E diele, 04.05.2025, 06:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Bujar Ferhati: Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin Vangjush Saro

E merkure, 02.12.2009, 08:04 PM


Intervista

E vërteta shpesh është “memece”…

Me shkrimtarin dhe publicistin Vangjush SARO

Nga Bujar FERHATI

B.Ferhati: Z.Saro, prej shumë kohësh sillni kontributin tuaj në publicistikë dhe në letërsi; (sidomos në letërsinë humoristike e për fëmijë). Çfarë i bashkon ato, së paku në përvojën tuaj?

V.Saro: I bashkojnë shumë gjëra. Më së pari, i bashkon fjala; që është një gjë aq e çmuar, por me të cilën abuzohet. Në gazetari, abuzohet duke bërë “militantin” apo duke “pastruar” politikanët që janë në hall. Në humor, duke i besuar më shumë banaliteteve e batudave të rrugës, se sa karaktereve dhe mesazheve. Për fat të keq, ky abuzim ndodh edhe në letërsinë për fëmijë. Ka libra që nuk thonë asgjë, që janë madje edhe të mërzitshëm e të lodhshëm. Këtë gjë, e konstatojnë sakaq lexuesit, por është mirë ta pikasin me ndershmëri edhe ata që kanë në dorë të bëjnë vlerësime.
Së dyti, midis publicistikës e letërsisë ka ngjashmëri e të përbashkëta edhe sa i takon tematikave dhe shqetësimeve, paçka se në publicistikë gjërat janë “Një dhe një bëjnë dy”, që do të thotë se në plan të parë janë zhvillimet konkrete, faktet, dokumentet, shifrat; kurse në letërsi, përbën përparësi përvoja njerëzore, fatet vetiake, që sillen përmes figurave artistike dhe kërkimit artistik. Ndërkohë, një nga problemet e mëdha që qëndron midis tyre dhe “në qafë të krijuesit”, është gjuha. Duhet shumë durim dhe qendrueshmëri, që gjuha mediatike të mos e trazojë letërsinë artistike që merr përsipër të bësh. Nëse vijmë pastaj në truallin e letërsisë për fëmijë, puna vështirësohet edhe më shumë.
Ka që mendojnë se kjo letërsi është e lehtë; ky mendim është i lehtë...

B.Ferhati: Si shkrimtar dhe si gazetar, patjetër që jeni i ndjeshëm në lidhje me “tablonë” në të cilën bëhet edukimi i fëmijëve. Sipas mendimit tuaj, në ç’raport është shoqëria e sotme me fëmijët?   

V.Saro: Pyetje me vend, por që do të kërkonte një shpjegim të gjatë. Me dy fjalë, përparimi i gjithanshëm i shoqërisë shqiptare reflekton në rritjen e kërkesave për jetën edhe nga ana e fëmijëve. Kam parasysh lëvizjen e lirë, internetin, botimet e shumëllojta, lirinë në përgjithësi. Megjithatë, ka njëlloj amullie, kundër së cilës jam shprehur edhe më parë. Mendoj se iu kemi shumë “borxhe” fëmijëve të sotëm. I kemi lënë pa sheshe lojërash, pa teatër, pa qendra edukimi, thjesht pa fëmijëri. Mandej, i kemi tubuar deri edhe për mitingje politike, por i kemi privuar nga kujdesi edukativ minimal. Duhet të “riformatojmë” qëndrimin tonë ndaj tyre: me financime, me presion ndaj administratës, me koordinim të punës midis arsimit dhe OJF-ve, etj.
Edhe letërsia dhe arti në tërësi, mund të jenë më të vëmendshëm në këtë temë. “Kripëmjaltëzat” është një nga ngjarjet e rralla e të pakta, që synon të promovojë talentet dhe të sjellë spektakël. Disa vlera sjell edhe “Gjeniu i vogël” apo ndonjë show tjetër, për çka kam edhe disa rezerva, kur fillojnë e këndojnë fëmijët këngë që në fakt janë lektisje dashurie. Kam shkruar te e përditshmja “Metropol” në lidhje me këtë temë. Kam thënë se njerëzit e kulturës, madje edhe mësuesit, kanë dëgjuar për Zecchino d'Oro-n. Është një festival ndërkombëtar i këngës për fëmijë; zhvillohet çdo vit, duke filluar nga viti 1959. (Edicionet e tij të para janë zhvilluar në Milano, për t’u zhvendosur më vonë në Bolonjë.) Është i njohur Kori i Fëmijëve i këtij festivali, që këndojnë me aq pasion. Por ndërkohë të bëjnë përshtypje edhe dy gjëra të tjera. E para, tematika e këngëve është tërësisht për fëmijët dhe s’ka se si ndryshe. Larmia e botës fëminore është e padiskutueshme, që do të thotë se në jetën e tyre ka vend për natyrën, për shkollën, për prindërit, për gjyshërit, deri edhe për motivet filozofike, por të dhëna natyrshëm, siç ishte rasti i një kënge të titulluar “Hija ime”, që e kemi dëgjuar në edicionin e këtyre ditëve. Por kjo do të thotë se ai festival mbështetet mbi një letërsi të pasur dhe të vlerësuar, fëmijët nuk këndojnë historira dashurie e tradhëti.
Së dyti, nuk ka teprime në Zecchino d'Oro; fëmijët vajza e djem, vishen shumë thjesht, nuk duket se bëjnë tualet, sillen në mënyrë të përmbajtur dhe të japin të kuptosh që po i gëzohen moshës së tyre, janë të çlirët e të gëzuar, pa paragjykime, pa bojra. A mos vallë italianët janë më të varfër dhe më të paditur se ne? Natyrisht që jo, por ka disa parime e kërkesa edukimi e shkollimi, me të cilat nuk mund të bëhet shaka, sepse sa na takon neve, po rrezikojmë shumë. Fëmijët do të kenë kohë të përjetojnë e të këndojnë dashuri e tradhti, të modelohen e të pispillosen; gëzimet, naivitetin dhe sinqeritetin e kësaj moshe nuk kanë ku e gjejnë më. Por këto duket se pak i shqetësojnë organizatorët e disa veprimtarive apo edhe prindërve “të marrosur” pas fëmijëve të tyre; kështu, në plan të parë vjen buja, tekat, ambicja e sëmurë për të fituar e për të rënë në sy. Pra, nga njëra anë kemi mungesën e mjediseve sportive e kulturore dhe nga ana tjetër, llastimin e skajshëm dhe konfondimin e fëmijëve me sjelljet dhe tekat e atyre (gjoja) këngëtareve që s’bëjnë gjë tjetër veçse zbulojnë hiret. Punët nuk i kemi edhe aq mbroth.
Ani. Kam shkruar gjithashtu se na duhet një teatër për të vegjëlit; (duke analizuar dramën për fëmijë “Kaçubeti” të shkrimtarit Flamur Buçpapaj). Me këtë rast, kam përmendur një sërë autorësh e vepra për fëmijë, që mund të dramatizohen e të vihen në skenë. Mirëpo përballë shumë përpjekjeve për të krijuar letërsi e show, shoqëria shqiptare dhe institucionet kulturore janë pothuajse po ato të para 20 viteve. Kemi një teatër kukullash në hije, edhe pse kryeqyteti është katërfishuar; nuk ka financime dhe as kujdes e ide për ndonjë teatër alternativ. Mjaft që ndërtojmë vend e pa vend pallate dhe iu blejmë fëmijëve patatina e celularë dhe në rregull jemi…Jo, nuk mund të them se e kemi bërë si duhet detyrën ndaj të vegjëlve.

B.Ferhati: A vlerësohet kontributi i shkrimtarëve për fëmijë?

V.Saro: Mendoj se vlerësohet pak. Deri edhe një çmim që jepej nga Ministria e Kulturës, e hoqën, duke u justifikuar me marrëzinë se “nuk ka libra me vlerë për fëmijë…” Këtyre profanëve po iu them se e vërteta shpesh është “memece”. Të mos bëjnë pra, lojëra, me djersën dhe ndijesitë e krijuesve të cilësdo fushë. Nuk është e kollajshme të ndash vlerën nga mediokriteti; por jo e pamundur. Sot shumë shkruhet, pak lexohet. Dhe shikoni ç’ndodh. Shumë njerëz, e pra mes tyre edhe nëpunës e shkrimtarë, marrin pozat e Zeusit edhe premtojnë të vënë pikën mbi i. Kështu, ka dalë së fundmi një “profesion” i ri, ai i mohuesit të gjithçkaje, ai i snobit që merr përsipër të shpërfillë ç’t’i dalë përpara.
Ka dy probleme: E para, nuk e ndjekin dhe nuk e njohin letërsinë për fëmijë; kësisoj, po perifrazoj Balzakun, “nuk e vlerësojnë shekullin dhe kjo i inkurajon të mos e njohin atë”. E dyta: Nganjëherë, letërsia për fëmijë “kërkohet” vetëm tek ujku e dhelpra, ja po themi edhe te ai libri i njohur me derrkucë…Mendoj se ata që e përceptojnë këso letërsinë për fëmijë, kanë mbetur prapa. Problemi është të mos mbeten prapa edhe vetë fëmijët. Gjithsesi, është e dhimbshme të mendosh sa pak inkurajohet kjo letërsi; dhe sa shumë paragjykohet. Kam lexuar njëherë një prind - analist, që shkruante diku për letërsinë për fëmijë dhe rrëfente se si fëmijëve të tij iu rekomandonte të lexonin “Harry Poter”. Do ta mirëkuptoja, madje do ta nxisja çdo prind të vepronte në këtë mënyrë; por druaj se disa e bëjnë  për t’u dukur, për modë. Dhe kështu, nuk ndreqim shumë duke shkuar symbyllazi te titulli më i fundit, pa u këshilluar më parë ose ndërkaq edhe me Andersenin, me Tuenin, De Amiçizin, Kolodin, Molnarin, etj. Pse jo, edhe me letërsinë më të mirë shqiptare për fëmijë e të rinj. Një pjesë e shkrimtarëve të kësaj gjinie, janë mjaft krenarë për t’iu lutur çmimefabrikuesve dhe drejtorive arsimore për inkurajim a lehtësira. Dhe siç thotë një personazh i Graham Grin-it, skrupujt kushtojnë shtrenjtë. (“Komedianët”)
Po e përsëris, shtegu që zgjedhin rëndom snobët, keqdashësit e letërsisë për fëmijë, është ai më i ngushti. Përkohësisht duket se diku të çon. Më tej, rruga humbet në pyllin e pikëpyetjeve dhe të dyshimeve; që janë bërë ca si tepër. Në fakt, letërsia zhvillohet pavarësisht dhe jashtë keqdashjes së kujtdo.
 
B.Ferhati: Ka një shoqatë të shkrimtarëve për fëmijë, siç dihet. A përpiqet ajo ta “zbusë” disi këtë situatë të ngopur me paragjykime?

V.Saro: Sigurisht. Shoqata Mbarëkombëtare e Letërsisë për Fëmijë dhe të Rinj, të cilën tani e drejton shkrimtari dhe kritiku i njohur Pandeli Koçi, po luan një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave të letërsisë për fëmijë e të rinj dhe të kërkesave legjitime të shkrimtarëve të kësaj gjinie. Ka një sërë përpjekjesh për të vendosur raporte më të drejta midis shkrimtarëve dhe institucioneve; këto të fundit, shpeshherë veprojnë sipas shijeve dhe njohjeve vetiake. Nga ana tjetër, në media, po kërkohet gjithnjë më shumë “zëri” i shkrimtarëve për fëmijë. Ka më shumë intervista dhe prononcime për ecurinë e kësaj letërsie, për vlerat që duhen përzgjedhur më mirë; shpeshherë ato përbalten nga matrapaz-shkrimtarët që bredhin me thasë nëpër shkolla.
Ndërkaq, në planet e shoqatës, është edhe botimi i dy antologjive me letërsi të zgjedhur për fëmijë e të rinj, njëra në prozë dhe tjetra në poezi. Në to, do të përfshihen edhe autorë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, e përgjithësisht diaspora. Po projektohen gjithashtu konkurse për letërsinë për fëmijë, diskutime krijuese për libra për fëmijë, mendohet të ringjallet tradita e takimeve me lexuesit e vegjël në shkolla, etj. Herë pas here, shoqata ka bërë apel për më shumë vëmendje nga ana e administratës, e cila duhet të respektojë më shumë edhe shkrimtarët, edhe shoqatën e tyre, që i shërben edhe ajo termit integrim.

B.Ferhati: Dëshironi të shtoni diçka...  

V.Saro: Po. Së pari, do të kërkoja edhe nga kolegët të shpreheshin më shumë në këto tema, sidomos për sa i takon vlerësimeve reale për letërsinë. Shumë shkrimtarë e bëjnë si struci, ndërkohë që letërsia në përgjithësi anatemohet, kurse letërsia dhe shkrimtarët për fëmijë denigrohen. Më tej, edhe si nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj, do të kërkoja publikisht nga Ministria e Kulturës dhe nga Ministria e Arsimit, të mos e nënvleftësojnë partneritetin me organizmin që siç e zura goje më lart, përfaqëson interesa të gjera.

Ju falemnderit!


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx