E diele, 04.05.2025, 06:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Beniamini dhe unë

E merkure, 02.12.2009, 08:16 PM


KRISTAQ TURTULLI

BENIAMINI DHE UNË
                          
POEME

1
    
Beniamini dhe unë,
Jemi miq të mirë.    
Ndriçuar nga dielli i ngrohtë,
Fshikulluar nga era e fortë,
Lagur nga shiu i ngrirë,
Mërdhirë nga thëllimi i mprehtë.
Punojmë nën një çati,
Diku ne periferi,
Në një fabrikë,
Një prej qyteteve,
Me pallate qiell gërvishtëse,
Reklama.
Zhurmë mëdha,
Si zhaurima e detit me dallgë.
Metropole marramendëse.
Janë atje,
Pasanike dhe lypsare.
Prostituta, kodoshë
Dhe kalores te bardhe.
Rrugë që priten,
Kryqëzohen,
Si meridianë.

Unë çdo ditë,
Mëngjes dhe në darkë,
Nxitimthi,i mbytur në djersë,
Hip dhe zbres trena, autobusë,
Beniamini me makinën gërdallë,
Gjithë hungërimë,
Si brumbull i murmë,
Zvarritet për në punë.

Jetojmë larg, në veri,
Në kontinentin e ftohtë.

Dëbora është tjetër dëborë,
Era është tjetër erë.
Plaku i trishtuar grindet:
Këtu nuk ka burime shkëmborë,
Ujin e pimë me bidonë plastikë.


2

Beniamini syzet e mëdha mbi hundën mprehte rrëzon,
Dhe herë mbas here teshtin.
Me kandarin e vogël kohën peshon,
Si pluhurin e floririt,
Të mbledhur nga pastrimi i unazës së jetës.
Tullën e bardhë nxitimthi  mbulon,
Me renë e zezë,
kapelë,    
strehë gjerë.
Dy krela të argjende,
I zgjaten në faqe
Si dy udhë,
Të lindjes dhe perëndimit.

Në gjysmën ore të shenjte të drekës,
Ai gjithnjë lëviz si hije,
Në kërkim te përgjegjësit pakistanez Shahirë.
Duket dhe zhduket neper korridore.
Ndonjë ore pune shtesë ti përlajë.
Por Shahirë,
Është në ritualin e faljes së gjashtë.
Mbi sixhade,
Ulet dhe ngrihet fustanella e bardhë,
Si çikriku i pusit pa ujë.
Disa metra larg xhamisë,
Nga padurimi,
Beniamini dërmon thonjtë
Përdhe pështyn me zhurmë.

3

Unë nënqesh dhe fshij me shami,
Pluhurin e ditës,
Të grumbulluar në hatullat e kujtesës.
E pranoj atë çifut ashtu siç është.

Përgjatë pushimit të shkurtër,
Turrem jashtë.
Te dal, të qëndroj,te marr fryme,
Aty ku gjendet drita.

Në djall të venë Shahirë
Dhe Beniaminë,
Në dreq të vejë gjithçka.
Tu shpëtoj një copë herë,
Dhëmbëve të mprehtë të kohës,
Si çapkën i vjetër i  shtigjeve dhe monopateve të njohura.

Harroj ndërkohë,
Këmbët  lodhen.
Përpara pasqyrës,
Gozhdohem,
Hutohem.
Valsi i flokëve të mi, të bukur, s’është më,
Furtuna, shtjella e viteve i flaku tutje,
Pa dhembje, pa mëshirë,
Me tërsëllëmë,
Në grykat e thella të ëndrrave,
Pasioneve.
Në shtegun e dhive të rinisë.
Përfundimisht humbën, ranë,
Me mërgimin,
Me stresin.
 
Shtrati i lumit të jetës qenka ngushtuar,
Nuk është si më parë,
Uji derdhet plogështish në cekëtinë.
Nuk më besohet të jem unë,
Në atë pasqyrë.
Hej, çmë zgërdhihesh ashtu,
Shko mbushu,
Dëgjon, gremisu tutje,
Ndoshta thjesht je,
Shëmbëlltyrë,
 Më bëhet ta përqesh dhe ti nxjerr gjuhën.
E të humbas nëpër përfytyrime.

4

Beniamini afrohet,
Shtyhet,
Drejt meje.
Si një shtëllungë mjegulle,
E mbarsur me shi.
Pakistani e lodhi,
I nxori ujë te zi.
Ai rënkon,
Kërruset si kosore.
Sa herë Beni harxhon ndonjë kacidhe.
Sytë e gjelbër bëhen si dy pellgje me leshterikë.
Rrëkeja e djersës i qull këmishën pa ngjyrë.
Dhe si qenush  teshtin herë mbas here.


E vështroj dhe nënqesh me qesëndi:

Koha dërmoi me dhëmbë edhe një ditë, Beni,
Orët dhe minutat të zgërlaqura tutje u shtynë.

Indiferent flak në banak një monedhë,
Me neps rrëkëllej krikëll të ftohtë me birrë.

Rrëmbimthi kthej kokën nga ai,
Pi Beniamin,
I them.
Pi,
Këtë gotë,
Me birrë të hidhët.
Flake  tutje mikrobin e pështirë,
Te xhelozisë.
Harroje atë mistrec Shahirë,
Te lutem, mik, vetëm një copë herë.

Sa gjera të rralla ka në te voglën  botë,
Plot çudira krijohen,
E në çast bëhen thërrime.

Vendi im larg është,
Mes malesh të lartë.
Zemra ime është atje,
Freskohet në ato burime.

5

Ai luan kryet ngadalë,
Atdheun larg e ka,
Si unë.
Të vogël, gati si një pikë në hartë.

Natyrshëm bisedat për vendlindjet tona,
Marrin udhë,
Për qytetet e bardha,
Vajzat e bukura,
Malet qe mbajnë kryet përpjetë,
Fushat si shami te qëndisura.
Reflekset dhe ëndrrat e kaltra.
Puthjet që u tretën nëpër muzgje,
Si kartolina të zgjyrosura,
Të ngelura,
Në cepat e rrugicave së viteve,
Të përmbytur nga shirat e vjeshtës së gjatë.

Era vrullshëm mori me vete serenatat.
U çmendën kitarat,
Rënkojnë.
Hijet e maleve lëvizin,
Rëndojnë.


Me vështirësi ngre krahun pi një gllënjkë birrë.
Çifuti fshin e stërfshin tullën e bardhë,
Me zhurmë rrufit çajin e ftohtë.
Bota e madhe luhatet,
Lëkundet
Si varkë,
Në zbrazëtinë e mallit dhe trishtimit tonë.

Banakierja plakë zellshëm më zhvat paratë.
Beniamini nuk pi  asnjëherë
Birre.
Ai rrëkëllen pa ndërprerje çajin si shurrë.

6

Një mbas dite vonë,
Deri në mesnatë,
U grinda si kot në fjalë me të.
Tutje në qiell yjet lektiseshin të lodhur.
Horizonti përflakej dhe kollitej me zë.

Beniamini flaku tutje renë e zezë,
Kapelë.

Hëna u përdrodh, shkau nëpër qiell,
U kërrus,
U shtri si një nuselalë,
Lëpiu me zell tullën e tij të bardhë.
 
Termosi i çajit u përmbys me zhurmë,
U bë rrekëzë,
Mori udhë,
Gjarpëroi nën tavolinë.

Banakierja plakë vëngër sheh atë
Grindet me fjalë.
Beniamini përpëlit sytë miopë.

Nga mbiu si për dreq,
Mes nesh,
Fjala:

KËRTHIZË

Hej, Beniamin,
Të lutem,
Mbuloje atë çaçkë.
More si nuk e ndjen,
Hëna aty po bën kasaphanë.

Më lër të them,
Të pi të hidhurën birrë,
Të kujtoj fjalët që nuk u thanë.
Puthjet që nuk u dhanë.
Secili nga ne e ka një brengë.

Ai fshin me ngut djersën në ballë,
Hedh dy lugë sheqer në çajin e ftohtë.
Sytë e tij një hop mu dukën mjegullinë.

Nuk ka dyshim është punëtor i mirë.
Dy cironka merr në trastë çdo ditë.
Kokrrat e ullirit numëron një nga një,
Dhe sa herë shkon në banjë,
Shikon prapa gjithë frikë.

 7

Befas ai me  kokëfortësi,
Fshikullon ajrin përsëri,
Me zërin e hollë
Thotë:
Unë jam i sigurtë
Vetëm një vend është në botë:

KËRTHIZË.

Lëviz qafën drejt tij me zhurmë
I flas me zemërgjerësi:
Eh, Beni,
Beniamin.
Zotrote sikur thua,
Je pa reklamë
Pa bujë.
Pantallonat i mban të gjëra,
Xhepat e thellë,
Ju lutem flaki në to fjalët e tepërta.

Unë me neps pi birrë
Dhe tymos cigarë.
Ai rrufit çaj të ngrohtë     
Ngathtësish fshin djersën në ballë.

Ç’ndreqin bën,
Beniamin
Nëpër qiell rrëmbimthi po bredh sytë.
Shih,me kaçurrelat e argjende,
Hënën do të kapë,
Ta mbërthejë.

Hej ti, lëre hënën,
Të qëndrojë aty ku është,
Dëgjon,
Do jetë e plumbtë nata pa të.
Dhe yjet do të mbeten jetimë.

Ai nuk do të flasë,
Vendosi të ikë.
Fshin me mërzi lotët e gjumit nga sytë.

8

Unë lëviz,
I qëndroj përballë.
Flas me zë të trashë.

Ai me vrull tërheq kokën mënjanë
Beniamin,
Si thua e lemë flamën bisedë.
Natën të rrjedhë, qetë.
Me gotën përpara nuk dua të grindem më.
Unë të pi birrë,
Ti si gjithnjë çaj të” ngrohtë.”
Ai përpëlit sytë.
Heq e vë,
Kapelën me strehë,
Të gjerë,
Si re të zezë.

Beniamin,
Të dy  nga shtete të vegjël,
Vijmë.
Të lashtë,
Me traditë.
Kyçe lidhëse,    
Të lindjes dhe perëndimit,
Vendet tona kanë qenë.
Aty tek  ne,
Furishëm,
Dhunshëm,
Janë përplasur
Rrebeshet,
Furtunat,
Luftërat,
Shtrëngatat.

Veçse miku im,
Beni, Beniamin,
Duhet ta dish mirë,
I vogli vendi im renditet në vend të parë.
Erërat e tërbuara të dallgëve,
Kryqëzuar atje janë,
Në mijëra e qindra vite me radhë.

Ne jemi si përherë,
Atje,
Një gjuhë,
Një farë.
Të sertë,
Trima,
Heroikë.
Për flamur vrarë e prerë.
Për besë.

Pelerina e përbaltur e Konstandinit,
Valëvitet nëpër erë,
Krahët e rëndë,
Fytyrë verdhë,
Flokë ngrirë,
Kali duke hingëllirë
Pezull mbajnë një Doruntinë.
Zërat e natës oshtijnë,
Ecën i vdekuri me të gjallë.
Peng i besës dhe i mallit.
    
Nëntë plagë kish Gjergj Elez Alia,
Marrë nga luftërat e gjata
Akoma dhembin atë plagë,
Gjak kullojnë.
Ai u përball me bajlozë,
Në mbrojtje të nderit,
Kombit,
Krenarisë.
    
Për trimëri, dinjitet, zulm e bujë,
Kryq e tërthor rrahën bjeshkët e Ilirisë,
Muji me Halilë,
Që nga Danubi deri në Artë.
Të vërtetat tona,
Të lashta,
Të reja
Janë ngritur në legjenda.
Nëpër shekuj enden, në breza,
Në Ballkanin e sertë,
Në Evropën plakë.

Tre perandori të mëdha,
Të egra,
Me armë të rënda.
Erdhën,
U gjakosën
Ikën.

Mbrojtësi i Evropës, kryetrimi Skënderbe.
Heroi i heronjve.
Mburoja e parë e Krishterimit,
Njëzet e pesë vjet,
Theu shpatën osmane.

Hijet e maleve dhe grykat armëve,
Në horizontet e përflakura kanë qenë.
Kuvertën e rëndë të historisë,
Si hamej të vonuar kemi mbartur mbi shpinë.
 
Dhëmbët e egra të armiqve,
Në shkëmbinjtë e thiktë,
Janë thyer,
Dërmuar,
Rënë.

E, ja, tek jemi të dy, ballë për ballë.
Mendoje mirë kur thua kush është në botë:

KËRTHIZË

9

Beniamini nënqesh dhe shkel syrin e djathtë,
Eh, ke të drejtë, thotë.
Sheqer hedh në çajin e ftohtë.

Unë tinës tij,
Përdredh buzët.

Grindet në qoshe banakierja plakë,
Çifuti nuk paguan për sheqerin asnjë kacidhe.
Me cepin e yllit polar ai do të kruajë kurrizë,
Dredh dhe përdredh me gishta kaçurrelin e bardhë,
Fut dhe nxjerr duart nga xhepat e thellë.

Beniamini nis e flet ngadalë:
Jeni vërtet një popull i lashtë,
Ndoshta më i vjetri në Evropë...

Ai kollitet,
Dhe fërkon me nervozizëm xhamat e trashë.

Përgjatë rrjedhës së historisë,
Ju keni qenë pemë madhe, e lartë.
Të sinqertë,
Me besë,
Zemër gjerë,
Shumë degë,
Ju prenë,
Në besë ju koritën.
Mbetet një pjesë.

Ju për fqinjët,
Dredharakët,
Tinëzarët,
Të pabesët,
Bëtë çudira,
Heroizma,
Hata.
Për ta,
Ju ndriçuat historinë,
Shkruat lavdinë.

Miku im,ju jeni pranverë,
Verë
Për komshinë.

 Harroni vetëm një hollësi,
Lini dimrin,
Ndoshta dhe vjeshtën
Për shtëpinë.

10

Unë kryet pershkunda,
Tutje flaka të hidhurën birrë,
Me inat hedh cigaren përdhe,
Më ngjau si brumbull i hirtë.
Dhunshëm e shkel me këmbë.

Hej çifut, mos e tepro,
I u shkreha.

Beni duke u dridhur lëvizi prapa.
E di ai, unë jam gjaknxehte,
I trembur bredh sytë
Nëpër rrugina.
I kishte përmbytur errësira.

Beniamini u kollit dhe shtoi me zë të hollë,
Duke më shmangur sytë:
Të lutem me dëgjo, ne jemi shoke,
Me te keq nuk ta thashë,
Ne Izraelitët tek të tjerët nuk besojmë.
Të gjitha stinët për vete i mbajmë,

         ASGJËNË
Lemë për komshinë.

Hej. Dreq. Çifut. Për mijëra vjet me radhë,
Si muhaxhirë keni bredhur nëpër shkretëtirë,
Për  një cope toke.
Ke kurajë,
Të thuash atë fjalë.
Atëherë ç’kuptim ka,
Të pretendoni,
Të jeni ju kërthizë,
Bërtita.
Çifuti luajti supet,
U ngrit
Dhe doli jashtë.

Hëna lart në qiell,
Përdridhej dhe shkelte sytë...

KRISTAQ TURTULLI
TORONTO 2009



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx