| E enjte, 17.12.2009, 10:56 PM |
Ndëshkuesi dhe morali i tij
Pra pse i duhet këtij akademiku, këtij „krijuesi“ “Hije e
Zotit”, të shfaqet me ndëshkime ndaj secilit mendim, ndaj secilit përjetim,
ndaj secilës qasje ndjesish të të tjerëve kudo, përherë dhe për çfarëdo? U
shfaq dhe vazhdon të shfaqet jo me dije, siç kujtonin të tjerët dikur se po
lindte një yll i yni i dijes dhe i shkencës, por me turrin e tij të lëngueshëm,
i cili përplasej e përplaset - thënë e konstatuar deri tash shumë herë - me një
ligësi gjithnjë e më të pashërueshme, jo ndaj të pazotëve, servilëve, të
padinjitetshëmve në botën tonë krijuese, por gjithnjë ndaj emrave të mëdhenj të
kulturës e të arteve, që si rrufe zjarresh të djegë trurin e zellshëm dhe të
dëshmuar krijues, jo vetëm brenda gjeografisë sonë kombëtare, por tashmë të
afirmuar kulmueshëm edhe në botë. Ç’e shtynë këtë akademik të tharbë gjithë
qumështin e shëndetshëm të krijimtarisë letrare në gjithë sofrën tonë
kombëtare?
Atij gjithmonë dhe gjithnjë i mungon shpjegimi për vetveten.
Jo vetëm kaq. Çdo mendim tjetër i secilit krijues, a i intelektualëve të tjerë,
qofshin ata të botës së artit, qofshin ata të afirmimit të shëndetshëm politik,
atë e shkallmon, e shqetëson dhe e bën të lemeriset deri në absurd. Prandaj,
nuk vonon, nuk heziton dhe menjëherë, në mënyrë të pandalshme, i plandosë, i
zhbën mendimet e përparuara të të tjerëve, idetë perspektive në të gjitha
rrafshet e zhvillimit tonë shpirtëror e kombëtar,dhe mbi mohimet arbitrare të
tyre, ndërton vetëm pohimet e veta, të cilat i sjell, jo si intelektual dhe
akademik, por me një filozofi të paprajshme krrokame.
Pse veproi dhe vepron kështu akademiku ynë, i cili që më shumë
se gjashtë vjet nuk shkelë pragun e Akademisë së Shkencave të Kosovës (kjo e
fundit, megjithatë, përkundër Statutit të saj, ia ruan autoritetin prej
akademikut)? Shpjegimet mund të jenë të shumta, edhe pse ato mund të
përmblidhen në dy relacione: së pari, se ai ishte më i privilegjuari në
sistemin komunist jugosllav të titizmit (të cilit i thuri lavde qiellore) dhe
si i tillë i bëhej vetja Zot mbi të tjerë intelektualë e krijues pa privilegje
dhe, së dyti, se pas rënies së një sistemi të tillë aq të dashur për të, ku
edhe ky ishte më i dashuri i tij, duket sikur iu bë se i zhveshur nga
privilegjet e deriatëhershme doli të jetë fare i vogël. Ky trishtim i futi
frikën dhe, nga frika se krijuesit me autoritet të plotë mund të bëheshin më të
fuqishëm se ai, filloi e vazhdon t’i rrënojë me e pa bazë, me e pa arsye. Fama
e të tjerëve e tmerronte dhe e tmerron gjithnjë e më shumë. Kjo sëkëlldi e
shtyn të mos përmbahet dhe me përmbajtje intelektuale ta ruajë shëndetin e
autoritetit të tij të krijuar dikur, pavarësisht nga privilegjet dhe ledhatimet
e LKJ-së e të titizmit të harbuar. Ai kërkoi, dhe kërkon edhe tash, që një herë
e mirë të gjithë krijuesit e zellshëm e të dalluar, të heshtnin e të heshtin,
të mos krijonin e të mos krijojnë më, ose të krijojnë keq, në mënyrë që të mos
provojnë të bëhen emra të parë krijues. Nëse ata provonin në periudhën e zezë
titiste që lexuesit t’i sillnin vlera të rëndësishme letrare e artistike, ky
akademik (që nga privilegjet, të cilat siguroheshin në ato vite vetëm nga
gatishmëria që komitetet e LKJ-së u besonin të tillëve, bëhej gjithnjë e më i
fuqishëm karshi frikës së atëhershme të krijuesve nga ndëshkimet publike,
që mund të vinin prej tij e që, pastaj, mund të bëheshin fare lehtësisht temë e
zyrave gjysmë të errëta komitetesh dhe urdhrave të tjera, që mund të dilnin nga
to.
Dihet se andej nga fundi i viteve gjashtëdhjetë, sidomos në
ato shtatëdhjetë, duke u ndjerë i siguruar me privilegje të veçanta nga të
cilat komitetet e LKJ-së i kishin përjashtuar intelektualët dhe krijuesit më në
zë shqiptarë në Kosovë dhe më gjerë nën Jugosllavinë e atëhershme, përveç atyre
që ishin shndërruar në dorë të gjatë shërbimi, ky akademik nisi t’i zhbëjë
vlerat letrare dhe artistike të poetëve të veçantë të asaj kohe, duke shembur
mbi ta, jo vetëm zhvlerësimin e plotë, por edhe duke ironizuar e fyer
sëmunrshëm afirmimin e krijuesve të tillë. Të gjithë ata që e kanë lexuar libër-pamfletin
denoncues „Morfologjia e një fushate“ të këtij akademiku, do të kenë
parë se vazhdimisht këtë autor e ka ndjekur frika e afirmimit të të tjerëve.
Prandaj, i ka zhvlerësuar edhe me „kritikat“ shpatë, të lejuara nga
sistempërkrahja hakmarrëse ndaj vlerave ekzistuese dhe që po lindnin brenda
dijes sonë kombëtare.
Kur në vitet shtatëdhjetë, ose në fillim të këtyre viteve,
Rexhep Qosja shkruante vetëm kritikën letrare dhe merrej edhe me (ri)shkrimin e
historisë së letërsisë nga Dhimitër Shuteriqi, kishte nisur shpjegimin e
vetvetes si Zot i vetëm në këtë fushë. Duke u ndjerë kështu dhe duke përjetuar
në thellësi dhe gjerësi privilegjet që kishte nga postet e ofruara atëherë,
bëri ç’bëri dhe nga qielli i këtyre „meritave“ në Kosovë, depërtoi të qortonte
Ismail Kadarenë në Shqipërinë e mbyllur, pse ai atje po merrte guximin të
shkruante edhe kritikën letrare, pa e pyetur këtë akademik, që do të thotë pa e
pyetur Zotin e kritikës. Qortimi i tillë në fillim dukej të mos ishte i ashpër,
por u konsiderua se Rexhep Qosja dinte çfarë thoshte dhe se e kishte për të
mirën e letërsisë. Në të vërtetë qortimi ishte mjaft i ashpër dhe mohues.
Krijuesit në Kosovë këtë ashpërsi e përjetuan si një e drejtë e këtij njohësi
të mirë të shkrimit të kritikës, aq më parë kur nuk e njihnin mirë shkrimin e
kritikës nga Ismail Kadare. Ishin kohë të vështira dhe secili libër i autorëve
nga Shqipëria, që arrinte të futej në Kosovë, lexohej ilegalisht dorë më dorë.
Si duket, këtë problem s’e kishte kritiku ynë i madh Rexhep Qosja, i cili e
shkruante kritikën për këta libra dhe këto i bënte publike, që do të thotë se
pa asnjë frikë tregonte të vërtetën se ai i merrte dhe i lexonte pa asnjë
problem, çka e kishin lexuesit e tjerë në Kosovë. Që atëherë, kur Ismail Kadare
mori goditjet e „mëdha“ nga z. Qosja për shkrimet e tij kritike, ky i fundit,
siç kuptohej atëherë nga lexuesit dhe krijuesit në Kosovë, megjithatë shpaloi
para opinionit shqiptar pranimin se „Ismail Kadare është një gjeneral në
prozë“, dhe, siç mund ta perifrazoj tash, një ushtar i thjeshtë në kritikë. Ky
pranim qetësoi në masë të madhe botën krijuese dhe lexuesit në Kosovë. Me
heshtjen e kësaj bote krijuese dhe lexuese ndaj këtyre sulmeve kritike që i
bënte Kadaresë, z. Qosja mori vulën pranuese se ai tash e tutje nuk do të lë
penë tjetër të shkruajë kritikën letrare, se ai ishte dhe do të jetë i vetmi.
Kjo shihet sidomos me libër-pamfletin e tij „Morfologjia e një fushate“
(1980). Në të vërtetë ky libër-pamflet sillte me fobi autoriale çetën dhe
klikën e fushatës krijues kundër tij, i cili ishte dhe një si dosje emrash të
veçantë krijuesish, qoftë të letërsisë, qoftë të kritikës së saj, të cilët, jo
vetëm „kishin“ mendime „linçuese“ ndaj tij, por ata paraqitnin edhe kërcënim
letrash e telefonash anonimë, denoncime këto të trilluara që mund t’u hynin në
punë fare kollaj edhe komiteteve, edhe UDB-së (Faqe 296-299). Në këtë
libër-pamflet, që ka edhe përmbajtje dosiere me mjaft shpifje fobish, autori
paraqet emra konkretë kritikësh letrarë dhe poetë, të cilëve u vë në gojë e në
veprim, jo ato që kanë bërë dhe kanë thënë, që kanë shpaluar dhe kanë shkruar,
por ato të cilat nuk i kanë bërë, nuk i kanë thënë dhe nuk i kanë shkruar! Pse
iu ka dashur këtij akademiku të veprojë kështu? I ndjekur nga frika dhe mëkatet
e tij rrënuese, zhbërëse ndaj të tjerëve, shkroi i pari me insinuata drojesh të
pakuptimta të gjitha ato që mund të bënin a të shkruanin për të personazhet e
tij krijues, të cilët edhe mund ta zhvishnin gjithë hilenë e tij të ligë në
sofrën tonë, edhe ashtu të varfër krijuese e të kërcënuar vazhdimisht edhe nga
hyzmeqarët e privilegjuar të komiteteve e të komitetlinjve të LKJ-së, që të
thotë pastaj, si një profet, se të gjitha këto i ka ditur që më parë se do të
ngjajnë!
Por, t’i kthehemi sulmit të tashëm që ky autor i kishte bërë
dhe po i bënte Ismail Kadaresë. Pas kësaj heshtjeje pranuese, që iu bë
rrebeshit qosian kundër penës kadareane, Rexhep Qosja la pak në pushim shkrimin
e tij të kritikës dhe (ri)shkrimin e historisë së letërsisë dhe iu rrek
shkrimit të prozës, të cilën e botonte me pseudonim (nëse nuk e kam harruar
pseudonimi i tij ishte Luan Dukagjini) në revistën letrare „Jeta e re“,
ku, përveç që ishte edhe drejtor, tri herë i zgjedhur radhas nga komiteti i
LKJ-së jashtë rregullave të asaj kohe në Institutin Albanologjik, ishte dhe
kryeredaktor i kësaj reviste! Pas botimit të njëpasnjëshëm të këtyre tregimeve
(13 sish), ai i përmblodh në librin e tij „Vdekja më vjen prej syve të tillë“,
por tash me emër e mbiemër të tij. Natyrisht, ky libër u prit mjaft mirë nga
lexuesit dhe nga krijuesit, edhe pse dëgjoheshin zëra të sigurt dhe gjysmë të
sigurt se motivet e tij ishin vjelë nga romani i Ramiz Kelmendit „Ahmet
Koshutani“, i cili ishte botuar po ashtu në vazhdime në „Jeta e re“.
Suksesi në Kosovë i këtyre tregimeve, „që mund të bënin një
roman“ siç thotë autori, të botuara në „Vdekja më vjen prej syve të tillë“, në
njërën anë, dhe kapërcimi i kufijve të Ballkanit i namit letrar të Ismail
Kadaresë, duke u bërë me shpejtësi pjesë e letërsisë më të njohur në Europë dhe
më gjerë, sikur e shkokëloi iluzionin e z. Qosja se ishte i pari i të parëve,
jo vetëm në kritikën letrare, por tashmë edhe në shkrimin artistik. Kujtonte se
ishte gjeneral në kritikën letrare, kurse ushtar i thjeshtë në shkrimin
artistik, por me botimin në emër të tij të librit me trembëdhjetë tregime, „që
mund të bënin një roman“, „Vdekja më vjen prej syve të tillë“ menjëherë, pa
vonuar aspak, u vetëshfaq si gjeneral i prozës. Natyrisht, në këtë vetëquajtje
nuk ishte vetëm. Kishte leva nga të gjitha anët, jo për ta bërë shkrimtar të
„parin e të parëve“ (kjo është shprehja shumë e përsëritur e vetë Rexhep Qosjes
në librin e tij satirik „I ringjalluri i penduar“, i cili sjell të
ringjallur Skënderbeun në Kosovë, vend ky që, sipas tij, nuk është tjetër veç
një fermë qensh!), por me dëshirë që edhe Kosova të kishte një shkrimtar të
madh, siç e kishte dhe e ka Shqipëria Kadarenë. Dyert i kishte të hapura kudo
dhe ngado. Pritej e shikohej si një engjëll, pa i vajtur mendja askujt se ai
ishte tjetër nga brenda. Kujtonin se dhe ky ishte si krijuesit e tjerë që i
gëzoheshin rritës së letërsisë shqipe nën Jugosllavinë e egër socialiste dhe,
në vend se ta pengonin me xhelozinë e zakonshme krijuese, apo në ndonjë mënyrë
tjetër denoncuese, i duartrokitnin, i përuleshin si bijë e bija të fajshëm para
„babait të kombit“, të cilin jo që e përjetonin si të tillë, por pse ishin
mësuar ta njihnin dëshirën e tij që edhe në rrethana të tilla të zorshme për
kulturën kombëtare nën Jugosllavinë kolonialiste, t’i thurnin epitete të tilla
dimensionesh të paqena. Ky „baba i kombit“, që rronte, sipas Rexhep Qosjes, në
një „fermë qensh“, kishte përkrahje të veçantë nga shoqëria zyrtare e atij
ish-sistemi, që e bënte edhe drejtor të pareshtur të Institutit Albanologjik,
edhe kryeredaktor të „Jetës së re“, të cilën vetëm ai pati të drejtë t’ia
ndryshonte pamjen dhe fizionominë fizike dhe përmbajtjesore (pas
kryredaktorllëkut të tij, kjo revistë iu kthye përsëri fizionomisë së saj
tradicionale), që e bëri edhe anëtar të Akademisë së Shkencave, që ishte me nam
e gradë të madhe shkencore në Universitetin e Prishtinës… I kishte të gjitha. I
kishte të gjitha lejet…
Që atëherë, ky kritik i madh i letërsisë, ky shkrimtar i
pakapërcyeshëm, ky (ri)shkrues i famshëm i historisë së letërsisë, ky „panteon
i rralluar“, i cili, përveç „Anatomia e kulturës“, në të cilën ofron dhe
predikon dimensionet e kulturës vetëm sipas njohjes dhe shijes që kishte dhe ka
ai në të gjitha rrafshet e jetës shqiptare (bile nuk përton të shkruajë edhe
për „Tiraninë e modës“ („Anatomia e kulturës“, 1976, fq. 73-87) e cila, siç e
shihte ai, turpëronte atëherë shoqërinë socialiste jugosllave!), më tepër
se ndihmë intelektuale, ofron mohimin dhe zhvlerësimin, duke dashur që kështu
të shquhej e të shquhet vetëm ai dhe, si një qiell i vranët, të mbjellë poshtë
tij vetëm mykun e mendimit dhe të krijimit te të tjerët, nga i cili vazhdimisht
pështiroset.
Pas suksesit të tij edhe në shkrimin e prozës, krijuesit dhe
lexuesit shihnin te ai vërtet një penë të fuqishme. Derisa e shihnin të tillë,
Rexhep Qosja i shihte këta dhe të tjerët gjithnjë e më të vegjël, qoftë si
krijues, qoftë si kritikë letrarë, qoftë si reflekse të admirueshme mendimesh e
idesh. Dhe i shihte vetëm atëherë kur ata guxonin të krijonin diçka të veçantë,
atëherë kur ata tregoheshin më të pafrikshëm të thoshin mendimin e tyre
artistik, mendimin e tyre estetik, apo, në anën tjetër, mendimin e vyeshëm
politik. Atëherë vërsulej mbi ta, duke ua pushtuar pandalshëm lirinë e fjalës,
lirinë e mendimit, lirinë krijuese dhe lirinë politike, lirinë e të qenit ata,
e të qenit të vetvetes, e të qenit të kulturës kombëtare. Kush ishin ata që
„dërdëllisnin“ dhe veçoheshin me urtinë artistike, me urtinë e mendimit, me
dëshminë e guximit intelektual, politik e kombëtar? Duke i zhvlerësuar të
gjitha këto dhe të gjitha mendjet e tjera të sinqerta krijuese në secilën fushë
të mundshme, që përcilleshin edhe me sakrifica të mëdha, Rexhep Qosja u dilte
përpara me gjithë fuqinë e tij rrënuese, denigruese, ironizuese që të tregonte
para botës sonë fare të vogël se ishte i vetmi që di, i vetmi që duhet të dijë
dhe i vetmi që duhet të kishte mendimin dhe fuqinë krijuese e politike. Kush
përpiqej të dukej i pari, ky e bënte rrafsh me tokë, njësoj siç i la me qindra
mijëra shqiptarë në Bllacën-varr, të dëbuar nga bisha serbe, që atje edhe të
vdisnin. Ishte Zoti dhe ai duhej të shpëtonte nga djalli serb? Duke u ndjerë
Zot, me të drejtë pati porositur popullin e Kosovës që të mos e braktiste
Kosovën, sepse „atdhe tjetër nuk kemi“, kur hordhitë serbe këtë popull po e
ndiqnin, po e dëbonin, po e vrisnin e po bënin gjenocid. Por populli nuk po e
braktiste Kosovën. Ai po vritej dhe po dëbohej. Megjithatë, Qosja po e
braktiste Kosovën pa e dëbuar. Shikuar në situatat e atëhershme, eshalonët
kriminelë serbë po ta gjenin, ndoshta nuk do ta dëbonin. Ndoshta do ta linin të
qetë në Prishtinë, që ta tregonin me hile si një luajal të Serbisë, siç tha ai
për të tjerët në Tiranë pas përfundimit të luftës. Ndoshta e kanë njohur ashtu
të tebdilosur e mjekërruar, por e kanë lënë të ikë. Ndoshta, po ta njihnin dhe
po të donin, nuk do ta lejonin të ikte, siç nuk e lanë të ikte, edhe pse i
dëbuar, por e vranë, të urryerin tjetër të Qosjes, njeriun e madh të kombit,
akademikun Fehmi Agani. Ndoshta prof. Qosjen nuk e kishin njohur policia,
ushtria dhe paramilitarët serbë, sepse ishte tebdilosur me mjeshtëri, se po të
ndodhte e kundërta ndoshta do ta vrisnin. Prandaj, braktisja e Kosovës nga ana
e tij ishte e drejtë, nëse do të kishte ngjarë për shkak të dëbimit serb. Megjithatë,
me të drejtë të mirëkuptueshme, i tebdilosur në grua, e braktisi Kosovën.
Ishin kohë të vështira, siç dihet, për gjithë shqiptarët në
Kosovë, ndaj dhe për Rexhep Qosjen dhe familjen e tij. Njerëzit aso kohe bënin
çmos, duke kapërcyer pleq e fëmijë, gra e të sëmurë, këmbë edhe kreshtave të
larta dhe të bjeshkëve me borë që të mos u binin në dorë eshalonëve
makabër e kriminelë deri në paskaj të ushtrisë, policisë e të paramilitarëve
serbë. Edhe akademiku ynë, edhe pse mjekër-rruar dhe, edhe pse i veshur si
grua, e ka parë ose ka mundur ta shohë këtë golgotë rrëqethëse, këtë golgotë,
në të cilën vdekja ishte më afër se shpresa. Nëse nuk e ka parë nga shqetësimet
vullkan për vetveten, ka mundur pastaj, diku në atdheun e tij të tretë (atdheu
i tij i parë ishte Mali i Zi, kurse i dyti ishte Kosova) apo në të katërtin,
t’i dëgjonte lajmet e të gjithë asaj skëterre, të gjithë atij ferri dhe për të
gjitha ato vrasje e vdekje që ngjanin ngado në Kosovë dhe në varrin e gjallë,
që quhej Bllacë. Ka mundur të dëgjonte nga lajmet (ndoshta i ka dëgjuar lajmet,
por nuk i ka ndier) për vrasjen mizore të akademikut tonë të madh, Fehmi Agani,
dhe, edhe pse i urryer i tij, ka mundur të shkruajë për të qoftë edhe një fjali
në Tiranë, apo pastaj në Prishtinë. Por nuk e ka bërë. Nuk e ka bërë qoftë edhe
që nga kjo botë e tij të shprehte dhembje njerëzore për krimin e bërë mbi të.
Nuk e tha asnjë fjali. Në anën tjetër, nuk la e nuk lë rast që të vazhdojë
sharjet, mallkimet, etiketimet për të dhe për angazhimin e tij për fatet e
Kosovës dhe për veprimtarinë e tij në LDK, por gjithnjë duke i përgjithësuar si
armiq të tij, të shpifur e të trilluar, që do të thotë sulme faktesh të
trilluara dhe paranoike kundër akademik Aganit të vrarë dhe kundër dr. Rugovës
për së gjalli dhe për së vdekuri, por tash pa emrat e tyre!
Frojdi, në ligjëratën e tij mbi letërsinë dhe artin, thotë: „Harlisja
dhe fuqizimi i fantazive krijojnë degradim në neurozë ose psikozë… Këtu
degëzohet një rrugë anësore e gjerë që të çon te patologjia“, dhe mëpastaj
shton se „Të mirët janë ata që ndihmojnë, kurse të këqijtë janë armiq dhe
konkurrentë të unit të bërë hero (lexo: Zot!). I moralshëm është njeriu
që reagon ndaj tundimeve të brendshme pa rënë pre e tyre“. Dhe në këtë
konstatim të Frojdit bën pjesë, me keqardhje, i tëri akademik Rexhep Qosja. Ai
reagoi dhe reagon sipas ritmit të tundimeve të brendshme të tij, por nuk arriti
e nuk arrin thuaja asnjëherë të ruajë moralin pa rënë pre e tyre.
Duke menduar për të gjitha këto, se si m’u kujtua ta shfletoja
e ta lexoja, mbase për të pestën herë, ditarin për Kosovën „Ra ky mort e u
pamë“ të Ismail Kadaresë. Gjeta dhe rigjeta përsëri në këtë libër edhe ato
që i kërkoja, por edhe ato që do të doja të mos i gjeja asnjëherë. Them kështu
jo nga zhgënjimi, jo nga shija ime për situatat dramatike nëpër të cilat kaloi
Kosova dhe populli shqiptar i saj, të cilat në këtë ditar për Kosovën janë
„shkri“ me dhembjen, shqetësimin dhe brengën më njerëzore të mundshme të vetë
autorit për bashkëkombësit e tij në gjithë këtë golgotë. Megjithatë, herë-herë
autori është mjaft i sertë dhe herë-herë me të drejtë i sertë, në leximin e
tipareve tona të stërkequra, dhe vazhdimisht të stërkequra, me të cilat gati
rrojmë edhe „krenarë“ si kolektiv a si individë. Në anën tjetër sikur nga ky
ditar kanë „rrëshqitur“ të paprekura disa nga ngjarjet, siç është, po e zëmë,
thirrja e akademik Qosjes drejtuar popullit të Kosovës, që të mos e braktisnin
Kosovën, „sepse atdhe tjetër ne nuk kemi“, dhe për mënyrën e tij të braktisjes
së këtij atdheu. Natyrisht, thirrja ishte e madhe, ishte e domosdoshme, ishte
gati heroike. Edhe braktisja e Kosovës nga ana e tij, edhe pse nuk mund të
quhej e të quhet heroike, brenda vetes kishte një strategji prej heroi: i
veshur si grua dhe mjekër-rruar. Kjo e fundit mbase nuk do të kishte rëndësi të
futej në ditar. Ditari, megjithatë, do të duhej të kishte një datë të
gëzueshme, që do të shënonte shqetësimin e ëmbël për shpëtimin e akademikut,
shkrimtarit, politikanit, atdhetarit, heroit, që kishte dhe profeci (siç e quan
Kadare Qosjen në parathënien e botimit në frëngjisht të romanit „Vdekja më vjen
prej syve të tillë“). Në anën tjetër, autori në këtë ditar derdhë gjithë
sertësinë e tij të shqetësuar për figura të tjera të Kosovës, jo vetëm për
Rugovën, por edhe për akademik Aganin, të cilin e vranë bandat kriminele serbe,
duke mos u ndalur gjithaq në përshkrimin e këtij akti makabër, por më shumë në
shtjellimin e hilesë së pohimeve të sigurimit serb se Fehmi Aganin e paska
vrarë UÇK-ja!
Kur dihet se dr. Rugova, dr. Fehmi Agani dhe gjithë LDK-ja, e
cila përbënte hiq më pak se 90 për qind të popullit shqiptar në Kosovë, ishin
dhe janë krijesa aq të urryera të Rexhep Qosjes, më shkon ndërmend se sertësia,
qoftë edhe e çasteve të arsyeshme të Kadaresë ndaj tyre, ia shtonte oreksin
tërbues edhe më shumë Rexhep Qosjes, i cili as u ndal e as do të ndalet
ndonjëherë edhe kundër vetë Kadaresë. Më shkon ndërmend edhe mosfutja në ditar
e braktisjes së Kosovës nga Rexhep Qosja edhe armiqësia e pandalshme e Qosjes
ndaj Kadaresë dhe mendimit të tij të përparuar dhe them: duke qenë i kujdesshëm
ndaj vesit të përhershëm zhvlerësues, mohues e të sëmurë të Qosjes, Kadare nuk
e përshkroi në ditarin e tij Qosjen dhe braktisjen e Kosovës nga ai me aq
„strategji heroike“, që të mos ndihej i sulmuar më prej tij? Kush e di. Ndoshta
nuk është as njëra, as tjetra. Ndoshta nuk e ka interesuar Kadarenë ikja,
mënyra dhe shpëtimi i Qosjes. Ndoshta për këtë nuk e ka regjistruar në ditarin
e tij. Ndoshta është ndjerë i fyer nga kjo mënyrë, nga një strategji e tillë
shpëtimi e Qosjes dhe e ka kursyer nga ditari…
Në datën 25 gusht të Ditarit për Kosovën gjej (pa dashur ta
gjej) një butësi tjetër, gati të paimagjinueshme, të Kadaresë. Ai gati ulërin
me shumë të drejtë për komentin „Fashizmi kosovar, turp i shqiptarëve“, i
shkruar në anglisht nga „një intelektual e politikan i shquar shqiptar“, që,
siç thotë Kadare „nuk dua t’ia përmend emrin ngaqë e çmoj“. Përse të mos ia
përmend emrin këtij „intelektuali e politikani të shquar“, kur ai shante dhe
nëpërkëmbte dhembjen shqiptare në Kosovë për të gjitha ato lemeri që kishin
krijuar hordhitë çetniko-fashiste serbe, kur ai e quante fashizëm gjithë
sakrificën e popullit të tij? Ishte Veton Surroi ky „intelektual e politikan i
shquar shqiptar“, që shkroi në anglisht e shqip për „fashizmin“ e popullit të
tij, por që Kadare nuk ia përmend emrin „ngaqë e çmoj“! Ç’deshi ky „intelektual
e politikan i shquar shqiptar“ me këto trillime të sëmura, me këto
komente të ngarkuara me aq hile çnjerëzore, në radhë të parë, dhe me këto
insinuata krejtësisht serbe e serbishte? Për këto ishte „intelektual“? Për këto
ishte „i shquar“? Për këto meritonte të quhet „i çmuar“ ky njeri që ishte në
krye të UJDIT jugosllav në Kosovë (organizatë e LKJ-së, që kishte marrë
përsipër ruajtjen e federatës jugosllave)? Për të sharat e tij serbishte kundër
popullit të tij sa për të zhvatur, siç ka zhvatur, aq shumë fonde të jashtme
për vete?!
Megjithatë, edhe tash kujtoj se nuk mund të fajësohet për këto
Kadare. Ndryshe është të jesh këtu e t’i prekësh çështjet e të njohësh për së
afërmi karakteret morale e imorale të njerëzve, e ndryshe kur të rrëmbejnë (me
të drejtë) shqetësimet për të gjitha ato që ngjanin me popullin e tij në
Kosovë.