E diele, 28.04.2024, 07:43 AM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (V)

E diele, 20.12.2009, 08:59 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Bolla e brendshme e helmit urrejtës


Më 30,31 dhjetor 2008 dhe më 1, 2 e 3 janar 2009, akademik Qosja i dha një intervistë në vazhdime së përditshmes „Infopress“. Qasja është e njëjtë, fjalori është i njëjtë, pelimi është i njëjtë, alogjika po ashtu e njëjtë, si në të gjitha intervistat e tjera. Nuk e themi ne këtë. Këtë e thotë ai vetë i ngazëllyer nga pyetjet e „qëlluara“, aso që ia shkapurisin lukthin, të cilin e konsideron ndërgjegje të lartë morale e intelektuale. Natyrisht, përgjigjet i ka gati absolutisht të njëjta dhe si të mësuara përmendsh. E pyet gazetari se si e vlerësonte ai vitin 2008, që po mbaronte. Pjesën e parë të përgjigjes e ka të kontrolluar: „I shikuar historikisht, viti 2008 do të shënohet si vit jashtëzakonisht i madh në historinë e popullit shqiptar…për arsye se këtë vit u arrit ideali shekullor i popullit shqiptar: u arrit çlirimi dhe pavarësia e edhe e një pjese të tokave shqiptare dhe të popullit shqiptar: u arrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Por, këtë vit iu hapën dyert edhe Shqipërisë shtetërore për t'u bërë anëtare e NATO-s“.

Përgjigje e plotë, e saktë dhe e ndjeshme sinqerisht. Megjithatë, ai nuk ndalet në këtë korrektësi. Bolla e brendshme e helmit urrejtës nis e zhdërvillet dhe, sikur të pendohej pse e tha këtë pjesë të sinqertë e të ndjeshme të përgjigjes, si zakonisht ngutet dhe shton pjesën tjetër të së njëjtës përgjigje ndryshe, aso që i kemi dëgjuar dhe i kemi lexuar thuaja në secilën fjalë a mendim të tij shumëherë: „I shikuar nga pikëpamja shoqërore, politike dhe ekonomike, viti 2008 nuk mund të thuhet se ndryshon posaçërisht prej viteve të tjera pas rënies së komunizmit. Në Shqipërinë shtetërore, si edhe gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të kaluara, viti 2008 ishte vit i politikës dhe konflikteve politiko-partiake me të njëjtit aktor në krye.“

Kosova, siç dihet, nuk arriti të çlirohej nga shputa e egër serbe pa luftën e UÇK-së dhe pa ndihmën e madhe, a super të madhe, të NATO-s. Shqipërisë nuk do t’i hapeshin dyert dhe nuk do të mund të bëhej anëtare me të drejta të plota në aleancën ushtarake më të fuqishme të botës, pa i arritur standardet e parapara të zhvillimit të gjithanshëm ushtarak dhe ato ekonomiko-shoqërore. Ia hapën dyert dhe ajo u bë anëtare e NATO-s për hatër? Jo. U pranua anëtare me të drejta të plota në këtë aleancë pa i plotësuar standardet e parapara? Jo. Atëherë, z. akademik Qosja, si është e mundur që viti 2008 „nuk mund të thuhet se ndryshon posaçërisht prej viteve të tjera pas rënies së komunizmit si edhe gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të kaluara viti 2008 ishte vit i politikës dhe konflikteve politiko-partiake me të njëjtit aktor në krye“?

Nuk mund të thuhet se akademik Qosja nuk i di dhe nuk i paska ditur kriteret dhe standardet që duhet t’i plotësonte secili shtet që pranohet në NATO. Ai e di me siguri se kur në vitin 2008 iu hapën dyert Shqipërisë për në NATO, ishin pararealizuar këto kritere dhe standarde dhe ato u finalizuan plotësisht deri më 4 prill 2009, kur Shqipëria edhe zyrtarisht hyri nëpër këto dyer të hapura të NATO-s si anëtare me të drejta të plota. E kush i paska realizuar këto kritere e standarde të shumta,  e të cilat s’e paskan ndryshuar Shqipërinë dhe ajo nuk paska ndryshuar posaçërisht prej viteve të tjera pas rënies së komunizmit? Një lexues anonim në internet këto deklarata të Qosjes i quan dokrra, i quan sëmundje, i quan… të pista. Nuk them se janë të tilla, por mbresa të ngjashme lënë.

Purgatoristi Qosja vete edhe më larg. Pavarësinë e Kosovës dhe Shqipërinë në NATO nuk i lë në një vend brenda historisë sonë kombëtare. „Shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe hapja e dyerve për pranimin e Shqipërisë në NATO nuk mund të krahasohen, sepse nuk do të kenë të njëjtin vend në historinë e popullit shqiptar. Çlirimi dhe Pavarësia e Kosovës është e arritur e madhe, historike, shekullore, e popullit shqiptar, është liri e arritur, është pavarësi e arritur, është ngritje historike e popullit shqiptar si komb. Hyrja e ardhshme e Shqipërisë në NATO është hyrje në një Aleancë ushtarake, shumë të rëndësishme, por Aleancë, që është sot e mund të vendos vetë që të mos jetë nesër…“, thotë ai me gjithë „dëlirësinë“ e tij të mendimit të guximshëm, që e kanë vetëm ata që janë të zotë të bëjnë ose të zhbëjnë çfarë ua do lukthi. Po të mos ishte në pushtet e djathta, e urryera i tij deri në psikopati, nuk do të thoshte kështu kaq zhvlerësueshëm për NATO-n. Por, siç dihet, që nga nisma e viteve nëntëdhjetë në Shqipëri nuk mund të flasë mirë, si njeri dhe si intelektual i zoti që është, për të djathtën shqiptare. Çfarë iu desh asaj që me turmën e guximshme lirikërkuese, bashkë me studentët, që ishin e ardhmja e Shqipërisë, ta sillnin demokracinë, ta sillnin jetën nga ferri komunist, stalinist e enverist? Çfarë iu desh asaj që me turmën gjithëpopullore në Tiranë të përmbysnin aq pamëshirshëm përmendoret e Enverit dhe të Stalinit? Po të mos e kishte bërë këtë kjo turmë e djathtë lirikërkuese, ajo sot nuk do të shahej nga akademik Qosja. Nuk do të shahej as Kadare, i cili asnjëherë deri tash nuk u bind t’ia pranonte Qosjes se ishte mik i Enver Hoxhës dhe i komunizmit, i cili atë e kishte bërë mit për nevojat e veta. Përse ai nuk u tregua i guximshëm, siç ishte dhe është edhe sot i guximshëm Qosja kur e pranon se jo vetëm e kishte nënshkruar deklaratën më të dhembshme të zisë për vdekjen e Titos së tij, të cilën deklaratë, siç pohon vetë, do ta nënshkruante edhe sot?

Hyrjen në NATO të Shqipërisë akademik Qosja e bën gati hiç. „NATO sot është e nesër mund të mos jetë“ (!), thotë „profecia“ e tij, duke e zhvlerësuar në këtë mënyrë rëndësinë e NATO-s dhe të Shqipërisë brenda saj, e cila është sot, por mund të mos jetë nesër, ai në të vërtetë përpiqet ta zvogëlojë deri në pamundësi rolin dhe meritat e së djathtës në Shqipëri. I turbulluar nga emocionet plangprishëse me këto që thotë harron se pa NATO-n dhe tomahovkat e saj Kosova sot as do ishte e lirë, as do ishte shtet i pavarur. Këtë rëndësi ai e harron duke vajtur pas kërkimit të zhvlerësimit të çdo gjëje që është arritur me sukses në Shqipëri dhe ndër shqiptarët.        

Hyrja e Shqipërisë në NATO nuk e di a e ndihmon a e pengon idealin historik të popullit shqiptar: bashkimin e Kosovës me Shqipërinë“, shpreh brengën boshe atdhetare akademik Qosja në këtë intervistë! Ç’rëndësi pati dhe ka kufiri i sotëm Kosovë-Shqipëri? Cilat ishin dhe janë pengesat e qarkullimit të lirë nëpër këto toka tona? As Europa, as NATO nuk mund të veprojnë me shkop magjik që menjëherë të hiqen kufijtë ekzistues, të cilat tash nuk e pengojnë në asnjë mënyrë bashkimin praktik, shpirtëror e fizik të kombit tonë në këto dy vende që jetuan gjatë, njëra enveriste, tjetra titiste, të ndara me hekura e me vdekje nga të dyja palët. Filozofizma e tepruar fantastike degradon në patologji, thotë Frojdi.

Sidomos kur këto, në të vërtetë, nuk janë gjë tjetër përveç filozofi krrokamash.


Kush u dashka të pretendojë ta dojë më shumë Kosovën


Duke folur në këtë intervistë për planin gjashtëpikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, akademik Qosja ngrihet kundër të drejtës së pretendimeve të shqiptarëve të tjerë që ta duan Kosovën më shumë se Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi a Jakup Krasniqi! Mrekulli pas mrekullie, mendime gjeniale prej prokurori, që ndanë të drejtën dhe që ndanë historinë. „Në deklaratat dhe debatet për planin gjashtë pikësh po dëgjoj se i bëhen shumë vërejtje kryeministrit, kryetarit dhe kryetarit të Kuvendit… Nuk mendoj se kemi të drejtë të pretendojmë se e duam Kosovën më shumë se Fatmir Sejdiu a Hashim Thaçi, a Jakup Krasniqi“, nënvizon rreptë e përfundimisht Qosja. Ndoshta ka të drejtë. E kush thotë se ata njëmend nuk e duan Kosovën? Ç’lidhje ka dashuria ndaj Kosovës e treshit me gjashtë pikat e OKB-së? Nuk dihet, por prapë them se Qosja mund të ketë të drejtë të përcaktojë të drejtat e pretendimeve për një dashuri të tillë. Po e zëmë, ç’kërkuan ata që bënë jetën burgjeve serbo-titiste me dashurinë aq të madhe për Kosovën dhe për lirinë e saj? Ç’kërkuan ata që dhanë jetën në emër të dashurisë për Kosovën dhe për lirinë e saj? Ç’kërkuan dy të rinj të „Vetëvendosjes“ kur u vranë nga policët rumunë në qendër të Prishtinës, derisa përpiqeshin të shprehnin dashurinë që kishin për Kosovën, dashuri kjo që pretendohej të ishte më e madhe, më kuptimplote dhe më e dhembshme se dashuria për Kosovën që kanë Fatmir Sejdiu, në fronin e kryetarit, se Hashim Thaçi në fronin e kryeministrit dhe Jakup Krasniqi në atë të kryeparlamentarit dhe me fotografinë e shenjtë të Enver Hoxhës në shtëpinë e tij? Sipas Qosjes askush në Kosovë nuk guxuaka dhe nuk paska të drejtë ta dojë Kosovën më shumë se këta tre veta! Bile as të pretendojnë! Hallakamë vardisjesh, hallakamë servilimesh, hallakamë demagogjish, jo pse i do këta të tre, por pse në krye të shtetit të Kosovës e të institucioneve të saj më nuk janë të urryerit e tjerë të tij, dr. Rugova, akademik Fehmi Agani, etj… por është Fatmir Sejdiu, i cili i bëri nder, sipas Qosjes, Kosovës në sytë e vendeve islamike kur nga zyrat e Presidencës i hoqi fotografitë e të shenjtëve Nëna Tereze dhe Papës, të cilat i kishte vendosur mbi 16-17 vjet më parë e deri në vdekje të tij, dr. Rugova, por është Hashim Thaçi që ka lënë pa asnjë mbikëqyrje, qoftë edhe humane, kolonën aq të madhe e të gjatë të varfanjakëve të skajshëm. Ai ka të drejtë ta dojë Kosovën më shumë se ç‘kanë të drejtë të pretendojnë shqiptarët e tjerë, sepse ai i jep rrogë pa punuar fare pakicës serbe, nuk ua kërkon paratë për energjinë e shpenzuar elektrike, nuk ua merr tatimet në pronë siç ua merr shqiptarëve. E kush guxon dhe kush merr të drejtën ta dojë Kosovën më shumë se këta tre të veçuar nga akademik Qosja? Popullit duhet t’i mjaftojë dashuria për Kosovën e këtyre tre të parëve, ndaj duhet të heshtë, ndaj duhet të pushojë që të ketë pretendim dashurie për Kosovën, ndaj duhet të rri urtë dhe të mos kritikojë, të mos bëjë grevë, por të vazhdojë të mësohet të durojë dhe të ushqehet përditë e dinjitetshëm me dashurinë e këtyre të treve që kanë për Kosovën.

Kjo është porosia e akademikut tonë, i cili pak më vonë harron se çfarë lavde u thuri këtyre të treve dhe i heshti të tjerët. I merr në thumb, por tash jo për të tjerët, jo për popullin dhe fatin e tij, por për vete dhe vetëm për vete.

Këtu nis shpërputhja e deklaratave të deritashme me këto që pasojnë. Në pyetjen e gazetarit se pse gjithnjë e më rrallë shihet në medie për të trajtuar probleme politike a shkencore dhe pse po ngjet nga ai kjo shmangie, sjell një përgjigje të dhembshme: „Nuk po ju shmangem unë mediave, por mediat e sunduara prej ndonjë partie a klani partiak dhe shkencor po më shmangin mua… Për shkak të hesapeve të tyre ato janë të shtrënguara t'i fotografojnë ditë e natë zyrtarët…Ç'hajër kanë televizionet private dhe televizioni publik prej meje? Kurrfarë hajri. Vetëm sherr. Unë u prish punë atyre te zyrtarët!... Besoni mos besoni, por kjo është kështu: statusi im publik është shumë më i kufizuar sot kur në pushtet është Partia Demokratike e Kosovës, partia e krijuar prej pjesëtarëve të UÇK-së dhe të përkrahësve të saj, do të thotë, partia e UÇK-së - e organizatës së përkushtimeve të mia intelektuale dhe morale. Dyert e disa institucioneve e jo vetëm dyert e Akademisë së Shkencave e të Arteve dhe të RTK-së më janë mbyllur menjëherë pas luftës kur LDK-ja fitoi zgjedhjet, por në këto dyer u vunë shtatë brava pasi PDK-ja erdhi në pushtet. Mund të japë një varg shembujsh për këtë. Po japë vetëm një, të fundit. Para disa muajsh dikujt ju kishte mbushur mendja të më propozonte anëtar të Këshillit Kombëtar të Shkencës, por Kuvendi i Kosovës e miratoi listën me të propozuar midis të cilëve nuk isha unë! Po mirë, në qoftë se unë, me përvojën time shkencore nuk i duhem atij Këshilli, ai Këshill aq më pak më duhet mua. Mbetem gjallë. Nuk mund të siguroj të ardhura sa për jetë në Prishtinë, por po siguroj në Tetovë. E ka një çmim ky udhëtim për mua e për krijimtarinë time, por e ka edhe një frymëzim! Unë nuk dua të flasë më tej për shmangien që më bëhet sot nga jeta publike. Për këtë një gjë është e sigurt: do të flitet nesër. Pena ime shkruan“.

E shihni? Ai harroi lavdet e mëhershme që ua bëri tre të parëve të Kosovës në raport me të tjerët jashtë tij dhe tash i akuzon edhe si klane, edhe si mbyllës me shtatë brava të dyerve për të! LDK-ja vetëm ia paska mbyllur dyert, kurse PDK-ja e Hashim Thaçit dhe e Jakup Krasniqit ia paska vënë edhe shtatë brava të tjera. Çfarë po ngjet kështu? Nëse këta tre shtatëbravësh nuk e dashkan Qosjen, që nuk e pranuakan as anëtar në Këshillin Kombëtar të Shkencës, „edhe pse me përvojë të madhe shkencore“, atëherë si nuk paskan të drejtë të tjerët të pretendojnë ta duan Kosovën më shumë se këta të tre, edhe nëse nuk e duan dhe nuk e çmojnë turbullimin intelektual dhe kaq egoist të Qosjes? Si nuk paska të drejtë edhe z. Qosja, i cili një herë i lavdëron, kurse pas 3-4 minutave i shanë, që të pretendojë ta dojë Kosovën më shumë se këta tre të sharë? Ai edhe i lavdëron, edhe i shanë, dhe në fund edhe i kërcënon: „Për këtë një gjë është e sigurt: do të flitet nesër. Pena ime shkruan“.

Vaj halli për ta. Gëzimin për lavdërimin që ua bën, do t’ua mbytë, siç ua mbyti me të shara vetëm 3-4 minuta më vonë, edhe me të shara të tjera edhe më të mëdha me penën e tij që nuk pushon së shkruari, i frymëzuar, si gjithnjë, vetëm nga mllefet, urrejtja dhe nga sëmundja e tij egocentrike. PDK-ja, jo vetëm nuk guxon t’ia mbyllë dyert me shtatë brava, siç thotë vetë, por duhet të jetë aq e vetëdijshme dhe aq e gatshme që t’ia shpërblejë guximin rrënues të kundërshtarëve të saj politikë. Ajo duhet të jetë e vetëdijshme dhe e gatshme që këtij akademiku rrënues dhe këtij rapsodi të veçantë për Titon e tij, t’ia rikthejë të gjitha privilegjet dhe përparësitë pa asnjë kod, që kishte në kohën e Titos. Nëse nuk do të veprojë kështu, PDK-ja do ta pësojë nga kërcënimi i tij me penë. PDK-ja duhet ta mbajë mend, sikur thërret Qosja: „Pena ime shkruan“.

Nëse shtrohen këto që thotë Qosja tash edhe për PDK-në e Hashim Thaçit, që ia paska vënë edhe nga shtatë dryna, në një rrafsh tjetër të logjikës, do të dilte një domosdoshmëri fare banale e një analize tjetër: si ndodhi që, pas privilegjeve aq të mëdha, aso kapitale të besimit dhe të besueshmërisë ndaj tij që kishte gjithë klasa politike e LKJ-së dhe, sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë e deri më sot, të mos e dojë askush nga krijuesit dhe politikanët Rexhep Qosjen në Kosovë? Gjatë viteve nëntëdhjetë politikanët intelektualë e krijues i kishin ofruar atij poste të rëndësishme në institucionet shtetërore të Kosovës, që krijoheshin edhe para tytave dhe egërsisë vrastare serbe. Nuk e kishte pranuar asnjërin post, sepse ishte kohë rreziqesh të mëdha në veprimtari të tilla shtetformuese të shqiptarëve. Të tjerët vepronin pandalshëm, pavarësisht rreziqeve. Ky jo! Shikonte prapa perdeve të shtëpisë së tij se çfarë ngjante në Kosovë dhe me Kosovën, çfarë ngjante me njerëzit e saj. Rrinte larg këtyre ngjarjeve, që përfundonin edhe me gjak, edhe me burgosje, edhe me mizori të përditshme. Ishte kundër kreut të LDK-së, që në të vërtetë në këto vite më shumë se parti politike, ishte organizim i lëvizjes mbarëshqiptare në Kosovë dhe të djemve, grave e vajzave të saj në mërgim thuaja në gjithë botën. U inkuadrua në institucionet e degraduara të Kosovës pas luftës, kur vendin tonë e qeveriste UNMIK-u, që atje dhe prej atje të shfaqte gjithë fuqinë e tij në një kohë kur nuk kishte rreziqe nga barbaria serbe. Edhe nga këto poste unmikiane nuk prajti të shfryjë mllefe e urrejtje ndaj të gjithë atyre që para popullit ishin të mëdhenj, ishin të shtrenjtë dhe që kishin sakrifikuar shumë në dhjetëvjetëshin e fundit para luftës, gjatë luftës dhe pas saj deri në ditët e sotme. Tash del, sipas pohimeve të tij në këtë intervistë, se edhe kundërshtarët politikë të kreut të LDK-së së dikurshme, siç janë krerët e PDK-së, nuk e dashkan Qosjen, sepse po ia mbyllkan dyert e angazhimit të tij me shtatë dryna! Kjo që thotë dhe konstaton në këtë intervistë, i përngjet një „pasoje“ ndaj tij shumë të natyrshme. E panatyrshme duket, megjithatë, se si ky akademik nuk flet, nuk mendon fare se pse të gjithë qenkan kundër tij. Ai nuk mund ta marrë me mend se askush nuk është kundër tij, sepse ai duhet të jetë dikush që të ketë miq ose kundërshtarë. Ai s’i ka as të parët dhe, nuk mund t’i ketë as të dytët. Është në natyrën e tij tashmë që ai t’i ketë të gjithë kundërshtarë dhe të gjithë armiq. Prandaj, i kërcënon me penën e tij që “shkruan vazhdimisht” nëse atij nuk i ofrojnë privilegjet që dikur ia kishte garantuar me dorëshlirësi partia komuniste jugosllave. Le të shkruaj, sepse shkrimi i duhet vetmisë së tij, të cilën e mbushë me të tilla filozofi, të cilat tashmë nuk janë tjetër përveç krrokama të përditshme dhe të mërzitshme.       

Ky akademik i madh, ky tempull i dijes sonë kombëtare, i cili nuk mund të mrizojë, i cili nuk mund ta durojë mrizimin nën hijet e mëdha që bëjnë atje lartë mendjet e mëdha të kombit, krijuesit e mëdhenj të kombit, politikanët e mëdhenj të kombit, atdhetarët e njëmendtë të kombit, prandaj ka marrë përsipër t’i rrëzojë, t’i shembë me ca orekse të sëmura instinktesh dhe patologjish të pakontrolluara. Megjithatë, nëse përdorim ironinë, ai është mjaft kombëtar. Ai gjithnjë jetoi me vuajtje të mëdha për Kosovën, të cilën s’e paska pushtuar Tito i tij. Jetoi me vuajtjet, me vrasjet, me burgosjet, me dëbimin e popullit të tij nga regjimi politik i Titos, të cilin e çmonte dhe e çmon edhe sot. Është atdhetar i madh, sepse, siç thotë edhe vetë, nuk paska qenë vetëm dëshmitar, por paska qenë edhe pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet madhore të kombit dhe në situatat më të vështira të këtij kombi, në Kosovë e në Shqipëri, në afirmimin e nevojës së këtij populli në Kosovë për liri dhe për çlirim në të gjitha dimensionet ndërkombëtare, sidomos në qendrat e mëdha të vendosjes dhe, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të paraluftës. Kur dhe si nuk dihet e as është dëgjuar ndonjëherë. Në asnjë ngjarje të madhe ai s’ka marrë pjesë as si dëshmitar. Dëshmitar ishte, por prapa tylit të perdeve të tij të shtëpisë, gjithnjë i frymëzuar, jo nga ngjarjet që kapërcente populli i tij, por nga filozofë e shkrimtarë të mëdhenj. Nëse e përdorim përsëri ironinë, a nuk i tha ai Evropës, siç thotë në intervistë „se ju e keni sjellë kombin shqiptar në këtë gjendje, ndaj ju duhet t’i bëni ndreqjet e një veprimi të tillë“? Nëse nuk u kishte thënë në sy, ai këtë pohim bile e ka trilluar me guximin e tij gjithnjë heroik në intervistat e tij lokale. Pastaj, siç dihet, Evropa, që është aq e ndjeshme dhe aq penduese, e zënë ngushtë prej tij, ndërhyri dhe e bindi edhe SHBA-në që së bashku ta rregullojnë padrejtësinë ndaj popullit shqiptar, të cilin e kishin sjell vetë!

A nuk mori pjesë e nuk merr edhe në ngjarjet madhore të kombit edhe në Shqipëri? Mori dhe merr gjithnjë në krah të „revolucionit të vonuar demokratik“, të cilët e dogjën, e vranë dhe gati e zhbënë Shqipërinë? Mori dhe vazhdon të marrë pjesë shumë aktivisht. A nuk mori pjesë në delegacionin shqiptar të Kosovës në Rambuje? Mori. A nuk e shkroi nga atje ditarin atdhetar, të cilin disa e quajnë shënime procembajtëse? E shkroi. Por, edhe pse të tjerët nuk dinë gjë për këto pjesëmarrje të mëdha të tij, ai e thotë vetë, prandaj (ironi) vetëdefinicioni i tij nuk lë vend për dyshime se ai është vërtet atdhetar i madh. Është atdhetar e patriot i madh, sepse, siç deklaron vetë, ka shkruar mbi katër mijë faqe për çështjen shqiptare në Kosovë. Unë i besoj, sepse shumicën e këtyre faqeve të shkruara e të publikuara prej tij i kam lexuar. I kam lexuar dhe, përveç përmbajtjeve rrënuese, etiketuese, denoncuese, pamfletuese… por dhe servile, nuk kam gjetur gjë tjetër të rëndësishme, që do t’i duhej historisë dhe dritës së saj. Kam gjetur përtej këtyre që u thanë, edhe vetëmadhështinë e tij të ndërtuar mbi rrënojat që përpiqet t’i shkaktojë në këto faqe të „rëndësishme“ të shkruara për çështjen shqiptare. I kam lexuar dhe të tilla përmbajtjesh kam gjetur edhe në propaganda të tjera, që kanë dalë si përpjekje për shëmtimin e imazhit politik, kulturor e kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi. Një literaturë e tillë nuk është e pakët dhe nuk është e re.

Duke i lexuar këto faqe, nuk e di se pse, por sikur kërkoja që ky atdhetar i madh, ky intelektual i moralshëm, që nuk paska kursyer asgjë (bile as gjumin e rehatshëm) për luftëtarët e lirisë së UÇK-së, së paku të kishte shkruar edhe faqe libri, po e zëmë, për Adem Jasharin, të cilin vetë e quan komandant legjendar, kur i nevojitet për të sharë të tjerët. Por nuk e gjej. Ca miq të mi krijues më qortojnë dhe më thonë të mos e shkruaj këtë që e shkrova, sepse ai do të ta rrëmbejë këtë ide dhe do ta shkruaj një libër për legjendën Adem Jashari. Le ta rrëmbejë, u them. I takon atij ta rrëmbejë idenë, sepse ai thotë për veten se është atdhetar i madh dhe thotë pandalshëm se paska sakrifikuar edhe ai sa të thuash për luftën në Kosovë, për paraluftën në Kosovë, për pasluftën në Kosovë. Ai thotë vetë se është atdhetar i madh, këtë s’e thotë askush tjetër! Se pak u duket, u them, që derisa ishte në KPA (në fillimet e pasluftës) kurrë nuk i tha kryeadministratorit Kushner që të mos i rrënonte institucionet e larta shtetërore të Kosovës të ndërtuara para luftës përballë tytave të pushtuesit? Ai edhe atëherë ishte atdhetar dhe shtetar i madh. Kishte marrë pjesë nga largësi të mëdha në të gjitha rezistencat madhore dhe në përpjekjet e jashtëzakonshme të ngritjes së këtyre institucioneve thjeshtë shqiptare të Kosovës, pa iu trembur syri aspak prapa perdeve të shtëpisë së tij. Ai kishte refuzuar postin e kryeministrit të Kosovës në ekzil, sepse madhështia e tij prapa këtyre perdeve të rehatshme të shtëpisë së tij nuk mund ta pranonte një post aq të vogël dhe aq shumë të rrezikshëm. Pastaj, po të mos ishte i tillë dhe kaq i madh si atdhetar dhe kaq hije e Zotit, ai nuk do të kishte fuqinë t‘i shembte pas luftës këto institucione shtetërore dhe këto t’i bënte departamente (drejtori)! Po të mos ishte i madh si atdhetar dhe si politikan „larghudhës“ mendimesh, nuk do të shkonte, së bashku me ekipin e tij të luftës te popi Artemije në Graçanicë (katund i banuar vetëm me serbë në afërsi të Prishtinës), pikërisht në kohën kur nënat dhe baballarët shqiptarë mblidhnin eshtrat e fëmijëve të tyre të vrarë nga hordhitë çetnike-fashiste të Serbisë e të serbëve pa përjashtim. Vetëm atdhetarët e mëdhenj bëjnë kështu dhe shkruajnë katër mijë faqe për çështjen shqiptare, u them miqve të mi krijues. Natyrisht, ata qeshin, më shikojnë me çudi, pastaj, paksa të menduar, thonë: por ti nuk e di se sa përpjekje ka bërë ky atdhetar i madh te kryeadministratori Kushner që, jo vetëm t’i zhbëjë këto institucione shtetërore të Kosovës, por edhe të ndalohen gazetat luftënxitëse të Serbisë, të cilat hynin pa asnjë pengesë në Kosovë. Nuk e di, u them, s’kam dëgjuar asnjëherë një të mirë të tillë prej tij. E di se ai dhe Veton Surroi, këta dhe popi Artemije, kanë bërë çmos te Kushneri dhe gjatë vizitave të përbashkëta (Surroi) edhe në Amerikë, që ta ndalonin përfundimisht gazetën shqiptare „Bota sot“, e cila në brendinë e saj vazhdimisht sillte historinë e luftës në Kosovë, vazhdimisht sillte emra kriminelësh serbë, që vazhdonin të jenë të lirë në Kosovën e çliruar, që vazhdimisht sillte heronjtë e saj, dëshmorët e saj, gënjeshtarët e gjallë të saj, manipuluesit me luftën dhe me të rënit. Kur nuk ia dolën ta ndalonin, atëherë filluan ta dënonin nëpërmjet shefit të paguar të zyrës së huaj për medie, të cilit dënimet dhjeta mijëra markash, kjo gazetë detyrohej të paguante në konton e këtij shefi! 



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (II) Sulejman Sulejmani: Rezistenca ndaj Brigadës së XII Maqedone... Hilmi Saraçi: Si u pushkatuan 21 shqiptarë nga forcat partizane komuniste... Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (I) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IV) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (III) Fehmi Sadiku: Të dhëna statiskore për trysnitë ndaj kosovarëve me anë të “tepricave” të shpikura! Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Studime të Poshtme (Martiraj) 1998-1999 Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (II) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (I) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në qytetin e Vushtrrisë (1998 - 1999) Sabile Keçmezi-Basha: Angazhimi i grave në jetën politike e vendimmarrëse në Kosovë Tefik Ramadani-Qarri: Gjurmeve te krimeve partizane mbi Shqiptaret Qazim Namani: Kultura materiale dhe historia e qytetit të Prishtinës Sabile Keçmezi- Basha: Çështje të përdorimi të nocioneve: ilegale, klandestine dhe e fshehtë Hilmi Saraçi: Lashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë Shevki Sh. Voca: Vrasja e Kryetarit Kenedi - Atentati i shekullit XX Mahmut Elez Mahmuti - Kqiku: Përveç datave kurgja tjetër nuk ka të vërtetë Valon Kurtishi: Faleminderit Austro - Hungari, i përjetshëm kujtimi për Franc Jozefin e I Hilmi Saraçi: Luftëtarë të njohur të Artakollit (1918-1947)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora