E merkure, 23.10.2024, 04:23 AM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (I)

E merkure, 16.12.2009, 11:00 PM


SYLEJMAN ALIU


FILOZOFIA E KRROKAMËS

(Rexhep Qosja në pasqyrë)

 

Redaktor: Agim GJAKOVA

 

Ali Podrimja


Mes dy gurëve


(Bllacë, 1999)      

 

Me Gjuhë Qeni tek merrem

më pak e ndjej

praninë e Njeriut

 

ndjekjet ekzode varre oh Zot

si na pakësohet dheu

 

Donkishoti ynë qeth e rruar në zero

në rroba femre vesh

në karro plehu kalon kufirin Shq-Shq

 

Maja e Sharrit seç i ngjan një molle dukagjini

po nuk mund e kafshon me dhëmbë të verdhë

Mbi dhe errësirën e shtrirë ndritë pika e gjakut

 

Kriposni trupat ju lutem

për kohë më të mira

Gjuhë e Qenit

na zgjon dhe n’ëndërr

 

A mjaftueka të jetosh

mes dy gurëve


(Marrë nga vëllimi poetik i A. Podrimjes „Libri mbi të qenit“)


Siç njofton shtypi, Rexhep Qosja, shkrimtar dhe akademik i Kosovës, shfrytëzoi rastin e panairit të librit në Ulqin, për të bërë një sulm kundër shkrimtarit Ismail Kadare.
Nuk do të merremi me këtë sulm, që përsëriste sulme të tjera të tij: Ismail Kadareja na qenkësh shkrimtari më stalinist, më komunist, një mit i komunizmit dhe, si përfundim, më i dëmshmi i letrave shqipe. Logjika e sulmit? Të hiqet ky shkrimtar nga letërsia shqipe? Ta quash një shkrimtar “mbrojtës dhe eksponent i komunizmit”, “mit të krijuar nga komunizmi për nevojat e veta”, është më mirë ta heqësh nga letërsia, se sa ta lësh.
Këto deklarata Qosja i bën në konferencë shtypi në një panair libri, që është festë e librit, e librit të Shqipërisë, e librit të Kosovës, që si shtet për herë të parë merr pjesë në një panair të tillë, pas shpalljes së pavarësisë.
Këto deklarata bëhen në Mal të Zi përpara publikut shqiptar, por edhe përpara publikut malazez. Përpara shkrimtarëve shqiptarë, por edhe përpara shkrimtarëve malazezë, kroatë dhe maqedonas, që marrin pjesë në panair. Në panair ku marrin pjesë ministra të Shqipërisë, të Kosovës, zyrtarë të tjerë të lartë të Malit të Zi e të Maqedonisë. Ku organizator kryesor është Fatmir Toçi, botues i Qoses, menaxhues i shkrimeve të tij kundër Kadaresë dhe kryetar i shoqatës së botuesve shqiptarë!
Sulmi i Qoses është në radhë të parë sulm politik, në emër të moralit të lartë që duhet të ketë shkrimtari i sotëm.
Ne nuk do të zgjatemi me komente për deklarimet e tij, por do të sjellim një deklarim që Qosja vetë e ka bërë. Citimi më poshtë është nxjerrë i plotë, nga artikulli i Qoses për Titon, botuar në gazetën “Rilindja”, datë 11 maj 1980:
“Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë në triumf përfundimtar luftën nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë – ja një meritë e mjaftë për historinë. Tito i ka thënë “JO” Stalinit, në një kohë kur forca e Stalinit sikur nuk njihte kufij – ja një meritë e mjaftë historike për historinë. Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve e kombësive – ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito i ka prirë idesë së madhe që u reziston fuqive të mëdha – ja një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në historinë e përbotshme”.
Në këtë deklaratë jepet e plotë fytyra morale e Rexhep Qoses.
Është deklaratë tepër e rrallë, për të mos thënë unikale: një shkrimtar t’i bëjë lajka të tilla të neveritshme pushtuesit dhe shtypësit të huaj të popullit të vet!
Këto lajka i adresoheshin Jugosllavisë titiste, në kohën kur ajo shtypte me terror dhe gjak popullin e Kosovës. Rexhep Qosja u puth duart xhelatëve.
Këto lajka nuk janë bërë në ndonjë kohë të hershme, në vite të rinisë dhe të naivitetit, por më 11 maj të vitit 1980, dhjetë muaj përpara rebelimit të rinisë kosovare, atëherë kur rrugët e Prishtinës u lanë me gjakun e studentëve shqiptarë.
Ndërsa Qosja bën këto lajka, më 1981, në kohën e rebelimit kosovar, shkrimtari i sulmuar prej tij, Ismail Kadareja, shkruante veprën e tij “Krushqit janë të ngrirë”, e para vepër letrare, që e përkthyer në anglisht dhe në frëngjisht, i bëri të njohur publikut botëror fytyrën e vërtetë të përgjakshme të Jugosllavisë.
Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, R. Qosja duhej të rrinte i heshtur dhe me faj. Aq më pak të jepte leksione morali për të tjerët.
Por ai ka zgjedhur një rrugë tjetër. E cila në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i asaj që ka bërë më 11 maj 1980, kur i bënte lajka pushtuesit.
(Sadik Bejko)


Në vend të hyrjes


E shkrova këtë libër për Rexhep Qosjen. Shumë nga miqtë e sinqertë krijues, por dhe të tjerë, që na mbanë bashkë ende një miqësi e mëhershme, por që tash ngarendin pakohshëm interesave të ditës, më thanë të mos e shkruaja këtë libër. Disa nga ta gati më lutnin. „Përse duhet t’i ofrosh Qosjes kaq rëndësi, kur tashmë ai është bërë gati të bjerë nga të gjitha ato lartësi, të cilat ia kishim siguruar ne me konsiderata të larta shprese. Ai po bie vetë, po e rrëzon vetveten.“

Natyrisht lind një trishtim kur flasin për rënien e tij nga vetvetja. Pastaj nga ky trishtim njeriut fillon t’i dhimbset. „Tashmë të gjithë e kanë lënë vetëm, brenda gjithë zhurmës së vetvetes, i pashpresë të shquhet mbi gërmadhat që i shkakton kur rrëzon viganë të kombit. Askush nuk komunikon me të, nuk i përgjigjen, nuk e lëvdojnë më, nuk duan të jenë pjesë e veseve të tij, shumëherë të kualifikuara dhe të cilësuara si sëmundje, të cilat njëmend e shtynë të mos linte kënd pa damkosur, pa shpërfillur, pa ironizuar e injoruar trillueshëm, duke u munduar ta flakte e të flakë nga secili mjedis krijues dhe nga secili mjedis politik e atdhetar, nuk la kënd të vyeshëm pa i futur në dosjet e tij denoncuese, në librat e tij pamfletesh të paimagjinueshme. Ai ka trille, ai s’ka dashuri të mbarë kolektive për kulturën, për letërsinë, për vendin. Iu ka vërsulur të gjithëve, sepse mendon se vetëm ai është kultura e letërsia shqiptare, vetëm ai është vendi ynë, vetëm ai është atdhetari, që ka të drejtë të fabrikojë armiq të tij të shumtë, por jo nga armiqtë e popullit të tij, por brenda dhe vetëm brenda popullit të tij krijues, të popullit të tij politik, të popullit të tij nacionalist...“ Kështu mendoja derisa këta miq më flisnin që të heshtja dhe të mos e shkruaja as edhe një rresht për të dhe të veproja siç veprojnë, qe sa kohë, ata dhe intelektualët e tjerë të Kosovës të sharë e të pasharë nga Qosja.

Megjithatë, unë e shkrova këtë libër për Qosjen, jo si përpjekje për të vënë në linjë të drejtë e normale qëllimin dhe logjikën e tij prej pseudoZoti, sepse kjo tashmë nuk arrihet, por më shumë për të mos e lënë vetëm, për të mos e lënë brenda kumbimit e ushtimave të britmave të tij në mjediset e heshtura kombëtare të intelektualëve, të historianëve, të krijuesve, të politikanëve të gjallë a të vdekur, të emblemave tona më të ndritura dhe më të çmueshme kombëtare, edhe dje edhe sot, të përmasave kombëtare e ndërkombëtare , të cilat i përdhosi dhe vazhdon pandalshëm t’i përdhosë mjaft padinjitetshëm e pa asnjë argument. Nuk desha ta lë vetëm, jo nga mëshira, por që ta shoqëroja, ndaj e shkrova këtë libër. Është nga mbarimi i moshës krijuese  dhe nuk është mirë, them, ta rrethojmë me kaq heshtje të thellë, duke injoruar kështu të qenit e tij në vetatmosferën e tij rrënuese, të bëmat e tij që i quan  „profetike“, të cilat gjithnjë shkrepin si rrufe vdekjeprurëse mbi secilën kokë dhe mbi secilin mendim të kundërt (të kundërt me ideologjinë e tij prokomuniste dhe pro titiste), duke shkallmuar mjaft padhembshëm thuaja trurin më të veçantë të kombit ngado dhe kudo në botën tonë kombëtare.

Gëzohem që pas këtij libri ai nuk do të jetë vetëm. Ndoshta do të më shajë, le të më shajë. Ndoshta do të heshtë, le të heshtë. Ndoshta do t’i detyrojë ata pak vetë që i ka nën të që të reagojnë, siç i pati detyruar të reagojnë edhe me kërcënime kanuni, kur u shpaluan publikisht një varg plagjiaturash më të reja të tij. Le t’i detyrojë. Ndoshta, kur do ta pyesnin (medet) për këtë libër dhe për autorin e saj, do të përgjigjej njësoj siç qe përgjigjur ndaj të vërtetave publike që kishte sjell krijuesi dhe intelektuali i njohur Sadik Bejko se „po t’u përgjigjesha sadikave (tash aliajve), do të më duheshin 30 daktilografë“. Le të përgjigjet edhe kështu. E ç’përgjigje tjetër do të mund të jepte, kur i mungojnë të vërtetat, kur s’e ka fuqinë e pendesës për të pavërtetat e tij, kur s’e ka këtë moral? Duke sharë, duke heshtur, duke detyruar të tjerët nën të të reagojnë, ai do të përjetojë gëzimin se nuk qenka krejtësisht vetëm, se paska dikush qe e kritikuaka dhe, paska dikush, që e mbrojtka. Kësaj i gëzohem.

Rexhep Qosja ishte vërtet i madh, kur kolektivi ynë intelektual e bënte dhe e mbante të madh. Kur Rexhep Qosja injoroi dhe u përpoq të rrënonte, herë kolektivisht, herë individualisht, këtë kolektiv intelektualësh në Kosovë e në Shqipëri, duke marrë vetë përsipër dizajnin e ndërtimit të vetëkënaqësisë së stërzmadhimit të vetvetes mbi gërmadhat e rrënimeve që linte pas, ai u bë dhe vazhdon të bëhet fare i vogël, por me sëmundje të mëdha. Nuk u bë vetëm i vogël, por edhe kapricioz, mjeshtër stërkeqës i logjikës së ngjarjeve të rëndësishme kombëtare krijuese e politike, të historisë së gjithmbarshme, të cilën e kishte shikuar dhe e shikon nga larg me dylbitë e ideologjisë komuniste dhe, përgjithësisht, të së majtës ekstreme me të cilën ishte edukuar dhe, bashkë me rriten e tij të shtatit, kishte rritur edhe privilegjet e veta nga një sistem i tillë, që bënte kërdinë më mizore mbi popullin shqiptar nën ish-Jugosllavinë kolonialiste. I tillë ka mbetur edhe sot, me të njëjtin sistem pseudomendimesh përgjuese, denoncuese, mohuese e rrënuese, njësoj si gjithë tiranët e mendimit dhe të veprimit të përparuar. Prandaj, e deshi dhe e dashuron edhe sot Titon e tij, prandaj e deshi dhe e dashuron edhe sot Enver Hoxhën, kur sheh Sali Berishën me gjithë të djathtën e tij shqiptare ta drejtojë, ta zhvillojë dhe ta integrojë Shqipërinë në të gjitha institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare. Kur i sheh se kush janë politikanët në Kosovë dhe në Shqipëri, atij, si? e thotë vetë, i vjen dëshira të flasë mirë e më mirë për Titon dhe për Enverin, që do të thotë se ua ka marrë inatin më të tërbuar këtyre politikanëve që s’e lanë të jetojë Shqipëria staliniste, por e bënë demokratike e të qytetëruar, atyre që nuk e lanë Kosovën të vazhdonte të zhvillohej sipas mënyrës titiste, e dergjur nën pushtimin e egër sllav.

Duke e shkruar librin për të, u nisa dhe nga shprehja e tij e qëlluar se „këto jo vetëm duhet t’i dimë, por edhe t’i themi“. Por unë provova moton time, jo në shumës si ai, por në njëjës: këto jo vetëm duhet t’i di, por edhe t’i them. Prandaj vendosa që në këtë libër për Qosjen ta them vetëm një pjesë nga ato që i di. Duke shkruar për sëmundjen patjetër që autori duhet të prekë dimensionet e saj. Të prekurat e tilla jo rrallë infektojnë. Ka gjasa që brenda këtij libri ka edhe sëmundje të mia, që kanë ardhur si rezultat i infektimeve të tilla. Le të gjykojë vetë lexuesi.

Edhe pse në kushtet e një kolonializmi të thellë „liberal“ e brutal nën jugosllavitë plaka dhe të reja, aso mbretërore e titiste, populli i Kosovës, dhe gjithandej shqiptarët në trevat e tyre të copëzuara brenda kësaj sajese të përbindshme, mbi të cilat kjo sajesë rriti shtatin e saj gjeografik, arriti të krijojë edhe breza shkollarësh, breza me dije e breza krijuesish. Vizionet, edhe pse me ngadalë, edhe pse nën shtypje të vazhdueshme dhe gjithnjë e më të egër sllave, vinin gjithnjë e më të organizuara, duke hapur shtigjet e çlirimit dhe të lirisë me përpjekje mbinjerëzore dhe me sakrifica të jashtëzakonshme. Këto vizione atëherë e tash, siç shihet, kishin një përzierje të vetëdijes dhe të iluzioneve folklorike, në të cilat thuaja në vazhdimësi, në vend të përpjekjeve kolektive, në çastet më vendimtare pretendohej që historia të ndërtohej mbi individët, të cilët me çdo kusht kërkonin të shquheshin për të krijuar në hapësirën kombëtare vetëm të bëmat e tyre shumëherë të fabrikuara heroike, apo të bëmat e tyre të dijeve shumëherë të pameritueshme. Historia e lavdishme kolektive duhej, ashtu si edhe tash, të fillonte vetëm me ta. Këto fenomene vesi vetë populli i pati emërtuar dhe i emërton edhe tash si bajraktarizëm, jo për të shprehur mburrjen, por për të qortuar këtë ves, të cilin s’e kishte asnjë popull tjetër. (Kadare në librin e tij ditar për Kosovën „Ra ky mort e u pamë“, shkruan edhe për këtë ves shqiptarësh: Ajo që më trishton  më shumë është se shenjat e kësaj sëmundjeje vihen re kudo: në Shqipëri dhe në Kosovë. Jam i sigurt se te një pjesë e dërgatës në Rambouillet etja e lavdisë regëti herë te njëri, herë te tjetri. I vetmi që ishte parashikues. I vetmi që s’bëri lëshim. I vetmi që s’u thye. I vetmi që e shpëtoi Kosovën nga katastrofa. I vetmi. Gjithmonë i vetmi). 

Ndoshta te popujt e tjerë veprohet ndryshe, por vesi shqiptar, thuaja gjithnjë kishte nevojën e rrënimit të përjetimit dhe të veprimit kolektiv, që të shquanin vetveten si individë mbi interesat e mëdha të gjeografisë kombëtare, por dhe të popullit në përgjithësi në të gjitha përpjekjet e zorshme për çlirimin e atdheut të humbur nga pushtimet e përhershme. Shqiptarëve, siç ngjet edhe sot e gjithë ditën, më me rëndësi u bëhet të fabrikohet heroizmi individual karshi sakrificës kolektive, se sa mëkëmbja kombëtare, të cilën vazhdimisht djemtë e saj, si heronj të vetëm, rrënuan dhe vazhdojnë ta rrënojnë, që në sipërfaqe të shihet „heroizmi“ i shpifur i tyre fizik, moral dhe i dijes. Ky ves, siç duket, ka lindur te individët shqiptarë si nevojë e kërkimit për të gjetur vetveten në ëndrrat e mbara për heroizëm, i cili, në të vërtetë, u ka munguar. Gënjeshtra dhe mashtrimi i brendshëm i kanë shtrënguar të shfaqen dhe të shquhen, jo mbi meritat e tyre, por mbi rrënojat e shkaktuara prej tyre të kolektivit kombëtar, i cili ka jetuar me të vërtetën e saktë, por pa pasur guxim të përballet me trilluesit dhe shpifësit e heroizmit të individëve të tillë, të cilët kanë vuajtur nga mungesa e njëmendtë e të qenit hero. Mund të sjellim një shembull fare të ri të këtij vesi plotë sëmundje individësh të tillë. Nuk ka njeri që tash e pak vjet më parë që nuk iu përul dhe nuk i përulet sakrificës aq sublime të Adem Jasharit në Prekaz në luftën e tij familjare me hordhitë  e egra ushtarako-policore të pushtuesit serb. Hordhitë serbe e vranë atë bashkë me gjithë familjen e tij të madhe. Pas kësaj sakrifice të jashtëzakonshme për mbrojtjen e dinjitetit familjar, të dinjitetit të popullit të Kosovës dhe të dinjitetit të vendit të tij në përpjekje për çlirim nga pushtuesi serb, të tjerët, që e patën dhe e kanë këtë ideal mbase vetëm lojë a paraqitje, filluan ta quanin Adem Jasharin komandant legjendar. E quanin dhe e quajnë kështu jo vetëm ata që vjelën e vjelin këto name dhe këto merita sakrificash kaq sublime, por edhe disa nga intelektualët e zëshëm të Kosovës. Në shikim të parë, duket se këtu nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo, kur logoja „Komandant legjendar“, që thuhet në secilin rast të nevojshëm për ta, të analizohet në kahet e fshehta morale të këtyre pohuesve, dalin shpjegime të tjera. Adem Jashari ishte komandant i UÇK-së, por ku e kishte ushtrinë kur ai luftoi tri ditë pa ndërprerë, derisa u vra me gjithë familjen e tij të madhe, luftoi me gjithë atë hordhi serbe? Nëse pas vrasjes së tij „heronjtë“ e gjallë e quajtën dhe e quajnë edhe komandant legjendar, çfarë shpjegimi moral duhet të ofrojnë se pse e lanë krejtësisht vetëm dhe krejtësisht të vetmuar në atë luftë aq të pabarabartë me gjithë ata eshalonë ushtarakë, policorë e paramilitarë serbë? Komandantin, në këtë rast, Adem Jasharin, e lanë vetëm dhe,  sipas normave dhe disiplinës ushtarake, mund të supozohet se derisa ai po vritej familjarisht, kishte ngjarë një dezertim i pafalshëm. Veç kësaj, pak më vonë, pikërisht nisën ta quajnë pandalshëm dhe paturpshëm edhe komandant legjendar, duke mos u skuqur fare nga akti më i dënueshëm i dezertimit. Nëse nuk është kështu, atëherë shtrohet pyetja: si ngjau që ushtria  nuk ishte nën komandën e tij kur ai bënte luftë aq të gjatë me hordhitë serbe?

Këta dezertues dhe vjelës të nameve dhe të meritave kaq sublime të sakrificës së Jasharajve, pak më vonë u bënë bashkë, si një kor i pështirë, edhe me disa intelektualë plotë gufe e zhurmë patriotike, të cilët krijuan logjikën e tyre të pamoralshme se, edhe pse nuk ishin pranë komandantit legjendar në gjithë atë episod lufte të Jasharajve krejtësisht të vetmuar, duke folur për të pareshtur dhe në secilin rast e në të shumtën e kohës pa asnjë rast, kërkonin të njiheshin të barabartë me heroizmin e komandantit legjendar. Të mësuar me kësi përvetësime meritash, duke munguar gjithmonë në këto bëma të mëdha, këta duan (dhe arrijnë) të mashtrojnë kolektivin kombëtar se, duke vënë epitete të tilla përkrahëse e vetëkrahasuese, edhe pse nga faktet në terren ata duken dezertues, duke qenë përkrahës të legjendave të tilla, në mënyrë automatike duan të shpalojnë edhe vetveten hero, duke konkurruar me të tilla mashtrime në kreun e historisë, ose të tjerët, që kanë edhe nga dy e më shumë pasaporta, që kanë nga dy e tre atdhe, krijojnë në letërsinë e tyre veten si kryepersonazhe ndjenjash e përjetimesh me të tillë heronjsh të njëmendtë. Këta, as në fillim, as tash nuk arrin t’i prekë turpi, kur sakrificën e tillë dhe aq sublime të Jasharajve e kanë shndërruar dhe e shndërrojnë vazhdimisht në marketing, moralisht të palejueshëm, për vetveten edhe pse e kishin lënë vetëm në luftë me hordhitë serbe.

Ne nuk e duam njeriun ashtu siç është në të vërtetë. Ne duam ta bëjmë tjetër, ashtu siç nuk është. Nëse nuk është ashtu siç e duam, ne ndërhyjmë, e trillojmë dhe në kuzhinat tona të përditshme, me brumëra të përzier, e krijojmë njeriun që na duhet për vetvete. Nuk janë të pakta këto kuzhina ku sajohen, trillohen dhe shpifen përmasat njerëzore e mbinjerëzore të heroizmave, të cilët janë nën fuqinë tonë  krijuese të ligë e mburrëse. Në këtë mënyrë, pastaj, sajojmë dhe ndërtojmë veten si Zot drejt interesave makabre e të fëlliqura moralisht. E ndërtojmë krijesën e re brenda nesh, e cila, në të vërtetë ka munguar gjithmonë rreth nesh dhe brenda nesh, që do të thotë brenda vetvetes sonë. U japim përmasën e gënjeshtërt, qoftë si legjendë, qoftë si Zot apo hije e Zotit, qoftë si „baba i kombit“, siç mendon dhe ia pranon vetes Rexhep Qosja. Në fushën intelektuale e krijuese ka edhe të tjerë sajues të tillë që, brenda kuzhinave të tyre brumërash të përzier, ku gatuhen fuqitë, të cilat, në të vërtetë, u mungojnë gatuesve të tillë. Ndërtimi i tyre fillon me futjen e shpirtit ndëshkues, si një fuqi e veçantë jashtënjerëzore, „hyjnore“, ose si një fuqi djalli, me të cilën urdhëron të përgjumen mendjet dhe veprimet e njerëzimit tonë kombëtar. Këto mendje duhet të jenë krejtësisht të njëjta me urdhrat e këtyre hijeve të Zotit, apo siç e duan vetveten, si Zot të vetëm mbi kolektivin krijues dhe të mendimit të tij të mundshëm e të lirë. Nëse rastësisht do të mund të ngjante të shfaqej a të dukej një mendim ndryshe nga mendimi i hijes së Zotit, apo të vetë Zotit, siç pretendon të jetë studiuesi, kritiku dhe akademiku Rexhep Qosja, jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri, por gjithandej nga janë e ku janë shqiptarët, atëherë vihet në fuqi përmasa e tij më e egër e ndëshkimit dhe e zhvlerësimit, që do të thotë e zhbërjes së përnjëhershme të mendimit, të frymëzimit dhe të dijes së gjithë krijuesve a mendimtarëve të tjerë të mëdhenj kolektivë.

Pse iu desh dhe i duhet kjo këtij akademiku? Pse i duhet këtij akademiku të shfaqet kudo dhe për çfarëdo, siç i thotë një mik i tij „krijues“, hija e tij e Zotit (Ç’është, në të vërtetë, Hija e Zotit, si sinonim?! A mund të jetë kjo hije Zoti vetë djalli, që vepron vetëm si hije dhe nga hijet?) dhe të shembë pamëshirshëm dhe pa logjikë të shëndoshë vlera mendimesh dhe vlera të pakontestueshme krijuese, siç përpiqet, në të gjitha përmasat, të ndëshkojë vlerat krijuese dhe intelektuale, ve? të tjerëve, edhe të shkrimtarit tonë botëror, Ismail Kadare? Pse iu desh dhe i duhet të ndëshkojë e të rrënojë të gjithë ata krijues dhe intelektualë, që nuk janë e nuk ishin pjesë e një ligësie të tillë, të cilët në periudha të ndryshme ishin, siç thotë vetë me ironi të dhembshme, „të parët e parë“ në kolektivin tonë të mendimit dhe të krijimtarisë letrare? Pse ndodhi që, pak në vitet gjashtëdhjetë dhe më shumë në fillimet e viteve shtatëdhjeta, ai, domethënë Rexhep Qosja, ishte në shoqëri të ngushtë në mesin e intelektualëve të shquar të kohës (dhe më vonë) dhe pse, kur ai siguroi majat e privilegjeve shoqërore të asaj kohe, që rridhnin nga sistemi pushtues titist, duke zënë pozita drejtuese në Universitetin e Prishtinës, në Institutin Albanologjik, ku u zgjodh e u rizgjodh disa herë drejtor, mandej majë revistës më prestigjioze letrare „Jeta e re“, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, etj., filloi ndëshkimin e paparë dhe rrënues thuaja të të gjithë klasës mike intelektuale dhe, mbi të gjitha, të asaj krijuese, klasë kjo që e kishte afruar pranë vetes dhe që e kishte afirmuar tej mase? Pse iu vërsul me aq vullnet dhe pezëm, po në vitet shtatëdhjetë, shkrimtarit Ismail Kadare, pikërisht atëherë kur veprat e tij dolën nga gjeografia kombëtare dhe u bënë pjesë e lakmueshme e letërsive botërore, të cilat botuesit në gjuhë të ndryshme, nëpërmjet shkrimeve të tyre kritike, po e veçonin dhe po e radhisnin ndërmjet shkrimtarëve më në zë në botë? Pse z. Qosja thotë se mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga vendet islamike i ka kontribuar në masë të madhe Ismail Kadare me „Identitetin evropian të shqiptarëve“ dhe pse pas këtij konstatimi nuk e shpjegon mosndikimin e tij, domethënë të vetë Qosjes, në këto vende islamike, edhe pse shqiptarët i bartë si identitet islamik? Pse nuk e shpjegon, në këtë kontekst se Ismail Kadare, megjithatë, me sprovën e tij „Identiteti evropian i shqiptarëve“ paska ndikuar pra në gjithë botën e fuqishme perëndimore që të njihet pavarësia e Kosovës? Pse iu desh që të shkruante me aq pezëm e fobi librin „Morfologjia e një fushate“, me të cilën zhvlerësoi mjaft hakmarrshëm disa nga penat e vyeshme të kritikës sonë letrare, të cilat, natyrisht nuk e dëmtonin në asnjë mënyrë shkrimin  e tij të kritikës, se këto pena të vyeshme e të rëndësishme për letërsinë tonë nuk bënin asnjë dëm, por sillnin vetëm përvojën e tyre të kritikës në letërsinë tonë? Pse shau dhe u përpoq në mënyrë të pashembullt në këtë libër-pamflet vargun e bukur lirik të poetëve të Kosovës? Pse deshi dhe kërkon ende të jetë zë i vetëm, jo vetëm i kritikës letrare, jo vetëm i shkrimit të historisë së letërsisë shqipe, jo vetëm i shkrimit letrar të tij, por0 të jetë i gjallë dhe tiran vetëm mendimi i tij edhe në politikë dhe mbi të gjitha përpjekjet shqiptare në Kosovë e në Shqipëri, të shihet i vetmi, vetëm i vetmi, si Zoti, duke rrëzuar e rrënuar çdo mendim tjetër pavarësisht nga kush vjen dhe pavarësisht që shumë nga këto mendime në botë janë pranuar dhe vazhdojnë të pranohen? Pse Rexhep Qosja e deshi dhe e do aq shumë Titon dhe Enver Hoxhën? Pse LDK-në, e udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova, e cila në vitet nëntëdhjetë dhe më vonë, ishte një lëvizje e madhe, që brenda saj kishte mbledhur rreth 90 për qind të popullit të Kosovës, Rexhep Qosja e quan si LKJ (Lidhja komuniste e Jugosllavisë)? Pse ky akademik, duke dashur ta fyej dhe ta denigrojë kaq mllefshëm dr. Rugovën, , fyen dhe denigron, si një Zot ndëshkues, këtë 90 për qind të popullit të Kosovës, që ishte mbledhur në LDK, dhe i quan si parti e LKJ-së? Pse e trishtonte këtë akademik aq shumë nami i brendshëm dhe ndërkombëtar i filozofisë dhe i vizionit të dr. Rugovës? Pse Rexhep Qosja nuk e pranoi ofertën e dr. Rugovës që të merrte në vitet, e vështira, nëntëdhjetë postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës? Pse pas luftës, duke qenë në qeverinë e përkohshme, lejoi dhe ndihmoi me zell të jashtëzakonshëm rrënimin e të gjitha institucioneve të Kosovës, të cilat ishin ngritur përballë dhunës së egër serbe, kur rreziqet dhe sakrificat ishin aq të mëdha, institucione në të cilat ai nuk mori pjesë asnjëherë, e nga largësitë e panjohura nuk i pranonte rezultatet e pjesëmarrjes masive të popullit të Kosovës? Sadik Bejko, krijues i njohur nga Shqipëria, do të thoshte, siç ka thënë në librin e tij „Disidentët e rremë“, se …të qenit shkrimtar i jep dikujt të drejtën e një fuqie shkatërrimtare, të drejtën e një fuqie që nuk pranon asgjë tjetër veç vetvetes? (Faqe 9). Pse në marsin e hershëm të vitit 1999 me të drejtë ftoi shqiptarët të mos e braktisnin Kosovën, sepse „ne atdhe tjetër nuk kemi“, kurse vetë i tebdilosur fare, me mjekër të rruar e i pispillosur në rroba femrash plaka, braktisi Kosovën, duke lënë në vendkalimet kufitare-varr qindra mijëra shqiptarë, të cilët nuk po e braktisnin Kosovën, por që po dëboheshin me dhunë nga shtëpitë e tyre, kurse vetë iku në “atdheun” e tij të tretë në Maqedoni (sepse të parin e ka në Plavën e administruar nga Mali i Zi), që të ikte përsëri nga ky atdhe e të vendosej gjatë gjithë luftës në atdheun e tij të katërt, në Shqipëri? Pse nga ky atdhe i tij i katërt, pas luftës, nën hijet e këndshme të qershorit në Tiranë, po të vitit 1999, ky akademik iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se „ata që kishin qëndruar gjatë luftës në Kosovë ishin luajalë të Serbisë“? Pse Rexhep Qosja vjeli, siç ofrojnë dëshmi shumë studiues të letërsisë, aq shumë nga Dhimitër Shuteriqi, derisa po e (ri)shkruante historinë e letërsisë shqipe? Pse ky akademik tash është kundër rishkrimit të historisë së kësaj letërsie? Pse dhe si u rishfaq ky akademik si plagjiator i akademikëve të tjerë të Kosovës? Pse i urren aq shumë „bashkëpunëtorët“ shqiptarë të „nazizmit“ gjatë dhe pas Luftës së dytë Botërore, të cilët historia jonë kombëtare i vlerëson si luftëtarë sakrificash të jashtëzakonshme kundër pushtuesve serbë e të sllavëve të jugut në përgjithësi, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në Maqedoni, jo vetëm në Luginë të Preshevës dhe jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Shqipëri? Pse, pas ushqimit të tij të majmë e shfryes kundër institucioneve të Kosovës, të ndërtuara me shumë sakrifica e durim mbinjerëzor në dhjetëvjetëshin e fundit para luftës, krijoi partinë e tij (LBD) sa për të qenë kryetar i saj? Pse aq pak njerëz e dashamirë të tij iu bashkuan kësaj partie, e cila nuk vonoi dhe u shua si të mos kishte ekzistuar kurrë? Pse dhe në këtë parti politike të tij ai mbeti aq i vetmuar pa anëtarësi dhe pa vota të „popullit të mallkuar“, të cilin në librin e tij „I ringjalluri i penduar“ atë dhe Kosovën e quajti edhe „fermë qensh“? Pse nuk duhet të qortohet Rexhep Qosja?...

Këto dhe shumë pse të tjera, do të përpiqem t’i sjellë në vazhdim të këtij libri, duke ruajtur me respekt punën e vyeshme (edhe të përfolur) të këtij akademiku në fushën e historisë së letërsisë, por edhe duke nxjerrë pa mëdyshje shumë nga lajthitjet e tij të deritashme në gjithë jetën shqiptare, qoftë në botën letrare, qoftë në atë politike, qoftë në piraterinë e tij.



(Vota: 23 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Hilmi Saraçi: Masakra serbe në qytetin e Vushtrrisë (1998 - 1999) Sabile Keçmezi-Basha: Angazhimi i grave në jetën politike e vendimmarrëse në Kosovë Tefik Ramadani-Qarri: Gjurmeve te krimeve partizane mbi Shqiptaret Qazim Namani: Kultura materiale dhe historia e qytetit të Prishtinës Sabile Keçmezi- Basha: Çështje të përdorimi të nocioneve: ilegale, klandestine dhe e fshehtë Hilmi Saraçi: Lashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë Shevki Sh. Voca: Vrasja e Kryetarit Kenedi - Atentati i shekullit XX Mahmut Elez Mahmuti - Kqiku: Përveç datave kurgja tjetër nuk ka të vërtetë Valon Kurtishi: Faleminderit Austro - Hungari, i përjetshëm kujtimi për Franc Jozefin e I Hilmi Saraçi: Luftëtarë të njohur të Artakollit (1918-1947) Milazim Kadriu: Radio Kosova e Lirë, lajmëtare e fitoreve të mëdha Ukshin Zajmi: Në përkujtim të 100 vjetorit të Normalës së Elbasanit Sabile Keçmezi-Basha: Pagëzimi, pseudonimet dhe rezistenca Qazim Namani & Enver Rexha: Gërmadhat e Gjytetit në Bellasicë Sabile Keçmezi-Basha: Aktet gjenocidale të UDB-së ndaj të burgosurve politikë shqiptarë Qazim Namani & Arzije Zeneli: Vlerat kulturore të kullës së Xhemajl Haxhisë... Isuf B. Bajrami: Kontributi i Kulturës Kombëtare në rrjedhat e Pavarësisë së Shqipërisë Avzi Mustafa: Kur bëhej Kongresi i Shkronjave në Manastir Vebi Xhemaili: Kryengritja e Dervish Cares, parapërgatiti Lidhjen e Prizrenit Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet jugosllave!

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora