E diele, 28.04.2024, 08:12 PM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (II)

E enjte, 17.12.2009, 10:56 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Ndëshkuesi dhe morali i tij


Pra pse i duhet këtij akademiku, këtij „krijuesi“ “Hije e Zotit”, të shfaqet me ndëshkime ndaj secilit mendim, ndaj secilit përjetim, ndaj secilës qasje ndjesish të të tjerëve kudo, përherë dhe për çfarëdo? U shfaq dhe vazhdon të shfaqet jo me dije, siç kujtonin të tjerët dikur se po lindte një yll i yni i dijes dhe i shkencës, por me turrin e tij të lëngueshëm, i cili përplasej e përplaset - thënë e konstatuar deri tash shumë herë - me një ligësi gjithnjë e më të pashërueshme, jo ndaj të pazotëve, servilëve, të padinjitetshëmve në botën tonë krijuese, por gjithnjë ndaj emrave të mëdhenj të kulturës e të arteve, që si rrufe zjarresh të djegë trurin e zellshëm dhe të dëshmuar krijues, jo vetëm brenda gjeografisë sonë kombëtare, por tashmë të afirmuar kulmueshëm edhe në botë. Ç’e shtynë këtë akademik të tharbë gjithë qumështin e shëndetshëm të krijimtarisë letrare në gjithë sofrën tonë kombëtare?

Atij gjithmonë dhe gjithnjë i mungon shpjegimi për vetveten. Jo vetëm kaq. Çdo mendim tjetër i secilit krijues, a i intelektualëve të tjerë, qofshin ata të botës së artit, qofshin ata të afirmimit të shëndetshëm politik, atë e shkallmon, e shqetëson dhe e bën të lemeriset deri në absurd. Prandaj, nuk vonon, nuk heziton dhe menjëherë, në mënyrë të pandalshme, i plandosë, i zhbën mendimet e  përparuara të të tjerëve, idetë perspektive në të gjitha rrafshet e zhvillimit tonë shpirtëror e kombëtar,dhe mbi mohimet arbitrare të tyre, ndërton vetëm pohimet e veta, të cilat i sjell, jo si intelektual dhe akademik, por me një filozofi të paprajshme krrokame.

Pse veproi dhe vepron kështu akademiku ynë, i cili që më shumë se gjashtë vjet nuk shkelë pragun e Akademisë së Shkencave të Kosovës (kjo e fundit, megjithatë, përkundër Statutit të saj, ia ruan autoritetin prej akademikut)? Shpjegimet mund të jenë të shumta, edhe pse ato mund të përmblidhen në dy relacione: së pari, se ai ishte më i privilegjuari në sistemin komunist jugosllav të titizmit (të cilit i thuri lavde qiellore) dhe si i tillë i bëhej vetja Zot mbi të tjerë intelektualë e krijues pa privilegje dhe, së dyti, se pas rënies së një sistemi të tillë aq të dashur për të, ku edhe ky ishte më i dashuri i tij, duket sikur iu bë se i zhveshur nga privilegjet e deriatëhershme doli të jetë fare i vogël. Ky trishtim i futi frikën dhe, nga frika se krijuesit me autoritet të plotë mund të bëheshin më të fuqishëm se ai, filloi e vazhdon t’i rrënojë me e pa bazë, me e pa arsye. Fama e të tjerëve e tmerronte dhe e tmerron gjithnjë e më shumë. Kjo sëkëlldi e shtyn të mos përmbahet dhe me përmbajtje intelektuale ta ruajë shëndetin e autoritetit të tij të krijuar dikur, pavarësisht nga privilegjet dhe ledhatimet e LKJ-së e të titizmit të harbuar. Ai kërkoi, dhe kërkon edhe tash, që një herë e mirë të gjithë krijuesit e zellshëm e të dalluar, të heshtnin e të heshtin, të mos krijonin e të mos krijojnë më, ose të krijojnë keq, në mënyrë që të mos provojnë të bëhen emra të parë krijues. Nëse ata provonin në periudhën e zezë titiste që lexuesit t’i sillnin vlera të rëndësishme letrare e artistike, ky akademik (që nga privilegjet, të cilat siguroheshin në ato vite vetëm nga gatishmëria që komitetet e LKJ-së u besonin të tillëve, bëhej gjithnjë e më i fuqishëm karshi frikës së atëhershme  të krijuesve nga ndëshkimet publike, që mund të vinin prej tij e që, pastaj, mund të bëheshin fare lehtësisht temë e zyrave gjysmë të errëta komitetesh dhe urdhrave të tjera, që mund të dilnin nga to.

Dihet se andej nga fundi i viteve gjashtëdhjetë, sidomos në ato shtatëdhjetë, duke u ndjerë i siguruar me privilegje të veçanta nga të cilat komitetet e LKJ-së i kishin përjashtuar intelektualët dhe krijuesit më në zë shqiptarë në Kosovë dhe më gjerë nën Jugosllavinë e atëhershme, përveç atyre që ishin shndërruar në dorë të gjatë shërbimi, ky akademik nisi t’i zhbëjë vlerat letrare dhe artistike të poetëve të veçantë të asaj kohe, duke shembur mbi ta, jo vetëm zhvlerësimin e plotë, por edhe duke ironizuar e fyer sëmunrshëm afirmimin e krijuesve të tillë. Të gjithë ata që e kanë lexuar libër-pamfletin denoncues „Morfologjia e një fushate“ të këtij akademiku, do të kenë parë se vazhdimisht këtë autor e ka ndjekur frika e afirmimit të të tjerëve. Prandaj, i ka zhvlerësuar edhe me „kritikat“ shpatë, të lejuara nga sistempërkrahja hakmarrëse ndaj vlerave ekzistuese dhe që po lindnin brenda dijes sonë kombëtare.

Kur në vitet shtatëdhjetë, ose në fillim të këtyre viteve, Rexhep Qosja shkruante vetëm kritikën letrare dhe merrej edhe me (ri)shkrimin e historisë së letërsisë nga Dhimitër Shuteriqi, kishte nisur shpjegimin e vetvetes si Zot i vetëm në këtë fushë. Duke u ndjerë kështu dhe duke përjetuar në thellësi dhe gjerësi privilegjet që kishte nga postet e ofruara atëherë, bëri ç’bëri dhe nga qielli i këtyre „meritave“ në Kosovë, depërtoi të qortonte Ismail Kadarenë në Shqipërinë e mbyllur, pse ai atje po merrte guximin të shkruante edhe kritikën letrare, pa e pyetur këtë akademik, që do të thotë pa e pyetur Zotin e kritikës. Qortimi i tillë në fillim dukej të mos ishte i ashpër, por u konsiderua se Rexhep Qosja dinte çfarë thoshte dhe se e kishte për të mirën e letërsisë. Në të vërtetë qortimi ishte mjaft i ashpër dhe mohues. Krijuesit në Kosovë këtë ashpërsi e përjetuan si një e drejtë e këtij njohësi të mirë të shkrimit të kritikës, aq më parë kur nuk e njihnin mirë shkrimin e kritikës nga Ismail Kadare. Ishin kohë të vështira dhe secili libër i autorëve nga Shqipëria, që arrinte të futej në Kosovë, lexohej ilegalisht dorë më dorë. Si duket, këtë problem s’e kishte kritiku ynë i madh Rexhep Qosja, i cili e shkruante kritikën për këta libra dhe këto i bënte publike, që do të thotë se pa asnjë frikë tregonte të vërtetën se ai i merrte dhe i lexonte pa asnjë problem, çka e kishin lexuesit e tjerë në Kosovë. Që atëherë, kur Ismail Kadare mori goditjet e „mëdha“ nga z. Qosja për shkrimet e tij kritike, ky i fundit, siç kuptohej atëherë nga lexuesit dhe krijuesit në Kosovë, megjithatë shpaloi para opinionit shqiptar pranimin se „Ismail Kadare është një gjeneral në prozë“, dhe, siç mund ta perifrazoj tash, një ushtar i thjeshtë në kritikë. Ky pranim qetësoi në masë të madhe botën krijuese dhe lexuesit në Kosovë. Me heshtjen e kësaj bote krijuese dhe lexuese ndaj këtyre sulmeve kritike që i bënte Kadaresë, z. Qosja mori vulën pranuese se ai tash e tutje nuk do të lë penë tjetër të shkruajë kritikën letrare, se ai ishte dhe do të jetë i vetmi. Kjo shihet sidomos me libër-pamfletin e tij „Morfologjia e një fushate“ (1980). Në të vërtetë ky libër-pamflet sillte me fobi autoriale çetën dhe klikën e fushatës krijues kundër tij, i cili ishte dhe një si dosje emrash të veçantë krijuesish, qoftë të letërsisë, qoftë të kritikës së saj, të cilët, jo vetëm „kishin“ mendime „linçuese“ ndaj tij, por ata paraqitnin edhe kërcënim letrash e telefonash anonimë, denoncime këto të trilluara që mund t’u hynin në punë fare kollaj edhe komiteteve, edhe UDB-së (Faqe 296-299). Në këtë libër-pamflet, që ka edhe përmbajtje dosiere me mjaft shpifje fobish, autori paraqet emra konkretë kritikësh letrarë dhe poetë, të cilëve u vë në gojë e në veprim, jo ato që kanë bërë dhe kanë thënë, që kanë shpaluar dhe kanë shkruar, por ato të cilat nuk i kanë bërë, nuk i kanë thënë dhe nuk i kanë shkruar! Pse iu ka dashur këtij akademiku të veprojë kështu? I ndjekur nga frika dhe mëkatet e tij rrënuese, zhbërëse ndaj të tjerëve, shkroi i pari me insinuata drojesh të pakuptimta të gjitha ato që mund të bënin a të shkruanin për të personazhet e tij krijues, të cilët edhe mund ta zhvishnin gjithë hilenë e tij të ligë në sofrën tonë, edhe ashtu të varfër krijuese e të kërcënuar vazhdimisht edhe nga hyzmeqarët e privilegjuar të komiteteve e të komitetlinjve të LKJ-së, që të thotë pastaj, si një profet, se të gjitha këto i ka ditur që më parë se do të ngjajnë! 

Por, t’i kthehemi sulmit të tashëm që ky autor i kishte bërë dhe po i bënte Ismail Kadaresë. Pas kësaj heshtjeje pranuese, që iu bë rrebeshit qosian kundër penës kadareane, Rexhep Qosja la pak në pushim shkrimin e tij të kritikës dhe (ri)shkrimin e historisë së letërsisë dhe iu rrek shkrimit të prozës, të cilën e botonte me pseudonim (nëse nuk e kam harruar pseudonimi i tij ishte Luan Dukagjini) në revistën letrare „Jeta e re“, ku, përveç që ishte edhe drejtor, tri herë i zgjedhur radhas nga komiteti i LKJ-së jashtë rregullave të asaj kohe në Institutin Albanologjik, ishte dhe kryeredaktor i kësaj reviste! Pas botimit të njëpasnjëshëm të këtyre tregimeve (13 sish), ai i përmblodh në librin e tij „Vdekja më vjen prej syve të tillë“, por tash me emër e mbiemër të tij. Natyrisht, ky libër u prit mjaft mirë nga lexuesit dhe nga krijuesit, edhe pse dëgjoheshin zëra të sigurt dhe gjysmë të sigurt se motivet e tij ishin vjelë nga romani i Ramiz Kelmendit „Ahmet Koshutani“, i cili ishte botuar po ashtu në vazhdime në „Jeta e re“.

Suksesi në Kosovë i këtyre tregimeve, „që mund të bënin një roman“ siç thotë autori, të botuara në „Vdekja më vjen prej syve të tillë“, në njërën anë, dhe kapërcimi i kufijve të Ballkanit i namit letrar të Ismail Kadaresë, duke u bërë me shpejtësi pjesë e letërsisë më të njohur në Europë dhe më gjerë, sikur e shkokëloi iluzionin e z. Qosja se ishte i pari i të parëve, jo vetëm në kritikën letrare, por tashmë edhe në shkrimin artistik. Kujtonte se ishte gjeneral në kritikën letrare, kurse ushtar i thjeshtë në shkrimin artistik, por me botimin në emër të tij të librit me trembëdhjetë tregime, „që mund të bënin një roman“, „Vdekja më vjen prej syve të tillë“ menjëherë, pa vonuar aspak, u vetëshfaq si gjeneral i prozës. Natyrisht, në këtë vetëquajtje nuk ishte vetëm. Kishte leva nga të gjitha anët, jo për ta bërë shkrimtar të „parin e të parëve“ (kjo është shprehja shumë e përsëritur e vetë Rexhep Qosjes në librin e tij satirik „I ringjalluri i penduar“, i cili sjell të ringjallur Skënderbeun në Kosovë, vend ky që, sipas tij, nuk është tjetër veç një fermë qensh!), por me dëshirë që edhe Kosova të kishte një shkrimtar të madh, siç e kishte dhe e ka Shqipëria Kadarenë. Dyert i kishte të hapura kudo dhe ngado. Pritej e shikohej si një engjëll, pa i vajtur mendja askujt se ai ishte tjetër nga brenda. Kujtonin se dhe ky ishte si krijuesit e tjerë që i gëzoheshin rritës së letërsisë shqipe nën Jugosllavinë e egër socialiste dhe, në vend se ta pengonin me xhelozinë e zakonshme krijuese, apo në ndonjë mënyrë tjetër denoncuese, i duartrokitnin, i përuleshin si bijë e bija të fajshëm para „babait të kombit“, të cilin jo që e përjetonin si të tillë, por pse ishin mësuar ta njihnin dëshirën e tij që edhe në rrethana të tilla të zorshme për kulturën kombëtare nën Jugosllavinë kolonialiste, t’i thurnin epitete të tilla dimensionesh të paqena. Ky „baba i kombit“, që rronte, sipas Rexhep Qosjes, në një „fermë qensh“, kishte përkrahje të veçantë nga shoqëria zyrtare e atij ish-sistemi, që e bënte edhe drejtor të pareshtur të Institutit Albanologjik, edhe kryeredaktor të „Jetës së re“, të cilën vetëm ai pati të drejtë t’ia ndryshonte pamjen dhe fizionominë fizike dhe përmbajtjesore (pas kryredaktorllëkut të tij, kjo revistë iu kthye përsëri fizionomisë së saj tradicionale), që e bëri edhe anëtar të Akademisë së Shkencave, që ishte me nam e gradë të madhe shkencore në Universitetin e Prishtinës… I kishte të gjitha. I kishte të gjitha lejet…

Që atëherë, ky kritik i madh i letërsisë, ky shkrimtar i pakapërcyeshëm, ky (ri)shkrues i famshëm i historisë së letërsisë, ky „panteon i rralluar“, i cili, përveç „Anatomia e kulturës“, në të cilën ofron dhe predikon dimensionet e kulturës vetëm sipas njohjes dhe shijes që kishte dhe ka ai në të gjitha rrafshet e jetës shqiptare (bile nuk përton të shkruajë edhe për „Tiraninë e modës“ („Anatomia e kulturës“, 1976, fq. 73-87) e cila, siç e shihte ai, turpëronte atëherë  shoqërinë socialiste jugosllave!), më tepër se ndihmë intelektuale, ofron mohimin dhe zhvlerësimin, duke dashur që kështu të shquhej e të shquhet vetëm ai dhe, si një qiell i vranët, të mbjellë poshtë tij vetëm mykun e mendimit dhe të krijimit te të tjerët, nga i cili vazhdimisht pështiroset.

Pas suksesit të tij edhe në shkrimin e prozës, krijuesit dhe lexuesit shihnin te ai vërtet një penë të fuqishme. Derisa e shihnin të tillë, Rexhep Qosja i shihte këta dhe të tjerët gjithnjë e më të vegjël, qoftë si krijues, qoftë si kritikë letrarë, qoftë si reflekse të admirueshme mendimesh e idesh. Dhe i shihte vetëm atëherë kur ata guxonin të krijonin diçka të veçantë, atëherë kur ata tregoheshin më të pafrikshëm të thoshin mendimin e tyre artistik, mendimin e tyre estetik, apo, në anën tjetër, mendimin e vyeshëm politik. Atëherë vërsulej mbi ta, duke ua pushtuar pandalshëm lirinë e fjalës, lirinë e mendimit, lirinë krijuese dhe lirinë politike, lirinë e të qenit ata, e të qenit të vetvetes, e të qenit të kulturës kombëtare. Kush ishin ata që „dërdëllisnin“ dhe veçoheshin me urtinë artistike, me urtinë e mendimit, me dëshminë e guximit intelektual, politik e kombëtar? Duke i zhvlerësuar të gjitha këto dhe të gjitha mendjet e tjera të sinqerta krijuese në secilën fushë të mundshme, që përcilleshin edhe me sakrifica të mëdha, Rexhep Qosja u dilte përpara me gjithë fuqinë e tij rrënuese, denigruese, ironizuese që të tregonte para botës sonë fare të vogël se ishte i vetmi që di, i vetmi që duhet të dijë dhe i vetmi që duhet të kishte mendimin dhe fuqinë krijuese e politike. Kush përpiqej të dukej i pari, ky e bënte rrafsh me tokë, njësoj siç i la me qindra mijëra shqiptarë në Bllacën-varr, të dëbuar nga bisha serbe, që atje edhe të vdisnin. Ishte Zoti dhe ai duhej të shpëtonte nga djalli serb? Duke u ndjerë Zot, me të drejtë pati porositur popullin e Kosovës që të mos e braktiste Kosovën, sepse „atdhe tjetër nuk kemi“, kur hordhitë serbe këtë popull po e ndiqnin, po e dëbonin, po e vrisnin e po bënin gjenocid. Por populli nuk po e braktiste Kosovën. Ai po vritej dhe po dëbohej. Megjithatë, Qosja po e braktiste Kosovën pa e dëbuar. Shikuar në situatat e atëhershme, eshalonët kriminelë serbë po ta gjenin, ndoshta nuk do ta dëbonin. Ndoshta do ta linin të qetë në Prishtinë, që ta tregonin me hile si një luajal të Serbisë, siç tha ai për të tjerët në Tiranë pas përfundimit të luftës. Ndoshta e kanë njohur ashtu të tebdilosur e mjekërruar, por e kanë lënë të ikë. Ndoshta, po ta njihnin dhe po të donin, nuk do ta lejonin të ikte, siç nuk e lanë të ikte, edhe pse i dëbuar, por e vranë, të urryerin tjetër të Qosjes, njeriun e madh të kombit, akademikun Fehmi Agani. Ndoshta prof. Qosjen nuk e kishin njohur policia, ushtria dhe paramilitarët serbë, sepse ishte tebdilosur me mjeshtëri, se po të ndodhte e kundërta ndoshta do ta vrisnin. Prandaj, braktisja e Kosovës nga ana e tij ishte e drejtë, nëse do të kishte ngjarë për shkak të dëbimit serb. Megjithatë, me të drejtë të mirëkuptueshme, i tebdilosur në grua, e braktisi Kosovën.

Ishin kohë të vështira, siç dihet, për gjithë shqiptarët në Kosovë, ndaj dhe për Rexhep Qosjen dhe familjen e tij. Njerëzit aso kohe bënin çmos, duke kapërcyer pleq e fëmijë, gra e të sëmurë, këmbë edhe kreshtave të larta dhe të bjeshkëve me borë  që të mos u binin në dorë eshalonëve makabër e kriminelë deri në paskaj të ushtrisë, policisë e të paramilitarëve serbë. Edhe akademiku ynë, edhe pse mjekër-rruar dhe, edhe pse i veshur si grua, e ka parë ose ka mundur ta shohë këtë golgotë rrëqethëse, këtë golgotë, në të cilën vdekja ishte më afër se shpresa. Nëse nuk e ka parë nga shqetësimet vullkan për vetveten, ka mundur pastaj, diku në atdheun e tij të tretë (atdheu i tij i parë ishte Mali i Zi, kurse i dyti ishte Kosova) apo në të katërtin, t’i dëgjonte lajmet e të gjithë asaj skëterre, të gjithë atij ferri dhe për të gjitha ato vrasje e vdekje që ngjanin ngado në Kosovë dhe në varrin e gjallë, që quhej Bllacë. Ka mundur të dëgjonte nga lajmet (ndoshta i ka dëgjuar lajmet, por nuk i ka ndier) për vrasjen mizore të akademikut tonë të madh, Fehmi Agani, dhe, edhe pse i urryer i tij, ka mundur të shkruajë për të qoftë edhe një fjali në Tiranë, apo pastaj në Prishtinë. Por nuk e ka bërë. Nuk e ka bërë qoftë edhe që nga kjo botë e tij të shprehte dhembje njerëzore për krimin e bërë mbi të. Nuk e tha asnjë fjali. Në anën tjetër, nuk la e nuk lë rast që të vazhdojë sharjet, mallkimet, etiketimet për të dhe për angazhimin e tij për fatet e Kosovës dhe për veprimtarinë e tij në LDK, por gjithnjë duke i përgjithësuar si armiq të tij, të shpifur e të trilluar, që do të thotë sulme faktesh të trilluara dhe paranoike kundër akademik Aganit të vrarë dhe kundër dr. Rugovës për së gjalli dhe për së vdekuri, por tash pa emrat e tyre!

Frojdi, në ligjëratën e tij mbi letërsinë dhe artin, thotë: „Harlisja dhe fuqizimi i fantazive krijojnë degradim në neurozë ose psikozë… Këtu degëzohet një rrugë anësore e gjerë që të çon te patologjia“, dhe mëpastaj shton se „Të mirët janë ata që ndihmojnë, kurse të këqijtë janë armiq dhe konkurrentë të unit të bërë hero (lexo: Zot!). I moralshëm është njeriu që reagon ndaj tundimeve të brendshme pa rënë pre e tyre“. Dhe në këtë konstatim të Frojdit bën pjesë, me keqardhje, i tëri akademik Rexhep Qosja. Ai reagoi dhe reagon sipas ritmit të tundimeve të brendshme të tij, por nuk arriti e nuk arrin thuaja asnjëherë të ruajë moralin pa rënë pre e tyre. 

Duke menduar për të gjitha këto, se si m’u kujtua ta shfletoja e ta lexoja, mbase për të pestën herë, ditarin për Kosovën „Ra ky mort e u pamë“ të Ismail Kadaresë. Gjeta dhe rigjeta përsëri në këtë libër edhe ato që i kërkoja, por edhe ato që do të doja të mos i gjeja asnjëherë. Them kështu jo nga zhgënjimi, jo nga shija ime për situatat dramatike nëpër të cilat kaloi Kosova dhe populli shqiptar i saj, të cilat në këtë ditar për Kosovën janë „shkri“ me dhembjen, shqetësimin dhe brengën më njerëzore të mundshme të vetë autorit për bashkëkombësit e tij në gjithë këtë golgotë. Megjithatë, herë-herë autori është mjaft i sertë dhe herë-herë me të drejtë i sertë, në leximin e tipareve tona të stërkequra, dhe vazhdimisht të stërkequra, me të cilat gati rrojmë edhe „krenarë“ si kolektiv a si individë. Në anën tjetër sikur nga ky ditar kanë „rrëshqitur“ të paprekura disa nga ngjarjet, siç është, po e zëmë, thirrja e akademik Qosjes drejtuar popullit të Kosovës, që të mos e braktisnin Kosovën, „sepse atdhe tjetër ne nuk kemi“, dhe për mënyrën e tij të braktisjes së këtij atdheu. Natyrisht, thirrja ishte e madhe, ishte e domosdoshme, ishte gati heroike. Edhe braktisja e Kosovës nga ana e tij, edhe pse nuk mund të quhej e të quhet heroike, brenda vetes kishte një strategji prej heroi: i veshur si grua dhe mjekër-rruar. Kjo e fundit mbase nuk do të kishte rëndësi të futej në ditar. Ditari, megjithatë, do të duhej të kishte një datë të gëzueshme, që do të shënonte shqetësimin e ëmbël për shpëtimin e akademikut, shkrimtarit, politikanit, atdhetarit, heroit, që kishte dhe profeci (siç e quan Kadare Qosjen në parathënien e botimit në frëngjisht të romanit „Vdekja më vjen prej syve të tillë“). Në anën tjetër, autori në këtë ditar derdhë gjithë sertësinë e tij të shqetësuar për figura të tjera të Kosovës, jo vetëm për Rugovën, por edhe për akademik Aganin, të cilin e vranë bandat kriminele serbe, duke mos u ndalur gjithaq në përshkrimin e këtij akti makabër, por më shumë në shtjellimin e hilesë së pohimeve të sigurimit serb se Fehmi Aganin e paska vrarë UÇK-ja!

Kur dihet se dr. Rugova, dr. Fehmi Agani dhe gjithë LDK-ja, e cila përbënte hiq më pak se 90 për qind të popullit shqiptar në Kosovë, ishin dhe janë krijesa aq të urryera të Rexhep Qosjes, më shkon ndërmend se sertësia, qoftë edhe e çasteve të arsyeshme të Kadaresë ndaj tyre, ia shtonte oreksin tërbues edhe më shumë Rexhep Qosjes, i cili as u ndal e as do të ndalet ndonjëherë edhe kundër vetë Kadaresë. Më shkon ndërmend edhe mosfutja në ditar e braktisjes së Kosovës nga Rexhep Qosja edhe armiqësia e pandalshme e Qosjes ndaj Kadaresë dhe mendimit të tij të përparuar dhe them: duke qenë i kujdesshëm ndaj vesit të përhershëm zhvlerësues, mohues e të sëmurë të Qosjes, Kadare nuk e përshkroi në ditarin e tij Qosjen dhe braktisjen e Kosovës nga ai me aq „strategji heroike“, që të mos ndihej i sulmuar më prej tij? Kush e di. Ndoshta nuk është as njëra, as tjetra. Ndoshta nuk e ka interesuar Kadarenë ikja, mënyra dhe shpëtimi i Qosjes. Ndoshta për këtë nuk e ka regjistruar në ditarin e tij. Ndoshta është ndjerë i fyer nga kjo mënyrë, nga një strategji e tillë shpëtimi e Qosjes dhe e ka kursyer nga ditari…

Në datën 25 gusht të Ditarit për Kosovën gjej (pa dashur ta gjej) një butësi tjetër, gati të paimagjinueshme, të Kadaresë. Ai gati ulërin me shumë të drejtë për komentin „Fashizmi kosovar, turp i shqiptarëve“, i shkruar në anglisht nga „një intelektual e politikan i shquar shqiptar“, që, siç thotë Kadare „nuk dua t’ia përmend emrin ngaqë e çmoj“. Përse të mos ia përmend emrin këtij „intelektuali e politikani të shquar“, kur ai shante dhe nëpërkëmbte dhembjen shqiptare në Kosovë për të gjitha ato lemeri që kishin krijuar hordhitë çetniko-fashiste serbe, kur ai e quante fashizëm gjithë sakrificën e popullit të tij? Ishte Veton Surroi ky „intelektual e politikan i shquar shqiptar“, që shkroi në anglisht e shqip për „fashizmin“ e popullit të tij, por që Kadare nuk ia përmend emrin „ngaqë e çmoj“! Ç’deshi ky „intelektual e politikan i shquar shqiptar“ me këto trillime të sëmura, me këto komente  të ngarkuara me aq hile çnjerëzore, në radhë të parë, dhe me këto insinuata krejtësisht serbe e serbishte? Për këto ishte „intelektual“? Për këto ishte „i shquar“? Për këto meritonte të quhet „i çmuar“ ky njeri që ishte në krye të UJDIT jugosllav në Kosovë (organizatë e LKJ-së, që kishte marrë përsipër ruajtjen e federatës jugosllave)? Për të sharat e tij serbishte kundër popullit të tij sa për të zhvatur, siç ka zhvatur, aq shumë fonde të jashtme për vete?!

Megjithatë, edhe tash kujtoj se nuk mund të fajësohet për këto Kadare. Ndryshe është të jesh këtu e t’i prekësh çështjet e të njohësh për së afërmi karakteret morale e imorale të njerëzve, e ndryshe kur të rrëmbejnë (me të drejtë) shqetësimet për të gjitha ato që ngjanin me popullin e tij në Kosovë.




(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (I) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në qytetin e Vushtrrisë (1998 - 1999) Sabile Keçmezi-Basha: Angazhimi i grave në jetën politike e vendimmarrëse në Kosovë Tefik Ramadani-Qarri: Gjurmeve te krimeve partizane mbi Shqiptaret Qazim Namani: Kultura materiale dhe historia e qytetit të Prishtinës Sabile Keçmezi- Basha: Çështje të përdorimi të nocioneve: ilegale, klandestine dhe e fshehtë Hilmi Saraçi: Lashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë Shevki Sh. Voca: Vrasja e Kryetarit Kenedi - Atentati i shekullit XX Mahmut Elez Mahmuti - Kqiku: Përveç datave kurgja tjetër nuk ka të vërtetë Valon Kurtishi: Faleminderit Austro - Hungari, i përjetshëm kujtimi për Franc Jozefin e I Hilmi Saraçi: Luftëtarë të njohur të Artakollit (1918-1947) Milazim Kadriu: Radio Kosova e Lirë, lajmëtare e fitoreve të mëdha Ukshin Zajmi: Në përkujtim të 100 vjetorit të Normalës së Elbasanit Sabile Keçmezi-Basha: Pagëzimi, pseudonimet dhe rezistenca Qazim Namani & Enver Rexha: Gërmadhat e Gjytetit në Bellasicë Sabile Keçmezi-Basha: Aktet gjenocidale të UDB-së ndaj të burgosurve politikë shqiptarë Qazim Namani & Arzije Zeneli: Vlerat kulturore të kullës së Xhemajl Haxhisë... Isuf B. Bajrami: Kontributi i Kulturës Kombëtare në rrjedhat e Pavarësisë së Shqipërisë Avzi Mustafa: Kur bëhej Kongresi i Shkronjave në Manastir Vebi Xhemaili: Kryengritja e Dervish Cares, parapërgatiti Lidhjen e Prizrenit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora