E diele, 28.04.2024, 03:21 PM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VII)

E marte, 22.12.2009, 10:36 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Masa dhe përtej masa e Qosjes


Në intervistën e tij dhënë gazetës “Shqip” Qosja nxjerrë e nxinë Berishën si tiran në 99 mënyra! E çuditshme dhe çudi me 99 hipokrizi të papërshkrueshme të këtij deklaruesi. Nuk do të ndalemi te asnjëra nga këto hipokrizi të çmendura, sepse po të ndaleshim, do të duhej t’i shtronim një varg pyetjesh dhe çështjesh, po e zëmë: si u bëka që një tiran me kaq mënyra të ketë mundësi ta dojë Shqipërinë kaq shumë, sa ta zhvillojë gjithanshëm, ta dojë Shqipërinë dhe Kosovën kaq shumë sa t‘i lidhë e t’i bashkojë të dyja me rrugën historike Durrës-Morinë, që u ndërtua; ta dojë Shqipërinë aq shumë sa ta bëjë atë anëtare të barabartë në NATO; ta dojë aq shumë sa ta bëjë Shqipërinë anëtare të familjes së Bashkimit Evropian; ta dojë aq shumë Shqipërinë sa të bëjë që qytetarët e saj së shpejti të lëvizin lirshëm pa viza në secilin vend evropian…? Natyrisht, se ka dhe bëhen gabime udhëheqëse, siç ka dhe bëhen gabime edhe në qeveritë e vendeve të tjera…

Ka pasur raste kur edhe qeveritarët socialistë në pushtet nga disa mediokër janë quajtur jo vetëm tiranë, por dhe renegatë. Është folur kështu për Fatos Nanon, është folur kështu për Alfred Moisiun, është folur kështu për Pandeli Majkon… E kush i strehoi pra gjithë ata shqiptarë të Kosovës gjatë luftës së saj të fundit? E bënë këtë nga imponimi, apo për shkak të dashurisë vëllazërore dhe kombëtare? Edhe unë i kam quajtur renegatë, kur e dogjën dhe e shembën Shqipërinë në vitin 1997. Nuk i quaja kështu nga mllefi, nga urrejtja ndaj tyre, por pikërisht nga dashuria për Shqipërinë dhe nga trishtimi i rrëzimit të saj.

Qosja këto që i thotë, nuk i vijnë nga dashuria për Shqipërinë dhe për Kosovën. Njësoj si ky pandërprerë flasin e shkruajnë edhe propagandat e tjera fare të njohura kundërshqiptare. Por nuk do të shpjegojmë asgjë në këtë drejtim, sepse këto, jo vetëm dihen, por njihen si qëllime me urrejtje patologjike që ka edhe Qosja ndaj çdo hapi përpara të vendeve e të popullit shqiptar në përgjithësi. Më shumë do të ndalemi te frymëzimet e tjera, po aq të liga dhe po aq të rrezikshme të këtij akademiku. Le të shfletojmë pakëz atë që deklaron dhe ta shpjegojmë këtë cilësi të tij të llahtarshme: „Ju më pyesni nëse ka ngjashmëri midis kësaj mënyre të qeverisjes në Shqipërinë shtetërore me qeverisjen në Kosovë. Edhe në Kosovë, në qeverisje, ka padrejtësi, e shantazhe e të këqija të tjera të ndryshme, por asi brutaliteti, aso dhune (si në Shqipëri-vërejtja ime), nuk ka. Fyerjet e tilla familjare në Kosovë do të përfundonin me viktima. Kam dëgjuar njerëz të politikës në Kosovë duke thënë: "Çfarë njeriu është ai Balla që duron aso fyerjesh të familjes para syve të krejt Shqipërisë?! Në Evropë, me shekuj, për fyerjen më të vogël nderi është mbrojtur në dyluftim, kurse sot mbrohet me ligje, e në Shqipëri sot - në asnjë mënyrë"! (nënvizimet e mia).

Në këtë copëz interviste të akademikut Qosja dhënë Gazetës “Shqip” (23 shtator 2008), siç mund të shohin (dhe kanë parë) lexuesit, nga diçka shumë vetëhelmuese, ideja e tij zhvillohet si një riepidemi vrasjesh e hakmarrjesh të njohura ndër shqiptarë. Pas krahasimit që bën ndërmjet qeverisë „brutale“ të Berisha në Shqipëri dhe asaj të Thaçit në Kosovë, për fyerje të tilla, çfarë u bëkan nga Qeveria në Shqipëri, „Fyerjet e tilla familjare në Kosovë do të përfundonin me viktima“. O Zot! Sipas kësaj që thotë ky akademik, i cili në ASHAK nuk merr asnjë votë, kurse nga populli mori vetëm një votë partia e tij politike, populli shqiptar në Kosovë qenka ende në mesjetën e tij të përjetimit sa për shkak të „fyerjeve“ do të shkaktoheshin viktima, do të thotë vrasje, ose që duke sjell pohime të tilla makabre, kërkon të nxisë në Shqipëri hakmarrje dhe rifillim të „luftës së nderit familjar“! Me kësi ndërsimesh të pështira kërkon të gjejë terren pranues në Shqipëri, që „fyerjeve“ të tilla t’u përgjigjen me vrasje, me viktima! Qosja kërkon luftë brenda shqiptare, kërkon viktima në mënyrë që shqiptarët të vazhdojnë të duken ende primitivë karshi civilizimit botëror, apo të duken si popujt evropianë të mesjetës, ku dhe kur „për fyerjen më të vogël, nderi është mbrojtur në dyluftim!“ Arenë e bukur kjo brenda shqiptarësh edhe në shekullin XXI, e cila aq shumë i konvenon moralit intelektual të Qosjes dhe Serbisë.

Ana e tretë e këtij ligjëruesi me logjikë e moral hallakamë ka të bëjë, jo me kulturën e qeveritarëve të Kosovës për të mos „fyer“, por me frikën që paskan ata nga shkaktimi i viktimave, kurse krahas kësaj, fjalën e ka për „pakulturën“ e qeverisë Berisha në Shqipëri dhe me frikën që paska populli i atjeshëm që të shkaktojnë viktima, do të thotë vrasje, si fisnikët e mesjetës që nderin e paskan ruajtur e mbrojtur me dyluftime! Marrëzi nuk është vetëm kur bëhen marrëzitë. Marrëzi është ajo kur e shkakton, e bën, e krijon dhe nuk arrin t‘i kuptosh dimensionet e saj trishtuese. Ne këtë të fundit ishte dhe është me siguri të plotë Rexhep Qosja.

Sikur Kosova dhe populli i saj ta kishte këtë ves kalorësiak të shkaktimit të viktimave për „fyerje“, do ta qëronin moti nga kjo jetë këtë akademik, i cili jo vetëm fyeu e fyen majat më të larta të shpirtit krijues dhe politik të kombit, por nuk pranë t’i shumëzojë me fyerje personazhet e tij, që i bënë dhe i bëjnë dritë këtij populli. Por nuk e kanë këtë ves. Ves e kishte megjen, arën, livadhin, besnikërinë intime familjare. Njësoj e kishin dhe e kanë edhe në Shqipëri. Edhe këtë ves që e kishin shqiptarët, Qosja nuk u angazhua asnjëherë ta riedukonte gjatë procesit historik të pajtimit të gjaqeve e të hakmarrjeve në Kosovë, i cili pati aq shumë sukses dhe gjatë të cilit proces u shtrinë aq shumë duar pajtimi, u derdhë aq shumë lot gëzimi. Ai nuk u gëzua atëherë për këto pajtime. Ai nuk iu bashkëngjit misionarëve intelektualë të pajtimit, prandaj tash ndërsen që përsëri të shkaktohen viktima edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri me hakmarrje brendashqiptare. Kjo është filozofia praktike e këtij atdhetari klinik!


Mendimet e drejta të Qosjes


Me gjithë mjegullinë e qiellit të tij të mendimit, ngjau në këtë intervistë edhe një rreze drite, një logjikë më e qëndrueshme e tij. E gjeta dhe u gëzova, pastaj, kur u gëzova sikur më vajti mendja se ç’gllënjkë lëngu këndellës kishte ofruar te buzët derisa jepte këtë intervistë, këtë pjesë të shëndoshë të kësaj interviste që do ta sjell të plotë para lexuesve. Është e mirë, është korrekte, është e saktë, është ashtu siç duhet të shprehen shqetësimet, të cilat, natyrisht nuk janë të pakta. Në pyetjen se a ka rreziqe që i kanosen shtetit të ri të Kosovës dhe nëse po, cilat do të ishin dhe si do të mund të shmangen, Qosja përgjigjet:

Më sipër fola për rreziqet që i vijnë dhe mund të vazhdojnë t‘i vijnë Kosovës shtet prej Serbisë, prej Mitrovicës Veriore (s’ka Mitrovicë Veriore, por Veriu i Mitrovicës – shënim imi) dhe prej enklavave serbe, në qoftë se nuk e pranojnë bashkëjetesën qytetare në Kosovë. Këto rreziqe ne mund t‘i shmangim mbi të gjitha në bashkëpunim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Por, janë edhe disa rreziqe që Kosovës mund t‘i vijnë prej vetvetes. Me rreziqet e këtilla ne, zakonisht, nuk merremi dhe nuk dëshirojmë të dëgjojmë të flitet për to. Historia ka dëshmuar se rreziqet e brendshme për një shtet shpesh mund të jenë më shkatërruese se të jashtmet. I frikësohem shumë shtetit të kalbur përbrenda: të kalbur sidomos në pikëpamje morale, në pikëpamje shpirtërore, në pikëpamje kulturore, në pikëpamje juridike. I frikësohem shumë njeriut të pa ndërgjegje, njeriut të papërgjegjshëm në pushtet. I frikësohem shumë njeriut me mendje të rrudhur në pushtet. I frikësohet shumë njeriut primitiv në pushtet, që nuk sheh tjetërkënd pos të vetëve. I frikësohem shumë, sidomos, mafies politike në pushtet. Politika është kimi prishëse dhe, në të lehtë e shpejt prishen kur e kur edhe të qëndrueshmit e lëre më të gatshmit për prishje. Parandalimi i prishjeve të brendshme nuk është i lehtë, kurse shërimi prej tyre tepër, tepër i kushtueshëm. Ndihmona, Zot! Si mund të shmangen këto rreziqe të brendshme? Besoj se shmangen: me funksionimin e shtetit të së drejtës; me parandalimin e mundësive për privatizimin e shtetit; me një politikë sociale sa më të drejtë; me largimin prej politikës të të korruptuarve dhe të atyre që duan të bëjnë politikë shtetërore me farefis, me miq, me servilë, me grupe mafioze!

Të gjitha këto, që thotë akademiku ynë, qëndrojnë. Janë këto shqetësimet që i ka secili njeri i thjeshtë a intelektual në Kosovë. Shqetësimet janë të sakta dhe sjellin frikë të arsyeshme. Nuk ka lidhje se edhe këto që i thotë me gjithë këtë saktësi, në shikim të parë janë të pahile. Edhe kjo përmbajtje e sinqertë e tij ka pas-hijen e vet të prekjes tek personazhet e tij të veçantë.


Faktet që nuk arrijnë te akademiku!


Rexhep Qosja në shumë deklarata dhe intervista thekson se ka shkruar rreth katër mijë faqe për shqiptarët dhe për historinë e tyre, duke vetëkonstatuar se është njohës i mirë i këtyre rrjedhave. Nuk mund të thuhet se nuk është njohës i mirë. Mirëpo, siç dihet po ashtu në shumicën e librave të tij jashtë letërsisë (por ka dhe brenda letërsisë) njohuritë e veta nga kjo fushë i ka sjellë dhe i ka ndërtuar pikërisht mbi zotësinë e tij qortuese sikur e keqja e vazhdueshme brenda shqiptarëve s’ka ardhur nga jashtë, por atë e kanë vetëgatuar shqiptarët. Historinë e njëmendtë, atë që është dhe që është bartur brez pas brezi, si trishtim dhe krenari, atë e ka lënë thellë në gjumin e tij intelektual. Në të vërtetë ai trajtoi dhe trajton vetëm ato që kanë lidhje me të dhe vetëm ato që i nxisin emocione. Stërkeqjen e trilluar shqiptare ai e nis që herët në vitet shtatëdhjetë kundër Kadaresë, punë që strukturat e LKJ-së atëbotë e quanin të çmueshme, sepse kështu, sipas tyre, sakatohej admirimi dhe dashuria për Shqipërinë, që kishin shqiptarët e Kosovës dhe u rrëzohej në këtë mënyrë edhe admirimi letrar për Kadarenë a për shkrimtarët e tjerë nga Shqipëria. Kadareja ishte më i madhi dhe atë Qosja u përpoq ta rrëzonte të parin, pa i vajtur mendja se që atëherë, kur shpërthyen “pa hile” politike kritikat e Qosjes ndaj tij, Kadare u bë edhe më i madh ndër lexuesit në Kosovë dhe veprat e tij barteshin e lexoheshin ilegalisht shumë, madje tepër shumë.

Pastaj, shkroi “Anatominë e kulturës” (1978), në të cilin pasqyroi shëmtitë më të paimagjinueshme, që nuk rrinin në harmoni me letërsinë dhe me revolucionin. “Është vërejtur se në grupe, herat më të shpeshta, tubohen krijuesit dhe shoqëruesit e tyre që s’u besojnë prirjeve dhe mundësive të veta, që janë si invalidët që ndjejnë nevojë të kenë shoqërues në rrugë, që e dëshirojnë afirmimin e lehtë dhe të shpejtë, po të pamerituar. Ata grupohen, më së shpeshti, që t’i krijojnë hapësirën të tjerëve, që s’duan të hyjnë në grupet e tyre, por që me punën, prirjen dhe, më në fund, me vetë ekzistencën fizike dhe shpirtërore ua rrezikojnë interesat”, thotë Qosja në këtë libër. Shkëputa këtë pjesëz teksti nga 391 faqet e tjera të këtij libri, ku shihet se te ai kishte nisur të shpërthente llava e fuqisë së tij rrënuese për gjithë mjedisin tjetër krijues në Kosovë. Kjo pjesëz teksti dhe gjithë libri duket sikur paralajmëron që pa vonesë ky autor do të botojë një libër tjetër edhe më shkatërrues, një libër pamflet, një libër dosje, një libër të rrezikshëm denoncues “Morfologjia e një fushate”. Deri te “Realiteti i shpërfillur“, Qosja ka sjell tema dhe përmbajtje „interesante“ për realitetin tonë dhe, mbi të gjitha, atë politik, duke vënë në gijotinë shumë nga personazhet e tij të urryera, që ishin të njohur jo vetëm në Kosovë dhe në të gjitha mjediset shqiptare kudo, por edhe në kancelaritë e fuqishme botërore. Ç’të bën i yti, nuk ta bën i huaji, thotë një proverb popullor. Propaganda serbe nuk ka lënë e nuk lë më të voglën hapësirë pa e primitivizuar në të gjitha aspektet dhe kahet popullin shqiptar, sidomos të Kosovës, duke mbjell në botë një antipati rrëqethëse. Atëherë si mund të shpjegohet zelli kaq i pandalshëm i akademik Qosjes po në këto drejtime, po në këto antipati, po në këto degradime kaq të përsëritura kundër njeriut të tij krijues, njeriut të tij shkencëtar, njeriut të tij arsimor, njeriut të tij politik?

Shikoni se ç’margaritar mendimi nxjerr Qosja kundër Kadaresë, kur flet se pse vendet islamike nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Fajet ia lë atypëraty Kadaresë dhe sprovës së tij „Identiteti evropian i shqiptarëve“. Nëse është kështu siç thotë Qosja, atëherë del se po e njëjta sprovë paska ndikuar fuqishëm që Evropa dhe ShBA-të ta ndihmojnë çlirimin dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës. Po ashtu del se Qosja, duke e kundërshtuar identitetin evropian të shqiptarëve dhe duke bartur identitetin shqiptar në Lindje, nuk e paska fuqinë e ndikimit te vendet islamike që ato, edhe pse nuk e ndihmuan çlirimin e Kosovës, së paku ta njohin pavarësinë e saj, përkundër kësaj dhurate identiteti të Qosjes. Duhet thënë në këtë kontekst se propaganda serbe gjithnjë kishte „argumentuar“ para vendeve të fuqishme e më pak të fuqishme perëndimore se shqiptarët e Kosovës ishin myslimanë dhe si të tillë ishin edhe terroristë (edhe UÇK-në e quante terroriste), kurse pas intervenimit në Kosovë të NATO-s, të çlirimit të saj, të pavarësisë së saj, propaganda serbe ngarendë pandalshëm te shtetet islamike, tek të cilat mbjellë bindjen se shqiptarët në Kosovë janë shumë proamerikanë dhe, duke shfrytëzuar kështu „armiqësinë“ islamike ndaj Amerikës, i bën të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Këto të fundit, qoftë edhe për shkak të domosdoshmërisë diplomatike, nuk i gjejmë te Qosja, por i gjejmë vetëm fajet e Kadaresë dhe të sprovës së tij „Identiteti evropian e shqiptarëve“! I gjejmë te dr. Rugova se ai në zyrat e Presidencës i paska vendosur fotografitë e dy figurave të krishtera – të Papës dhe të Nëna Terezes!

Këto zhvillime të shqiptarëve kundër shqiptarëve janë mësime të Titos. Qosja prin. Një intelektual i tillë, siç është ai, nuk vritet nga asgjë që e vrau popullin e tij, krijuesit e tij, nacionalistët e devotshëm të tij. E vrasin Qosjen krijuesit shqiptarë, e vret fama e tyre, emblema e tyre në botë, ku ai nuk zë vend në asnjë mënyrë. Ai shanë e denigron, po e zëmë, edhe atdhetarët e shumtë në Luftën e Dytë Botërore dhe i quan bashkëpunëtorë të fashizmit, të cilët sot, siç deklaron, “shqiptarët i falin lehtë dhe i glorifikojnë këta problematikë”! Patriotë, sipas tij, janë bashkëpunëtorët e komunizmit, janë bashkëpunëtorët e regjimit pushtues e politik të Titos, të cilin Qosja e hyjnizon në deklaratën e tij të zezë. S’ka rëndësi bindja e tij ose përpjekja që të bindet ndryshe ky akademik. Ka rëndësi historia që është shkruar dhe që do të shkruhet edhe për ata të vërtetit, që Qosja kërkon t’i përjashtojë si kundërkomunistë nga mësimi i brezave që vijnë pas nesh.

Sjell tash ca shkrime historike që e vërtetojnë këtë që u tha më lartë.

 

Diktatori Tito


“Një drekë speciale, e shtruar në Split në mes diktatorit Tito dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Fuad Kypriliu, në janar të vitit 1953”, ishte thjeshtë, fatale për të ardhmen e shqiptarëve në ish-Jugosllavinë komuniste. Tito dhe Kypriliu, biseduan për riaktivizimin e konventës Jugosllavo - Turke të vitit 1938. Në këtë takim, ishte folur edhe për mënyrën se si të riaktivizohej dhe si të materializohej konventa në fjalë. Marrëveshja, parashikonte në paketë shpërnguljen e 1 milion shqiptarëve, kurse fillimisht do të shpërnguleshin rreth 250.000 veta. Dreka, biseda, plani, ishin zhvilluar në fshehtësi të plotë. Pas këtij takimi, pasoi marrëveshja (Pakti Ballkanik), i miqësisë dhe e i bashkëpunimit në mes Jugosllavisë–Turqisë–Greqisë, e nënshkruar në Ankara nga këto tri vende më 28 shkurt. Ndërkaq, në këtë vit u realizua një lloj regjistrimi i popullsisë në Jugosllavi. Me gjasë, ky ishte “regjistrim” i qëllimshëm. Në viset ku jetonin shqiptarët dhe në Kosovë nisi fushata e tmerrshme e propagandës, e presionit, e dhunës dhe e asimilimit të hapur: të gjithë shqiptarët duhej të deklaroheshin, me apo pa dëshirë, si turq. Administrata, kudo u mobilizua të realizonte këtë objektiv dhe ajo ndihmohej nga njerëzit e shërbimeve të ndryshme të sigurimeve, nga shërbimet e fshehta, nga agjenturat e ndryshme jugosllave, turke, greke si dhe nga bashkëpunëtorët e ndryshëm dhe agjentët (hafijet, siç i quante populli), në radhët tona. Një ndihmesë të jashtëzakonshme dhanë edhe të ashtuquajturit prijës të fesë (hoxhallarët ), dhe, aty – këtu, edhe bashkësitë Islame. Në këtë “dasmë” të përgatitur mbi baza të një programi shtetëror, u falsifikuan dhjetra mijëra dokumente të ndryshme të pronës, dokumente personale të njerëzve, si dhe u sajuan dokumente të reja (pasaporta), dhe u lëshuan viza (leje ose “vesika”, siç u thoshte populli), përmes të cilave siguroheshin pa problem udhëtimet për në Turqi. Padyshim, askush nuk e di shifrën e parave, të cilat u destinuan për realizimin e këtij projekti makabër. Agjentët dhe bashkëpunëtorët e pushtetit, udhëheqësit fetarë (të fesë islame), endeshin ditë e natë nëpër fshatra e qytete, duke propaganduar dhe duke i cytur njerëzit: “Vëllezër, ne dhe ju jemi myslimanë...den – babaden, që domethënë turq. Ju keni qenë bijë të Islamit edhe përpara Muhamedit! Kështu, duhet të nisemi e të shkojmë në “tokën e premtuar” të fesë sonë. Sa më kah lindja, aq më afër Qabesë. Të shkojmë në Andadolli, ku rrjedh mjalta, e ku është vendi ynë. Ky këtu është vend i “qufarëve”, që domethënë, i të pafeve. Zoti, nuk na duron të jetojmë me të pafetë, me armiqtë e Islamit...”. (Marrë nga Interneti)

 

Tito ripushtoi Kosovën


Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse...) përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Titoja do t´i shfrytëzojë këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës... Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi…

…në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë..., më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B.Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Këtë vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serbë: Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin…

…kjo makineri ushtarake, në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për "spastrimin" e terrenit nga "mbeturinat e fashizmit" dhe "kundërevolucionarët" vrau e masakroi pa mëshirë mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës... Në këtë fushatë të egër ushtarake më 21/22 shkurt 1945 u shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, pas vrasjes së tribunëve popullorë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica në kullat e Dvoranëve në Tërstenik. (Marrë nga Interneti)




(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani & Arzie Zeneli: Vlerat historike dhe arkitektonike të kullës së Sylejman-Fazli Tahirajt Naile Mala-Imami: Sa shqiptarë jetuan dhe sa janë tani në Beograd? Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (V) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (II) Sulejman Sulejmani: Rezistenca ndaj Brigadës së XII Maqedone... Hilmi Saraçi: Si u pushkatuan 21 shqiptarë nga forcat partizane komuniste... Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (I) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IV) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (III) Fehmi Sadiku: Të dhëna statiskore për trysnitë ndaj kosovarëve me anë të “tepricave” të shpikura! Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Studime të Poshtme (Martiraj) 1998-1999 Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (II) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (I) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në qytetin e Vushtrrisë (1998 - 1999) Sabile Keçmezi-Basha: Angazhimi i grave në jetën politike e vendimmarrëse në Kosovë Tefik Ramadani-Qarri: Gjurmeve te krimeve partizane mbi Shqiptaret Qazim Namani: Kultura materiale dhe historia e qytetit të Prishtinës Sabile Keçmezi- Basha: Çështje të përdorimi të nocioneve: ilegale, klandestine dhe e fshehtë Hilmi Saraçi: Lashtësia, emertimi dhe trashegimia kulturore, historike, arkeologjike e qytetit të Vushtrrisë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora