E hene, 07.10.2024, 08:40 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Paja e nusërisë dhe protesta e luleve...!

E marte, 01.12.2009, 08:55 PM


SH P Ë R P U TH J E

Sejdi BERISHA:

PAJA E NUSËRISË DHE PROTESTA E LULEVE...!

Luftërat gjithmonë kanë shkaktuar dhembje, por edhe e kanë ngarkuar historinë me ngjarje trishtuese, me trillime e gënjeshtra, të cilat krijojnë larushi rrëfimesh, që disa harrohen, disa shënohen e disa shtrembërohen, dhe kështu, ato shpeshherë përforcojnë rrugëtimin e çuditshëm mbase edhe të lumtur të jetës! Njerëzit, në situata çfarëdo qofshin ato, ata jetojnë duke organizuar jetën me ëndrrën e lumturisë, e cila ndodhë që të gjenerojë tradhti ose këtë ta përforcojë me sekuenca të fshehtësive shpirtërore. Pra, njerëzit edhe organizojnë edhe bëjnë gazmende e dasma, të cilat e kanë historinë dhe rrëfimin e tyre, pa marrë parasysh peshën dhe koston, për të cilat, në situata të caktuara, njeriu nuk pyetet fare.

1.
Më rrëfen tregimin për luftën, njeriu i cili në atë kohë, nga detyra e profesorit ishte detyruar të kalojë në një profesion shitësi të zejes së panjohur dhe pa fije talenti për te. Por, e kishte shpëtuar bashkëshortja, e cila ia kishte propozuar punën e qëndisjes dhe të përgatitjes të pajës për nuse. Kështu ishin futur në këtë “zanat”, që profesorit i kishte shkaktuar shumë dhembje e peripeci. Kohë lufte, më! Por, për çfarë është fjala. Ai, duke u përpjekur që ngjarjen të ma ofrojë sa më afër dhe për t’i dhënë vule përjetimit, ndalë frymën për një çast, apo, lotët që ia turbulluan sytë, ia imponuan këtë “dhuratë“.
-Në atë gjendje ankthi, në dyqanin tonë, hynë disa myshterinj. Ishin të një familje, nga fshati, dhe atë, me siguri nga ndonjë fshat Drenice. Kishin sjellë pajën e nuses së djalit për t’ia qëndisur, për t’ia gavruar kokërr më kokërr, me maje gjilpëre. -vazhdon rrëfimin profesori i “vjetruar”, por gjithnjë me ndërprerje fryme duke pasur kujdes që të mos e tradhtojë dridhja e buzëve.
-Burri dhe gruaja që kishin ardhur për ta goditur pajën e nuses, fare nuk e bën mall çmimin për punën që do të bëhej, por thanë vetëm lë të bëhet mirë, sepse, e kishin vetëm një djalë hasreti, nusja e të cilit do ta gëzonte “çejzin” e nusërisë.
Kështu, pasi u morëm vesh për çmimin, e lanë materialin dhe paraprakisht paguan paratë e hakut të punës që do të kryhej, dhe ikën... Sërish, profesori u ndal për të mbledhur fuqinë që ta mbarojë tregimin e tij.
-Dhe, plasi lufta... u dogj Çarshia,... u dogjën pothuaj të gjitha dyqanet. Edhe dyqani ynë e kishte pasur këtë fat, por, pakëz, një kënd kishte shpëtuar ende pa u djegur, pasi që gruaja ime nëpër flakë e kishte nxjerr jashtë një pjesë të mallit. Aty kishte qëlluar edhe paja e asaj nuses, për të cilën kishim respekt për t’ia qëndisur mirë, ashtu si duhet për një nuse. Por, çfarë ndodhi?  E ruajtëm këtë “pajë“ kohë e kohë, dhe, me këmbëngulësi vajta gjurmëve për ta gjetur këtë familje. Për të mos e quar më gjatë, disi ia dola. Ia solla lajmin se “çejzi” i nuses i kishte shpëtuar, dhe se atë mund ta merr kur të dojë,... -pështyma ia ngulfati frymën dhe fjalën. Tani, lotët nuk e përfillen qëndresën e profesorit, por ia përlanë sytë, të cilët, për momentin i ngjanin dy liqeneve të vegjël me ujë kripe.
-Babai i djalit të hasretit ma kishte kthyer “haberin” se djali i tij ishte vrarë në luftë, dhe se më ajo “pajë nusërie” nuk i nevojitet dhe as nuk i intereson...!
Ky ishte ai fundi i rrëfimit të profesorit, i cili në vetvete kishte krijuar një pikturë madhështore për luftën dhe për trimin që kishte rënë për atdhe, dhe aty dikund, në mes të pikturës, e kishte pikatur “pajën e nusërisë” të shndërruar në pritje, në etje dashurie dhe kush e di se në çfarë tjetër.
-“Pajën e nusërisë” ende e ruajmë dhe sikur na mbanë shpresa se një ditë, ajo do të zhvendoset nga piktura e mendjes dhe e zemrës sime dhe do të vendoset në shtëpinë e luftëtarit.
Por, pritja është e çuditshme. Ajo, ta plasë zemrën andej e këndej,... në të gjitha anët, në të gjithë cepat e jetës! Profesori ngeli si pikëpyetja që shëtitë dhe kurrë nuk zë vend, sepse, dhembja,... po, de,... ajo dhemb e dhemb! Pra, dhemb edhe rrëfimi për “pajën e nusërisë” të ushtarit të vrarë. E tërë kjo ta imponon atë mendimin për historinë e pashkruar, për shkrimin i cili duhet të vijë tek të gjithë,... edhe tek Ju...!

2.
Kur isha kalama, por edhe fillorist, e kisha merakun që më mbante për të ecur me gëzim por edhe me krenari. Kur ndonjëherë nëna më thurte çorapë prej leshi, zakonisht, ajo m’i thurte ditën dhe i përfundonte në mbrëmje. Dhe, pikërisht atëherë kur e lutja gjumin për të fjetur, nëna çorapët m’i vente nën jastëk. Por, t’ua them të drejtën, atë natë më ikte gjumi, sepse, të nesërmen “stolisesha” me çorapë të reja. Me çorapë leshi. Gëzohesha edhe unë,... gëzohej edhe nëna ime!
Ndërsa, njëherë, motra ime për afro një muaj thurte diçka me penj me ngjyra. Por, dikur kah fundi, mora vesh se po thurte një xhemper të mirë. Lara-lara! Nga kureshtja e pyeta se për kënd po e bënte atë. Ajo, më shikoi e më shikoi dhe me puthi me loçkë zemre:
-Për ty, o vëlla!
U bëra kinse nuk ndodhte asgjë, edhe pse gëzimi ma trazonte dhe ma çmendte tërë qenien. Tani, mëzi prisja që të “pispillosem” me xhemperin, që të tillë rrallëkush kishte. Dita kur e përfundoi së thururi, motra më tha:
-Ngriti duart lartë! Të shohim se si po të bie xhemperi.
E vesha. Ishte diçka për mrekulli, a! Ama, mrekulli e vërtetë.
-E sheh, sa bukur dukesh! -dhe, sërish më puthi motra. U gëzova, de. Pamasë u gëzova, por edhe më tepër u gëzua motra.
Edhe kësaj radhe, sikurse edhe për çorapë, kjo ndodhi në mbrëmje. Tërë natën nuk e hoqa xhemperin që ma kishte praruar me ato duar të njoma dhe të ëmbla motra ime e dashur. Andaj, edhe sot e kësaj dite e kujtoj xhemperin dhe motrën e cila nuk është më.
Pse e theksova këtë insert jete?! Sepse, kujtimet e tilla edhe sot janë të ngrohta por edhe therëse. Edhe sot thuren çorapë e xhemperë... Edhe kjo është pjesë e jetës, e cila dhembjen e reflekton dhe e rëndon pamëshirshëm. Në një nga TV emisionet tregohen tablo jete dhe pasqyrë shoqërie. Këtu, edhe më “çmendi” xhemperi! Vajza, e cila përpiqej të tregonte se skamja nuk mund ta rrënojë njeriun, pra as atë dhe as familjen e saj, rrëfen se është nxënëse e shkëlqyeshme. Ishte e kujdesshme. Edhe pse e re, shtalb, nuk u durua pa treguar për xhemperin të cilin ia kishte dhuruar mësuesja e saj...
-Ja,... këtë xhemper, ma ka dhuruar mësuesja!
Më besoni. Mu duk se pesha e këtij xhemperi u shndërrua në zjarr që ma digjte edhe mua zemrën. Gjithnjë, sikur ia shihja flakën, e cila përlante edhe vajzushen, edhe tërë familjen,... edhe mua. Ishte përzier hidhërimi dhe gëzimi, por edhe shpresa se kur ta mbarojë shkollimin, ajo do të bëhet e zonja e vetvetes, e dobishme edhe për shoqërinë. Por, duke rrëfyer këtë zjarrmi, lotët i rrëshqasin faqeve të njoma.
-Shumë jam gëzuar për xhemperin që ma ka dhuruar mësuesja, por ky gëzim zgjati vetëm deri në mëngjes... -sërish, sikur një ngërç ia ndali fjalën në fyt.
Gjatë natës, minjtë që këtu janë si anëtarë familje të kësaj vogëlusheje, e kishin “pëlqyer” xhemperin dhe mbi te kishin bërë “dasmë“. Përveç kësaj, të tërin e kishin grisur, e kishin bërë copë e grimë! Kështu e ka jeta; jeta vazhdon, ecën, bëhet e lumtur edhe kur ka hidhërime. Pra, edhe kur minjtë e shtëpisë e “hanë“ xhemperin e vogëlushes, të cilin e kishte dhuratë nga mësuesja. Të nesërmen, edhe pse të brejtur nga minjtë, ajo e kishte veshur vetëm e vetëm që edhe kështu t’i falënderohej mësueses së vet.
Tërë këtë rrëfim ma detyroi brejtësi,... brejtësit,... minjtë,... edhe vajza e cila hapëron drejtë moshës së rinisë, ku atje, me siguri se do ta presin gjëra të bukura e të mira,... marramendëse! Ma detyroi dhe ma kushtëzoi edhe një pikëpyetje e mbërthyer në mendjen time, pa çelës për ta gjetur përgjigjen e saktë. Ndoshta është kështu, sepse, pasaktësia sikur krijon mbretëri të çuditshme! Sa interesant për të kështu,... jo për të shkruar...!

3.
Kisha shkruar këtu e tri vjet më parë për Bekim Fehmiun në esenë “Dhembja Krushiane dhe Bekim Fehmiu...!”, dhe sërish këto ditë lexoj një shkrim të shkurtër për te, të shkruar nga një shkrimtar i moshuar e me temperament të veçantë gjatë tërë jetës së tij, por gjithnjë për ta luftuar të ligën, të keqen. “Ku është Bekim Fehmiu”, me këtë titull të shkrimit të tij ngrit zërin ky shkrimtar për aktorin më pikant shqiptar me përmasa shumëdimensionale ndërkombëtare. Për artistin, i cili kudo që i shkeli këmba dhe kudo që krijoi, la gjurmë dhe briloi, por në të njëjtën kohë edhe kishte presion (shpeshherë) për ta mohuar apo për ta shtrembëruar prejardhjen e tij, kombin e vet. Por ai, gjithnjë mburrej me popullin e vet, me emrin dhe mbiemrin që kishte.
Ky ngacmim për Bekimin, dashtë e pa dashtë të shndërron në “pelegrin” të historisë dhe të vlerave shpirtërore e kulturore. Po ashtu, ky del si një thumb helmues që të tremb trurin dhe mendjen për ekzistencën, për koekzistencën, për ngritjen dhe rrënimin e vlerave dhe të fletëve të historisë, të cilat edhe ashtu janë të holla dhe sikur mbesin të mbyllura. Dhe, si të tilla e të palosura, pak i servojmë në hapësirën e universit dhe të botës, të cilës i mungojnë shënimet për ne, për trungun e njeriut tonë. Mos besoni për këtë, por, megjithatë vërtetojuni...
Ku është Bekim Fehmiu?! Ku është ky njeri me të cilin mburret tërë kinematografia botërore, tërë arti skenik. E, si duket, më pak ne!. Kjo është ironi kohe?! Jo, more. Kjo është ironia jonë.
Bekimi, thonë se na qenka mendjemadh?!! Kush e thotë këtë? Mendjemadhësinë e tij duhet pasur mend për ta kuptuar. Sa madhështore është ajo, sepse, ka bagazhin e lartësive artistike, të cilat ky artist bote i ka arritur, treguar e dëshmuar me realizime e kreacione në projektet kinematografike më prestigjioze dhe më kapitale anë e kënd botës. Kjo është mendjemadhësia e Bekim Fehmiut, të cilën, nëse e shprushim, do shohim e do të vërejmë pasqyrën e boshllëkut tonë kulturor dhe të defekteve, për të cilat, ai mllefin e vet e ka mbyllur me siguri thellë në vetveten e vet. Do të shohim qortimin për mungesën e gatishmërisë për ta respektuar vetveten tonë. Se a është kështu, na vret mendjen dhe na troket si papërgjegjësi apo dembeli intelektuale mbase edhe akademike shkrimi se Bekim Fehmiu nuk na qenka artist shqiptar! Kjo vjen po nga po ato mjedise prej nga ka dalë edhe enciklopedia (e Maqedonisë), ku shkruhet se shqiptarët atje kanë ardhur pasi na paskan zbritur nga malet.
Pra, kjo është ajo kambana që oshtinë për veshët dhe mendjen. Por,... ndodh që gjuhën e kambanave nuk e kuptojmë ende drejtë, por vetëm si zhurmë që t’i shurdhon shqisat e të dëgjuarit dhe kujtesën. Hë,... për kë bien kambana,... ajo, për kë rrah thumbin e vet?! Athua, vetëm zhurmon dhe lëshon zë pa lidhje. A duhet kapur zërin e kambanave, apo, jo...!

4.

Gjithnjë në vazhdën e kësaj ecjeje lakadredh. Ka disa ditë që kisha takuar një mik timin, një njeri me shpirt e trup i përkushtuar kulturës, një muzikant, një njeri i cili me këmbëngulësinë e vet ka shëtitur dhe ka pushtuar majat më të larta të bjeshkëve të botës. E pyes për shëndetin dhe punën. Ai loz kokën dhe si gjithnjë tani e tridhjetë vjet e përsëritë atë shprehjen e tij të lezeçme e me plot injorancë, metaforë e ironi:
-Po të tregoj pa fije dallavere,... tani nuk jam askund!
Po, si askund?! -i them
-Po, me punë, de! Nuk jam askund në defter...
-Ani, de. Kryesore, je në Kosovë e jo askund. -i thash për ta provokuar për t’mi thënë edhe disa fjalë. Por, ai si me “hakmarrje” më pyeti:
-E, ti ku je?...
-Unë, jam gjithkund....! -ia drodha dhe qesha.
-Eh, kjo që ma the,... edhe kjo është pa fije dallavere, more shkrimtari im, more shkrimtari i popullit tim. Po, po. Se,... edhe ti nuk je kurrkund,... a, po?!
I bishtnova përgjigjes dhe e pyes se me muzikë si i ka punët. Sërish lëvizi kokën, por tani me një dozë hidhërimi:
-Do bëhet mirë.... -u përshëndetem duke u përqafuar përmallshëm. Nuk e di pse? Sikur të mos shiheshim më!
Më iku ky mik, si të mos ishim takuar fare. Ai, dikur, në vitet e nëntëdhjeta të shekullit kaluar, në kafiterinë e tij “039”, gjithnjë dhe për çdo ditë më ka respektuar me nga një gotë çaj apo me kafe, pa asnjë cent. Njeriu i cili atë botë ma dinte hallin,...ua dinte hallin njerëzve që në atë kohë me dhunë ishin dëbuar nga puna. Pas këtij takimi me këtë mik, më përftuan rrugëtimet dhe ekspeditat e këtij njeriu, i cili kishte pushtuar majat më të larta në Amerikën Latine, në Azinë e Largët dhe në shumë vende të Evropës. Ai, prej atje, përveç që sjellke materiale dhe reportazhe me vlerë dhe kolorite të vlerave kulturore, në zenitin e këtyre kreshtave përrallore të botës, ngrinte flamurin kombëtar, i cili pastaj valonte duke përhapur shumë mesazhe dhe njëherësh mbetej pjesë e historisë së këtyre vendeve. Ky njeri, i cili në qytetet më karakteristike të botës reklamonte prodhimet e Kosovës. Dhe, ja... edhe ky rrëfim për mikun tim është pa fije dallavere. Është e vërtetë, nëse më kuptoni kështu,... nëse jo, atëherë, është e vërtetë edhe nëse më kuptoni ndryshe dhe nëse e komentoni lirshëm, me mendjen dhe përkushtimin tuaj...!

5.
Njëri më tregon vakinë se si në kopshtin e tij me lule, nuk ka lumturi! U habita. Për këtë edhe e pyeta se si bën ashtu.
-Po, sa me përkushtim i kultivoj lulet, kurse ato sikur kanë zënë inat dhe dot nuk përparojnë. Qëndrojnë si të vyshkura dhe kështu më bëhet se reflektojnë dhembje apo pezmatim. Lulet nuk duhet të shoqërohen me dhembjen. Ku ta di?! -më tha me një dozë mërzie.
Duke buzëqeshur, i thash se kjo që thua, disi më duket si muhalife. Por, ai këmbënguli dhe gjithnjë tentonte të më bindte për këtë fenomen të tij.
-Më ka përftuar diçka në ëndërr, por ishte mjegulli dhe nuk e deshifroja dot këtë; një lule mu afrua me qortim dhe plot hidhërim:
-Kjo është protesta jonë,... a kupton?!
-Po, pse protestë? -ia ktheva lules.
-Sepse, ka sa shekuj e vite, periudha e etapa, situata e situata që me ne bëni nderë e dhurata për gjithkënd. Ne, jemi lule, pse na keqpërdorni...?!
Hapa gojë, sy e vesh. U nemita.
-Na vëni edhe mbi varret e njerëzve pa emër,... na bëni dhuratë dasmash e gazmendesh,... na vëni në duart e mikut dhe të armikut,... edhe mbi varrin e djallit na lëni peng!
Unë, prapë heshta.
-Po, pra. Për këtë dhe për shumë arsye të tjera protestojmë.
Ngrita duart lartë dhe, edhe unë thash por pa vetëdije:
-Protesta e luleve,... si bën,... protesta e luleve...!
Duke e përjetuar thellë këtë mesazh, si befas mu duk se dëgjova zërin e një plaku:
-Eh, edhe në këtë kohë duhet pasur kujdes, se kafshatën e bukës ta grabisin, jo nga sofra, por edhe nga goja!
U habita. Këtë mesele e kisha dëgjuar edhe para pesëdhjetë vjetësh. Kurse, protesta e luleve, çfarë lidhje ka me kafshatën e bukës?! Le të më bind dikush për këtë...!


(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora