E shtune, 27.04.2024, 08:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Fragmente nga tregimi "Arturi"

E enjte, 03.12.2009, 07:33 PM


Fragmente nga tregimi  "Arturi"
                                         
Nga Pierre-Pandeli Simsia
 
Arturi afroi kolltukun pranë dritares së dhomës. Shiu, që vazhdonte të binte, ia kishte bërë më të errët ngjyrën gri atij rripi oqeani të futur në Nju Jork. Statuja e Lirisë nuk dukej pastër. Mjegulla, sa vinte bëhej më e dendur, e kishte mbuluar, pothuajse të tërë Nju Xhersin
Shuajti bishtin e cigares që mbante në dorë dhe nxorri një cigare tjetër nga paketa.
Cigaren kishte kohë që e kishte ndërprerë, ndërsa dy javët e fundit, tymoste, pothuajse dy paketa në ditë.
........................................
Në mendje po i vinin shumë mendime. Që kur jetonte në Shqipëri i kishte venë vetes si qellim, të ishte i kujdesshëm në dy gjëra, që ai i quante të rëndësishme për jetën e tij; të mos përdorte dhe të mos tregtonte lëndë narkotike, si dhe të ishte i kujdesshëm në infeksionin HIV. Kjo e fundit e kishte bërë edhe me fiksime.
Ç'do ditë, kur shkonte në punë me tren, çdo njeriu që ulej në ndenjësen pranë tij, i hidhte një shikim me bisht të syrit. I kishte ndodhur një ditë t'a prekte një burrë, ashtu siç ndodh shpesh kur ka shumë pasagjerë në vagonat e trenit.
Si për t'ia shtuar edhe më tepër fiksimin, burri që e kishte prekur, kishte disa plagë të vogla në dorën e djathtë.
Nuk po rrinte i qetë, derisa të vinte stacioni ku ai zbriste për të shkuar në shtëpi.
....................................
U zhvesh dhe hyri në vaskë të lahej. Kur doli nga vaska, e dizinfektoi trupin me alkool....
"Budallallëqe!" - mendoi. E kuptonte edhe vetë, që, disa veprime ishin të tepruara, por s'kishte ç'të bënte; fiksimi...
Rrinte i menduar me shikimin në atë cep të dhomës. Nga sytë filluan t'i dilnin lotë duke i rrëshkitur faqeve. Cigarja e ndezur që mbante në mes dy gishtave, pothuajse ishte djegur plotësisht. Hiri i cigares i ra mbi pantallona në pjesën e gjurit, vetëm kur ndjeu nxehtësinë e prushit të cigares në gishtat e tij u përmend nga ajo përhumbje e madhe ku ishte futur në mendimet e tij.
Përpara syve iu shfaqën pjesë të ndryshme të jetës që kishte kaluar në Shqipëri dhe në emigracion.
"Emigracioni" - tha me vete. - "Refugjat! Ngado që të shkosh refugjat je..." - dhe iu kujtua jeta kur kishte filluar për herë të parë emigrimin.
Në fillim kishte shkuar në Itali. Zona ku jetonte Arturi, ishte e banuar jo vetëm shqiptarë, por edhe emigrantë të tjerë huaj.
Ishte tip i mbyllur në vetvete; nuk i pëlqente të zinte shumë shokë.
Një mbrëmje, përballë shtëpisë ku banonte ai, erdhën shumë policë. Pas kontrollit që i bënë shtëpisë, policët arrestuan tre djem, emigrantë të huaj.
Atë natë Arturi nuk fjeti i qetë. Mendja i rrinte tek ata tre djemtë; i dilte përpra skena e tyre me duart e lidhura prapa në mes të policëve.
Të nesërmen ngjarja u përfol, se arrestimi i tyre kishte lidhje me një vrasje. Komshijtë përreth u frikësuan shumë nga ajo që dëgjonin. Nga frika nuk shpëtoi as edhe e zonja e shtëpisë, ku rrinte Arturi me qera.
- Artur, më vjen keq, se je djalë i mirë, por duhet të largohesh tani nga shtëpia ime - i tha gruaja, që e kishte marrë vendimin e prerë.
Arturit, ky lajm i erdhi i papritur, sepse me të zonjën e shtëpisë shkonte shumë mirë, sa edhe djali i saj, njëherë i kishte thënë: - Artur, ne të njohim ty tani që je djalë i mirë dhe të duam, ashtu si edhe nëna ime të do ty...
................................
Edhe pse Arturi u mundua t'i mbushë mendjen asaj gruaje, se s'duhet të kishte frikë, sidomos pas asaj që ndodhi me emigrantët e tjerë, madje i kujtoi, se edhe në dhënien e lekëve të qerasë së shtëpisë ishte korrekt, përsëri gruaja ishte e vendosur: - E di, e di Artur, ashtu është si thua ti, por... më kupto... policia!....
- Ç'farë të kuptoj? Përse ke frikë? Ç'farë policia po më thua? Për atë që ndodhi tek shtëpia përballë e ke fjalën? Unë jam shqiptar; ke frikë nga shqiptarët? Përse duhet të kesh frikë nga ne? Ata djemtë që i mori policia nuk ishin shqiptarë.
Në fakt, ardhja e policëve atë natë tek ajo shtëpi, ishte e paqartë. Disa emigrantë thoshin se ngjarja nuk kishte të bënte fare me vrasje...
Disa të tjerë thoshin, kjo ishte edhe më bindësja, sepse ashtu ishte e vërtetë, policët i kishte thirrur vetë, i zoti i shtëpisë ku banonin ata djemtë. Ai kishte dashur t'i përzënte nga shtëpia edhe pse në pagesën e qerasë ishin të regullt.
Atij nuk i pëlqente, kur, nganjëherë në fundjavë atyre u vinin shokët për vizitë edhe pse bisedat e tyre bëheshin me zë të ulët.
...............................
Frika, se e zonja e shtëpisë mund të vepronte si ai burri që njoftoi policinë e ngacmonte Arturin ato ditë. Edhe pse mundohej të ndëronte atë mendim, sepse edhe ajo sillej mirë me atë, ai prap nuk arrinte të kuptonte, ç'ishte ai dëbim i menjëhershëm nga shtëpia, pa asnjë arësye.
Nuk kishte ndonjë adresë ku mund të shkonte, megjithatë, do ikte, në një qytet tjetër. Tani e kishte edhe më të kollajtë, se edhe gjuhën e kishte përvetësuar pak dhe nuk do kishte pengesat e fillimit.
.........................................
Duke pritur trenin, në stacion, pa policë të shumtë.
"Diçka e keqe do ketë ndodhur" - tha me vete dhe u mundua të rrinte i qetë. Dy valixhet e mëdha, ku kishte futur teshat e trupit i mbante para këmbëve. Policët dukeshin të shqetësuar. Tre policë kaluan aty pranë, i hodhën një shikim valixheve dhe vazhduan të ecin. Arturi përsëri u mundua të rrinte i qetë. Pas pak, dy policë, se si u gjendën nga ana e tij e majtë, as ai vetë s'e kuptoi.
     - Nga je? - pyeti një polic.
     - Do shkoj në ... - iu përgjigj ai dhe në gjoks iu mblodh një gulç.
- Mund t'ju shoh dokumentat? - Ndërkohë u afruan edhe dy policë të tjerë.
"Oh, Zot! Mos...!" - S'i kam marrë akoma, jam në pritje, - u përgjigj me gjysëm zëri.
     - Po këtu, ç'farë ke? - pyeti polici tjetër, duke qelluar me këmbë njërën nga valixhet.
     - Teshat e trupit janë, - u përkul dhe preku njërën nga valixhet.
     - Mos bëj asnjë lëvizje - i thanë ata - do vini me ne.
Dy policë e kapën për krahësh dhe e vunë në mes, ndërsa dy të tjerët, morën secili nga një valixhe.
Duke ecur nën shoqërinë e policëve, këmbët nuk i ndjente t'i kishte të tijat. Sytë i ishin mjegulluar dhe vetja i dukej si në ëndërr. Goja brenda i ishte tharë. Mundohej të lëvizte gjuhën, por nuk i prekte asnjë pikë pështymë. Edhe pse nuk i njihte ata njerëz të huaj në stacionin e trenit, i erdhi turp, kur të gjithë po e vështronin në ato çaste të tmerrshme.
................................................
Kur Arturi ua tregonte njerëzve të tij në shtëpi, pasi e kthyen nga Italia, Aneta, e ëma e tij e përlotur e shihte dhe, herë herë e puthte.
     - Të keqen nëna bir, më thuaj të vërtetën; të rrahën apo jo policët?
Arturi vuri buzën në gaz: - Mama, disa herë më ke pyetur dhe unë të jam përgjigjur "Jo", nuk më rrahën.
     - E di, por... kur të kthyen, ato ditët e para, nuk të shihja dot me sy; ishe dobësuar shumë.
     - Po pse, nga erdha unë, nga kampi i pushimeve? Duhet të më kuptoni; ato tre ditë që më mbajtën në polici nuk ishin të lehta, por, për të rrahur, nuk më rrahën.
................................................
     - Kur nuk ike në Zvicër ti, - i tha e motra, Zana. - Po bëhen milionerë njerëzit në Zvicër. Shikojeni Torin si e ka bërë shtëpinë, vilë. Ata, deri dje s'kishin bukë të hanin, sot lozin me paranë...
     - Lëreni Torin dhe nuk dua t'a dëgjoj më fjalën Zvicër këtu në shtëpi - tha i ati, Bashkimi, duke e ngritur tonin e zërit. - Nuk kam fëmijë për në Zvicër unë; nuk kanë ç'më duhen ato lekë droge mua. Le të bëhet milioner Tori; emrin të shënuar me rreth e ka ai. Në mos sot, nesër do t'i dalë flaka dhe nuk ka burrë nëne pastaj ta shpëtojë nga ai zjarr ku ka hyrë... Ti mos u mërzit bir, kështu e ka kurbeti, me të ecur...
................................................
Për një çast, në dhomë ra heshtja. Pas pak Anetës, diçka iu kujtua dhe tha: - Erdhi një djalë sot në shtëpi, ty të kërkonte.
     - Atë po mendoja edhe unë - tha Arturi. - Më ka premtuar një shok, të më nxjerrë vizë në ambasadën e shtetit tjetër fqinj; seç ka një të njohurin e tij në ambasadë, që nxjerrin viza,  por edhe nëse nuk sigurojmë dot vizë, do ikim nga malet. Ai e njeh mirë terrenin, e ka bërë disa herë atë rrugë...
     - Sa lekë paguahet për të nxjerrë vizë? - tha Zana.
Asnjeri nuk u përgjigj, ndërsa Arturi i hodhi një shikim shtrembër me bisht të syrit motrës, sikur donte t'i thoshte: "Pse flet në kohën që nuk duhet folur..."
     - Prap do ikësh ti? - tha e ëma, Aneta. - E zeza unë; prap do rri me gjak të ngrirë unë?
     - Është i sigurt ai shoku që do të nxjerrë vizën? - tha i ati - Dëgjo! Të jesh i kujdesshëm me vizat, se çfarë nuk po dëgjojmë të bëhen, falsifikime, kopjime e ku ta di unë, e hajde hyr në telashe të tjera më vonë. E dini sa njerëz janë marrë më qafë? Janë futur në burg për këto punë!
     - Uuuu! Mos o Zot! Larg qoftë! - tha Aneta, duke u larguar pak nga e majta, ku ishte ulur.
................................................
Marrja e vizës për të shkuar në shtetin fqinj ishte e pamundur, kështu që Arturi bashkë me shokun e tij u detyruan t'i drejtohen maleve për të kaluar kufirin...
Edhe në atë shtet, Arturi po shihte të njëjtën përbuzje, rracizëm, diskriminim ndaj shqiptarëve, si në shtetin tjetër ku kishte qenë. Nuk arrinte t'i kuptonte ata njerëz, me disa pyetje idiote, siç i quante ai, kur e pyesnin: "Keni domate në Shqipëri ju?"
- "Pse çdo krim a vjedhje që bëhet këtu, duan të na i veshin neve, shqiptarëve? Përse e kërkojnë dëbimin e shqiptarëve, apo se u kemi "marrë" punën? Le të shkojnë edhe vendasit në ato punë ku ua kanë "marrë" shqiptarët? A nuk janë shqiptarët ata, që po ndërtojnë metrotë dhe stadiumet..., që punojnë në kullota dhe në bujqësi... ? Nuk janë sportistët shqiptarë ata, që po u japin medaljet e ndryshme këtij shteti...?..." Këto po mendonte Arturi, duke parafytyruar një ngjarje makabër, që kishte ndodhur ato ditë. Në mes të emisionit të lajmeve, folësi njoftoi: "Një djalë vendas në një lagje të kryeqytetit, u gjet i vrarë në shtratin e tij ku flinte... Kriminelët, pasi e kishin qelluar me sopatë, e kishin copëtuar trupin e tij, e kishin futur në thes plastmasi dhe i vunë flakën..."
Për fatin e keq, në lagjen ku kishte ndodhur ngjarja banonin edhe shqiptarë.
- "Shqiptarët e kanë vrarë, e kush tjetër...? Ata vrasin, ata vjedhin... Ka faj qeveria që nuk i dëbon..." dëgjohej të nesërmen dhe në ditët në vazhdim të flitej nga vendasit.
Nuk vonoi shumë, pas dy ditësh, i njëjti folës në televizion, njoftoi se: "Viktimën e kishte qelluar për vdekje babai i tij..." duke spjeguar edhe arësyet, që kishte thënë i ati.
Menjëherë Arturi u çua në këmbë. I nervozuar siç ishte në ato çaste, ishte gati ta qellonte me grushta televizorin, të dilte në mes të kryeqytetit e të bërtiste: "E shikoni popull, ju, njerëz egoista, kush është vrasësi? Nuk janë shqiptarët ata, ashtu siç i mendoni ju..."
..............................................
Autobusë të shumtë policie kishin rrethuar sheshin kryesor të kryeqytetit, atje ku edhe mblidheshin shqiptarët e shumtë në kërkim të ndonjë pune.
Edhe Arturi ato ditë ishte i papunë dhe prandaj u gjet në atë shesh; e kishte lënë të takohej me një shok, që i kishte premtuar punë. Papritur, motorra të shumtë policise, me zhurmën e tyre të frikshme, hynë në shesh dhe kapnin emigrantët. Më fatkeqë, ishin ata emigrantë që vraponin të frikësuar...  Policët iu drejtuan shqiptarëve, duke i marrë e duke i rrasur në autobusë.
Ku e dinin policët, se ata ishin vërtetë shqiptarë?!
Fytyrat e atyre që kapte policia ishin të vrara, të lodhura nga punët e rënda, të dobësuar, ndoshta nga ushqimi i keq dhe i pakët, apo edhe nga pagjumësia. Zverdhja e fytyrave të tyre nga frika, i bindnin policët, se ishin shqiptarë ata që kapnin.
Arturi ndjeu nga prapa duart e fuqishme të një polici... që e shoqëruan në një nga autobusat e policisë.
Më vonë, mes emigrantëve të shumtë, Arturi pa të sillnin në autobus edhe shokun e tij, me të cilin e kishte lënë të takohej... I erdhi shumë keq për të. "Unë jam shkaktari që u gjend ai sot këtu në këtë shesh dhe po e dëbojnë..."
Nuk kishte gjë më të dhimbshme, kur shikoje ata njerëz fatkeqë e të pafaj, që kishin rrënë në grackën e policisë, se si qanin e i luteshin policëve, duke treguar edhe arësye të ndryshme: - Ju lutem, më besoni, - po i lutej një burrë policëve. - Kam vajzën e vogël të shtruar në spital, është vetëm 7 vjeçe. Dola t'i ble diçka për të ngrënë... Më pret t'i shkoj përsëri në spital. Që nga spitali po vij... Ju betohem për Zotin, për Krishtin... Jam baba i një fëmije të sëmurë, që më pret t'i shkoj përsëri... Zot i madh! M'u thafshin këmbët, që dola nga spitali... Më shoqëroni deri në spital, nëse nuk më besoni...
............................................
     - Shshsht! Fol pak me zë të ulët; po fle Bashkimi në dhomën tjetër - i tha Aneta Feruzes, që po mbante në dorë filxhanin e kafes e po ia shihte.
Feruzja ishte e përqendruar e tëra në filxhan. U menua pak dhe tha: "Filxhani këtë herë të ka dalë shumë i bukur, si asnjëherë tjetër. Shtëpia brenda të del shumë mirë. Një lajm shumë i gëzuar po të vjen së shpejti këto ditë. Uuuu! - vazhdoi të flasë Feruzja dhe rrotulloi filxhanin pa ia hequr sytë. - Po kjo kurrora këtu? Më duket se ... dhe hodhi shikimin nga Zana. E keni gjë në fjalë për ta fejuar?
Të gjithë qeshën. - Kështu, na e kanë kërkuar, po të shohim njëherë.
     - Ç'farë të shohim njëherë,- imitoi Feruzja fjalët e Anetës. - Brenda dhjetë ditëve, ky muhabet ka për t'u mbaruar - dhe preku gishtin e madh të dorës me majën e gjuhës dhe e vuri përsëri në filxhan. Duke hequr gishtin nga filxhani, Feruzja po e shikonte me një shtrembërim të buzëve të saja.
     - Hë! - tha Aneta, që s'po e mbante vendi, për ato që dëgjonte nga Feruzja.
     - Ky muhabet ka mbaruar; të më pështyni, ptu, mu në surrat, po nuk u bë kjo fejsë së shpejti... Ja ta hedh edhe njëherë për shtëpinë tuaj tani...
     - Lëre shtëpinë Feruze, po shikoje njëherë për djalin andej, si është...?
     - Unë për Arturin e thash që në fillim, i ka dalë shumë bukur. Ka kaluar një mërzitje të vogël, por i është larguar shpejt.
     - Po nga ana e punës, si i del...?
     - Ja prit - tha Feruzja dhe lagu përsëri gishtin e madh të dorës me majën e gjuhës. E hoqi gishtin nga filxhani: - Është shumë mirë, mos u mërzisni fare. Ka ndëruar punë dhe ka filluar në një vend më të mirë, me më shumë pare. Edhe një dorë e mirë me lekë j'u vijnë së shpejti këto ditë... Ou! - tha pastaj Feruzja dhe mori një seriozitet në fytyrë.
     - Çfarë? - pyeti Aneta dhe iu afrua.
     - Po ky gjarpëri këtu? Gjithmonë j'u del nga ana e majtë e shtëpisë, shikoje si j'u përgjon - dhe i tregoi filxhanin Anetës.
     - Ngrëntë kokën e tij ai - tha Aneta. - Ç'ka me ne gjarpëri? ...
     - Nuk e di, - tha Feruzja. - Gjithmonë j'u del ky gjarpëri dhe është për t'u çuditur; j'u del tek i njëjti vend, nga ana e majtë e shtëpisë...
Pa mbaruar mirë fjalën Feruzja, u dëgjua tingulli i ziles së derës së shtëpisë.
     - Kush është? - pyeti Feruzja dhe e la filxhanin mbi tavolinë.
     - Nuk e di - tha Aneta. Zana u çua dhe shkoi të hapë derën....
Nga jashtë u dëgjua zëri i Zoicës që po fliste me Zanën.
     - Kush është? - pyeti Feruzja Anetën.
     - Hm! Gjarpëri është, - tha Aneta. - Gjarpëri që më the ti tani në filxhan. Është komshija, që banon në krahun e majtë
     - Hajde Zoica, ulu - tha Aneta, sapo ajo hyri në derën e dhomës.
Feruzja mblodhi buzët dhe tha me vete: "Kush dreqin e solli tani këtë?"
     - Jo, nuk do rri - tha Zoica, - por... u bëra merak, e thash të vij e të pyes njëherë.
     - Pse, ç'farë ka ndodhur? - pyeti Aneta e trembur dhe iu afrua.
     - S'e paskeni ndezur televizorin ju? Po jepen lajmet; paskan filluar prapë ato, fshesat, andej me emigrantët... Janë kthyer tetë autobusa me emigrantë deri tani. Nuk po i shikoja dot të shkretët, si qanin e bërtisnin. Disa ishin edhe me rrobat e punës...
     - E zeza unë, djali! - tha Aneta. Zana morri pultin e komandimit dhe ndezi televizorin.
     - Mos u bëni merak! - tha Feruzja. - Nuk e gjen gjë e keqe Arturin. Dinë kë kapin ata; e njohim ne Arturin, nuk ngatërrohet ai.
Ndërsa Zana po përcillte Zoicën tek dera e jashtme, ajo iu afrua tek veshi dhe tha: "Kur kamera i afroi nga afër, m'u duk një djalë si Arturi, por, do Zoti, mos të jetë ai. U bëra merak... po ti, mos i thuaj gjë mamasë...
Të nesërmen Arturi u kthye në shtëpi, me ato rrobe, siç e kishte kapur policia.
...............................................
Arturit i ishte bërë jeta monotone në shtëpi, që kur e kishin kthyer edhe nga shteti i dytë. Moshatarët e tij, pothuajse ishin larguar të gjithë. Shëtiste i vetmuar rrugëve të qytetit. Punë nuk kishte. E vetmja shpresë dhe ëndërr për të, ishte të shkonte në Amerikë. Kjo ishte edhe dëshira e të gjithëve dhe Bashkimi kishte bërë ç'do gjë të mundur me shokët e tij të siguronte një vizë të regullt edhe pse pagesat që i ofroheshin ishin shumë të larta...
Ata nuk e mendonin shumën e parave, se edhe hua nëpërmjet miqve do merrnin, vetëm të siguronin vizën. Pastaj, Arturi, shumë shpejt do ta shlyente atë hua, me dërgesën e tij nga Amerika.
..................................................
Pas gjithë streseve dhe anktheve që kishte kaluar, iu realizua më në fund, ëndra e madhe për të shkuar në Amerikë.
E merrte pasaportën, e hapte, e shfletonte. E ndalonte shfletimin tek ajo, stampa me bojë të kuqe, ku ishte shënuar koha 3 mujore e qendrimit në Amerikë. E vështronte atë stampë dhe me mendje parafytyronte ndërtesat e larta amerikane, që i kishte parë vetëm nëpër filma...
E afroi pasaportën, e puthi, e shtrëngoi fort pas gjoksit me një gëzim të papërshkruar.
.................................................
Apartamenti, ku Arturi banonte vetëm në Amerikë ishte i vjetër, por i mirëmbajtur. Një dhomë, ishte e mjaftueshme për të. Jeta e re në Amerikë, sikur kishte ndryshuar disi; nuk kishte më atë gjendje shpirtërore që kishte pasur që në fillim. Ishte njohur edhe me disa bashkatdhetarë, që rrallë takoheshin, sepse nuk përputheshin oraret e punës dhe të pushimit javor. Edhe me punë ishte regulluar me ndihmën e një bashkatdhetari. Ishte pak e lodhshme puna, por ai i jepte kurajë vetes duke thënë: "Nuk ka punë pa lodhje."
Në tavolinën e punës punonin shtatë veta, katër djem dhe tre vajza. Që të shtatë ishin me kombësi të ndryshme.
Gabriela, njëra nga vajzat që punonin, ishte shumë simpatike. Edhe dy të tjerat tërheqëse ishin, por, Gabriela, seç kishte diçka të veçantë.
Gabriela ishte e para, që kishte hyrë në bisedë me të. Në fillim, Arturit i kishte bërë përshtypje, kur ajo i kishte thënë, se prindërit e saja ishin të ndarë dhe se ajo jetonte e vetme në një apartament me qera...
................................................
Duke ecur buzë oqeanit, tek i njëjti vend, ku kishte shkuar me shokët para tre javësh, nga larg, dalloi Gabrielën. Ishe e para herë, që e shihte me kostum plazhi. E zhveshur, pothuajse, ajo dukej e magjishme... Gjoksi i saj i bukur u dallua nga larg.
Gabriela po afrohej në drejtim të tij dhe e përshëndeti me dorën e djathtë. Arturi ktheu kokën pas, u bind që s'kishte njeri tjetër, ngriti dhe ai dorën dhe e përshëndeti. Ajo iu afrua shumë pranë. Buzëqeshi dhe dhëmbët i morrën një shkëlqim...
     - Ku je? - i tha ajo dhe i qendroi përballë. Kam kohë që po të kërkoj; nuk mund të ikja që këtej, pa u takuar me ty.
Arturi, kur e pa Gabrielën kaq pranë vetes, të xhveshur si për plazh, sa s'po i merrej fryma. Ja, tani i kishte ardhur si me porosi çasti final i shumëpritur, që ai vetë, sa e sa herë e kishte ëndëruar, sidomos, kur shkonte në shtrat për të fjetur.
     - E gjen dot, se ç'kam për ty? - tha ajo buzagaz, duke e parë ëmbëlsisht në sy.
     - Jo! Ç'farë?
     - Një dhuratë! E do tani të ta jap?
Ai i hodhi një shikim të shpejtë trupit të saj. Në duar ajo nuk mbante asgjë. "Asnjë dhuratë tjetër nuk dua tani prej teje të më japësh, vetëm..." - mendoi.
Gabriela me buzëqeshjen e saj të ëmbël, afroi duart tek dora e tij, duke ia ngjitur me ngadalë te gjijtë e saj. - Nëse i do, merri; janë të tuat...
Gishtat e Arturit, po preknin gjijtë e butë të Gabrielës. Ajo filloi t'i ledhatojë flokët me gishtat e saj, duke e afruar kokën, derisa hunda e saj preku hundën e tij.
     - Të pëlqen? - e pyeti ajo.
     - Shumë - tha ai dhe bashkoi buzët e tij me buzët e saja. Bashkë me erën e mirë të parfumit, Arturi shijoi edhe shijen e kripur, që ajri kishte lënë në buzët e saja. Edhe ajo filloi ta puthë. - Më pëlqen shumë Artur - dhe afroi trupin pranë trupit të tij.
     - Largohemi që këtej... - i tha pastaj.
     - Jemi shumë mirë këtu Artur; nuk ka njeri tjetër, vetëm unë e ti jemi- tha Gabriela dhe u shtri me kurrizin mbi rërë.
U ul edhe Arturi, duke vënë mjekrën e tij në gjoksin e saj. Ajo e priti me qeshje atë veprim, duke nxjerrë edhe zë....
     - Jam e tëra e jotja i dashur, të dua shumë, shumë... - duke e prekur në pjesë të ndryshme të trupit...
Për një çast Arturi nuk u përmbajt; lëshoi një klithmë, pa e kontrolluar dot veten... - Më fal! - tha. - Nuk doja kaq shpejt, por...
     - Mos u mërzit i dashur; nuk do jetë hera e parë...
Zilja e telefonit vazhdonte të binte për të tretën herë. Kur ra edhe herën e katërt, Arturi i frikësuar u çua menjëherë nga krevati. Nuk po e kuptonte se ku ndodhej. I përgjumur, vështroi përreth dhomës. Shkoi menjëherë tek telefoni, e ngriti receptorin dhe iu përgjigj thirrjes.
     - Hello, Xhanathan? - dëgjoi zërin e panjohur matanë telefonit.
     - Ç'farë?
     - Xhan, ti je?
     - Kush jeni, cilin kërkoni?
     - Oh! Më falni! - u dëgjua zëri i të panjohurit; i paskam rënë gabim numrit që kërkoj.
 " Hë, të morri dreqi!" - foli Arturi me vete dhe uli receptorin. " Paskam qenë në ëndërr! Ç'më zgjove nga ajo ëndërr e bukur..." dhe ndjeu pjesën e lagur në mbathje. - Prap sot unë...? - dhe shkoi përsëri në vaskë...
....................................... ...........
Xhimi i vogël, ai engjëll i bukur, që kishte ardhur në jetë para disa muajve nga bashkjetesa e tyre, ishte vetë jeta e Arturit. Xhimi ishte kënaqësia dhe lumturia më e madhe, që Arturi kishte ndjerë në jetën e tij. Me belbëzimet e tij foshnjore, Xhimi kishte fuqinë e madhe t'ia hiqte Arturit gjithë lodhjen e punës. Nuk kishte vend në dhomën e apartamentit ku ata të tre banonin, të mos shihje fotografi të ndryshme të tij.
....................................................
Atë ditë Gabriela ishte më ndryshe nga ditët e tjera. Atë ndryshim Arturi nuk ia vuri re shumë, sepse, si çdo ditë ishte Xhimi i vogël që e priste të
"lodronte" me të.
Kur Xhimin e zuri gjumi, ata të dy u ulën në dhomën e pritjes. Ndërsa po shihnin televizor, Arturi i vuri dorën në qafë dhe e puthi tek rrëza e saj.
Gabriela mbështeti kokën në kraharorin e tij. Arturi e puthi në kokë, duke i ledhatuar flokët me dorën e majtë.
     - Artur, - tha ajo, duke mbështetur kokën në kraharorin e tij.
     - Po, mjalti im, fol, - tha, duke mos ia hequr duart nga flokët.
Gabriela ngriti kokën; u largua pak dhe e pa në sy: - Të lutem i ëmbli im, më thuaj ... që më do!
Arturi buzëqeshi: - Pse e dashur, kur të ka munguar ty ndonjëherë kjo fjalë?
     - Asnjëherë, por...
     - E do ta them përsëri? I love you, I love you, I love you. Sa herë do ta përsëris I love youuuuuu! - U afrua dhe e puthi në buzë.
     - Kë do më shumë, mua apo Xhimin? - dhe drejtoi trupin.
Arturi buzëqeshi përsëri: - Sa kohë shpenzove për të gjetur këtë pyetje?
     - Nuk do të më përgjigjesh?
     - Ty të dua shumë se të kam grua, Xhimin e dua shumë se e kam djalin tim.
     - Se e ka djalin tënd! - tha ajo. - Ndenji pak çaste e menduar, pastaj vazhdoi: - Edhe unë e dua shumë Xhimin, se e kam edhe unë djalë. E di ti çdo të thotë dashuri e nënës për fëmijën?
     - E di.
     - Nga e di, ti s'ke qenë ndonjëherë nënë?
     - Nuk kam qenë dhe nuk kam për të qenë kurrë nënë, por edhe unë kam një nënë dhe ti e di shumë mirë se si bën ajo sa herë që flasim në telefon.
     - Oh mjalti im, sa i mirë je! ... Por unë jam nënë, nënë. Unë jam nënë dhe duhet t'i rri pranë fëmijës tim, t'i jap ngrohtësi. Nuk më kujtohet se ku e
kam dëgjuar të thuhet, se fëmijën e rrit dashuria e nënës, përkëdhelitë e saj...
     - Unë ta kam thënë e dashur. Të kam thënë atë që ka shkruar një poet i madh shqiptar dhe, pikërisht ka thënë: "Kush i rrit çiliminjtë? Dashuria e nënës dhe përkëdhelitë..." Sa mirë më vjen e dashur, që i mban mënd mirë ato ç'të them unë, vargjet e poetëve shqiptarë. Xhimi ynë e dashur po rritet jo vetëm me përkëdhelitë e nënës, por edhe të babait, - tha, duke i rrënë lehtë gjoksit të tij me dorë. Iu afrua dhe e puthi përsëri në buzë.
Gabriela po kalonte çaste vërtet të vështira. Kishte vendosur që atë ditë t'ia tregonte atë brengë të madhe, që po e gërryente çdo ditë shpirtin e saj, që nga dita që kishte filluar të bashkëjetonte me Arturin. - Arturi im i dashur! A do të më duash kështu gjithmonë? - i tha pas një pauze, duke e parë në sy. Sytë i dukeshin si të perënduar.
Arturi nuk iu përgjigj. Po mendonte: "Nuk m'a ka bërë ndonjëherë një pyetje të tillë, përsë e bën pikërisht sot?! Ne tani nuk jemi të sapodashuruar. Edhe pse amerikanët e kanë të përditëshme shprehjen "I love you", kjo nuk i ka munguar asnjëherë nga unë"!
     - Po ti më do? - i tha, duke marrë një seriozitet në fytyrë dhe ngrysi vetullat.
     - Mjalti im, ç'po më thua! Po të mos doja shumë, a mund të isha tani pranë teje? Por... , - nuk mundi të flasë. Mbështeti kokën në kraharorin e tij dhe nga sytë i rrodhën menjëherë lotë.
Arturit iu dhimbs, kur e pa me sy të përlotur. - Fol e dashur, nuk po të kuptoj sot ç'farë ke? - tha, duke ia lëmuar flokët me gishta.
Gabriela ndejti pak e heshtur, pastaj tha: - Kam një sekret për të thënë. - Heshti përsëri dhe ngriti kokën.
Arturi nuk po e kuptonte ç'donte të thoshte ajo. E pa në sy dhe tha: - Çfarë the?
     - Kam një sekret për të thënë, - përsëriti ajo. - Nuk ta kam thënë deri tani, por ja, duhet të ta them... Nuk mundem dot të duroj më....
Arturi shtrëngoi fort dhëmbët, duke e parë në sy, në pritje të rrëfimit të sekretit.
     - Artur, Xhimi është djali ynë...
     - Po, e di...
     - Por... unë... më parë se të njihesha me ty....! Oh Zot i madh...! Xhimi ka edhe një vëlla tjetër më të madh...
     - Si, si, çfarë the?! - dhe u çua në këmbë.
     - Po i dashuri im. Xhimi jonë ka edhe një vëlla tjetër më të madh. - Fjalët që thoshte, mezi i kuptoheshin. Ajo po qante me ngashërim. - Ai është djali im, ata janë të dy fëmijtë e mi. Kur kam qenë nxënëse në vitin e fundit të shkollës së mesme, dashurova një djalë. Mbeta shtatzëne. Nuk doja ta hiqja fëmijën, më dhimbsej; ishte fëmija im. Nuk është faji im, as i fëmijës tim, që pati atë fat babai i tij, i cili zgjodhi një rrugë të keqe në jetë...
Arturit iu errësua gjithshka përreth. Nuk donte t'u besonte atyre fjalëve. Gabriela, që para pak çastesh ishte njeriu më i dashur për të, tani ajo shihej prej tij si një pleh. Ajo s'ishte gjë tjetër, vetëm një copë bajgë para syve të tij.
     - Po po, ti je një copë bajgë, - foli ai në gjuhën shqipë, duke e ngritur zërin. - Ç'po më thua tani, përse nuk ma ke thënë më parë, - vazhdoi të
fliste, këtë herë në gjuhën angleze.
     - Unë doja...
     - Çfarë doje! - tha, duke lëvizur në dhomë pa kuptim. - Ku është djali yt tani?
     - Ma mban gjyshja në Nju Xhersi...
     - Hë, kurvë e ndyrë! - foli përsëri me zë të lartë në gjuhën shqipe.
     - Nuk po të kuptoj ç'po thua, pse nuk flet anglisht?
     - Do flas si më pëlqen, - tha, duke lëvizur vazhdimisht nëpër dhomë. - Gjuha shqipe është gjuha ime... Mos do të më thuash se edhe Xhimi nuk është djali im, e pastaj të zësh e të kërkosh dashnorë të tjerë e t'u thuash: Mjalti im, i dashuri im, unë të dua shumë, por kam një sekret për të thënë...
     - Artur, të lutem shumë qetësohu! Duhet të kuptosh se ç'po flet. Si e kupton ti, nëse unë kam patur një fatkeqësi në jetë dhe kjo jo për fajin tim, jam e keqe, rrugaçe? Kështu e gjykon ti?
     - Unë do ta kisha gjykuar shumë mirë, nëse ti do më ishe treguar e sinqertë që në fillim, ashtu siç jam treguar edhe unë i sinqertë me ty që kur u njohëm. Përse nuk ma ke thënë më parë? Përse e ke mbajtur të fshehtë deri tani? Kush të shtyu të ma thuash sot, apo, dashuria e nënës që rrit fëmijët? ... Sa vjeç është djali yt tani?
     - Do edhe pesë muaj të mbushë katër vjeç.
     - Çfarë po më thua! - Vazhdonte të bënte lëvizje të pakuptimta nëpër dhomë. Në fytyrë i dallohej lëvizja e nofullave. - I ati i fëmijës ku është?
     - Ka vdekur! U bë përdorues droge. Vdiq nga superdoza e lëndës narkotike. Kur jemi njohur ka qenë njeri shumë i mirë, por, më vonë... ndryshoi, nuk e di pse... U bë përdorues i regullt i drogës.
     - O Zot! - tha Arturi dhe vuri duart në kokë...
..............................................................
Gabriela u çua në këmbë, shkoi tek varësja ku kishte varur çantën e saj dhe, duke nxjerrë një fotograi i tha: - Ja, ky është djali im.
     - Çfarë race ka babai i djalit tënd? - e pyeti Arturi, duke i hedhur një shikim shkarazi fotografisë.
     - Je racist? Ç'do të thuash me këtë pyetje? Ti hiqesh sikur nuk je racist - i tha ajo, që po rrinte në këmbë para tij.
     - Ti po e thua këtë, unë vetëm të pyeta.
     - Është latino-amerikan, por ka lindur këtu në Sh.B.A.
Arturi duke i hedhur edhe një shikim fotografisë zgjati dorën për t'ia dhënë, pa e parë në sy. Edhe ajo zgjati dorën për të marrë fotografinë, duke e parë në sy. Priste si do reagonte Arturi, çfarë mund t'i thoshte ai tani asaj.
Arturi pa ia hedhur shikimin, hapi derën dhe doli jashtë...
As vetë s'e dinte se ku do shkonte. Në mendje i vinin shumë mendime. Eci pak në rrugë. Iu kujtua djali i tij, Xhimi i vogël. U kthye dhe hyri në apartamnetin e tij. Hapi derën dhe hyri në dhomën ku flinte Xhimi. Foshnja po flinte me buzët pak të hapura sa një vrimë e vogël, ku i dëgjohej frymëmarrja. Rrinte përpara Xhimit dhe po e vështronte. Gabriela iu afrua me ngadalë dhe qendroi prapa tij. Në gjumë, Xhimi morri frymë thellë, sikur ta ndiente edhe ai shqetësimin që kishte i ati në ato çaste.
Arturi iu afrua më pranë, e puthi në ballë dhe diçka po mendonte... U kthye për të dalë nga dhoma dhe hyri në dhomën e ndenjies. Gabriela po e shoqëronte, duke ecur edhe ajo pas tij.
Dëgjo! - i tha, kur ajo hyri në dhomë. -Unë edhe Xhimi, duhet të shkojmë tek mjeku!
Ajo e pa fort në sy, pa kuptuar se ç'donte të thoshte ai. - Do shkoni te mjeku? Pse?
     - Edhe më pyet? Sepse kështu e shoh unë të arësyeshme. Dua të bëjmë analizën ADN
Gabriela nuk e priste këtë që tha Arturi. - Si? Ç'farë the? Analizën ADN?
     - Po! Atë analizë kërkoj të bëjë! Ke frikë? Kërkoj të di, nëse Xhimi...
     - Ç'kërkon të dish? Nëse Xhimi nuk është djali yt? I kujt është atëhere, nëse nuk është i yti?
     - Nuk e di! Këtë do m'a thotë përgjigjja e analizës...
     - Pse! Ke më tepër besim tek mjeku ti, se sa tek vetja jote? Unë nuk doja fëmijë kaq shpejt; ishte ti ai që insistoje, ndoshta edhe për t'u pajisur sa më shpejt me dokumentat e qendrimit dhe unë, për ty, për dashurinë tonë pranova, madje... atë ditë... kaq shpejt e paske harruar? Qetësohu Artur, që të dish se ç'farë po flet... Ti mund të shkosh sa herë të duash tek mjeku dhe, për këtë të garantoj, jo 100% por 1000%... Je në gjendje të kuptosh se ç'po flet?
     - Jam apo nuk jam në gjendje, këtë e di unë dhe, unë di se ç'flas dhe di se ç'bëj. Tjetër gjë, ke për të më thënë? Ndonjë sekret tjetër, ke për të më treguar? Nuk ke faj ti...
.................................................. ..
Shiu jashtë vazhdonte të binte imët. Arturi i hodhi një shikim cigares që po e mbante në mes dy gishtave. Nga paketa aty pranë nxorri një cigare tjetër dhe e ndezi me bishtin e cigares që mbante në dorë. Tymi ishte përhapur në gjithë hapësirën e dhomës dhe dukej sikur mjegulla që kishte mbuluar Nju Xhersin përballë kishte hyrë edhe në dhomën e tij.
"Paskam pirë shumë duhan" - tha, kur pa hirnoren të mbushur me bishta cigaresh. U çua në këmbë dhe shkoi te dritarja. Iu duk vetja se edhe ai ndodhej tani atje në mes të asaj mjegulle që kishte mbuluar Nju Xhersin. Menjëherë mendja i shkoi te Xhimi. "Oh, sa më ka marrë malli shpirti im i vogël, sa po më mungon zemra ime e vogël! Ma ke lënë shtëpinë bosh. Kanë kaluar dy javë që nuk të kam parë, por babit tënd i duket sikur kanë kaluar dy vjetë, dyzet vjetë... Kam dy javë pa të parë! Sa do të kesh ndryshuar, sa do të jesh rritur. Dy javë që nuk po i dëgjoj belbëzimet e tua, zërin tënd të bukur kur qan. Ti, patjetër po fle tani, në këtë mot të zymtë me shi. Ti nuk e di që babin tënd e ka marrë shumë malli për ty" - po i thoshte një fotografie që po e mbante në dorë dhe po e shihte. Në atë fotografi Xhimi kishte dalë në krahë të Gabrielës. "Po Gabriela, edhe ty të dua shumë, më mungon! E di, edhe unë të mungoj shumë ty" - dhe sytë iu mbushën me lot. Puthi fotografinë dhe po kujtonte copëza nga jeta e tyre. Sa shumë e kishte ndjerë ndryshimin e jetës kur kishte filluar të bashkëjetonte me Gabrielën. Kur jetonte vetëm ishte dorëshpuar dhe lekët i iknin në drejtime të paditur.
Hapi dritaren. Nga jashtë, në dhomë hyri ajri i lagësht dhe i freskët. Ndjeu një rrënqethje trupi. Ajri i lagësht i freskoi fytyrën. Shihte tymin e cigares që dilte jashtë dhomës. Dalëngadalë dhoma po pastrohej nga ajo mjegull tymi, ndërsa Nju Xhersi përballë vazhdonte të ishte i mjegulluar. Mjegulla atje dukej më e dendur, sikur po ia merrte frymën atij vendi, atyre njerëzve që ndodheshin atje dhe, në mes të asaj mjegulle ndodhej edhe xhimi, edhe Gabriela, edhe...
Dhoma u pastrua plotësisht nga tymi dhe era e cigareve. Në atë ambient të pastër iu duk, sikur Gabriela po i trokiste në derë dhe kërkonte edhe ajo të hynte në atë ambient të pastër bashkë me Xhimin dhe...
     - Gabriela! - tha, duke vështruar mjegullën që kishte mbuluar Nju Xhersin.
Shkoi te telefoni, e ngriti dhe formoi numrin e telefonit të gjyshes së saj.
     - Hello, - u dëgjua një zë gruaje nga ana tjetër e telefonit. E kuptoi, ishte zëri i gjyshes së saj.
     - Hello, missis ...
     - Po, - iu përgjigj gruaja
     - Arturi jam... Po, shumë mirë. .. Gabriela ndodhet aty, ju lutem?.... Mund
t'i flas?
.................................................. .....
Uli receptorin e telefonit. I hodhi një shikim rreth e qark dhomës. Morri hirnoren e mbushur plot me bishta cigaresh dhe shkoi për ta zbrazur në qesen e mbeturinave. Veshi xhaketën, mbathi këpucët dhe doli jashtë. Duke zbritur shkallët e pallatit në mendje i rrinin Xhimi, Gabriela,... dhe iu duk se i kishte pranë edhe ata. Përsëri ndjeu një mall të madh për Xhimin. Mezi priste ta shihte sa më parë. Edhe Gabriela iu dhimbs shumë. Pamja e saj e vrarë, kur Arturi i kishte folur shumë ashpër herën e fundit, kur e kishte fyer me ato fjalë, për të cilat edhe ishte penduar... e ngacmonin edhe më tepër tani. Iu dhimbs shumë, shumë, prandaj po shkonte tani atje, t'i merrte e t'i kishte përsëri pranë në shtëpinë e tij... familjen e tij, gruan, djalin e tij Xhimin. Do merrte edhe ... atë, vëllanë e djalit të tij, atë fëmijë të pafajshëm e të pafat.
"Po, po! Ai fëmijë duhet t'i bashkohet familjes së tij dhe duhet të rritet me nënë dhe me vëlla, për të mos i munguar dashuria e prindit.
Unë, bashkë me gruan time Gabrielën do ta kemi nën kujdesin  tonë, që edhe atij fëmije të mos i mungojë mrekullia e dashurisë prindërore..."


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora