E hene, 29.04.2024, 09:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Zhurma e rrotave të qerres

E shtune, 28.11.2009, 07:34 PM


KALOSH ÇELIKU

ZHURMA E RROTAVE TË QERRES

(Shkas: 28 nëntori – Dita e flamurit)

         Natë. Natë është sonte, kur jam shtrirë në shtrat dhe e lexoj Librin e gabimeve. E shfletoj faqe për faqe mundohem të lexoj edhe në mes rreshtave, po mjerisht në një rresht më mbyllen sytë. E këndej është ende herët për gjumë, në ndonjë faqe t’u dorëzohem ëndrrave të frikshme, xhindeve të më hedhin gjithë natën e gjatë, dorë më dorë majë lisave. E shtrydh trurin, mundohem vetëm pak t’i hap sytë, të shoh Kalin e bardhë me këmbë të thyer, sesi e shalon Intelektuali i Rrejshëm. Po, kot, sytë nuk më binden, para tyre del Nusja me pashterkë të kuqe. E merr dajren në dorë dhe ma këndon një këngë. Vetëm tash e marr vesh se në shtëpi paskemi dasmë. Ngrihem në këmbë, hip shkallëve ta nxjerr pushkën e babait nga hatullat. Në lëmë grupi i vajzave u bien dajreve, këndojnë këngë dhe heqin valle. Matanë xhamave dëgjohen zërat e natës... Zogu i Keq... E dikund në rrugë zhurma e rrotave të qerres, vijnë krushqit me koçinë e mbuluar me qilima...
         E moti, shumë moti, kur kemi qenë fëmijë, më kujtohet se për ta pritur Nusen me pashterkë të kuqe, i kemi dalë para, kemi hipur edhe në kodër. Në pritje e sipër gati të gjithë e vendonim nga një mollëkuqe në majë të gishtit. E ndalnim edhe frymëmarrjen, prisnim se nga cila anë do të fluturojë të na e sjellë nusen. Po, nganjëherë edhe zemroheshim, kur ajo nuk fluturonte, e ne më kot i frynim me gojë, e nxitnim t’i hapte krahët. Vërtet, atëherë dëshproheshim shumë, si fëmijë më, kishim frikë se do të mbesim si xha Cuti pa nuse... Nuk do të ketë kush të na e ndezë zjarrin, të na i përkundë djepat...
         Edhe ato ditë “të lumtura” ikën shumë shpejt, u tretën si fluska sapuni dhe nuk e di ku i varrosëm diku rrëzë kodrës ose në mesin e luleve. Erdhi “demokracia”. Pluralizmi. Sistemit monist i thamë njëherë e përgjithmonë lamtumirë. Ndonjëri nga ne më “i munduari” filloi edhe ta shajë, volli gjithë atë urrejtje që e kishte mbledhur me vite e vite kudo që i jepej rasti para popullit. Shpeshherë edhe çuditeshim se ç’po ndodhte me të, si ndryshoi brenda një nate, kur gati të gjithë e dinim se ajo parti bolshevike mu këtij martiri ia kishte përmbushur të gjitha kërkesat: vende të merituar pune, dy-tri banesa, shtëpi... Pozitë në shoqëri... Tre pensione... Nuk na shkonte mendja se mu ky do të jetë ai i pari, që do të shkurorëzohet aq lehtë nga sistemi komunist, kur vetëm ai, me gjithë “aftësitë” superintelektuale e kishte shëtitur “Mëmëdheun” karrige më karrige. Budallatë që kishim qenë, mendonim se në mes të dashurisë së tyre romantike alla Romeo e Zhuljeta mund të ndërhynte vetëm vdekja. Kurrë nuk mund ta merrnim me mend një gjë të tillë tragjike, si në veprat e Shekspirit, derisa “bijt” e saj “besnikë”, kush më i pari, u sulën të anëtarësohen nëpër partitë e tjera politike “demokratike”. Vonë, shumë vonë e pamë qëllimin e këtyre “luftëtarëve të lirisë”, pasi na doli gjumi, kur filluan të dalin me diskutimet e tyre të zjarrta në foltore për Shqipëri Etnike.
         Natë e ditë i shihja këta kalorës të arratisur të “demokracisë” sesi u kishin hipur kuajve me bajrakun në dorë, kishin zhveshur shpatat dhe sesi u binin kokat në fushën e betejës. Vetëm se, ndonjëri çohej prapë më këmbë, e merrte kokën nën sjetull dhe sulej tym e mjegull përsëri kundër armikut për fitore. Merreni me mend si e ndieja veten kur i shihja, ashtu me koka nën sjetulla nëpër lumin e gjakut që u vinte deri në brez. Tani m’u kujtua edhe ai këngëtari popullor që u këndonte trimave në fushën e betejës, ku ishte derdhur aq shumë gjak, sa mund të mbytej edhe kali. Po, ku të gjenim tani ne një këngëtar të tillë popullor, të marrë çiftelinë në dorë dhe t’i këndojë këngë këtij “heroi” tonë legjendar të Bit – Pazarit. Vërtet duhet pranuar, nuk kemi sot këngëtar aq të denjë për këtë kalorës të arratisur, ose siç do t’i thosha unë ndryshe, Don Kishot shqiptar, që të gjitha ato beteja të përgjakshme nëpër sheshe të qyteteve i zhvilloi vetëm për Dylqinenë e Tobozës...
         E dini, edhe çka m’u kujtua tani? Jo, ë? Vërtetë jeni të mrekullueshëm, ma kënaqët lapsin. Me vite e vite ju e keni pritur një përshëndetje  të tillë të Intelektualit të Rrejshëm. E di unë, para televizorit: “ Dobro veçe Makedonijo!” (Mirëmbrëma, Maqedoni). Por, edhe pse ka qenë natë, ju nuk u ka marrë gjumi. U ka munduar eksponenti i “vëllazërim – bashkimit”. Mua, nëse më pyetni, edhe do t’iu përgjigjem: kam fjetur si qengj, nuk i kam dhënë pesë para. Vetëm tash e pata të qartë, pse ai kalorës i arratisur nëpër beteja u thoshte shokëve të tij të armëve, njëherë edhe në prezencën time, se ata nuk marrin vesh nga lufta trojane, po marrin vesh ato tre Sançot e tij shkrimtarë që me libra teknefesë, (vetëm për një kritikë sakate) e kanë shtënë në mes dhe e mbajnë për krahësh nëpër manifestime kulturore partiake festive para kamerave televizive të mos rrëzohet nga Rosinanti.
         Vitet që atëherë kanë ikur njëri pas tjetrit, e unë me shokë ende në kodër e pres Nusen me pashterkë të kuqe. Vetëm se, tash ndryshe nga ato kohë, nuk i nisim mollëkuqet në rrugë të gjatë pas shtatë maleve e pas shtatë kodrave. Vetë u kemi hipur kuajve në shpinë, lapsat i kemi ngritur në dorë për ta grabitur Nusen me pashterkë të kuqe. E ajo ditë me siguri nuk është larg. Matanë kodrës e dëgjoj përsëri zhurmën e rrotave të qerres... Krismat e pushkëve... Këngën e krushqve: “ O bini djemtë e Shalës”... Që, nesër kur të më dalë gjumi, të zgjohem në prehërin e Nuses me pashterkë të kuqe... Nuk besoni, ë?! Pritni pak, mos u ngutni, se unë nuk u kam faj, duhet zgjidhur nyjën. Ja, ku e keni fijën. O burra, juve para koçisë u ka prirë Intelektuali i Rrejshëm. E ka marrë bajrakun në dorë dhe gjithë kohën ju ka kënduar këngë patriotike. Parulla bolshevike: “haj – haj, kasolla me kashtë, sot një javë nja pesë – gjashtë!...” Përsëri nuk më besoni, ë?
Atëherë, veten e paçit në qafë...


(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora