ishte mercenar, kishte edhe nderin e qytetit, ose të krahinës së vet, të llojit, të fisit të vet shqiptar, pamëvarsisht në se ishte nga Shkodra, nga Elbasani, Berati, Vlona e Çamëria, Prishtina a Peja. Në të vertetë aso kohe ndjenja nacionale ndër kto vise ende nuk ishte zhvillue, por ajo ndera individuale dhe e fisit ishin kryesoret. Kaq i mjafton Poetit që ta shpallë "Hero i Kombit". Mendoj se ia duel. Ia duel ndër shum pikpamje. Shqipnia që do të bahej ishte tepër e përçame si ndër krahina ashtu edhe ndër fe ose besime.
Sikurse në lojën kombëtare mos të hinte besim mysliman atëherë Shqipnia nuk do të bahej kurr, sepse të krishtenët, ortodoksë e katolikë, ishin e janë në pakicë. Kjo âsht merita e madhe e Fishtës që synonte bashkimin e të gjithë shqiptarëve, pa dallime feje e as krahinash. Për kët qëllim ai në çetën e Osos të gjithë luftarët i ka të përziem sa myslimanë aq edhe katolikë, deri Prenk Markolën e Mirditës. Fakti âsht i vertetë që ata shqiptarë, pa përjashtim atë ditë u flijuen të gjithë, për nderin e vet personal dhe të fisit. Fisi âsht KOMBI.
Në ciklin e dytë âsht "Lidhja e Prizrenit". Sa lidhje ka "Lahuta e Malcis" me realitetin historik? Pothuej asgja. Në poemin Fishtjan paraqitet sikur Ali Pashë Gucia e Haxhi Zeka të ishin Nismëtarët e Lidhjes së Prizrenit. Ndërsa e verteta historike qëndron shum larg. Nuk ishin as Ali Pashë Gucia as Haxhi Zeka as Abdyl Frashëri. Në të vertetë ishte çami i madh Abedin Pashë Dino, aso kohe Ministër i Punëve të Jashtme të Turkisë, i cili si shqiptar mendonte që mos t'u lëshohej asnji pllamë e tokës së shqiptarëve kombeve të huaja sllave.
Prandej thirri mikun e vet ma besnik, Abdyl Bej Frashërin, aso kohe deputet i Mishlizit në Stambollë, dhe e i ngarkon që të shkonte në ato vise të truellit të shqiptarëve që në bazë të traktatit të Berlinit, do t'u lëshoheshin sllavëve. Abedin Pasha, tue shfrytëzue politikën europjane të kohës që mbështetej mbi "vetvendosjen e popujve" ai, po mbi parimet europjane, i tha Abdyl Bej Frashërit nga Përmeti që të thirrte Lidhjen e Prizrenit që shqiptarët të kërkonin "të drejtat e vetvendosjes. Mjerisht në seancën e saj të parë ajo u emnue "Lidhja e Myslimanëve të Vertetë". Kështu thonë proceverbalet në rasë se duem të shkruejmë historinë e vertetë. Atë kushtrim në emën të Islamizmit nuk e ndigjoi kurrkush në botë. Ndërsa në nji seancë tjetër, në të cilën muer pjesë delegacioni i Shkodrës, Z. Filip Çeka (Suma), në shtëpin e të cilit banonte konsulli anglez në Shkodër, parashtroi kërkesën që ajo të thirrej "Lidhja Shqiptare e Prizrenit". Si përfaqësues i kësaj Lidhje u paraqit në Berlin, Abdyl Frashëri, i cili kërkoi me ngulm të drejtat e shqiptarëve. Bismarku iu përgjegj se "Shqipnia ishte nji nocion gjeografik, ndërsa Kongresi i Berlinit ishte mbledhë për të rregullue sa të ishte e mundun, popujt që luftuen kundra Turkisë, e populli shqiptar nuk kishte zhvillue lufta kundra saj". Abdyli atëherë i përmendi kryengritjet e vazhdueshme të Mirditës edhe aso kohe. Kongresi i Berlinit ia dha në letër autonominë Mirditës, e cila për traditë konsiderohej nën mbrojtjen e Frengjistanit ose të Francës. Ndërkaq zbatimi i neneve të Traktatit të Berlinit iu la Austro-Hungarisë për zbatim e cila nuk u interesue kurr për autonominë e asaj krahine aq të vogël, mbasi mendonte që ajo vetë ta zevendësonte Portën e Naltë mbi viset e Ballkanit. Edhe ktu çami i madh Abedin Dino u përpoq me anë të nji politike të fshehtë familjare që të përçajë fuqitë europjane. Dihet se Dinollarët ishin katër vllazën: nji banonte ndër çifliqet e pamatuna e prodhuese të Çamërisë; tjetri merrej me politikën e naltë të Perandorisë Osmane në Stambollë. Ndërkaq dy vllazent tjerë banonin njani në Paris e tjetri në Romë, nga ku vërenin me kujdes të gjitha ernat që fryj shin në politikën europjane. Kështu, përmes vllaut të vet në Romë i sugjeroi shtetit të ri italian dishirin për të zotnue të dyja brigjet e ngushticës së Otrantos, mbasi ai vetë i njifte mirë edhe qëllimet politike austrohungareze karshi asaj perandorije që kishte mbete tepër mbrapa Europës. Âsht për tu kja se si historiografia shqiptare nuk e xuni kurr në gojë kët familje.
Fishta e paraqet në poem Lidhjen e Prizrenit si të ishte nji bashkim folklorik malsorësh shqiptarë për rasa të jashtëzakonshme, ku kryet e vendit e xen Ali Pashë Gucia e fjalimin kryesor e mban Abdyl Frashëri "me kollçikë e me fistan". Për këtë poeti kje kritikue nga Z. Mehdi Frashëri, por Fishta iu përgjegj flakë për flakë në Hyllin e Dritës tue spjegue se poemi kishte për qëllim jo me tregue të vertetën siç ish, por të vertetën ideale. Ai e dinte mirë se Ali Pashë Gucia ishte nji boshnjak i martuem me nji vashë shqiptare e që komandonte vetëm nji front të caktuem, atë të Gucisë e Plavës ku do të luftonin shqiptarët për trojet e tyne kundra Malit të Zi, e prandej edhe Fishta e vendosë në krye të Lidhjes Shqiptare.
Poemi gjatë ktij cikli nuk ka asnji aksion luftarak, përveç vrasjes së Mehmet Ali Pashës në Gjakovë. Në pamje të parë duket sikur kemi të bajmë me nji episod të zakonshëm të shqiptarëve që grinden midis vedit për çdo çashtje. Jo nuk âsht puna aty: âsht aksioni i parë që merrej drejt për së drejti karshi Portës së Naltë ose kundra vendimeve të vetë Sulltanit-Kalif. Në.të vertetë Mehmet Ali Pasha nuk ishte turk me origjinë, por nji ekspert i naltë ushtarak austro-hungarez, që kishte shkue me modernizue ushtrinë turke në Stambollë. Gjatë kësaj kohe ishte islamizue dhe kish marrë emnin Mehmet Ali, ndërsa populli e thrriste "Mehmet Pashë Maxharri". Gjatë luftës të vjetit 1876 kje kolaudue zotsija e tij edhe në reformat ushtarake. Kje edhe nji ndër pjestarët kryesor të delegacionit turk gjatë Kongresit të Berlinit, për mos me thanë kryesori, mbasi Porta e Naltë, nga ana e vet, e caktoi si përfaqësues ne zbatimin e neneve të Traktatit të Berlinit. Prandej zemrimi i shqiptarëve kundër sjelljeve të tija paraqitet si të ishte kundra babës-mbret.
Mendohej nga të vjetrit se tanë atë çorbë ia pregatiti Abedin Pashë Dino.
Në ciklin e tretë: Te Ura e Rrzhanicës pothuej heroi kryesor na çfaqet Marash Uci. Në fakt ky ishte nji burrë malesh i njoftun për urti, por ndërkaq ishte edhe korrjer i konsullatës austriake në Shkodër për malsorët e Malsisë së Madhe. Ky fakt vertetohet po aty në poem: shif kangën XII, rr. 146 deri 158:
Kam kenë n'Shkoder, mbram kam ardhë,
Ke qaj miku faqe-bardhë,
etj.
Ai miku faqe-bardhë ishte kryekonsulli austriak. Gjithashtu në kangën që vazhdon, atë të XIII, Te Kisha e Shnjonit diku andej nga mbarimi, pikërisht ndër rreshtat 255 e kryesisht: rr. 263 thotë:
E atij mikut, iu ngjatët jeta!
Thuej t'a qesë nji shkrolë n' gazeta
............................... deri në rr. 274.
Pra duhet t'i kuptojmë mirë se "Ai miku nuk ishte tjetërkush, por austro-hungaria.
Sa për luftën te Ura e Rrzhanicës ajo pothuej se nuk u ba fare. Arsyet ishin kto:
Strategjia e Knjazit dhe ajo Mark Milanit ishin tëndryshme. Duhet të dihet se Mark Milani âsht heroi kryesorë i Malit të Zi, vjen fill mbas Petar Njegoshit të dytë. Shtëpia e tij âsht muze kombëtar i Malit të Zi. Strategjia e Mark Milanit ishte që zonat me popullsi katolike duhej të merreshin me të mirë e me miqsi. Për kët qëllim ai kishte shkrue edhe libra mbi zakonet e malsorve e për ma tepër deri vajzën e vet ma të vogël c kishte fejue në Hot e kshtu nuk kishte kurrfarë dishirit që ta prishte kët miqsi të re. Ndërkaq Knjazi mendonte se rruga ma e shkurtë me hi në Shkodër ishte ajo e Hotit dhe atye drejtoi ushtrinë, tue mendue se malsorët katolikë do ta pritshin krahapun. Por nuk ndodhi ashtu. I pari malazias që hini në urë mbet dekun në vend. Mark Milani dha urdhën të pezullohej sulmi, deri në nji urdhën të dytë, ndërsa grupi i rojeve shqiptare i dha kushtrimin Hotit e Grudës. Ndërkaq, tue pa se malazezët nuk po sulmonin, njani nga rojet e pritës shqiptare hini në urë për me i marrë armatimin të vdekunit, por mbet edhe ai vetë shi në atë urë. Kta dy vetëm kjenë viktimat e ksaj lufte për të cilën poeti tregon gjithë ato trimni nga të dyja palët. Kët dishmi e kam ndigjue kur ishem i ri prej pleqve të saktë. Mbas kushtrimit të rojeve shqiptare, kur zbritën Hoti e Gruda në breg të Cemit, Mark Milani i dha urdhën malazezve që të ktheheshin mbrapa.
Cikli i tretë e i katërt - luftat në Qafë Hardhi dhe te Ura e Sutjeskës paraqet, mund të thomi, luftën e vendosun që shqiptarët bane aso kohe për mbrojtjen y tokave të veta. Sigurisht që poeti edhe në kët luftë ka shti edhe shum personazhe, të cilat nuk kan marrë pjesë, por fakti âsht historik, se aty u zhvil1uen luftime për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, ku muer pjesë pothuej pjesa ma e madhe e malsive veriore të Shqipnisë.
Cikli i pestë - Tringa. Nuk dij çka me thanë. Gjatë rinisë sime kamë pyetë e stërpyetë mbi kët episod heroik aq të bukur, por kurr nuk kam marrë përgjegjen as po as jo. Ndoshta ndoshta krejt ky cikël âsht ndërtue nga poeti në ngjasim të legjendës madhshtore të motrës së Gjergj Elez Alisë, për me u tregue shqiptarëve se nderi personal âsht nderi i fisit e i kombit.
Cikli i gjashtë - Dedë Gjo Luli: pa kurrfarë dyshimi mund të thom se ky âsht cikli me vertetsinë ma të madhe historike. Poemi nuk ka pak fantazi, por vetëm realizëm historik. Ndërkaq Fishta, poet, por edhe analist, i përshkruen ato ngjarje ndër të cilat, ndoshta, kishte duert në brumë edhe ai vetë personalisht, me nji saktësi të egër, si mjeku që shtjen gishtin në plagë dhe mendon e çmendon se cilat ilaçe duhen përdorë për të shpëtue kombin nga vdekja e për t' i dhanë jetën, lirinë. Poeti nuk përcakton ditën e lirisë me 28 Nandor 1912. Jo. Ajo ditë ishte vetëm e idealistave shqiptarë, nën mbështetjen e Austrisë. Por nuk e njifte kurrkush në botë. Duhej që komuniteti ndërkombëtar të thonte fjalën e vet në Konferencën e Londonit më 1913. Pse Fishta nuk e vendosë datën 28 Nandor 1912 si ditën e pamëvarsisë, por ia len Konferencës së Londonit? Kjo pyetje ka edhe shum përgjigje. Duhet dijtë mirfilli nga histori-shkruesit shqiptarë se gjatë shekujve, gjatë çdo kryengritje e revolte naltohej edhe flamuri, simbol i lirisë. Por kush i njofti ato? Kemi shembullin e fundit, atë të Deçiqit (Bratilës) në vjetin 1911, i cili ushtoi shum në shtypin europian të kohës, por mjerisht nuk kishte asnji mbështetje politike të Fuqive të Mdha të kohës. Prandej, lufta e Malsive mbaroi me nji traktat autonomie në mes shqiptarëve dhe Portës së Na1të.
Gjithashtu ma vonë Flamuri i Pamëvarsisë u naltue disa ditë përpara 28 Nandorit në Krujë e në Tiranë, por pa kurrnji mbështetje politike të jashtme. Ndërsa 28 Nandori i 1912-tës mbështetej fuqimisht nga AustroHungaria, aq sa Fishta, në kangën e tridhetë ndër rreshtat 214-226, ia ven në gojë ambasadorit francez:
Eh, Madhni, as na s'ham bar;
Na edhe 'i kem', po, met n'kandar,
E kem' sy edhe me pa ...
Pra, pa i ba shum koment, 28 Nandori i 1912-tës, ishte parashtrue në arenën ndërkombëtare për aprovim. Fishta nuk ishte vetëm patriot e poet, por ishte edhe
Lahuta e Malcis - "Shkâmb i Popullit Shqiptar"
Kështu e përcaktoi Fishtën nji tjetër poet i madh shqiptar, Lasgush Poradeci. Sikur t'i analizojmë fjalët e Lasgushit, del sikur Fishta të jetë shkambi mbi të cilin ndërtohet letërsia shqiptare, pra themeli i palëkundshëm, por gjithashtu "shkëmb" shenjon edhe majen ma të naltë të maleve shqiptare, ose të letërsisë shqiptare. Në kët rasë po më kujtohet nji episod i jetës sime. Banojshem në Kuvendin Françeskan te Arra e Madhe në Shkodër. Prof. Pashko Gjeçi ishte lirue prej burgut, por nuk kishte kurfarë mundsie jetese, sepse si "llaçaxhi" nuk fitonte ma shumë se 70 lekë në ditë. Kolegu im i klasës, Llazar Siliqi, aso kohe eksponent i Lidhjes së Shkrimtarëve, i kishte premtue se sikur të përkthente Danten do ta ndërlidhte dikund, atje te shkrimtarët. Paç Gjeçi me punën e krahit nuk siguronte as bukën e gojës. Më lypi ndihmë mue. Vinte përditë te un mbasi kisha nji makinë shkrimit dhe letra. Të dy bashkë gjindeshim në nji gjendje të jashtzakonshme. Erdh puna që ai fliste dhe un shkruejshe.
Profesor, je tue përkthye "La Divina Comedia"?
Po Fra Zef, por kurrkush në botë nuk e kupton si un e ti që kaluem Bedenin e Maliqin! ... Zef jepi makinës së shkrimit se vetëm ktu shpresoj me xjerrë bukën e gojës! ... Kjo kje letërsia e jonë. Ndërkaq flitshim edhe për letërsinë shqiptare. E ç'ish letërsia shqiptare me atë botnoren? As nji hundë burrnot! ...
- Profesor, po Fishta?
- Fishta? .. Fishta âsht ai që ka marrë në qafë të gjithë letërsinë shqiptare, sepse nuk i ka lanë kurrkujë vendin që meriton. Fishta âsht absolut në epikë, në lirikë, në dramë, në satirë edhe në publicistikë. Ndër të gjitha kto gjini letrare ai mbrrijti kulmet. E çka të bajnë të tjerët mbas tij? .. N a ka mbetë ne tjerëve vetëm proza e romanxeve, vetëm nji fushë ku mund të konkurojmë, sepse ndër të gjitha tjerat ai ka mbërrijtë kulmet.
Në të vertetë, tue u kthye te Lahuta e Malcis, mund të thomi se âsht vepra madhore e letërsisë shqiptare. Na sot nuk mund të dallojmë në te epikën, lirikën, satirën e gjykimin njerzor, me të gjithë fantazinë e pakufishme të popullit edhe të poetit. Për deri sot mbetet libri shejt i popullit shqiptar. Kje çasti historik që kët barrë ia ngarkoi Fishtës. Ai vetë e pranoi, pishman në se do t'ia delte në krye. Shkrini tanë jetën mbi te me të vetmin qëllim që të bashkonte kët popull të përcamë e të shprishun dhe t'i jepte nji gjuhë të pasun e të bukur.
Sikur ta kqyrim me synin e ftoftë të kritikut, duhet të thomi se në krahasim me poema të tjerë të letërsisë botnore, xen nji vend të veçantë, atë të popullit shqiptar, nji diplomat që e din se vetëm rregullat ndërkombëtare kan vleftën juridike në histori,i cili âsht protagonist i vërtetë i ktij poemi, ndërsa rolin e antagonistit e kan popujt e tjerë që duen ta shtypin e robnojnë ose ti marrin tokat. Toka âsht jeta. Si përfundim Lahuta e Malcis âsht nji poem epik që mbron jetën e lirinë e nji populli.
Pse u luftue, pse u hodh aq ualtë mbi te, gjatë nji gjysë shekulli?
Shekulli XX kje shekull uraganesh. Historia e popujve âsht e çuditshme. Atëherë kur vezullon drita, mbas nji çasti vjen terri. Lufta ndërmjet territ e dritës âsht e përhershme. Ndrron vetëm trajtat. Trajtat mund të paraqiten filozofike, shoqnore, fetare, krahinore. Në të vertetë âsht po ajo luftë e gjithmonshme e njerzimit mes dritës e territ, mes dash uni së e dhunës, mes dijes e padijes, mes së mirës dhe të keqes. Kush do të fitojë? Lufta âsht e përhershme. Periudha historike në të cilën u gjet fizikisht poeti kje ajo e Rilindjes ose e jetës dhe dritës. Aso kohe drita u thirr demokraci. Nuk vonoi e duel diktatura: dikund internacionale e tjetra nacionale, por në të vertetë të dyja njisoj ishin: diktaturë, dhunë. Erdh koha e dhunës e quejtun nji herë fashiste, ma vonë komuniste. Dhunë ishte. Liria u tkurr, po ashtu edhe poeti, natyrisht edhe poemi, gjithashtu gjuha shqipe. Kishin përballë nji sfinks që thirrej "Enver". Në dukje paraqitej si Zeus i besimeve antike politeiste, por në të vertetë ishte monoteist i flaktë, që nuk pranonte jo vetëm besimin, por as mendim e tjeterkujt. Mjerisht shum shqiptarë ende sot besojnë te Enveri, ose te terri, te dhuna. Enveri tha: të luftohet Fishta! Tue luftue Fishtën luftohej kombi. Tue luftueFishtën luftohej gjuha shqipe, tipari kryesor i kombit. Tue luftue Fishtën luftohej bashkimi i shqiptarëve dhe bante që të përçaheshin ma tepër si ndër fe ashtu në krahina. Ky kje qëllimi kryesor i asaj lufte të ashpër kundra Fishtës. Natyrisht që çdo kohë ka mercenarët e vet, miIitantat, rrugaçat, të gatshëm me shitë nanë e babë.
A ka të meta Lahuta e Malcis?
Si çdo vepër njerzore edhe ka. Âsht nji vepër voluminoze me 15.600 e sa vargje krijue gjatë nji perjudhe tridhetedy vjeçare. Sigurisht aty shef kjartë kohën e rinisë si edhe të pleqnisë së poetit e ndoshta edhe problemet shum të vështira që i suell koha e turbullt në të cilën jetoi e gjatë së cilës nuk mund kishte gjithmonë të njajtin frymzim poetik. Kështu ndeshemi shpesh në nji proliksitet ose aq ma shpesh në përsëritjen e disa rimave jo fort të bukura, apor edhe në përsëritjen e përshkrimeve të tipave njerzore si p.sh. çdo pashë me vetulla të trasha e të tjera mangësi të vogla, por të cilat kurrsesi nuk i ulin vlerën ktij poemi madhor me bukuri të rrallë.
Kur u botue në vjetin 1937 varianti përfundimtar ishem fëmij në Kolegjin Françeskan. Gjatë njaj dreke vllaznore, Fishta pyeti: Si u duket? - dhe kërkoi që t'i banim kritika vllaznore. Të gjithë i thamë: Të lumtë Pater Gjergj! Por At Benardin Palaj iu drejtue: "Më duket se në kët episodin e fundit ke këndue çka ish për t'u kja dhe ke kja çka ish përt'u këndue". Pater Gjergji si u mendue pak iu përgjegj: "E di Benardin, e di çka don me thanë. E ke fjalën për luftën e Ded Gjo Lulit në Bratile të Deçiqit që i kam dhanë nji rol kryesor Hilë Mosit, ndërsa Luigj Gurakuqin vetëm sa e kam përmendë me malsorë tjerë. Ti e din se para opinionit shqiptar më mbetet mue sikur e mbyta Hilë Mosin me atë polemikën "Gabove Hilë!...", sepse ai diq pak kohë mbas asaj polemike. Mue më ka mbetë si mulla në zemër, megjithse nuk i kam pikë faji, prandej i vuna në Lahutë ate që kishem caktue për Luigj Gurakuqin, tue e dijtë se çdo histori Shqipnije nuk mund shkruhet pa i dhanë ktij at rol kryesor politik e kulturor që pat në formimin e Shqipnisë.
Krahasime me tjera letërsi botnore
Nuk don aspak mend që të thomi se poemat epike të letërsisë botnore kan shum gjasime mes vedit ose nj ana-tjetrës. Janë virtutet e trimnis e të burrnis njerzore, bujaris e sakrificave deri në heroizëm, janë kto virtute që i bajnë poemat epike të gjashme me njana-tjetrën, e jo se poetët e mdhaj kan shfrytzue ose kopjue njani-tjetrin, siç guxojmë me ~hanë sot nll kritikët e vogjël. Kur kemi studjue letërsitë botnore kemi ndigjue edhe për Firdusin persjan e sidomos për episodin e dhimbshëm që, ndërsa trupi i tij po barej në tabut ndër vorre, shi atëherë te dyert e qytetit po hinte karvani me monedha të arta që Shahu i Persisë ia dërgonte si shpërblim. Ditën e funeralit të Fishtës mbajti nji fjalim edhe Hafiz Ali Tari, nji ndër burrat ma të përmendun të asaj kohe në Shkodër e Shqipni. Ai e krahasoi Lahutën e Malcis vetëm me poemin "Shahname" ose poemën persjane shkrue nga Firdusi, poemë e cila përfshinte shum lufta e shum heroj gjatë nji perjudhe historike.
Ndoshta kështu mund e krahasojmë Lahutën. Fishta kishte nji kulturë të gjanë letrare dhe kishte tentue me përkthye në shqip kângë prej Iliadës së Homerit. Ai kishte zakon me na pyetë ne të rijve se cilin poet pëlqejshim ma shum. Ishem aso kohe 15-16 vjeç dhe nji ditë mora zemër dhe e pyeta:
- Pater Gjergj, mirë se ti na pyet ne, por edhe un kishem me dishrue ti dij se cili poet të pëlqen ty ma shum?
- Ah! fra Zef, më tha. A e din se kjo nuk âsht pyetje me ia ba kurrkuj? Un të pyeta ty sepse dojshem me njoftë çfar prirjesh ke, por duhet të dijsh se të gjith të mdhajt janë të mdhaj. Kur thomi Homeri, na duket se kurrkush nuk mbërrin te ai; po ashtu Horaci. Po Dante? Kurrkush ma i bukur, po ashtu Petrarka. Nuk mund thomi se ky vjen i pari, tjetri i dyti, o i treti. Nukjanë vegzha, por poetët e botës që na kan dhanë sejcili në atë gjuhën e tyne ambjentin e vet, pikpamjet kryesore të njerzimit. Ndër kta njeriu pëlqen ma shum ate me të cilin e lidhin zakonet, doket, shprehjet e bota që e rrethon. Ty të duket fjalë e marrë e prandej nuk mund e thom, por në të vertetë un ma përzemër kam Petar Niegoshin. Ndoshta ky pëlqim më vjen se na shqiptarët, malazezët edhe njata boshnjakët flasin dy gjuhë të ndryshme, por kemi të njajtat shprehje që kanë ardhë si nga vendi ku banojmë, ashtu nga doket që kemi.
Kështu Fishta, megjitse njifte pothuej të gjithë letërsinë e madhe europjane, parapëlqente letërsinë ballkanike.
Mendohet se Petar Njegoshin e ka imitue. Sikurmos të thellohemi, edhe ashtu mund të paraqitet. Për shembull te kryevepra Kunora e Maleve kemi vajtimin e motrës së Bratiqit, ndërsa te Lahuta e Malcis kemi vajtimin e motrës së Avdi Hisës. Në asnjanin poem nuk kan emën, sepse në zakonet e asokohëshme nuk i përmendej emni aq kollaj, por paraqiten dy vajtime të përmortshme, ku gratë, nana ose motra në kjoshin, vajtojn ashtu çka kan në zemër. Prandej edhe gjasojn mjaft mes vedit, por nuk don me thanë se njani poet e muer prej tjetrit. Për ma tepër mund thom se kan nji ndryshim thelbësor psikologjik. Ndërsa motra e Bratiqit në fund të vajtimit mbytë vedin, motra e Avdi Hisës lshon kushtrim për të marrë gjakun.
Si përfundim mendoj se koinçidencave, jo vetëm ndër disa fakte, por edhe ndër shum shprehje, nuk u duhet dhanë kuptimi i imitimit o i kopjimit, por janë shprehje të natyrshme njerzore që dalin nga shpirti i poetit të çdo kombi o gjuhe kjoftë ai, e i çdo kohe.
Lahuta e Malcis dhe folklori
Para njiqind vjetësh, më 1905, kur u botuen së pari të parat kângë të Lahuta e Malcis poeti pat të shkrueme në kopertinë "Kângë popullore". Me fjalë tjera Fishta i çmonte ato e ndoshta donte me i naltsue në art, mbasi së shumti ato paraqiteshin me të meta, sepse ishin qitë nga njerz analfabet. Sigurisht që nuk kishte ndër mend me ba nji "Kalevala"shqiptare, por nji poem i cili t'i përgjigjej shijes së hollë të popullit e që të hinte shum kollaj në veshin e tij. Për kët punë ai zgjodhi tetërrokshin. Në mbrojtje të ktij tetrrokshit Fishta zhvilloi nji polemikë me Zalvin (Zef Valentinin) që aso kohe ishte kryeredaktor i revistës Leka. Zalvi insistonte se dhetrrokshi ishte metrika e vertetë kombëtare e shqiptarëve, sepse kangët e rapsodve lahutarë që këndonin Gjergj Elez Alinë etj. përdornin atë e jo vargun që përdorte Fishta në Lahutën e Malcis. Fishta iu përgjegj në Hyllin e Dritës tue i pru aq shumë argumenta në mbrojtje të tetrrokshit, si vargu i popullit. Ma vonë Zalvi e pranoi.
Në të vertetë gjinden disa kângë popullore të cilat megjithse të qituna nga njerz analfabetë, janë aq të ngrituna artistikisht sa nuk ke as çka u hjek as çka u shton e të cilave çdo poet i regjun vështirë se do t'u a delte. Disa prej ktyne kangëve Fishta i merr edhe i shtjen në Lahutën e Ma1cis o tue i lanë ashtu siç janë, ose tue u ba ndonji qortim të vogël.
Marrim si shembull ciklin e Oso Kukës, të cilit i këndonte mjaft bukur nji kângë shkodrane. Përpunimi i ksaj kânge popullore ktu në poem âsht sigurisht shum ma artistik e me nji muzikalitet të veçantë në letërsinë shqipe, e pra megjithkëta ai përfundon me vargjet e kangës shkodrane:
Ah! kadalë o Nikollë Popi
Se ktu i thonë Oso Baroti!
Se s'ke pa shkodranë me sy,
Që djeg vedin edhe ty!...
ndërsa Fishta i ban vetëm kët ndryshim:
Ah kadalë Nikollë, t'vraftë Zoti!
Se ktu i thonë Oso Baroti!
Se s'ke pa shqyptar me sy,
Që djeg vedin e dhe ty!...
Pra, gjith esenca e kangës shkodrane përmblidhej ktu e Fishta mendon që kjo të ruhet në poem po ashtu si i këndonte dikur populli.
Gjithashtu kemi edhe pak kângë të tjera, që aso kohe nuk i kishte mbledhë kurrkush, prandej edhe do të hupshin me kohë, siç janë kangët e Mican Lekës e Bec Patanit dhe e Çul Patanit.
Në Kangën e njizetët Lekët që nga vargu 643 e deri te ai 695 âsht pothuej fjalë për fjalë kanga popullore që këndohej nga malsorët e Lezhës. Po ashtu në Kangën e tetmdhetët qet nji pjesë të kangës popullore të Mican Lekës, pothuej pa ndryshim, që prej vargut 194 deri te ai 215. Mendoj se kritika nuk ka vend ktu. Âsht fakt i njoftun ndër të gjitha letërsitë botnore që poetët e mdhaj marrin prej popullit për t'ia kthye gjithnji popullit edhe ma të bukur.
Perfundim
E shkrova kët parathanje porsi t'ishem nji student që jep tezin e letërsisë në provimin e maturës, për me tregue se e ka kuptue në thelb poemin epik shqiptar: Lahutën e Malcis. A jam i knaqun me kaq sa shkrova? Sigurisht që jo. Gjykimin do ta japin profesorat e mdhaj. Nuk jam i kënaqun për aq sa shkrova sepse për Lahutën mund të shkruhet edhe njiqind herë kaq. Çkado që të kritikohet, e ka edhe ku kritikohet, ai prap se prap mbetet Poemi kryesor i letërsisë shqipe. Në te, gjuha shqipe ndien jonet e bilbilit, tufanet e maleve dhe ushtimën e termetit. Fantazia e poetit, po fantazi e popullit shqiptar, të dërgon mbi krahët e Zanave, atje nalt te luginat e bjeshkve me u flladitë ndër gurrat e krijta, currilat e të cilave ndrijnë si ylbera nën rrezet e diellit që po naltohet atje mbi shkrepat e thepisun ku ka truellin bora e përhershme e dhitë e egra me bryna të artë. Atje mund takohesh me orë e shtozovalIe, por edhe me dragoj e kulshedra, shtriga e lugetën e gjithshka të vjetër që pat mitologjia e nji populli të paditun.
"Por ka ndrrue sot moti e stina"! ...
Epokë e kalueme, tepër e rrebtë, barbare e e mbrapambetun.
Sot, kjo kerthizëjashta, vasha e re shqiptare, nuk e gjen në poemë atë "princin blu" që i kërkon zemra. Na sot nuk u besojmë ma marrive të vjetra. Kemi të rejat: duem horoskopin, fatin që na del ndër letra, në pëllambë të dorës o dikund në ndoj tjetër fall. Sot kemi mitologjinë e re e cila, kemi besim të patundun, do ta bajë të lumtun kët popull me telenovela të stërgjatuna, realiste, moderne.
Po! Jetojmë në kët tokë jo vetëm me kambë, por edhe me mendët e kresë. Sot herojt e kohës janë VIP-at.
Nuk na duhet ma as gjuha e jonë e vështirë e cila na ka izolue gjithmonë gjatë shekujsh.
Duem botën e re! ...
Okei!
Shkodër, 25.XI.2005

Komentoni
Artikuj te tjere
Qazim Namani: Milush Kopili dhe beteja e Kosovës
Niko Stylos: Refleksione mbi një alfabet të ri
Jahja Drançolli: A ishte kurorëzuar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu për Mbret?
Baki Ymeri: Kuvendi Kombëtar (Bukuresht, 1933-1934)
Valon Kurtishi: Disa të panjohura dhe mësime nga Lufta e dytë botërore
Avzi Mustafa: Reformat e shkollës evropiane kërkojnë edhe ligje evropiane
Rexhep Kastrati: Rikthimi i shqiptarëve në vatrat e veta dhe loja politike kundërshqiptare
Rexhep Kastrati: Diversion mbi linjën institucionaliste si mënyre për rrënimin politik të Dr. Rugovës
Skënder R. Hoxha: Kolonizimi i Dushkajës me sllavë
Xhafer Durmishi: Organizatat politike shqiptare në Evropë 1979-1985
Fjala e rastit ne kremtimin e 98 vjetorit te Kryengritjes se Malesis, e mbajtur nga Gjon Gjokaj...
Zef Ndrecaj: Principata Dukagjinase - Kanuni i Lekë Dukagjinit
Mehmetali Rexhepi: Pleksjet Biblike dhe Etnike (Nuhi Ismajli: Nga vlerat e traditës)
Klajd Kapinova: Imzot Pjetër Bogdani në New York
Avzi Mustafa: Vështrim në librin “Vullneti i dhunuar” të autorit Mahi Nesimi
Arben Llalla: Kontributi në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë greke dhe shqipe i arvanitasit të shquar Panajot Kupitorit
Alfred Papuçiu: I madhi Ismail Kadare i përket jo vetëm Shqipërisë por dhe mbarë njerëzimit
Baki Ymeri: Dita e Flamurit dhe Kisha Shqiptare e Bukureshtit
Avzi Mustafa: Kongresi i Elbasanit vepër me rëndësi për historinë e arsimit dhe gjuhës shqipe
Vepror Hasani: Perikli Ikonomi - Shlimani shqiptar, një jetë në kërkim të orakullit të Dodonës