| E merkure, 02.12.2009, 08:56 PM |
Në retrospektivë:
NË RRUGËTIM ME KËNGËN NËPËR DEKADA (EVOLUCION)
Nga Demir
KRASNIQI
Çka është
këngëtari, rapsodi, apo artisti popullor?
Të jesh këngëtar , rapsod , apo
artist popullor është një nder dhe privilegj shumë i madh njerëzor . Por,
rrugëtimi jetësor i një artisti popullor, sidomos i këngëtarit dhe rapsodit
popullor nëpër krihet e këngës popullore nuk është aspak i lehtë.
Ky profesion ka përgjegjësi të
madhe morale dhe profesionale, andaj ata që i rrekën këtij profesioni duhet t’i
përkushtohen me tërë qenien e vet njerëzore për ta kryer me nderë dhe me vlerë,
ashtu siç e kërkon kënga , traditat dhe zakonet tona popullore.
Të jesh këngëtar, apo rapsod
popullor do të thotë të jesh ambasador i vërtetë i vlerave të kulturës
kombëtare, bartës besnik i traditave muzikore prej një brezi në një brez, prej
një rrethi në një rreth, prej një krahine në një krahinë deri tek prezantimet e
karakterit kombëtarë dhe mbarëkombëtarë .
Këngëtari, rapsodi apo artisti
popullor, përveç talentit dhe prirjes për të kultivuar këngën dhe muzikën tonë
tradicionale, që janë kushtet elementare, mbi të gjitha duhet të ketë besnikëri
të pathyeshme , moral të fortë , edukatë
të shëndoshë shpirtërore, dashuri të madhe ndaj popullit, kombit dhe vlerave të
trashëgimisë së tij kulturore.
Këngëtari, rapsodi , apo artisti
popullor duhet të ketë respekt ndaj këngës popullore, ndaj instrumenteve
burimore, ndaj kostumografisë popullore, simboleve kombëtare, por mbi të
gjitha, duhet t’i njohë mirë mentalitetet dhe traditat krahinore, dialektet e
të folmes popullore dhe rregullat e logut të kuvendit të burrave .
Këngëtari, rapsodi apo artisti
popullor , përveç rolit që ka për t’i argëtuar të pranishmit, ai asnjëherë nuk
duhet harruar se para masës së popullit reflekton si një pasqyrë mbi të cilën
këqyren të gjithë brezat, moshat, gjinitë dhe gjeneratat. Masa publike
gjithmonë i ka sy e vesh të drejtuar kah artisti popullor, të cilin e ka
gjithmonë në shënjestër se si po këndon, si po luan me instrumente, si është
veshur, sa është i pastër dhe pedant, si flet, çka flet, si qeshet, si rrinë
para masës publike ...etj.
Për
përjetimet gjatë rrugëtimit jetësor në krahët e këngës, çdo artist popullor,
këngëtar, rapsod popullor ka aq shumë përjetime në shpirt, sa mund të shkruaj
romane dhe filma dokumentar .
Përkitazi
me rrugëtimet dhe përjetimet në krahët e
këngës , vetëm në periodën brenda katër dekadave, do të mundohem që t’i shkëpus
vetëm disa inserte për të cilat mendoj se kanë një peshë dhe një rëndësi të
veçantë, sidomos për gjeneratat e reja dhe studiuesit e ardhshëm të
etnomuzikologjisë shqiptare.
A po i ndalni veglat se nuk po ju marrim vesh se çka po
këndoni ?
Kah fundi i viteve të 60-ta , ishte
koha kur grupet e vogla muzikore, sidomos ato rapsodike mund të numëroheshin në
gishtërinj gjithandej Kosovës dhe krahinat shqiptare të Maqedonisë . Kjo kohë i
takonte fillimit të shkurorëzimit nga grupet muzikore të romëve dhe kurorëzimit
me grupe muzikore autoktone shqiptare dhe rapsodë të njohur të asaj kohe .
Prandaj
, edhe kërkesat për t’i angazhua grupet folklorike dhe rapsodët shqiptarë për
të bërë ahengje nëpër dasmat shqiptare, ishin shumë të mëdha. Nga këto kërkesa,
u imponua nevoja që grupet e vogla folklorike dhe rapsodët popullorë , të
fillojnë që të kërkojnë shuma të ndryshme parash , gjë që deri në atë kohë
kurrë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë, nga se të kërkosh para për të kënduar
në një dasmë, apo aheng familjarë, aso kohe konsiderohej si akt i turpshëm dhe
kopje e muzikantëve jevgë !
Atë
botë, po të ftonin diku për të kënduar në ndonjë dasmë, apo aheng familjarë,
konsiderohej si një nder dhe privilegj i madh, kurse për shpërblim parash as që mund të imagjinohej
një gjë e tillë! Madje, gjatë këndimit të rapsodëve ishte e pa imagjinueshme
edhe marrja e dhuratave (parave) nga adhuruesit e tyre, nga se edhe kjo do të
konsiderohej si një gjest primitiv të cilin e praktikojnë vetëm muzikantët
jevgë !
Një
mentalitet i këtillë, vërehej sidomos në vendbanimet rurale, në të cilat
mungonin këngëtarë dhe instrumentistë shqiptarë . Në mungesë të instrumentistëve
popullor, aty ku kishte sado pak ndonjë individ të talentuar që do të mund ta këndonte ndonjë
këngë të vjetër popullore, praktikohej që ata të këndojnë pa shoqërim me
instrumente, si që thotë populli :”me gisht në vesh” dhe ata këndonin zakonisht
nga dy vetë (në duet), ose në grupe .
Interesimi
për dëgjimin e këtyre këngëve dhe këngëtarëve ishte shumë i madh dhe ato
dëgjoheshin me kureshtje nga të gjithë dasmorët e pranishëm me një qetësi
jashtëzakonisht të madhe, aq sa thuhej :”Edhe
miza dëgjohej duke fluturuar në odë!”
Këngët
që këndoheshin aso kohe nëpër odat shqiptare dhe tematikat që trajtoheshin në
to, të pranishmit i shoqëronin kryesisht me lot e dënesje nga më të vjetrit,
kurse përfundimi i tyre , shoqërohej me krisma pushkësh dhe armësh të ndryshme
në shenj nderimi ndaj këngës dhe rapsodëve .
Nisur
nga këto rrethana dhe mentalitete , në
disa rrethe dhe fshatra rurale, disa herë ka ndodhur që ndonjëri nga dasmorët
më të moshuar në formë të lutjes, të iu drejtohet rapsodëve kështu:
“A bre djem, Zoti ju ruajt se na
kënaqët dhe boll mirë po na këndoni, por a ka mundësi që t’i ndalni veglat
muzikore gjatë këndimit të këngës, nga se nuk po ua marrim vesh fjalët e këngës
se çka po këndoni?!”
Rapsodët popullor dhe grupet e ndryshme folklorike,
problemet më të mëdha i kanë përjetuar
nëpër disa vendbanime ku ka mbizotërua kanuni i errët, fanatizmi i hekurt dhe
ndikimi i madh i predikimeve fetare nga ana e disa imamëve fanatik, të cilët ua
kishin mbushur kokat dhe mendjet besimtarëve të tyre se :
“Për myslimanin është haram me ju ra
veglave muzikore dhe me ba gjymysh
(aheng) , nga se muzika dhe kënga është vetëm për jevgjit endacak “!
Një dukuri e tillë, ishte më e
shprehur nëpër disa fshatra të
Anamoravës dhe në Luginë të Preshevës, ku në odat e dasmorëve të atyre
fshatrave dominonin kryesisht haxhinjë me koka të mbuluara me qallma të haxhillëkut që dukeshin si ndonjë arë e
mbjellë me lule-dielli.
Në
ato ambiente, po sa e fillonin rapsodët këngën shqipe, ata një nga një e
braktisnin odën dhe derisa ata e mbaronin
këngën – oda mbetej e zbrazur vetëm me praninë e grupit muzikor ?!
Në
rrethet ku mbretëronin mentalitete të këtilla e ku fjalën kryesore e kishin
haxhinjët , rapsodët popullor dhe grupet
muzikore folklorike, vazhdimisht sulmoheshin me fjalë të rënda nënçmuese, kritika , nënçmime dhe ofendime ndër më të
ndryshmet që drejtoheshin në llogari të personaliteteve tona dhe të muzikës
kombëtare në përgjithësi !
Krahasimet
që iu bëheshin atyre që këndonin dhe bënin muzikë me instrumente, zakonisht
ishin krahasimet me rolin e jevgjve, por ofendimet më të rënda i bëheshin
instrumentit tonë tradicional – çiftelisë, për të cilën haxhinjët në vazhdimësi
predikon se :
“Çiftelisë i bien vetëm ata të
gurëve, që nuk duken dhe nuk banë me i përmend me emër!”
Pra,
këtu aludonin tek dreqi , apo djalli, se gjoja, vetëm ata luajnë me çifteli !
Pastaj, për t’ua gërditur çiftelinë brezave të rinj, ata shkonin aq larg me
propagandën e tyre, sa predikonin se:
“Kush dëshiron për t’u
mësua me i ra çiftelisë – duhet me e marrë çiftelinë dhe me dalë të
martave dhe të shtunave pas darke, ose me hipë në maje të një tube të plehut,
ose me hy te rrota e mullirit, sepse vetëm në këtë kohë dhe në këto dy vende ,
ata të gurëve rrinë aty dhe ua kapin gishtat vet e ua rendisin nëpër perde të
çiftelisë !”
Këtë predikim – propagandë kundër
çiftelisë, ata pos qëllimeve tjera, e bënin edhe me qëllim që t’i frikësojnë
talentet e rinj se po bënë e iu rrekën
çiftelisë – do të përballen me djallin (dreqin)!
A e dini se çka thotë çiftelia?
Predikuesit e tillë fanatikë dhe
laikë fetarë, nuk ngopeshin me propagandë kundër përdorimit të çiftelisë dhe
ahengut me te, duke imagjinuar lloj-lloj këshillash dhe ofendimesh të cilat ua
adresonin të gjithë atyre që e adhuronin, përdornin dhe argëtoheshin me te !
Kështu
që , po sa ia shihnin në duar dikujt çiftelinë duke luajtur, apo kënduar me te,
ata i ndërhynin me një ton të lartë kërcënues para masës së të pranishmëve :
“O, djem, bre! Po a e dini ju se çka
thotë çiftelia? Po asaj sa herë t’ia dridhni telat dhe sa herë t’ia luani
gishtat mbi perde, ajo në gjuhën e vet
thotë:
Cimilim, cimilim,
N’ tela t’ çiftelisë –
Fike, fike, fike, fike,
Unë jam fika e shpisë!”
O ustallarë
, a po dilni me çalldisë te dyert e oborrit se po na vijnë do mysafirë ?
Në ambientet ku tradicionalisht
ishin mësuar që për dasma dhe ahengje familjare, t’i angazhonin grupet muzikore
të jevgjve (qofshin ato me surlja e tupanë , qofshin me instrumente tjera
muzikore që quheshin çallgia ), pos maltretimeve më të ndryshme nënçmuese të
cilat ua bënin muzikantëve jevgj, i detyronin që të dalin te dyert e oborrit të
shtëpisë dhe t’iu bien instrumenteve për ta pritur secilin dasmorë, apo grup
dasmorësh që po vinin në dasmë!
Me fillimin e angazhimit të
grupeve folklorike shqiptare dhe rapsodëve popullor për të bërë muzikë nëpër
dasmat dhe ahengjet e ndryshme familjare dhe me flakjen njëherë e përgjithmonë
të grupeve dhe muzikantëve jevgj nga ahengjet shqiptare, në shumë vendbanime ku
organizoheshin dasmat e ndryshme, ende kishte ngelur në kokat e fanatikëve
tradita e përcjelljes së dasmorëve me tingujt e grupeve muzikore të paguara për
dasmë, mu ashtu si që kishin vepruar grupet jevge shekuj më parë !
Madje, në vendbanimet e tilla,
ishte bërë traditë që grupet e muzikantëve jevgj, të quhen :”Ustallarë”, ose
“Mefterë”!
Në ambientet me mentalitete të
këtilla, rapsodët (këngëtarët) këndonin
në odën e mysafirëve dasmorë, ashtu si që e kërkonte zakoni dhe tradita jonë
muzikore. Dasmorët vinin nga të katër anët, kohë pas kohe dhe nuk ndaleshin
gati gjatë tërë natës !
Rapsodët, sa po e fillonin ndonjë
këngë rapsodike për ta kënduar, dikush nga komandoset e dasmës, iu bërtiste me sa zë që kishte:
“O, ustallarë! A po e ndalni qatë këngë dhe a po dilni me
çalldisë te dyert e oborrit se po na vijnë do mysafirë ?!”
Rapsodëve, përveç që ua ndërprisnin këngën dhe i nervozonin nga këto
nënçmime dhe krahasime me jevgjit, duhej që të zhvillonin dialogje jo të
këndshme me urdhërdhënësin , të cilit duhej shpjeguar bindshëm se ata janë rapsodë shqiptarë që këndojmë këngë burrash
këmbëkryq në odën e mysafirëve dhe nuk janë jevgj që të dalin gjatë tërë natës tek dyert e
oborrit e të bëjnë muzikë me çiftelia, sa herë që të vijë ndonjë mysafirë !
Mos këndoni këngë “të larme”, sepse këtu kemi burra !...
Faza e dytë e mentaliteteve dhe
fanatizmave shoqërore e cila shprehet në disfavor të përhapjes dhe kultivimit
të këngës dhe muzikës tradicionale nëpër dasmat dhe ahengjet tona familjare, në
disa krahina të caktuara fillon të zbatohet edhe përmes mekanizmave të ndryshëm
dhe metodave të frikësimit të grupeve folklorike dhe rapsodëve popullor .
Kështu
që gjatë epokave të kultivimit dhe konsumimit të këngës dhe muzikës rome nëpër
dasmat shqiptare, është më se e sigurt se grupet e tilla muzikore këndonin
këngë rome, serbe, maqedone e turke . Madje edhe vallet popullore që i
ekzekutonin ata nëpër dasmat dhe ahengjet shqiptare, ishin kryesisht valle të
këtyre popujve.
Ato
këngë që i këndonin romët nëpër dasmat dhe ahengjet shqiptare, ishin gjysmake,
të përziera me shumë elemente të popujve të ndryshëm e që për tema kryesore
kishin dashurinë, amoralitetin dhe banalitetin e shprehur para konsumatorëve të
tyre, të cilët i paguanin me para të majme . Por, kjo gjë si duket konsumatorëve
dhe adhuruesve të kësaj muzike, nuk ua
vriste aspak veshin, as ndërgjegjen !
Konsumuesit
dhe adhuruesit e këtillë, si duket nga mllefi që më nuk ishte e mundur që të
merren grupe e orkestrina romësh nëpër dasmat dhe ahengjet shqiptare, tani në
shenj hakmarrjeje ndaj grupeve folklorike shqiptare dhe rapsodëve popullor, do
të përdorin metodat e frikësimeve dhe kërcënimeve ndaj tyre, para se ata të
hynin brenda në odat e burrave !
Jo
rrallë herë, ka ndodhur që në hyrje të
oborrit të shtëpisë së dasmorit , rapsodët dhe grupet folklorike t’i pret ndonjë person i caktuar i moshës së
pjekur, i cili që në fjalët e para të përshëndetjes me rapsodët dhe instrumentistët folklorik, të iu
afrohet në vesh dhe të iu thotë si në pëshpëritje :
“Mos këndoni këngë të larme (këngë
dashurie), sepse këtu kemi burra! Pra, mos e bëni punën që të ju ndodhi ashtu
si që i ka ndodhur atij Salih Sylës, kur ka këndua këngë ashikërie në bjeshkë
te stanet!
Këtu, duhet të këndoni vetëm aso
këngësh në stilin:”E vrau, e preu, e griu!”
Kjo metodë e frikësimit dhe
kërcënimit ndaj rapsodëve popullor dhe
grupeve folklorike nëpër odat e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme popullore,
përveç cungimit të repertorit të këngëtarëve, kishte prapa edhe një qëllim apo
porosi tjetër interne, nga se porositësit, frikësuesit dhe kërcënuesit e tillë,
mund të ishin bashkëpunëtorë të UDB-së, apo të porositurit e tyre, që të i frymëzojnë për të kënduar sa më shumë këngë
patriotike kombëtare, për të pasur ata më shumë dëshmi dhe materiale për të i ndëshkua me burgje e dënime të ndryshme !
“Mos këndoni këngë patriotike, por vetëm këngë dashurie, se këtu kemi mysafirë: udbashë, shpijuna dhe
shkije”!
Në kohën e lulëzimit të komunizmit
dhe parullës së “Vëllazërim – Bashkimit” të popujve të federatës jugosllave
– titiste , komunistët e Kosovës shkuan aq larg me ideologji, sa filluan me të madhe që të
lidhin kumbari me serbë, të kumbarohen me Titon, të miqësohen me zyrtarët e
UDB-së, milicisë, komitetit, madje edhe të bashkëpunojnë ngushtë me ta, duke iu
bërë dëme të pa parashikueshme bashkëkombësve të tyre shqiptarë!
Komunistët
e devotshëm shqiptarë filluan që më as dasmat, as ahengjet e ndryshme
familjare, madje as festat fetare të mos i bëjnë pa i ftuar mysafirë edhe
pjesëtarët e komunitetit serbë, udbashët dhe bashkëpunëtorët e tyre besnikë !
Në
odat e burrave, ku zhvillohej ceremonia e dasmave, ahengjeve, festave, ku ishin
200-300 dasmorë shqiptarë, mjaftonte që në mesin e tyre të jetë prezent qoftë
edhe një serb i vetëm dhe për hir të tij, e gjithë biseda dhe muhabeti i
shqiptarëve të bëhej në gjuhën serbe!
Në
rastet e këtilla, edhe rapsodët popullor dhe grupet instrumentale folklorike
binin në hall të madh, nga se i detyronin me dashje e pa dashje që të këndojnë
edhe ndonjë këngë në gjuhën serbe!
Rapsodët të cilët nuk dinin, apo nuk donin të
këndonin këngë serbe me çiftelia, automatikisht etiketoheshin prej organeve
pushtetare si “këngëtarë të përbetuar nacionalistë”! Ndërsa, sa i përket
këndimit të këngëve tradicionale patriotike në rrethet e tilla, as që mund të
imagjinohej nga ana e rapsodëve, nga se do të lidheshin me pranga që nga ajo
odë!
Për
t’iu ikur këtyre skenave të padëshirueshme dhe pasojave të pa parashikueshme,
dikush nga familjarët e dasmorit iu dilte larg përpara rapsodëve për t’i
përcjellë për në odën e burrave dhe menjëherë iu pëshpëriste në vesh:
“Mos gaboni me këndua ndonjë këngë
patriotike, por vetëm këngë dashurie, se këtu kemi mysafirë: udbashë, shpijuna
të UDB-ës dhe shkije”!
Rapsodët dhe grupet folklorike ,
në këso rastesh, që nga hyrja në dyer të oborrit të shtëpisë së dasmorit e deri
në përfundim të dasmës, apo ahengut, i kaplonin ethet dhe frika se si do ta
mbarojnë dasmën dhe çka do të ndodhë me ta, pas përfundimit të dasmës?!
Ata, madje binin në hall se çfarë
repertori të këngëve do të këndonin gjatë asaj dasme, kur nuk guxohet të
këndohet për dashurinë, nuk guxohet të këndohet për patriotizmin shqiptarë dhe
kur nuk dinë të këndojnë asnjë këngë në gjuhen serbe?!
“Mos këndoni këngë dashurie, por vetëm këngë patriotike”!
Në
vitin 1989 dhe 1990, në Kosovë ndodhën tri ngjarje shumë të mëdha historike, të
cilat ndikuan shumë pozitivisht në ngritjen e nivelit të vetëdijes kombëtare
tek shqiptarët e Kosovës dhe pas këtyre ngjarjeve, ndodhi një revolucion i
vërtetë i zgjimit patriotik me aspirata për lirinë e Atdheut, çlirimin e kombit
nga kthetrat e okupatorit serbosllav dhe rrugëtimit drejt shpalljes së Kosovës
– republikë, shtet të pavarur demokratik
dhe sovran .
Ndër
shumë ngjarje që e goditën Kosovën në ato vite, duhet përmendur Suprimimin e
Autonomisë së Kosovës, nga ana e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, aksioni
me karakter mbarëkombëtar për “Pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave “ dhe
“Helmimet misterioze të nxënësve nëpër shkollat e Kosovës”!
Këto
ngjarje ndikuan dukshëm në unitetin e popullit shqiptarë në baza të forta
kombëtare, me çka ndryshoi edhe apetiti i adhuruesve dhe konsumatorëve të
këngës popullore, grupeve muzikore dhe rapsodëve popullor.
Tani,
jo vetëm nëpër oda, ahengje , dasma familjare, por edhe nëpër lokalet e
ndryshme publike hoteliere, restorante, hotele, kafene... këndoheshin
ekskluzivisht këngë me tematikë trimërie, luftarake, patriotike dhe në asnjë
mënyrë nuk lejohej që të këndoheshin këngë me tematikë dashurie!
Pra,
kudo në dasma, ahengje, hotele... pronarët e tyre, që në fillim të
marrëveshjeve me grupet e ndryshme muzikore, rapsodët popullor, këngëtarët e
estradës... merreshin vesh në mënyrë të prerë : “Mos këndoni këngë dashurie, por vetëm këngë patriotike”!
“Këtu nuk mund të këndohet
tjetër këngë, pos për komandantët e luftës dhe Marshin e UÇK-së”!
Më 28 Nëntor 1997, me rastin e
festës së Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe me rastin e varrimit të mësuesit Halit
Geci, në fshatin Llaushë të Skënderajt, për herë të parë doli në skenë publike
treshi i UÇK-së: Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, alias
Komandant “Kapuçi”!
Që nga ajo ditë e deri në çlirimin
definitiv të Kosovës, kur më 12 Qershor 1999 hynë forcat ushtarake të Aleancës
Veriatlantike NATO, kurrë më në dasmat, ahengjet, odat, manifestimet e
ndryshme, lokalitete hoteliere, festivalet muzikore... nuk u kënduan këngë me
tematikë tjetër, pos ato që i kushtoheshin luftës së UÇK-së, “Marshit të
UÇK-së”, dëshmorëve të kombit dhe komandantëve të gjallë të UÇK-së!
Kudo që organizoheshin dasma,
ahengje familjare, qoftë nëpër oda, apo ambiente hoteliere, këngëtarët,
rapsodët popullor dhe dasmorët e kishin problem po qe se nuk dinin t’i këndonin
ato këngë, por edhe jeta e tyre rrezikohej nga të shtënat e automatikëve aty për aty, nga ana e
të vetëshpallurve “Komandantë”!
Në këto raste, këngëtarët e
estradës dhe rapsodët popullor, përveç që kishin probleme me njohjen e teksteve
dhe melodive të atyre këngëve, përveç që ishin të rrezikuar nga të shtënat e
automatikëve, kishin probleme edhe me prezantimin e “komandantëve” para
mikrofonit dhe të pranishmëve, nga se ata komandantë kishin nofka shumë të
çuditshme të cilat këngëtarët e kishin shumë të vështirë që t’ ua lexonin,
si p.sh. Komandant “Kimja”, Komandant “Kepa”,
Komandant “Leshi” e shumë e shumë nofka të tjera të çuditshme që nuk përkonin
aspak me natyrën e komandantëve luftarak!
Kjo gjendje e tendosur nëpër
dasmat dhe ahengjet kosovare, ka zgjatur bukur një kohë të gjatë dhe si pasojë
e kësaj atmosfere të tendosur të pasluftës, tani lindën edhe dy motive të
përçarjes popullore si në jetën e përditshme, ashtu edhe në dasmat dhe ahengjet
e ndryshme popullore:
“Pse ma këndove Rugovën? Pse ma këndove Thaçin?”
Pasi përfunduan krismat e luftës,
pushuan gjakderdhjet, vrasjet, therjet, djegëjet,
Përndjekjet... populli i Kosovës sikur nisi të
marrë frymë lirshëm në lirinë e pritur dhe ëndërruar me shekuj.
Mirëpo,
kjo nuk përfundon me kaq ! Në skenat publike, tubime popullore, manifestime,
dasma, ahengje popullore fillojnë të shfaqen në skenë grupe militantësh të
Presidentit Ibrahim Rugova dhe grupe militantësh të liderit luftarak Hashim
Thaçi !
Grupet
e tilla militantësh , shkonin nëpër dasmat popullore dhe i shfrytëzonin ahengjet popullore për t’ i sulmua me fjalë
dhe fizikisht grupet e ndryshme muzikore, këngëtarët e estradës dhe rapsodët
popullor, duke i rrahur para masës së dasmorëve dhe duke i kërcënuar me vrasje
automatiku , nën moton:”Pse ma këndove
Rugovën?!” dhe grupi tjetër: “Pse ma
këndove Thaçin?!”
“Boll ma me këngët:” E vrau,e preu, e griu”! Këndoni këngë
kolla uçkuri
dhe “Tallava” !
Pasi u ftohen gjakrat dhe pushuan
urrejtjet ndërmjet subjekteve politike, u qetësuan edhe militantët e liderëve
politik, shumë shpejtë u harruan edhe këngët patriotike, këngët kushtuar luftës
së UÇK-së, dëshmorëve të kombit, komandantëve të luftës, “Marshi i UÇK-së” e të
tjera dhe në opinionin publik kosovar u krijua shumë shpejt përshtypja thua se
nuk ka ndodhur asgjë në Kosovë?!
Për
këto “harresa” kaq të shpejta dhe injorimin e këngëve kushtuar vlerave të
luftës së UÇK-së, kontribut meritor pa dyshim se kishin organizatat e huaja
ndërkombëtare të cilat mbikëqyrnin ligjet dhe drejtonin lidershipin kosovarë në
kahet të cilat ata i preferonin dhe ua sugjeronin, duke përfshirë këtu në radhë
të parë UNMIKUN, OSBE-në, KFROR-in, shumë subjekte të tjera ndërkombëtare.
Kështu
që lidershipi kosovarë shumë shpejt i
harroi patriotizmat, u zbutën dhe u bënë si qengjat e butë para
ndërkombëtarëve, duke injoruar në mënyrë institucionale çdo gjë që ndërlidhej
me ndjenjat e vlerat historike e të kulturës kombëtare shqiptare.
Pas
liderëve politik, të parat në këtë injorim prinë mediumet publike elektronike,
të cilat brenda natës i hoqën nga skena programore të gjitha këngët patriotike,
ato luftarake dhe këngët për dëshmorët e kombit?!
Për
t’i mbuluar këto tradhti kombëtare, të ledhatuarit dhe të mikluarit lider nga
ana e ndërkombëtarëve, shumë shpejt e plasuan idenë e rikthimit në skenë të
këngëve të degradimit moral, amoralitetin dhe pornografinë në këngët tona
popullore, si në programet televizive, manifestime kulturore, në dasma dhe
ahengje popullore, duke ua imponuar këngëtarëve popullor të estradës këngët e
stilit romë “Tallava” dhe duke ua imponuar këngëtarëve parullën degraduese :
“Boll ma me këngët :”E vrau, e preu, e griu!” Tash
është koha që të këndoni këngë vetëm kolla uçkuri dhe “Tallava”!
Këngëtarët
popullor të estradës e pranuan shumë shpejt këtë ofertë dhe u shfrenuan deri në
piedestal me këngë banalitetesh dhe kanibaliste, kurse rapsodët e folklorit
mbeten anash njëherë e për gjithmonë !
Përveç
muzikës dhe këngëve të stilit romë “Tallava”, në skenat e muzikës sonë publike,
por edhe në dasmat popullore, vërshuan po ashtu këngët amorale të stilit
kanibalist, të cilat gjithashtu e kanë prejardhjen prej romëve që nga koha e
Jugosllavisë titiste, kur në disa krahina të Kosovës as që mund të paramendohej
dasma e ahengu familjarë pa angazhimin e defatoreve jevge, të cilat këndonin
këngë të këtij lloji, ndër të cilat më
të popullarizuarat ishin : Rrushja e
Istogut, Gjyla dhe Kumrija e Deçanit.
Këto defatore janë autoret e këngëve me titull:”Hajde, hajde o Rrushi i Deçanit” dhe “Rrushe, mori Rrushe”, këngë këto që ia këndonin vet-vetës .
Më vonë këtyre defatoreve iu
kushtohet edhe kënga me titull:”Ku po
këndojnë këto dy kumria”?!
Megjithatë, kënga me titull “Rrushi i Deçanit”, mbeti
edhe sot e kësaj dite , si njëra ndër hitet më të mëdha ,e cila vetëm sa nuk
është shpallur HIMN i dasmave dhe ahengjeve tona popullore!
Kjo këngë përmban
në veti këto vargje:
“O,
hajde, hajde, moj zemër,
O,
rrushi i Deçanit-e,
O,
ta hangtë baca, moj zemër,
Bash
lulen e ballit-e !
O,
hajde, hajde, moj zemër,
Rrushi
i Beligratit,
O,
ta hangtë baca, moj zemër,
Dhamin
e dukatit !
O,
hajde, hajde , moj zemër,
O,
rrushi i Gjakovës,
O,
ta hangtë baca, moj zemër,
Bash
guhën e gojës !
O,
hajde, hajde, moj zemër,
O,
rrushi i Prishtinës,
O,
ta hangtë baca, moj zemër,
Bash
rruzën e shpinës !
O,
hajde, hajde, moj zemër,
Rrushi
i Karadakut,
O,
ta hangtë baca, moj zemër,
Bash
rrethin e barkut !”....etj.
Kjo këngë mund të zgjatet
gjatë tërë natës, duke shëtitur me Rrushin prej një vendi në një vend, prej një
fshati në një fshat dhe prej një qyteti
në një qytet.
Tani, ata burrat e dikurshëm që
donin t’i vrisnin këngëtarët e odave, po qe se
do të gabonin dhe do ta këndonin
ndonjë këngë dashurie në odat e burrave, ku nuk kishte kurrfarë
ndërlidhje me prezencën e botës femërore, brenda natës u bënë shumë të
kulturuar, të civilizuar dhe të evropianizuar , sa gjatë tërë natës do të
mburren dhe krenohen me gratë e tyre, në rastet kur këngëtarët ua këndojnë
gjuhën e gojës, dhëmbin e dukatit, rruazën e shpinës, rrathët e barkut dhe
pjesët tjera më vitale të organeve gjenitale, para masës së dasmorëve! Madje,
ka raste kur të tillët edhe bëjnë gara në mes veti se cili prej tyre do ta
porosis më shumë këngën e “Rrushit”!
Këngë me spote filmike gjysmëlakuriqe, lakuriqe dhe pornografi
amoraliteti
Për t’i konkretizuar në vepra
tekstet e këngëve amorale dhe banale të tipit “Rrushi i Gjakovës”, përmes
xhirimeve të spoteve filmike, tani dalin në skenat e
programeve të televizioneve tona publike, një batalion këngëtaresh – vajza të
reja, por edhe gra të martuara, të cilat aspak nuk përtojnë , as nuk turpërohen
që të zhvishen gjysmëlakuriqe, ose tërësisht lakuriqe dhe bëjnë skena erotike,
pornografike , duke bërë gara në mes veti se cila prej tyre do t’i ekspozojë më
tepër organet gjenitale para opinionit, cila prej tyre do t’i ngritë këmbët më
lartë dhe cila prej tyre do t’i ekspozojë më shumë prapanicat?! Skena këto që i
përshtatin në bazë të teksteve të këngëve dhe ato spote na servohen ditë e natë
nëpër kanalet e ekraneve televizive dhe programet muzikore, me qëllim
që të reklamohet bukuria e tyre fizike, aftësitë e tyre për seks dhe të
sigurojnë tregun për shitjen e tyre me çmime sa më të larta!
Qëllimi i dytë i këtyre spoteve është
që me çdo kusht të bastardohet niveli i kulturës, moralit, edukatës dhe
traditave kombëtare shqiptare, duke i edukuar fëmijët që nga hapja e parë e
syve në këtë botë e deri tek pleqtë e moshuar para vdekjes !
Degjenerimi dhe degradimi i
vlerave morale të një kombi, është rruga dhe metoda më e mirë për asimilimin e
një kombi dhe largimin e tij nga të gjitha themelet e bazamentit kulturor,
tradicional e kombëtar !
Gjilan, më 01 Dhjetor 2009.