E diele, 28.04.2024, 06:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Të lumtë mendja e dora, Isa Halilaj

E premte, 04.12.2009, 08:22 PM


“TË LUMTË MENDJA E DORA, ISA HALILAJ!”
(Shënime për disa libra, nga një “Mësues i merituar”)
    
Nga: Prof.as.Dr. MURAT GECAJ

Në këto vitet e fundit, po të hysh në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, do të  gjesh edhe një mësues veteran, studiues të zellëshëm e botues, sidomos në fushën e arsimit tonë kombëtar. Është “Mësuesi i merituar” Isa Halilaj, tani në pension.

Shërbeu një jetë të tërë në shkollat e Kukësit dhe si drejtues i arsimit në këtë rreth. Emri i tij ka nisur të shfaqet në shtypin tonë arsimor e pedagogjik vite më parë. Bazuar në përvojën e gjatë  arsimore e pedagogjike, në gjurmimet e studimet e tij, dhjetë vjet më parë, botoi librin “Në rrugën e diturisë”. Aty flitej kryesisht për shkollat e para shqipe në qarkun e Kukësit (rrethet Tropojë, Has e Kukës) dhe u mirëprit nga lexuesit e interesuar. Në vijim të kësaj pune, më 2002, botoi librin “Kukësi në sofrën e arsimit kombëtar”. Më tej publikoi librat “Pesha e përfaqësimit” dhe “Halilagët e Lumës”, ku ka bërë jetëshkrimin e disa deputetëve të krahinës, përfaqësues të popullit në organin më të lartë ligjëvenës dhe të patriotëve, që nuk kursyen asgjë për atdheun. Ndërsa në vitin 2006 botoi “Në kujtesën e historisë” dhe libri i tij i kohëve të fundit është “Mozaik shkrimesh”(me histori, esse, refleksione e vlerësime).
    Siç vërehet lehtë, tematika kryesore e shkrimeve të  studiuesit Isa Halilaj dhe që janë botuar në këta libra, është arsimi shqip dhe shkolla jonë kombëtare. Në to flitet për udhën e vështirë të hapjes e funksionimit të mjaft nga këto shkolla dhe për ndihmesën e pakursyer të sa e sa mësuesve atdhetarë që t’i aftësonin per jetën dhe t’i edukonin sa më mirë breza të tërë nxënësish. Por një vend qendror i ka kushtuar dhe  përkushtimit ndaj shkollës të prindërve e të gjithë popullit tonë arsimdashës. Mjaft domethënëse janë fjalët e një mësuesi, në përurimin e librit të tij të parë: “Kur flitet për një shkollë,  sigurisht nuk mund të mungojë  mësuesi. Shumë portrete kalojnë në faqet e librit. Nderim për ta! Autori arrin të shfaqë natyrshëm e në pak radhë sintetike CV-në e një pjese të madhe. Ndërmjet tyre, disa nuk jetonë, po qindra janë ata që kujtesa e komunitetit i ka fiksuar si kontribues të mësimit amtar, të sjelljes e kulturës kombëtare e qytetare. Portreti i tyre, dhënë ashtu thjeshtë, qoftë edhe përmendja e emrit, është mirënjohje për punën e vështirë të edukatorit”.
    
    Pa përshkruar tërë vlerat e botimeve të këtij autori, po ndalemi shkurt në përmbajtjen e dy librave të tij, që kanë dalë në qarkullim kohët e fundit. I pari  mban titullin “Mozaik shkrimesh”. Siç kuptohet, autori ka riprodhuar disa shkrime të tij, botuar ndër vite, sidomos me tematikë arsimin dhe jetën shkollore. Ndër të tjera, aty lexuesi njihet me vlerësimet për libra të botuar nga disa autorë, kryesisht mësues, si dr. Shefqet Hoxha, Zenulla Bala, Sali Ajazi etj. Autori nuk ka lënë jashtë vëmendjes as figurat e njohura të arsimit e të shkollës shqipe, sidomos nga qarku i Kukësit. Për disa nga ata ai bën jetëshkrime të frymëzuara, si për  Rakip Domin, Xhemali Brahën, Sami Ferizin, Halit Cahanin, Gjon Kolën, Naim Manajn e të tjerë. Paraqesin interes edhe vlerësimet e bëra nga autorë të ndryshëm për librat e autorit I.Halilaj.
    Libri “Historia në historiografi” (ribotim, pjesërisht i polotësuar, i librit të mëparshëm, “Në kujtesën e historisë”)  trajton një mendim thelbësor të tij se: “Historia i ka dashur dhe i don shqiptarët të bashkuar.  Vetëm bashkimi sjell liri e përparim”. Në zbërthim të kësaj ideje, për të plotësuar sidomos kërkesat e studentëve të degës së historisë, ai ndalet posaçërisht në termat “histori” e “historiografi” dhe në vlerësimin e njohur se “Historia është mësuese e jetës”. Duke trajtuar  fakte e argumente të ndryshme, autori nënvizon:
“Sidoqftë, në trajtesën tonë, bazuar edhe në “shqetësimet”  aktuale, theksohet se, pikërisht nga kjo, duhet që historia të rishkruhet, pa mohuar apo shtrembëruar atë që është bërë drejt, duke bërë edhe rregullime e plotësime thelbësore të nevojshme, jashtë pasioneve politike, mbi bazën e prurjeve të reja arkivore e atyre nga historiografia botërore”.
Pra, në tërësi, autori i këtij libri përfshihet në debatin tashmë të njohur të kohës për çështjen e mësipërme dhe mban qëndrimin e tij.
Pa u zgjatur dhe duke i vështruar në përgjithësi botimet e mësuesit veteran Isa Halilaj, nxjerrim përfundimin se ai ka bërë një punë sistematike, voluminoze  e serioze, duke u dhënë në dorë lexuesve libra me vlera të shumanshme. Veprimtaria e tij kërkimore, studimore e botuese është një shembull tjetër i lavdërushëm, në vijim të punës së palodhur të mjaft mësuesve tanë në të katër anët e vendit tonë. Mendoj se ky përkushtim i tyre jo vetëm që duhet përshëndetur e përgëzuar, por dhe kërkohet përkrahje e mbështetje më e madhe nga të gjithë të interesuarit e botimeve tona.
Përsëri, në këto ditë të fundvitit 2009, po të hyshë në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare, do ta gjeshë këtë hulumtues e studiues, duke shfletuar gazeta, revista e libra të ndryshëm. I qetë, fjalëpakë e modest, korrekt e dashamirë me të gjithë. Shpesh atë e takojnë dhe e respektojnë ish-kolegë e ish-nxënës. Ata i shprehin mirënjohjen për vitet e shkuara të punës si arsimtar, por dhe për të sotmen, si intelektual e botues prodhimtar.
Isaja e ka vetë përvojën e jetës dhe është një “arkiv” më vete për disa tema studimi e botimi. Megjithatë, konsultimin me literaturën përkatëse e ka domosdoshmëri e përvojë pune. Po kështu, aty takon kolegë studiues dhe botues të fushave të ndryshme të shkencës albanologjike dhe me ta shkëmben mendime e përvojën e duhur. Pastaj shkruan e shkruan dhe fryt i tërë kësaj pune sistematike e të lodhëshme, është kënaqësia e botimit të një libri të ri.
Vitet do të rrjedhin dhe përsëri do të shohim të publikuar libra nga mendja e dora e tij. Sigurishjt, ato do të lenë gjurmë të pashlyera jo vetem te lexuesit e sotëm, por dhe te brezat që do të vijnë. Nga faqet e këtyre botimeve  serioze e me përmbajtje interesante, ata do të mësojnë e njohin faqe të udhës, nëpër të cilën ka kaluar arsimi dhe kultura jonë kombëtare.
    Në mbyllje të këtyre pak radhëve, i urojmë këtij autori të përkushtruar  botime të tjera sa më të pëlqyera nga lexuesit tanë, me këto fjalë zemre: “Të lumtë mendja e dora, Isa Halilaj!”



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora