E diele, 28.04.2024, 04:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Në rrugëtim me këngën nëpër dekada

E merkure, 02.12.2009, 08:56 PM


Në retrospektivë:

 

NË RRUGËTIM ME KËNGËN NËPËR DEKADA (EVOLUCION)


Nga Demir KRASNIQI

 

Çka është këngëtari, rapsodi, apo artisti popullor?

 

            Të jesh këngëtar , rapsod , apo artist popullor është një nder dhe privilegj shumë i madh njerëzor . Por, rrugëtimi jetësor i një artisti popullor, sidomos i këngëtarit dhe rapsodit popullor nëpër krihet e këngës popullore nuk është aspak i lehtë.

Ky profesion ka përgjegjësi të madhe morale dhe profesionale, andaj ata që i rrekën këtij profesioni duhet t’i përkushtohen me tërë qenien e vet njerëzore për ta kryer me nderë dhe me vlerë, ashtu siç e kërkon kënga , traditat dhe zakonet tona popullore.

Të jesh këngëtar, apo rapsod popullor do të thotë të jesh ambasador i vërtetë i vlerave të kulturës kombëtare, bartës besnik i traditave muzikore prej një brezi në një brez, prej një rrethi në një rreth, prej një krahine në një krahinë deri tek prezantimet e karakterit kombëtarë dhe mbarëkombëtarë .

Këngëtari, rapsodi apo artisti popullor, përveç talentit dhe prirjes për të kultivuar këngën dhe muzikën tonë tradicionale, që janë kushtet elementare, mbi të gjitha duhet të ketë besnikëri të  pathyeshme , moral të fortë , edukatë të shëndoshë shpirtërore, dashuri të madhe ndaj popullit, kombit dhe vlerave të trashëgimisë së tij kulturore.

Këngëtari, rapsodi , apo artisti popullor duhet të ketë respekt ndaj këngës popullore, ndaj instrumenteve burimore, ndaj kostumografisë popullore, simboleve kombëtare, por mbi të gjitha, duhet t’i njohë mirë mentalitetet dhe traditat krahinore, dialektet e të folmes popullore dhe rregullat e logut të kuvendit të burrave .

Këngëtari, rapsodi apo artisti popullor , përveç rolit që ka për t’i argëtuar të pranishmit, ai asnjëherë nuk duhet harruar se para masës së popullit reflekton si një pasqyrë mbi të cilën këqyren të gjithë brezat, moshat, gjinitë dhe gjeneratat. Masa publike gjithmonë i ka sy e vesh të drejtuar kah artisti popullor, të cilin e ka gjithmonë në shënjestër se si po këndon, si po luan me instrumente, si është veshur, sa është i pastër dhe pedant, si flet, çka flet, si qeshet, si rrinë para masës publike ...etj.

            Për përjetimet gjatë rrugëtimit jetësor në krahët e këngës, çdo artist popullor, këngëtar, rapsod popullor ka aq shumë përjetime në shpirt, sa mund të shkruaj romane dhe filma dokumentar .

            Përkitazi me rrugëtimet dhe përjetimet  në krahët e këngës , vetëm në periodën brenda katër dekadave, do të mundohem që t’i shkëpus vetëm disa inserte për të cilat mendoj se kanë një peshë dhe një rëndësi të veçantë, sidomos për gjeneratat e reja dhe studiuesit e ardhshëm të etnomuzikologjisë shqiptare.

 

A po i ndalni veglat se nuk po ju marrim vesh se çka po këndoni ?

 

            Kah fundi i viteve të 60-ta , ishte koha kur grupet e vogla muzikore, sidomos ato rapsodike mund të numëroheshin në gishtërinj gjithandej Kosovës dhe krahinat shqiptare të Maqedonisë . Kjo kohë i takonte fillimit të shkurorëzimit nga grupet muzikore të romëve dhe kurorëzimit me grupe muzikore autoktone shqiptare dhe rapsodë të njohur të asaj kohe .

            Prandaj , edhe kërkesat për t’i angazhua grupet folklorike dhe rapsodët shqiptarë për të bërë ahengje nëpër dasmat shqiptare, ishin shumë të mëdha. Nga këto kërkesa, u imponua nevoja që grupet e vogla folklorike dhe rapsodët popullorë , të fillojnë që të kërkojnë shuma të ndryshme parash , gjë që deri në atë kohë kurrë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë, nga se të kërkosh para për të kënduar në një dasmë, apo aheng familjarë, aso kohe konsiderohej si akt i turpshëm dhe kopje e muzikantëve jevgë !

            Atë botë, po të ftonin diku për të kënduar në ndonjë dasmë, apo aheng familjarë, konsiderohej si një nder dhe privilegj i madh, kurse për  shpërblim parash as që mund të imagjinohej një gjë e tillë! Madje, gjatë këndimit të rapsodëve ishte e pa imagjinueshme edhe marrja e dhuratave (parave) nga adhuruesit e tyre, nga se edhe kjo do të konsiderohej si një gjest primitiv të cilin e praktikojnë vetëm muzikantët jevgë !

            Një mentalitet i këtillë, vërehej sidomos në vendbanimet rurale, në të cilat mungonin këngëtarë dhe instrumentistë shqiptarë . Në mungesë të instrumentistëve popullor, aty ku kishte sado pak ndonjë individ të  talentuar që do të mund ta këndonte ndonjë këngë të vjetër popullore, praktikohej që ata të këndojnë pa shoqërim me instrumente, si që thotë populli :”me gisht në vesh” dhe ata këndonin zakonisht nga dy vetë (në duet), ose në grupe .

            Interesimi për dëgjimin e këtyre këngëve dhe këngëtarëve ishte shumë i madh dhe ato dëgjoheshin me kureshtje nga të gjithë dasmorët e pranishëm me një qetësi jashtëzakonisht të madhe, aq sa thuhej :”Edhe miza dëgjohej duke fluturuar në odë!”

            Këngët që këndoheshin aso kohe nëpër odat shqiptare dhe tematikat që trajtoheshin në to, të pranishmit i shoqëronin kryesisht me lot e dënesje nga më të vjetrit, kurse përfundimi i tyre , shoqërohej me krisma pushkësh dhe armësh të ndryshme në shenj nderimi ndaj këngës dhe rapsodëve .

            Nisur nga këto rrethana dhe mentalitete ,  në disa rrethe dhe fshatra rurale, disa herë ka ndodhur që ndonjëri nga dasmorët më të moshuar në formë të lutjes, të iu  drejtohet  rapsodëve kështu:

            “A bre djem, Zoti ju ruajt se na kënaqët dhe boll mirë po na këndoni, por a ka mundësi që t’i ndalni veglat muzikore gjatë këndimit të këngës, nga se nuk po ua marrim vesh fjalët e këngës se çka po këndoni?!”

            Rapsodët  popullor dhe grupet e ndryshme folklorike, problemet më të mëdha i kanë  përjetuar nëpër disa vendbanime ku ka mbizotërua kanuni i errët, fanatizmi i hekurt dhe ndikimi i madh i predikimeve fetare nga ana e disa imamëve fanatik, të cilët ua kishin mbushur kokat dhe mendjet besimtarëve të tyre se :

            “Për myslimanin është haram me ju ra veglave  muzikore dhe me ba gjymysh (aheng) , nga se muzika dhe kënga është vetëm për jevgjit endacak “!

            Një dukuri e tillë, ishte më e shprehur nëpër  disa fshatra të Anamoravës dhe në Luginë të Preshevës, ku në odat e dasmorëve të atyre fshatrave dominonin kryesisht haxhinjë me koka të mbuluara me qallma  të haxhillëkut që dukeshin si ndonjë arë e mbjellë me lule-dielli.

            Në ato ambiente, po sa e fillonin rapsodët këngën shqipe, ata një nga një e braktisnin odën dhe derisa  ata e mbaronin këngën – oda mbetej e zbrazur vetëm me praninë e grupit  muzikor ?!

            Në rrethet ku mbretëronin mentalitete të këtilla e ku fjalën kryesore e kishin haxhinjët ,  rapsodët popullor dhe grupet muzikore folklorike, vazhdimisht sulmoheshin me fjalë të rënda nënçmuese,  kritika , nënçmime dhe ofendime ndër më të ndryshmet që drejtoheshin në llogari të personaliteteve tona dhe të muzikës kombëtare në përgjithësi !

            Krahasimet që iu  bëheshin  atyre që këndonin  dhe bënin muzikë me instrumente, zakonisht ishin krahasimet me rolin e jevgjve, por ofendimet më të rënda i bëheshin instrumentit tonë tradicional – çiftelisë, për të cilën haxhinjët në vazhdimësi predikon se :

            “Çiftelisë i bien vetëm ata të gurëve, që nuk duken dhe nuk banë me i përmend me emër!”

            Pra, këtu aludonin tek dreqi , apo djalli, se gjoja, vetëm ata luajnë me çifteli ! Pastaj, për t’ua gërditur çiftelinë brezave të rinj, ata shkonin aq larg me propagandën e tyre, sa predikonin se:

            “Kush dëshiron  për t’u  mësua me i ra çiftelisë – duhet me e marrë çiftelinë dhe me dalë të martave dhe të shtunave pas darke, ose me hipë në maje të një tube të plehut, ose me hy te rrota e mullirit, sepse vetëm në këtë kohë dhe në këto dy vende , ata të gurëve rrinë aty dhe ua kapin gishtat vet e ua rendisin nëpër perde të çiftelisë !”

            Këtë predikim – propagandë kundër çiftelisë, ata pos qëllimeve tjera, e bënin edhe me qëllim që t’i frikësojnë talentet e rinj  se po bënë e iu rrekën çiftelisë – do të përballen me djallin (dreqin)!

 

A e dini se çka thotë çiftelia?

 

            Predikuesit e tillë fanatikë dhe laikë fetarë, nuk ngopeshin me propagandë kundër përdorimit të çiftelisë dhe ahengut me te, duke imagjinuar lloj-lloj këshillash dhe ofendimesh të cilat ua adresonin të gjithë atyre që e adhuronin, përdornin dhe argëtoheshin me te !

            Kështu që , po sa ia shihnin në duar dikujt çiftelinë duke luajtur, apo kënduar me te, ata i ndërhynin me një ton të lartë kërcënues para masës së të pranishmëve :

            “O, djem, bre! Po a e dini ju se çka thotë çiftelia? Po asaj sa herë t’ia dridhni telat dhe sa herë t’ia luani gishtat mbi perde, ajo  në gjuhën e vet thotë:

 

            Cimilim, cimilim,

N’ tela t’ çiftelisë –

            Fike, fike, fike, fike,

            Unë jam fika e shpisë!”

 

O ustallarë , a po dilni me çalldisë te dyert e oborrit se po na vijnë do mysafirë ?

 

            Në ambientet ku tradicionalisht ishin mësuar që për dasma dhe ahengje familjare, t’i angazhonin grupet muzikore të jevgjve (qofshin ato me surlja e tupanë , qofshin me instrumente tjera muzikore që quheshin çallgia ), pos maltretimeve më të ndryshme nënçmuese të cilat ua bënin muzikantëve jevgj, i detyronin që të dalin te dyert e oborrit të shtëpisë dhe t’iu bien instrumenteve për ta pritur secilin dasmorë, apo grup dasmorësh që po vinin në dasmë!

Me fillimin e angazhimit të grupeve folklorike shqiptare dhe rapsodëve popullor për të bërë muzikë nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme familjare dhe me flakjen njëherë e përgjithmonë të grupeve dhe muzikantëve jevgj nga ahengjet shqiptare, në shumë vendbanime ku organizoheshin dasmat e ndryshme, ende kishte ngelur në kokat e fanatikëve tradita e përcjelljes së dasmorëve me tingujt e grupeve muzikore të paguara për dasmë, mu ashtu si që kishin vepruar grupet jevge shekuj më parë !

Madje, në vendbanimet e tilla, ishte bërë traditë që grupet e muzikantëve jevgj, të quhen :”Ustallarë”, ose “Mefterë”!

Në ambientet me mentalitete të këtilla,  rapsodët (këngëtarët) këndonin në odën e mysafirëve dasmorë, ashtu si që e kërkonte zakoni dhe tradita jonë muzikore. Dasmorët vinin nga të katër anët, kohë pas kohe dhe nuk ndaleshin gati gjatë tërë natës !

Rapsodët, sa po e fillonin ndonjë këngë rapsodike për ta kënduar, dikush nga komandoset e dasmës, iu  bërtiste me sa zë që kishte:

“O, ustallarë! A po e ndalni qatë këngë dhe a po dilni me çalldisë te dyert e oborrit se po na vijnë do mysafirë ?!”

Rapsodëve, përveç që ua  ndërprisnin këngën dhe i nervozonin nga këto nënçmime dhe krahasime me jevgjit, duhej që të zhvillonin dialogje jo të këndshme me urdhërdhënësin , të cilit duhej shpjeguar bindshëm se ata janë  rapsodë shqiptarë që këndojmë këngë burrash këmbëkryq në odën e mysafirëve dhe nuk janë  jevgj që të dalin gjatë tërë natës tek dyert e oborrit e të bëjnë muzikë me çiftelia, sa herë që të vijë ndonjë mysafirë !

 

Mos këndoni këngë “të larme”, sepse këtu kemi burra !...

 

            Faza e dytë e mentaliteteve dhe fanatizmave shoqërore e cila shprehet në disfavor të përhapjes dhe kultivimit të këngës dhe muzikës tradicionale nëpër dasmat dhe ahengjet tona familjare, në disa krahina të caktuara fillon të zbatohet edhe përmes mekanizmave të ndryshëm dhe metodave të frikësimit të grupeve folklorike dhe rapsodëve popullor .

            Kështu që gjatë epokave të kultivimit dhe konsumimit të këngës dhe muzikës rome nëpër dasmat shqiptare, është më se e sigurt se grupet e tilla muzikore këndonin këngë rome, serbe, maqedone e turke . Madje edhe vallet popullore që i ekzekutonin ata nëpër dasmat dhe ahengjet shqiptare, ishin kryesisht valle të këtyre popujve.

            Ato këngë që i këndonin romët nëpër dasmat dhe ahengjet shqiptare, ishin gjysmake, të përziera me shumë elemente të popujve të ndryshëm e që për tema kryesore kishin dashurinë, amoralitetin dhe banalitetin e shprehur para konsumatorëve të tyre, të cilët i paguanin me para të majme . Por, kjo gjë si duket konsumatorëve dhe adhuruesve të kësaj  muzike, nuk ua vriste aspak veshin, as ndërgjegjen !

            Konsumuesit dhe adhuruesit e këtillë, si duket nga mllefi që më nuk ishte e mundur që të merren grupe e orkestrina romësh nëpër dasmat dhe ahengjet shqiptare, tani në shenj hakmarrjeje ndaj grupeve folklorike shqiptare dhe rapsodëve popullor, do të përdorin metodat e frikësimeve dhe kërcënimeve ndaj tyre, para se ata të hynin brenda në odat e burrave !

            Jo rrallë herë,  ka ndodhur që në hyrje të oborrit të shtëpisë së dasmorit , rapsodët dhe grupet folklorike t’i  pret ndonjë person i caktuar i moshës së pjekur, i cili që në fjalët e para të përshëndetjes me  rapsodët dhe instrumentistët folklorik, të iu  afrohet në vesh dhe të iu  thotë si në pëshpëritje :

            “Mos këndoni këngë të larme (këngë dashurie), sepse këtu kemi burra! Pra, mos e bëni punën që të ju ndodhi ashtu si që i ka ndodhur atij Salih Sylës, kur ka këndua këngë ashikërie në bjeshkë te stanet!

            Këtu, duhet të këndoni vetëm aso këngësh në stilin:”E vrau, e preu, e griu!”

            Kjo metodë e frikësimit dhe kërcënimit  ndaj rapsodëve popullor dhe grupeve folklorike nëpër odat e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme popullore, përveç cungimit të repertorit të këngëtarëve, kishte prapa edhe një qëllim apo porosi tjetër interne, nga se porositësit, frikësuesit dhe kërcënuesit e tillë, mund të ishin bashkëpunëtorë të UDB-së, apo të porositurit e tyre, që të i  frymëzojnë për të kënduar sa më shumë këngë patriotike kombëtare, për të pasur ata më shumë dëshmi dhe materiale për të i  ndëshkua me burgje e dënime të ndryshme !

 

“Mos këndoni këngë patriotike, por vetëm këngë dashurie,  se këtu kemi mysafirë: udbashë, shpijuna dhe shkije”!

 

            Në kohën e lulëzimit të komunizmit dhe parullës së “Vëllazërim – Bashkimit” të popujve të federatës jugosllave –  titiste  , komunistët e Kosovës shkuan aq larg  me ideologji, sa filluan me të madhe që të lidhin kumbari me serbë, të kumbarohen me Titon, të miqësohen me zyrtarët e UDB-së, milicisë, komitetit, madje edhe të bashkëpunojnë ngushtë me ta, duke iu bërë dëme të pa parashikueshme bashkëkombësve të tyre shqiptarë!

            Komunistët e devotshëm shqiptarë filluan që më as dasmat, as ahengjet e ndryshme familjare, madje as festat fetare të mos i bëjnë pa i ftuar mysafirë edhe pjesëtarët e komunitetit serbë, udbashët dhe bashkëpunëtorët e tyre besnikë !

            Në odat e burrave, ku zhvillohej ceremonia e dasmave, ahengjeve, festave, ku ishin 200-300 dasmorë shqiptarë, mjaftonte që në mesin e tyre të jetë prezent qoftë edhe një serb i vetëm dhe për hir të tij, e gjithë biseda dhe muhabeti i shqiptarëve të bëhej në gjuhën serbe!

            Në rastet e këtilla, edhe rapsodët popullor dhe grupet instrumentale folklorike binin në hall të madh, nga se i detyronin me dashje e pa dashje që të këndojnë edhe ndonjë këngë në gjuhën serbe!

 Rapsodët të cilët nuk dinin, apo nuk donin të këndonin këngë serbe me çiftelia, automatikisht etiketoheshin prej organeve pushtetare si “këngëtarë të përbetuar nacionalistë”! Ndërsa, sa i përket këndimit të këngëve tradicionale patriotike në rrethet e tilla, as që mund të imagjinohej nga ana e rapsodëve, nga se do të lidheshin me pranga që nga ajo odë!

            Për t’iu ikur këtyre skenave të padëshirueshme dhe pasojave të pa parashikueshme, dikush nga familjarët e dasmorit iu dilte larg përpara rapsodëve për t’i përcjellë për në odën e burrave dhe menjëherë iu pëshpëriste në vesh:

            “Mos gaboni me këndua ndonjë këngë patriotike, por vetëm këngë dashurie, se këtu kemi mysafirë: udbashë, shpijuna të UDB-ës dhe shkije”!

            Rapsodët dhe grupet folklorike , në këso rastesh, që nga hyrja në dyer të oborrit të shtëpisë së dasmorit e deri në përfundim të dasmës, apo ahengut, i kaplonin ethet dhe frika se si do ta mbarojnë dasmën dhe çka do të ndodhë me ta, pas përfundimit të dasmës?!

Ata, madje binin në hall se çfarë repertori të këngëve do të këndonin gjatë asaj dasme, kur nuk guxohet të këndohet për dashurinë, nuk guxohet të këndohet për patriotizmin shqiptarë dhe kur nuk dinë të këndojnë asnjë këngë në gjuhen serbe?!

 

“Mos këndoni këngë dashurie, por vetëm këngë patriotike”!

 

            Në vitin 1989 dhe 1990, në Kosovë ndodhën tri ngjarje shumë të mëdha historike, të cilat ndikuan shumë pozitivisht në ngritjen e nivelit të vetëdijes kombëtare tek shqiptarët e Kosovës dhe pas këtyre ngjarjeve, ndodhi një revolucion i vërtetë i zgjimit patriotik me aspirata për lirinë e Atdheut, çlirimin e kombit nga kthetrat e okupatorit serbosllav dhe rrugëtimit drejt shpalljes së Kosovës –  republikë, shtet të pavarur demokratik dhe sovran .

            Ndër shumë ngjarje që e goditën Kosovën në ato vite, duhet përmendur Suprimimin e Autonomisë së Kosovës, nga ana e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, aksioni me karakter mbarëkombëtar për “Pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave “ dhe “Helmimet misterioze të nxënësve nëpër shkollat e Kosovës”!

            Këto ngjarje ndikuan dukshëm në unitetin e popullit shqiptarë në baza të forta kombëtare, me çka ndryshoi edhe apetiti i adhuruesve dhe konsumatorëve të këngës popullore, grupeve muzikore dhe rapsodëve popullor.

            Tani, jo vetëm nëpër oda, ahengje , dasma familjare, por edhe nëpër lokalet e ndryshme publike hoteliere, restorante, hotele, kafene... këndoheshin ekskluzivisht këngë me tematikë trimërie, luftarake, patriotike dhe në asnjë mënyrë nuk lejohej që të këndoheshin këngë me tematikë dashurie!

            Pra, kudo në dasma, ahengje, hotele... pronarët e tyre, që në fillim të marrëveshjeve me grupet e ndryshme muzikore, rapsodët popullor, këngëtarët e estradës... merreshin vesh në mënyrë të prerë : “Mos këndoni këngë dashurie, por vetëm këngë patriotike”!

 

                        “Këtu nuk mund të këndohet tjetër këngë, pos për komandantët e luftës dhe Marshin e UÇK-së”!

 

Më 28 Nëntor 1997, me rastin e festës së Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci, në fshatin Llaushë të Skënderajt, për herë të parë doli në skenë publike treshi i UÇK-së: Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, alias Komandant “Kapuçi”!

Që nga ajo ditë e deri në çlirimin definitiv të Kosovës, kur më 12 Qershor 1999 hynë forcat ushtarake të Aleancës Veriatlantike NATO, kurrë më në dasmat, ahengjet, odat, manifestimet e ndryshme, lokalitete hoteliere, festivalet muzikore... nuk u kënduan këngë me tematikë tjetër, pos ato që i kushtoheshin luftës së UÇK-së, “Marshit të UÇK-së”, dëshmorëve të kombit dhe komandantëve të gjallë të UÇK-së!

Kudo që organizoheshin dasma, ahengje familjare, qoftë nëpër oda, apo ambiente hoteliere, këngëtarët, rapsodët popullor dhe dasmorët e kishin problem po qe se nuk dinin t’i këndonin ato këngë, por edhe jeta e tyre rrezikohej nga të  shtënat e automatikëve aty për aty, nga ana e të vetëshpallurve “Komandantë”!

Në këto raste, këngëtarët e estradës dhe rapsodët popullor, përveç që kishin probleme me njohjen e teksteve dhe melodive të atyre këngëve, përveç që ishin të rrezikuar nga të shtënat e automatikëve, kishin probleme edhe me prezantimin e “komandantëve” para mikrofonit dhe të pranishmëve, nga se ata komandantë kishin nofka shumë të çuditshme të cilat këngëtarët e kishin shumë të vështirë që t’ ua lexonin, si  p.sh. Komandant “Kimja”, Komandant “Kepa”, Komandant “Leshi” e shumë e shumë nofka të tjera të çuditshme që nuk përkonin aspak me natyrën e komandantëve luftarak!

Kjo gjendje e tendosur nëpër dasmat dhe ahengjet kosovare, ka zgjatur bukur një kohë të gjatë dhe si pasojë e kësaj atmosfere të tendosur të pasluftës, tani lindën edhe dy motive të përçarjes popullore si në jetën e përditshme, ashtu edhe në dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore:

 

“Pse ma këndove Rugovën? Pse ma këndove Thaçin?”

 

            Pasi përfunduan krismat e luftës, pushuan gjakderdhjet, vrasjet, therjet, djegëjet,

Përndjekjet... populli i Kosovës sikur nisi të marrë frymë lirshëm në lirinë e pritur dhe ëndërruar me shekuj.

            Mirëpo, kjo nuk përfundon me kaq ! Në skenat publike, tubime popullore, manifestime, dasma, ahengje popullore fillojnë të shfaqen në skenë grupe militantësh të Presidentit Ibrahim Rugova dhe grupe militantësh të liderit luftarak Hashim Thaçi !

            Grupet e tilla militantësh , shkonin nëpër dasmat popullore dhe i  shfrytëzonin  ahengjet popullore për t’ i sulmua me fjalë dhe fizikisht grupet e ndryshme muzikore, këngëtarët e estradës dhe rapsodët popullor, duke i rrahur para masës së dasmorëve dhe duke i kërcënuar me vrasje automatiku , nën moton:”Pse ma këndove Rugovën?!” dhe grupi tjetër: “Pse ma këndove Thaçin?!”

 

“Boll ma me këngët:” E vrau,e preu, e griu”! Këndoni këngë   kolla  uçkuri dhe “Tallava” !

 

            Pasi u ftohen gjakrat dhe pushuan urrejtjet ndërmjet subjekteve politike, u qetësuan edhe militantët e liderëve politik, shumë shpejtë u harruan edhe këngët patriotike, këngët kushtuar luftës së UÇK-së, dëshmorëve të kombit, komandantëve të luftës, “Marshi i UÇK-së” e të tjera dhe në opinionin publik kosovar u krijua shumë shpejt përshtypja thua se nuk ka ndodhur asgjë në Kosovë?!

            Për këto “harresa” kaq të shpejta dhe injorimin e këngëve kushtuar vlerave të luftës së UÇK-së, kontribut meritor pa dyshim se kishin organizatat e huaja ndërkombëtare të cilat mbikëqyrnin ligjet dhe drejtonin lidershipin kosovarë në kahet të cilat ata i preferonin dhe ua sugjeronin, duke përfshirë këtu në radhë të parë UNMIKUN, OSBE-në, KFROR-in, shumë subjekte të tjera ndërkombëtare.

            Kështu që lidershipi kosovarë shumë shpejt  i harroi patriotizmat, u zbutën dhe u bënë si qengjat e butë para ndërkombëtarëve, duke injoruar në mënyrë institucionale çdo gjë që ndërlidhej me ndjenjat e vlerat historike e të kulturës kombëtare shqiptare.

            Pas liderëve politik, të parat në këtë injorim prinë mediumet publike elektronike, të cilat brenda natës i hoqën nga skena programore të gjitha këngët patriotike, ato luftarake dhe këngët për dëshmorët e kombit?!

            Për t’i mbuluar këto tradhti kombëtare, të ledhatuarit dhe të mikluarit lider nga ana e ndërkombëtarëve, shumë shpejt e plasuan idenë e rikthimit në skenë të këngëve të degradimit moral, amoralitetin dhe pornografinë në këngët tona popullore, si në programet televizive, manifestime kulturore, në dasma dhe ahengje popullore, duke ua imponuar këngëtarëve popullor të estradës këngët e stilit romë “Tallava” dhe duke ua imponuar këngëtarëve parullën degraduese :

“Boll  ma me këngët :”E vrau, e preu, e griu!” Tash është koha që të këndoni këngë vetëm kolla uçkuri dhe “Tallava”!

            Këngëtarët popullor të estradës e pranuan shumë shpejt këtë ofertë dhe u shfrenuan deri në piedestal me këngë banalitetesh dhe kanibaliste, kurse rapsodët e folklorit mbeten anash njëherë e për gjithmonë !

            Përveç muzikës dhe këngëve të stilit romë “Tallava”, në skenat e muzikës sonë publike, por edhe në dasmat popullore, vërshuan po ashtu këngët amorale të stilit kanibalist, të cilat gjithashtu e kanë prejardhjen prej romëve që nga koha e Jugosllavisë titiste, kur në disa krahina të Kosovës as që mund të paramendohej dasma e ahengu familjarë pa angazhimin e defatoreve jevge, të cilat këndonin këngë të këtij lloji, ndër të cilat  më të popullarizuarat ishin : Rrushja e Istogut, Gjyla dhe Kumrija e Deçanit.

Këto defatore janë autoret  e këngëve me titull:”Hajde, hajde o Rrushi i Deçanit” dhe “Rrushe, mori Rrushe”, këngë këto që ia këndonin vet-vetës .

Më vonë këtyre defatoreve iu kushtohet edhe kënga me titull:”Ku po këndojnë këto dy kumria”?!

Megjithatë, kënga me titull “Rrushi i Deçanit”,  mbeti edhe sot e kësaj dite , si njëra ndër hitet më të mëdha ,e cila vetëm sa nuk është shpallur HIMN i dasmave dhe ahengjeve tona popullore!

Kjo këngë përmban  në veti këto vargje:

 

                        “O, hajde, hajde, moj zemër,

                        O, rrushi i Deçanit-e,

                        O, ta hangtë baca, moj zemër,

                        Bash lulen e ballit-e !

 

                        O, hajde, hajde, moj zemër,

                        Rrushi i Beligratit,

                        O, ta hangtë baca, moj zemër,

                        Dhamin e dukatit !

 

                        O, hajde, hajde , moj zemër,

                        O, rrushi i Gjakovës,

                        O, ta hangtë baca, moj zemër,

                        Bash guhën e gojës !

 

                        O, hajde, hajde, moj zemër,

                        O, rrushi i Prishtinës,

                        O, ta hangtë baca, moj zemër,

                        Bash rruzën e shpinës !

 

                        O, hajde, hajde, moj zemër,

                        Rrushi i Karadakut,

                        O, ta hangtë baca, moj zemër,

                        Bash rrethin e barkut !”....etj.

 

            Kjo këngë mund të zgjatet gjatë tërë natës, duke shëtitur me Rrushin prej një vendi në një vend, prej një fshati në  një fshat dhe prej një qyteti në një qytet.

Tani, ata burrat e dikurshëm që donin t’i vrisnin këngëtarët e odave, po qe se  do të gabonin  dhe do ta  këndonin  ndonjë këngë dashurie në odat e burrave, ku nuk kishte kurrfarë ndërlidhje me prezencën e botës femërore, brenda natës u bënë shumë të kulturuar, të civilizuar dhe të evropianizuar , sa gjatë tërë natës do të mburren dhe krenohen me gratë e tyre, në rastet kur këngëtarët ua këndojnë gjuhën e gojës, dhëmbin e dukatit, rruazën e shpinës, rrathët e barkut dhe pjesët tjera më vitale të organeve gjenitale, para masës së dasmorëve! Madje, ka raste kur të tillët edhe bëjnë gara në mes veti se cili prej tyre do ta porosis më shumë këngën e “Rrushit”!

 

 

Këngë me spote  filmike  gjysmëlakuriqe, lakuriqe dhe pornografi amoraliteti

 

Për t’i konkretizuar në vepra tekstet e këngëve amorale dhe banale të tipit “Rrushi i Gjakovës”, përmes xhirimeve   spoteve filmike, tani dalin në skenat e programeve të televizioneve tona publike, një batalion këngëtaresh – vajza të reja, por edhe gra të martuara, të cilat aspak nuk përtojnë , as nuk turpërohen që të zhvishen gjysmëlakuriqe, ose tërësisht lakuriqe dhe bëjnë skena erotike, pornografike , duke bërë gara në mes veti se cila prej tyre do t’i ekspozojë më tepër organet gjenitale para opinionit, cila prej tyre do t’i ngritë këmbët më lartë dhe cila prej tyre do t’i ekspozojë më shumë prapanicat?! Skena këto që i përshtatin në bazë të teksteve të këngëve dhe ato spote na servohen ditë e natë nëpër  kanalet e ekraneve  televizive dhe programet muzikore, me qëllim që të reklamohet bukuria e tyre fizike, aftësitë e tyre për seks dhe të sigurojnë tregun për shitjen e tyre me çmime sa më të larta!

Qëllimi i dytë i këtyre spoteve është që me çdo kusht të bastardohet niveli i kulturës, moralit, edukatës dhe traditave kombëtare shqiptare, duke i edukuar fëmijët që nga hapja e parë e syve në këtë botë e deri tek pleqtë e moshuar para vdekjes !

Degjenerimi dhe degradimi i vlerave morale të një kombi, është rruga dhe metoda më e mirë për asimilimin e një kombi dhe largimin e tij nga të gjitha themelet e bazamentit kulturor, tradicional e kombëtar !

 

Gjilan, më  01 Dhjetor  2009.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora