| E merkure, 16.12.2009, 11:00 PM |
SYLEJMAN ALIU
FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)
Redaktor: Agim GJAKOVA
Ali Podrimja
Mes dy gurëve
(Bllacë, 1999)
Me Gjuhë Qeni tek merrem
më pak e ndjej
praninë e Njeriut
ndjekjet ekzode varre oh Zot
si na pakësohet dheu
Donkishoti ynë qeth e rruar në zero
në rroba femre vesh
në karro plehu kalon kufirin Shq-Shq
Maja e Sharrit seç i ngjan një molle dukagjini
po nuk mund e kafshon me dhëmbë të verdhë
Mbi dhe errësirën e shtrirë ndritë pika e gjakut
Kriposni trupat ju lutem
për kohë më të mira
Gjuhë e Qenit
na zgjon dhe n’ëndërr
A mjaftueka të jetosh
mes dy gurëve
(Marrë nga vëllimi poetik i A. Podrimjes „Libri mbi të
qenit“)
Siç njofton shtypi, Rexhep Qosja, shkrimtar dhe akademik i
Kosovës, shfrytëzoi rastin e panairit të librit në Ulqin, për të bërë një sulm
kundër shkrimtarit Ismail Kadare.
Nuk do të merremi me këtë sulm, që përsëriste sulme të tjera të tij: Ismail
Kadareja na qenkësh shkrimtari më stalinist, më komunist, një mit i komunizmit
dhe, si përfundim, më i dëmshmi i letrave shqipe. Logjika e sulmit? Të hiqet ky
shkrimtar nga letërsia shqipe? Ta quash një shkrimtar “mbrojtës dhe eksponent i
komunizmit”, “mit të krijuar nga komunizmi për nevojat e veta”, është më mirë
ta heqësh nga letërsia, se sa ta lësh.
Këto deklarata Qosja i bën në konferencë shtypi në një panair libri, që është
festë e librit, e librit të Shqipërisë, e librit të Kosovës, që si shtet për
herë të parë merr pjesë në një panair të tillë, pas shpalljes së pavarësisë.
Këto deklarata bëhen në Mal të Zi përpara publikut shqiptar, por edhe përpara
publikut malazez. Përpara shkrimtarëve shqiptarë, por edhe përpara shkrimtarëve
malazezë, kroatë dhe maqedonas, që marrin pjesë në panair. Në panair ku marrin
pjesë ministra të Shqipërisë, të Kosovës, zyrtarë të tjerë të lartë të Malit të
Zi e të Maqedonisë. Ku organizator kryesor është Fatmir Toçi, botues i Qoses,
menaxhues i shkrimeve të tij kundër Kadaresë dhe kryetar i shoqatës së botuesve
shqiptarë!
Sulmi i Qoses është në radhë të parë sulm politik, në emër të moralit të lartë
që duhet të ketë shkrimtari i sotëm.
Ne nuk do të zgjatemi me komente për deklarimet e tij, por do të sjellim një
deklarim që Qosja vetë e ka bërë. Citimi më poshtë është nxjerrë i plotë, nga
artikulli i Qoses për Titon, botuar në gazetën “Rilindja”, datë 11 maj 1980:
“Tito e ka udhëhequr dhe e ka
sjellë në triumf përfundimtar luftën nacionalçlirimtare të popujve të
Jugosllavisë – ja një meritë e mjaftë për historinë. Tito i ka thënë “JO”
Stalinit, në një kohë kur forca e Stalinit sikur nuk njihte kufij – ja një
meritë e mjaftë historike për historinë. Tito na ka udhëhequr shtigjeve të
vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës
së kombeve e kombësive – ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito
i ka prirë idesë së madhe që u reziston fuqive të mëdha – ja një meritë tjetër,
aq e madhe, aq vendimtare në historinë e përbotshme”.
Në këtë deklaratë jepet e plotë fytyra morale e Rexhep Qoses.
Është deklaratë tepër e rrallë, për të mos thënë unikale: një shkrimtar t’i
bëjë lajka të tilla të neveritshme pushtuesit dhe shtypësit të huaj të popullit
të vet!
Këto lajka i adresoheshin Jugosllavisë titiste, në kohën kur ajo shtypte me
terror dhe gjak popullin e Kosovës. Rexhep Qosja u puth duart xhelatëve.
Këto lajka nuk janë bërë në ndonjë kohë të hershme, në vite të rinisë dhe të
naivitetit, por më 11 maj të vitit 1980, dhjetë muaj përpara rebelimit të rinisë
kosovare, atëherë kur rrugët e Prishtinës u lanë me gjakun e studentëve
shqiptarë.
Ndërsa Qosja bën këto lajka, më 1981, në kohën e rebelimit kosovar, shkrimtari
i sulmuar prej tij, Ismail Kadareja, shkruante veprën e tij “Krushqit janë të
ngrirë”, e para vepër letrare, që e përkthyer në anglisht dhe në frëngjisht, i
bëri të njohur publikut botëror fytyrën e vërtetë të përgjakshme të
Jugosllavisë.
Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, R. Qosja duhej të rrinte i heshtur dhe me faj.
Aq më pak të jepte leksione morali për të tjerët.
Por ai ka zgjedhur një rrugë tjetër. E cila në të vërtetë nuk është gjë tjetër
veçse vazhdimi i asaj që ka bërë më 11 maj 1980, kur i bënte lajka pushtuesit.
(Sadik Bejko)
Në vend të hyrjes
E shkrova këtë libër për Rexhep Qosjen. Shumë nga miqtë e
sinqertë krijues, por dhe të tjerë, që na mbanë bashkë ende një miqësi e
mëhershme, por që tash ngarendin pakohshëm interesave të ditës, më thanë të mos
e shkruaja këtë libër. Disa nga ta gati më lutnin. „Përse duhet t’i ofrosh
Qosjes kaq rëndësi, kur tashmë ai është bërë gati të bjerë nga të gjitha ato
lartësi, të cilat ia kishim siguruar ne me konsiderata të larta shprese. Ai po
bie vetë, po e rrëzon vetveten.“
Natyrisht lind një trishtim kur flasin për rënien e tij nga
vetvetja. Pastaj nga ky trishtim njeriut fillon t’i dhimbset. „Tashmë të gjithë
e kanë lënë vetëm, brenda gjithë zhurmës së vetvetes, i pashpresë të shquhet
mbi gërmadhat që i shkakton kur rrëzon viganë të kombit. Askush nuk komunikon
me të, nuk i përgjigjen, nuk e lëvdojnë më, nuk duan të jenë pjesë e veseve të
tij, shumëherë të kualifikuara dhe të cilësuara si sëmundje, të cilat njëmend
e shtynë të mos linte kënd pa damkosur, pa shpërfillur, pa ironizuar e
injoruar trillueshëm, duke u munduar ta flakte e të flakë nga secili mjedis
krijues dhe nga secili mjedis politik e atdhetar, nuk la kënd të vyeshëm pa i
futur në dosjet e tij denoncuese, në librat e tij pamfletesh të
paimagjinueshme. Ai ka trille, ai s’ka dashuri të mbarë kolektive për kulturën,
për letërsinë, për vendin. Iu ka vërsulur të gjithëve, sepse mendon se vetëm ai
është kultura e letërsia shqiptare, vetëm ai është vendi ynë, vetëm ai është
atdhetari, që ka të drejtë të fabrikojë armiq të tij të shumtë, por jo nga
armiqtë e popullit të tij, por brenda dhe vetëm brenda popullit të tij krijues,
të popullit të tij politik, të popullit të tij nacionalist...“ Kështu mendoja
derisa këta miq më flisnin që të heshtja dhe të mos e shkruaja as edhe një
rresht për të dhe të veproja siç veprojnë, qe sa kohë, ata dhe intelektualët e
tjerë të Kosovës të sharë e të pasharë nga Qosja.
Megjithatë, unë e shkrova këtë libër për Qosjen, jo si
përpjekje për të vënë në linjë të drejtë e normale qëllimin dhe logjikën e tij
prej pseudoZoti, sepse kjo tashmë nuk arrihet, por më shumë për
të mos e lënë vetëm, për të mos e lënë brenda kumbimit e ushtimave të britmave
të tij në mjediset e heshtura kombëtare të intelektualëve, të historianëve, të
krijuesve, të politikanëve të gjallë a të vdekur, të emblemave tona më të
ndritura dhe më të çmueshme kombëtare, edhe dje edhe sot, të përmasave
kombëtare e ndërkombëtare , të cilat i përdhosi dhe vazhdon pandalshëm t’i
përdhosë mjaft padinjitetshëm e pa asnjë argument. Nuk desha ta lë vetëm, jo
nga mëshira, por që ta shoqëroja, ndaj e shkrova këtë libër. Është nga mbarimi
i moshës krijuese dhe nuk është mirë, them, ta rrethojmë me kaq heshtje
të thellë, duke injoruar kështu të qenit e tij në vetatmosferën e tij rrënuese,
të bëmat e tij që i quan „profetike“, të cilat gjithnjë shkrepin
si rrufe vdekjeprurëse mbi secilën kokë dhe mbi secilin mendim të kundërt (të
kundërt me ideologjinë e tij prokomuniste dhe pro titiste), duke shkallmuar
mjaft padhembshëm thuaja trurin më të veçantë të kombit ngado dhe kudo në botën
tonë kombëtare.
Gëzohem që pas këtij libri ai nuk do të jetë vetëm. Ndoshta do
të më shajë, le të më shajë. Ndoshta do të heshtë, le të heshtë. Ndoshta do t’i
detyrojë ata pak vetë që i ka nën të që të reagojnë, siç i pati detyruar të
reagojnë edhe me kërcënime kanuni, kur u shpaluan publikisht një varg
plagjiaturash më të reja të tij. Le t’i detyrojë. Ndoshta, kur do ta pyesnin
(medet) për këtë libër dhe për autorin e saj, do të përgjigjej njësoj siç qe
përgjigjur ndaj të vërtetave publike që kishte sjell krijuesi dhe intelektuali
i njohur Sadik Bejko se „po t’u përgjigjesha sadikave (tash aliajve), do të më
duheshin 30 daktilografë“. Le të përgjigjet edhe kështu. E ç’përgjigje tjetër
do të mund të jepte, kur i mungojnë të vërtetat, kur s’e ka fuqinë e pendesës
për të pavërtetat e tij, kur s’e ka këtë moral? Duke sharë, duke heshtur, duke
detyruar të tjerët nën të të reagojnë, ai do të përjetojë gëzimin se nuk qenka
krejtësisht vetëm, se paska dikush qe e kritikuaka dhe, paska dikush, që e
mbrojtka. Kësaj i gëzohem.
Rexhep Qosja ishte vërtet i madh, kur kolektivi ynë
intelektual e bënte dhe e mbante të madh. Kur Rexhep Qosja injoroi dhe u përpoq
të rrënonte, herë kolektivisht, herë individualisht, këtë kolektiv
intelektualësh në Kosovë e në Shqipëri, duke marrë vetë përsipër dizajnin e ndërtimit
të vetëkënaqësisë së stërzmadhimit të vetvetes mbi gërmadhat e rrënimeve që
linte pas, ai u bë dhe vazhdon të bëhet fare i vogël, por me sëmundje të mëdha.
Nuk u bë vetëm i vogël, por edhe kapricioz, mjeshtër stërkeqës i logjikës së
ngjarjeve të rëndësishme kombëtare krijuese e politike, të historisë së
gjithmbarshme, të cilën e kishte shikuar dhe e shikon nga larg me dylbitë e
ideologjisë komuniste dhe, përgjithësisht, të së majtës ekstreme me të cilën
ishte edukuar dhe, bashkë me rriten e tij të shtatit, kishte rritur edhe
privilegjet e veta nga një sistem i tillë, që bënte kërdinë më mizore mbi
popullin shqiptar nën ish-Jugosllavinë kolonialiste. I tillë ka mbetur edhe
sot, me të njëjtin sistem pseudomendimesh përgjuese, denoncuese, mohuese e rrënuese,
njësoj si gjithë tiranët e mendimit dhe të veprimit të përparuar. Prandaj, e
deshi dhe e dashuron edhe sot Titon e tij, prandaj e deshi dhe e dashuron edhe
sot Enver Hoxhën, kur sheh Sali Berishën me gjithë të djathtën e tij shqiptare
ta drejtojë, ta zhvillojë dhe ta integrojë Shqipërinë në të gjitha
institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare. Kur i sheh se kush janë
politikanët në Kosovë dhe në Shqipëri, atij, si? e thotë vetë, i vjen
dëshira të flasë mirë e më mirë për Titon dhe për Enverin, që do të thotë se ua
ka marrë inatin më të tërbuar këtyre politikanëve që s’e lanë të jetojë
Shqipëria staliniste, por e bënë demokratike e të qytetëruar, atyre që nuk e
lanë Kosovën të vazhdonte të zhvillohej sipas mënyrës titiste, e dergjur nën
pushtimin e egër sllav.
Duke e shkruar librin për të, u nisa dhe nga shprehja e tij e
qëlluar se „këto jo vetëm duhet t’i dimë, por edhe t’i themi“. Por unë provova
moton time, jo në shumës si ai, por në njëjës: këto jo vetëm duhet t’i di, por
edhe t’i them. Prandaj vendosa që në këtë libër për Qosjen ta them vetëm një
pjesë nga ato që i di. Duke shkruar për sëmundjen patjetër që autori duhet të
prekë dimensionet e saj. Të prekurat e tilla jo rrallë infektojnë. Ka gjasa që
brenda këtij libri ka edhe sëmundje të mia, që kanë ardhur si rezultat i
infektimeve të tilla. Le të gjykojë vetë lexuesi.
Edhe pse në kushtet e një kolonializmi të thellë „liberal“ e
brutal nën jugosllavitë plaka dhe të reja, aso mbretërore e titiste, populli i
Kosovës, dhe gjithandej shqiptarët në trevat e tyre të copëzuara brenda kësaj
sajese të përbindshme, mbi të cilat kjo sajesë rriti shtatin e saj gjeografik,
arriti të krijojë edhe breza shkollarësh, breza me dije e breza krijuesish.
Vizionet, edhe pse me ngadalë, edhe pse nën shtypje të vazhdueshme dhe gjithnjë
e më të egër sllave, vinin gjithnjë e më të organizuara, duke hapur shtigjet e
çlirimit dhe të lirisë me përpjekje mbinjerëzore dhe me sakrifica të
jashtëzakonshme. Këto vizione atëherë e tash, siç shihet, kishin një përzierje
të vetëdijes dhe të iluzioneve folklorike, në të cilat thuaja në vazhdimësi, në
vend të përpjekjeve kolektive, në çastet më vendimtare pretendohej që historia
të ndërtohej mbi individët, të cilët me çdo kusht kërkonin të shquheshin për të
krijuar në hapësirën kombëtare vetëm të bëmat e tyre shumëherë të fabrikuara
heroike, apo të bëmat e tyre të dijeve shumëherë të pameritueshme. Historia e
lavdishme kolektive duhej, ashtu si edhe tash, të fillonte vetëm me ta. Këto
fenomene vesi vetë populli i pati emërtuar dhe i emërton edhe tash si
bajraktarizëm, jo për të shprehur mburrjen, por për të qortuar këtë ves, të
cilin s’e kishte asnjë popull tjetër. (Kadare në librin e tij ditar për Kosovën
„Ra ky mort e u pamë“, shkruan edhe për këtë ves shqiptarësh: Ajo
që më trishton më shumë është se shenjat e kësaj sëmundjeje vihen re
kudo: në Shqipëri dhe në Kosovë. Jam i sigurt se te një pjesë e dërgatës në
Rambouillet etja e lavdisë regëti herë te njëri, herë te tjetri. I vetmi që
ishte parashikues. I vetmi që s’bëri lëshim. I vetmi që s’u thye. I vetmi që e
shpëtoi Kosovën nga katastrofa. I vetmi. Gjithmonë i vetmi).
Ndoshta te popujt e tjerë veprohet ndryshe, por vesi shqiptar,
thuaja gjithnjë kishte nevojën e rrënimit të përjetimit dhe të veprimit
kolektiv, që të shquanin vetveten si individë mbi interesat e mëdha të
gjeografisë kombëtare, por dhe të popullit në përgjithësi në të gjitha
përpjekjet e zorshme për çlirimin e atdheut të humbur nga pushtimet e
përhershme. Shqiptarëve, siç ngjet edhe sot e gjithë ditën, më me rëndësi u
bëhet të fabrikohet heroizmi individual karshi sakrificës kolektive, se sa
mëkëmbja kombëtare, të cilën vazhdimisht djemtë e saj, si heronj të vetëm,
rrënuan dhe vazhdojnë ta rrënojnë, që në sipërfaqe të shihet „heroizmi“ i
shpifur i tyre fizik, moral dhe i dijes. Ky ves, siç duket, ka lindur te
individët shqiptarë si nevojë e kërkimit për të gjetur vetveten në ëndrrat e
mbara për heroizëm, i cili, në të vërtetë, u ka munguar. Gënjeshtra dhe
mashtrimi i brendshëm i kanë shtrënguar të shfaqen dhe të shquhen, jo mbi
meritat e tyre, por mbi rrënojat e shkaktuara prej tyre të kolektivit kombëtar,
i cili ka jetuar me të vërtetën e saktë, por pa pasur guxim të përballet me
trilluesit dhe shpifësit e heroizmit të individëve të tillë, të cilët kanë
vuajtur nga mungesa e njëmendtë e të qenit hero. Mund të sjellim një shembull
fare të ri të këtij vesi plotë sëmundje individësh të tillë. Nuk ka njeri që
tash e pak vjet më parë që nuk iu përul dhe nuk i përulet sakrificës aq sublime
të Adem Jasharit në Prekaz në luftën e tij familjare me hordhitë e egra
ushtarako-policore të pushtuesit serb. Hordhitë serbe e vranë atë bashkë me
gjithë familjen e tij të madhe. Pas kësaj sakrifice të jashtëzakonshme për
mbrojtjen e dinjitetit familjar, të dinjitetit të popullit të Kosovës dhe të
dinjitetit të vendit të tij në përpjekje për çlirim nga pushtuesi serb, të
tjerët, që e patën dhe e kanë këtë ideal mbase vetëm lojë a paraqitje, filluan
ta quanin Adem Jasharin komandant legjendar. E quanin dhe e quajnë kështu jo
vetëm ata që vjelën e vjelin këto name dhe këto merita sakrificash kaq sublime,
por edhe disa nga intelektualët e zëshëm të Kosovës. Në shikim të parë, duket
se këtu nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo, kur logoja „Komandant legjendar“, që thuhet
në secilin rast të nevojshëm për ta, të analizohet në kahet e fshehta morale të
këtyre pohuesve, dalin shpjegime të tjera. Adem Jashari ishte komandant i
UÇK-së, por ku e kishte ushtrinë kur ai luftoi tri ditë pa ndërprerë, derisa u
vra me gjithë familjen e tij të madhe, luftoi me gjithë atë hordhi serbe? Nëse
pas vrasjes së tij „heronjtë“ e gjallë e quajtën dhe e quajnë edhe komandant
legjendar, çfarë shpjegimi moral duhet të ofrojnë se pse e lanë krejtësisht
vetëm dhe krejtësisht të vetmuar në atë luftë aq të pabarabartë me gjithë ata
eshalonë ushtarakë, policorë e paramilitarë serbë? Komandantin, në këtë rast,
Adem Jasharin, e lanë vetëm dhe, sipas normave dhe disiplinës ushtarake,
mund të supozohet se derisa ai po vritej familjarisht, kishte ngjarë një
dezertim i pafalshëm. Veç kësaj, pak më vonë, pikërisht nisën ta quajnë
pandalshëm dhe paturpshëm edhe komandant legjendar, duke mos u skuqur fare nga
akti më i dënueshëm i dezertimit. Nëse nuk është kështu, atëherë shtrohet
pyetja: si ngjau që ushtria nuk ishte nën komandën e tij kur ai bënte
luftë aq të gjatë me hordhitë serbe?
Këta dezertues dhe vjelës të nameve dhe të meritave kaq
sublime të sakrificës së Jasharajve, pak më vonë u bënë bashkë, si një kor i
pështirë, edhe me disa intelektualë plotë gufe e zhurmë patriotike, të cilët
krijuan logjikën e tyre të pamoralshme se, edhe pse nuk ishin pranë komandantit
legjendar në gjithë atë episod lufte të Jasharajve krejtësisht të vetmuar, duke
folur për të pareshtur dhe në secilin rast e në të shumtën e kohës pa asnjë
rast, kërkonin të njiheshin të barabartë me heroizmin e komandantit legjendar.
Të mësuar me kësi përvetësime meritash, duke munguar gjithmonë në këto bëma të
mëdha, këta duan (dhe arrijnë) të mashtrojnë kolektivin kombëtar se, duke vënë
epitete të tilla përkrahëse e vetëkrahasuese, edhe pse nga faktet në terren ata
duken dezertues, duke qenë përkrahës të legjendave të tilla, në mënyrë
automatike duan të shpalojnë edhe vetveten hero, duke konkurruar me të tilla
mashtrime në kreun e historisë, ose të tjerët, që kanë edhe nga dy e më shumë
pasaporta, që kanë nga dy e tre atdhe, krijojnë në letërsinë e tyre veten si
kryepersonazhe ndjenjash e përjetimesh me të tillë heronjsh të njëmendtë. Këta,
as në fillim, as tash nuk arrin t’i prekë turpi, kur sakrificën e tillë dhe aq
sublime të Jasharajve e kanë shndërruar dhe e shndërrojnë vazhdimisht në
marketing, moralisht të palejueshëm, për vetveten edhe pse e kishin lënë vetëm
në luftë me hordhitë serbe.
Ne nuk e duam njeriun ashtu siç është në të vërtetë. Ne duam
ta bëjmë tjetër, ashtu siç nuk është. Nëse nuk është ashtu siç e duam, ne
ndërhyjmë, e trillojmë dhe në kuzhinat tona të përditshme, me brumëra të
përzier, e krijojmë njeriun që na duhet për vetvete. Nuk janë të pakta këto
kuzhina ku sajohen, trillohen dhe shpifen përmasat njerëzore e mbinjerëzore të
heroizmave, të cilët janë nën fuqinë tonë krijuese të ligë e mburrëse. Në
këtë mënyrë, pastaj, sajojmë dhe ndërtojmë veten si Zot drejt interesave makabre
e të fëlliqura moralisht. E ndërtojmë krijesën e re brenda nesh, e cila, në të
vërtetë ka munguar gjithmonë rreth nesh dhe brenda nesh, që do të thotë brenda
vetvetes sonë. U japim përmasën e gënjeshtërt, qoftë si legjendë, qoftë si Zot
apo hije e Zotit, qoftë si „baba i kombit“, siç mendon dhe ia pranon vetes
Rexhep Qosja. Në fushën intelektuale e krijuese ka edhe të tjerë sajues të
tillë që, brenda kuzhinave të tyre brumërash të përzier, ku gatuhen fuqitë, të
cilat, në të vërtetë, u mungojnë gatuesve të tillë. Ndërtimi i tyre fillon me
futjen e shpirtit ndëshkues, si një fuqi e veçantë jashtënjerëzore, „hyjnore“,
ose si një fuqi djalli, me të cilën urdhëron të përgjumen mendjet dhe veprimet
e njerëzimit tonë kombëtar. Këto mendje duhet të jenë krejtësisht të njëjta me
urdhrat e këtyre hijeve të Zotit, apo siç e duan vetveten, si Zot të vetëm mbi
kolektivin krijues dhe të mendimit të tij të mundshëm e të lirë. Nëse
rastësisht do të mund të ngjante të shfaqej a të dukej një mendim ndryshe nga
mendimi i hijes së Zotit, apo të vetë Zotit, siç pretendon të jetë studiuesi,
kritiku dhe akademiku Rexhep Qosja, jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri, por
gjithandej nga janë e ku janë shqiptarët, atëherë vihet në fuqi përmasa e tij
më e egër e ndëshkimit dhe e zhvlerësimit, që do të thotë e zhbërjes së
përnjëhershme të mendimit, të frymëzimit dhe të dijes së gjithë krijuesve a
mendimtarëve të tjerë të mëdhenj kolektivë.
Pse iu desh dhe i duhet kjo këtij akademiku? Pse i duhet këtij
akademiku të shfaqet kudo dhe për çfarëdo, siç i thotë një mik i tij „krijues“,
hija e tij e Zotit (Ç’është, në të vërtetë, Hija e Zotit, si sinonim?! A mund
të jetë kjo hije Zoti vetë djalli, që vepron vetëm si hije dhe nga hijet?) dhe
të shembë pamëshirshëm dhe pa logjikë të shëndoshë vlera mendimesh dhe vlera të
pakontestueshme krijuese, siç përpiqet, në të gjitha përmasat, të ndëshkojë
vlerat krijuese dhe intelektuale, ve? të tjerëve, edhe të shkrimtarit tonë botëror, Ismail Kadare?
Pse iu desh dhe i duhet të ndëshkojë e të rrënojë të gjithë ata krijues dhe
intelektualë, që nuk janë e nuk ishin pjesë e një ligësie të tillë, të cilët në
periudha të ndryshme ishin, siç thotë vetë me ironi të dhembshme, „të parët e
parë“ në kolektivin tonë të mendimit dhe të krijimtarisë letrare? Pse ndodhi që,
pak në vitet gjashtëdhjetë dhe më shumë në fillimet e viteve shtatëdhjeta, ai,
domethënë Rexhep Qosja, ishte në shoqëri të ngushtë në mesin e intelektualëve
të shquar të kohës (dhe më vonë) dhe pse, kur ai siguroi majat e privilegjeve
shoqërore të asaj kohe, që rridhnin nga sistemi pushtues titist, duke zënë
pozita drejtuese në Universitetin e Prishtinës, në Institutin Albanologjik, ku
u zgjodh e u rizgjodh disa herë drejtor, mandej majë revistës më prestigjioze
letrare „Jeta e re“, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, etj., filloi
ndëshkimin e paparë dhe rrënues thuaja të të gjithë klasës mike intelektuale
dhe, mbi të gjitha, të asaj krijuese, klasë kjo që e kishte afruar pranë vetes
dhe që e kishte afirmuar tej mase? Pse iu vërsul me aq vullnet dhe pezëm, po në
vitet shtatëdhjetë, shkrimtarit Ismail Kadare, pikërisht atëherë kur veprat e
tij dolën nga gjeografia kombëtare dhe u bënë pjesë e lakmueshme e letërsive
botërore, të cilat botuesit në gjuhë të ndryshme, nëpërmjet shkrimeve të tyre
kritike, po e veçonin dhe po e radhisnin ndërmjet shkrimtarëve më në zë në
botë? Pse z. Qosja thotë se mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga vendet
islamike i ka kontribuar në masë të madhe Ismail Kadare me „Identitetin
evropian të shqiptarëve“ dhe pse pas këtij konstatimi nuk e shpjegon
mosndikimin e tij, domethënë të vetë Qosjes, në këto vende islamike, edhe pse
shqiptarët i bartë si identitet islamik? Pse nuk e shpjegon, në këtë kontekst
se Ismail Kadare, megjithatë, me sprovën e tij „Identiteti evropian i
shqiptarëve“ paska ndikuar pra në gjithë botën e fuqishme perëndimore që të
njihet pavarësia e Kosovës? Pse iu desh që të shkruante me aq pezëm e fobi
librin „Morfologjia e një fushate“, me të cilën zhvlerësoi mjaft
hakmarrshëm disa nga penat e vyeshme të kritikës sonë letrare, të cilat,
natyrisht nuk e dëmtonin në asnjë mënyrë shkrimin e tij të kritikës, se
këto pena të vyeshme e të rëndësishme për letërsinë tonë nuk bënin asnjë dëm,
por sillnin vetëm përvojën e tyre të kritikës në letërsinë tonë? Pse shau dhe u
përpoq në mënyrë të pashembullt në këtë libër-pamflet vargun e bukur lirik të
poetëve të Kosovës? Pse deshi dhe kërkon ende të jetë zë i vetëm, jo vetëm i
kritikës letrare, jo vetëm i shkrimit të historisë së letërsisë shqipe, jo
vetëm i shkrimit letrar të tij, por0 të jetë i gjallë dhe tiran vetëm mendimi i
tij edhe në politikë dhe mbi të gjitha përpjekjet shqiptare në Kosovë e në
Shqipëri, të shihet i vetmi, vetëm i vetmi, si Zoti, duke rrëzuar e rrënuar çdo
mendim tjetër pavarësisht nga kush vjen dhe pavarësisht që shumë nga këto
mendime në botë janë pranuar dhe vazhdojnë të pranohen? Pse Rexhep Qosja e
deshi dhe e do aq shumë Titon dhe Enver Hoxhën? Pse LDK-në, e udhëhequr nga dr.
Ibrahim Rugova, e cila në vitet nëntëdhjetë dhe më vonë, ishte një lëvizje e
madhe, që brenda saj kishte mbledhur rreth 90 për qind të popullit të Kosovës,
Rexhep Qosja e quan si LKJ (Lidhja komuniste e Jugosllavisë)? Pse ky akademik,
duke dashur ta fyej dhe ta denigrojë kaq mllefshëm dr. Rugovën, , fyen dhe
denigron, si një Zot ndëshkues, këtë 90 për qind të popullit të Kosovës, që
ishte mbledhur në LDK, dhe i quan si parti e LKJ-së? Pse e trishtonte këtë
akademik aq shumë nami i brendshëm dhe ndërkombëtar i filozofisë dhe i vizionit
të dr. Rugovës? Pse Rexhep Qosja nuk e pranoi ofertën e dr. Rugovës që të
merrte në vitet, e vështira, nëntëdhjetë postin e kryeministrit të Republikës
së Kosovës? Pse pas luftës, duke qenë në qeverinë e përkohshme, lejoi dhe
ndihmoi me zell të jashtëzakonshëm rrënimin e të gjitha institucioneve të Kosovës,
të cilat ishin ngritur përballë dhunës së egër serbe, kur rreziqet dhe
sakrificat ishin aq të mëdha, institucione në të cilat ai nuk mori pjesë
asnjëherë, e nga largësitë e panjohura nuk i pranonte rezultatet e pjesëmarrjes
masive të popullit të Kosovës? Sadik Bejko, krijues i njohur nga Shqipëria, do
të thoshte, siç ka thënë në librin e tij „Disidentët e rremë“, se „…të
qenit shkrimtar i jep dikujt të drejtën e një fuqie shkatërrimtare, të drejtën
e një fuqie që nuk pranon asgjë tjetër veç vetvetes?“ (Faqe 9). Pse në
marsin e hershëm të vitit 1999 me të drejtë ftoi shqiptarët të mos e braktisnin
Kosovën, sepse „ne atdhe tjetër nuk kemi“, kurse vetë i tebdilosur fare,
me mjekër të rruar e i pispillosur në rroba femrash plaka, braktisi Kosovën,
duke lënë në vendkalimet kufitare-varr qindra mijëra shqiptarë, të cilët nuk po
e braktisnin Kosovën, por që po dëboheshin me dhunë nga shtëpitë e tyre, kurse
vetë iku në “atdheun” e tij të tretë në Maqedoni (sepse të parin e ka në Plavën
e administruar nga Mali i Zi), që të ikte përsëri nga ky atdhe e të vendosej
gjatë gjithë luftës në atdheun e tij të katërt, në Shqipëri? Pse nga ky atdhe i
tij i katërt, pas luftës, nën hijet e këndshme të qershorit në Tiranë, po të
vitit 1999, ky akademik iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se „ata që kishin
qëndruar gjatë luftës në Kosovë ishin luajalë të Serbisë“? Pse Rexhep Qosja
vjeli, siç ofrojnë dëshmi shumë studiues të letërsisë, aq shumë nga Dhimitër
Shuteriqi, derisa po e (ri)shkruante historinë e letërsisë shqipe? Pse ky
akademik tash është kundër rishkrimit të historisë së kësaj letërsie? Pse dhe
si u rishfaq ky akademik si plagjiator i akademikëve të tjerë të Kosovës? Pse i
urren aq shumë „bashkëpunëtorët“ shqiptarë të „nazizmit“ gjatë dhe pas Luftës
së dytë Botërore, të cilët historia jonë kombëtare i vlerëson si luftëtarë
sakrificash të jashtëzakonshme kundër pushtuesve serbë e të sllavëve të jugut
në përgjithësi, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në Maqedoni, jo vetëm në Luginë të
Preshevës dhe jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Shqipëri? Pse, pas ushqimit të
tij të majmë e shfryes kundër institucioneve të Kosovës, të ndërtuara me shumë
sakrifica e durim mbinjerëzor në dhjetëvjetëshin e fundit para luftës, krijoi
partinë e tij (LBD) sa për të qenë kryetar i saj? Pse aq pak njerëz e dashamirë
të tij iu bashkuan kësaj partie, e cila nuk vonoi dhe u shua si të mos kishte
ekzistuar kurrë? Pse dhe në këtë parti politike të tij ai mbeti aq i vetmuar pa
anëtarësi dhe pa vota të „popullit të mallkuar“, të cilin në librin e tij „I
ringjalluri i penduar“ atë dhe Kosovën e quajti edhe „fermë qensh“? Pse nuk
duhet të qortohet Rexhep Qosja?...
Këto dhe shumë pse të tjera, do të përpiqem t’i sjellë në
vazhdim të këtij libri, duke ruajtur me respekt punën e vyeshme (edhe të
përfolur) të këtij akademiku në fushën e historisë së letërsisë, por edhe duke
nxjerrë pa mëdyshje shumë nga lajthitjet e tij të deritashme në gjithë jetën
shqiptare, qoftë në botën letrare, qoftë në atë politike, qoftë në piraterinë e
tij.