Speciale
Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VIII)
E merkure, 23.12.2009, 09:33 PM

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)
Ndarja e tij dhe mohimi “gjenial” i atdhetarëve
Duket se tek Qosja harmonizimi, ose përpjekja për harmonizimin
logjik të „fakteve“ të tij, nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë. Temperatura
logjike e tij shumëherë bie në zero ose nën të, e cila, siç mund të shihet gati
në secilin mendim deklarativ a të shkruar të tij, sikur përmbytet nga vullkani
i tij zemërues instinktiv. Faktet historike i lakon, i përdredhë dhe u derdhë
fasadë të tij ideologjie, duke i damkosur ato të tjerat që tashmë janë themele
edhe të historisë sonë më të re, e të cilat deri tash, në mungesë të lirisë, po
e zëmë në Kosovë dhe, nga teprimet e çmendura të ish-ideologjisë në Shqipëri,
kanë qenë të strukura, të heshtura, si një prush nën hi, në ndërgjegjen e
kthjellët të vetë popullit. Por duhet thënë se në këto kontekste akademik Qosja
vërtet është treguar dhe vazhdon edhe më egër të tregohet i shkathtë, gjenial
dhe, siç mund të thuhet prapë, fjala e tij, mendimi i tij, pluset dhe minuset e
tij ndaj këtyre fakteve edhe historike, shërbejnë si arna në rrobën e re. Kaq
hijeshi njerëzore krijojnë.
Edhe sikur të përpiqej të fliste a të shkruante më me
dashamirësi, më intelektualisht, më me hijeshi njerëzore, Qosja, jo vetëm tash,
do ta kishte të vështirë. Ai gjithandej mbledhë „faktet“ që i duhen zemërimit
të tij, inatit të tij, zejes së tij rrënuese, tundimeve fare të sëmura të tij
dhe ia thotë shkreptimave, rrufeve dhe djeg e përvëlon gjithë ata dhe të gjitha
epokat e rëndësishme edhe të historisë ku nuk është ai, ku janë të tjerët dhe
fama e tyre. Kjo e fundit i dhemb shumë, prandaj vërsulet, prandaj këto
vërsulje kaq të përsëritura tashmë janë bërë të mërzitshme. Edhe kur thotë
diçka që qëndron, mënyra e inatshme e tij e këtyre të thënave i bën lecka, i
bën të paqëndrueshme dhe tretin diku në zgurat boshe të interesimit të lexuesit
a të dëgjuesit.
Në të njëjtën intervistë, në të cilën e quan Kadarenë mit të
krijuar nga komunizmi, Qosja duke iu përgjigjur pyetjes se „çfarë mendonte
për „Figurat e anatemuara, ç’vend mendoni se duhet të zënë në një tekst të ri
të mundshëm të historisë së letërsisë?“, jo vetëm shpjegon „peripecitë“
deri te doktorantura e tij, kur s‘e paskan lejuar (kush?) të marrë temë
Fishtën, ndaj ka marrë Asdrenin, por në mënyrë gjeniale shpikë filozofinë e re
të ndarjes dhe të mohimit të patriotëve kombëtarë, në partizanë dhe në
bashkëpunëtorë të fashizmit, pa çarë fare kokë të bëjë bile një analizë qoftë
edhe sipërfaqësore të shkaqeve partizane dhe të shkaqeve historike të
„bashkëpunëtorëve“ të fashizmit! Askush nuk e qorton, nuk e kritikon akademikun
tonë se pse derdhë kaq prush të madh në historinë e ngjarjeve të pareshtura të
popullit tonë për çlirimin dhe bashkimin e tokave tona të copëtuara nga
pushtuesi i egër sllav? Shpjegimi është i qartë. Të vërtetat e tij janë ato që ia
kanë mësuar Tito dhe Enveri. Përtej këtyre mësimeve çfarëdo që dëgjon dhe sheh
midis popullit tonë, nuk janë tjetër përveç „bashkëpunëtorë të fashizmit, që
jetuan a vdiqën „si fashistë“. Pse urren „bashkëpunëtorët“ nacionalistë të
fashizmit pa sjell asnjë fakt, pa bërë asnjë analizë, që do t’i kishte hije? Po
të mos thoshte e po të mos gjykonte kështu, si intelektual i madh që është, si
patriot e atdhetar i madh që është, do të ishte dashur që, për shkak të
trazimit të pandërprerë të moralit të tij intelektual, të pranonte krimet e
papara të Titos e të Enverit mbi shqiptarët, që e donin lirinë dhe bashkimin më
shumë se jetën. Por, meqenëse vetë Qosja e donte më shumë jetën se vendin, më
shumë robërinë ideologjike dhe enveriste në Shqipëri dhe për shkak të rehatisë
e privilegjeve që ia ofronte regjimi kolonialist i Titos, ai s’e kishte kaçikun
moral të vetëdijes që, së paku, të respektonte sakrificat aq sublime të
nacionalistëve të shumtë shqiptarë, të cilët i bëri aty për aty „bashkëpunëtorë
të fashizmit“, mu sikur i kishin quajtur Tito-Enver si mënyrë e shfarosjes së
tyre. „Kishte edhe të tjerë patriotë, por që bënë shumë gabime politike, e
nuk mund t’i shlyejmë dhe nuk mund t’i falim lehtë ato gabime të tyre. Pasi
kështu do ju krijonim shembuj të papranueshëm brezave të ardhshëm“,
përgjigjet Qosja, duke mos marrë asnjë rrethanë tjetër historike, për të parë,
për të paraqitur së paku shkaqet që i shtynë të bëjnë „gabime“ politike edhe
patriotë të tjerë, që nuk ishin komunistë: Ishin këta gabimtarë politikë, të
cilët nuk e donin Shqipërinë, nuk e donin Kosovën, nuk e donin Iliridën, nuk e
donin tokën shqiptare nën Malin e Zi… apo ishin thjeshtë vegla të fashizmit?
Balli Kombëtar në tërësi ishte kundër ideologjisë komuniste dhe ishte vënë në
radhë të armatosura për të mbrojtur gjithandej tokat shqiptare nga epidemia
komuniste, qendra e së cilës vinte brenda gjeografisë shqiptare nëpërmjet
Beogradit. Programi i Ballit ishte mbrojtja dhe bashkimi i tokave shqiptare të
copëtuara aq padrejtësisht dhe aq mizorisht. Pas dështimit (në Shqipëri) të
marrëveshjeve të njëpasnjëshme me komandën komuniste, e cila ishte rreshtuar në
bazë të programit ideologjik komunist të luftonte fashizmin, por jo dhe
mbrojtjen dhe bashkimin e gjeografisë kombëtare, u detyrua të vihej në dy
fronte lufte: kundër fashizmit dhe kundër ideologjisë shkatërruese komuniste.
Tek e fundit, gjatë pushtimit nazist edhe të tokave tona, për
herë të parë populli shqiptar përjetoi bashkimin, lirinë dhe çlirimin nga
çizmja sllave. A nuk ngjau diçka e këtij soji, por diçka shumë më humane, shumë
më demokratike dhe shumë më e drejtë në Kosovën e çliruar dhe pastaj të pavarur
në sajë të aleancave të fuqive të mëdha? Këto që thotë Qosja në këto përgjigje
s’kanë të bëjnë me injorancën e tij për këto fakte historike, por më shumë kanë
të bëjnë me edukimin e tij, me përkatësinë e tij të edukuar ideologjike. Të
gjithë ata që nuk e kishin përqafuar dhe të gjithë ata që nuk kishin pranuar të
mbjellin në vetvete farën e egër të ideologjisë komuniste, të cilën e shpërndante
në ambientet shqiptare Beogradi nëpërmjet mugoshëve e miladinëve të vet, ai i
quan bashkëpunëtorë të fashizmit, ose, siç thotë për të birin e Skiroit „vdiq
si fashist“! Me të njëjtën parullë ose fare të ngjashme me pohimin e
akademik Qosjes, Tito organizoi jo vetëm regjimin ushtarak në Kosovë, por
edhe makinerinë më vrastare ushtarake, duke i marrë të gjitha masat më
kriminele gjoja për "spastrimin" e terrenit nga "mbeturinat e
fashizmit" dhe "kundërrevolucionarët".
Ja si përgjigjet bosh e injorueshëm akademiku ynë në këtë
intervistë rreth këtyre çështjeve:
„Po sjell një shembull, sot në Francë nuk rehabilitohen
bashkëpunëtorët e Marshall Petenit, që ka qenë njeriu që ka formuar pushtetin
nën Gjermaninë naziste. Ndërsa shqiptarët shumë lehtë jo vetëm i kanë
rehabilituar, por i glorifikojnë këto figura politike problematike gjatë Luftës
së Dytë Botërore…“
Urra! Ç’moral dinjitoz intelektual ka ky njeri! Mund të
thuhet, megjithatë, se ai ka të drejtë kur flet për moralin e tij intelektual
në këtë diferencim patriotësh komunistë nga ata që nuk ishin, por që luftuan të
prirë nga ideja e çlirimit dhe të bashkimit të tokave të copëtuara shqiptare.
Po të mos e kishte këtë moral kaq të lartë intelektual, ai nuk do të mund të
thurte lavde të tilla hyjnore për komandantin e partizanëve jugosllavë
Mareshalin e tij Tito, për njeriun e tij të madh që “nuk e ka pushtuar
Kosovën”, por që e mbajti të pushtuar me llahtar e mizori, ndaj të cilit Qosja
u bë rapsod meritash të tij kulmore (le të më falë lexuesi, por më duhet ta
risjell para lexuesve këtë rapsodi, edhe pse jam i vetëdijshëm se
akademiku ynë do t’i gëzohet kësaj rikujtese, të cilën, siç thotë vetë, do ta
nënshkruante edhe sot!): “Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë në triumf
përfundimtar luftën nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë – ja një
meritë e mjaftë për historinë. Tito i ka thënë “JO” Stalinit, në një kohë kur
forca e Stalinit sikur nuk njihte kufij – ja një meritë e mjaftë historike për
historinë. Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të
barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve e kombësive – ja
një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito i ka prirë idesë së madhe
që u reziston fuqive të mëdha – ja një meritë tjetër, aq e madhe, aq vendimtare
në historinë e përbotshme”.
Animi ideologjik sikur nuk i mjafton këtij akademiku. Ai bëhet
i sertë dhe sertësia e tij bëhet e kumbueshme, qortuese, rrëzuese. Rrëzon
faktet historike, i përdredhë dhe i derdhë ato e mbi to llavën e tij të pezmit
tashmë të përçdoditshëm, jo vetëm mbi krijuesit, por tash edhe mbi historinë e
njëmendtë kombëtare. Këto shihen më së miri në përgjigjen e tij: „Ndërsa
shqiptarët shumë lehtë jo vetëm i kanë rehabilituar, por i glorifikojnë këto
figura politike problematike gjatë Luftës së Dytë Botërore…“. Nuk e ka
fjalën tashmë për historinë e shkruar, sepse ajo thuaja se nuk e ka bërë
përpjekjen e nevojshme për rehabilitimin e këtyre figurave, por më tepër e ka
qortim dhe mospajtim të plotë me kujtesën dhe me përjetimet e vetë popullit
shqiptar, që i ruajti dhe i ruan këto figura në mënyrën më të shenjtë, të cilat
Qosja i quan edhe të rehabilituara shumë lehtë, por edhe të glorifikuara „këto
figura problematike gjatë Luftës së Dytë Botërore“.
„Sot në Francë nuk rehabilitohen bashkëpunëtorët e Mareshal
Petenit, që ka qenë njeriu që ka formuar pushtetin nën Gjermaninë naziste“,
thotë Qosja. Cila ishte Gjermania naziste në Francë? Ishte pushtuese e Francës?
Ishte. Por çfarë ishte Jugosllavia dhe Serbia çetnike në Kosovë? Ishin pushtuese.
Si do të mund t’i quanim atëherë shqiptarët që bashkëpunuan me këta pushtues
sllavë, që ua tejkalonin të gjitha doktrinave fashiste dhe ndërtuan aq sa
mundën institucionet edhe qeveritare në Kosovë nën pushtetin e Jugosllavisë?
Bashkëpunëtorët shqiptarë të pushtetit okupues jugosllav në Kosovë Qosja moti i
ka rehabilituar dhe nga ta ka marrë dhuratën më të çmueshme – rehatinë dhe
privilegjet. Nga kjo rehati dhe nga këto privilegje ai shijonte tërë kohën
frutat e regjimit politik të Titos, kurse frymëzohej, siç thotë vetë, nga
veprat e filozofëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj në kohën kur populli i tij jo
vetëm dergjej në robëri, në burgje e në përndjekje të vazhdueshme!
Çfarë do të thoshte akademiku ynë sikur, po e zëmë, të ishin
shkrimtarë të mëdhenj, Shaban Polluzha i Drenicës, Adem Gllavica, Muharrem
Bajraktari, Qazim Bllaca dhe shumë patriotë të tjerë nga Kosova e Shqipëria, të
cilët nuk pranuan të ngarendin pas murtajës komuniste, por pas idealit të
pathyeshëm kombëtar? Do t’i rreshtonte në historinë e tij të letërsisë? Jo,
sepse këta dhe shumë të tjerë nuk do t’i fuste në historinë e letërsisë as
Dhimitër Shuteriqi, që kishte orgjinë herë serbe, herë ruse dhe që ishte
dashamir kinez. Megjithatë, këta emra të mëdhenj të historisë sonë kishin fatin
e mirë që nuk qëlluan të jenë shkrimtarë, sepse do të kishin qenë të shtrënguar
të dalin në purgatorin e shuteriqëve dhe të qosësve, prej ku do të dërgoheshin
menjëherë në ferrin më të zi të harresës dhe të pështymjes.
„Figurat problematike“
Por çfarë thotë ndryshe nga Qosja dhe me fakte Kostaq Xoxa në
komentin e tij “Historiografisë së përdhosur po i vjen koha të spastrohet“, të
botuar në gazetën „55“ më 21 mars 2009, për nacionalistët e mëdhenj dhe të
vetëdijshëm shqiptarë?
Në konferencën e Parë të PKSH-s (mbajtur në Labinot më 17-22
mars 1943), thuajse nga të gjithë u fol për rritjen e ndikimit të B. Kombëtar
dhe kërkuan bashkëpunim me të. U fol edhe për një komitet të përbashkët
koordinimi. N. Spiru, T. Jakova, K. Themelko, K. Ylli e shumë të tjerë folën
për bashkëpunim, në Labinot. Komiteti Qarkor i Gjirokastrës u shpreh me
parullën “rroftë bashkimi” (maj, 1943). Më 11 prill të ’43-shit u arrit
kompromisi ndërmjet B. Kombëtar dhe Nacionalçlirimtares për luftë të përbashkët
kundër okupatorit.
Vetë E. Hoxha kishte thënë: “Në Vlorë nacionalistët e pranonin
luftën, qoftë në mënyrën e tyre”. Kjo ishte pika ku mund të bashkoheshin. E.H.
flet mirë për Hysni Lepenicën dhe ngarkoi H. Kapon që të vazhdonte
bashkëpunimin me ta. (AQSH, F. 14, V. 1943, D.2).
Sot flasin për “pulat” dhe për “kolaboracionizmin” e bërë
tërkuzë. Dhe nuk flitet fare për betejën e Gjormit (29. 12. 1942), në të cilën
Hysni Lepenica, me 800 fshatarë, ishte komandant. Hysni Kapo kishte, edhe ai,
një njësi më të vogël partizane. Në këtë luftë ranë dëshmorë edhe nacionalistë,
edhe partizanë. (Por pasMukja nxori vetëm këta të fundit dëshmorë). Në luftë u
vra, bashkë me shumë italianë, edhe kolonel Klementi. Armët e përbashkëta iu
drejtuan edhe bashkëpunëtorit me forcat italiane, Halil Alisë. (Por
historiografia e shformuar vuri, më pas, shenjën e barazimit ndërmjet këtij të
fundit dhe luftëtarëve të lirisë, nacionalistë e partizanë, që e luftuan Halil
Alinë, siç luftuan edhe okupatorët). Këtu luftoi kundër okupatorit, pranë H.
Lepenicës, edhe Skënder Muço me çetën e tij. Veçse që të dy këta u përbaltën
pas fillimgushtit të vitit 1943, kur u hodh poshtë, në mënyrë të njëanshme,
Konferenca e M u k j e s . Luftëra të përbashkëta kundër okupatorit u bënë édhe
në Floq (23.01.’43), édhe në Voskopojë (16.01.’43), edhe në Mallakastër
(5.02.’43), ku komandanti nacionalist T. Cfiri, luftonte kundër forcave
italiane dhe kundër atyre të I. Toskës.
Në pranverë të ’43-shit u bënë luftëra të tilla të përbashkëta
në Kolonjë, në Selenicë, në Mallakastër, në Mokër, në Devoll, në Postribë, në
Leskovik, në Elbasan, në Pezë. Një dokument interesant është ai i AQSH-së, në
fondin 18 të v. 1943, në Dosjen 44: Mehmet Shehu i shkruan një letër Besim
Belishovës, në të cilën pranon se është bërë luftë e përbashkët, ndonëse Besimi
i bën edhe një akuzë: se forcat partizane të Mehmetit kishin bërë sekuestrimin
e bagëtive të fshatrave të Mallkastrës! (Kurse nacionalistët përnjolloseshin si
pulaxhinj!). Siç mund të vërejë lexuesi, këtu nuk po flasim me slogane, por me
dokumente arkivore. Do të shkonim gjatë po të përmendnim të gjitha betejat e
përbashkëta. Le të kursejmë përmasat e një shkrimi duke përmendur, tani,
ballistë të tjerë (që cilësohen si nacionalistë), pjesëmarrës në këto luftime
kundër okupatorit: Jashar Cakrani, Brahim Çela (rënë në luftë), Safet Butka,
Isuf Luzaj, Ismail Agë Petrela, Rexhep Picari, Hasan Lepenica, Shahin Nuredini,
Selfo Hekali, Eqrem Peshkëpia, Ali Zeneli, Syrja Vasjari, Hajri Zaçe, Fuat
Tefiku, Gani Peqini, Pasho Kolaneci, Drape Vrepcka, Syrja Qafëzezi. Por nuk
duan lënë pa përmendur edhe luftëtarët zogistë të Abaz Kupit, në luftë kundër
okupatorit (31.07.’43), ku dokumentet përmendin Sulë Kurtin, Bilal Kolën, Lam
Memën e të tjerë por, natyrisht, edhe kolonel Muharrem Bajraktarin, në veri.
Njësite partizane u ngarkuan të vinin në Lurë për ta vrarë, por nuk e gjetën,
M. Bajtaktarin sepse ... ishte duke luftuar kundër gjermanëve! – Dëshmi e M.
Myftiut në Pl. e 2-të të Beratit, 23-27 nëntor 1944.
Tani le të shkojmë drejtpërdrejt në Konf. e Mukjes (1-3 gusht
1943), në prag të kapitullimit të Italisë fashiste. Kjo është më e njohur nga
lexuesi ynë i zakonshëm. Por ajo që meriton të theksohet është se Thoma
Orollogai, me vota unanime (të nacionalistëve dhe të nacionalçlirimtarëve), u
zgjodh për të drejtuar punimet e Kuvendit.
Në një dokument kam lexuar se fillimisht u zgjodhën më shumë
delegatë të nacionalistëve, për shkak të epërsisë së lëvizjes Nacionaliste në
shkallë vendi dhe në sajë të shtrirjes së saj, në krahasim me lëvizjen
nacionalçlirimtare, deri në atë kohë. Atëherë dilte objektivisht nga n.çl.-ët
kjo e vërtetë: se kolaboracionistët ishin tepër të rrallë. Kjo u tha edhe në
Konf.-n e Mukjes. Dokumentet konfirmuese janë të shumta, por nuk mungojnë edhe
ditarët: ai i Haki Stërmillit, për shembull (por jo ai i manipuluari!).
Këshilli i Përgj. N.çlirimtar e propozoi vetë Thoma Orolloganë si
bashkëbisedues në Mukje dhe si kryesues të Kuvendit. Mustafa Gjinishi ishte
ndër personalitetet më të shquara në Mukje. Ky i kishte thënë H. Dostit, në një
bisedë të lirë, në shtëpinë e R. Jaranit, se influencë më të madhe në popull
kishin nacionalistët. Nacionalçlirimtarët pranuan formulimin e Shqipërisë
etnike (me Kosovën), sipas parimeve të Kartës së Atlantikut. Kjo i tërboi
emisarët jugosllavë dhe E. Hoxha iu bashkua kokë e këmbë qëndrimit të ri. M.
Gjinishi u vra prapa shpine. Dr. Y. Dishnica u persekutua. Besnik Çano e
Qeramudin Sulo, dy të rinj nacionalistë që kishin ardhur nga studimet jashtë
shtetit për të luftuar okupatorin, tanimë pjesëmarrës në Mukje, u vranë nga D.
Mugosha.
( Kishin thënë: “S’ka shqiptarë që nuk e duan Kosovën”).
Filloi lufta civile. Terrori komunist u vu në rend të ditës. Nuk reshti as në
mbarim të Luftës. Nacionalçlirimtarë të shquar u ekzekutuan (Sh. Beja, E.
Tërshana, Dr. O. Nishani, Gj. Kokoshi, R. Dani. . . ). Nuk mjafton: por u
quajtën edhe kolaboracionistë! Thoma Orolloganë, që e kishin kërkuar vetë
çlirimtarët në Mukje, e ekzekutuan dhe e quajtën fashist!
Instrumentalizimi i termit “kolaboracionist” në Francën e
madhe në krahasim me Shqipërinë, De Goli e fali mareshalin Peten, që kishte
qenë kryetari i Shtetit nën pushtim. U ekzekutua kryeministri kolaboracionist,
Daladieri, shkrimtari Brazilak e pak të tjerë. Kurse te ne u bë kërdia! Numri i
“kolaboracionistëve” shqiptarë mundi të sajohej, së paku, i njëzetfishtë, në
përqasje me kolaboracionistët francezë, në një vend shumë herë më të madh se
ne! Historiografia nën diktat u përmbys. Ballistët (ose nacionalistët, siç
quheshin shpesh) sipas kësaj shpëlarjeje të trurit, nuk e paskëshin luftuar
okupatorin!
Prandaj u orvatëm, në një pjesë të madhe të këtij shkrimi, që
të provonim luftërat e tyre të shumta, të pranuara në atë kohë edhe nga
n.çlirimtarët. Tani, duke mos qenë të çliruar nga paragjykimet serboshoviniste,
vazhdojnë pa pikë druajtjeje të përdorin shprehjet e D. Mugoshës dhe të M.
Popoviçit për të vënë një vijë kufizuese ndërmjet të vrarëve në luftën
antifashiste në një anë të kësaj vije dhe “atyre plehrave” (shprehje e P.
Majkos), në anën tjetër. Në “Letërkëmbimin tim” shprehet indinjata e shumë të
përbuzurve ndaj atyre që nuk e duruan dot zgjedhën sllave, të cilën E. Hoxha
dhe lakenjtë e tij e përqafuan me zell të madh, për interesa vetjake, për
pushtet absolut. A mund ta quajmë pleh Adi Kasimatin, që la studimet
universitare dhe erdhi në Shqipëri për të luftuar okupatorin? Apo ishte i tillë
sepse e torturoi dhe e vrau me duart e tij Dushan Mugosha! (Gazeta „55“, 21
mars 2009)
*
“… Qazim Bllaca ishte ai që i thirri në ndihmë trupat gjermane
për të shpëtuar shqiptarët prej masakrave të ushtarëve dhe çetnikëve serbë në
Bllacë, Suharekë e më gjerë. Qazim Bllaca i doli atëherë në rrugë autokolonës
gjermane, që vinte nga Qafa e Duhlës për në Prizren, dhe u dha ushtarëve
gjermanë një letër të shkruar prej dorës së tij në gjermanisht, në të cilën u
tregonte se serbët po bënin kërdinë mbi popullsinë civile shqiptare, po i
vrisnin e masakronin vetëm pse ishin shqiptarë etnikë në trojet e tyre, dhe u
kërkonte ndihmë gjermanëve. Dhe ashtu u bë. Ushtarët gjermanë i vunë përpara
çetnikët serbë dhe shpëtoi Bllaca e fshatrat përreth. Shpëtoi Suhareka,
Prizreni e krejt Kosova. Po atë ditë Qazim Bllaca u priu gjermanëve, duke
udhëtuar në krye të autokolonës gjermane, në automjetin e parë të saj drejt
Prizrenit. Ai ishte njeriu që prezantoi shqiptarët para armatës zulmëmadhe
gjermane. Udhëtoi me oficerët gjermanë, pa me sytë e tij se si kapitulonin
serbët para gjermanëve, ata serbë që zi e gjëmë u kishin shkaktuar shqiptarëve
brez pas brezi…“ (Marrë nga një punim i
gjatë i Rexhep Shahut, Tiranë)
Ishte fashist Qazim Bllaca kur kërkoi nga gjermanët të
shpëtonin shqiptarët nga eshalonët kriminelë serbë? U tregua në këtë periudhë
ky njeri shërbëtor i fashizmit, apo shpëtimtar i popullit të tij nga lugetëria
serbe? Nuk ishte fashist dhe as ishte shërbëtor titist, si ca të tjerë
shqiptarë, që z. Qosja i veçon të rëndësishëm si heronj të popullit jugosllav.
Qazim Bllaca kërkoi ndihmë nga një armatë e fuqishme e kohës që ta shpëtonte
popullin e tij nga krimi i vazhdueshëm serb, që po e vriste, po e dëbonte, po
bënte mizori të llahtarshme edhe me ndihmën edhe të ca shqiptarëve komandantë
dhe heronj të mëvonshëm të popujve të Jugosllavisë. Ndihma të tilla, z. Qosja,
kërkuan shqiptarët gjatë gjithë viteve nëntëdhjetë dhe më herët nga fuqitë
ndërkombëtare, jo që të bëheshin komandantë e heronj jugosllavë, por që të
shpëtojnë popullin shqiptar në Kosovë nga egërsia gjenetike serbe. Edhe Ju, z.
Qosja shpëtuat, qoftë edhe duke u bërë tebdil e mjekërrruar pikërisht në sajë
të ndërhyrjes së superfuqisë ushtarake të NATO-s. Përse, pra, shqiptarët nuk u
dashka t’i çmojnë dhe t’i rehabilitojnë këta atdhetarë, siç janë Qazim Bllaca,
Adem Gllavica, Rexhep Mitrovica, Adem Voca, Shaban Polluzha dhe një varg i tërë
atdhetarësh të tjerë, të cilët u rreshtuan të çlironin Kosovën nga thundra
sllave, që u rreshtuan të ribënin bashkimin e tokave dhe të kombit të bërë
pikepesë, duke mos pranuar të jenë shërbëtorë të klikës titiste dhe të farës së
egër të komunizmit të sllavëve pushtues të jugut? Pse ishin kundër komunizmit,
pse ishin kundër robërisë së qenies kombëtare nga sllavët, pse ishin për
bashkimin kombëtar, pse kërkuan ndihmë nga armata e largët gjermane që të
shpëtonte qenia shqiptare në këtë Gadishull nga shfarosja që vinte nga sllavët
pushtues të jugut, pse rrinë në kundërshtim me ngrohtësinë ideologjike
neokomuniste të vetë Qosjes, nuk guxuakemi t’i rehabilitojnë këto figura, të
cilat janë, vërtet, emblema kombëtare?
Por, çfarë thonë historianët serbë për armiqtë e tyre
shqiptarë, të cilët Qosja kërkon të mos rehabilitohen dhe të mos zënë vend
asnjëherë në faqet krenare të historisë sonë dhe që ata të lihen vetëm në faqet
e zeza të kësaj historie. Të shohim në vijim se ku dhe në çfarë dallojnë këta
historianë serbë karshi qëndrimit dhe porosisë së sotme të akademik Qosjes:
„…Balli Kombëtar arriti të organizojë numër të madh
shqiptarësh të armatosur (gjithsej 15 mijë) në disa qendra (në Drenicë, në
Karadak të Shkupit, në Bjeshkët e Sharrit, në rrethinën e Mitrovicës etj).
Kryengritja kishte filluar (sipas këtyre historianëve serbë), në dhjetor 1944
dhe kishte vazhduar deri në shkurt të vitit 1945…Në Drenicë Shaban Polluzha
udhëhiqte rreth 5000 luftëtarë, kurse komandanti i njohur Adem Voca 2000 të
tjerë, i cili pas luftërave të mëdha, vritet më 12.02.1945 në fshatin Psom (Mitrovicë).
Rezistencën e Vocës arritën ta thyejnë 2 brigada të divizionit 46, dhe brigada
e pestë e Kosovës… Për shkak të dimensioneve të mëdha të kryengritjeve
shqiptare në Kosovë, me urdhër të Joki Brokias u vendos më 8
shkurt 1945 pushteti ushtarak në Kosovë. Komandant ishte kolonel Savo
Dërljeviç, komisar kolonel Gjuro Medenica, kurse zëvendës komandant ishte
kolonel Fadil Hoxha. Në këto lufta kundër nacionalistëve shqiptarë, që kërkonin
bashkimin e popullit dhe të tokave shqiptare, morën pjesë edhe njësite të
ushtrisë së Shqipërisë të Divizionit të Dytë…“! (Shkëputur nga interneti)
Solla këta pak shembuj dhe fakte historike, qoftë edhe si
mundësi e arritjes së tyre deri te ndërgjegjja intelektuale e Rexhep Qosjes, sa
për të parë se këto rrojnë gjithnjë si dëshmi konkrete e të sakta, nëpër të
cilat ka kaluar populli shqiptar, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, nga
titistët dhe nga enveristët. Kujtoj se akademik Qosjes nuk i mungon dija për
këto histori të dhembshme, por para së gjithash, mbështetur pikërisht në
pohimet e tij të inatshme, atij i mungon përjetimi human ndaj gjithë asaj që
ideologjia komuniste i bëri gjeografisë sonë kombëtare dhe asaj pjese të
vetëdijshme të popullit tonë, që sakrifikoi pareshtur për çlirimin e atdheut të
tyre të copëtuar e të pushtuar.
Kur qeshë e qanë Jakup Krasniqi!
(Teksti mes thonjëzave, i marrë nga uebfaqja e Qosjes në
internet, botohet pa asnjë ndërhyrjeje, qoftë edhe të lekturës)
Të shohim se çfarë shkruan për Qosjen Jakup Krasniqi,
kryeparlamentar i Kosovës, ish-zëdhënës i UÇK-së dhe historian. Sjellim këtu
një pjesë të shkrimit të tij për Adem Demaçin e kalbur në burgjet e regjimit
politik të Titos, për Qosjen, si intelektual që paska ecur vazhdimisht vertikal
(!) dhe për bandën gjakatare të Titos, që e gjetka z. Krasniqi, ku tjetër,
përveç në mesin tonë, te pushtetarët e Kosovës së lirë të paramandatit të tij
në këtë post!
„Nëse, dikush është shkrirë si qiriri, siç thot Naim
Frashëri, për popullin e vendin e vet, duke kaluar dekada në burgjet serbe, ai
është Adem Demaçi. Kjo e ka bërë Adem Demaçin që të jetë Institucion moral që
imponon dhe meriton nderim dhe respekt nga çdo njeri, vetëm jo nga ata që pa
meritë janë veshur me pushtet real pas flijimeve shekullore. Pushtetarët e
sotëm, veç të tjerave nuk kanë pasur kurajo që këtij institucioni moral, që nuk
e ka askush në Botë, ti afrojnë një pension për të pasur një jetë të
dinjitetshme për këtë pjesë të mbetur të jetës!!! I dyti, është Profesori dhe
Akademiku Rexhep Qosja…“ dhe, pastaj vazhdon: „Për shkrimin u nxita, pas një
akti të turpshëm e banal që i organizuan pushtatarët tanë, “intelektualët”
xhahil, manjak e mjeran, mbi veprën dhe personalitetin e tij, mbi intelektualin
që e nderoj kombin në të gjitha kohët e vështira që i kaloi populli ynë në shekullin
e shkuar… Kjo do ti shkonte vetëm kohës së banditëve të Titos, te Rankoviqit e
të Millosheviqit që vazhdojnë të jetojnë në shpirtërat lugatër që përpiqen të
ringjallën nën velon e zezë të pushtetarëve primitiv, dhunën dhe diferencimin
shovenist, në këtë rast kunder vetëvetes!!! Të kohës kur në Kosovë nuk
respektohej asnjë vlerë shqiptare si: kultura, gjuha, historia e as letrat
shqipe, sidomos ato që kishin vlera kombëtare…“.
Ky emocion i z. Krasniqi është mjaft i rrëshqitshëm, sepse
burimin dhe trazimin nuk e ka nga studimi, që do të thotë nga koka, por nga
lukthi. Po ta kishte nga koka, sigurisht se nuk do të ishte helmues dhe nuk do
t’i bënte bashkë „simbolin e rezistencës“, Adem Demaçin, të cilin regjimi
politik i Titos e kishte kalbur në burgje gati tre dhjetëvjetësha, dhe
intelektualin e tij të madh, atdhetarin e tij të madh, njeriun e madh të kombit
të tij, akademik Qosjen, i cili jo vetëm kur vdiq Tito, por edhe sot „i vjen
dëshira të flasë mirë e më mirë për Titon dhe Enverin“ dhe ta hyjnizojë, siç e
pamë më lartë. Është dhe ishte aq i madh sa asnjëherë nuk arriti ta mbërrinte
dora e UDB-së, dora ndëshkuese e LKJ-së, sepse ai kurrë s’i kishte trazuar këto
autoritete të rrezikshme.
Ekziston një etikë, një nderë, një fytyrësi kur autori shtron çështje
që kanë të bëjnë edhe me të djeshmen, edhe me të sotmen, të cilat së bashku
janë në një luftë të jashtëzakonshme faktesh, sidomos kur profesioni i tij
është historian. Në njërën anë, Jakup Krasniqi flet për Demaçin, që ka kaluar
një jetë të tërë në burgjet e regjimit të egër të Titos, në anën tjetër sjell
në të njëjtin nivel sakrificash akademik Qosjen, që i thurë lavde Titos, duke i
përdorur që të dy, pavarësisht nga sakrificat e njërit dhe privilegjet titiste
të tjetrit, si minahedhës kundër kolektivit tjetër kombëtar (por të urryer
shfrenisht nga ai), i cili mori votën për ta udhëhequr Kosovën e lirë. Me
busull emocionesh të mllefta, ky kryeparlamentar shan Titon dhe lavdëron
lavdëruesin e Titos! Mbase lexuesi mund të çuditet me këtë autor, me këtë
historian, me këtë kryeparlamentar dhe me vete, mbase, do të thotë se një
degradim i tillë logjik do të duhej të vihej nën kontroll psikiatrik, që të mos
lejohet të nëpërkëmbët e të hutohet, të çuditet e të tallet opinioni publik
dhe, bashkë me të, edhe përjetimet kolektive të popullit shqiptar, jo vetëm në
Kosovë. Megjithatë, është e drejtë e këtij autori të mos ketë logjikë, është e
drejtë e këtij autori kryeparlamentar, që, për shkak të grupit të njëjtë të
urrejtjes me Qosjen për kolektivin e tyre kombëtar, të shajë Titon dhe të
lavdërojë lavdëruesin e Titos! Fundja, kush ia zë për të madhe atij, nëpër
damarët e të cilit qarkullon vetëm urrejtja dhe pezmatimi deri në sëmundje i
patriotizmit të tij të çorientuar ideologjik?
Derisa akademik Qosja numëron një varg institucionesh të kulturës, të shkencës,
të arsimit të gazetave e të revistave, të zhvillimit të gjithanshëm të Kosovës,
si të arritura të mëdha nën regjimin politik të Titos, Jakup Krasniqi, pas
lavdërimit tempullor të këtij akademiku, thotë të kundërtën, duke sulmuar
klasën politike shqiptare pas luftës (!): „Kjo do ti shkonte vetëm kohës së
banditëve të Titos, te Rankoviqit. Të kohës kur në Kosovë nuk respektohej asnjë
vlerë shqiptare si: kultura, gjuha, historia e as letrat shqipe, sidomos ato që
kishin vlera kombëtare…“. Kurse Qosja në të njëjtën intervistë, që u
theksua më lartë, thotë: „Në sajë të përkrahjes së Titos, Fadil Hoxha me një
numër të udhëheqësve të tjerë shqiptarë, e ka çuar Kosovën deri aty ku e gjeti
terrori serb posa vdiq Titoja: me autonomi të vitit 1974, me Universitet, me
Akademi të Shkencave e të Arteve, me Institutin Albanologjik dhe me Institutin
e Historisë, me shumë botime, revista e gazeta, me urbanizim të shpejtuar të
Kosovës, me gjuhë letrare kombëtare, me numër të madh të shkollave fillore e të
mesme, me spitale e klinika , me arte dhe shkencë gjithnjë e më të zhvilluar,
në të cilat nuk bënte kërdinë realizmi socialist”.
Çfarë do të duhej të linin te njeriu i Kosovës këto dy
deklarata, njëra negative dhe tjetra më shumë se pozitive për Titon, që dalin
nga këta dy burra tanë të kombit, i cili i njeh fare mirë që të dy?! S’ka asgjë
të keqe pse Jakup Krasniqi e stërmadhon Qosjen, sidomos në agjendën kombëtare
fasadash të ndryshme. E keqja është se akademik Qosja s’e ka të njëjtën
filozofi kombëtare, siç paraqitet ta ketë për të z. Krasniqi. Ky i fundit
shkrimin e tij e nis me emrin e “simbolit të rezistencës” (Adem Demaçi), i cili
për afro tri dekada u dergj në burgjet e Titos, kurse Qosja, përveç deklaratës
shenjtëruese të zisë për vdekjen e Titos, që, sipas tij, i kishte lënë Kosovës
zhvillim të jashtëzakonshëm, asnjëherë, siç thotë edhe vetë, nuk ishte
frymëzuar nga regjimi politik, por nga filozofë e shkrimtarë të mëdhenj, ku
natyrisht nuk ishte dhe nuk ekzistonte populli dhe vendi i tij i pushtuar. Nuk
ishte as Adem Demaçi, vepra dhe jeta në burgim të gjatë e të cilit mbase do të
duhej ta frymëzonte, edhe pse nuk ishte filozof dhe shkrimtar i madh. Fundja,
cili frymëzim, qoftë edhe nga veprat e filozofëve dhe të shkrimtarëve të
mëdhenj, do të mund t’ia kalonte frymëzimit të përditshëm të fatit dhe të
përpjekjeve të pareshtura të popullit për liri dhe çlirim, i cili nuk arriti
deri tek Qosja?
Këtu dhe kështu ndizen dhe ndahen frymëzimet e këtyre dy
burrave të lavdishëm, që të bashkohen pastaj kur duan t’u hakmerren „armiqve“
të përbashkët, që është e djathta historikisht e rëndësishme shqiptare.
Tregtia e Qosjes me tokat shqiptare
Në pyetjen gjatë një interviste dhënë gazetës “Shqip” se si i
dukej propozimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, për shkëmbimin
e pjesës veriore të Mitrovicës me Luginën e Preshevës dhe se a mund të ishte ky
pazar i arsyeshëm, Qosja, i cili përgjigjet i ka si karamelet në xhep, tha: Siç
dihet, në çdo tregti marrin pjesë dy a më shumë palë. Një pazar i tillë do të
ishte i arsyeshëm, i leverdishëm për ne, por jam i sigurt se nuk e pranon pala
tjetër, e cila mendon se do të mbajë edhe Mitrovicën Veriore, edhe Luginën e
Preshevës!
Ky njeri që e ditka mirë historinë dhe gjeografinë kombëtare
shpreh gatishmërinë e një tregtie të tillë historikisht të dënueshme dhe me një
fjalë goje, që s’e ka burimin nga truri i shëndoshë, e quan të arsyeshme! Ai
nuk ia ka besën pronës kombëtare, sepse ia ka frikën Serbisë, e cila ka më
shumë zell të mbajë e të rimbajë tokat e pushtuara shqiptare se ç’e ka
akademiku ynë zellin për bashkimin dhe jo për tregtimin e tokave shqiptare.
Kush ia dha këtë të drejtë për një pohim dhe për një konstatim të tillë tregtie
këtij akademiku? Historia? Sakrificat e pafund të këtij populli? Apo këto të
dyja nuk i interesojnë fare këtij akademiku!
Nëse „një pazar i tillë do të ishte i arsyeshëm“, a nuk
e di akademiku ynë se si veriu i Kosovës, si Lugina e Preshevës, rajon këtë që
e quajmë dhe e konsiderojmë si Kosovë Lindore, janë pjesë të gjeografisë sonë
edhe ashtu të kafshuara nga Serbia e Mali i Zi? Si mund të bëhet, pra, një
pazar i tillë dhe ky t‘i duket i arsyeshëm? O Zot! Atë nuk e mundon asgjë
tjetër në këto pazare, por e munduaka frika se pala tjetër (Serbia) nuk pranon
një shkëmbim të tillë – falje të një pjese dhe marrje të pjesës tjetër, kur
dihet se të dyja janë shqiptare, janë të Kosovës! Natyrisht se Serbia nuk
pranon diçka të tillë dhe natyrisht ajo kërkon t’i mbajë të dyja pjesët. Nuk
pranon, sepse e ka parë se sa menjëherë ish-kryeministri Rexhepi dhe Rexhepi
tjetër akademik, pa bërë përpjekjet e duhura për veriun e Kosovës, lanë atë dhe
dolën të marrin Luginën e Preshevës! Serbia pushtuese nuk ngutet t’i thotë po
këtij pazari për të cilën këta dy rexhepë janë të gatshëm dhe këtë tregti e
quajnë të arsyeshme. Natyrisht Serbia ishte dhe është e pangopshme dhe ajo nuk
do të reshtë të pushtojë e të ripushtojë toka shqiptare, të cilat këta rexhepë,
në vend të projekteve, nguten të hapin tregjet e tyre maniake!
Vrite Zot mendjen e keqe, mendjen bosh, mendjen e pamend…!