E diele, 28.04.2024, 08:24 AM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IX)

E diele, 27.12.2009, 08:57 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Frika e këtij akademiku


Duke u mbështetur gati në të gjitha të thënat e tij shigjetë a bombë, duket se Rexhep Qosja, që nga vdekja e Titos së tij, mori brenda vetes një frikë të jashtëzakonshme. Bashkë me ikjen e Titos nga kjo botë, iu bë sikur ia mori me vete edhe privilegjet që i „takonin“. Në të vërtetë, që nga ikja e Titos, kur e shkroi zinë më të madhe për të, ai kishte shpresuar se privilegjet e deriatëhershme mund t’i ruante me këtë rapsodi të shkruar tek zyrtarët titistë dhe zyrtarët shërbëtorë në Kosovë. Por kjo shpresë dhe ky mund i tij servilizmi nuk zgjati shumë. Meqenëse nuk zgjati shumë, sepse po në këtë kohë nisi të dalë edhe më egër në sipërfaqe gjeni i tërbuar për krime i Serbisë, Qosja la me një anë letërsinë dhe historinë e saj dhe nisi të kërkojë fusha të tjera të shfrimeve, jo ndaj Serbisë, e cila po e prishte sistemin e harmonishëm të vëllazërim-bashkimit, të socializmit vetëqeverisës të Titos, të barazisë e të nënbarazisë dhe po niste luftërat me të gjithë. Liderët e rinj shqiptarë pa vonuar shumë ndërruan kahet e rezistencës së urtë ndaj përbindëshit serb dhe bashkë më këto kahe nisën të ndërtojnë edhe institucionet e pavarura shqiptare në Kosovë, që quheshin edhe paralele. Këta liderë po bëheshin gjithnjë më me famë, gjithnjë më të nderuar, më të besueshëm brenda shqetësimeve të kombit. Këto kahe, që nuk ishin më në dorë të komitetlinjve titistë të LKJ-së, ia prishnin rehatinë e privilegjuar këtij akademiku të vetëquajtur i pari, më i pari, më i dijshmi, më i privilegjuari. Se mos e kishin të vështirë shqiptarët e Kosovës, nëse nuk do t’i ndërronin këto kahe, që të nënshtroheshin në emër të „vëllazërim-bashkimit“, në emër të socializmit vetëqeverisës, të cilave Qosja u këndonte ode? Por rezistenca dhe urtësia e saj u shfaq dhe u shndërrua në doktrinë të rëndësishme politike e diplomatike, që pa vonesë të madhe, u njoh dhe u pranua nga qendrat më të rëndësishme të Evropës dhe të ShBA-ve. Çdo rezistencë e papjekur aktive aso kohe ishte vdekjeprurëse dhe shkatërruese për gjithë popullin shqiptar në Kosovë. Në të vërtetë, të gjitha republikat e tjera të atëhershme jugosllave punonin pareshtur që një rezistencë e tillë aktive të niste pikërisht në Kosovë që të shpëtonin vetë nga Serbia. Pikërisht rezistenca „pasive“, siç e quanin ata që kërkonin ta minimizonin aktivitetin e Lëvizjes thuaja gjithëpopullore, që kishte emrin LDK, të cilën Qosja e quante dhe e quan „vazhdim i LKJ-së“, bëri që luftërat dhe luftimet të nisnin e të mbaronin në Kroaci (Serbia ishte përgatitur për luftë edhe në Slloveni, por nuk ia doli) dhe në Bosnjë. Institucionet e larta të Kosovës që në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur po zhvilloheshin luftimet serbe në Kroaci e në Bosnje, së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes, kishin organizuar ushtrinë, si forca të armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), e cila, krahas forcimit të saj dhe krahas përkrahjes së paparë e të vullnetshme financiare të shqiptarëve në mërgim në Evropë e Amerikë për këto përgatitje, përgjonte momentin e duhur për një rezistencë të armatosur. Momenti i duhur ishte ai që erdhi më vonë, kur po sfilitej Serbia nga humbjet e mëdha në arenat e luftës në Kroaci e në Bosnjë. Megjithatë, ndodhi ajo që ka ndodhur gjithnjë ndër shqiptarët. Në vend se të bashkoheshin fuqitë e armatosura shqiptare në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që lindi jashtë institucioneve të organizuara të Kosovës, nuk e pranoi FARK-un. Në këtë copëtim rezistence pati edhe tellallë të zëshëm. Në këtë kor ishte edhe Rexhep Qosja, edhe Adem Demaçi, edhe zarzavate të tjera.

Kur po krijoheshin në Kosovë institucionet e larta dhe të pavarura të vendit, vetë dr. Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së dhe, rrjedhimisht edhe kryetar i më shumë së 90 për qind të shqiptarëve në Kosovë, që ishin mbledhur në LDK, nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij (Ramush Tahiri, udhëheqës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Avni Spahiu, zyrtar i lartë në LDK, tash ambasador në SHBA) i ofroi z. Qosja postin e kryeministrit të Kosovës. Ishte kohë e rrezikshme dhe që interesi i vendit kërkonte sakrifica të mëdha. Nuk e pranoi postin e ofruar. Nuk dha ndonjë shpjegim dhe arsye të refuzimit, por mënyra e heshtjes së tij para këtyre detyrave të vështira e të rrezikshme shpjegonte mosgatishmërinë e tij të angazhimit, mosgatishmëri kjo që nuk rrinte në asnjë mënyrë në harmoni me derset e tij të vazhdueshme patriotike e kritike ndaj veprimeve të shumta politike të kreut të LDK-së e veçmas ndaj më të urryerit të tij (nuk dihet shkaku) dr. Ibrahim Rugova. Mund të supozohet se Qosja kishte një antipati, thuaja të sëmurë ndaj tij, vetëm pse ishte bërë „i pari i parë“, siç thotë vetë Qosja në tregimin e tij pështirosës „I ringjalluri i penduar“, në të cilin Kosovën e bëri hiq më pak dhe hiq më shumë se fermë qensh.

Kur në vitin 1992 në Kosovë, edhe pse para tytave të tankeve dhe automatikëve serbë, ishin organizuar zgjedhjet e pavarura shqiptare, Rexhep Qosja, dhe disa si ai, por që fjalët i kishin prush nga patriotizmi zhurmues, nuk dolën në zgjedhje. Nuk ishte e keqja kjo, sepse ishte e drejtë e tyre të votonin a të mos votonin para tytave serbe. E keqja ishte se nuk lanë gjë të zezë pa thënë për këto zgjedhje, nga të cilat krijoheshin institucionet zyrtare sipas Kushtetutës shqiptare të Kaçanikut dhe, sipas tyre, krijohej mundësia e zbatimit më të rregullt të protokollit në raport me bisedimet me bashkësinë e rëndësishme ndërkombëtare. Këta patriotë të flaktë të fjalës, të dersit, që priheshin nga Rexhep Qosja, nuk mund të prisnin rregull. Ata donin që këta të flisnin dhe të tjerët të sakrifikonin pa kohë dhe pa asnjë takt të mundshëm. Zjarri patriotik i derseve të tyre ishte i papërmbajtshëm dhe, meqenëse zhurma e tyre nuk arrinte shumë larg, atëherë nisën të shajnë, nisën të ligjërojnë djallëzisht dhe me pezëm të sëmurë, por jo ndaj bishës së egër serbe, por ndaj shqiptarëve. T’i bashkëngjiteshin rregullit të rezistencës këta sikur ndiheshin të pa tapë nga prapa. Meqenëse ishin të tillë, atëherë nxorën armët e fjalëve dhe nuk lanë njeri a formë shqiptare pa e sulmuar, pa e komprometuar. Mendonin se kështu nuk do të lejonin të tjerët të shquheshin më shumë se ata, që rrinin të ngujuar dhe iknin nga secili rrezik i vogël a i madh.

Se si m’u kujtua një e vërtetë, e cila pastaj doli dhe u trajtua si barsoletë, së pari nga pronari i gazetës së përditshme (Koha ditore), Veton Surroi, i cili pas luftës në Kosovë popullin shqiptar e quajti fashist. Pastaj u shërbyen me këtë barsoletë trumbetuesit frikacakë të atdhetarizmit bashibozuk. Në një nga mbledhjet e rregullta të LDK-së për çdo të premte (diku mbase në mesin e viteve nëntëdhjetë), një nga temat që u trajtua aty ishte edhe domosdoshmëria e ndërtimit të rrugës Durrës-Prishtinë, të cilën e shtroi dr. Rugova. Ndërtimi i kësaj rruge më tepër ishte aso kohe si një vizion ose si sublimim i dëshirës dhe i përpjekjeve shqiptare brez pas brezi për afrimin sa më të madh të Kosovës me Shqipërinë. Menjëherë pas kësaj mbledhjeje kjo gazetë shkroi se të premten e ardhshme Ibrahim Rugova sigurisht do të flasë se si shqiptarët e Kosovës do ta pushtojnë hënën! Të rrallë ishin ata që mund t’i besonin këtij vizioni për rrugën në një kohë aq kërcënuese për gjithë popullin shqiptar të Kosovës nga egërsia serbe. Megjithatë, ky vizion u realizua dhe rruga po ndërtohet dhe ajo është në përfundim. Për ata që i njihnin rrethanat e atëhershme politike, jo vetëm brenda frikës nga pushtuesi serb, por dhe më gjerë në relacionet bashkëbiseduese me qendrat e rëndësishme botërore, nuk e kishin të vështirë ta kuptonin se rrjedhat ishin reale dhe se Serbia do të gjunjëzohet. Por klasa përbuzëse, e mbushur me mllefe mosdurimi, që kishte frikën deri në palcë nga madhështia e tërbuar ushtarake, policore e paramilitare serbe, as që mund ta merrnin me mend se mund të ndryshonte një situatë e tillë dhe, aq më pak, se lideri i LDK-së dhe kryetari i Kosovës, dr. Rugova, mund të kishte vizione të tilla kaq të qëlluara, siç del të jetë tash rruga Durrës-Prishtinë. Tash heshtin. Edhe Rexhep Qosja nuk flet më për këtë „barsoletë“ të atëhershme, por ka gjetur vjegëzën tjetër të sulmit po ashtu fare të egër ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, se pse po e realizon projektin e madh të kësaj rruge. Nuk mendoj se nuk i beson rëndësisë kombëtare që ka dhe do të ketë kjo rrugë drejt integrimit kombëtar të Kosovës me Shqipërinë, por e besoj se e urren, përveç të tjerave, Sali Berishën se pse po e realizon vizionin e Rugovës, të këtij njeriu që aq shumë e urren edhe tash për së vdekuri. Edhe e majta shqiptare në Shqipëri kishte mbledhur fonde dhe taksa shumëmilionëshe për ndërtimin e kësaj rruge, por u la anash, u harrua dhe asnjëherë nuk ofroi përgjigje se çfarë u bë me ato fonde shumëmilionëshe të mbledhura nga vetë populli i Shqipërisë dhe përse nuk nisi ndërtimi i kësaj rruge. Ka gjasa që edhe për këtë veprim mosndërtimi të rrugës, Rexhep Qosja e do edhe më shumë të majtën shqiptare.

Në ceremoninë dhe për ceremoninë e varrimit të dr. Rugovës erdhën shumë burra të rëndësishëm botërorë. Mbajtën fjalime dhe shprehën emocione meritash për dr. Rugovën. U shkulën nga vendbanimet e tyre thuaja i gjithë populli shqiptar, edhe nga Kosova, edhe nga Shqipëria, edhe nga Maqedonia, edhe nga Lugina e Preshevës, edhe nga Mali i Zi, edhe nga diaspora evropiane e amerikane. Erdhën në ditën e varrimit të dr. Rugovës shqiptarë edhe nga Australia e largët. Por, nuk mori pjesë e as u duk Rexhep Qosja! Nuk është e çuditshme pse nuk mori pjesë, sepse ai asnjëherë deri më sot nuk arriti të mposhtë së paku në ndonjë çast të vetëm urrejtjen, mllefin dhe inatet e shtresuara. Ai s’e ka këtë fuqi. Ai ka fuqi të vetme t’u nënshtrohet tundimeve të tilla makabre. Një soj i tillë është më tepër i ndërtuar mesjetarisht. Ai e urrente po aq shumë edhe akademik Aganin, të cilin e vranë barbarisht serbët, por nuk arriti asnjëherë të sajojë brenda vetes fuqinë burrërore që t’i mposhtë urrejtjet dhe inatet ndaj tij e të shkruajë qoftë edhe një fjali intelektuale për profesorin, për akademikun, për njeriun të cilin e vranë hordhitë serbe, siç kanë mundur ta vrisnin, po të donin, edhe Rexhep Qosjen, siç i kanë vrarë me mijëra shqiptarë të tjerë.

E njëjta frikë nga nami e fama kombëtare e ndërkombëtare, që kishte arritur e po arrinte dr. Rugova, duke zënë gjithnjë e më bindshëm vendin e „të parit të parë“ (kjo e tmerronte Qosjen), ngjau bukur vonë pas çlirimit të Kosovës. Në vend të hordhive serbo-çetnike, tash vepronin heronjtë e patriotizmit të shpërthekuar fare. Organizuan fushatë mediale, fushatë ndejash e akademish përkujtimore, që të përdhosnin sa më shumë që të jetë e mundur idenë e dr. Rugovës për Flamurin shtetëror të Kosovës, Flamurin e Dardanisë sonë Antike. Pavarësisht nga këto përpjekje të ndotura si gjithnjë, Flamuri i Dardanisë Antike, që përmbante gjithë elementet historike kombëtare që nga Dardania Antike e deri sot, po shtrihej në Kosovë me një respekt e dashuri të jashtëzakonshme. Ai qëndronte i shpalosur në të gjitha institucionet zyrtare të Kosovës, edhe përkundër ndonjë vërejtjeje të pazhurmshme diplomatike të UNMIK-ut. Kjo shtrirje e vullnetshme e këtij flamuri në qytete e në fshatra, në festa a në jofesta valëvitej përkrah Flamurit tonë Kombëtar. Urithëve patriotikë iu harxhua durimi dhe një vit para vdekjes së presidentit Rugova, në kremten e madhe kombëtare të 28 Nëntorit, kur Prishtina ishte mbushur me Flamurin Dardan dhe me atë kombëtar, bandat e organizuara „patriotësh“ i shkulën nga vendet e tyre flamujt e Dardanisë Antike, i grumbulluan në sheshin afër Komunës së Prishtinës dhe ia futën zjarrin me britma e hare, me valle e klithje të çmendura. U bëhej se po digjnin, jo historinë, por trurin aq të urryer të dr. Rugovës. Profesori i letërsisë, poeti më plagjiator dhe mik i ngushtë i Qosjes, Agim Vinca, kishte udhëhequr në mediat e gatshme këtë fushatë maniake dhe piromane. Pas kësaj, pushuan, u qetësuan, edhe pse Flamuri i Dardanisë ishte prapë kudo, por tash ai nuk ishte i rëndësishëm për ta. Për ta, sipas pushimit të tyre, e rëndësishme ishte djegia, zjarri dhe ahengu i shkrumbimit të historisë sonë të përmbledhur në këtë flamur!

Nuk është e thënë që këta dhe Rexhep Qosja ta donin, ta çmonin a ta respektonin dr. Rugovën, qoftë si studiues i letërsisë, qoftë si kryetar i LDK-së masive, qoftë si kryetar i zgjedhur i Kosovës. Kanë mundur që këta të mos vuajnë nga kjo mungesë respekti ndaj tij, njësoj siç nuk ka vuajtur dr. Rugova për shkak të kësaj mungese respekti të këtyre ndaj tij. Megjithatë, është disi e pakuptueshme se si akademik Qosja ka gjithë këtë hapësirë brenda vetes të grumbullojë e të bartë me vete në secilin çast gjithë këtë urrejtje, gjithë këtë inat ndaj njeriut shqiptar që në një mënyrë ka krijuar famë, qoftë në krijimtari artistike, qoftë në politikë, qoftë në mjediset kombëtare, qoftë në ato ndërkombëtare. E di saktësisht se këta njerëz me famë, që janë bërë „të parët e parë“ nuk ia zënë rrugën këtij akademiku dhe as atyre që i sillen afër dhe nëpërmjet tij shfrynë vrerin e tyre për çdo gjë të mbarë në mjediset krijuese e politike shqiptare. I vërsulet Kadaresë pareshtur pse ai ka krijuar namin dhe famën përtej gjeografisë sonë kombëtare të kulturës, iu ka vërsulur për së gjalli dhe tash edhe për së vdekuri dr. Rugovës, shan me britma boshe Sali Berishën, Bamir Topin, Jozefina Topallin, ka sharë akademik Fehmi Aganin e vrarë nga çetnikët serbë në kohën kur ai, Rexhep Qosja, mjekërrruar, i veshur si grua, braktisi Kosovën. Shanë akademikët e Kosovës, shanë akademikët e Shqipërisë. Lavdëron Titon, Enverin dhe pasardhësit e tij Milon e Meidanin!

Dihet se të gjithë këta të sharë nga goja sharëse e Rexhep Qosjes nuk janë shqetësuar fare për veten e tyre. Nëse janë shqetësuar ndonjëherë, kjo ka ndodhur nga dhembja për sëmundjen gjithnjë e më të rënduar të këtij akademiku. Ndoshta nuk shqetësohen as për këtë, por ndihen mbase të lodhur nga këto zhurma dhe çjerrje gjithnjë e më klinike. Ndoshta… Përveç Kadaresë që kishte provuar disa herë ta respektonte Qosjen me ndonjë përgjigje, të tjerët as e kanë vënë në vrimë të veshit atë që thotë, që shan, e që rrëzon Qosja. Natyrisht, kjo heshtje e tërbon më shumë këtë akademik dhe nga zhurma e vet i bëhet se i dëgjon edhe përgjigjet penduese a miratuese të këtyre të sharëve. Prandaj, nuk ndalet. 

Nuk ndalet, apo nuk mund të ndalet? Tash e sa kohë nuk varet nga ai. Janë trazimet e tij të brendshme që e urdhërojnë, që e përmbysin në të gjitha aspektet. Kur i harxhohen armët moderne të filozofisë dhe të filozofimeve, ai përdorë armët primitive të sulmeve. Nuk kanë ndonjë rëndësi për të ngadhënjimet njerëzore e intelektuale në këto sulme. Kanë rëndësi vetëm sulmet, vetëm zhbërjet, vetëm mohimet. Këto i ka të organizuara dhe shumëherë instinktive. Përngjet shumë në imam xhamie, kur xhematit i thotë të bëjë çfarë thotë ai dhe jo çfarë bën ai. Paraqitet si një prokuror i vetëcaktuar larg të gjitha kodeve morale dhe intelektuale. Po të ishte me një kod moral a intelektual, ai nuk do të shembte gjithë historitë e vështira të krijuesve, të politikanëve, të atdhetarëve, që i shërbyen vendit dhe jo ideologjive, qoftë staliniste, qoftë të socializmit vetëqeverisës titist. Natyrisht, brenda këtyre historive ka dhe gabime dhe gabimtarë, që duhet të vihen re, që duhet të theksohen, por që duhet të analizohen me përkushtim të sinqertë në sajë të rrethanave kur ato u zhvilluan. Akademik Qosja nuk pendohet pse ka shkruar ode për Titon. Madje, ai është i sigurt se edhe sot do ta nënshkruante një deklaratë të tillë. Le të mos pendohet, le ta nënshkruaj edhe sot një deklaratë të tillë. Askush nuk ia zë për të madhe. Ndoshta e falënderojnë për sinqeritetin e tij të përkatësisë, për guximin e tij të gatshëm që të përsërisë nënshkrimin e odeve e të rapsodive të tilla për Titon e tij.

Dhe ai nuk ndalet, apo nuk mund të ndalet?! Në të gjitha mjediset ku ai nuk qëllon të jetë, i godet pamëshirshëm. Të gjitha, pa përjashtim. Në mjediset ku ai qëllon të jetë, u thurë lavde të pjesshme, duke rezervuar të drejtën e tij karkalecëse të sulmojë prapë pjesë shoqërore të këtyre mjediseve të tij. I duket vetja i shushatur, i padukshëm, i vogël fare, nëse nuk do të sulmonte, nëse nuk do të gjente shkas (edhe alogjik) që të sulmonte. Pas kësaj, ai vetëndjehet i madh pavarësisht nga përshtypja e vogël dhe e mërzitshme tashmë që lë te të tjerët.

Prapë m’u kujtua tregimi i tij pështirosës satirik „I ringjalluri i penduar“. Ironizon gjithë ata që vajtën në Shqipëri dhe prej atje sollën përmendoren e madhe të Skënderbeut në Prishtinë. Ironizohet ideja e tillë edhe e Astrit Lekës nga Shqipëria, si organizator, dhe e akademik Mark Krasniqit. Ironizohet edhe Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në mërgim, i cili nga Fondi i Trepërqindshit popullor, financoi këtë projekt të rëndësishëm kombëtar. Ideja dhe organizimi nuk ishin të Rexhep Qosjes, prandaj si kompensim ai, natyrisht, në këtë tregim satirik e pështirosës i bëri për pesë para. Por nuk ishin vetëm këta që po goditeshin nga Rexhep Qosja, që mungonte dhe vazhdimisht mungon në këto ide dhe projekte të rëndësishme. Është dhe populli shqiptar i Kosovës. Kosova dhe populli i saj vijnë në këtë tregim një herë si një fermë qensh, pastaj të ndarë në të majtë e në të djathtë, në të djeshmen dhe në të sotmen në harenë e ardhjes së Skënderbeut. Ja seç shkruan, midis tjerash ethja e brendshme e Rexhep Qosjes në këtë tregim për Kosovën fermë qensh dhe për pritësit e majtë e të djathtë, të djeshmit e të sotmit:

Kjo fermë e qenëve, në të vërtetë, është ferma jonë më e madhe dhe më e leverdishme. Aty sjellim, rrisim, shumojmë qenë të ndryshëm… Shiko vetë dhe krijo përshtypjet e tua për ta Lartëmadhëri (i thotë Skënderbeut – shënim imi)… Ferma ishte gati sa një qytezë qensh: aq shumë kishte stela, baraka, kuzhina, zyra, ushtrimore, ambulanca, pishina e kthina të tjera… Posa na shohin se ishim nisur në drejtimin e fermës, qentë fillojnë t’i tregojnë shprehitë dhe shkathtësitë e tyre, natyrisht secili në mënyrën e vet. Dalin prej oborreve! Prej stelave! Prej barakave! Prej ushtrimoreve! Prej ambulancave. Prej zyrave. Sidomos shumë dalin prej zyrave! Dalin prej veturave, furgonëve, frigoriferëve… Dalin prej bodrumeve! Prej çufrave, prej birave që kishin bërë vetë në dhe! Dalin nëpër dyer të hapura krah më krah e nëpër dyer vetëm të plasura! Dalin nëpër dritare, të cilat janë çel mirë, nëpër dritare të cilat vetëm sa janë larguar pakëz dhe nëpër dritare të cilave u janë thyer xhamat! Dalin duke u zvogëluar si minjtë apo duke u zgjatur si gjarpërinjtë!... Dalin dhe menjëherë fillojnë të vrapojnë, ose të lehin, ose madje, të lehin dhe të vrapojnë njëkohësisht… Skënderbeu kurrë nuk kishte parë aq shumë qen ashtu të shkathët, që aq lehtë e ndryshonin madhësinë dhe aq shpejt e ndryshonin gjatësinë. Qen të madhësive të ndryshme: të mëdhenj – sa dashi, sa cjapi, sa viçi njëvjeçar a sa mazi tremujor; qen mesatar – sa vjedulla, sa daci, sidomos, sa daci, madje, sa gjeri. Dhe qen të gjatë! Dhe, qen të shkurtër!...Qen të majmur mirë dhe qen të ligur! Qen që u vizëllojnë qimet si të ishin lyer me pomadat më të reja, që sillen prej qyteteve evropiane, të njohura për prodhimin e pomadave që zbukurojnë fytyrat e grave të shtresës së lartë, që qiten, madje, edhe në fytyrat e vajzave të bukura që nuk kanë nevojë për to. Dhe qen të ligur, që mezi hiqen zvarrë, si qen të rrahur. Nuk mund të dihej a ishte më i madh numri i qenve të majmur a numri i qenve të ligur! Dhe, nuk mund të dihej pse në fermë të kishte qen të ligur!... Qen të të dy gjinive: të gjinisë mashkullore dhe të gjinisë femërore. Në qoftë se pamja e jashtme është e mjaftueshme për të caktuar gjininë e qenit, atëherë do të mund të thuhej me siguri të plotë, se numri i qenve meshkuj ishte shumë më i madh se numri i kudrave, i bushtrave, i kuçkave, i qeneve! Asgjë e çuditshme: gjithmonë e gjithkund mes qenve duhet të ketë edhe qene! Nuk shumëzohen as nuk frymëzohen pa to… Kurrë nuk kam parë qenëri kaq të madhe, - thotë Skënderbeu…“ („I ringjalluri i penduar“, Toena, 2002, faqe 60-73)

Ç’trysni klinike e frymëzuan dhe e frymëzojnë këtë akademik të derdhë gjithë këtë këlbazë urrejtjeje ndaj popullit të tij, ndaj vendit të tij, ndaj njerëzve të tij që, sipas tij, ishin „qen të majmë e qen të ligur“, ndaj vajzave, grave pomadash (term serb, shënim imi) europiane , që Qosja i quan kudra, bushtra, kuçka e qene, të cilat qenkan aty vetëm për të frymëzuar gjininë mashkullore?! Përgjigje ka të mjaftueshme, por sikur nuk ia vlen të shpjegosh një sëmundje të tillë të tij, e cila, për fat të mirë, nuk ngjau dhe nuk ngjet të jetë infektuese. Nëse do të ndodhte që dikush, ndonjë lexues, student, studiues a kureshtar, i kapërthyer nga çudia apo nga ndonjë inat i çastit dhe ta pyeste këtë akademik se prej nga ai, pra, e paska prejardhjen, pjellë e kujt qenka dhe ç’pjellje paska krijuar ai midis këtyre qenve, midis këtyre kudrave, bushtrave, kuçkave, qeneve, çfarë do të thoshte? Mos e dhëntë Zoti që t’i shtrohen pyetje të tilla, sepse do të duhej të ishim moralisht dhe logjikisht aq të shëndoshë sa të kuptojmë dhe respektojmë prejardhjen e tij njerëzore dhe krijimin e tij familjar po ashtu njerëzore, pavarësisht nga qëndrimi i tij i pamoralshëm dhe kundërnjerëzor.

Burimet e mllefit të pakontrolluar dhe të padisiplinuar te ky akademik mund të jenë të shumta. Së pari, nëse nisemi nga ligjërata e Frojdit për letërsinë dhe artin, aty ku flet për Dostojekvskin (faqe 15), këto motive mllefi mbase duhet kërkuar pikërisht në këtë ligjëratë: Më lehtë mund të sulmohet Dostojevski si etist, thotë Frojdi. Në qoftë se duam ta lartësojmë atë si njeri të moralshëm me argumentin se shkallën më të lartë të moralitetit e arrin vetëm ai që ka kaluar nëpër mëkatet më të ulëta, atëherë ne s’përfillim një dyshim. I moralshëm është njeriu që reagon ndaj tundimeve të brendshme pa rënë pre e tyre. Kush mëkaton periodikisht dhe pastaj gjatë pendimit ngre kërkesa të larta të moralshme, ai ballafaqohet me akuzën se ka gjetur qetësi në këtë mënyrë. Ai nuk kryen gjërat më thelbësore, që ka moraliteti: heqjen dorë nga e pamoralshmja, pasi mënyra e moralshme e të jetuarit është interes praktik i njerëzimit (faqe 15-16). Kurse në faqen 9 të po kësaj ligjërate frojdiane, thuhet: Harlisja dhe fuqizimi i fantazive krijojnë kushte për degradim në neurozë ose psikozë. Fantazitë janë gjithashtu hapat e parë shpirtërorë të simptomave të vuajtjeve të ardhshme, për të cilat ankohen të sëmurët tanë. Këtu degëzohet një rrugë anësore e gjerë që çon te patologjia.

Ndoshta nuk mund të gjendet as në këtë ligjëratë asnjëri motiv nga ku burojnë kaq gurgullueshëm mllefi, inatet e deri te urrejtja e pakontrolluar, që do të thotë shumë instinktive te Qosja. Veprimin e tij, fjalën e tij, ligjëratën e tij, deklaratën e tij, shkrimin e tij, nuk e përcjellë memoria, nuk e përcjellë logjika e sistemuar. Nuk rrjedh mendimi, por atë e përplasë jashtë tij instinkti i të urryerit. Në këtë mënyrë ai sjellë fragmente të ndryshme të së njëjtës temë, të së njëjtës përmbajtje. Për shembull: kur e shan Sali Berishën për ndërhyrjen në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, lavdëron sistemin e Akademisë së Shkencave të Kosovës. Kur e bënë këtë zbrazje urrejtjeje për të parën, pastaj kthehet të shajë atë që e lavdëroi pak më parë! Ose: Lavdëron dhembshëm Titon dhe nga ai krijon meteor, kurse më vonë, po e zëmë në tregimin satirik „I ringjalluri i penduar“(faqe 76-77) shan të djeshmen e popullit që i paska kënduar Titos! Qorton gjithë ata që paskan vepruar njësoj si ai kur i thuri ode Titos, apo ku e ka hallin? Për sa dihet (e dihet mirë) vetëm dy rapsodë popullor nga Drenica i kanë kënduar Titos në këngën „Marshall Tita n’kali t’bardhë“. E Qosja, çfarë thotë Qosja për Marshallin e tij Tito (kërkoj falje nga lexuesit që më duhet ta përsërisë edhe një herë): “Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë në triumf përfundimtar luftën nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë – ja një meritë e mjaftë për historinë. Tito i ka thënë “JO” Stalinit, në një kohë kur forca e Stalinit sikur nuk njihte kufij – ja një meritë e mjaftë historike për historinë. Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve e kombësive – ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito i ka prirë idesë së madhe që u reziston fuqive të mëdha – ja një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në historinë e përbotshme”.

E çfarë thotë Qosja në tregimin e tij satirik, kur e xhumëhazë popullin shqiptar të Kosovës, që kishte dalë, së bashku me parinë e tij, ta prisnin përmendoren e Skënderbeut, brenda së cilës turmë në një krah qenka e djeshmja titiste, në tjetrin krah qenka e sotmja, e cila bashkë me krahun tjetër, kishte harruar „trimat tanë“, pavarësisht se Prishtina nuk ishte gjë tjetër përveç fermë qensh dhe turma pritëse ishte mbushur me qen të djeshëm e të sotëm, me kudra, bushtra, kuçka e qene, të cilat me pomada shtetesh europiane ishin aty vetëm sa për të frymëzuar seksualisht gjininë mashkullore? Le ta dëgjojmë:

E Djeshmja:

Marshall Tita n’kali të bardhë,

Ka çu fjalë se do me ardhë,

Do me ardh për vizitë,

I madh e i vogël kem me pritë,

 

Dhe me pa si kem punue,

Dhe, përpara sa kem shkue;

Shoku Titë trim me fletë:

Bashkim vëllaznimi – amanet!

 

E sotmja:

Shndriti Qielli, u gëzua Dheu,

Na ka ardhur Skënderbeu;

Kush e pret, kush e uron,

Adem Jasharin kush e harron!

 

A harrohen trimat tanë

Që për liri jetën e dhanë?

Skënderbe trim legjendar

Ku e ke Adem Jashar?

 

Ai vetë lavdëron Titon dhe këto lavde, siç thotë vetë, do t’i nënshkruante edhe sot, ndërsa shanë duke trilluar titistë të djeshëm e harrestarët e sotëm! Ai lavdëron Enver Hoxhën dhe shanë enveristët! Ai lavdëron enverizmin dhe të majtën në Shqipëri dhe shanë Kadarenë si „mit i krijuar nga komunizmi“! Ai shanë kryetarin e Shqipërisë Bamir Topi dhe nuk pranon të takohet me të (përkundër lutjes që ia kishte bërë Sabri Godo), vetëm pse ai lavdëron Ismail Kadarenë!

Pastaj, vjen edhe më e rënda e disharmonisë logjike të këtij akademiku. Kur i duhet të shajë Kosovën, popullin e saj, parinë e saj, idetë e mbara të parisë së saj, kur i duhet që Kosovën ta quaj fermë qensh, kur i duhet të shajë me urrejtje të pakapërcyeshme vajzat, gratë dhe nënat tona në këtë fermë qensh, që nuk qenkan tjetër përveç kudra, bushtra, kuçka, qene, të cilat qitkan në fytyrën e tyre pomada qytetesh europiane (dhe jo orientale), e lavdëron Skënderbeun, i cili, i madh siç ishte, duhej të ikte nga vendosja e tij në këtë fermë qensh (në Prishtinë). Pastaj, që ta rrënojë Kadarenë për „Identitetin evropian të shqiptarëve“, zhbën heroizmin luftarak të Skënderbeut, luftërat e të cilit, bashkë me popullin shqiptar, u bënë të çlironin vendin nga një perandori orientale, nga një perandori e Lindjes gjithnjë me shpresë të mbështetjes së aleancës perëndimore, mbështetje kjo që përkiste me identitetin evropian të shqiptarëve edhe në atë kohë. Dijen edhe për këto e ka Rexhep Qosja, por instinktet e tij klinike nuk e lënë të marrë përmasën normale a nënnormale të shtrirjes. Edhe më tej: E fajëson librin e Kadaresë „Identiteti evropian e shqiptarëve“ për shkak të të cilit vendet islamike nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por me asnjë fjalë nuk e thotë se, meqenëse ky libër paska këtë faj, atëherë i ka të mirat e tjera se, në saj të këtij libri, shumica e vendeve perëndimore e paskan njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo është njëra anë, kurse ana tjetër, sikur mungon shpjegimi i tij se pse bartja nga ai e identitetit shqiptar në Lindje nuk paska ndikuar fare në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet islamike? Edhe pa këto shpjegime, ai gëzohet dhe shprehet plot entuziazëm se kryetari i tashëm i Kosovës i paska hequr nga zyrat e presidencës fotografitë e Papës dhe të Nëna Terezës, të cilat i kishte vendosur që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë e deri në vdekje dr. Ibrahim Rugova, të cilin e urren aq shumë akademiku ynë dhe i cili i paska vendosur këto fotografi që të servilohet para Perëndimit!

Nëse këto paraqitje të tij quhen a mund të quhen të shëndosha, njeriu më nuk e di se cilat paraqitje të tjera mund të jenë të sëmura.


(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Qyqavicë, në vendin e quajtur “Llaza” dhe në Beqiq (Besnik) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VIII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (III) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VII) Qazim Namani & Arzie Zeneli: Vlerat historike dhe arkitektonike të kullës së Sylejman-Fazli Tahirajt Naile Mala-Imami: Sa shqiptarë jetuan dhe sa janë tani në Beograd? Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (V) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (II) Sulejman Sulejmani: Rezistenca ndaj Brigadës së XII Maqedone... Hilmi Saraçi: Si u pushkatuan 21 shqiptarë nga forcat partizane komuniste... Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (I) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IV) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (III) Fehmi Sadiku: Të dhëna statiskore për trysnitë ndaj kosovarëve me anë të “tepricave” të shpikura! Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Studime të Poshtme (Martiraj) 1998-1999 Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (II) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (I) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në qytetin e Vushtrrisë (1998 - 1999)

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora