| E hene, 21.12.2009, 08:58 PM |
Një gënjeshtër e Qosjes dhe një përgjigje e ASHAK-ut
„…Oj Kosovë e mjera Kosovë!“ - klithë Qosja për Akademinë e Shkencave të Kosovës në
intervistën e tij në të përditshmen e Prishtinës „Infopress“ të fundvitit 2008
dhe, vazhdon:
Seksioni i Gjuhës e i Letërsisë për tetë vjet ka pranuar vetëm
një anëtar të ri! Si është e mundshme kjo? Pse iu mbyllën dyert e Akademisë sa
e sa gjuhëtarëve, historianëve të letërsisë, shkrimtarëve? Akademia sot nuk
është në gjendje me anëtarët e vet të ngris e të realizojë asnjë projekt
shkencor nga fusha e gjuhësisë, nga fusha e historisë së letërsisë, nga fusha e
historisë së arteve të tjera, nga fusha e kulturës. Me kë? Me dy gjuhëtarë të
shkuar në moshë dhe me një gjuhëtarë tjetër tashmë të burokratizuar? Me një
historian të letërsisë! Me anëtarët tjerë mund të shkruhen artikuj në gazeta,
por jo të bëhen kërkime e studime shkencore. Nuk janë bërë as përpara!
Hajde e mos të shkoj mendja se në Seksionin e Gjuhës dhe të Letërsisë urrehen
gjuhëtarët, historianët e letërsisë dhe shkrimtarët më të talentuar e më të
merituar të Kosovës sot. Sikur të mos sundonte kjo patologji në Akademi, sot në
Akademi do të ishin edhe Adem Demaqi, Agim Vinca, Ramiz Kelmendi, Shefkije
Islamaj, Din Mehmeti, Ymer Jaka, Shekfi Sejdiu, Rruzhdi Ushaku e edhe Qemal
Murati. Disa prej këtyre krijuesve sot janë krijues me shumë më tepër ndikim në
jetën shkencore, letrare, arsimore e kulturore kombëtare në përgjithësi se
kolegët e tyre anëtarë të Akademisë. Po të mos ishte shpërfytyruar siç është
shpërfytyruar Akademia, në mënyrë të veçantë seksioni i saj i Gjuhës e i
Letërsisë dhe Seksioni i Shkencave Shoqërore, Akademia do të luante rolin që i
takon shkencor, kulturor e shoqëror e s‘do të kthehej në shtëpi të vogël
private, që zgjedh anëtar partizanët e vet partiakë, kurse në Kryesi qe 15 vjet
militantët e të njëjtit klan“.
Këtë që e thotë në krye të kësaj përgjigjeje për Akademinë e
Shkencave në Kosovë, e ka me të drejtë z. Qosja: Oj Kosovë e mjera Kosovë!
Faktet që i kritikon dhe faktet që sjell, jo vetëm janë qesharake, bile të
dhembshme qesharake, që e bëjnë secilin t’ia thotë „Oj Kosovë e mjera Kosovë“,
por „faktet“ e reja të tij edhe të trishtojnë. Me dy gjuhëtarë, thotë ai i
pezmatuar, të shkuar në moshë dhe me një gjuhëtarë tjetër, tashmë të burokratizuar,
me një historian të letërsisë, të quhet kjo Akademi e Shekncave e Kosovës!?
Pastaj përlan lava e tij mohuese e anëtarëve të tjerë të kësaj Akademie, të
cilët nuk qenkan për tjetër gjë aty, pos të shkruajnë artikuj në gazeta.
Pastaj, sjell propozimet e tij emrash që do të duhej të ishin anëtarë të kësaj
Akademie, disa nga të cilët janë edhe më pleq se ata akademikë, që i zë në
gojë, bile edhe më pleq se shumica e pleqve të Kosovës. Por ai i shan
akademikët pleq dhe i propozon edhe më pleq se të parët! Ai habitet i
shqetësuar se pse Adem Demaçi nuk është akademik, edhe pse vetë e kishte
quajtur për nevoja të veta „limon i shtrydhur“, edhe pse edhe ai i ka kaluar të
shtatëdhjetat e moshës! Ndoshta sugjeron për të për shkak të projektit të tij
të famshëm për Ballkaninë, si konfederatë ballkanike, në të cilën, përveç
trojeve të tjera të copëtuara shqiptare, si njësi konfederale, do të hynte edhe
Shqipëria, që të humbte sovranitetin dhe të qeverisej nga saçi sllav! Ndoshta
ia njeh mirë temperamentin e tij të pakontrolluar dhe i duket sikur mund ta
ndërsejë lehtë kundër Akademisë! Ai sugjeron për akademik Agim Vincën, i cili
tashmë është i njohur për plagjiaturë e hajni poetike nga poetë të tjerë, që
nga Kadare e deri te Halil Qendro. Ndoshta këtë e ka sugjeruar, sepse edhe vetë
Qosja është marrë e merret me të tilla marrëzi plagjiaturash, që do të shihen
pak më vonë në këtë libër. Ndoshta propozon Vincën për shkak të fushatës së tij
kundër historisë sonë të dizajnuar mrekullisht në Flamurin shtetëror të Kosovës
motivesh të Dardanisë Antike, që e kishte propozuar dr. Rugova dhe e kishte
jetësuar sa ishte gjallë në gjithë Kosovën dhe në institucionet e saj. Fushata
e tij mediatike arriti qëllimin e turpshëm: huliganët „atdhetarë“ e dogjën këtë
flamur dhe historinë e tij të lashtë në sheshin e Prishtinës. E pse jo, kur të
dy këta e urrenin aq shumë dr. Rugovën dhe për inat të tij e dogjën edhe
historinë tonë kombëtare?!
Por, pse ai nuk vete qe më shumë se gjashtë vjet në ASHAK?
Kush i ka thënë të mos shkojë? Kush e ka përzënë? Askush. Duke dashur ta ketë
brenda saj z. Qosje, Akademia e Shkencave dhe e Arteve në Kosovë, ka bërë
shkeljen më flagrante të statutit të saj, të rregullave dhe të rregullores së
saj, duke e lënë ende anëtar të rregullt të Akademisë edhe pse me mungesa
shumëvjeçare të paarsyetuara asnjëherë. Nuk e ka shmangë ASHAK-u atë, ai e ka
shmang ASHAK-un, në mënyrë që përsëri nga larg të gjejë mënyra për të sharë,
për të trilluar dhe për të gënjyer pandalshëm.
Po në këtë intervistë trivazhdimëshe dhënë së përditshmes
prishtinase „Infopress“, jo vetëm që qortoi kuadrin plak të Akademisë së
Shkencave të Kosovës dhe, jo vetëm propozoi emra të tjerë edhe më pleq
(bile disa edhe më pleq se ai vetë), që do të mund të ishin anëtarë të kësaj
Akademie, por nga kroi i tij thashethemesh (të tjerët do t’i thoshin ndryshe
këtyre të pavërtetave), renditi një varg të pavërtetash të tjera rreth raportit
të kësaj Akademie me të, si anëtar i saj. Pasi qortoi me radhë pushtetet e
deritashme në Kosovë, se pushteti i LDK-së ia paska mbyllur dyert dhe se
pushteti i tashëm i PDK-së, pushtet ky, të cilin Qosja e quan të luftëtarëve të
UÇK-së (jo edhe të luftëtarëve të FARK-ut, të cilët edhe këta luftuan për
çlirimin e Kosovës), ia paska mbyllur dyert, por edhe më shumë – me shtatë
brava - ankohet se edhe Akademia e Shkencave e Kosovës ia paska mbyllur dyert,
edhe pse nuk e thotë se me sa brava (lexo: dryna) ia paskan mbyllur këto dyer!
Nuk është hera e parë që akademik Qosja deklaron dhe manipulon
pashtershëm me të pavërteta. I thotë këto dhe nuk ndjehet keq. Nuk ndjehet keq
edhe kur pasojnë reagimet e rralla, të cilat sheshojnë të vërtetën, duke i
shpaluar të pavërtetat e tij të deklaruara. Përkundrazi. Hesht. Nuk i demanton
reagimet, nuk i del zot të „vërtetave“ të tij. Pse duhet t‘i demantojë të
vërtetat e të tjerëve ndaj të pavërtetave të tij? Të pavërtetat e tij i ka
thënë i pari dhe tash, sipas mentalitetit të tij tashmë të njohur, lokomotiva
le të ecë, të tjerët le të lehin! Kështu i do të jenë jo vetëm individët, të cilët
që moti i ka bërë personazhe të tij sulmesh, por gjithë popullin e Kosovës, të
cilin e quajti edhe qen, edhe qene, edhe bushtra, edhe kuçka, me pomada
qytetesh evropiane, edhe me kravata, edhe me shalle, edhe me sheshirë. Të
gjithë lehin në drejtim të tij, të gjithë nuk e duan dhe sharjet e tij,
rrënimet e tij, denigrimet e tij, injorimet e tij janë aq të fuqishme sa t’u
përballojë të gjithë këtyre armiqve të tij! Fuqi e madhe, fuqi e Zotit të
pandjeshëm, fuqi e Zotit të fjalës së ligë, fuqi kjo e z. Qosje, që s’e ndjeu e
nuk e ndjen gëzimin e as dhembjen e të tjerëve dhe për të tjerët, por që e
ndjen me frikë zellin, mendjen dhe namin e të tjerëve. Është ky vetë fuqia e
Zotit, që ka shkulur nga vetja rrënjën e dashurisë njerëzore dhe në vend të saj
ka mbjell farën e egër të urrejtjes dhe të shembjes. Nuk e njeh dhe nuk e ndjen
në asnjë mënyrë as fajin, as pendesën, as keqardhjen, as turpin për të
pavërtetat e tij që i deklaron dhe i plason pareshtur para publikut.
Megjithatë, reagime dhe përgënjeshtrime ndaj të pavërtetave të
tij vijnë fare rrallë. Ata që provojnë të bëjnë diçka të tillë, më tepër e
kanë, jo që të mbrohen nga breshëria e tillë e të pavërtetave të akademik
Qosjes, por më shumë e kanë nga konsiderata që kanë ndaj tij. U vjen keq, madje
shumë keq. U vjen rëndë, madje shumë rëndë deri në skuqje, kur shohin e
dëgjojnë këto të pavërteta që vijnë nga ai, që dalin nga ai, duke u përpjekur
gjithmonë që të gjejnë shkakun që shtynë këtë akademik të krijojë parajsën e
tij të sigurisë nëpërmjet të pavërtetave. Natyrisht, nuk e gjejnë shkakun, ndaj
heqin dorë, duke u arsyetuar se „kush ka kohë të merret me të? Është i sëmurë
fare!“.
Ishte i vërtetë pohimi i akademikut se Akademia e Shkencave e
Kosovës, anëtar i së cilës është edhe vetë, ia paska mbyllur dyert? Pas
deklarimit të tillë në „Infopress“, reagoi dhe e përgënjeshtroi të pavërtetën e
tij vetë Akademia e Shkencave e Kosovës. E përgënjeshtroi dhe para publikut e
nxori të vërtetën për të pavërtetat e deklaruara të Qosjes. Por ky heshti. Nuk
e tha më asnjë fjalë. U fsheh prapa tylit të heshtjes derisa mbi të pavërtetat
e tij dhe të vërtetave të ASHAK-ut të bie harresa, në mënyrë që pastaj, prapë
të dalë në opinion dhe të vazhdojë avazin e tij tashmë shumë të njohur e të
përsëritur kaq shpesh.
Çfarë thotë reagimi dhe përgënjeshtrimi i Akademisë së
Shkencave të Kosovës ndaj këtyre të pavërtetave
qosiste?
Qosja nuk ka marrë asnjë votë
Lidhur me deklarimin publik të akademik Rexhep Qosjes dhënë
gazetës “Infopres” dt. 31.12.2008 dhe 1, 2 e 3/01/2009, në të cilën ai
shprehimisht thotë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ia ka mbyllur
dyert, Shërbimi Administrativ e Profesional i Akademisë sqaron opinionin
publik, si më poshtë:
Akademik Rexhep Qosja në të gjitha veprimtaritë e Akademisë
është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet si të gjithë anëtarët e tjerë të
Akademisë. Rregullisht është ftuar në të gjitha veprimtaritë e organizuara në
Akademi. Megjithatë, më se 6 vjet nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje pune në
Akademi. Edhe pse gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka shkelur pragun e Akademisë, ka
marrë shpërblimin e akademikut, si çdo anëtar tjetër aktiv i Akademisë.
Në zgjedhjet e fundit për Kryesinë e Akademisë, megjithë
mungesën e tij, konform Rregullores mbi propozimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të
Kryesisë së ASHAK-ut ka qenë në të gjitha listat kandidat për të gjitha
funksionet e Akademisë, si çdo anëtarë tjetër i rregullt, por nuk ka marrë
asnjë votë. (Gazeta Express, 9 janar 2009)
Qosja dhe shqiptarët
Motivet qosiste, që shpërndahen nëpër eterin tonë publik
kundër Kadaresë, sikur janë të njohura dhe të kualifikuara tashmë: dëshpërimi i
tij nga madhështia e Kadaresë, dëshpërim ky që e frikëson aq shumë. Ndaj dhe
kërkon në çdo çast dhe në secilin rast ta zbresë me padinjitetin e tij deri aty
ku do të shihet vetëm pak, natyrisht në nivelin e ndjeshëm nën madhështinë e
vetëtrilluar, që duhet të ketë Qosja. Zotësia e tij, vërtet, e paimagjinueshme
për përfitime privilegjesh, nuk arriti të realizohet edhe si zotësi krijuese
çfarë e ka Kadare, e cila tash e sa vjet njihet me respekt në botën e madhe
letrare. Njohja apo vetënjohja e kësaj pazotësie të tij, karshi të mëdhenjve të
tjerë të kombit, sikur e detyroi të ndërrojë kursin moral prej intelektuali, në
të cilin besonin në fillim të gjithë, dhe u bë manifestues i vazhdueshëm i
përjetimeve dhe i shpjegimeve të liga, madje vetëm të liga. Lexuesi apo
studiuesi, nuk mund të gjejë tjetër te ky autor. Sa qanë e qeshë, sa
ngërdheshet e bëhet ndëshkues, sa ankues dhe sa derdhë gjithandej mllefe e intriga
të pasistemuara, por të cilat të gjitha janë në shërbim të tij dhe vetëm të
tij. Bota shqiptare nuk guxon të mendojë, të shkruajë a ta dojë as Kadarenë, as
edhe ndonjë krijues a politikan, të cilin ai nuk e ka të vetin, që do të thotë
nuk e ka në korin e tij të urrejtjes. Nuk është vetë, ndaj nuk guxon të jetë
askush tjetër mbi të! Kjo është logjika e tij publike. Kjo është logjika e
përmbajtjeve të tij edhe të librave, edhe të penës së tij, tashmë të lodhur e
të mërzitshme nga britmat boshe, nga britmat rrënuese dhe mohuese. Cila, po e
zëmë (hiq Historinë e letërsisë) nga rreth katër mijë faqet e shkruara prej tij
për „çështjet shqiptare“ paraqet ndonjë përpjekje për përparimin kulturor e
krijues të shqiptarëve? Asnjëra. Po a kaq të zinj qenkan politikanët dhe
krijuesit e mëdhenj shqiptarë, që i ka njohur dhe i njeh bota, të cilët nuk
mundohet t’i zbardhë, por i nxinë pareshtur në sytë e botës? Pse e bëri dhe
vazhdon ta bëjë këtë? Pse ua zë për të madhe Kadaresë, Sali Berishës dhe
studiuesve e njohësve të tjerë shqiptarë, kudo që janë ata, kur shprehin
mendimin e tyre, po e zëmë, kur trajtojnë, ashtu siç është, figurën historike
të Skënderbeut? Jo vetëm ua zë për të madhe, por ngutet si një satrap të
rrëzojë mendimin dhe përjetimin e tyre, ndërkohë që për të tjerët që kanë
mendime ndryshe nga këta, që u theksuan, i lavdëron dhe i quan me të drejtë të
plotë të shprehin mendimin e tyre. Nëse është kështu, edhe të parët sollën
fakte dhe shprehën mendimin e tyre. Këta, sipas deklaratave të Qosjes, nuk paskan
të drejtë të shprehin mendime, kurse të tjerët e paskan këtë të drejtë, sepse
këta të fundit nuk janë dhembja e tij? Të parët, sidomos dr. Rugova, akademik
Fehmi Agani, Kadare, Berisha dhe një varg i gjatë krijuesish dhe akademikësh të
tjerë në Kosovë e në Shqipëri, janë bërë dregëza të pashërueshme për të
dhe për egon e tij, të cilën tashmë e cilësojnë si të sëmurë dhe me patologji
të shumta.
Derisa dihen shkaqet e një fobie të tillë ndaj Kadaresë dhe
penave të mëdha e të rëndësishme të krijuesve në botën shqiptare, veçmas ndaj
dr. Rugovës (i cili pati guximin e idesë afirmuese të shqiptarëve dhe të
Kosovës në botë, të cilin guxim ky akademik nuk e pati asnjëherë, ndaj dhe nuk
iu bashkëngjit, nuk bashkëveproi, por ngeli prapa perdeve të shtëpisë së tij të
vështrojë dhe të mbledhë brenda vetes vetëm pezmatimet e tij tashmë të
njohura), nuk dihen ende mirë shkaqet e një fobie të çmendur fare ndaj dr.
Berishës që nga fillimet e viteve nëntëdhjetë. Cili është ai që mund të thotë
se dr. Berisha në jetën e tij politike nuk bëri gabime, bile edhe ndaj Kosovës,
kur kjo kalonte ferrin më të egër nën pushtimin serb, si? bënë edhe
pushtetarë të tjerë socialistë? Megjithatë, supozimet janë të shumta. Një ndër
to thuhet të jetë urrejtja e tij ndaj Berishës, sepse ky, me turmën e tij të
madhe lirikërkuese dhe shpëtuese nga një sistem i egër stalinist në Shqipëri, e
bëri Shqipërinë të lirë, edhe pse e varfëruar deri në asht, duke ia rrënuar
kështu kështjellën dhe ideologjinë e tij enveriste e staliniste në Shqipëri.
Kjo prekje dhe këto ndërrime, për këtë akademik ishin mjaft të ndjeshme dhe ai
nuk kishte nga t’ia mbante tjetër, përveç derdhjes së përhershme vreri ndaj
tij. Edhe tash, kur Shqipëria është ngritur në këmbë nga zhvillimet e
gjithanshme të përparuara, edhe pse të ngadalta, ai e urren. Aq e urren sa edhe
hyrjen e Shqipërisë në NATO nuk e sheh aq të rëndësishme, aleancë kjo e
fuqishme ushtarake e botës, e cila, sipas tij, „sot është e nesër mund të
mos jetë“! E urren sot Berishën, me të cilën Shqipëria eci kaq shumë
përpara në zhvillimin e saj të gjithanshëm dhe do ta urrejë prapë, ndoshta edhe
më egër, kur e djathta shqiptare do të futë Shqipërinë edhe në Bashkimin
Evropian. Këtij akademiku nuk i intereson ecja e mbarë e Shqipërisë, as edhe e
Kosovës, nëse kësaj ecjeje nuk i prin vetë, qoftë edhe si dije, qoftë edhe si
pazotësi e tij praktike. Këtij akademiku i intereson secila ecje e këtyre dy
vendeve shqiptare, nëse ai do të mund t’i realizonte privilegjet e tij, të
cilat i kishte gëzuar po me aq privilegje në periudhën e Titos, ani pse rinia
shqiptare e Kosovës dergjej e vritej nga Tito dhe nga regjimi i tij i egër politik.
Disa thonë se Qosja filloi ta urrejë Berishën kur i njëjti ideal e bashkoi me
dr. Rugovën, për të cilin ky akademik s’e kishte thënë kurrë një fjalë të mirë
për të, madje nuk kishte lënë gjë të keqe pa shtuar për të. Ai shau edhe
kryetarin e Shqipërisë, Bamir Topi vetëm pse vinte në këtë post nga PD-ja e
Berishës dhe pse e përmendi dr. Rugovën. E shau dhe e shanë, sepse ai, si
president i Shqipërisë, është angazhuar dhe angazhohet edhe zyrtarisht për
çmimin e meritueshëm Nobel për Kadarenë. Domethënë presidenti Topi nuk guxuaka
të flasë e të shkruaj mirë për Kadarenë! Do të ishte një president i mirë dhe i
pranueshëm për të vetëm nëse organizon, siç kanë organizuar të tjerë miq të
Qosjes, t‘i shkruajë letra bordit të Nobelit kundër Kadaresë.
Sa për ilustrim po sjell mendimin shkarravitës të këtij
akademiku për kryetarin e Shqipërisë, z. Bamir Topi, pas vizitës së tij të
vjetshme, që i bëri Kosovës, të cilit i vërsulet, së paku, për dy arsye: e
para, se ai vjen nga një parti e djathtë, të cilën e udhëheq i urryeri i tij
Sali Berisha dhe, e dyta, se gjatë kësaj vizite në Kosovë, kryetari Topi as
ishte lodhur ta kërkonte e ta takonte këtë akademik (përveç z. Sabri Godo, i
cili nga hoteli Grand në Prishtinë, i kishte telefonuar Qosjes që ta takonte me
z. Topi, por i cili nuk kishte pranuar, sepse „Bamir Topi flet dhe e lavdëron
Ismail Kadarenë e dr. Rugovën“), siç kishin bërë dhe bëjnë të majtit e tij
jashtëzakonisht të dashur dhe jashtëzakonisht të „pafajshëm“, si Rexhep Mejdani
e Paskal Milo, të cilët i ka quajtur edhe revolucionarë të vonuar
demokratikë, kur e dogjën dhe për pak e zhbënë Shqipërinë në vitin 1997.
Lexuesi mund të nxjerrë vetë përfundimet nga kjo deklaratë e Qosjes:
Rexhep Qosja: Kryetari Topi kundër historisë
Vizita e kryetarit të Shqipërisë, Bamir Topi, në Kosovë prej
25- 27 janar (2008-shënim imi), në mediat e shkruara e elektronike dhe
në opinionin shqiptar të Kosovës u quajt vizitë historike. Dhe, u quajt,
kështu, vizitë historike, për arsye se u bë në prag të ngjarjes më të madhe në
historinë e Kosovës, të ngjarjes së ëndërruar nga të gjithë brezat e
atdhetarëve gjatë një shekulli: në prag të shpalljes së pavarësisë.
U harrua se vizitat zyrtare të politikanëve dhe shtetarëve nuk
mund të quhen historike vetëm pse ndodhin në çaste me rëndësi historike.
Vizitat zyrtare të politikanëve dhe të shtetarëve edhe më shumë sesa çasti me
rëndësi historike i bëjnë historike idetë e tyre, gjykimet e tyre, largpamjet e
tyre, vizionet e tyre, më në fund, karakteri i tyre i treguar në çastet historike.
Vizita zyrtare e kryetarit të Shqipërisë, Bamir Topi, në
Kosovë, përpos se u bë në prag të ngjarjes së madhe, historike për popullin e
Kosovës dhe për popullin shqiptar në përgjithësi, nuk kishte asgjë tjetër
historike. As ide, as gjykime, as largpamje, as vlerësime, as vizione
historike. Përkundrazi: ajo kishte shumëçka të vogël që nuk përkonte me
ngjarjen e madhe, në prag të së cilës ngjau. Fjalimet që ai mbajti, së pari në
institucionin më të lartë politik të Kosovës - në Kuvendin e Kosovës dhe, mandej,
në institucionin më të lartë të arsimit, të shkencës dhe të edukimit moral e
atdhetar të rinisë shqiptare - në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të
Prishtinës, ishin fjalime tipike burokratike, të cilave u mungonte ajo që
pritej ta kishin: larghedhja në gjykime dhe shpirtgjerësia në vlerësime.
Në vend se ta shikonte Kosovën nga lartësia mendore dhe morale
e kryetarit të shtetit, që qytetarët e Kosovës e quajnë shteti Amë, ashtu siç e
shikuan kur ishin në Kosovë paraardhësit e tij ish-kryetari Rexhep Meidani dhe
ish-kryetari Alfred Moisiu, ai e shikoi nga niveli i një partie - i partisë së
cilës i takon!
Dhe, shikimi i tillë, i partishëm, madje, palejueshëm i
partishëm, i bëri fjalimet e tij intelektualisht boshe, historikisht të
papërgjegjshme, politikisht polarizuese! Pse mund të thuhet kështu? Mund të
thuhet kështu, e para, për arsye se kryetari Bamir Topi kishte harruar se
Kosova ka bërë luftë, ka bërë një luftë që në historiografi nuk ka se si të
quhet ndryshe përpos luftë çlirimtare dhe, e dyta, për arsye se ai ishte
kryetari i parë i Shqipërisë, të cilit gjatë këtyre 95 vjetëve prej se Kosova i
është shkoqur me dhunë Shqipërisë, i është bërë e mundshme të flasë para
popullit të Kosovës në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari Topi me sa dihet, nuk reagoi fare në këtë deklaratë
sharëse e të mllefshme të Qosjes. E, pse duhej të reagonte ndaj insinuatave të
tilla gati klinike? Një deklaratë e tillë, më tepër se reagim ndaj një vizite
të tillë, ngjau të ishte bukur shumë servile ndaj së majtës bile ekstreme në
Shqipëri, nën kupolën e fajshme të së cilës, akademik Qosja gjen prehjen e vetë
emocionale, mundësinë e bashkëveprimit rrënues, si një kor disharmonik me
realitetin e përgjithshëm kombëtar. Derisa Shqipëria dhe Kosova, ose gjithë
shqiptarët në vendet e tyre po rindërtojnë, ndërtojnë dhe mbrojnë imazhin e
tyre pozitiv në botë, janë këta, soji i Qosjes dhe i së majtës së fajshme në
Shqipëri, që përpiqen t‘i shkatërrojnë deri në turp të gjitha këto përpjekje.
Indiferenca e z. Topi karshi kësaj fuqie rrënuese, mohuese dhe zhvlerësuese të
Qosjes, nxiti domosdo reagimin mjaft domethënës dhe kuptimplotë të publicistit
të njohur Mero Baze, pjesë të të cilit reagim (edhe pse pa leje të autorit) po
i sjell sa për ilustrim:
„… Nuk dua të merrem me gjithë shfrimin e dufit të prof.
Qosjes ndaj presidentit Topi. Ky i fundit është i paqëm në distancën që ka nga
ngjyrat e brendshme të shoqërisë së Kosovës, saqë, po t’ia kishte rekomanduar
Sabri Godo, mund ta fillonte vizitën në Kosovë dhe me takimin me Rexhep Qosjen…
Unë i kuptoj të gjitha këto dhe, duke njohur mirë dhe presidentin Topi, jam
shumë i qartë në pafajësinë e tij në çdo detaj që mund t’iu jetë dukur i gabuar
në Kosovë dhe në çdo detaj që mund t’i ketë mrekulluar ata. Nuk kam asnjë drojë
të them se Bamir Topi e do Kosovën, por nuk e njeh aq mirë, sa të gjejë stilin
e të shprehurit të kësaj dashurie që t’iu pëlqejë të gjithëve. Ka politikanë të
tjerë në Shqipëri që e njohin këtë teknikë dhe dinë ta përdorin shumë mirë. Por
dua të ndalem te thelbi i sulmit të prof. Rexhep Qosjes. Sipas tij, Bamir Topi
me qëndrimet e tij kishte ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës dhe kishte
rishkruar historinë e Kosovës sipas brumosjes së tij politike. Argumente
natyrisht nuk kishte, por kishte aq shumë mllef, sa kishte arritur të mbushte
një faqe me fyerje. Duke mos pasur argumente për çfarë kishte gabuar Bamir Topi
në Kosovë, prof. Qosja merrej me çfarë kishte gabuar Bamir Topi në Shqipëri. Ky
njeri, i cili ankohej pse Bamir Topi shkoi në parlament të Kosovës e nuk përmendi
luftëtarët, që shkoi në universitet dhe përmendi vetëm marksistë-leninistët e
1981, që shkoi në institucione shkencore dhe përmendi mësues katundi, pra ky
kritik i rreptë, si kryeargument për sjelljen e Topit, kishte faktin që Bamir
Topi ka shkarkuar Sollakun, ka dekretuar ligjin për akademinë dhe ligjin për
TVSH e librit që shtypet jashtë Shqipërisë. Një nonsens më të madh se kaq nuk
kam lexuar kurrë nga ndonjë njeri që merr mundimin të sulmojë presidentin e një
vendi. Të thuash se Bamir Topi po ndërhyn në punët e Kosovës dhe të merresh me
gjithë punët tona në Shqipëri, vetëm një mendje inatçore dhe tërësisht e
ideologjizuar mund ta bëjë. Së pari, shkarkimi i Sollakut nuk është më një
çështje që shqetëson as të majtën në Shqipëri dhe s’ka pse shqetëson Rexhep
Qosjen në Prishtinë. Së dyti, ligji për akademinë u pranua dhe presidenti Topi
u falënderua nga akademikët e Tiranës dhe nuk ka pse mërzitet një akademik i
Prishtinës. Dhe së treti, më skandalizoi TVSH e librit që shtypet jashtë
Shqipërisë, e cila është një çështje tërësisht financiare dhe spekulative që
nuk ka të bëjë as me çështjen shqiptare, as me PD dhe as me PS… Ai ka dekretuar
një ligj që mbron lirinë ekonomike dhe tregun e lirë të Shqipërisë dhe për këtë
duhet përgëzuar nga ne që jetojmë në Shqipëri dhe ku ka fuqi vepruese ky ligj.
Marrëzia për të gjykuar punët tona në Tiranë me syrin e një majtisti ekstrem
nga Kosova dhe përpjekja për ta shitur këtë si histori kombëtare është mungesë
e madhe dinjiteti.
Problemi i dytë që ngre prof. Qosja dhe që ka të bëjë me
rishkrimin e historisë në Shqipëri është dhe më i rëndë… Ne kemi pasur fatin e
keq që historinë e letërsisë të na e shkruante Dhimitër Shuteriqi, i cili deri
më 1948 mburrej që ishte me origjinë serbe, deri më 1960 që ishte me origjinë ruse
dhe pastaj që ishte dashamir i Kinës. Dhe për këtë shkak ai na rreshtoi në
historinë e letërsisë sonë me vlera të barabarta Naim Frashërin, Çajupin,
Asdrenin, Migjenin, Memo Meton, Shefqet Peçin, Shefqet Musarajin, Ismail
Kadarenë etj. Na zhduku nga çdo libër Fishtën, Konicën, Koliqin, Pipën, Camajn,
na zhduku studimet e Mustafa Krujës dhe Mitrush Kutelit, na zhduku Lasgush
Poradecin dhe Skënder Luarasin. Rexhep Qosja që shkruante po historinë e
letërsinë shqipe në Kosovë mund ta ndalte këtë masakër. Mund t’i thoshte jo
barbarisë që zhdukte vlera kombëtare dhe mbillte ferra në vend tyre. Nuk e bëri
kurrë. Historia e tij e letërsisë shqipe është një fotokopje e sistemit të
vlerave që na ka ofruar Dhimitër Shuteriqi, i cili ka dhe njëfarë arsyeje të
justifikohet se e ka shkruar nën regjimin e Enver Hoxhës. Liria e Rexhep Qosjes
na ka ofruar të njëjtin produkt dhe në raste të tilla është mirë që njeriu të
heshtë. E di që falje s’kërkon dot, se nuk e lë sedra e sëmurë, por heshtjen
mund ta përdorë si mburojë në këto raste.
Dhe, së treti, ky njeri ka një problem me të jetuarit si njeri
i njohur në Shqipëri dhe i papërfillur në Kosovë. Ka plot personazhe të tillë
të botës shqiptare. Ka politikanë e gazetarë dhe emra të botës akademike që i
çmojnë më shumë në Kosovë, ose në Shqipëri, dhe anasjelltas. Rexhep Qosja është
thjesht një idol i së majtës shqiptare, por i së majtës së vjetër,
nacionalkomuniste me plot retorika për Kosovën… Prof. Qosja, që drithërohet nga
ideja se historia mund të rishkruhet, akuzon Bamir Topin pse s`ka përfillur
tekat e tij në Kosovë dhe vetë është simbol i përzierjes deri në imtësi në
gjithë historitë e pista të komunizmit në Shqipëri, së paku sipas dokumenteve
zyrtare që nga viti 1978. Jam i gatshëm dhe të pranoj se ai e ka bërë nga idealizmi
dhe dëshira për të ndihmuar Shqipërinë edhe pse komuniste, por së paku tashmë
që është në fund të jetës, ose të thotë ndonjë të vërtetë, ose të heshtë dhe të
dëgjojë dhe palën tjetër që ka të vërtetat e saj.
Bamir Topi ishte në Kosovë si President i Shqipërisë dhe është
sjellë si i tillë. Është e vërtetë se ai nuk di gjithçka për Kosovën, nuk njeh
klanet dhe prapaskenat e shoqërisë atje, nuk njeh kulisat e politikës dhe
ngjyrat që ka çdo fraksion, por dhe nuk ka pse i njeh të gjitha. Rexhep Qosja ka
përparësi ndaj tij, se njeh çdo pisllëk të Shqipërisë, çdo skutë të saj dhe e
përjeton historinë e Shqipërisë si një militant socialist i traumatizuar nga
ideja që u zgjodh Bamir Topi president. Kjo është e vetmja diferencë mes tyre.
Por Bamir Topi konkurron dhe jeton në Shqipëri. Aty votohet, aty drejton, aty
ndëshkohet dhe nderohet. Njësoj dhe Rexhep Qosja në Kosovë. Bamir Topi nuk i ka
zënë hisen e diellit, duke e lënë me 1 për qind të elektoratit të Kosovës“.