E hene, 11.11.2024, 03:04 PM (GMT)

Speciale

Besim Muhadri dhe Dukagjin Markaj: Masakrat dhe terrori serb në prill të vitit 1941

E marte, 10.11.2009, 07:59 PM


MASAKRAT DHE TERRORI SERB NË PRILL TË VITIT 1941

Shkruajnë: Besim MUHADRI
dhe Dukagjin MARKAJ

Siç është thënë edhe në një vend tjetër në këtë libër, Jugosllavia e Krajl Pjetrit kapitulloi në Prillin e vitit 1941 nga Gjermania naziste. Kapitullimi i kësaj krijese fantomë për shqiptarët e Kosovës të cilët jetonin nën juridiksionin e saj, u shoqërua nga shumë fatkeqësi. Në këtë kohë shumë shqiptarë që shërbenin në armatën e Krajl Pjetrit, u zunë robë nga gjermanët dhe u dërguan nëpër kampet naziste të përqëndrimit në Gjermani dhe në vende të tjera të Evropës. Shumë nga ta vdiqën në ato kampe dhe kurrë më nuk u kthyen pranë familjeve të tyre. Prandaj edhe sot e asaj dite ata konsiderohen të zhdukur dhe nuk u dihen varret. Por kishte edhe nga ata që pas shumë vitesh u kthyen nga interrnimi dhe qëndrimi në kampet e përqëndrimit, por shumë të lodhur nga torturat, kështu që vdiqën shpejt apo jetuan me plagët e atyre torturave.
Por Zullumi më i madh shqiptarëve u erdhi edhe nga oficerët dhe xhandarmëria serbo-jugosllave, të cilët të mllefosur për humbjen dhe duke mos pasur mundësi të shprehnin forcën dhe mllefin mbi ushtarët gjermanë, u detyruan që një gjë të tillë ta bënin mbi popullin shqiptar të Kosovës, i cili me rastin e kapitullimit të Jugosllavisë nuk kishte reaguar. Ky mosreagim i shqiptarëve të Kosovës me rastin e ardhjes së nazi-fashistëve nuk kishte ndodhur për shkak se ata përqafonin idetë nazi-fashiste, por për faktin se ata asnjëherë nuk kishin qenë të lirë dhe se një pushtim i vendit të tyre, qoftë edhe nga nazi-fashistët nuk paraqitte ndonjë tragjedi të madhe. Torturat, shtypja dhe reprezaljet serbe kishin qenë të vazhdueshme, sa që ky popull ishte stërlodhur. “Le të vijë edhe dreqi, më i keq se serbi nuk do të jetë”, kishin thënë shqiptarët. Dhe kjo indiferencë e shqiptarëve të Kosovës, të cilët madje në kohën e pushtimit italian fituan të drejta kombëtar që nuk i kishin gëzuar asnjëherë, kishte tërbuar gjeneralët serbë, të cilët mundoheshin të mobilizonin në mënyrë të dhunshme shqiptarët për të “mbrojtur” integritetin jugosllav, integritet ky tashmë i aneksuar nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste. Shqiptarët, për t’i shpëtuar mobilizimit të padëshiruar, arratiseshin maleve apo vendeve ku mendohej se nuk mund të arrinte këmba e ushtrisë jugosllave dhe ajo e xhandarmërisë së këtij shteti tashmë inekzistent dhe tepër kriminal. Me qindra e mijëra shqiptarë, të zotë për armë, morën arratinë.
Një gjendje e njejtë ishte edhe me popullsinë e rrethit të Gjakovës, përkatësisht ajo e zonës kufitare të fshatrave të Hasit. Gjatë periudhës 11-17 prill të vitit 1941 ushtria edhe xhandarmëria serbe, e ndihmuar edhe nga kolonistët serbë e malazez, vranë dhe masakruan me dhjetra shqiptarë. Vrasja më makabre ndodhi në xhaminë e Rogovës, ku përveç vrasjes dhe keqpërdorimit të kufomave, serbët u munduan që të bënin edhe krimin  tjetër, duke u munduar që të fshihnin gjurmët dhe këtë akt qyqar t’ua linin vetë shqiptarëve. Vrasja dhe masakrimi i shqiptarëve të konfesionit katolik , që ishin prej disa fshatrave të Hasit, të banuara kryesisht nga shqiptarë të këtij besimi, ishte bërë me paramendim dhe po ndodhte në vigjilje të festës më të madhe katolike, Pashkëve. Gjatë datave 11, 12, 13 dhe 14 prill të vitit 1941, në tetë fshatra të Famullisë katolike të Smaqit u vranë dhe u masakruan 61 si: Në Bërdosanë 4, Bishtazhin 13, Dol 12, Fshaj 2, Kusar 9, Kushavec 2, Marmull 11 dhe në Smaq 8 shqiptarë.

Faksimile të shënimeve të Dom Lukës
Faksimile të shënimeve të Dom Lukës
MASAKRA  NË  XHAMINË  E  ROGOVËS     

DHE KONTRIBUTI I DON LUKËS NË NDRIÇIMIN E SAJ

Se forcat ushtarake dhe ato të xhandarmërisë serbe, të ndihmuara edhe nga kolonistët e ngulitur me dhunë në tokat e shqiptarëve që nga viti 1927, kishin planifikuar të bënin masakra të papara në këto anë, këtë e dëshmon edhe vrasja në mënyrë më mizore e 10 shqiptarëve në Xhaminë e Rogovës së Hasit. Masakra u bë më 11 prill të vitit 1941, ndërsa viktimat u therën me bajoneta. “Të gjithë këta fshatarë u zunë në shtëpitë e tyre, në fushë ose në rrugë dhe u vranë pa asnjë shkas”.   
Përmes kësaj vrasjeje, në këtë vend të kultit të shqiptarëve të besimit islam, serbët mendonin të realizonin një tjetër skenar: atë të përçarjes në mes shqiptarëve dhe se kinse shqiptarët e besimit islam kishin vrarë e masakruar shqiptarët e besimit të krishterë. Por kjo nuk iu shkoi për dore, sepse shqiptarët, të një kombi e gjaku, me shekuj kishin jetuar në harmoni të plotë dhe ata ishin të vetëdijshëm se aktin e vrasjes në xhami të Rogovës e kishin bërë serbët dhe se qëllimi i tyre ishte futja e përçarjes dhe e vëllavrasjes.
Vrasja dhe likuidimi i shqiptarëve në rrethin e Gjakovës, përkatësisht në fshatrat e Hasit, siç u tha edhe më lart, u bë me regjinë e Sreçko Çemerikiqit, ndërsa vrasja  në xhaminë e Rogovës u bë  “me porosi edhe të një oficeri që shqiptarët pastaj të vriten ndër veti. Por e vërteta u sheshëzua në saje të sinqeritetit të priftit të kishës, Dom Lukë Filiqi. Kontributi i këtij famullitari të përkushtuar në rrugën e Zotit dhe të kombit në ndriçimin e së vërtetës është i jashtëzakonshëm. Ai po ndiqte rrugën e paraardhësve të tij, e veçanërisht të Atë Luigj Palajt e të Atë Shtjefën Gjeçovit, të cilët u martirizuan. Ai duke parë qëllimin e vrasësve, pa u hamendur fare ua çjerri maskën, madje edhe duke i quajtur terroristë. Në shënimet e tij të lëna në dokumentin nr. 220/3 të Zyres famullitare në Bishtazhin, me rastin e varrimit të kufomave të të masakruarve në xhaminë e Rogovës, ai shkruan se ata u vranë nga terroristët e Serbisë. Ky konstatim real i këtij famullitari, i cili e kishte lënë amanet që kur të vdiste të varrosej aty ku u varrosën martirët e Famullisë së tij, shokoi vrastarët, të cilët nuk e lanë pa u hakmarrë ndaj famullitarit. Ai pas përfundimit të luftës, e cila pa të drejtë u quajt Nacionalçlirimtare, disa herë iu nënshtrua represionit dhe torturave të regjimit të instaluar serbo-jugosllav. Madje disa herë u burgos dhe u maltretua në mënyrën më çnjerëzore.    
Siç shihet edhe më lart, por edhe sipas asaj që kemi mundur të nxjerrim nga rrëfimet e dëshmitarëve, del se ky krim, ashtu sikurse edhe krimet e tjera të bëra në Kusar, Dol, etj.,  ishte bërë nën dirigjimin e oficerit serb, Sreçko Çemerikiqit, që ishte ndihmuar edhe nga dy kolonistë, njëri prej të cilëve duhet të jetë Brajan Zoriq, një kolon që banonte në fshatin Kusar. Sipas dëshmitarëve të atyre masakrave, oficeri ushtarak serb ishte dhëndërr i kolonit Brajan Zoriq, që siç shihet i kishte dhënë fjalën se kur të tërhiqej me ushtri (kuptohet pasi që të kryente skenarin e vrasjes dhe të masakrimit të të gjithë atyre shqiptarëve), do të shkonte në Kusar ku kishte shtëpinë dhe familjen dhe do ta merrte me vete së bashku me familje, gjë që nuk ndodhi, pasi që ai së bashku me ushtarët ishin detyruar të tërhiqeshin para kohe dhe të shkonin krejtësisht shtigjeve të kundërta, në mënyrë që të arrinin në Gjakovë. Do të thotë se përveç oficerëve dhe ushtarëve serbë, një rol të madh në ekzekutimin dhe masakrimin e shqiptarëve në xhaminë e Rogovës, pastaj në Kusar, Dol etj., kishin edhe kolonët, që ishin ngulitur në tokat e shqiptarëve që nga viti 1927, sipas një skenari serb që parashihte kolonizimin e tokave shqiptare me serbë e malazez të ardhur nga vise të tjera të Jugosllavisë, ndërkohë që vazhdonte vrasja dhe shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës.
Më poshtë po japim të dhënat biografike të të masakruarve në xhaminë e Rogovës, shënime të cilat janë evidentuar nga famullitari Dom Lukë Filiqi, i cili përveç mënyrës së vrasjes dhe autorëve të atyre vrasjeve, me mjaft përpikëri jep edhe datat e lindjes dhe datat dhe vendin e vrasjes, por edhe mjetet e vrasjes dhe vendin dhe datat e varrimit.
Po i publikojmë një nga një, ashtu sikurse edhe i ka shënuar ai dhe të cilat shënime edhe sot ruhen në Zyren e Vendit në Bishtazhin:
1.Ton Lushi, Kryetar i Shoqërisë së Eukaristisë Shenjtë, biri i Ndue Nikollës, me religjion katolik, i lindur në vitin 1904 në Bishtazhin ku edhe banonte, në moshën 37 vjeçare të Premtën e Madhe, më 11 prill 1941; në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Ishte i rrëfyer dhe i kunguar të Diellën e Larit, më 6 prill 1941. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 659, për vitin 1904. Nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar, është varruar në Talec, më 18 prill 1941.
2. Gjoni, biri i Mark Nokës, me relegjion i krishterë katolik, i lindur në vitin 1889 në Bishtazhin, me banim në Bishtazhin, të Premtën e Madhe, më 11 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 545, për vitin 1899. Nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar, është varruar në Talec, më 18 prill 1941.
3. Marku, biri i Çup Hilit, me relegjion katolik i lindur në Smaq në vitin 1891, me banim në Bishtazhin, të Premtën e Madhe, më 11 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 615, për vitin 1891. Më 18 prill 1941 është varrura në Talec nga famullitari, Dom Luka Filiq.
4. Mikeli, biri i Çup Hilit, me relegjion katolik, i lindur në Fshaj, në vitin 1906, me banim në Bishtazhin, të Premtën e Madhe, më 11 prill 1941, në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë copa-grimë. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 615, për vitin 1906. Nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar, është varruar në Talec, më 18 prill 1941.
5. Lleshi , biri i Gjin Prenqit, me relegjion katolik, i linduir në Romajë, në vitin 1885, me banim në Smaq, të Premtën e Madhe, më 11 prill 1941 në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 485, për vitin 1885. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.
6. Nou, biri i Mark Vorfit, me relegjion katolik i lindur në Marmull, në vitin 1906, më banim në Fshaj, të Premtën e Madhe më 11 prill 1941 në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Ishte i rrëfyer dhe kunguar të Dielën e Larit, më 6 prill 1941. Krhz. librin e të lindurve nr. rrjedhës 465, për vitin 1906. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.
7. Zefi, biri i Gegë Pjetër Radit, me relegjion katolik, i lindur në vitin 1900 në Smaq, me banim në Bishtazhin, të Premtën e Madhe, më 11 prill në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë, duke ia prerë edhe kokën. Krah. librin e të lindurve nr.rrj. 573, për vitin 1900. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.
8. Marku, biri i Zef Ndout, i lindur më 2 mares 1910 në Bishtazhin, ku edhe banonte, të Premtën e Madhe, më 11 prill në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës, i lidhur këmbësh e duarsh, me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krah. librin e të lindurve nr.rrj. 561, për vitin 1910. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.
9. Pali, biri i Zef Nout, me relegjion katolik, i lindur në vitin 1913, në Novosellë të Poshtme, me banim në Bishtazhin, të Premtën e Madhe, më 11 prill në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës, i lidhur këmbësh e duarsh, me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krah. librin e të lindurve nr.rrj. 561, për vitin 1913. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.
10. Nou, biri i Mark Çupit, me relegjion katolik, i lindur në Smaq, në vitin 1895, me banim në Bishtazhin, të Premtën e Madhe, më 11 prill në mëni ndaj fesë “in odium fidei” nga terroristët e Serbisë, në xhami të Rogovës, me bajoneta është i bërë kortarë-kortarë. Krah. librin e të lindurve nr.rrj. 603, për vitin 1895. Më 18 prill 1941 është varruar në Talec nga i nënshkruari Dom Luka Filiq, famullitar.
Këta ishin ata që u vranë dhe u masakruan në mënyrën më mizorë në xhaminë e Rogovës më 11 prill të vitit 1941, të Premtën e Madhe, ndërsa më datat 12, 13 dhe 14 prill u vranë edhe 53 shqiptarë të tjerë. Po japim edhe emrat e tyre: Llesh Mark Gjoka (Fshaj) i vrarë më 11 prill 1941 në Kodër të Gradishit, Gjergj mark Çupi (Bishtazhin), Binak Nikollë Gjoka (Lushi), Bishtazhin, Pren Binak Lasku (Bishtazhin), Zef Kolë Gjoka ( Smaq), Pashk Kolë Gjoka (Smaq), Prenk Frrok Kola (Lasku), Smaq, Nue Gjin Kola (Lasku), Smaq, Gjon Gjin Kola (Lasku), Smaq, Tun Gjin Kola (Lasku), Bishtazhin, Nikollë Gjin Kola (Lasku), Smaq, Musë Gjin Kola (Lasku), Smaq, Palush Ukë Noci (Bezhi), Dol, Nue Frrok Preni, Kushavec, Dedë Nue Preni, Kushavec, Nikollë Pren Nikolla (Biçi), Dol, Martin Zef Mark Leka (Dol), Prenkë Gjin Bardhoku (Dol), Musë Nue Prenka (Dol), Nikollë Mark Biba (Dol), Lëkë Mark Biba (Dol), Tomë Noc Bezhi ( Dol), Nue Prenkë Tahiri (Dol), Nrecë Prenkë Tahiri (Dol), Tomë Nrekë Gjini (Dol), Tunë Prenkë Gjini (Dol), Gjokë Nikollë Leka (Dol), Gjokë Prenkë Lleshi (Dol), Nrecë Dedë Bardheci (Marmull), Mark Gjin Marku (Marmull), Gjergj Mark Nikollë Rrasi (Marmull), Ukë Nrecë Marku (Marmull), Nikollë Nrecë Marku ( Marmull), Prenkë Palok Lleshi (Marmull), Hil Nikollë Deda (Marmull), Nue Prenkë Nikolla (Marmull), Zefe Nue Prenkë Nikolla (Marmull), Pjetër Llesh Nou (Marmull), Nrecë Mark Sherri (Marmull), Mark Prenë Nreca (Bërdosanë), Prenë Bibë Pren Karaqi (Bërdosanë), Bibë Pren Biba (Bërdosanë),  Gjokë Pren Bibë Karaqi (Bërdosanë), Dedë jak Nrecë Kola ( Marmull), Zef Pashk Mark Nou (Troshan), foshnje, Pashke Gjon Prenk Kola, foshnje nga Ujzi.


(Vota: 51 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora