E diele, 04.05.2025, 08:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabile Keçmezi-Basha: Nusja e gurtë (Cikël poetik)

E marte, 01.12.2009, 08:43 PM


Sabile Keçmezi-Basha

NUSJA E GURTË

TË MË GJEJË NË NJË PËRRALLË

Në urë duvaku i nusërisë sime
Ç’kumbon e trazon botën
Shekujt sfiduan njëri-tjetrin
Në urë duvaku i nusërisë sime
Fëmija qumësht kërkon në vaj
Urata e ktheu prapë në legjendë
Të më gjejë prapë në një përrallë
Zogu thirri tri herë emrin tim
Unë jam prapë në urë mur
Më nuhati si lulen në legjendë
Ku mbeti duvaku i nusërisë sime.

ZOGU I ZI

Duke u fshehur nga shenjtëria
Çdo gjë këtu ishte si dikur
Unë shqeva lëkurën e legjendës
Dhe dola mbi Urën e Fshejtë
Vëllai i vogël pa një ëndërr
Në urë u shikua me sytë e mi
Asgjë nuk pa më, as mua, as urën
Duvaku i nusërisë valëvitej
Ura merrte oshtimë të vdekurish
Zogjtë këndonin ninullën e zjarrtë
Për fëmijën që s’diti ç’është çudia
U rrokullisë nëpër djep e zbriti
Në qemerin e urës e pa të ëmën
Dhe tha :”Lëreni  aty ku është
Ajo prej aty më jep gji amshimi”

Zogu i zi doli nga guri akull
U fal tri herë dhe fluturoi pastaj
Të gjitha unë i pash, vaj-
Ura e Fshejtë më lulëzoi në dorë.

MOS MË PREK

Çdo gjë ndodhi pastaj i dashur
Mos më prek se të ngrihen duart
Në shikimin tim zgjohet murimi
Gur më gur më ndërtojnë trupin
Mbi trup rrëzon Ura e Fshenjtë
Të emërtoj edhe ty si vëllait e vogël
Ç’të bëjë unë në këtë ligësi
Merri flokët e mi e thur një urë
Në të mund të shkelësh vetë i treti
Legjenda do të falë prapë kokën
Për tu kthyer njëherë në konak
Fëmijës gji për t’i dhënë e bekuar
Mbylle këtë ditë se nuk po më zë.

VËLLAI I VOGËL

Ç’mësove nga dashuria ç’magji
Vëllai i vogël doli prapë nga legjenda
Tash e ke këmbëkryq në vatër
Dremitet mbi pjesët e veta të ringjallura
Njëmijë vjet më parë në të ka mbetur
Vetëm legjenda që e mban gjallë
Të dal mbi urë dhe të shikohet me veten
Të pres nusen e gurtë nën duvakun e zi
Prapë të kthehet aty ku ishte dikur
Të këndoj për një përrallë të përhitur
Se çdo gjë mund të ndodhë në këtë urë
Morën fëmijën nën sqetull  e tash janë këtu
Shihni si janë duke ndërtuar prapë urën
Mbi trupin tim të rrezitur në legjendë
Vallë ku mbeti duvaku i nusërisë sime.

Ç’MURANË E BUKUR

Sonte mos më duaj i dashur, sonte
Për çudi aq shumë i ngjasoj asaj ure
Veli i nusërisë sime i mbulon të tërën
Ç’muranë e bukur në themel të urës
I dashur, sonte jam krejt akull
Mblodhi fëmijët të mos qajnë pas meje
Unë ende nuk dola nga legjenda
Çdo gjë mund të ndodhë sa të mos kthehem
Duvakun tim në themel të urës mos e kërko

I dashur brigjet duan edhe viktima
Shikohu në sytë e mi e vdis edhe ti
Ura e Fshenjtë do të na ringjallë sërish
Ndoshta në ndonjë legjendë tjetër
Siç e gjetëm në këtë urë Nusen e Gurtë

DUVAKU I NUSËRISË SIME

Ku mbeti duvaku i nusërisë sime, i dashur
O duvaku i nusërisë sime, ku mbeti.

NGASHËRIMI

Marramenthi të mora si Napoleon të Zhozefinës
Zbrit pas çdo kënge të bilbilit në degë
Ku mund t’i kërkosh çelësat e kullës sate

Unë jam zhulit e Bethovenit të madh
Mund të të tregoi se si mund të jetohet
Si ta nxjerrësh nga jeta krejt këtë lumturi

Dashuria i ushqen njerëzit si me bukë e ujë
Nganjëherë është edhe ushejzë
Ai që sprovohet le të lërë emrin e vet dëshmi

Marramenthi të mora për Napoleon të Zhozefinës
Kush kullat do t’i hapë në këtë natë të madhe
Ato as që janë mbyllur ndonjëherë për dashurinë.

NË MUA LIND DIÇKA

Në mua lind diçka tepër e madhe
Çka është ajo nuk e di
e kërkoi deri në fund të vetes e të botës

nuk mund as t’i përshkruaj drithërimat
trupi im luan tango e muzikë kamertale
feston ndoshta natën që kurrë nuk e ka pasur

nëse është kjo vetëm një germë për vdekjen
unë kurrë nuk do ta shkruaj me të njëjtin alfabet
gjithkund do të kërkoj vetëm gjuhën e dashurisë.

Në mua lind diçka si Dashuria.

DASHURIA

Është një vend në botë ku
Nuk mbërrihet kurrë
Ia ofroj zemrën, ajo më digjet shqim.

Është një vend diku ku mrizon dashuria
E ndjell me gjethe po vjeshta e zhvesh
Pastaj e mbyll në shpirt e ai i kthen në valë

Është një vend në botë ku merr frymë dashuria
E shëmbëllej me varre ato bëhen gurë
E mbyll në vete e nuk vdes më kurrë!

ME GJASË

Me gjasë
As ti as unë
Nuk patëm fëmijëri

Shumë gjëra nuk i përjetuam
Të kujtohet loja e parë
Dhe e fundit pa uverturë.

Çdo gjë filluam dhe mbaruam

Natë ishte
Dhe ne luftonim terrin
Darkonim thonjtë tanë
Që na futnin tmerrin.

KALON EDHE KJO

Kalon edhe kjo

Unë do të jem unë
Ti nuk do të jesh ti
Ai nuk do të na njohë fare

Kalon edhe kjo

Horizontet do të jenë të ndritshme
Arat do të bëjnë bukë
Nënat fëmijë më shumë

Kalon edhe kjo

Dhe çdo gjë do të ketë peshën e vet.


(Vota: 9 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx