Speciale
Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (X)
E hene, 28.12.2009, 08:58 PM

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)
Qosja dhe identiteti mysliman i shqiptarëve!
Sikur akademik Qosja të ligjëronte, të deklaronte e të
deklarohej në favor të dijes islame edhe në mjediset shqiptare, do të
konsiderohej një punë e vyeshme, një punë e urtë dhe një punë edhe prej fetari
të sinqertë. Dija islame, e cila nuk është e përhapur vetëm te vendet
myslimane, por gjithandej nëpër botë dhe që herë-herë ka themele të njëjta
porosish njerëzore edhe me besimet e tjera, është e mrekullueshme, siç janë të
mrekullueshme të gjitha dijet e mbara në universin tonë. Por Qosja, edhe pse
pohon se as falet, as shkon në xhami, sikur përpiqet t’i japë shpirt
trashëgimisë kulturore të Lindjes ndër shqiptarët dhe ndër ballkanasit në
përgjithësi. Trashëgiminë kulturore të Lindjes e sollën ndër ne pushtimet,
njësoj siç erdhi dhe u imponua edhe besimi islam. Askush nuk e vë në spikamë
çështjen e besimit fetar, i cili nuk do të duhej të trajtohej si identitet i
një populli. Kanuni shqiptar, po e zëmë, që ishte një kushtetutë kombëtare e së
drejtës, nuk kishte thuajse asgjë të përbashkët me Sheriatin e vendeve të
Lindjes. Kanuni kishte themelet e një të drejte të ngjashme me ato që
aplikoheshin e realizoheshin edhe në Evropë.
Tjetër është dija islame dhe tjetër është kultura arabe. Ka
dhe në Evropë, edhe në Amerikë myslimanë, siç ka edhe në Kosovë e në Shqipëri,
në Maqedoni e në Mal të Zi, e megjithatë këto vende nuk e kanë identitetin e
Lindjes, por të vendeve që ua përcakton gjeografia e të qenit. Kosova e
Shqipëria nuk janë në prehrin gjeografik as të Azisë, as të disa vendeve të
Afrikës. Ballkani është përgjithësisht në hartën gjeografike të Evropës, si
pasuri e palëkundshme e shumë besimeve fetare.
Qosja: Në libër ( “Ideologjia e shpërbërjes”) kritikoheshin
vetje politike për animet e tyre fetare në jetën politike dhe për shpërfilljen
e haptë të fesë myslimane gjithnjë në përpjekje që ashtu t’u servilizonin disa
qarqeve konservatore të jashtme dhe, më në fund, tregohej karakteri i
papranueshëm politik propagandistik i ftesës së përsëritur shpesh edhe në disa media
për kthim në fenë e të parëve. Shkrimtarit Ismail Kadare iu kishte dukur se i
është dhënë rast i mirë që t’u “dëshmonte” lexuesve dhe, sidomos, disa qarqeve
të huaja se qytetërimi (dhe identiteti) shqiptar është një qytetërim i pastër
evropian, pa asgjë në vete nga qytetërimi islam! Përbërësit e shumtë
karakteristikë të fesë dhe të qytetërimit islam, që kishin sjellë shekujt në
jetën historike të popullit shqiptar, në qytetërimin dhe në identitetin e tij,
ai i kishte fshirë me vendosmëri bolshevike. Evropa e tij, në librin e tij
polemik me titullin “Identiteti evropian i shqiptarëve”, ishte konceptuar si
një klub i krishterë, në të vërtetë si një kështjellë mesjetare, në të cilën
nuk mund të ketë vend për myslimanët! Për të ishte i papranuar koncepti i
elitës intelektuale dhe politike evropiane, në sajë të cilit Evropa e bashkuar
shihet si projekt i hapur dhe si një përmbledhje identitetesh kulturore pa
mbikomb. Ishte e qartë se me librin e tij “Identiteti evropian i shqiptarëve”,
Ismail Kadare kishte sjellë në polemikë ide të disa qarqeve ultrakonservatore
evropiane, të cilat i cilëson mosdurimi dhe përbuzja e fesë myslimane, të cilat
kur flasin për myslimanët në Evropë flasin për “makthin mysliman”! Në përpjekje
e sipër që t’u pëlqente sa më shumë atyre qarqeve ultrakonservatore, Ismail
Kadare do të bëjë në librin e tij disa pohime dhe do të përdorë disa cilësorë
të zatetur përçmim dhe urrejtje për fenë, kulturën dhe qytetërimin mysliman dhe
për përbërësit e tyre shumë të dukshëm në qytetërimin dhe në identitetin
shqiptar! Dhe kështu, racizmi fetar dhe kulturor ishin bërë ideologji e tij në
shkrimin me titullin mashtrues “Identiteti evropian i shqiptarëve”. Ata që dinë
më shumë për mëtimet shumëvjeçare të Ismail Kadaresë për t’u pastruar nga
mëkatet e mëdha intelektuale e morale për shkak të shërbimeve që me vepra e me
veprimtari i kishte bërë ideologjisë komuniste në variantin stalinist nuk e
kanë të vështirë të kuptojnë arsyen e zhytjes së tij në batakun e racizmit
fetar dhe kulturor ndaj të cilit do të reagojnë mjaft lexues shqiptarë në
Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë. Dikush do të mund të thoshte, siç madje
është thënë, se ideologjinë raciste kundërmyslimane të Ismail Kadaresë mund ta
shikojmë si koniunkturë të tij, me të cilën nuk duhet marrë seriozisht, por nuk
mund të mos e kemi parasysh se në kushtet e sotme kjo ideologji nuk ishte e pa
pasoja edhe kombëtare edhe ndërkombëtare për shqiptarët. Ndër shkaqet e
refuzimit të vendeve arabe dhe të numrit më të madh të vendeve islamike në botë
që të njohin Kosovën e pavarur, përpos politikës shpërfillëse disavjeçare të
Shqipërisë e të Kosovës ndaj fesë myslimane dhe vendeve myslimane, nuk mund të
mos shihen edhe racizmi fetar e kulturor kundërmysliman i Ismail Kadaresë,
naivitetet politike fetare të ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës
dhe propaganda politike-fetare e disa klerikëve dhe zyrtarëve partiakë jo vetëm
në Kosovë për kthim në fenë e të parëve! Mund të shpresojmë se numri më i madh
i shteteve arabe dhe i shteteve të tjera myslimane do ta njohin Kosovën e
pavarur - çka është e rëndësishme edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë, por
idetë raciste të shkrimtarit Ismail Kadare dhe privatësitë naive politike
fetare të ish-kryetarit të LDK-së, i cili shtetin laik, modern të Kosovës, e
konceptonte me fotografinë e Papës në Presidencën e Kosovës, do të mbeten si
një kujtim tragjik në kulturën dhe në politikën tonë. Po lirohemi prej asaj
ideologjie raciste duke paguar çmim: duke çuar emisarë në vendet arabe për të
kërkuar prej tyre, në të vërtetë për t’iu lutur atyre, që ta njohin pavarësinë
e Kosovës. Të shpresojmë se lutjet tona do të pranohen qoftë edhe pse kryetari
i tanishëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, më në fund prej Presidencës së Kosovës i
hoqi fotografitë e figurave fetare - të Papës Gjon Palit II dhe Nënës Terezë,
duke ia kthyer ashtu Kosovës karakterin e shtetit laik. I shkreti Ismail! Sa
shpesh po kthehet historia kundër tij!
Që në fillim të kësaj deklarate, Qosja e humb rrugën e
shpjegimit, ikën nga mendimi dhe nga rrjedha e tij normale, duke u ngutur të
konstatojë hidhërueshëm „për animet e tyre fetare në jetën politike dhe për
shpërfilljen e haptë të fesë myslimane gjithnjë në përpjekje që ashtu t’u
servilizonin disa qarqeve konservatore të jashtme“. Po ç’të keqe ka dhe
mund të ketë edhe servilizmi (diplomacia) nëse ky servilizëm është interes i të
ardhmes së kombit dhe vendit tonë? Pse i dhembë shumë ky farë servilizmi
i shpifur nga Qosja i politikës sonë kombëtare?
Në këtë pështjellim logjik përzihen motivet që e shtyjnë
zbrazjen e deklaratave të tilla pezull: e ka fjalën akademiku ynë që të vihet
në mbrojtje të fesë së mbrojtur myslimane apo e ka fjalën që të përdorë e të
keqpërdorë fenë myslimane si adut të sulmeve të tij ndaj Kadaresë dhe
politikanëve „që ashtu t’u servilizonin disa qarqeve konservatore të
jashtme“ dhe që këtë të drejtë të paprekshme besimi, ose që këtë të drejtë
edhe diplomatike ta përdorë edhe politika për të mirën e sotme dhe të nesërme
të popullit e të vendit, edhe individët krijues, historianë etj. Dr. Ibrahim
Rugova ishte kryetar i LDK-së, kurse mbi 90 për qind të popullit të Kosovës
ishin në krah të tij. Së paku 80 për qind e tyre, të këtij anëtarësimi, ishin
të besimit myslimanë. Ai në zyrat e tij, qoftë si kryetar i LDK-së, qoftë si
kryetar i Kosovës para e pas luftës, mbante fotografitë e Papës dhe të Nëna
Terezës. Kjo përqindje e madhe e anëtarësisë ishte me përkatësi fetare
myslimane, por asnjëherë nuk e shtruan një çështje të tillë, çfarë shpallë tash
e sa kohë Rexhep Qosja sa për të nisur shpërbërjen vëllazërore e kombëtare të
popullit shqiptar në përgjithësi me anë britmash e filozofi shkatërrimtare
nëpërmjet besimesh fetare. Kjo përqindje e madhe e anëtarësisë ishte me
përkatësi fetare myslimane, e cila bashkë me ata të besimit katolik e
protestant, ishin vënë në krah të interesave madhore të Kosovës. Shumica e
luftëtarëve të UÇK-së po ashtu kishin përkatësi fetare myslimane, por ata morën
pushkën, jo për të mbrojtur fenë e tyre, por për ta shkulur një herë e mirë
pushtuesin nga toka e tyre. Në të vërtetë, ishin bashkë, myslimanë, katolikë e
protestantë në këtë luftë dhe në të gjitha përpjekjet e deriatëhershme kundër
pushtuesit serb. Përse pra, i duhet Qosjes ky fitil i rrezikshëm? Ai s’e
ka parësore fenë myslimane, por do që nëpërmjet saj të shkundë të gjitha
vlerat, idetë, përjetimet, ndjesitë e të tjerëve. Të bëhet Zot i tyre në mënyrë
që të mos dëgjohet kush tjetër përveç atij. Zoti mysliman dhe Zoti katolik e
ortodoks shqiptar do t’i ndëshkojnë këto hile qosiste, këtë mendje dhe shpirt
kaq të trazuar nga hiletë, nga mllefet dhe nga urrejtjet ndaj njerëzve e
popullit të tij. Ai kërkon që në zyrat e ish-presidentit të Kosovës të mos
ishte fotografia e Papës, i cili në botën e krishterë të perëndimit lobonte aq
shumë për Kosovën dhe shqiptarët. Ai nuk donte dhe nuk do që në zyrat e
Presidencës të jetë e vendosur fotografia e të shenjtës Nëna Tereze, asaj
humanisteje shqiptare përmasash botërore. Ai nuk donte që dr. Rugova të kishte
vizione dhe diplomaci aq të larta. Donte që Kosova të perëndonte nën sundimin
serb, si trashëgimtar i titizmit të tërbuar, por të mos triumfonte diplomacia
dhe vizioni i Rugovës. Ai e donte dhe e lavdëronte „Revolucionin e vonuar
demokratik“ të së majtës shqiptare, i cili e dogji dhe gati e zhbëri
Shqipërinë. Ai nuk e ndjente Shqipërinë. Flaka që e mori Shqipërinë ishte
kënaqësi për të, sepse nga kjo flakë e revolucionarëve të vonuar demokratikë,
po hiqej Sali Berisha nga kreu i shtetit. Kjo kishte rëndësi për të. Kjo ka
rëndësi për të edhe sot. Gjithnjë në këtë drejtim organizon nëpërmjet
deklaratave të tij zjarrvënie të tilla, si në Kosovë, si në Shqipëri.
Të shpresojmë se lutjet tona (për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet arabe) do
të pranohen qoftë edhe pse kryetari i tanishëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, më në
fund prej Presidencës së Kosovës i hoqi fotografitë e figurave fetare - të
Papës Gjon Palit II dhe Nënës Terezë, duke ia kthyer ashtu Kosovës karakterin e
shtetit laik. I shkreti Ismail! Sa shpesh po kthehet historia kundër tij!, thotë
ligësisht Qosja.
E shihni se ç’preokupime ka ky akademik? Merr fenë myslimane,
e shndërron në armë të veten dhe nëpërmjet qortimit gjoja jo anues fetar, do të
ndërsejë armiqësinë fetare, jo vetëm brenda shqiptarëve, por edhe ndër
kontinente të tjera. Rugova i paska vendosur fotografitë e të krishterëve, që e
ndihmuan në botë aq shumë afirmimin e tragjikes shqiptare nën Serbi dhe, ja, që
në krye të shtetit të tashëm të Kosovës erdhi njeriu (Fatmir Sejdiu), që i hoqi
këto fotografi të këtyre figurave fetare dhe bota myslimane tashmë u rehatua!
Tash, pas heqjes së këtyre fotografive bota myslimane do ta njohë patjetër
pavarësinë e Kosovës, sepse në krye të këtij shteti, pra, paska ardhur një
mysliman, po se po, por dhe një kundërikrishter i devotshëm i figurave të
shenjta!
Nëse këto fotografi dhe libri i Ismail Kadaresë „Identiteti
evropian i shqiptarëve“ paskan ndikuar që vendet arabe të mos e njohin
pavarësinë e Kosovës dhe, anasjelltas, nëse ky libër dhe këto dy fotografi të
këtyre figurave kaq të mëdha fetare, qoftë edhe servilshëm, paskan ndikuar te
shtetet perëndimore ta ndihmojnë Kosovën dhe më vonë ta njohin pavarësinë e
saj, si mund të llogariten interesat e këtij vendi dhe të popullit shqiptar në
përgjithësi? Ose çfarë do të ndodhte nëse heqja e këtyre fotografive, që paskan
qenë kaq të padëshirueshme për Qosjen dhe vendet arabe, të ndikonin në botën e
krishterë euro-perëndimore t’i binin pishman njohjes së pavarësisë së Kosovës
mu për këto heqje fotografish dhe tjetërsimit të identitetit evropian të
shqiptarëve? Kjo logjikë nuk i hynë në punë akademik Qosjes. Për të është me
rëndësi që të zhbëhen idetë, vizionet, diplomacia, strategjia dhe trashëgimia e
dr. Rugovës, të cilat i kanë pranuar që nga fillimi qendrat e mëdha dhe të
rëndësishme botërore. Që të zhbëhen dijet e sakta historike për identitetin
evropian të Kadaresë. Ai e do Kosovën pa Ibrahim Rugovën tash edhe si kujtesë,
njësoj siç nuk e do ecjen përpara të Shqipërisë me Sali Berishën. Ai nuk mund
ta durojë afirmimin kulturor e historik të shqiptarëve me Kadarenë në krye. Ai
nuk do të mund të rri i qetë në asnjë mënyrë, nëse nuk do të rrëzojë, në
secilën formë a mënyrë të mundshme, suksesin e Shqipërisë, hyrjen e saj në NATO
me Sali Berishën në qeveri.
Por Qosja, edhe pse duket të jetë zbrazur përfundimisht nga
insinuatat dhe nga trillimet e sëmura, nuk arrin të rehatohet. Pas kësaj që
thotë për fotografitë e hequra të figurave fetare nga Fatmir Sejdiu, kryetar i
Kosovës, si një rrufe në qiellin e kaltër, duket sikur nxjerrë nga vetja gufin
e tij aq të zjarmishëm dhe këlthet: I shkreti Ismail! Sa shpesh po kthehet
historia kundër tij! Pas kësaj britme çorientuese përfundimisht ai duket
sikur rehatohet nga vetvetja e tij e brendshme, ku banojnë përherë instinktet e
mllefit, të hilesë dhe të urrejtjes. Por, ç’deshi Qosja me këtë britmë? Pse
Ismail Kadare i duket i shkretë? Pse nuk e do Rexhep Qosja, apo pse e do
populli i tij dhe bota e madhe letrare në të gjitha kontinentet? Të tjerët,
ndoshta, mund të qeshin me pohimin e tij se Sa shpesh po kthehet
historia kundër tij! Kurse mua më vjen keq, vërtet më vjen keq për Qosjen.
Nuk dua ta shoh kaq poshtë, kaq padinjitetshëm dhe kaq të pasaktë në britmat e
tij boshe. Ndoshta edhe unë do të pajtohesha me këtë britmë të tij dhe do të
pajtohesha me të kur i thotë Ismail Kadaresë se Sa shpesh po kthehet
historia kundër tij!, nëse nuk do të shihja më larg dhe të konstatoja se
kjo që i ngjet me historinë Kadaresë është e saktë: Nëse Qosja qenka historia,
atëherë vërtet shpesh ajo kthehet kundër Kadaresë. Dhe unë e besoj. Qosja është
historia, Qosja është kombi, Qosja është gjuha, Qosja është atdhetaria, Qosja
është shpata, Qosja është Zoti, Qosja është Purgatori, Qosja është kumbara i
pagëzimit më të ri të Kosovës dhe të popullit të saj si fermë qensh. Qosja
është „babai i kombit“ dhe kombi është në kërkim të madh ta gjejë edhe „mamanë
e kombit“, e cila ka humbur gjurmë dhe ka humbur identitetin e saj ndërmjet
kulturës së bartur orientale dhe asaj gjenetike europiane. Nëse nuk do t’i
besoja dhe t’i besojmë Qosjes për fatin e zi të Kadaresë, të cilit aq shpesh po
iu kthyeka historia kundër tij (!), do të duhej të ndaleshim, jo vetëm ne, por
ta ndalim në prehrin e studimeve gjithë historinë dhe të përgjojmë me vëmendjen
më të madhe se kur iu paska kthyer Kadaresë historia kundër, qoftë edhe një
herë të mundshme se „shpesh“ jo se jo. Po ta mendonim këtë të fundit, siç
këlthet Qosja, mbase do të dukeshim krejtësisht të çmendur, krejtësisht
injorantë dhe analfabetë të plotë të jetës në përgjithësi dhe të dijes më
minimale në veçanti. S’kemi, prandaj, çfarë t’i bëjmë Kadaresë! Le të vuaj
ashtu siç është i „shkretë“ dhe me gjithë barrën „e historisë kundër tij“! Le
të rrojë i tillë mu në majat e vetmuara të letërsisë botërore, le të rrojë i
shkretë, edhe pse me përkrahje të fuqishme intelektuale nga dijetarët e shumtë
(por të paktë shqiptarë) ndërkombëtarë! Le të rrojë i përbuzur atje ku është,
në këto maja të mendimit dhe të letërsisë, por le ta dijë se historinë, që
quhet Rexhep Qosja, e ka kundër. Populli shqiptar, ndaj do të rrojë i lumtur mu
pse Kadare nuk është „Baba i kombit“ dhe se nuk do të jetë i detyruar të
kërkojë edhe një mama tjetër të kombit. Sa keq do ta kishte populli ynë sikur
t’i kishte dy „baba të kombit“ me një mama të kombit, që do të mund të quhej
edhe mantenutë. Do të rrojë i lumtur me Zotin e purgatorin, me historinë dhe
atdhetarin, me laikun e irrituar nga dy fotografi të dy figurave të mëdha
fetare të krishterimit (njërën një imam i Prishtinës e dërgoi në ferr), me
instinktet e tij të tërbuara të inateve dhe me burrërinë grua, kur e braktisi
Kosovën. Do të jetë i lumtur të rrojë me Rexhep Qosjen, që nuk është i shkretë
si Ismail Kadare, që nuk është i shtrënguar të rri majave botërore të kulturës
artistike, që flet e shkruan shqip, sepse nuk dëshiron të përkthehet dhe të lexohet
në gjuhë të huaja botërore, në gjuhë kaurësh, sepse është atdhetar dhe nuk
është si Ismail Kadare, që i kthehet historia kundër. Bravo për popullin
shqiptar dhe për fatin e tij! Mjerë Kadareja i shkretë, që rri aq i vetmuar në
ato maja të mjera të kulmeve të letërsisë. Mjerë Kadareja, të cilin e paska
krijuar mit komunizmi për nevoja të veta. Lumi Qosja që u bë rapsod artistik e
politik i Titos së tij të madh, që e kishte zhvilluar aq shumë Kosovën
nëpërmjet vëllazërim-bashkimit dhe vetëqeverisjes socialiste. E lumja Kosova,
që është një „fermë qensh“, që e ka Rexhep Qosjen e Vuthajve të Malit të Zi
përtej kësaj ferme. Lum Kosova që e ka edhe kryetarin e saj, që i pranon me
gojën e rreme vizionet dhe strategjitë diplomatike të dr. Rugovës, por që pati
gjithë atë fuqi myslimane që t’i shporrte nga zyrat e Presidencës fotografitë e
dy figurave të shenjta fetare, të Papës Gjon Palit II dhe Nënës Tereze! Këta të
dy, mirë ia kanë bërë dhe mirë ia bëjnë dr. Rugovës, këta të dy, mirë ia kanë
bërë dhe ia bëjnë Ismail Kadaresë. Po të mos kishin bërë kështu, nuk do t’i
përmendte kurrë askush. Njërin e lanë të vdekur, tjetrin e lanë të shkretë!
Edhe Qosja, edhe Sejdiu, janë të mëdhenj, sepse vepruan kundër gjigandëve të
letërsisë, të krishterimit, humanes dhe të politikës deri tash të
paarritshme.
Emocionet e Qosjes
S’e ka për gjë z. Qosja t’i vërsulet me çdo kusht dhe për të
gjitha ato që ai, fundja, as i di siç duhet dhe as i përket t’i thotë, për të
djathtën qeverisëse në Shqipëri. Nuk është puna se i thotë ato që i di dhe ato
që nuk i di. Është më tepër se kaq. Tundimet e tij të brendshme nuk e lënë
rehat. Gati është e natyrshme të ketë kësi tundimesh, kësi trazimesh edhe për
Shqipërinë, në kushtetutën e së cilës nuk bën pjesë Qosja. Mirëpo, tundimet e
tij dalin gjithnjë dhe gjithherë të helmëta, të mbushura me vrer, të cilat,
pastaj, e humbin rrugën e tyre të logjikës dhe vërshojnë pandalshëm. Kur e
vërshojnë këto tundime të mbushura me vrer nëpërmjet fjalëve të tij, ai duket
se shërohet. Menjëherë te lexuesit e tij të rregullt, apo të rastësishëm,
krijohet një shpresë dhe një gëzim se akademiku më në fund, pas gjithë këtyre
vërshimeve e sulmeve të vrerosura, ka gjetur rehatinë dhe shërimin qoftë edhe
të përkohshëm të tij. Pikërisht për këtë tashmë gati askush nuk ia zë për të
madhe për ato që thotë, për ato që shkruan. E dinë dhe e kanë kuptuar të gjithë
se ai nuk mund të rrojë shëndetshëm, nëse nuk shanë, nëse nuk futë hundët dhe
zemrën e helmosur edhe aty ku s’e ka vendin. Ia ka gjetur vetit ilaçin, thonë.
Në të njëjtën intervistë, por në një pyetje tjetër për
gjendjen e librit, ai i vërsulet qeverisë së Shqipërisë pa asnjë veçim
shpjegimi për situatën aktuale në këtë vend në raport me librin. Duke sulmuar
qeverinë, ai vrapon shpejt e shpejt dhe në përgjigjen e tij lartëson regjimin
politik të Titos.
„Ju tregoj se kur kam qenë për herë të parë në Shqipëri në
vitin 1969, kam sjellë me vete gjithë gazetat “Drita” dhe “Nendori”. M‘i ndalën
në doganë, dhe është dashur ndërhyrje që ato revista të vijnë në Prishtinë për
llogari të Institutit. Tani (librin – vërjejtja ime) e ngarkojnë me
tatime. Kjo është e papranueshme, e palejueshme! Këtë duhet ta kundërshtojmë më
fort…“.
Nostalgjia është emocion dhe ajo nuk mund të shndërrohet në
fakt, në argument. Duke dashur që këtë emocion ta shndërrojë në argument, z.
Qosja ia humbë rrugën dhe kuptimin logjikës shpjeguese. Në këtë shpjegim të tij
nuk thuhet a nuk sqarohet se përse ia ndalën në doganë „gjithë gazetat “Drita”
dhe “Nëntori”, që kishte marrë me vete nga Tirana? Nuk e shpjegon se pse ia
ndalën këto gazeta dhe revista në doganën jugosllave? Se edhe Jugosllavia
tatonte librin, apo pse gazetat, revistat dhe libri në përgjithësi që vinin nga
Shqipëria ishin të ndaluara të futeshin në Kosovë? Nuk e shpjegon se ç‘ndërhyrje
është dashur të bëhej dhe nga kush, që këto gazeta e revista të ndaluara të
hynin në Kosovë. Sipas shpjegimit të dhënë në këtë pjesë të intervistës del se
regjimi politik i Titos ishte aq human, ishte aq dashamirës i librit, i
gazetave dhe i revistave që vinin nga Shqipëria, sa nuk i ndali përfundimisht,
por i lëshoi pas „ndërhyrjes“, edhe pse edhe akademik Qosja e di fare mirë se
për një libër të tillë, për një revistë a gazetë të atjeshme shumë të rinj
(studentë) e intelektualë e kishin pësuar me dënime të rënda e burgosje. Kush
ishte, pra, ky njeri i madh që ia miratonte regjimi politik i Titos çdo
ndërhyrje të tillë të tij?
Është mjaft interesante, inkurajuese dhe kuptimplote fuqia
vërejtëse e Qosjes. Në një intervistë (marrë nga interneti – shënim imi) rreth
„profecisë“ së tij për ardhmërinë e shqiptarëve, sidomos të atyre të Kosovës,
ai përgjigjet me modestinë më të parehatshme snobiste:
„Nuk është e vërtetë se varfëria e shqiptarëve vjen nga
komunizmi! Komunizmi ka dështuar shumë në fushën ekonomike, por tek shqiptarët
nuk është ky faktori për gjendjen sociale të shqiptarëve. Fajtor janë edhe
fqinjët e Ballkanit, sepse e kanë mbajtur në bllokadë Shqipërinë. Se kanë
dashur komunikimin dhe e kanë shkoqur të gjithë dhe s’ka pas urë komunikimi. Të
gjithëve atyre që më kanë pyetur jua kam thënë shkoqur, jua kam thënë ashtu siç
e di unë historikisht çështjen shqiptare: Që ndarja i ka varfëruar dhe sakatuar
shqiptarët. Kufiri i ka varfëruar shqiptarët, që kanë bërë jetë dramatike,
shumë të varfër. Jua kam thënë edhe të huajve që ju e keni bërë këtë, Evropa!
Ju e keni shkaktuar këtë gjendje. Ju jeni mëkatarë të gjendjes së shqiptarëve.
Ju mund ta zgjidhni, sepse ju e keni shkaktuar!“.
Është e vërtetë e diskutueshme se varfërinë në Shqipëri e kanë
shkaktuar edhe „bllokadat e fqinjëve“, por dhe vetizolimi ideologjik i
proletariatit. Në realitet akademik Qosja do të duhej ta dinte se, përveç
interesit sllav të fqinjëve për bllokada të tilla, vetëbllokada e Shqipërisë ka
krijuar edhe vetizolimin në emër të ideologjisë së pastër staliniste. Mirëpo,
këtë nuk e thotë, sepse fajet nga brenda, nga Enver Hoxha, duhet të barten
gjetkë. Mirëpo, më në fund, sipas deklaratës së tij rreth këtyre çështjeve, ai
e paska gjetur fajtorin e njëmendtë – Evropën.
„Ju e keni shkaktuar këtë gjendje. Ju jeni mëkatarë të
gjendjes së shqiptarëve. Ju mund ta zgjidhni, sepse ju e keni shkaktuar!“, u thotë Qosja të huajve dhe, këta të huaj, pastaj, menjëherë
pas kësaj, të penduar deri në lot, jo vetëm i hapën dyert e veta për
shqiptarët, por Kosovës dhe shqiptarëve të saj ua sollën lirinë, çlirimin nga
pushtimi serb dhe pavarësinë. I hapën dyert dhe fondet që të zhvillohet sa më
parë Shqipëria, e cila një herë e mirë shporri epideminë e varfërisë së saj. Jo
vetëm kaq. Nga kjo vërejtje e madhe dhe nxitëse e pendesës së thellë të
Europës, Shqipërinë e bënë tash edhe anëtare me të drejta të plotë të NATO-s.
Sa për punën dhe angazhimin e kryeqeveritarit Sali Berisha, kurrë nuk do të
hiqej nga atje varfëria. Ishte Qosja ai që ua përkujtoi fajet të huajve dhe
Europës dhe ata, siç dinë gjithmonë të përjetojnë fajet dhe pendesën,
Shqipërinë arritën, jo vetëm të shtyjnë tutje, diku larg varfërisë, por në sajë
të kësaj vërejtjeje të Qosjes, arriti të bëhet edhe pjesë e NATO-s, kurse nesër
edhe pjesë e familjes europiane, pavarësisht se shqiptarët, sipas tij, nuk e
kanë identitetin europian, por të Lindjes. Po të mos u kishte thënë kështu
Rexhep Qosja (kur? Nuk dihet, mbase nuk e din as vetë), edhe sot Kosova do të
ishte e pushtuar dhe e ripushtuar; edhe sot nuk do të mund të prekej
vëllazërisht e motërsisht me Shqipërinë. Ua tha të huajve dhe ia tha Europës „Ju
jeni mëkatarë të gjendjes së shqiptarëve. Ju mund ta zgjidhni, sepse ju e keni
shkaktuar!“. Ua tha burrërisht, pa asnjë diplomaci, por me guxim malësori
vuthjan dhe, pastaj, çdo gjë mori të mbarën. Shqipëria po zhvillohet dhe po
bëhet pjesë e institucioneve të rëndësishme të Europës së penduar thellë dhe të
botës. Po të mos ua kishte thënë këtë që ua tha (kur? Kur, ore ua tha?!) Rexhep
Qosja të huajve dhe Europës, Shqipëria nuk do të mund t’i plotësonte kurrë
kushtet me Sali Berishën në krye që të inkuadrohet në institucionet e
rëndësishme ndërkombëtare. Po të mos ishte Rexhep Qosja t’ua thoshte këto që ua
tha të huajve dhe Europës dhe ta bëjë atë krejtësisht të penduar, as Kosova e
pavarësia e saj nuk do të mund të gjendeshin në hartën gjeografike dhe politike
të Europës si shtet. Kush tjetër do të mund ta bënte këtë që bëri Rexhep Qosja
posa ua tha të huajve dhe Europës për këto vende shqiptare? Se mos Sali Berisha
në Shqipëri dhe politika dhe vizioni tashmë i njohur dhe i pranuar në botën e
rëndësishme ndërkombëtare e dr. Rugovës? Jo! Të gjitha këto janë dhe duhet të
jenë merita të Qosjes pas vërejtjeve, o Zot, aq serioze që ua ka bërë të
huajve! Nëse rastësisht udhëheqja e Shqipërisë, domethënë, nëse Sali Berisha
përpiqet t’i përvetësojë këto merita të gatshme, atëherë le ta presë shpatën e
egërsuar të akademik Qosjes. Le të rrinë urtë dhe le ta falënderojnë Qosjen. Të
mos provojë ndonjëri pasardhës i rrallë a i njëmendtë (nuk gjenden të tillë) i
dr. Rugovës ta kundërshtojë këtë akademik, se pastaj… O, Zot! Do t’i ndëshkojë
gijotina e tij e pamëshirshme! E shihni se sa dhe çfarë historie është ky
akademik?
Duke u mbështetur pikërisht në këto merita malsorçe e vuthjane
të Qosjes, një mik i tij (Bahtir Hamza, shkrimin e të cilit e gjeta në ueb
faqen e Rexhep Qosjes - . http://www.rexhepqosja.com/), i thurë lavde meritash të
imagjinuara, që mund t’i gjesh vetëm në përralla:
„Rexhep Qosja është hija e vetë Zotit. Kur zihet në gojë
emri i Profesor Rexhep Qosjes ata që e duan kombin duhet të ngriten në këmbë,
ndërsa për të tjerët vlen thënia e Qosjes:”Vdekja më vjen prej syve të tillë”.
Rexhep Qosja është profeti ynë i kombit. Rexhep Qosja është numër një në
letërsi. Rexhep Qosjen e kërkon gjuha, toka, atdheu, nxënësi e studenti. Rexhep
Qosja është intelektual me kulturë të lartë. Çdo mendim i tij është mendim
profeti, sepse Profesor Rexhep Qosja, guxon ta thotë të vërtetën kudo me
dashuri. Kuptohet që është i sulmuar nga të verbërit, nga pushtetarët me dy
bytha, nga bashkëpuntorët e UDB-ës, që ishin sigurimcat e shtetit jugosllav.
Akademik Rexhep Qosja, është hija e vet ZOTIT, armiqët, të verbërit e shohin të
vogël dhe të këtillë e dëshirojnë kolosin tonë, e kolosët si Profesor Rexhep
Qosja, lindin në çdo dyqind (200) vjet. Ndërsa Tempulli i tij do të jeton edhe
dy mijë vjet. (shkruan se është marrë nga ”PENA SHQIPTARE”, nr 5, shkurt
2005, Prishtinë).
E shikoni se si kërkohet të heshtet çdo mendim tjetër që rri
në kundërshtim me atë që thotë z. Qosja dhe me ato që thonë bahtirët? Çdo
mendim tjetër, qoftë për letërsinë, qoftë për politikën, qoftë për etikën
krijuese, qoftë për kombin, nga ky laborator i përbashkët, që nuk ngjan në
tjetër pos në purgator, quhet tradhti, quhet UDB, quhet veprim i sigurimsave,
quhet… Që të mos quhen kështu ndaj duhet të heshtin të gjithë, që të mos e
hidhërojnë vetë hijen e Zotit, që erdhi, sipas vargut të Bahtirit „nga nata
e Vuthajve“ (Mali i Zi, shënim imi). Megjithatë, siç dihet, nuk u
heshtë gjithmonë. Ata që nuk heshtën, nuk ishin nga ata që nuk e donin, që nuk
e respektonin dhe nuk e nderonin z.Qosja në të gjitha dimensionet e tij
krijuese dhe mendimtare. Ata thjeshtë shprehnin mendimet e tyre për shumë
preokupime, me të cilat ishte ngarkuar kombi ynë i shkelur në Kosovë.
Megjithatë, as kështu z. Qosja nuk i duronte nga frika se mendimet, se krijimet
e tyre mund t’i shpinin në vendin e parë të autoritetit krijues dhe mendimtar,
ku mendonte se e kishte dhe e ka vendin vetëm ai. Këta krijues ndryshe dhe këta
mendimtarë ndryshe nga z. Qosja nuk ishin sigurimsa të UDB-së dhe nuk ishin
shegertë të sistemit komunist jugosllav. Nuk ishin, se po të ishin me siguri do
të gëzonin privilegje të njëjta siç kishte akademiku ynë Qosja. Edhe këta do të
kishin, po e zëmë, një Drita Dobroshi, siç e kishte R.Q., e cila ishte anëtare
e Kryesisë së atëhershme të Komitetit të LKJ-së në Kosovë. Do të kishin një
Mahmut Bakall, një Xhavit Niman, një…, një Fadil Hoxhë, të cilët prishnin
rendin dhe rregullin dhe tri herë radhas lejuan, ndihmuan dhe urdhëruan që
Rexhep Qosja të zgjidhej drejtor i Institutit Albanologjik. Komitetit të LKJ-së
më së paku, ose fare hiç, nuk i interesonin dijet e njerëzve për këto poste,
por besimi që kishin në ta.
Edhe sikur të ishte Zoti, kështu fytyrëshumë, do të duhej të
krijonte për vete dhe veprat e tij ta bënin të madh edhe si krijues, edhe si
njeri, nga i cili do të bëhej e madhe edhe kultura kombëtare, edhe letërsia
jonë, edhe politika jonë më e urtë. Po ta fuste për së mbari këtë fuqi që ka ai
për të ligën, për mohimin, për rrënimin e gjithë asaj që i del përpara si
vlerë, që s’e ka mendimin e tij, që nuk ndjehet i shushatur, i përulur fare ose
i mbyllur në kafazin e mendimit qosian, ku e pret ose ledhatimi falës, ose
ndëshkimi shkatërrues i këtij Zoti, i kësaj hijeje të Zotit, i këtij „babai të
kombit“, siç e quajnë Rexhep Qosjen të gjithë ata që në vete kanë më shumë
urrejtje se dashuri, që kanë më shumë frikë se guxim kombëtar për të gjitha
fatet e kësaj bote tonën, do ta donin të gjithë, do ta respektonin vërtet e do
ta çmonin. Është disi e palogjikshme, e pakapshme matematika e fakteve, kur
dihet se më shumë se tri të katërtat e intelektualëve, e krijuesve, e
studiuesve, e akademikëve, e profesorëve universitarë, e politikanëve, e
pushtetarëve të tashëm, jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm
gjithandej nga janë shqiptarët, të jenë kundër Qosjes, të jenë armiq, të jenë
klan i përbetuar kundër tij. Ai mendon se duke qenë vetë mjaft i pamatur, mjaft
denigrues, mjaft mohues e shembës kundër të gjithë kësaj tri të katërtave
intelektuale, i konsideron, i trajton dhe i përjeton si armiq të tij. Ai shau
dhe shanë Kadarenë, pavarësisht nga fajet e mundshme, mu pse është i pari dhe
më i madhi në letërsinë shqipe, që do të thotë se duhet ta rrëzojë këtë që të
duket vetë më i madhi. Ai shau e shanë edhe për së vdekuri dr. Ibrahim Rugovën,
vetëm pse ishte një studiues i një kategorie të veçantë në letërsi dhe, mbi të
gjitha, se kur u mblodh thuaja i gjithë populli i Kosovës rreth tij në LDK
zuri vendin e parë të afirmimit edhe politik, mbi të gjitha si
vizionar i pranuar në botë për çështjen shqiptare në Kosovë. Shau dhe shanë
Sali Berishën në Shqipëri, sepse nëpërmjet tij shau dhe shanë të djathtën
shqiptare atje, kjo e djathtë e mallkuar që rrëzoi edhe shtatoren e Enver
Hoxhës dhe të Stalinit! Ai sot shanë edhe kryetarin e Shqipërisë Bamir Topin,
shanë e nuk lë gjë pa thënë të keqe e të ndotur për kryetaren e Kuvendit të
Shqipërisë, Jozefina Topalli. Ai lavdëroi dhe i puth dorën dhe përzien leshin e
mjekrave me Janullatosin, ai lavdëron dhe zhvillon biznesin e tij të urrejtjes
me ekstremin e së majtës shqiptare në Shqipëri. Edhe atje arrin të ndezë fitile
armiqësie ndërshqiptare… Ky Zot i keq shemb këtë botë tonën për të jetuar vetë!
Përse dhe si është e mundur që ky njeri a ky gjysmënjeri,
perëndi a gjysmëperëndi të ketë kaq shumë urrejtje shkatërruese për të gjithë
ata që janë të parë, që u prinë mendimi i dijes dhe i zellit të shëndoshë, që
bashkë me këto rri e rritet edhe dashuria, edhe bashkëpërjetimi, ndjenja dhe
qëllimi human? Ç’e vret dhe ç’e nxit këtë akademik të bëhet kaq helmues? Ai
është, vërtet, i dijshëm, madje mund të quhet edhe kolos i dijes, gjeni i
përsëritjes së vetvetes aq shpesh brenda një fjalie, sepse përsëritjen e ka
mjet me të cilin pret, me të cilin ngulë spiralet e mendimit të tij të
palejueshëm për kundërshtim. Kështu ai dëshmon sigurinë e ndërtuar me brumin e
pasigurisë. Kështu ai dëshmon guximin e tij të jashtëzakonshëm që t’u
kundërvihet të gjithë atyre që kurrë nuk pranuan të mos e kenë kokën e tyre,
mendimin e tyre, përjetimin e tyre të njëmendtë. Në këtë kontekst sikur
shtrohet dhe një çështje tjetër: sa është e përgjegjshme kjo dije, njëmend
kolosale e akademik Qosjes, e cila deri tash u tregua kaq shpërfillëse, kaq
egoiste, kaq pak humane? Përse dija e tij bëhet kaq sulmuese ndaj të tjerëve,
jo vetëm në letërsi, jo vetëm në kulturë në të gjitha ambientet shqiptare, por
dhe në politikë, madje edhe ndaj drejtuesve të administratës së një shteti
tjetër? Kjo dije e tij sulmuese bëhet aktive, jo nga impulset e logjikës, por
nga instinktet e tij të urrejtjes tash e sa kohë të pakontrolluara. Dija e
guximshme e tij nuk paraqitet e palëkundshme, sepse ajo mbulohet nga sëmundja
egocentrike, e cila tashmë është shtresuar te ky akademik. Të jesh kundër të
gjithëve, të jesh tiran i fjalës dhe tiran ndaj fjalës, veprimit dhe mendimit
të të tjerëve, mund të jetë dije e ekspozuar në vazhdimësi, por të cilës i
mungon morali, i mungon urtia, i mungon etika dhe i mungon historia e zorshme
dhe e shtypur e krijimit të mendimit intelektual e kombëtar jashtë folklorit
dhe jashtë përmasave të tilla.