E enjte, 24.07.2025, 09:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Kozeta Zavalani: Dashuria ime me mjekun Gjergj Zavalani ka qenë e vështirë për kohën

E diele, 29.11.2009, 07:15 PM


Flet në “Telegraf”, Kozeta Zavalani, ish-folëse e TVSH dhe radio Korça, publiciste, gazetare, fituese e disa çmimeve në aktivitete ndërkombëtare

Dashuria ime me mjekun Gjergj Zavalani ka qenë e vështirë për kohën

Nga Albert Zholi

Një grua e qeshur, e qetë, e dashur, aktive, gjithmonë në lëvizje. E sheh kudo dhe gjithmonë me libra në duar. Thuajse i ka provuar të gjitha llojet e mediave të shkruara dhe ato elektronike. Jeta e saj si gazetare filloi në Korçë dhe vazhdoi në RTSH, një udhëtim i këndshëm që i dha asaj sadisfaksion dhe emocione të rralla. Dhe pse ka mbaruar për Ekonomi, hobi dhe gëzimi i saj mbetet gazetaria. Kur bisedon me të, ngelesh paksa i habitur me çiltërinë, por dhe sigurinë e fjalës. Jeta e saj të ngjan me një libër poetik, ku poezia më e bukur i përket momentit të dashurisë. Sa bukur flet ajo për dashurinë. Plot ndjenjë, ashtu siç dinë të flasin poetët. Në këtë intervistë ajo përcjell emocionet e para në Radio Korça, për ta ndalur rrugëtimin e bukur fonik në Radio Tirana.

Ju për një kohë të gjatë ishit folëse në Televizionin Shqiptar, kush ju zbuloi si talent në këtë rrugë magjike siç është ekrani?

Periudha e punës në TVSH zë një vend të rëndësishëm në jetën time. Por aty nuk u gjenda rastësisht. Ka qenë një investim i gjatë, i filluar vite përpara. Kur isha studente, të gjithë më thoshin që kisha ngatërruar adresë për zgjedhjen e Fakultetit. E vërtetë, por unë i përkas brezit kur në kërkesën e studimit shkruanim së pari; ku të ketë nevojë atdheu dhe pastaj degën ku dëshironim. Dy të tjerat unë i kisha vënë Gazetari, por për fat të keq atëherë ishte mbyllur dega e gazetarisë. Unë gazetarinë e kam bërë kurs pasuniversitar. Pa u zgjatur midis miqve qe më thoshin se kisha gabuar fakultet ishte edhe regjisori korçar Jani Tane. Ka qenë pikërisht ai që më ftoi në ekranin e TVSH për "Fjala artistike ne ekran", ku unë recitova një poezi timen kushtuar nënës, madje u nderova edhe me çmim. Ishte ky hapi i parë që më bëri të vazhdoja bashkëpunimin me redaksinë e kulturës. Kemi bërë emisione mjaft të bukura së bashku me redaktorin Fatmir Alimani dhe më vonë edhe më redaksinë e fëmijëve me redaktor Ilir Kordoni. Kështu vazhdova të bashkëpunoj edhe në Radio -Tirana, fillimisht me redaksinë e kulturës dhe pastaj tek Radio Tirana për Bashkatdhetarët, njëkohësisht edhe me redaksinë e informacionit me lajmet ne TVSH.

Sot do të doje të punoje më shumë në radio apo në televizion?

Unë kam qenë dhe jam e dashuruar me median, elektronike e vizive, paçka se tani jam bërë një skllave e medias së shkruar, ndaj do të më pëlqente të punoja kudo. Të them të vërtetën më ka marrë malli të firmos në një bordero; i’a kam harruar aromën dhe shijen parasë që të japin të tjerët, pasi ka vite që mundësitë financiare i kam siguruar vetë, nëpërmjet shoqërisë civile, që është një proces shumë i lodhshëm dhe stresant. Me që më pyetët, do doja shumë t’i rikthehesha dashurisë së parë; radios.

 Ju keni mbaruar Fakultetin Ekonomik, ju ka ndihmuar kjo degë në rrugën e gazetarisë dhe si?

Thonë që një ekonomist mund të bëhet një gazetar i mirë, por jo e kundërta. Nuk e di nëse ka ndonjë përjashtim. Megjithëse personalisht nuk i’a kam ndjerë shumë nevojën, pasi me gazetarinë jam marrë para Fakultetit Ekonomik dhe pas kursit të gazetarisë (pas universitar). Gjithsesi kur bëhej fjalë për reportazhe me karakter ekonomik, jam ndjerë më e sigurt dhe shkrimi ka ecur shume lehtë.

Jeni ndjerë më mirë në Radio Korça, apo në Radio Tirana në emisionin për bashkatdhetarët dhe pse?

Korça, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin tim të përgjithshëm, duke më pasuruar shpirtin, jo vetëm radioja, por edhe kalldrëmet, blirët e jargavanët, të ndërthurura  më serenatat e pavdekshme. Por Tirana i dimensionoi ato, duke u pasuruar nëpër mrekullitë e botës, që kam pasur fatin t’i shoh, t’i prek e t’i ndjej. Përsa i takon punës nëpër këto radio, më duket sikur kudo jam ndjerë mirë, pasi i ndërtoj në mënyrë të tillë raportet në punë, sa gjithmonë e kudo i kam bërë vend vetes, me punë, mirësi e profesionalizëm. Nëse unë nuk kënaqem nga puna ime, atëherë unë nuk kënaqem nga jeta. Puna që nuk më sjell kënaqësi, është e pa perceptueshme për mua. …..

A mendoni se femrat në televizione janë më xheloze se meshkujt ?

Jo, nuk do të bëja një ndarje të tillë, por në se ekziston xhelozia, ajo sigurisht është më e fortë dhe më e egër brenda llojit të gjinisë.

Ju jeni dhe krijuese, autore e disa librave dhe qindra shkrimeve. Si krijuese dhe si aktiviste e gruas mund të na thoni disa nga titujt që keni marrë?

Do të thoja se kur punon mirë; kur çdo punë e vlerëson në maksimum, e gatuan me dashuri, vlerësohesh gjithmonë e shpërblehesh me dashuri. Ndaj vlerësimet më kanë shoqëruar gjithmonë; duke filluar nga revistat" Fatosi" e "Pionieri" deri tek konkurset e fjalës artistike e krijimtarisë letrare ne rang republike. Do te përmendja këtu çmimin e tretë në konkursin letrar-artistik 1979, për poemën "Mirëmëngjes, Baba!" një elegji dhimbje, kushtuar humbjes se tim eti. Duhet të vazhdoj me vitet e fundit me fitimin çmimin e dytë për poezinë"Luledelet e vendlindjes" në Takimin e Poeteshave Shqiptare në Vushtrri dhe së fundi çmimin e parë për një cikël me poezi dhënë me rastin e 15-vjetorit të revistës letraro-artistike "Nositi"... Si veprimtare e gruas kam marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare, që kanë ndikuar jo vetëm  në rritjen profesionale, por i kam përcjellë me synim fuqizimin e shoqërisë shqiptare, të familjeve në përgjithësi dhe të grave në veçanti. Kam takuar gra të veçanta, të ndryshme dhe dinamike anembanë botës, duke ndarë përvojat e duke punuar së bashku për të njëjtin qëllim si me zonjën Hillary Clinton,  Susane Jalbert, apo  Donna Messer, themeluese e drejtuese e "Rrjetit Ndërkombëtar të Grave Komunikuese Aktive" me qendër në Kanada "Connect Us Communications Canada", më shpalli ndër 26 gratë më të shquara të vitit 2007 "Ëomen of the Ëorld 2007". Ishte vërtet kënaqësi pasi isha e vetmja shqiptare midis grave të suksesshme të botës. Si Ambasadore për Paqen, zgjedhur nga Federata e Familjes për Paqen Botërore dua të përmend thënien hyjnore:"Të jetosh për hir të të tjerëve", që është moto e punës sime.

Duke parë pozicionin tuaj, a mendoni se femra shqiptare ka zënë pozicionin e duhur sot në jetë?

Jo! Megjithë arritjet në këtë drejtim ka ende shumë për të bërë. Po përmend politikanin dhe filozofin anglez Xhon Stuart Mill, i cili qysh në vitin 1846 ka thënë: "Duket se gruas i erdhi koha", por çfarë do të thoshte ai po të rronte sot? Sepse ne pas një shekulli më vonë po flasim përsëri se gruas i ka ardhur koha dhe kjo shprehet me arsyen e thjeshtë të 30% të përfshirjes së gruas në kandidim. Më e plotë do të qe kjo po të plotësoj numri i deputeteve gra me 30% në parlament. Fuqizimi i grave nuk është vetëm një objektiv, por është edhe një kusht për ndërtimin e një jete më të mirë sidomos për Shqipërinë, që synon të hyjë në familjen evropiane.

Për ju si poete kush ka më shumë rëndësi libri apo gazetat?

Për mua të dyja janë të rëndësishme, pasi jo vetëm të informojnë dhe të zgjerojnë dritare në horizontin e dijeve, por edhe të zbukurojnë e të ndriçojnë shpirtin e mendjen, të japin liri. Do të përmend një thënie të Remarkut:"Dituria nuk të bën të lumtur, por të jep liri". Megjithatë për mua elitare mbetet gjithmonë libri.

Largimi nga TVSH

Në vitin e çmendur të 1997, kur ishte vendosur shtet rrethimi dhe në Tiranë pas orës 22.00 nuk shihje veçse police, duhet thënë edhe ndonjë gazetar, si unë. Një ndër këto mbrëmje, kur kthehesha nga edicioni i lajmeve kisha marrë me vete edhe djalin e vogël, që ende nuk kishte hyrë në klasën e parë, një plumb i ka fishkëllyet në rrëzë të veshit…edhe mund të ishte vrarë. E tmerruar, të nesërmen kërkova të më zëvendësonin dhe shkova në Greqi, ku janë vëllezërit, për të qenë të sigurt fëmijët, pasi nuk kishin pse të vuanin ata pasojat e çmendurisë…Kur u ktheva fillova bashkëpunimin me një TV privat, ku më lanë hapësirë në emisionin "Gjysmëbota" me gra dhe vajza të suksesshme, që kishin triumfuar mbi vështirësitë, duke lënë gjurmë në jetë. U duk sikur i bëra konkurrencë TVSH dhe nuk me pranuan më, duke më zëvendësuar përgjithmonë. Ndaj kur sheh se nuk e ke më vendin tënd, ndihesh e pavlerësuar dhe natyrisht do të kërkosh një tjetër. Me ka ardhur shumë keq, sepse njëkohësisht të gjitha mediat private furnizoheshin me kontingjente të TVSH-se, por s'ka gjë, unë gjithmonë e kam gjetur rrugën ku të eci.

Dashuria për Kozetën dhe momentet më të bukura saj

Histori të bukur dashurie… Ndoshta mund ta quaj të bukur, pasi thuhet se ku është vështirësia është edhe bukuria. Dashuria ime me mjekun Gjergj Zavalani ka qenë e vështirë për kohën, pasi ne i përkisnim shtresave të ndryshme shoqërore. Jemi njohur qysh në Gjimnazin "Th. Gërmenji" unë në vitin e parë dhe ai maturant. E adhuroja sepse ai përfundoi me të gjitha notat 10-ta, por nuk i’a dhanë "Medaljen e Artë". Ai adhurim pas vitesh u kthye në dashuri, që me zor u finalizua në martesë. Megjithëse vjehrri ka qenë një mësues i nderuar, mua më godisnin me kushëririn e tij, historianin poliglot, shef i seksionit të gjuhës shqipe në BBC, Londër- Tajar Zavalani, aq sa nuk më lejuan më të jepja lajmet në Radio-Korça, porsa ndërrova mbiemrin. Por unë nuk u ligështova; dashuria jonë ishte e fortë dhe e pastër ndaj nuk mund ta njolloste asnjë "njollë biografike". Megjithë presionet për të mos u martuar me të, dashuria jonë triumfoi dhe u rrit e fortë, si ajo lulja në shkëmb, që nuk përkulet nga dallgët e stuhisë. Fati e deshi që të shpërblente dashurinë tonë me dy djem të bukur e të mençur dhe me fitoren e demokracisë, unë t’u rikthehesha lajmeve, tashmë në Tiranë, në TVSH. Këto i quaj si momentet më të bukura. Shumë vajza të emancipuara shpesh janë mbytur nga mediokriteti, xhelozia e idetë kanunore të burrave shqiptarë për ta rrethuar edhe dashurinë,  kur ajo ekzistonte, me mure. Për mua dashuri do të thotë shumë gjëra: Të duash dhe të jesh e dashur, të japësh dashuri, që është një detyrim dhe të marrësh dashuri, që është një privilegj, të mësosh dhe të rritesh, duke krijuar një baraspeshë mes tyre.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx