| E marte, 22.12.2009, 10:36 PM |
Masa dhe përtej masa e Qosjes
Në intervistën e tij dhënë gazetës “Shqip” Qosja nxjerrë e
nxinë Berishën si tiran në 99 mënyra! E çuditshme dhe çudi me 99 hipokrizi të
papërshkrueshme të këtij deklaruesi. Nuk do të ndalemi te asnjëra nga këto
hipokrizi të çmendura, sepse po të ndaleshim, do të duhej t’i shtronim një varg
pyetjesh dhe çështjesh, po e zëmë: si u bëka që një tiran me kaq mënyra të ketë
mundësi ta dojë Shqipërinë kaq shumë, sa ta zhvillojë gjithanshëm, ta dojë
Shqipërinë dhe Kosovën kaq shumë sa t‘i lidhë e t’i bashkojë të dyja me rrugën
historike Durrës-Morinë, që u ndërtua; ta dojë Shqipërinë aq shumë sa ta bëjë
atë anëtare të barabartë në NATO; ta dojë aq shumë sa ta bëjë Shqipërinë
anëtare të familjes së Bashkimit Evropian; ta dojë aq shumë Shqipërinë sa të
bëjë që qytetarët e saj së shpejti të lëvizin lirshëm pa viza në secilin vend
evropian…? Natyrisht, se ka dhe bëhen gabime udhëheqëse, siç ka dhe bëhen
gabime edhe në qeveritë e vendeve të tjera…
Ka pasur raste kur edhe qeveritarët socialistë në pushtet nga
disa mediokër janë quajtur jo vetëm tiranë, por dhe renegatë. Është folur
kështu për Fatos Nanon, është folur kështu për Alfred Moisiun, është folur
kështu për Pandeli Majkon… E kush i strehoi pra gjithë ata shqiptarë të Kosovës
gjatë luftës së saj të fundit? E bënë këtë nga imponimi, apo për shkak të
dashurisë vëllazërore dhe kombëtare? Edhe unë i kam quajtur renegatë, kur e
dogjën dhe e shembën Shqipërinë në vitin 1997. Nuk i quaja kështu nga mllefi,
nga urrejtja ndaj tyre, por pikërisht nga dashuria për Shqipërinë dhe nga
trishtimi i rrëzimit të saj.
Qosja këto që i thotë, nuk i vijnë nga dashuria për Shqipërinë
dhe për Kosovën. Njësoj si ky pandërprerë flasin e shkruajnë edhe propagandat e
tjera fare të njohura kundërshqiptare. Por nuk do të shpjegojmë asgjë në këtë
drejtim, sepse këto, jo vetëm dihen, por njihen si qëllime me urrejtje
patologjike që ka edhe Qosja ndaj çdo hapi përpara të vendeve e të popullit
shqiptar në përgjithësi. Më shumë do të ndalemi te frymëzimet e tjera, po aq të
liga dhe po aq të rrezikshme të këtij akademiku. Le të shfletojmë pakëz atë që
deklaron dhe ta shpjegojmë këtë cilësi të tij të llahtarshme: „Ju më pyesni
nëse ka ngjashmëri midis kësaj mënyre të qeverisjes në Shqipërinë shtetërore me
qeverisjen në Kosovë. Edhe në Kosovë, në qeverisje, ka padrejtësi, e shantazhe
e të këqija të tjera të ndryshme, por asi brutaliteti, aso dhune (si në
Shqipëri-vërejtja ime), nuk ka. Fyerjet e tilla familjare në Kosovë do të
përfundonin me viktima. Kam dëgjuar njerëz të politikës në Kosovë duke
thënë: "Çfarë njeriu është ai Balla që duron aso fyerjesh të familjes para
syve të krejt Shqipërisë?! Në Evropë, me shekuj, për fyerjen më të vogël
nderi është mbrojtur në dyluftim, kurse sot mbrohet me ligje, e në Shqipëri sot
- në asnjë mënyrë"! (nënvizimet e mia).
Në këtë copëz interviste të akademikut Qosja dhënë Gazetës
“Shqip” (23 shtator 2008), siç mund të shohin (dhe kanë parë) lexuesit, nga
diçka shumë vetëhelmuese, ideja e tij zhvillohet si një riepidemi vrasjesh e
hakmarrjesh të njohura ndër shqiptarë. Pas krahasimit që bën ndërmjet qeverisë
„brutale“ të Berisha në Shqipëri dhe asaj të Thaçit në Kosovë, për fyerje të
tilla, çfarë u bëkan nga Qeveria në Shqipëri, „Fyerjet e tilla familjare në
Kosovë do të përfundonin me viktima“. O Zot! Sipas kësaj që thotë ky
akademik, i cili në ASHAK nuk merr asnjë votë, kurse nga populli mori vetëm një
votë partia e tij politike, populli shqiptar në Kosovë qenka ende në mesjetën e
tij të përjetimit sa për shkak të „fyerjeve“ do të shkaktoheshin viktima, do të
thotë vrasje, ose që duke sjell pohime të tilla makabre, kërkon të nxisë në
Shqipëri hakmarrje dhe rifillim të „luftës së nderit familjar“! Me kësi
ndërsimesh të pështira kërkon të gjejë terren pranues në Shqipëri, që
„fyerjeve“ të tilla t’u përgjigjen me vrasje, me viktima! Qosja kërkon luftë
brenda shqiptare, kërkon viktima në mënyrë që shqiptarët të vazhdojnë të duken
ende primitivë karshi civilizimit botëror, apo të duken si popujt evropianë të
mesjetës, ku dhe kur „për fyerjen më të vogël, nderi është mbrojtur
në dyluftim!“ Arenë e bukur kjo brenda shqiptarësh edhe në shekullin XXI, e
cila aq shumë i konvenon moralit intelektual të Qosjes dhe Serbisë.
Ana e tretë e këtij ligjëruesi me logjikë e moral hallakamë ka
të bëjë, jo me kulturën e qeveritarëve të Kosovës për të mos „fyer“, por me
frikën që paskan ata nga shkaktimi i viktimave, kurse krahas kësaj, fjalën e ka
për „pakulturën“ e qeverisë Berisha në Shqipëri dhe me frikën që paska populli
i atjeshëm që të shkaktojnë viktima, do të thotë vrasje, si fisnikët e mesjetës
që nderin e paskan ruajtur e mbrojtur me dyluftime! Marrëzi nuk është vetëm kur
bëhen marrëzitë. Marrëzi është ajo kur e shkakton, e bën, e krijon dhe nuk
arrin t‘i kuptosh dimensionet e saj trishtuese. Ne këtë të fundit ishte dhe
është me siguri të plotë Rexhep Qosja.
Sikur Kosova dhe populli i saj ta kishte këtë ves kalorësiak
të shkaktimit të viktimave për „fyerje“, do ta qëronin moti nga kjo jetë këtë
akademik, i cili jo vetëm fyeu e fyen majat më të larta të shpirtit krijues dhe
politik të kombit, por nuk pranë t’i shumëzojë me fyerje personazhet e tij, që
i bënë dhe i bëjnë dritë këtij populli. Por nuk e kanë këtë ves. Ves e kishte
megjen, arën, livadhin, besnikërinë intime familjare. Njësoj e kishin dhe e kanë
edhe në Shqipëri. Edhe këtë ves që e kishin shqiptarët, Qosja nuk u angazhua
asnjëherë ta riedukonte gjatë procesit historik të pajtimit të gjaqeve e të
hakmarrjeve në Kosovë, i cili pati aq shumë sukses dhe gjatë të cilit proces u
shtrinë aq shumë duar pajtimi, u derdhë aq shumë lot gëzimi. Ai nuk u gëzua
atëherë për këto pajtime. Ai nuk iu bashkëngjit misionarëve intelektualë të
pajtimit, prandaj tash ndërsen që përsëri të shkaktohen viktima edhe në Kosovë,
edhe në Shqipëri me hakmarrje brendashqiptare. Kjo është filozofia praktike e
këtij atdhetari klinik!
Mendimet e drejta të Qosjes
Me gjithë mjegullinë e qiellit të tij të mendimit, ngjau në
këtë intervistë edhe një rreze drite, një logjikë më e qëndrueshme e tij. E
gjeta dhe u gëzova, pastaj, kur u gëzova sikur më vajti mendja se ç’gllënjkë
lëngu këndellës kishte ofruar te buzët derisa jepte këtë intervistë, këtë pjesë
të shëndoshë të kësaj interviste që do ta sjell të plotë para lexuesve. Është e
mirë, është korrekte, është e saktë, është ashtu siç duhet të shprehen
shqetësimet, të cilat, natyrisht nuk janë të pakta. Në pyetjen se a ka rreziqe
që i kanosen shtetit të ri të Kosovës dhe nëse po, cilat do të ishin dhe si do
të mund të shmangen, Qosja përgjigjet:
„Më sipër fola për rreziqet që i vijnë dhe mund të
vazhdojnë t‘i vijnë Kosovës shtet prej Serbisë, prej Mitrovicës Veriore
(s’ka Mitrovicë Veriore, por Veriu i Mitrovicës – shënim imi) dhe prej
enklavave serbe, në qoftë se nuk e pranojnë bashkëjetesën qytetare në Kosovë.
Këto rreziqe ne mund t‘i shmangim mbi të gjitha në bashkëpunim me SHBA-të dhe
Bashkimin Evropian. Por, janë edhe disa rreziqe që Kosovës mund t‘i vijnë prej
vetvetes. Me rreziqet e këtilla ne, zakonisht, nuk merremi dhe nuk dëshirojmë
të dëgjojmë të flitet për to. Historia ka dëshmuar se rreziqet e brendshme për
një shtet shpesh mund të jenë më shkatërruese se të jashtmet. I frikësohem
shumë shtetit të kalbur përbrenda: të kalbur sidomos në pikëpamje morale, në
pikëpamje shpirtërore, në pikëpamje kulturore, në pikëpamje juridike. I
frikësohem shumë njeriut të pa ndërgjegje, njeriut të papërgjegjshëm në
pushtet. I frikësohem shumë njeriut me mendje të rrudhur në pushtet. I
frikësohet shumë njeriut primitiv në pushtet, që nuk sheh tjetërkënd pos të
vetëve. I frikësohem shumë, sidomos, mafies politike në pushtet. Politika është
kimi prishëse dhe, në të lehtë e shpejt prishen kur e kur edhe të qëndrueshmit
e lëre më të gatshmit për prishje. Parandalimi i prishjeve të brendshme nuk
është i lehtë, kurse shërimi prej tyre tepër, tepër i kushtueshëm. Ndihmona,
Zot! Si mund të shmangen këto rreziqe të brendshme? Besoj se shmangen: me
funksionimin e shtetit të së drejtës; me parandalimin e mundësive për
privatizimin e shtetit; me një politikë sociale sa më të drejtë; me largimin
prej politikës të të korruptuarve dhe të atyre që duan të bëjnë politikë
shtetërore me farefis, me miq, me servilë, me grupe mafioze!
Të gjitha këto, që thotë akademiku ynë, qëndrojnë. Janë këto
shqetësimet që i ka secili njeri i thjeshtë a intelektual në Kosovë. Shqetësimet
janë të sakta dhe sjellin frikë të arsyeshme. Nuk ka lidhje se edhe këto që i
thotë me gjithë këtë saktësi, në shikim të parë janë të pahile. Edhe kjo
përmbajtje e sinqertë e tij ka pas-hijen e vet të prekjes tek personazhet e tij
të veçantë.
Faktet që nuk arrijnë te akademiku!
Rexhep Qosja në shumë deklarata dhe intervista thekson se ka
shkruar rreth katër mijë faqe për shqiptarët dhe për historinë e tyre, duke
vetëkonstatuar se është njohës i mirë i këtyre rrjedhave. Nuk mund të thuhet se
nuk është njohës i mirë. Mirëpo, siç dihet po ashtu në shumicën e librave të
tij jashtë letërsisë (por ka dhe brenda letërsisë) njohuritë e veta nga kjo
fushë i ka sjellë dhe i ka ndërtuar pikërisht mbi zotësinë e tij qortuese sikur
e keqja e vazhdueshme brenda shqiptarëve s’ka ardhur nga jashtë, por atë e kanë
vetëgatuar shqiptarët. Historinë e njëmendtë, atë që është dhe që është bartur
brez pas brezi, si trishtim dhe krenari, atë e ka lënë thellë në gjumin e tij
intelektual. Në të vërtetë ai trajtoi dhe trajton vetëm ato që kanë lidhje me
të dhe vetëm ato që i nxisin emocione. Stërkeqjen e trilluar shqiptare ai e nis
që herët në vitet shtatëdhjetë kundër Kadaresë, punë që strukturat e LKJ-së
atëbotë e quanin të çmueshme, sepse kështu, sipas tyre, sakatohej admirimi dhe
dashuria për Shqipërinë, që kishin shqiptarët e Kosovës dhe u rrëzohej në këtë
mënyrë edhe admirimi letrar për Kadarenë a për shkrimtarët e tjerë nga
Shqipëria. Kadareja ishte më i madhi dhe atë Qosja u përpoq ta rrëzonte të
parin, pa i vajtur mendja se që atëherë, kur shpërthyen “pa hile” politike
kritikat e Qosjes ndaj tij, Kadare u bë edhe më i madh ndër lexuesit në Kosovë
dhe veprat e tij barteshin e lexoheshin ilegalisht shumë, madje tepër shumë.
Pastaj, shkroi “Anatominë e kulturës” (1978), në të
cilin pasqyroi shëmtitë më të paimagjinueshme, që nuk rrinin në harmoni me
letërsinë dhe me revolucionin. “Është vërejtur se në grupe, herat më të
shpeshta, tubohen krijuesit dhe shoqëruesit e tyre që s’u besojnë prirjeve dhe
mundësive të veta, që janë si invalidët që ndjejnë nevojë të kenë shoqërues në
rrugë, që e dëshirojnë afirmimin e lehtë dhe të shpejtë, po të pamerituar. Ata
grupohen, më së shpeshti, që t’i krijojnë hapësirën të tjerëve, që s’duan të
hyjnë në grupet e tyre, por që me punën, prirjen dhe, më në fund, me vetë
ekzistencën fizike dhe shpirtërore ua rrezikojnë interesat”, thotë Qosja në
këtë libër. Shkëputa këtë pjesëz teksti nga 391 faqet e tjera të këtij libri,
ku shihet se te ai kishte nisur të shpërthente llava e fuqisë së tij rrënuese
për gjithë mjedisin tjetër krijues në Kosovë. Kjo pjesëz teksti dhe gjithë
libri duket sikur paralajmëron që pa vonesë ky autor do të botojë një libër
tjetër edhe më shkatërrues, një libër pamflet, një libër dosje, një libër të
rrezikshëm denoncues “Morfologjia e një fushate”. Deri te “Realiteti
i shpërfillur“, Qosja ka sjell tema dhe përmbajtje „interesante“ për
realitetin tonë dhe, mbi të gjitha, atë politik, duke vënë në gijotinë shumë
nga personazhet e tij të urryera, që ishin të njohur jo vetëm në Kosovë dhe në
të gjitha mjediset shqiptare kudo, por edhe në kancelaritë e fuqishme botërore.
Ç’të bën i yti, nuk ta bën i huaji, thotë një proverb popullor. Propaganda
serbe nuk ka lënë e nuk lë më të voglën hapësirë pa e primitivizuar në të gjitha
aspektet dhe kahet popullin shqiptar, sidomos të Kosovës, duke mbjell në botë
një antipati rrëqethëse. Atëherë si mund të shpjegohet zelli kaq i pandalshëm i
akademik Qosjes po në këto drejtime, po në këto antipati, po në këto degradime
kaq të përsëritura kundër njeriut të tij krijues, njeriut të tij shkencëtar,
njeriut të tij arsimor, njeriut të tij politik?
Shikoni se ç’margaritar mendimi nxjerr Qosja kundër Kadaresë,
kur flet se pse vendet islamike nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Fajet ia lë
atypëraty Kadaresë dhe sprovës së tij „Identiteti evropian i shqiptarëve“.
Nëse është kështu siç thotë Qosja, atëherë del se po e njëjta sprovë paska
ndikuar fuqishëm që Evropa dhe ShBA-të ta ndihmojnë çlirimin dhe ta njohin
pavarësinë e Kosovës. Po ashtu del se Qosja, duke e kundërshtuar identitetin
evropian të shqiptarëve dhe duke bartur identitetin shqiptar në Lindje, nuk e
paska fuqinë e ndikimit te vendet islamike që ato, edhe pse nuk e ndihmuan
çlirimin e Kosovës, së paku ta njohin pavarësinë e saj, përkundër kësaj dhurate
identiteti të Qosjes. Duhet thënë në këtë kontekst se propaganda serbe gjithnjë
kishte „argumentuar“ para vendeve të fuqishme e më pak të fuqishme perëndimore
se shqiptarët e Kosovës ishin myslimanë dhe si të tillë ishin edhe terroristë
(edhe UÇK-në e quante terroriste), kurse pas intervenimit në Kosovë të NATO-s,
të çlirimit të saj, të pavarësisë së saj, propaganda serbe ngarendë pandalshëm
te shtetet islamike, tek të cilat mbjellë bindjen se shqiptarët në Kosovë janë
shumë proamerikanë dhe, duke shfrytëzuar kështu „armiqësinë“ islamike ndaj
Amerikës, i bën të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Këto të fundit, qoftë
edhe për shkak të domosdoshmërisë diplomatike, nuk i gjejmë te Qosja, por i
gjejmë vetëm fajet e Kadaresë dhe të sprovës së tij „Identiteti evropian e
shqiptarëve“! I gjejmë te dr. Rugova se ai në zyrat e Presidencës i paska
vendosur fotografitë e dy figurave të krishtera – të Papës dhe të Nëna Terezes!
Këto zhvillime të shqiptarëve kundër shqiptarëve janë mësime
të Titos. Qosja prin. Një intelektual i tillë, siç është ai, nuk vritet nga
asgjë që e vrau popullin e tij, krijuesit e tij, nacionalistët e devotshëm të
tij. E vrasin Qosjen krijuesit shqiptarë, e vret fama e tyre, emblema e tyre në
botë, ku ai nuk zë vend në asnjë mënyrë. Ai shanë e denigron, po e zëmë, edhe
atdhetarët e shumtë në Luftën e Dytë Botërore dhe i quan bashkëpunëtorë të
fashizmit, të cilët sot, siç deklaron, “shqiptarët i falin lehtë dhe i
glorifikojnë këta problematikë”! Patriotë, sipas tij, janë bashkëpunëtorët
e komunizmit, janë bashkëpunëtorët e regjimit pushtues e politik të Titos, të
cilin Qosja e hyjnizon në deklaratën e tij të zezë. S’ka rëndësi bindja e tij
ose përpjekja që të bindet ndryshe ky akademik. Ka rëndësi historia që është
shkruar dhe që do të shkruhet edhe për ata të vërtetit, që Qosja kërkon t’i
përjashtojë si kundërkomunistë nga mësimi i brezave që vijnë pas nesh.
Sjell tash ca shkrime historike që e vërtetojnë këtë që u tha
më lartë.
Diktatori Tito
“Një drekë speciale, e shtruar në Split në mes diktatorit Tito
dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Fuad Kypriliu, në janar të vitit
1953”, ishte thjeshtë, fatale për të ardhmen e shqiptarëve në ish-Jugosllavinë
komuniste. Tito dhe Kypriliu, biseduan për riaktivizimin e konventës Jugosllavo
- Turke të vitit 1938. Në këtë takim, ishte folur edhe për mënyrën se si të
riaktivizohej dhe si të materializohej konventa në fjalë. Marrëveshja,
parashikonte në paketë shpërnguljen e 1 milion shqiptarëve, kurse fillimisht do
të shpërnguleshin rreth 250.000 veta. Dreka, biseda, plani, ishin zhvilluar në
fshehtësi të plotë. Pas këtij takimi, pasoi marrëveshja (Pakti Ballkanik), i
miqësisë dhe e i bashkëpunimit në mes Jugosllavisë–Turqisë–Greqisë, e
nënshkruar në Ankara nga këto tri vende më 28 shkurt. Ndërkaq, në këtë vit u
realizua një lloj regjistrimi i popullsisë në Jugosllavi. Me gjasë, ky ishte
“regjistrim” i qëllimshëm. Në viset ku jetonin shqiptarët dhe në Kosovë nisi
fushata e tmerrshme e propagandës, e presionit, e dhunës dhe e asimilimit të
hapur: të gjithë shqiptarët duhej të deklaroheshin, me apo pa dëshirë, si turq.
Administrata, kudo u mobilizua të realizonte këtë objektiv dhe ajo ndihmohej
nga njerëzit e shërbimeve të ndryshme të sigurimeve, nga shërbimet e fshehta,
nga agjenturat e ndryshme jugosllave, turke, greke si dhe nga bashkëpunëtorët e
ndryshëm dhe agjentët (hafijet, siç i quante populli), në radhët tona. Një
ndihmesë të jashtëzakonshme dhanë edhe të ashtuquajturit prijës të fesë
(hoxhallarët ), dhe, aty – këtu, edhe bashkësitë Islame. Në këtë “dasmë” të
përgatitur mbi baza të një programi shtetëror, u falsifikuan dhjetra mijëra
dokumente të ndryshme të pronës, dokumente personale të njerëzve, si dhe u
sajuan dokumente të reja (pasaporta), dhe u lëshuan viza (leje ose “vesika”,
siç u thoshte populli), përmes të cilave siguroheshin pa problem udhëtimet për
në Turqi. Padyshim, askush nuk e di shifrën e parave, të cilat u destinuan për
realizimin e këtij projekti makabër. Agjentët dhe bashkëpunëtorët e pushtetit,
udhëheqësit fetarë (të fesë islame), endeshin ditë e natë nëpër fshatra e
qytete, duke propaganduar dhe duke i cytur njerëzit: “Vëllezër, ne dhe ju jemi
myslimanë...den – babaden, që domethënë turq. Ju keni qenë bijë të Islamit edhe
përpara Muhamedit! Kështu, duhet të nisemi e të shkojmë në “tokën e premtuar”
të fesë sonë. Sa më kah lindja, aq më afër Qabesë. Të shkojmë në Andadolli, ku
rrjedh mjalta, e ku është vendi ynë. Ky këtu është vend i “qufarëve”, që
domethënë, i të pafeve. Zoti, nuk na duron të jetojmë me të pafetë, me armiqtë
e Islamit...”. (Marrë nga Interneti)
Tito ripushtoi Kosovën
Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate
(amerikane-angleze-ruse...) përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër
ushtrisë hitleriane, Titoja do t´i shfrytëzojë këto rrethana, për luftimin e
forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës... Për t´i
realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit
1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin
e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi…
…në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të
përgjakshme në Drenicë..., më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së
J.B.Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Këtë
vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët
serbë: Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin…
…kjo makineri ushtarake, në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për
"spastrimin" e terrenit nga "mbeturinat e fashizmit" dhe
"kundërevolucionarët" vrau e masakroi pa mëshirë mijëra shqiptarë
gjithandej Kosovës... Në këtë fushatë të egër ushtarake më 21/22 shkurt 1945 u
shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, pas vrasjes së tribunëve popullorë
Shaban Polluzha e Mehmet Gradica në kullat e Dvoranëve në Tërstenik. (Marrë nga
Interneti)