E diele, 04.05.2025, 10:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuri Plaku & Baki Ymeri: Fillesat e arsimit në diasporën shqiptare të Rumanisë dhe albanologu Grigore Brënkush

E diele, 29.11.2009, 08:47 PM


 

SESION SHKENCOR NË FIER DHE PËRURIMI I LIBRIT RUMANIA DHE STUDENTËT SHQIPTARË NË VITE

 

Organizuar nga Biblioteka Publike Fier, Unioni i Shkrimtarëve Fier, Bashkia Patos, Biblioteka Publike Patos dhe Albpetrol.sh.a, këto ditë (25 Nëntor 2009), u mbajt një manifestim i denjë shkencor kushtuar studentëve shqiptarë në Rumani, albanologut Grigore Brënkush dhe lidhjeve linguistike dhe arsimore, rumuno/shqiptare. Këtë tubim të rëndësishëm e nderuan me pjesëmarrje, përshëndetje dhe kumtesa, ambasadori i Rumanisë në Tiranë, Shkëlqesia e Tij, Zt. Viorel Stanila, autorët e librit, Eqrem Beci dhe Thani Canko, Vangjush Kokonozi, Paskal Sinani etj. Manifestimin e përshëndeti edhe Kryetari i Bashkisë Patos, Zt. Bardhi Meli, ndërsa poeti publicisti dhe muzeografi Nuri Plaku mbajti një kumtesë mbi fillesat e arsimit shqip në diasporën shqiptare të Rumanisë dhe njërin nga albanologët më të njohur të ditëve tona në botë. (Baki Ymeri)

 

Fillesat e arsimit në diasporën shqiptare të Rumanisë dhe albanologu Grigore Brënkush

 

Nga Nuri Plaku


         Historia e gjatë e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vëndeve tona, Shqipërisë dhe Rumanisë, përbën një nga modelet e komunikimit më të harmonizuar midis popujve. Kulmet e këtij komunikimi janë arritur edhe në kohë luftrash, edhe në kohë paqesh, edhe në kohën e shfarosjeve masive, edhe në rastin e lëvizjeve biblike të periudhës osmane, edhe në komunikimin gjuhësor, edhe në atë të kulturës midis tyre. Pikërisht, një nga këto kulme që i përket fushës së kulturës, pasqyrohet me shije dhe elegancë shkrimore, në veprën e dy autorëve tanë të nderuar, zotërinjve, BECI dhe CANCO.

         Të marësh mermer nga një mal dhe të ngresh me të një monument, është një punë e lodhëshme, por, të marësh “mermerin” e një periudhe monumentale e të ngresh me të një “mal” me vlera të freskëta historike, siç është ky botim që kemi tashmë në duar, është një sakrificë sublime vërtet e admirueshme. Ky “mal” metaforik, është një nga përmendoret më të bukura të vendosura në themelin e marrëdhënieve harmonike midis dy vendeve tona, sepse nga maja e tij, ne, lexuesit e sotëm, shohim të shpaloset një nga peisazhet më të bukur të miqësisë dhe komunikimit ndërmjet dy popujve. Ky peisazh, dekorohet edhe më shumë akoma, me ato dhjetra e qindra biografi studentësh, që shfaqen në faqet e kësaj vepre, sa multigrafike aq edhe historike, duke i dhënë asaj vlerat e një enciklopedie të vërtetë. Nëpërmjet këtij botimi, zotërinjtë Eqrem BECI dhe Zhani CANCO, bën të mundur të shkëlqejë më shumë se kurrë, hiri i hijshëm i të parëve tanë, gjurmët e të cilëve kanë skalitur në udhën e kujtesës së përbashkët të dy kombeve tona, simbolet e ekzistencës së tyre shpirtërore.

         Secili nga studentët e paraqitur në këtë libër, formon një kapilar komunikimi të ndërsjelltë, në sistemit kulturor të dy vendeve. Ky sistem, ka në themel të vet gjithë traditën patriotike, kulturore dhe arsimore të kultivuar në diasporën shqiptare të Rumanisë. Do të ishte Naun Veqilharxhi , shqiptari më i shquar i BRAILËS i cili do të botonte abetaren e parë shqipe, në gjysmën e parë të shekullit XIX. Pastaj do të shfaqej Nikolla Naço me atdhetarizmin e tij pedagogjik, i cili la gjurmë të pashlyera në arsimin e kësaj periudhe. Pas hapjes së 6 shkollave shqipe në Kolonjë e Vakëfe, ai hapi në Bukuresht, më 10 maj 1892 shkollën e parë Normalen, shoqëruar me konvikt për nxënësit që vinin nga Shqipëria dhe Maqedonia, me drejtor akademikun rumun HASHDEU.

           Nga kjo shkollë ku kan studiuar edhe Viskë Babatasi, mësuesi i parë i shkollës së Cakranit në rrethin e Fierit hapur më 1909, edhe akademiku i nderuar Aleks Buda, dualën iluministët  frymëzues dhe patriotët e përndezur të rilindjes sonë kombëtare. Më 1888 ai nxori gazetën “Albanezul” shtypur në shtypshkronjën “Kuku” në shëtitoren më të madhe të Bukureshtit, me shkronja krejtësisht latine. Ndërsa më 5 nëntor 1912, në hotelin “Continental”, pret në takim dhe nxit vendimin e Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë sonë kombëtare. “Burr i madh i kombit” do ta quante poeti Lasgush Poradeci, ndërsa Fan Noli do ta konsideronte “Ushtarin më të vjetër dhe më energjik të çështjes shqiptare”. Kurse vet ai në shtratin e vdekjes kur i thanë se Konferenca e Ambasadorëve në Londër, do shpallte sovranitetin e Shqipërisë, u shpreh; ”Plagët e shpirtit m’u shëruan. Tashi le të vdes!”.

 

    Gjuha shqipe është jeta ime

 

Pikërisht në këtë fokus studentët tanë në vite kan patur një mundësi të pashtershme komunikimi me gjurmët e të parëve tanë, vlerat e të cilëve, i kanë ushqyer ata si një qumësht gjiri mëmësor, duke ua bërë ambientin e atjeshëm, më intim e më të familjarizuar se kudo gjetkë. Në tjetër paralel vlerash të mirëfillta, krijohet përkundër patriotëve tanë, edhe në palën rumune nëpërmjet angazhimit të tyre shkencor në fushën e gjuhësisë. Dihet se shqipja dhe rumanishtja kan afri të konsiderueshme, me njëra tjetrën, deri, veç të tjerash, edhe në egzistencën e një fondi të përbashkët leksikor të përbër nga 100 fjalë. Një kontribut të shquar ka dhënë në këtë drejtim, akademiku, GRIGOR BRËNKUSH. “Akademiku GRIGORE  BRËNKUSH është një ndër albanologët më të shquar sot në Europë e në botë, që ka sjellë një ndihmesë kolosale në fushën e albanologjisë dhe të historisë së gjuhës shqipe”(Dr. Luan Topçiu)

          Ai u lind në vitin 1929, në komunën PESHTISHAN, rrethi i GORZHIT, RUMANI dhe pasi mbaroi studimet filologjike në Bukuresht u specializua në Tiranë në vitet 1958- 1959 dhe 1965 dhe 1972. Ai u formua si albanolog nën përkujdesjen e Xhuvanit dhe të Çabejt. Në vitin 1968, mbrojti doktoraturën me studimin,”Marrëdhënie gjuhësore rumune – shqiptare. Fjalori” kushtuar problemeve të ndryshme të gjuhës rumune dhe elementeve të saj të përbashkëta me gjuhën shqipe, ku nxjerrë rreth 100 fjalë të sigurta që i ka shqipja me rumanishten. Në vitin 1967, përkthen edhe librin e parë të Migjenit në gjuhën e Emineskut, “Fruti i ndaluar”. Ndërsa më vonë, krahas punimeve të tjera, në vitin 1987 boton  studimin, “Elementet e përbashkëta rumune – shqiptare”. Më 1999 boton shkrimin “Konkordanca linguistike rumuno – shqiptare” dhe në vitin 2001, ”Përkimet gjuhësore shqiptare – rumune”.

          Ai ka kryer një aktivitet akademik 50 vjeçar pranë Universitetit të Bukureshtit nëpërmjet të cilit,” gjuha shqipe dhe qytetërimi shqiptar, kanë hyrë në vëmendjen e botës shkencore rumune dhe të qindra studentëve që kanë studiuar fililogjinë pranë këtij universiteti”. (Dr. L. Topçiu, po aty). Puna dhe vepra e këtij personaliteti është vazhdim i gjurmëve të albanologëve të dëgjuar; Majerit, Joklit, Jornik etj. Ai ka qenë një vëzhgues i përhershëm i substratit të përbashkët të këtyre dy gjuhëve dhe ka sjell një nivel të ri të interesit të studiuesëve ndaj gjuhës shqipe, si një gjuhë e lashtë dhe e bukur. Gjithashtu, ka sjell në vëmëndjen e sotme shkencore një numër të madh përkimesh, të cilat vijnë nga thellësia e periudhave të  lashta deri te ato paralatine.

         Vepra e këtij albanologu të famshëm, ka riafirmuar mendimin pozitiv shkencor për lashtësinë e gjuhës shqipe, si një ndër më të vjetrat në Ballkan. Ai e fut veten në grupimin e atyre gjuhëtarëve, të cilët mbrojnë tezën e prejardhjes trako – ilire të gjuhës sonë duke e zgjeruar territorin e autoktonisë shqiptare deri në  brigjet e Moravës. Duke ndërtuar ura të reja mbi “relacionet e shqipes me rumanishten, lidhur me rëndësinë e jashtëzakonshme që ka shqipja për identifikimin e fondit antik të gjuhës rumune, ai ka sjell në këtë drejtim një kontribut të shenjtë” (Baki Ymeri).  “Gjuha shqipe është jeta ime”, thotë ai shpesh, duke e konsideruar atë një “thesar të vërtetë”. Në këtë mënyrë, gjuha shqipe ka bër një mik të madh, një luftëtar të madh të kombit tonë dhe një mbrojtës të madh të saj. “më ka marrë malli ta shoh Shqipërinë, i shkruante ai në vitin 1959 Aleksandër Xhuvanit, aq shumë më ka marrë malli, saqë kam filluar ta konsideroj Shqipërinë si atdheun tim të dytë”. (Baki Ymeri).

       Të tillë e kanë quajtur edhe këta qindra studentë shqiptar Rumaninë, si atdheun e tyre të dytë, sepse u mëkuan në gjirin e saj me dije dhe kulturë të përgjithshme e profesionale. Ndaj dhe secili prej tyre ka luajtur rolin e një kapilari miqësor, nëpërmjet të cilëve është ndërtuar ai sistem i qendrueshëm vlerash kulturore, që shpaloset sotë para nesh, nëpërmjet këtij peisazhi të bukur të komunikimit miqësor midis dy vendeve tona.



(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx