Kulturë
Luan Çipi: Mos e dëgjo gruan
E merkure, 25.11.2009, 06:11 PM

Rrëfenjë nga Luan Çipi
Në fshatin malor Kolonjë, të Krahinës së Kurveleshit të Sipërm, midis fshatrave Picar e Golem, jetonte me të keq një familje numeroze. Hankua, e zonja e shtëpisë, nje grua labe, rriti, si me thonjë, pa ndihmën e të shoqit, thuajse si jetim, të gjashtë djemtë e sajë. Burri qysh në fillimet e jetës bashkëshortore kishte dalë kaçak mali, i rënë në bela me qeveritarët turq dhe po nga ata u vra. Hallet e kishin plakur Hankon para kohe dhe tani banonte në një konak me djalin e vogël, Myfitin dhe me nusen e tij, Merjemen. Gruaja trimëreshë arriti ti martojë të gjashtë djemtë dhe i ndihmoj ata që të ndërtoni shtëpi, kasolle thuaj, po me banim secili në pragun vetjak. Nuset e djemve edhe pse i zgjodhi vetë, në fshatrat e afërt të Gjirokastrës deri në Kardhiqin e famshëm për gra kapedane, nuk i plotësuan asnjëherë kërkesat e sajë të pasosura, ndaj ajo ngeli deri në fund e pakënaqur me to.
Djemtë, që i ndenjën afër deri në fund, i vlerësonte, madje u këndonte, me bejtet që thurte si: Hankua, zonjë me namë, i ka djemtë si azganë, më te voglin pehlivan, po nga gratë dëm se ç’vanë.
Nëna plakë i porosiste herë pas here bijtë e dashur që asnjëherë mos ti dëgjonin e mos të merrnin mendjen e grave të tyre, madje kur ato jepnin ndonjë mendim, të ishin të sigurt që do ishte varianti më i gabuar, prandaj mos bënin si thoshin ato, po pikërisht të kundërtën.
Myfiti banonte te shtëpia e prindërve, një shtëpi e vjetër, që hera herës kish nevojë për t’u mirëmbajtur e meremetuar. Në vjeshtën e parë, sa filluan erërat e para, e më pas, shirat, u duk ashiqare që mbulesat e çatisë kishin lëvizur nga vendi e ç’binte jashtë futej brenda, ndaj duhet të s’postoheshin pllakat e renda prej guri, që secila të zinte vendin e mëparshëm.
Myfiti vendosi shkallën e madhe me kujdes dhe u ngjit në një lartësi rreth pesë metro. Pasi punoi gjithë ditën, kur duhet të zbriste vuri re që shkalla kishte lëvizur nga vendi dhe nuk kishte dajan, çka e bënte të pamundur zbritjen. Nga lart nuk e rivendoste dot vetë shkallën atje ku duhej, ndaj i bëri zë të shoqes.
-Merjeme, po ku je, moj e flamosur, që me le maj papafingos, gjithë ditën pa një pikë ujë për të lagur buzën e pa një kafe, për të mbledhur mendjen.
-Po, sa u ktheva, o burrë, se isha në krrua dhe mbusha bucelat me ujë. Ti e di sa larg e kemi burimin, ske pse më kërkon hesap.
-Mirë, mirë, se e gjejmë më pas hesapin, po rregulloma pak atë të shkretë shkallë, se më ka luajtur nga vendi dhe rezik të gremisem, e të thyej ndonjë kembë a ndonjë krah.
-Larg qoftë, o burrë i dashur, pse na ndjell tersllëk... Ja ku ta rregullova shkallën. Këtu, më duket se është mirë. Po ta mbaj dhe unë nga poshtë.
Myfitit, aty për aty, iu kujtua porosia e nënës dhe iu tek të ndryshonte e të kundërshtonte mendimin e gruas.
-Jo aty, moj, jo, më djathëtas, aty ku e kisha mbështetur unë, kur u ngjita.
-E vendosa, ku më the, po më duket se e kisha më mirë te vendi i parë.
- Mirë e ke aty, po ik tani, se mos të të marrë me vete, se , siç thotë Hankua, ti nuk je për gjë, dhe më ndjell tersllëk.
I lodhur siç ishte, ditëziu Myfit, nuk u mbajt si duhet dhe rëzohet megjithë shkallë nga pesë metro lartësi dhe bie mes gurësh, pa ndjenja. Perfundimisht ngelet sakat për gjithë jetën. Punonte, po këmbën e djathtë e hiqte zvarë, si çalaman.
Ishte koha e luftës grekoturke dhe qeveria mblodhi nizamë. Kur i erdhi rradha për kontroll Myfitit, Komisioni atë e nxorri të paaftë për shërbimin ushtarak. Të pesë djemtë e tjerë të Hankos vajtën në Front, po nuk u kthyen gjallë.
Hankua, megjithë gjëmën e madhe, ngushëllohej se kishte shpëtuar Myfitin, nga që shumë familje i humbën të gjithë djemtë në luftë. Pas kësaj, ajo, me tjetër sy i shikonte Merjemen dhe gratë e nuset e tjera të fshatit dhe porosinë për Myfitin e kishte modifikuar, duke i shtuar fjalën “gjithnjë”, për të marrë formën përfundimtare: “Mos e dëgjo, gjithnjë, gruan”.
Komentoni
Artikuj te tjere
Ilir Muharremi: Artisti i së kuqes, bardhës kaltërtës...
Këze Kozeta Zylo: Requiem për profesor Bedri Deden
Kalosh Çeliku: B-ja e madhe e shtypit, pjellë viça të palëpi
Uran Krasniqi: Ardhja "e përnjëmendtë" e Hasan Prishtinës
Mazllum Saneja: Poezja moderne polake - Jan Michal Stuchly
Halit Bogaj: Ëndërra
Pëllumb Xhufi: Milan Shuflaj, si e shpëtoi historinë shqiptare
Xhenc Bezhi: Sfilatë
Sejdi Berisha: Poezia si zë i arsyes dhe fjalë amaneti
Qerim Zogaj: Në mes nesh
Remzi Salihu: Kultura në tabut (arkivol) të vlerave të ngushta partiake
Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (V)
Mendime për poezinë e Jeton Kelmendit
Demir Krasniqi: Tri këngë për Heroin e Kombit Agim Ramadani
Mustafë Krasniqi: Intervistë me atdhetarin, piktorin, humanistin dhe ish të burgosurin e ndërgjegjes kombëtare Asllan Dibrani
Arsim Halili: Flet z. Avni Biqkaj, poet
Flet Jonida Azizaj, autorja e librit “Si punova me tre ministra – Rrëfim i vërtetë”
Edison Ypi: mero vrroma
Ardian Naço: Poezi shkruar nga një adoleshente në ditët e fundit të jetës
Letërsia shqipe këto ditë u pasurua edhe me shtatë libra të autorëve zviceran