| E diele, 27.12.2009, 08:57 PM |
Frika e këtij akademiku
Duke u mbështetur gati në të gjitha të thënat e tij shigjetë a
bombë, duket se Rexhep Qosja, që nga vdekja e Titos së tij, mori brenda vetes
një frikë të jashtëzakonshme. Bashkë me ikjen e Titos nga kjo botë, iu bë sikur
ia mori me vete edhe privilegjet që i „takonin“. Në të vërtetë, që nga ikja e
Titos, kur e shkroi zinë më të madhe për të, ai kishte shpresuar se privilegjet
e deriatëhershme mund t’i ruante me këtë rapsodi të shkruar tek zyrtarët
titistë dhe zyrtarët shërbëtorë në Kosovë. Por kjo shpresë dhe ky mund i tij
servilizmi nuk zgjati shumë. Meqenëse nuk zgjati shumë, sepse po në këtë kohë
nisi të dalë edhe më egër në sipërfaqe gjeni i tërbuar për krime i Serbisë,
Qosja la me një anë letërsinë dhe historinë e saj dhe nisi të kërkojë fusha të
tjera të shfrimeve, jo ndaj Serbisë, e cila po e prishte sistemin e harmonishëm
të vëllazërim-bashkimit, të socializmit vetëqeverisës të Titos, të barazisë e
të nënbarazisë dhe po niste luftërat me të gjithë. Liderët e rinj shqiptarë pa vonuar
shumë ndërruan kahet e rezistencës së urtë ndaj përbindëshit serb dhe bashkë më
këto kahe nisën të ndërtojnë edhe institucionet e pavarura shqiptare në Kosovë,
që quheshin edhe paralele. Këta liderë po bëheshin gjithnjë më me famë,
gjithnjë më të nderuar, më të besueshëm brenda shqetësimeve të kombit. Këto
kahe, që nuk ishin më në dorë të komitetlinjve titistë të LKJ-së, ia prishnin
rehatinë e privilegjuar këtij akademiku të vetëquajtur i pari, më i pari, më i
dijshmi, më i privilegjuari. Se mos e kishin të vështirë shqiptarët e Kosovës,
nëse nuk do t’i ndërronin këto kahe, që të nënshtroheshin në emër të
„vëllazërim-bashkimit“, në emër të socializmit vetëqeverisës, të cilave Qosja u
këndonte ode? Por rezistenca dhe urtësia e saj u shfaq dhe u shndërrua në
doktrinë të rëndësishme politike e diplomatike, që pa vonesë të madhe, u njoh
dhe u pranua nga qendrat më të rëndësishme të Evropës dhe të ShBA-ve. Çdo
rezistencë e papjekur aktive aso kohe ishte vdekjeprurëse dhe shkatërruese për
gjithë popullin shqiptar në Kosovë. Në të vërtetë, të gjitha republikat e tjera
të atëhershme jugosllave punonin pareshtur që një rezistencë e tillë aktive të
niste pikërisht në Kosovë që të shpëtonin vetë nga Serbia. Pikërisht rezistenca
„pasive“, siç e quanin ata që kërkonin ta minimizonin aktivitetin e Lëvizjes
thuaja gjithëpopullore, që kishte emrin LDK, të cilën Qosja e quante dhe e quan
„vazhdim i LKJ-së“, bëri që luftërat dhe luftimet të nisnin e të mbaronin në
Kroaci (Serbia ishte përgatitur për luftë edhe në Slloveni, por nuk ia doli)
dhe në Bosnjë. Institucionet e larta të Kosovës që në fillim të viteve
nëntëdhjetë, kur po zhvilloheshin luftimet serbe në Kroaci e në Bosnje, së
bashku me Ministrinë e Mbrojtjes, kishin organizuar ushtrinë, si forca të
armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), e cila, krahas forcimit të saj dhe
krahas përkrahjes së paparë e të vullnetshme financiare të shqiptarëve në
mërgim në Evropë e Amerikë për këto përgatitje, përgjonte momentin e duhur për
një rezistencë të armatosur. Momenti i duhur ishte ai që erdhi më vonë, kur po
sfilitej Serbia nga humbjet e mëdha në arenat e luftës në Kroaci e në Bosnjë.
Megjithatë, ndodhi ajo që ka ndodhur gjithnjë ndër shqiptarët. Në vend se të
bashkoheshin fuqitë e armatosura shqiptare në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e
Kosovës, që lindi jashtë institucioneve të organizuara të Kosovës, nuk e pranoi
FARK-un. Në këtë copëtim rezistence pati edhe tellallë të zëshëm. Në këtë kor
ishte edhe Rexhep Qosja, edhe Adem Demaçi, edhe zarzavate të tjera.
Kur po krijoheshin në Kosovë institucionet e larta dhe të
pavarura të vendit, vetë dr. Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së dhe, rrjedhimisht
edhe kryetar i më shumë së 90 për qind të shqiptarëve në Kosovë, që ishin
mbledhur në LDK, nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij (Ramush Tahiri, udhëheqës në
Ministrinë e Mbrojtjes dhe Avni Spahiu, zyrtar i lartë në LDK, tash ambasador
në SHBA) i ofroi z. Qosja postin e kryeministrit të Kosovës. Ishte kohë e
rrezikshme dhe që interesi i vendit kërkonte sakrifica të mëdha. Nuk e pranoi
postin e ofruar. Nuk dha ndonjë shpjegim dhe arsye të refuzimit, por mënyra e
heshtjes së tij para këtyre detyrave të vështira e të rrezikshme shpjegonte
mosgatishmërinë e tij të angazhimit, mosgatishmëri kjo që nuk rrinte në asnjë
mënyrë në harmoni me derset e tij të vazhdueshme patriotike e kritike ndaj
veprimeve të shumta politike të kreut të LDK-së e veçmas ndaj më të urryerit të
tij (nuk dihet shkaku) dr. Ibrahim Rugova. Mund të supozohet se Qosja kishte
një antipati, thuaja të sëmurë ndaj tij, vetëm pse ishte bërë „i pari i parë“,
siç thotë vetë Qosja në tregimin e tij pështirosës „I ringjalluri i penduar“,
në të cilin Kosovën e bëri hiq më pak dhe hiq më shumë se fermë qensh.
Kur në vitin 1992 në Kosovë, edhe pse para tytave të tankeve
dhe automatikëve serbë, ishin organizuar zgjedhjet e pavarura shqiptare, Rexhep
Qosja, dhe disa si ai, por që fjalët i kishin prush nga patriotizmi zhurmues,
nuk dolën në zgjedhje. Nuk ishte e keqja kjo, sepse ishte e drejtë e tyre të
votonin a të mos votonin para tytave serbe. E keqja ishte se nuk lanë gjë të
zezë pa thënë për këto zgjedhje, nga të cilat krijoheshin institucionet zyrtare
sipas Kushtetutës shqiptare të Kaçanikut dhe, sipas tyre, krijohej mundësia e
zbatimit më të rregullt të protokollit në raport me bisedimet me bashkësinë e
rëndësishme ndërkombëtare. Këta patriotë të flaktë të fjalës, të dersit, që
priheshin nga Rexhep Qosja, nuk mund të prisnin rregull. Ata donin që këta të
flisnin dhe të tjerët të sakrifikonin pa kohë dhe pa asnjë takt të mundshëm.
Zjarri patriotik i derseve të tyre ishte i papërmbajtshëm dhe, meqenëse zhurma
e tyre nuk arrinte shumë larg, atëherë nisën të shajnë, nisën të ligjërojnë
djallëzisht dhe me pezëm të sëmurë, por jo ndaj bishës së egër serbe, por ndaj
shqiptarëve. T’i bashkëngjiteshin rregullit të rezistencës këta sikur ndiheshin
të pa tapë nga prapa. Meqenëse ishin të tillë, atëherë nxorën armët e fjalëve
dhe nuk lanë njeri a formë shqiptare pa e sulmuar, pa e komprometuar. Mendonin
se kështu nuk do të lejonin të tjerët të shquheshin më shumë se ata, që rrinin
të ngujuar dhe iknin nga secili rrezik i vogël a i madh.
Se si m’u kujtua një e vërtetë, e cila pastaj doli dhe u
trajtua si barsoletë, së pari nga pronari i gazetës së përditshme (Koha
ditore), Veton Surroi, i cili pas luftës në Kosovë popullin shqiptar e quajti
fashist. Pastaj u shërbyen me këtë barsoletë trumbetuesit frikacakë të
atdhetarizmit bashibozuk. Në një nga mbledhjet e rregullta të LDK-së për çdo të
premte (diku mbase në mesin e viteve nëntëdhjetë), një nga temat që u trajtua
aty ishte edhe domosdoshmëria e ndërtimit të rrugës Durrës-Prishtinë, të cilën
e shtroi dr. Rugova. Ndërtimi i kësaj rruge më tepër ishte aso kohe si një
vizion ose si sublimim i dëshirës dhe i përpjekjeve shqiptare brez pas brezi
për afrimin sa më të madh të Kosovës me Shqipërinë. Menjëherë pas kësaj
mbledhjeje kjo gazetë shkroi se të premten e ardhshme Ibrahim Rugova sigurisht
do të flasë se si shqiptarët e Kosovës do ta pushtojnë hënën! Të rrallë ishin
ata që mund t’i besonin këtij vizioni për rrugën në një kohë aq kërcënuese për
gjithë popullin shqiptar të Kosovës nga egërsia serbe. Megjithatë, ky vizion u
realizua dhe rruga po ndërtohet dhe ajo është në përfundim. Për ata që i
njihnin rrethanat e atëhershme politike, jo vetëm brenda frikës nga pushtuesi
serb, por dhe më gjerë në relacionet bashkëbiseduese me qendrat e rëndësishme
botërore, nuk e kishin të vështirë ta kuptonin se rrjedhat ishin reale dhe se
Serbia do të gjunjëzohet. Por klasa përbuzëse, e mbushur me mllefe mosdurimi,
që kishte frikën deri në palcë nga madhështia e tërbuar ushtarake, policore e
paramilitare serbe, as që mund ta merrnin me mend se mund të ndryshonte një
situatë e tillë dhe, aq më pak, se lideri i LDK-së dhe kryetari i Kosovës, dr.
Rugova, mund të kishte vizione të tilla kaq të qëlluara, siç del të jetë tash
rruga Durrës-Prishtinë. Tash heshtin. Edhe Rexhep Qosja nuk flet më për këtë
„barsoletë“ të atëhershme, por ka gjetur vjegëzën tjetër të sulmit po ashtu
fare të egër ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, se pse po e
realizon projektin e madh të kësaj rruge. Nuk mendoj se nuk i beson rëndësisë
kombëtare që ka dhe do të ketë kjo rrugë drejt integrimit kombëtar të Kosovës
me Shqipërinë, por e besoj se e urren, përveç të tjerave, Sali Berishën se pse
po e realizon vizionin e Rugovës, të këtij njeriu që aq shumë e urren edhe tash
për së vdekuri. Edhe e majta shqiptare në Shqipëri kishte mbledhur fonde dhe
taksa shumëmilionëshe për ndërtimin e kësaj rruge, por u la anash, u harrua dhe
asnjëherë nuk ofroi përgjigje se çfarë u bë me ato fonde shumëmilionëshe të
mbledhura nga vetë populli i Shqipërisë dhe përse nuk nisi ndërtimi i kësaj
rruge. Ka gjasa që edhe për këtë veprim mosndërtimi të rrugës, Rexhep Qosja e
do edhe më shumë të majtën shqiptare.
Në ceremoninë dhe për ceremoninë e varrimit të dr. Rugovës
erdhën shumë burra të rëndësishëm botërorë. Mbajtën fjalime dhe shprehën
emocione meritash për dr. Rugovën. U shkulën nga vendbanimet e tyre thuaja i
gjithë populli shqiptar, edhe nga Kosova, edhe nga Shqipëria, edhe nga
Maqedonia, edhe nga Lugina e Preshevës, edhe nga Mali i Zi, edhe nga diaspora
evropiane e amerikane. Erdhën në ditën e varrimit të dr. Rugovës shqiptarë edhe
nga Australia e largët. Por, nuk mori pjesë e as u duk Rexhep Qosja! Nuk është
e çuditshme pse nuk mori pjesë, sepse ai asnjëherë deri më sot nuk arriti të
mposhtë së paku në ndonjë çast të vetëm urrejtjen, mllefin dhe inatet e
shtresuara. Ai s’e ka këtë fuqi. Ai ka fuqi të vetme t’u nënshtrohet tundimeve
të tilla makabre. Një soj i tillë është më tepër i ndërtuar mesjetarisht. Ai e
urrente po aq shumë edhe akademik Aganin, të cilin e vranë barbarisht serbët,
por nuk arriti asnjëherë të sajojë brenda vetes fuqinë burrërore që t’i mposhtë
urrejtjet dhe inatet ndaj tij e të shkruajë qoftë edhe një fjali intelektuale
për profesorin, për akademikun, për njeriun të cilin e vranë hordhitë serbe,
siç kanë mundur ta vrisnin, po të donin, edhe Rexhep Qosjen, siç i kanë vrarë
me mijëra shqiptarë të tjerë.
E njëjta frikë nga nami e fama kombëtare e ndërkombëtare, që
kishte arritur e po arrinte dr. Rugova, duke zënë gjithnjë e më bindshëm vendin
e „të parit të parë“ (kjo e tmerronte Qosjen), ngjau bukur vonë pas çlirimit të
Kosovës. Në vend të hordhive serbo-çetnike, tash vepronin heronjtë e
patriotizmit të shpërthekuar fare. Organizuan fushatë mediale, fushatë ndejash
e akademish përkujtimore, që të përdhosnin sa më shumë që të jetë e mundur
idenë e dr. Rugovës për Flamurin shtetëror të Kosovës, Flamurin e Dardanisë
sonë Antike. Pavarësisht nga këto përpjekje të ndotura si gjithnjë, Flamuri i
Dardanisë Antike, që përmbante gjithë elementet historike kombëtare që nga
Dardania Antike e deri sot, po shtrihej në Kosovë me një respekt e dashuri të
jashtëzakonshme. Ai qëndronte i shpalosur në të gjitha institucionet zyrtare të
Kosovës, edhe përkundër ndonjë vërejtjeje të pazhurmshme diplomatike të
UNMIK-ut. Kjo shtrirje e vullnetshme e këtij flamuri në qytete e në fshatra, në
festa a në jofesta valëvitej përkrah Flamurit tonë Kombëtar. Urithëve
patriotikë iu harxhua durimi dhe një vit para vdekjes së presidentit Rugova, në
kremten e madhe kombëtare të 28 Nëntorit, kur Prishtina ishte mbushur me
Flamurin Dardan dhe me atë kombëtar, bandat e organizuara „patriotësh“ i
shkulën nga vendet e tyre flamujt e Dardanisë Antike, i grumbulluan në sheshin
afër Komunës së Prishtinës dhe ia futën zjarrin me britma e hare, me valle e
klithje të çmendura. U bëhej se po digjnin, jo historinë, por trurin aq të
urryer të dr. Rugovës. Profesori i letërsisë, poeti më plagjiator dhe mik i
ngushtë i Qosjes, Agim Vinca, kishte udhëhequr në mediat e gatshme këtë fushatë
maniake dhe piromane. Pas kësaj, pushuan, u qetësuan, edhe pse Flamuri i
Dardanisë ishte prapë kudo, por tash ai nuk ishte i rëndësishëm për ta. Për ta,
sipas pushimit të tyre, e rëndësishme ishte djegia, zjarri dhe ahengu i
shkrumbimit të historisë sonë të përmbledhur në këtë flamur!
Nuk është e thënë që këta dhe Rexhep Qosja ta donin, ta çmonin
a ta respektonin dr. Rugovën, qoftë si studiues i letërsisë, qoftë si kryetar i
LDK-së masive, qoftë si kryetar i zgjedhur i Kosovës. Kanë mundur që këta të
mos vuajnë nga kjo mungesë respekti ndaj tij, njësoj siç nuk ka vuajtur dr.
Rugova për shkak të kësaj mungese respekti të këtyre ndaj tij. Megjithatë,
është disi e pakuptueshme se si akademik Qosja ka gjithë këtë hapësirë brenda
vetes të grumbullojë e të bartë me vete në secilin çast gjithë këtë urrejtje,
gjithë këtë inat ndaj njeriut shqiptar që në një mënyrë ka krijuar famë, qoftë
në krijimtari artistike, qoftë në politikë, qoftë në mjediset kombëtare, qoftë
në ato ndërkombëtare. E di saktësisht se këta njerëz me famë, që janë bërë „të
parët e parë“ nuk ia zënë rrugën këtij akademiku dhe as atyre që i sillen afër
dhe nëpërmjet tij shfrynë vrerin e tyre për çdo gjë të mbarë në mjediset
krijuese e politike shqiptare. I vërsulet Kadaresë pareshtur pse ai ka krijuar
namin dhe famën përtej gjeografisë sonë kombëtare të kulturës, iu ka vërsulur
për së gjalli dhe tash edhe për së vdekuri dr. Rugovës, shan me britma boshe
Sali Berishën, Bamir Topin, Jozefina Topallin, ka sharë akademik Fehmi Aganin e
vrarë nga çetnikët serbë në kohën kur ai, Rexhep Qosja, mjekërrruar, i veshur
si grua, braktisi Kosovën. Shanë akademikët e Kosovës, shanë akademikët e
Shqipërisë. Lavdëron Titon, Enverin dhe pasardhësit e tij Milon e Meidanin!
Dihet se të gjithë këta të sharë nga goja sharëse e Rexhep
Qosjes nuk janë shqetësuar fare për veten e tyre. Nëse janë shqetësuar
ndonjëherë, kjo ka ndodhur nga dhembja për sëmundjen gjithnjë e më të rënduar
të këtij akademiku. Ndoshta nuk shqetësohen as për këtë, por ndihen mbase të
lodhur nga këto zhurma dhe çjerrje gjithnjë e më klinike. Ndoshta… Përveç
Kadaresë që kishte provuar disa herë ta respektonte Qosjen me ndonjë përgjigje,
të tjerët as e kanë vënë në vrimë të veshit atë që thotë, që shan, e që rrëzon
Qosja. Natyrisht, kjo heshtje e tërbon më shumë këtë akademik dhe nga zhurma e
vet i bëhet se i dëgjon edhe përgjigjet penduese a miratuese të këtyre të
sharëve. Prandaj, nuk ndalet.
Nuk ndalet, apo nuk mund të ndalet? Tash e sa kohë nuk varet
nga ai. Janë trazimet e tij të brendshme që e urdhërojnë, që e përmbysin në të
gjitha aspektet. Kur i harxhohen armët moderne të filozofisë dhe të
filozofimeve, ai përdorë armët primitive të sulmeve. Nuk kanë ndonjë rëndësi
për të ngadhënjimet njerëzore e intelektuale në këto sulme. Kanë rëndësi vetëm
sulmet, vetëm zhbërjet, vetëm mohimet. Këto i ka të organizuara dhe shumëherë
instinktive. Përngjet shumë në imam xhamie, kur xhematit i thotë të bëjë çfarë
thotë ai dhe jo çfarë bën ai. Paraqitet si një prokuror i vetëcaktuar larg të
gjitha kodeve morale dhe intelektuale. Po të ishte me një kod moral a
intelektual, ai nuk do të shembte gjithë historitë e vështira të krijuesve, të
politikanëve, të atdhetarëve, që i shërbyen vendit dhe jo ideologjive, qoftë
staliniste, qoftë të socializmit vetëqeverisës titist. Natyrisht, brenda këtyre
historive ka dhe gabime dhe gabimtarë, që duhet të vihen re, që duhet të
theksohen, por që duhet të analizohen me përkushtim të sinqertë në sajë të
rrethanave kur ato u zhvilluan. Akademik Qosja nuk pendohet pse ka shkruar ode
për Titon. Madje, ai është i sigurt se edhe sot do ta nënshkruante një
deklaratë të tillë. Le të mos pendohet, le ta nënshkruaj edhe sot një deklaratë
të tillë. Askush nuk ia zë për të madhe. Ndoshta e falënderojnë për
sinqeritetin e tij të përkatësisë, për guximin e tij të gatshëm që të përsërisë
nënshkrimin e odeve e të rapsodive të tilla për Titon e tij.
Dhe ai nuk ndalet, apo nuk mund të ndalet?! Në të gjitha
mjediset ku ai nuk qëllon të jetë, i godet pamëshirshëm. Të gjitha, pa
përjashtim. Në mjediset ku ai qëllon të jetë, u thurë lavde të pjesshme, duke
rezervuar të drejtën e tij karkalecëse të sulmojë prapë pjesë shoqërore të
këtyre mjediseve të tij. I duket vetja i shushatur, i padukshëm, i vogël fare,
nëse nuk do të sulmonte, nëse nuk do të gjente shkas (edhe alogjik) që të
sulmonte. Pas kësaj, ai vetëndjehet i madh pavarësisht nga përshtypja e vogël
dhe e mërzitshme tashmë që lë te të tjerët.
Prapë m’u kujtua tregimi i tij pështirosës satirik „I
ringjalluri i penduar“. Ironizon gjithë ata që vajtën në Shqipëri dhe prej atje
sollën përmendoren e madhe të Skënderbeut në Prishtinë. Ironizohet ideja e
tillë edhe e Astrit Lekës nga Shqipëria, si organizator, dhe e akademik Mark
Krasniqit. Ironizohet edhe Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në mërgim,
i cili nga Fondi i Trepërqindshit popullor, financoi këtë projekt të
rëndësishëm kombëtar. Ideja dhe organizimi nuk ishin të Rexhep Qosjes, prandaj
si kompensim ai, natyrisht, në këtë tregim satirik e pështirosës i bëri për
pesë para. Por nuk ishin vetëm këta që po goditeshin nga Rexhep Qosja, që
mungonte dhe vazhdimisht mungon në këto ide dhe projekte të rëndësishme. Është
dhe populli shqiptar i Kosovës. Kosova dhe populli i saj vijnë në këtë tregim
një herë si një fermë qensh, pastaj të ndarë në të majtë e në të djathtë, në të
djeshmen dhe në të sotmen në harenë e ardhjes së Skënderbeut. Ja seç shkruan,
midis tjerash ethja e brendshme e Rexhep Qosjes në këtë tregim për Kosovën
fermë qensh dhe për pritësit e majtë e të djathtë, të djeshmit e të sotmit:
„Kjo fermë e qenëve, në të vërtetë, është ferma jonë më e
madhe dhe më e leverdishme. Aty sjellim, rrisim, shumojmë qenë të ndryshëm…
Shiko vetë dhe krijo përshtypjet e tua për ta Lartëmadhëri (i thotë
Skënderbeut – shënim imi)… Ferma ishte gati sa një qytezë qensh: aq shumë
kishte stela, baraka, kuzhina, zyra, ushtrimore, ambulanca, pishina e kthina të
tjera… Posa na shohin se ishim nisur në drejtimin e fermës, qentë fillojnë t’i
tregojnë shprehitë dhe shkathtësitë e tyre, natyrisht secili në mënyrën e vet.
Dalin prej oborreve! Prej stelave! Prej barakave! Prej ushtrimoreve! Prej
ambulancave. Prej zyrave. Sidomos shumë dalin prej zyrave! Dalin prej veturave,
furgonëve, frigoriferëve… Dalin prej bodrumeve! Prej çufrave, prej birave që
kishin bërë vetë në dhe! Dalin nëpër dyer të hapura krah më krah e nëpër dyer
vetëm të plasura! Dalin nëpër dritare, të cilat janë çel mirë, nëpër dritare të
cilat vetëm sa janë larguar pakëz dhe nëpër dritare të cilave u janë thyer
xhamat! Dalin duke u zvogëluar si minjtë apo duke u zgjatur si gjarpërinjtë!...
Dalin dhe menjëherë fillojnë të vrapojnë, ose të lehin, ose madje, të lehin dhe
të vrapojnë njëkohësisht… Skënderbeu kurrë nuk kishte parë aq shumë qen ashtu
të shkathët, që aq lehtë e ndryshonin madhësinë dhe aq shpejt e ndryshonin
gjatësinë. Qen të madhësive të ndryshme: të mëdhenj – sa dashi, sa cjapi, sa
viçi njëvjeçar a sa mazi tremujor; qen mesatar – sa vjedulla, sa daci, sidomos,
sa daci, madje, sa gjeri. Dhe qen të gjatë! Dhe, qen të shkurtër!...Qen të
majmur mirë dhe qen të ligur! Qen që u vizëllojnë qimet si të ishin lyer me
pomadat më të reja, që sillen prej qyteteve evropiane, të njohura për prodhimin
e pomadave që zbukurojnë fytyrat e grave të shtresës së lartë, që qiten, madje,
edhe në fytyrat e vajzave të bukura që nuk kanë nevojë për to. Dhe qen të
ligur, që mezi hiqen zvarrë, si qen të rrahur. Nuk mund të dihej a ishte më i
madh numri i qenve të majmur a numri i qenve të ligur! Dhe, nuk mund të dihej
pse në fermë të kishte qen të ligur!... Qen të të dy gjinive: të gjinisë
mashkullore dhe të gjinisë femërore. Në qoftë se pamja e jashtme është e
mjaftueshme për të caktuar gjininë e qenit, atëherë do të mund të thuhej me
siguri të plotë, se numri i qenve meshkuj ishte shumë më i madh se numri i
kudrave, i bushtrave, i kuçkave, i qeneve! Asgjë e çuditshme: gjithmonë e
gjithkund mes qenve duhet të ketë edhe qene! Nuk shumëzohen as nuk frymëzohen
pa to… Kurrë nuk kam parë qenëri kaq të madhe, - thotë Skënderbeu…“ („I
ringjalluri i penduar“, Toena, 2002, faqe 60-73)
Ç’trysni klinike e frymëzuan dhe e frymëzojnë këtë akademik të
derdhë gjithë këtë këlbazë urrejtjeje ndaj popullit të tij, ndaj vendit të tij,
ndaj njerëzve të tij që, sipas tij, ishin „qen të majmë e qen të ligur“, ndaj
vajzave, grave pomadash (term serb, shënim imi) europiane , që Qosja i quan
kudra, bushtra, kuçka e qene, të cilat qenkan aty vetëm për të frymëzuar
gjininë mashkullore?! Përgjigje ka të mjaftueshme, por sikur nuk ia vlen të
shpjegosh një sëmundje të tillë të tij, e cila, për fat të mirë, nuk ngjau dhe
nuk ngjet të jetë infektuese. Nëse do të ndodhte që dikush, ndonjë lexues,
student, studiues a kureshtar, i kapërthyer nga çudia apo nga ndonjë inat i
çastit dhe ta pyeste këtë akademik se prej nga ai, pra, e paska prejardhjen,
pjellë e kujt qenka dhe ç’pjellje paska krijuar ai midis këtyre qenve, midis
këtyre kudrave, bushtrave, kuçkave, qeneve, çfarë do të thoshte? Mos e dhëntë
Zoti që t’i shtrohen pyetje të tilla, sepse do të duhej të ishim moralisht dhe
logjikisht aq të shëndoshë sa të kuptojmë dhe respektojmë prejardhjen e tij
njerëzore dhe krijimin e tij familjar po ashtu njerëzore, pavarësisht nga
qëndrimi i tij i pamoralshëm dhe kundërnjerëzor.
Burimet e mllefit të pakontrolluar dhe të padisiplinuar te ky
akademik mund të jenë të shumta. Së pari, nëse nisemi nga ligjërata e Frojdit
për letërsinë dhe artin, aty ku flet për Dostojekvskin (faqe 15), këto motive
mllefi mbase duhet kërkuar pikërisht në këtë ligjëratë: Më lehtë mund të
sulmohet Dostojevski si etist, thotë Frojdi. Në qoftë se duam ta
lartësojmë atë si njeri të moralshëm me argumentin se shkallën më të lartë të
moralitetit e arrin vetëm ai që ka kaluar nëpër mëkatet më të ulëta, atëherë ne
s’përfillim një dyshim. I moralshëm është njeriu që reagon ndaj tundimeve të
brendshme pa rënë pre e tyre. Kush mëkaton periodikisht dhe pastaj gjatë
pendimit ngre kërkesa të larta të moralshme, ai ballafaqohet me akuzën se ka
gjetur qetësi në këtë mënyrë. Ai nuk kryen gjërat më thelbësore, që ka
moraliteti: heqjen dorë nga e pamoralshmja, pasi mënyra e moralshme e të
jetuarit është interes praktik i njerëzimit (faqe 15-16). Kurse në faqen 9
të po kësaj ligjërate frojdiane, thuhet: Harlisja dhe fuqizimi i fantazive krijojnë
kushte për degradim në neurozë ose psikozë. Fantazitë janë gjithashtu hapat e
parë shpirtërorë të simptomave të vuajtjeve të ardhshme, për të cilat ankohen
të sëmurët tanë. Këtu degëzohet një rrugë anësore e gjerë që çon te patologjia.
Ndoshta nuk mund të gjendet as në këtë ligjëratë asnjëri motiv
nga ku burojnë kaq gurgullueshëm mllefi, inatet e deri te urrejtja e
pakontrolluar, që do të thotë shumë instinktive te Qosja. Veprimin e tij,
fjalën e tij, ligjëratën e tij, deklaratën e tij, shkrimin e tij, nuk e
përcjellë memoria, nuk e përcjellë logjika e sistemuar. Nuk rrjedh mendimi, por
atë e përplasë jashtë tij instinkti i të urryerit. Në këtë mënyrë ai sjellë
fragmente të ndryshme të së njëjtës temë, të së njëjtës përmbajtje. Për
shembull: kur e shan Sali Berishën për ndërhyrjen në Akademinë e Shkencave të
Shqipërisë, lavdëron sistemin e Akademisë së Shkencave të Kosovës. Kur e bënë
këtë zbrazje urrejtjeje për të parën, pastaj kthehet të shajë atë që e lavdëroi
pak më parë! Ose: Lavdëron dhembshëm Titon dhe nga ai krijon meteor, kurse më
vonë, po e zëmë në tregimin satirik „I ringjalluri i penduar“(faqe 76-77) shan
të djeshmen e popullit që i paska kënduar Titos! Qorton gjithë ata që paskan
vepruar njësoj si ai kur i thuri ode Titos, apo ku e ka hallin? Për sa dihet (e
dihet mirë) vetëm dy rapsodë popullor nga Drenica i kanë kënduar Titos në
këngën „Marshall Tita n’kali t’bardhë“. E Qosja, çfarë thotë Qosja për
Marshallin e tij Tito (kërkoj falje nga lexuesit që më duhet ta përsërisë edhe
një herë): “Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë në triumf përfundimtar
luftën nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë – ja një meritë e mjaftë
për historinë. Tito i ka thënë “JO” Stalinit, në një kohë kur forca e Stalinit
sikur nuk njihte kufij – ja një meritë e mjaftë historike për historinë. Tito
na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë,
vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve e kombësive – ja një meritë
tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito i ka prirë idesë së madhe që u
reziston fuqive të mëdha – ja një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare në
historinë e përbotshme”.
E çfarë thotë Qosja në tregimin e tij satirik, kur e xhumëhazë
popullin shqiptar të Kosovës, që kishte dalë, së bashku me parinë e tij, ta
prisnin përmendoren e Skënderbeut, brenda së cilës turmë në një krah qenka e
djeshmja titiste, në tjetrin krah qenka e sotmja, e cila bashkë me krahun
tjetër, kishte harruar „trimat tanë“, pavarësisht se Prishtina nuk ishte gjë
tjetër përveç fermë qensh dhe turma pritëse ishte mbushur me qen të djeshëm e
të sotëm, me kudra, bushtra, kuçka e qene, të cilat me pomada shtetesh
europiane ishin aty vetëm sa për të frymëzuar seksualisht gjininë mashkullore?
Le ta dëgjojmë:
E Djeshmja:
Marshall Tita n’kali të bardhë,
Ka çu fjalë se do me ardhë,
Do me ardh për vizitë,
I madh e i vogël kem me pritë,
Dhe me pa si kem punue,
Dhe, përpara sa kem shkue;
Shoku Titë trim me fletë:
Bashkim vëllaznimi – amanet!
E sotmja:
Shndriti Qielli, u gëzua Dheu,
Na ka ardhur Skënderbeu;
Kush e pret, kush e uron,
Adem Jasharin kush e harron!
A harrohen trimat tanë
Që për liri jetën e dhanë?
Skënderbe trim legjendar
Ku e ke Adem Jashar?
Ai vetë lavdëron Titon dhe këto lavde, siç thotë vetë, do t’i
nënshkruante edhe sot, ndërsa shanë duke trilluar titistë të djeshëm e
harrestarët e sotëm! Ai lavdëron Enver Hoxhën dhe shanë enveristët! Ai lavdëron
enverizmin dhe të majtën në Shqipëri dhe shanë Kadarenë si „mit i krijuar nga
komunizmi“! Ai shanë kryetarin e Shqipërisë Bamir Topi dhe nuk pranon të
takohet me të (përkundër lutjes që ia kishte bërë Sabri Godo), vetëm pse ai
lavdëron Ismail Kadarenë!
Pastaj, vjen edhe më e rënda e disharmonisë logjike të këtij
akademiku. Kur i duhet të shajë Kosovën, popullin e saj, parinë e saj, idetë e
mbara të parisë së saj, kur i duhet që Kosovën ta quaj fermë qensh, kur i duhet
të shajë me urrejtje të pakapërcyeshme vajzat, gratë dhe nënat tona në këtë
fermë qensh, që nuk qenkan tjetër përveç kudra, bushtra, kuçka, qene, të cilat
qitkan në fytyrën e tyre pomada qytetesh europiane (dhe jo orientale), e
lavdëron Skënderbeun, i cili, i madh siç ishte, duhej të ikte nga vendosja e
tij në këtë fermë qensh (në Prishtinë). Pastaj, që ta rrënojë Kadarenë për „Identitetin
evropian të shqiptarëve“, zhbën heroizmin luftarak të Skënderbeut, luftërat
e të cilit, bashkë me popullin shqiptar, u bënë të çlironin vendin nga një
perandori orientale, nga një perandori e Lindjes gjithnjë me shpresë të
mbështetjes së aleancës perëndimore, mbështetje kjo që përkiste me identitetin
evropian të shqiptarëve edhe në atë kohë. Dijen edhe për këto e ka Rexhep
Qosja, por instinktet e tij klinike nuk e lënë të marrë përmasën normale a
nënnormale të shtrirjes. Edhe më tej: E fajëson librin e Kadaresë „Identiteti
evropian e shqiptarëve“ për shkak të të cilit vendet islamike nuk e kanë
njohur pavarësinë e Kosovës. Por me asnjë fjalë nuk e thotë se, meqenëse ky
libër paska këtë faj, atëherë i ka të mirat e tjera se, në saj të këtij libri,
shumica e vendeve perëndimore e paskan njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo është
njëra anë, kurse ana tjetër, sikur mungon shpjegimi i tij se pse bartja nga ai
e identitetit shqiptar në Lindje nuk paska ndikuar fare në njohjen e pavarësisë
së Kosovës nga vendet islamike? Edhe pa këto shpjegime, ai gëzohet dhe shprehet
plot entuziazëm se kryetari i tashëm i Kosovës i paska hequr nga zyrat e
presidencës fotografitë e Papës dhe të Nëna Terezës, të cilat i kishte vendosur
që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë e deri në vdekje dr. Ibrahim Rugova, të cilin
e urren aq shumë akademiku ynë dhe i cili i paska vendosur këto fotografi që të
servilohet para Perëndimit!