E hene, 29.04.2024, 04:15 PM (GMT+1)

Speciale

Besim Muhadri & Dukagjin Markaj: Vrasja e burrave në Kusur të Hasit në prill të vitit 1941 – pjesë e skenarëve serb për shfarosjen e shqiptarëve

E premte, 30.10.2009, 09:00 PM


Kujtesë

VRASJA E BURRAVE NË KUSAR  TË HASIT NË PRILL TË VITIT 1941 - PJESË E SKENARËVE SERB PËR SHFAROSJEN E SHQIPTARËVE

Shkruajnë: Besim Muhadri dhe Dukagjin Markaj

Se vrasjet dhe likuidimet e shqiptarëve në prill të vitit 1941, në fshatrat e Gjakovës, përkatësisht të Hasit, si edhe në vendet të tjera kudo në Kosovë u bënë në mënyrë të organizuar dhe të programuar, këtë e tregon edhe koha e ndodhjes së këtyre akteve kriminale. Që të gjitha kanë ndodhur në periudhën 11-17 prill të vitit 1941. Madje edhe ora ka qenë e përafërt. Do të thotë krimet kanë filluar të bëhen duke “fillue me u zdritë”. Këtë e thonë edhe dëshmitarët që sot janë gjallë dhe që ishin pjesë e atyre torturave, e atyre vuajtjeve. Ashtu ndodhi edhe në fshatin Kusar më 13 prill të vitit 1941, të Dielën e Madhe të Pashkëve, me ç’rast, në atë ditë të kobshme nga xhandarët, ushtarët, por edhe nga kolonistët e armatosur, u vranë tetë burra dhe një u plagos. Nga të vrarët, pesë ishin të familjes Gjoka dhe tre të familjes Tunaj*.  Në ditën kritike u vranë: Gjon Prekë Nikolla (Gjoka), Dodë Prekë Nikolla (Gjoka), Simon Gjokë Nikolla, Kolë Gjokë Nikolla, Tomë Gjokë Nikolla, Çun Dedë Tunaj, Franë Nrecë Tunaj, Zef Tuci-Domgjoni, ndërkaq u plagos Nrecë Nikollë Domgjoni.
“Si sot më doket  se jam tue i pa, tue i  përjetue”, kujton sot më trishtim Ndrecë Lleshdedaj nga Smaqi, një burrë i moshës 82 vjeç, por  me një kujtesë të çuditshme. “Ishte 1941 sene, data e 14 prillit, vazhdon rrëfimin e tij Ndrecë Lleshdedaj. -Ish-Jugosllavia e kralevinës e ka pas ba nji gjenocid që nuk harrohet kurrë. Ka hy e ka marrë gjin nëpër shpia dhe i ka vra. Ashtu bani edhe me dajtë e mi në Kusar. Shqiptari e ka pasë zullumin në shpinë prej krajli, por shpia e Ali, Nezë dhe e Pal Isufit nga Kusari kurrë nuk është pajtue me politikën e shkaut. Luftë ma të flliqtë nuk e man në men as i pari e as i mrami, ndërsa masakra u ba vetëm pse ishim shqiptarë, për asgja tjetër”, pohon në në mes tjerash Ndrecë Lleshdedaj.
Për këto vrasje sot rrëfejnë edhe dëshmitarët që ende janë gjallë, Man Pren Markaj dhe Dedë Tunaj nga fshati Kusar, për të cilët ato momente të rënda të jetës kanë mbetur të fiksuara në kujtesën e tyre dhe nuk do të harrohen asnjëherë. Për këto vrasje dhe masakra gjatë këtyre viteve ata u kanë rrëfyer me qindra herë djemëve, nipave dhe mbesave, sepse siç thonë ata ato janë ngjarje që nuk duhet harruar kurrë. Një nga ata që ka dëgjuar rrëfimet e këtyre njerëzve është edhe njëri nga autorët e këtij libri.
Duke shfletuar shtypin e kohës, por veçanërisht revistën fetare dhe kulturore “Drita” nr. 7-10/90, aty gjejmë shënime shumë interesante të evidentuara me shumë përpikëri nga famullitari Dom Luka Filiq, të cilat siç e theksuam edhe me lartë janë të evidentuara në dokumentin nr.220/3, ku në mesin e shumë të vrarëve të atyre ditëve trishtuese të prillit të vitit 1941 jepen edhe emrat e tetë burrave nga Kusari të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, apo “terroristët e Serbisë”, siç shprehet me të drejtë famullitari në fjalë.
Simon Gjokë Nikolla, i vrarë nga gjandarmëria dhe kolonët serbë e malazez më 13 prill të vitit 1941
Simon Gjokë Nikolla, i vrarë nga gjandarmëria dhe kolonët serbë e malazez më 13 prill të vitit 1941
1. Doda, biri i Prekë Nikollë Alisë:
I lindur në Kusar në vitin 1883, me banim në Kusar, të Dielën e të ngjallurit të Zotit tonë, Jezu Krishtit, më 13 prill 1941, në mëni të fesë “in odium di fidei” është vrarë nga terroristët e Serbisë nga plumbat e pushkës.

Nga familjarët dhe farefisi i tij është i varruar në Moglicë, më 18 prill 1941.
2. Gjoni, biri i Prekë Nikollë Alisë, lindur më 1881, në Qerim, me banim në Kusar, të Dielën e të ngjallurit të Zotit tonë Jezu Krishtit, më 13 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium di fidei” është vrarë nga terroristët e Serbisë nga plumbat e pushkës.
Nga familjarët dhe farefisi i tij është i varruar në Moglicë, më 18 prill 1941.
3. Simoni, biri i Gjokë Nikollë Alisë, i lindur në vitin 1884 në Kusar, të Dielën e të ngjallurit të Zotit tonë Jezu Krishtit, më 13 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium di fidei” është vrarë nga terroristët e Serbisë nga plumbat e pushkës.
Nga familjarët dhe farefisi i tij është i varruar në Moglicë, më 18 prill 1941.
4. Kola, biri i Gjokë Nikollë Alisë, i lindur në Kusar në vitin 1900, me banim në Kusar, të Dielën e të ngjallurit të Zotit tonë Jezu Krishtit, më 13 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium di fidei” është vrarë nga terroristët e Serbisë nga plumbat e pushkës.
Nga familjarët dhe farefisi i tij është i varruar në Moglicë, më 18 prill 1941.
5. Toma, biri i Gjokë Nikollë Alisë, lindur në vitin 1905 në Rrëzina, me banim në Kusar, të Dielën e të ngjallurit të Zotit tonë Jezu Krishtit, më 13 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium di fidei” është vrarë nga terroristët e Serbisë nga plumbat e pushkës.
Nga familjarët dhe farefisi i tij është i varruar në Moglicë, më 18 prill 1941.
6. Çuni, biri i Dedë Ndrecës, lindur në Kusar në vitin 1868, me banim në Kusar, të Dielën e të ngjallurit të Zotit tonë Jezu Krishtit, më 13 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium di fidei” është vrarë nga terroristët e Serbisë nga plumbat e pushkës.
Nga familjarët dhe farefisi i tij është i varruar në Moglicë, më 18 prill 1941.
7. Frana, biri i Ndrecë Dedës, lindur në Kusar në vitin 1912, me banim në Kusar, të Dielën e të ngjallurit të Zotit tonë Jezu Krishtit, më 13 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium di fidei” është vrarë nga terroristët e Serbisë nga plumbat e pushkës.
Nga familjarët dhe farefisi i tij është i varruar në Moglicë, më 18 prill 1941.
8. Zefi, biri i Tuc Markut, lindur në Plançor në vitin 1909, me banim në Kusar, të Dielën e të ngjallurit të Zotit tonë Jezu Krishtit, më 13 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium di fidei” është vrarë nga terroristët e Serbisë nga plumbat e pushkës.
Nga familjarët dhe farefisi i tij është i varruar në Moglicë, më 18 prill 1941.

* * *

Vrasja e tetë burrave të Kusarit si edhe ajo e shumë të tjerëve nga fshatrat Dol, Kushavec, Bishtazhin, Ujz, Marmull, Fshej, Smaq e gjetiu ishte një vrasje e paramenuar dhe e përgatitur mirë, këtë e dëshmojnë edhe analet historike të kohës, por edhe rrëfimet e dëshmitarëve okularë, të cilët edhe sot janë ende gjallë dhe sikur kanë jetuar për dëshmuar dhe për të sjellë atë “atmosferë” të rëndë, ato vuajtje e dhimbje. Këta dëshmitarë në atë kohë ishin në moshën 14-18 vjeç. Për fat ata janë me një kujtesë të mirë, në mënyrë që të na rrëfejnë se si kishte ndodhur krimi, përse kishte ndodhur krimi dhe cilat ishin pasojat e atij krimi të bërë nga ushtarët, xhandarmët dhe kolonistët serb e malazez. Për ato vite, për ato ngjarje rrëfejnë: Man Prekë Markaj nga fshati Kusar, Dedë Ndrecë Tunaj, po ashtu nga fshati Kusar dhe Ndrecë Lleshdedaj nga fshati Smaq, nip i të masakruarve**.  
Në bazë të dëshmive të këtyre dëshmitarëve, shihet se vrasja ishte bërë nga eprorët e lartë ushtarakë e policor, përkatësisht ata të xhandarmërisë serbe, por të ndihmuara edhe nga kolonistët serbë e malazez. Një nga ata që ndihmuan në kapjen dhe vrasjen e shqiptarëve, ishte edhe kolonisti Brajan Zoriq, me gjithë të birin, i cili si një “fqinj”, që kishte jetuar me vite në tokën të cilën ua kishte uzurpuar shqiptarëve, kishte arritur t’i “bindë” meshkujt e familjes Gjoka që të ktheheshin nga mali ku fshiheshin dhe qëndronin të arratisur, duke iu “garantuar se ata ishin në “besë” të tij dhe se nuk do t’i prekte askush. Kjo “besë” e Brajanit Gjokajve të Kusarit iu kushtoi me vrasje, e cila la pasoja të gjata në këtë familje, ashtu sikurse edhe në familjet e tjera, të cilat u bënë pre e këtij terrori. Megjithë vrasjen e Brajanit dhe të birit nga ata që mbetën të gjallë, kjo nuk ua shëroi plagët. Madje ato erdhën duke u shtuar, sepse pasojat e vrasjes së këtij krimineli do t’i vuajnë edhe pas përfundimit të luftës dhe të vendosjes së “pushtetit popullor”, ku Kosova padrejtësisht mbeti nën administrimin jugosllav.

Në burgun e Pejës vriten Ndue Pjetri dhe Mark Ndreca - trupat e tyre nuk u gjetën kurrë

Nue Pjetri (Markaj) i vrarë në kullën e Sheremetit në Pejë në vitin 1946
Nue Pjetri (Markaj) i vrarë në kullën e Sheremetit në Pejë në vitin 1946
Vuajtjet e këtyre familjeve nuk përfunduan më 14 prill të vitit 1941. Pas përfundimit të luftës, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kriminelit Brajan Zoriq, pas kthimit në Kusar, koloni Gavran Shabiqi i paditë Ndoun, Mihillin dhe Markun për vrasjen e Brajan Zoriçit me gjithë të birin. Që të tretë i fusin në burg. Disa ditë para se të përfundonte gjykimi, thyhet burgu i Pejës, me ç’rast shumica e të burgosurve arratisen nga burgu. Në mesin e tyre ishin edhe Mihilli dhe Ndou. Ky i fundit u vra nga forcat e sigurisë së burgut, ndërkaq trupi i tij kurrë nuk është gjetur dhe sot e asaj dite nuk i dihet varri. Po aty vritet edhe Mark Ndreca nga Doli, të cilit po ashtu sot e asaj dite nuk i dihet varri e as eshtrat.

Ndërsa Mihilli arrin të ikë nga burgu dhe vjen në shtëpi, duke qëndruar për disa kohë maleve si kaçak. Në ndërkohë zbulohet dhe kapet, ku dërgohet prapë në burgun e Pejës, ku gjykohet dhe dënohet me shumë vite burg të rëndë, të cilat i mban në Sremska Mitrovicë.
 “Përderisa nuk u dit se ishte vrarë Ndue Pjetri kemi hequr të zitë e ullirit”, thotë plaku Man Markaj, i cili në atë kohë ishte katërmbëdhjetë vjeç. Ai tregon se si atyre iu desh ta hapnin të pamen për kinse vrasjen e tij, edhe pse nuk e dinin nëse ishte vrarë apo ishte gjallë. “Për çdo ditë e për çdo natë kishim maltretime të robëve e fëmijëve. Kjo gjendje ka zgjatur një muaj”, thotë në mes tjerash Man Markaj.

Ndërkaq, Ndrecë Lleshdedaj, duke iu referuar kësaj ngjarje dhe pasojave të saj, në mes tjerash,  rrefen: “Më 1945, kur kapitulloi gjermani dhe hyni partizani, grueja e Brajan Zoriqit i paska pasë dy vllazën oficerë të partizanëve. Atëherë â kanë në formë Batalioni i kufijve. Shkina dy vllazën i kish pas komisarë, të cilët janë çue të Merkurën e Pashkëve dhe e kishin pas rrethue Nue Pjetrin. Preka i kish pas thanë: “Nue po shkoj unë n’vend tanin se këta nuk të njohin se ushtarë janë. Me ba shka me ba vaki, bile unë la dikën përmas”. Kthehet Nou e i thotë, “Pasha Zotin pa u ba kurban i kësaj shpie nuk kam qare”. Ashtë dal Nou, por kur del e kanë marrë meniherë e ia kanë nue prangat dhe e dërgojnë fillë e në kullën e Sheremetit n’Pejë. Do të thotë në burg. U çue Preka dhe e organizon mbrojtjen e tij në gjyq. Kryetar gjyqi në atë kohë ish kanë nji malazez i Dugajevës. Preka ia jep paret Zefit të Gjokë Mustafës, i cili ia kish pas dhanë avokatit. Por në korrik u thye Kulla e Sheremtit, do të thotë Burgu i Pejës. Katër dhoma të burgut kishin pasë lidhje nër veti dhe ishin kanë dalë. Tri kanë pshtue, e katëra jo. Në dhomën e katër ish kanë edhe Nou. Katër dhoma tjera kanë metë pa lajm dhe kanë shkue ushtria e i kanë rrasë mashinkat për dollapi dhe i kanë vra krejt. Në dhomën e katër asht’ kanë Nou, por edhe Marku i Nrecë Ndout, Mihilli i Nikollë Alive. Markun e Nrecë Ndout prej Dolit dhe Nue Pjetër Markaj i kanë vra në Karagaç të Pejës.  As vorrin kush nuk ua din. Ata të dy hupën pa shej pa dokë, Mihill Simoni kish pas pshtue. Ai e din vet se kah ka ardhë të shpia. Kur vjen në shpi, Musa, që ish kanë robie dhe kish përfitue përvojë, në odë të vet, aq sa janë dy arka nusesh, e kish pas hjek dheun natën dhe e kish marue si formë podrumi dhe e kish pas msheh.
Në atë kohë Hajdar Rrustemi a kanë kryetar komune e në qafë i pastë me t’gjallë e më të vdekur. Atij i kish pas ardhë letra se Nou ashtë i dekun, por tridhetë ditë e ka majt letrën në zyre e nuk ka tregue soll me i maltretue. Natë e ditë rrethue, hallakatë e maltretue”, pohon Ndrecë Lleshdedaj.
Për të njejtën ngjarje tregon edhe Dedë Nrecë Tunaj: “Mihill Simoni ka ardhë te shpia dhe ka nejtë do kohë kaçak. Kanë ardhë hyqymeti e kanë hallakat nëpë shpi. Ai e kish pas marue njifarë podrumi n’odë t’vet dhe nuk kanë mujt me e gjetë. Ni polic nga Juniki, nifarë Lah Juniki, t’ia ka qitë pushkën n’gojë Lekës dhe Leka, prej tute ka shkue e ua ka tregue vendin se ku ish kanë Mihilli. Pastaj Mihillin e kanë marrë dhe e kanë gjykue dhe dënue me disa vite burg, që i ka ba në burgun e Mitrovicës së Sremit. Kur u kthye nga burgu krejt i shkatrruem, por edhe në kohën e aksionit të armëve e rrahën policia dhe vdiq prej torturave. Kemi hjek shumë bre bacë”.
Kjo tregon se cilat ishin pasojat e atyre ngjarjeve, të cilat nuk përfunduan me rënien e “kralevinës”, por ato vazhduan edhe pas përfundimit të luftës të ashtuquajtur Nacional Çlirimtare, ku Kosova prapë mbeti nën juridiksionin e Jugosllavisë, tash komuniste, ku fjalën kryesore e kishin serbët, të cilët nuk rreshtën së punuari për realizimin e planeve dhe elaboratve për shfarosjen e shqiptarëve, përkatësisht dëbimin e tyre nga trojet e veta stërgjyshore. Kjo u tregua menjëherë pas përfundimit të asaj lufte, ku Kosova dhe shqiptarët prapë iu nënshtruan dhunës dhe terrorit, ndërsa të njejtin fat e patën edhe familjet e lartpërmendura, ashtu sikurse edhe mijëra familje të tjera. Shumë njerëz u vranë dhe kurrë nuk iu ditën varret. Ndodhi Drenica, Tivari, Kulla e Sheremetit etj., ku u vranë dhe u masakruan me mijëra shqiptarë, në mesin e të cilëve ishin edhe Mark Nrecë Ndou nga Doli dhe Nue Pjetër Simoni nga Kusari.

*Shënimet janë marrë në revistën “Drita”, nr. 7-10/90, të cilat autori i tyre, Dr. Jakif Bajrami i ka siguruar nga Zyra  Famullitare në Bishtazhin, Dok. Nr. 220/3, ndërsa janë shënime të mbajtura nga famullitari i atëhershëm i kësaj Famullie, Dom Lukë Filiqi, por ato i kemi siguruar edhe nga dëshmitarët okularë të atyre ngjarjeve, tre prej të cilëve ende janë gjallë.

**Rrëfime që përputhen pothuajse plotësisht hasim edhe nga dëshmitari që ishte plagosur në ditën kritike dhe që arriti të shpëtojë i gjallë, Ndrecë Nikollë Domgjoni, intervistën me të, në mars të vitit 1992.



(Vota: 64 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora