E hene, 29.04.2024, 07:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Asgjë e bukur...

E shtune, 28.11.2009, 07:48 PM


Suzana Kuqi

Asgjë e bukur...

Kush mendon se mund të gjejë diçka të bukur në këto rreshta, bën mirë të mos i lexojë. Nuk mund të ketë asgjë të bukur ky shkrim, përkundrazi është i gjithi i shëmtuar. Ashtu siç është e shëmtuar dhuna dhe poshtërimi që i bëhet gruas...

Dita kish perënduar me kohë, nënë e bijë qëndronin pa folur. Nëse në dhomë do të mund të hynte një fije dritë, do të shiheshin dy fytyra të lodhura nga ku mendimi ishte arratisur. Nëna ishte pajtuar me faktin se nuk kish mundur t'i mbushte mendjen së bijës që të pranonte rastin për fejesë. Vajza shijonte në qetësi atë pak kohë të fituar derisa në derë të trokiste një rast tjetër. Papritmas, zëri i shtruar e toni i dorëzuar i nënës theu heshtjen.

- C'gjë nuk shkon tek ti Lati?

Ngaqë nuk mori përgjigje, duke mos qenë në gjendje të shquante zemërimin që erdhi duke u rritur e mori rrugë në lotët që rrëmbushën sytë e vajzës, këmbënguli.

- C'gjë nuk shkon?

Vajza kafshoi gjuhën. “Do ta dish nënë, desh kish britur ajo. Ta them unë se ç'gjë nuk shkon! Ai kushëriri yt, ai maskarai... ai që vinte gati ç'do ditë dhe e kishe në vend të vëllait... Ai që ty të vjen keq si u largua... Do ta dish nënë...”

- Thuaji nënës, çfarë të mundon?

Ah, ky zëri lutës i nënës...

- Lermë vetëm nënë! Të lutem!

Nëna doli nga dhoma dhe ajo shpejt u pendua. Në vetmi, në mbrëmje të tilla kur dikush trokiste në derë e kërkonte dorën e saj, errësira nuk ishte më errësirë, më keq. Copëtohej, thërmohej, i hynte në mushkëri, i përzihej me gjakun e i përplasej në tërë skutat e shpirtit duke përmbysur kapakun e sarkofagut. Si një mumje e shëmtuar që papritmas merr jetë, ai ngrihej e merrte formë ndërsa ajo mbërthehej në morsën e ndjesive torturuese.

Ai vinte shpesh atë kohë kur trupi i saj merrte formë. Edhe vetë ishte e befasuar nga ndryshimi i shpejtë që po i ndodhte, gjinjtë e saj që nisnin e spikasnin kryeneçë ndën bluzë, buzët që merrnin formën e gonxhes, ngjyra e syve që vinte e bëhej më e errët e u shtonte shkëlqimin. E vogël kish dëgjuar të thonin se ishte vajzë e bukur, por tani... Pak ndrojtje, pak frikë, pak krenari e habi kur njerëzit kthenin kokën dhe e shihnin me adhurim. Dhe ato fjalë të gjyshes...” u rrite, kujdes se mos na bën ndonjë turp...” Për ç'turp e ka fjalën, qëllonte të pyeste veten.

Pastaj... kish filluar të vinte shpesh ai me vajzën qe e kish pothuaj moshatare me të e këmbëngulte që të bëheshin shoqe të ngushta. Ai shikim që ngjitej poshtë bluzës e fundit të saj kur prindërit nuk e kishin mendjen... Padashur, në pafajësine e saj, pa kuptuar, kish filluar të kërruste supet ndën atë ngjyrë të babëzitëse që merrnin ata sy. Mundohej t'i rrëshqiste asaj puthjeje në faqe që ja jepte sa herë vinte e ikte. Ajo frymë që i stepej një çast mbi faqe kur ndjente aromën e saj e kur dilte mirrte tingullin e ngulçimës. Jo, asaj nuk i pëlqente që ai ta shikonte ashtu. Ta shikonte dhe prekte. Dhe pikë. Ndoshta kish qenë faji i saj, kush e dinte, ndoshta buzëqeshte më shumë se duhej, ndoshta bluza ishte më e ngushtë dhe fundi nuk ishte i gjatë sa duhej, ndryshe ç'kërkonin ata sy që i lëpiheshin këmbëve... Kish shkepur palën e fundeve e të fustaneve për t'i zgjatur sa herë, e po aq herë nëna ja qepte duke i kthyer aty ku kishin qenë duke i thënë se ishte ende fëmijë për t'i mbajtur aq të gjata. Ish munduar t'i shmangej edhe kushërirës. Pafajësi fëmijërore... Dhuratës ju mbushën sytë me lotë kur kujtoi kushërirën e pafaj që nuk kish dashur ta shihte me sy që para saj dite...

................


Asaj dite... Kish ardhur vetëm, pa të bijën. Atë ditë që... babai i saj i sëmurë ishte në spital dhe nëna kish shkuar t'i rrinte pranë. Kish hyrë brenda pa e ftuar dhe kish mbyllur derën. Kërcitja e çelësit në derë e kish alarmuar vajzën. Instiktivisht kish nxituar në kuzhinë, dera e hapur e dhomës së gjumit të prindërve ku pjesën më të madhe e zinte shtrati bashkëshortor befas i kish kallur datën. E kish ndjekur me të shpejtë, e kish kapur përpara se ajo të ish kujtuar të ulërinte. Vajza ishte përpëlitur në shtërngimin e atij krahu dhe asaj dore që i zinte gojën dhe frymën. Dorën tjetër e kish ndjerë tek i rrëshqiste ndënë fustan me makutëri. Buzët e jargët që i lagën faqe, gushë e zbrisnin e zbrisnin, tingujt e shëmtuar që buronin nga refleksi i pistë i dhëmbëve... Neveri... Neveria e ngriu në një statujë ankthi. “Ky duhet të jetë turpi”, padashur ajo i dha përgjigje asaj pyetjeje që shpesh i ish dukur e parëndësishme. “Turp është kjo që po bën ky me mua...” Ndjeu t'i prekeshin pjesët më intime. “Turp”, klithi e gjithë qenia e saj, “turp për mua...” Fytyra e gjyshes... U drodh në një spazmë, dora i hasi brokën mbi tryezë, e mbërtheu në ngërç dhe ja vërviti kokës...

- Qelbesirë! - e kish goditur fort sa e kish rrëzuar përdhe. Tingulli i rëndë e i shurdhët i pllakës që çuditërisht u shkëput e u ngrit nga dyshemeja duke ju përplasur kokës... dhimbja si oshëtimë e largët ... oshëtima e fortë e ortekut të neverisë që derdhej mbi të... Ulëriu me sa kish në kokë... Brenda disa sekondash u dëgjuan të goditura, dikush kish kapur derën me shqelma. Fqinja plakë me sharp të zi e me fytyrë që ju sterros më shumë se sharpi kur kuptoi se ç'po ndodhte aty mblodhi grushtet e nxorri vetëm një fjalë nga goja:

- “ Shporru!”

- “Ajo deshi, vetë më thirri...

- “ Shporru! - sytë e plakës u përshkënditën e zëri i saj i kalli datën edhe mureve. Ai doli duke e parë me frikë. Halla, kështu e thërrisnin plakën gjithë shkalla, kish kthyer sytë nga vajza.

- Lahu dhe ndërrohu. Asnjë fjalë nënës dhe babait. Askujt!

- Nuk është e drejtë,- kish guxuar të mërmëriste vajza.

- E drejtë?! S'ka ç'i duhet kujt e drejta ku hyn turpi. Bota nuk është për “të drejtën”!

- Nuk është faji im!- ish munduar të shfajësohej ajo.

Halla ish kthyer edhe një herë dhe e kish shtangur në atë shikim të tmerrshëm.

Turp!- kish përsëritur dhe kish dalë duke lënë shikimin pas. Vajza ishte mbledhur kruspull mbi dysheme, duke e lënë t'i çvoshkëte lëkurën e t'i ngjiste në vend të saj atë ndyrësi që mbante emrin turp. Nuk kish patur më gëzime fëmijërore në vajzërinë e saj, nuk kish patur më një rini të shpenguar, as kënaqësi dhe as krenari në atë admirim që ndizej në sytë e njerëzve që kthenin kokën për ta parë rrugës... Ajo bukuri e jashtme femërore, nuk gjente ndjesinë e feminitetit që duhej të përkonte në shpirtin e saj... E kish shtypur, e kish ndrydhur, e kish vrarë e varrosur në honet më të thella të qenies, si gjë turpi... të neveritëshme...

Shënim: Për ditën ndërkombëtare të dhunës ndaj grave. Eshtë vetëm një mikroepisod. Një shkrim që do të kish mbetur në kompjuter nëse sot një kolege nuk do të më kishte “cytur”, duke më treguar një episod të fëmijërisë së saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora