E diele, 04.05.2025, 06:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Marius Chelaru: Universi poetik i ndjeshmërisë së brishtë

E merkure, 02.12.2009, 07:51 PM


Mendime rumune mbi vlerat shqiptare

UNIVERSI POETIK I NDJESHMËRISË SË BRISHTË

(Qasje estetike mbi vëllimin e Nuri Plakut, Lacrima lunii/

Loti i hënës, botim bilingv, Bukuresht, 2009)

Nga Marius Chelaru

Pas një numri të konsideruar autorësh nga Kosova dhe diaspora shqiptare, poeti dhe përkthyesi i mirënjohur Baki Ymeri tashmë ka filluar të sjelli në rumanisht edhe poetë të tjerë nga Shqipëria. Nuri Plaku është i pari ndër ta, i cili vjen në gjuhën e Emineskut me vëllimin ”Lacrima lunii/Loti i hënës”. Universi poetik i këtij autori kaplon një gamë të gjerë frymëzimesh të brishta që joshin vëmendjen e lexuesit, jo vetëm në veri të Danubit, por edhe më gjerë.

Nuri Plaku, inkorporon në këtë vëllim një varg subjektesh me ngjyrim të theksuar social dhe intim të cilat dominohen nga përjetimet e tij të drejtpërdrejta. Këto frymëzime burojnë nga vështrime që aterojnë mbi detajin e hollë, i cili reflekton thellësinë e ”tabllosë” poetike.  Shpesh, tablo të tilla, vizatohen nëpërmjet një peneli të brishtë, plot ngjyrë e ndjeshmëri të hollë, pa dalë nga platforma zotëruese e stilit  të tij të konsoliduar. Tipike është poemi ”Kur ishim fëmijë”, e cila më duket se është  një ndër poezitë më të arrira të këtij vëllimi. Nuriu është poet frymëzimesh të jashtëzakonshme. Imagjinata e tij ndërlidhet sidomos me femrën, me të dashurën e cila nuk posedon një emër konkret në këtë lirikë me substancë dashurie. Ajo shfaqet në përjetimet e tij duke u mbështetur në disa fjalë kyçe, apo ”çelësa” si: dashuri, kujtim i përgjumur, mall (pa e harruar paradigmën e mallit dhe mallin si fjalë e veçantë në të dy gjuhët), etj. Në të njëjtën kohë, mund të flasim edhe për pritje/dëshirash, jo vetëm në fushë të ndjeshmërisë/mishtore/fiziologjike, por edhe si fluturim në botën magjike të dashurisë familjare.

Nganjëherë, frymëzimet e këtij poeti kanë një notë konfesive, tjetërherë të përkujtimit/remember, ndërsa metaforat zhvillohen pa u prekur nga referenca  libreske, lidhje/asociacione/dokte. Edhe diskursi poetik, gjithashtu, nuk është as i komplikuar, as i ”ashpër”, as i idealizuar. Dhe, ndoshta për këtë arësye, në radhë të parë kemi të drejtë të themi se Nuri Plaku është ithtar i muzikalitetit të vargut, i lirizmit dhe metaforës të cilën e kërkon në magjinë e fjalës për ta zbukuruar mendimin. Ndoshta kjo është cilësia kryesore, në vizionin tim, të poezisë së tij, në një kohë kur eksperimenti/libresku/inovacioni, shfaqen në forma të ndryshme duke e kapluar shpesh edhe vëmendjen e lexuesit, e jo vetëm të kritikës. Pikërisht  në këto situata, ky autor din të zgjedhë me aftësinë e tij, lirizmin që e karakterizon. Këtu diskutimi është më i gjerë, por para se të ”inkuadrojë” një poet apo veprën e tij në një mënyrë apo tjetrën, kam preferuar shpeshherë ta kundroj kur flas për një hapsirë tjetër linguistike/poetike, si pjesë e atij universi, përtej konsideratave të rendit klasifikativ, apo të plasimit në një „hierarki” të caktuar.

Në këtë kontekst shquhen nuancat që kontribuojnë për ndriçimin e aspektit të tabllosë së poezisë në një platforme linguistike të veçantë. Mbi forcën e shprehjes, nganjëherë mund të jetë vështirë të diskutosh kur ke të bësh me një poezi të përkthyer, aq më shumë kur rima apo ritmi kanë tjetër rol. Por, në këtë vëllim është për t’u nënvizuar fakti se ky poet posedon mjeshtrinë e ndërtimit të metaforave të bukura. Po t’i ekzemplifikojmë ”çelësat” që na shtyjnë të mendojmë në vargjet e Nuriut dhe të zbulojmë mënyrën e ndërtimit të tyre dhe mënyrën e krijimit të metaforave të tij, ballafaqohemi me shprehje të tilla pikante, si: ”gurët e kujtimit”, ”prushi i kujtimeve”, ”mall i pashkrirë nga kujtimet”, ”koha kur fillon gjyqi i kujtimeve.”, ”lotin nuk ia jap ngase nën te fshihet një mall,” ”rruga nga shkonte malli i gjyshërve të mi”, ”do ta shuaj mallin me lulet e pranverës sate”, e plotë të tjera si këto.

Dashuria është, ndërkaq, tema qëndrore, apo thënë ndryshe, një ”motiv” karaktersistik i këtij vëllimi. Kjo është një dashuri me motive të paprekura nga pesimizmi, melankolia çarmatosëse apo nga theksi i braktisjes lirike apo elegjiake. Dashuria në këto poezi është mitra ku krijohen foshnjet, është një dashuri ”e bardhë si qumshti i nënave,/ që vlon nga dashuria” (Një pyetje për Zotin). Është kahja nën të cilin rrjedh lindja, historia/ miti: ”Qumështi i gjirit ka rrjedhur ndër shekuj/ dhe është bërë/ dritë dashurishë” (Në Apoloni). Dashuria është shenja nën të cilën rrjedh jeta: ”Nata është një kryq i bardhë dashurie/ me emër gruaje gdhendur  në skaj” (Nata është një kryq i bardhë dashurie). Edhe vdekja nga ky autor është e kundruar përmes pasqyrës së kornizuar në fjalë dhe gjendje si dashuria, malli, gruaja. Një sekuencë të tillë, mjaft të bukur, na sjell nëpërmjet poemit ”Brinja e mbjellë”: ”Do ta shqyej brinjën time nga trupi/…/ Të mbijë prej saj/ Një lastar i bukur gruaje” mbi të cilën, shkruan autori, do të presë ”plot mall” të mugullojë ”Trëndafili i kuq/ I vdekjes sime”.

„Loti i hënës” është një vëllim joshës të cilin mund ta shikojmë edhe nën shenjën e një simbolistike me nota universale, por edhe, duke u nisur nga ana konfesive, si një fushë kërkimesh të disa pyetjeve për të cilat jo gjithkush mund të japë lehtë përgjigjet e preferuara. Do ta shikoja edhe si një pyetje për vetveten, një kundrim në pasqyrën e vetvetes së parë pas një shtegtimi të gjatë nëpër kujtime, kuptime, kërkime, dashuri dhe pritje. Gjithsesi, „Loti i hënës” na sjell në gjuhën tonë një poet shqiptar me një univers poetik të ndjeshmërisë së brishtë, i cili e prezanton me dinjitet vet atë dhe kulturën letrare të vendit të tij. P. S.  Autori i këtij shkrimi është poet, kritik dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Rumanisë.


(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx