E diele, 04.05.2025, 05:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Uran Krasniqi: Ardhja "e përnjëmendtë" e Hasan Prishtinës

E marte, 24.11.2009, 08:07 PM


Ardhja "e përnjëmendtë" e Hasan Prishtinës
 
"Fitmin qi ka me u nxjerrë prej kësaj broshure, kam m'e kushtue për sigurim t'arësimit të fëmivet jetima…"
 
Nga Uran Krasniqi

 Fyerja më e madhe që mund t'i bëhet Hasan Prishtinës është krahasimi i tij me politikanët institucionalë të Kosovës, të cilët në të vërtetë nuk janë politikanë, por mafiozë. Kështu thotë Shkëlzen Gashi. Nën përkujdesjen e tij ka dalur këtyre ditëve botimi "Nji shkurtim kujtimesh për kryengritjen e vjetit 1912" të Hasan Prishtinës nga Shtëpia botuese "Rrokullia". Hasan Prishtina është atdhetari shqiptar, i cili ka qenë i angazhuar në dobi të çështjes kombëtare shqiptare gjatë tri dekadave të para të shekullit të kaluar - XX. Shkrirja e pasurisë vetjake që e kishte bërë Prishtina për kauzën e kombit shqiptar, edhe sot saherë që kujtohet ky personalitet, mbetet elementi që më së shpeshti bije ndër mend. Ndërkohë edhe Prishtina kishte përfunduar i vrarë nga vetë shqiptarët, sikur shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë, në Selanik të Greqisë në vitin 1933.

Politologu nga Prishtina, Shkëlzen Gashi, vlerëson se "Hasan Prishtina ka qenë dhe, për fat të keq, mbetet politikan e atdhetar i pakundshoq". Sipas tij ribotimi i "Nji shkurtim kujtimesh për kryengritjen e vjetit 1912" të Hasan Prishtinës ka për qëllim që t'u ndihmojë breznive të sotme me u njohtë me sakrificat e këtij patrioti vetëmohues, por edhe që ato ta kuptojnë se kombi shqiptar ka ditë me pasë edhe udhëheqës politikë që vendin e vet jo veç nuk e kanë vjedhë, po madje për të edhe e kanë shkrirë pasurinë vetjake. Veç një figurë është që Gashit i shëmbëllen me Hasan Prishtinën: Adem Demaçi. "Mua më duket se Adem Demaçi është figura politike shqiptare që ka disa ngjashmëri me Hasan Prishtinën. Nuk e kam fjalën për nga niveli intelektual, por për kah sakrifica për lirinë e atdheut. Për më shumë, unë do të tërhiqja tri paralele mes Prishtinës dhe Demaçit", thotë ai.
 
Sipas Gashit përngjasimi i parë e ka bazën në vitin e lagët: 1912. "Atëbotë Ismail Qemali nuk e përmbush detyrën që merr përsipër për sigurimin e 15 mijë pushkëve 'mauzer' dhe 10 mijë napolonave të arit për fillimin e kryengritjes, prandaj Hasan Prishtina e shet pasurinë e vet dhe me shumën e tubuar e nis kryengritjen. Në vitin 1913 Ismail Qemaili kryeson Qeverinë e Shqipërisë. Hasan Prishtina, me gjithë mospërmbushjen e detyrës nga Ismail Qemaili, pranon të jetë Ministër në Qeverinë e Ismail Qemailit. Në prag të pranverës së vitit 1999, Adem Demaçi ndahet shumë keq - më keq sesa mund ta marrim me mend ne sot - me Drejtorinë Politike të UCK-së. Dhjetë vjet më vonë, Demaçi pranon të marrë pension nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga njeriu që, në pranverën e vitit 1999, ia kishte përvëluar zemrën Demaçit, njëjtë si dikur Ismail Qemali Hasan Prishtinës", tërheq paralelen e parë, ai që është përkujdesur që të ribotohen kujtimet e Hasan Prishtinës.
 
Ndërkaq fill pas krahasimit të parë, Gashi e nis edhe me të dytin. "Në vjeshtë të vitit 1912 Fan Noli shkruan një artikull shumë të ashpër kundër Hasan Prishtinës, ku mes tjerash thotë se shqiptarët jo që nuk duhet ta votojnë Hasan Prishtinën, por nuk duhet të bëjnë kabull as ta pështyjnë. Këtë artikull e keni si pjesë të kujtimeve që i botuam në 'Rrokullia'. Megjithëkëtë, në dhjetor të vitit 1923 kur Hasan Prishtina bëhet Kryeministër i Shqipërisë, ndër vendimet e para që merr është se e emëron Fan Nolin Ministër të Jashtëm. Dekada më vonë, në vjeshtë të vitit 1975, në kohën kur procesi gjyqësor ndaj Adem Demaçit është në kulm, Mahmut Bakalli, Kryetar i Komitetit Krahinor të LKJ-së, u kërcënohet punëtorëve të Sigurimit Shtetëror: po s'ia dolën t'i bëjnë të burgosurit që t'i pranojnë akuzat në ngarkim, të gjithë do t'i largojë nga puna. Adem Demaci dënohet me 15 vjet burg pa bërë bash asnjë faj. Pas shumë vjetësh, në gusht të vitit 1998, Demaci bëhet Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së dhe ndër vendimet e para që merr, është ta emërojë Mahmut Bakallin si këshilltar politik të vetin".
 
Paralelen e tretë midis Prishtinës dhe Demaçit, politologu prishtinas i ndërlidh me një ide të tyre të njëtë. "Hasan Prishtina e ka pasur idenë për krijimin e një konfederate ballkanike, por për dallim prej Demaçit, ai e ka pasë të qartë kristal se një gjë e tillë s'mund të realizohej sepse Serbia nuk do të lëshonte pe nga trojet shqiptare që kishte okupuar. Demaci, në anën tjetër, ka besuar naivisht se mund ta mashtrojë Sërbinë me idenë e tij për konfederatën ballkanike që e pati quajtur Ballkania".
 
Ndërkohë editori i "Nji shkurtim kujtimesh për kryengritjen e vjetit 1912" të Hasan Prishtinës, Gazmend Bërlajolli, nga Shtëpia botuese "Rrokullia" vlerëson të jenë disa motive të forta për ta ribotuar veprën e Hasan Prishtinës. "Motivi i parë është se vdekja fizike e Hasan Prishtinës nuk do të duhej të nënkuptonte edhe shuarjen e njohurisë tek breznitë e reja mbi nismëtarët e luftës për pavarësi. Vetë Hasan Prishtina thoshte: 'Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata qi vinë mbas nesh, kanë me i gjetë shejet tona'", citon Bërlajolli Prishtinën. Sipas tij "ky motiv është aq më i madh sot kur po nëpërkëmbet investimet e brezave, sidomos të atdhetarëve vetëmohues si Hasan Prishtina". "Sot brezat e rij nuk e kanë të lehtë të besojnë se skena politike shqiptare ka nxjerrë edhe burra që jo veç që nuk kanë zhvatë nga pasuria kolektive, por madje e kanë shkri pasurinë vetjaken për
 interesin e përbashkët", nënvizon Bërlajolli. Botuesi i "Rrokullisë" thotë që botimi i kujtimeve të Hasan Prishtinës në Shqipëritë e mëparshme të jenë botuar të censuruara. "Kujtimet e Hasan Prishtinës janë botuar për herë të parë në vitin 1921 në Shkodër. Hasan Prishtina i ka shkruar kujtimet në gjuhën frënge, kurse në gjuhën shqipe ia ka përkthyer Bedri Pejani. Këto kujtime qenë botuar edhe në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, por të gjitha pjesët ku Hasan Prishtina kritikon Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin ishin censuruar. Këto kujtime nuk janë botuar asnjëherë në Kosovë. Kjo është hera e parë", thotë Bërlajolli. Ai tregon që libri do të promovohet më 28 nëntor 2009, në orën 11:00, në ambientet e Shkollës Fillore "Hasan Prishtina" të Prishtinës. Ai bën me dije që për librin do të flasin Shkëlzen Gashi, Hysamedin Feraj dhe Albin Kurti. "Dhe do të shtoja edhe një gjë. Në parathanien e
 botimit të parë të këtyne kujtimeve, i cili doli në dritë në Shkodër më 1924, Hasan Prishtina thotë: 'Fitmin qi ka me u nxjerrë prej kësaj broshure, kam m'e kushtue për sigurim t'arësimit të fëmivet jetima…'. Duke e ndjekë shembullin e vënë prej tij, Shpia Botuese 'Rrokullia' ka vendosë që fitimet prej këtij botimi t'i dhurojë po për arsimimin e fëmijëve jetima", përfundon botuesi Bërlajolli. Ndryshe Libri "Nji shkurtim kujtimesh për kryengritjen e vjetit 1912" të Hasan Prishtinës ka 50 faqe dhe kushton vetëm 3 euro.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx