Kulturë
Floresha Dado: Kadare, artist i fjalës dhe dijetar i mendimit njerëzor
E marte, 01.12.2009, 07:50 PM

Nga Akademike Floresha Dado
Vlerësimet e shumta ndërkombëtare për I.Kadarenë, të bëra prej shumë vitesh, midis të cilave edhe çmimi “The Men Booker International”, (2005 në Angli), kulmuan këtë vit me dhënien e çmimit prestigjioz “Princ i Asturias”, në Spanjë. Në vlerësimin e jurisë Kadare u cilësua si një shkrimtar dhe intelektual që renditet tek më të njohurit e gjithë epokës, që përfaqëson kulmin e letërsisë shqiptare dhe, pa harruar rrënjët e tij, ka kapërcyer kufijtë për t’u ngritur si një zë universal kundër totalitarizmit. Ishte e natyrshme që një vend, si Spanja, letërsia e madhe e së cilës ka ushqyer fantazitë dhe shijet estetike të brezave të kulturave të ndryshme, të ndjente peshën e artit të vërtetë në pendën e Kadaresë, të vlerësonte rolin e tij, jo thjesht për kulturën e kombit të vet, por për gjithë shoqërinë njerëzore. Mirënjohja, z. Ambasador i Mbretërisë Spanjolle, nuk është e Kadaresë, por e lexuesit shqiptar, e lexuesit evropian e botëror ndaj Jurisë, e cila vlerat e vërteta të artit, edhe prej një vendi të vogël, i sheh si pjesë e shtratit të përbashkët të letërsisë së madh botërore.
Ky çmim i madh, padyshim është një fakt kulturor botëror, por është edhe shprehje e një procesi që nuk mbaron këtu, që paralajmëron çmime të tjera, sepse edhe vepra e ditëve të fundit, “E penguara”, është dëshmi mahnitëse e zgjerimit të vazhdueshëm, të pashtershëm të botës magjike artistike që Kadare ruan në përjetimet e brendshme të tij. Prandaj, me të drejtë shtypi i sotëm shkroi menjëherë: “Çmimi Princi i Asturias për Kadarenë nuk është vetëm një akt drejtësie dhe mirënjohje për punën e tij, por gjithashtu edhe një këshillë për Akademinë Suedeze.”
A është shkruar shumë për vlerat e papërsëritshme artistike të korpusit letrar të Kadaresë ? Po edhe Jo.
Po, sepse kritikë e studiues të njohur të letërsisë botërore dhe shqiptare kanë prekur dukuri të ndryshme të krijimtarisë së Kadaresë. I vlerësuar si “kalibër i jashtëzakonshëm i këtij shekulli” dhe vepra e tij “një art sublim”, “zë origjinal, universal, e prapë me rrënjët thellë në tokën e vet”, ose “mundës i titanëve ndërkombëtarë të letërsisë me çmimin “Booker”etj. mendoj se është thënë vetëm thelbi i vlerave artistike të tij.
Por, nga ana tjetër, them me bindje, se krijimtaria letrare e Kadaresë, një strukturë gjigande e letërsisë shqiptare e evropiane, nuk është studiuar ende në dimensionet e plota të saj. Ku qëndron enigma e pushtetit emocional dhe në ç’përmasa shumëfishohen vlerat që i jep ai fjalës artistike ? Kjo pyetje e madhe ngërthen brenda vetes një kompleksitet aspektesh, që kanë të bëjnë me poetikën artistike, pafundësisht të hapur para mendimit kritik-letrar.
13 vjet më parë, Presidenti i Akademisë Franceze, i Akademisë së Shkencave Morale e Politike, në fjalën me rastin e zgjedhjes së Z.Ismail Kadare anëtar i asaj Akademie, iu drejtua, shkrimtarit tonë, veç të tjerash me fjalën: “Edhe pse jeni në mënyrë të pakundërshtueshme shkrimtar, në të gjithë botën veprat tuaja kanë një domethënie të fuqishme, therëse, përmes disa aspekteve tronditëse, çka i bën ato të jenë akte politike… Sepse, duke ju zgjedhur juve, kemi përzgjedhur, sigurisht një evropian, por një evropian të një lloji të veçantë, një ballkanas, që veç kësaj është shqiptar, përfaqësues i shquar i një prej kombeve dhe një prej kulturave më autentike ballkanase.”
Risjellja e karakterizimit solemn të Jurisë, më lejon që, në këtë auditor me akademikë nga të gjitha fushat e shkencave: natyrore dhe humane, me studiues e kritikë letrarë, historianë, filozofë, politikologë, sociologë etj., të ndalem, vetëm në një aspekt, në faktin se ky shkrimtar i madh mbart brenda vetes përmasat e dijetarit. Më lejon të gjej lidhjen e brendshme midis peshës që i jep ai fjalës artistike drejt ideve, tezave shkencore të problematikës së jetës njerëzore, universale, përtej rrethit të ngushtë të vendit të vet.
Shumë aspekte të kësaj natyre i përkasin asaj lidhjeje të brendshme, të padukshme, që ekziston midis mjeshtrit të fjalës poetike dhe shpirtit racional, që ka arritur të kuptojë natyrën e vërtetë të dukurive të jetës sonë. Në ç’përmasa njohja emocionale-artistike e gjithë veprës së Kadaresë është njëkohësisht edhe një njohje racionale, që reflekton një sistem individual dijesh? Kjo do të thotë se në ç’përmasa shpirti dhe dija realizojnë njëra-tjetrën në sistemin e prodhimit letrar të këtij shkrimtari? Sa filozofia reflektohet edhe si dije edhe si qëndrim emocional? Sa ajo është mençuri dhe imagjinatë, sa është njohje dhe përjetim shpirtëror i autorit? Nuk është rasti këtu që t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve në disa krijime, prozë, poezi dhe dramë të Kadaresë.
“Ju jeni gjeograf, pra. Por dhe historian. Romanet tuaja nuk janë të asaj natyre që zakonisht quhen romane historikë, të mbështetur në dokumente arkivore. Ato janë romane që i kanë rrënjët në historinë tuaj kombëtare dhe traditat gojore, histori që ju e organizoni dhe e modeloni sipas mënyrës suaj…”( Iu drejtua në fjalën e vet z. Henri Amouroux, anëtar i Akademisë Franceze), Dhe, mund të themi: nëse një varg veprash të Kadaresë i referohen historisë shqiptare, ato nuk u qëndrojnë fakteve, por rikrijojnë artistikisht kuptimin e historisë. Me vlerësimin e marrjes së çmimit “The men booker international” thuhet :” Të rrëfyerit e historive është universal. Eshte një nga shenjat e përbashkëta të të qenit njerëzor. Ja pse një roman, nga Shqipëria, mund të ndriçojë të vërtetën për dikë nga Kansasi apo nga Katmanduja, sado e çuditshme të duket kjo”.
(J.Evans, kritik britanik): “Ta lexosh atë duket sikur sheh pendulin e shekujve të historisë ballkanike, të shkuarën dhe të ardhmen e Evropës që shkon sa para-mbrapa”
Ai tregon rrënjët ballkanike të tragjedisë, duke depërtuar në thellësitë e vazhdimësisë së tyre në Shqipëri. Sepse Kadare në korpusin e veprës së vet është “romancier që rrok Historinë me një frymë të fuqishme shekspiriane”. Artisti-historian shfaqet në një mënyrë të papërsëritshme në literaturën tonë.
Veç kësaj, nëse autori krijon personazhet gati mitike të romaneve të shumta, ai ka arritur të “zbulojë rrënimet psikologjike të krijuara nga lufta në shpirtin e njeriut” (L’echo, Lyon, 1970) Nëse dihet që filozofi e nxit vëmendjen njerëzore drejt kuptimit të botës, realitetit që e rrethon, Kadareja nxit vëzhgimin dhe përjetimin artistik drejt faktit se kjo botë që na rrethon nuk është, shpesh, ashtu si duket. Se, nëse interesi i filozofit është studimi i njeriut, Kadare depërton në thellësitë e këtij njeriu, atje ku arsyetimi nuk mund të depërtojë, ai është shkencëtar i shpirtit njerëzor! Se, nëse filozofi niset nga parime fikse dhe arsyetime logjike, Kadare e bën këtë duke shkuar në vëzhgimet racionale përmes trillimit artistik. Se, pikërisht në këtë dualizëm, që duket sikur mbart një kontradiktë, një mospërputhje, Kadare krijon filozofinë e tij “artistike”, e pa arritshme nga asnjë filozof i mirëfilltë. Arsyetimi teorik, që mbart në vetvete një të vërtetë reale, bëhet më i fuqishëm kur përjetohet jo drejtpërdrejtë, por emocionalisht nga lexuesi. Sepse, me filozofinë që përcjellin veprat e tij, ai dikton ndryshime në botën e mendimit, duke shfaqur, kështu, forcën ndikuese të shkencëtarit.
Krahas këtyre aspekteve (historike e filozofike), vëzhgojmë se, nëse Kadare në një pjesë të krijimtarisë së tij “flet për perënditë, për sundimtarët, për liderët, vetëm për t’u treguar atyre rrugën që duhet të ndjekin, rrugën e drejtësisë, të barazisë dhe jo atë të dhunës, të hakmarrjes, të gjakut’ (Journal de Geneve), ne themi se ai e bën këtë më fuqishëm se çdo politikolog, sepse fjala artistike është më e ndjeshme, më ndikuese se çdo diskutim apo predikim politik. Ja pse Presidenti i Akademisë Franceze iu drejtua Kadaresë me vlerësimin: “Nëse Shqipëria, si dhe shumë vende të Evropës qendrore dhe ballkanike, hedh sot vështrimin drejt Perëndimit liberal, … kjo ka ndodhur sidomos në sajën tuaj”.
Gjithashtu, nëse në gjithë korpusin letrar vizioni i botës që rrok shkrimtari shfaqet si reflektim i një strukture mendore, ku nuk riprodhohet në mënyrë mekanike thjesht dhe vetëm vetëdija njerëzore shqiptare, por ajo merr përmasa më universale, kjo dëshmon se Kadare shkon, me mënyrën e vet artistike, drejt aspektesh të rëndësishme sociologjike të shoqërisë shqiptare, por dhe më gjerë, të gjithë shoqërisë njerëzore.
Eseistika është krijimi i Kadaresë ku, në mënyrë intuitive, bashkohet prirja e trajtimit analitik, shkencor me ngjyrimin emocional. Përzierja e stilit shkencor me atë letrar, në disa prej eseve shpreh, në vetvete tiparet e një procesi specifik të të menduarit dhe të shprehjes artistike. Duket, madje se autori luan me letërsinë, kritikën letrare dhe me argumentin shkencor, duke i përcjellë lexuesit kënaqësinë e “tezave të tij shkencore”, origjinale, nëpërmjet një ligjërimi figurative dhe emocional.
Në fizionominë e dyfishtë : shkrimtar/dijetar, Kadareja është më i privilegjuar se një psikolog, historian, etnograf, sociolog, politolog, etj., sepse drejt tij rendin një numër i pakufizuar lexuesish, shqiptarë e të huaj. Sepse analiza dhe sinteza e problematikës njerëzore nuk synon thjesht informimin dhe nxitjen e arsyetimit të lexuesit, por bëhet pjesë e dhimbshme e shpirtit të tij. Sepse në dallim nga të gjitha këto shkenca që ndikojnë në të menduarit e njeriut, letërsia ndikon edhe në logjikën edhe në ndjenjat e lexuesit. Pushtetin që krijon artisti mbi shpirtin e njeriut, nuk e arrin asnjë nga shkencat e tjera. Kolosët e artit të fjalës e kanë këtë privilegj.
Mund të themi se dy llojet e intuitës: ajo ndienjësore (vështrim me ndihmën e ndjenjës së brendshme) dhe intuita intelektuale ( arritja e së vërtetës me anë të mendjes) krijojnë tek ky personalitet një harmoni, ku është vështirë të analizosh ku fillon njëra e ku tjetra. Thelbi i intuitës së individualitetit krijues të Kadaresë, që e vendos atë njëkohësisht në shtratin edhe të artistit edhe të dijetarit, është aftësia për të shkurtuar rrugën e gjatë drejt së vërtetës dhe për ta bërë atë të prekshme në mënyrë të drejtpërdrejtë për lexuesin. E gjithë vepra e tij është, në thelbin e vet, shkenca e jetës dhe e shpirtit njerëzor. Kalimi nga perceptimi i jashtëm i dukurive, në njohjen e proceseve të brendshme të zhvillimit të tyre, e ngre në një nivel tjetër procesin krijues në veprën e Kadaresë. Elemente të tillë si gjykimi dhe arsyetimi, brenda sferës së artit të tij, krijojnë një marrëdhënie me trillimin artistik, që vetëm intuita krijuese e një artisti të vërtetë mund ta realizojë, në mënyrë të vetëdijshme, dhe në mënyrë instiktive.
Ajo që e afron një krijues, si Kadareja, me dijetarin, qoftë të shkencave ekzakte, qoftë humanitare, është se tek të dy vepron frymëzimi, si një akt jashtëzakonisht i ndërlikuar psikologjik, që i nënshtrohet ligjeve që veprojnë në thellësitë e ndërgjegjes dhe që nënkupton një aktivitet të lartë krijues. Gjatë procesit të vëzhgimit dhe njohjes së dukurive jetësore Kadare realizon kohën e punës së intuitës, e cila vepron ngadalë në sistemin e të menduarit logjik. Rezultati i ndërtimit të figurave, të metaforës së madhe artistike në krijimtarinë e këtij artisti i ngjan po atij procesi të shpërthimit, të zbulimit dhe artikulimit të një teze të një shkencëtari. Tek të dy lëvizja drejt shpikjes, realizimit të krijimit, është proces i mundimshëm, që piqet në thellësitë e psikikës dhe që shpërthen në një moment të veçantë. Ky është momenti sublim, si për shkencëtarin, ashtu edhe për një artist të madh të fjalës, siç është Kadareja. Ajo që e bashkon atë me artistët më të mëdhenj të kohëve, si dhe me përmasat e dijes prej akademiku është mjeshtëria krijuese, pra aftësia për punë të menduar dhe dhuntia e talentit dhe e intuitës produktive. Këto tipare, e bëjnë I.Kadare, jo vetëm shkrimtarin më të madh të kohërave tona, por dhe dëshminë e qasjes origjinale ndaj mendimit shkencor, në një mënyrë artistike të papërsëritshme, që është karakteristike vetëm për të. Vëzhgimi i vëmendshëm i krijimtarisë së tij letrare edhe në planin e vlerave të dijetarit, si historian, filozof, etnograf, psikolog, sociolog dhe politikan, që ka, në të gjitha rastet botëvështrimin dhe tezat vetjake, nuk është largim nga sfera e letërsisë; përkundrazi, është realizimi në shkallën më të lartë të thelbit të vërtetë të këtij arti të magjishëm. Në gërshetimin e tyre Kadare është mjeshtëri i befasive krijuese.
Në këtë fizionomi, ku bashkohet artisti i fjalës me dijetarin e fjalës së shkruar Akademia e Shkencave, nuk mund të jetë thjesht vlerësuese ndaj këtij personaliteti, por në radhë të parë bashkëpunuese, sepse aty ku mëndja shkencore bashkohet me dhuntinë e pazakontë të intuitës krijuese, idetë e zhvillimit marrin përmasa të tjera. Me origjinalitetin dhe risinë e ideve, me vizionin dhe kurajon e veçantë si dijetarë dhe krijues, Akademiku Ismail Kadare mund të bëhet një faktor i rëndësishëm për projektet dhe synimet shkencore që Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet të realizojë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Mexhid Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Përtej harrimit''
Mexhid Yvejsi: Miliona haxhinj, Miliona dashuri...
Rami Kamberi: Në darën e jetës
Nuhi Ismajli: Disa vërejtje një vepreje me vlerë
Adem Berisha: Miqësi apo...?!
Blerim Çoçaj: Lufta e UÇK-së, NATO-ja dhe çlirimi i Kosovës
Nuri Plaku & Baki Ymeri: Fillesat e arsimit në diasporën shqiptare të Rumanisë dhe albanologu Grigore Brënkush
Prend Buzhala: Midis ndjenjës dhe përsiatjes (Poezia e Mexhid Mehmetit)
Sevdije Rexhepi: Cikël me poezi nga libri ''Orët e mungesës''
Kozeta Zavalani: Dashuria ime me mjekun Gjergj Zavalani ka qenë e vështirë për kohën
Poezi nga Skënder R. Hoxha
Kolec Traboini: Flamuri i kryengritjes 1911
Këze Kozeta Zylo: Për ty, Flamur
Gjon Keka: Demokracia ka nevojë për opozitë legale
Mazllum Saneja: Poezja moderne polake - Jan Michal Stuchly (VIII)
Cikël poetik nga Arsim Halili
Suzana Kuqi: Asgjë e bukur...
Baki Ymeri: Estetizmi senzual i poeteshës Florika Bud
Kalosh Çeliku: Zhurma e rrotave të qerres
Hilmi Saraçi: Pasqyra