Kulturë
Dhurata Hamzai: Adoleshentët në rrezik, mesazhi vjen nga TIFF
E merkure, 02.12.2009, 08:21 PM
![]() |
“Two Brids” e artistes nga Islanda, Runnar Runnarson |
Nga Dhurata Hamzai
Në shfaqjet e ditës së katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit që po zhvillohet këto ditë në Tiranë, publiku po bëhet gjithnjë e më i pranishëm. Filmat me metrazh të shkurtër, të cilat japin mesazhe të shpejta, emociononuese dhe mbresëlnëse, e kanë mbërthyer një pjesë të konsiderueshme të publikut para ekranit të madh të TIFF, i cili pjesën më të konsiderushme të shfaqjeve e ka në sallën “Kadri Roshi” të Teatrit Kombëtar në Tiranë. TIFF është një festival në lëvizje dhe në proces. Auditori i këtij festivali është po aq i lëvizshëm, sepse i lejon të gjithë njerëzit që të jenë të lirë për të parë e për të ikur nga salla e këtij festivali sipas kohës dhe mundësive që kanë. Një variant tjetër për shfaqjet e mbasdites janë edhe shfaqjet në sallën e kinema “Imperial” në Hotel Sheraton, të cilat zakonisht janë shfaqje të zhanrit të filmit të gjatë dhe atij dokumentar dhe jepen në orët e vona, një mundësi tjetër për t’u parë nga ata që duan të bëjën jetë nate. Edhe vetë organizatorët e kanë konceptuar hapësirën e këtij festivali si një hapësirë të lirë, ku gjen vend edhe kontakti me pjesëmarrësit, kritikët e artit dhe publikun. Tashmë një pjesë e filmave janë edhe në proces të votimit nga publiku, i cili në fleta të posaçme ka dhënë votën përkatëse për filmat dhe do të vijojë ta japë edhe në ditë në vijim. Dje janë shfaqur filmat me metrazh të shkurëtr, si “Meaning of life”, me regji të Jani Zhongas nga Greqia, “Santa the fascist years”, një film i animuar nga USA i artistit Bill Plymton, “Utopia” i artistëve amerikanë Green dhe Lozzano, dhe të tjerë filma që zgjatën përkatësisht nga 7 minuta deri në 15 minuta. Temat e filmave të shkurtër të shfaqur në ditën e djeshme ka qenë e kryesuar nga problemet e adoleshnetëve si përfshirjen e tyre në grupet e drogës dhe gabimet e moshës që në një shoqëri indiferente kthehen në makthe dhe gabime fatale. Adoleshente të ngelura shtatzana dhe vajza të vogla të përdhunuara janë tashmë një realitet që përmes efektit të shpejtë që japin filmat e shkurtër krijojnë më shumë interesim dhe ndjeshmëri në publik. Çaste ankthi që janë pasqyruar në filmin “Two Brids” të artistes nga Islanda, Runnar Runnarson për 15 minuta mund ta kenë kujtuar çdo prind se pas fytyrës së pafajshme të adoleshentëve mund të fshihet një dhunë e tejskashme sociale, nga grupe të caktura ose të inkrimuara, mund të fshihet rreziku i SIDA-s, ose vdekja tragjike. Theksi social që kanë filmat me metrazh të shkurtër është një thirrje shumë efikase npërmjet artit për kujdesin ndaj rinisë dhe jetës së të rinjve. Edhe ky grup filmash për cilësinë artistike dhe pëlqyeshmërinë që kanë krijuar në publik, janë një argumet më tepër për vijimin me sukses të festivalit. Të strukturuara në me një shpejtësi të madhe në celuloid ato kthehen në makthe, të vështira për t’u mbartur. Këto gjendje që janë pasqyrë jo hipokrite e realitetit me gjithë efektet që kanë krijuar, janë duartrokitur megjithatë.
II.
“Mjeshtër i Madh i Punës” për Sotir Cacin
-Ceremonia e dorëzimit të titullit “Mjeshtër i Madh i Punës”, përkthyesit të shquar, shkrimtarit dhe poetit Z. Sotir Caci, pas vdekjes, akorduar nga Presidenti i Republikës zoti Bamir Topi, zhvillohet në QNK “Arbnori” në bashkëpunim me Presidencën me datë 2 dhjetor 2009, në orën 18.00 në sallën e konferencave të Muzeut Historik Tiranë
Emri i Sotir Cacit përfaqëson pa mëdyshje një nga personalitetet e shkollës shqiptare të përkthimit. Sotir Caci i përket një plejade e tërë përkthyesish, pjesa më cilësore e të cilëve e ardhur nga letërsia, si M. Kuteli, L. Poradeci, S. Caci, V. Kokona, po dhe të tjerë si S. Papakristo, S. Luarasi, H. Selfo, H. Kokalari, B. Doko, P. Zheji, R. Shvarci etj. Sotir Caci është një nga mjeshtërit e rrallë të shqipërimeve, por dhe një individualitet i spikatur në historinë e përkthimit shqiptar. Sotir Caci përktheu me mjeshtri të rrallë, “Antologjia e poezisë franceze”, “Kënga e Rolanit” dhe “Romani i dhelprës”, poezinë e Valmorit dhe La Fontenit, të Bualosë dhe Volterit, të A. de Mysesë, Sh. Bodlerit, A. de Vinjisë, Neolit, Rembosë e deri te P. Eluari. Ai do të botonte vëllime më vete si “Antologji poetike” të V. Hygoit, “Netët” e A. de Mysesë, “Poetët e Komunës”, “Poezi” të Potiesë etj. Disa nga shqipërimet e tij madhore, të Cacit janë disa nga kryeveprat letërsisë botërore, si komeditë më të spikatura të Molierit, romanet e njohura të Balzakut (“Kushëriri Pons”, “Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve” etj.), romani “Manastiri i Parmës” i Stendalit, tregime dhe novela të A. Dodesë, “Fëmija” e Zh. Valesë, deri dhe vepra të autorëve bashkëkohorë francezë, si romani “Familjet e mëdha” e M. Drionit dhe “Misteri i gjarprit me pendë” i R. Dyshato. Nga ana tjetër, fondi i shqipërimeve të Sotir Cacit nuk mund të kuptohet pa përkthimin e dy epopeve të letërsisë ruse, siç janë “Lufta dhe paqja” e L. Tolstoit dhe “Doni i qetë” i M. Shollohovit apo novelat e A. Çehovit, romani “Nëna” i M. Gorkit dhe “Garda e re” e A. Fadejevit etj. Gjithashtu, ai ka dhënë në gjuhën shqipe romane nga letërsia italiane, si romanet “Skënderbeu” i A. Xonkadës dhe “Çoçarja”. Te Sotir Caci, edhe pse përktheu një mal të tërë me prozë, shpirti i tij mbeti poezia. Tërë jetën ai shqipëroi poezi. Shqipëroi në rini, por edhe më shumë në moshën e pjekurisë, madje deri në ditët e fundit të jetës. Është fakt i pakundërshtueshëm dhe për këtë gjë dëshmon qartazi “Antologjia e poezisë franceze” se S. Caci ishte dashuruar pas kësaj poezie. Duke u ndjerë i afërt shpirtërisht dhe intelektualisht me gurrat dhe rrjedhat e saj të fuqishme, ai do të rijepte në gjuhën shqipe zërat më madhorë të kohëve dhe drejtimeve të ndryshme letrare. Nga “Kënga e Rolanit” dhe “Romani i dhelprës” te poezia e Valmorit dhe La Fontenit, e Bualosë dhe Volterit, rikëndimet e Cacit do të arrinin nivelet më të reja të verbit francez me poezitë e A. de Mysesë, Sh. Bodlerit, A. de Vinjisë, Neolit, Rembosë e deri te P. Eluari. Ai do të botonte vëllime më vete si “Antologji poetike” e V. Hygoit, “Netët” e A. de Mysesë, “Poetët e Komunës”, “Poezi” të Potiesë etj. Caci përballoi me nder detyrën fisnike për të sjellë në gjuhën shqipe disa nga vlerat e mëdha të letërsisë së përbotshme, sido që i përbuzur dhe anashkaluar nga regjimi komunist.
Jeta
Sotir Caci lindi më 1917 në një familje atdhetare e kulturëdashëse në fshatin Borovë të krahinës së Kolonjës. Në këtë trevë aq të begatë me njerëz patriotë e mendjendritur, ai do të mëkohej e brumosej veç të tjerash, gjuhësisht me pasurinë dhe bukurinë e gjuhës së F. Nolit me shokë. Në Elbasan, Sotiri, do të kryente Shkollën Normale, do të ishte nxënës i Aleksandër Xhuvanit. Një brez i tërë letrarësh të ri në këtë kohë, pjesa më e madhe mësues, do të debutonin në letërsi dhe do të dalloheshin për temat sociale dhe origjinalitetin krijues. Veprimtaria e hershme letrare e Sotir Cacit nuk lidhet vetëm me poezinë, por ai do të niste të përkthente sidomos prozë, të cilën do ta botonte në revistat e kohës. Pas sprovave të para të suksesshme, ai do t’u jepte lexuesve shqiptarë të përkthyer romanin popullor të atyre viteve “Ura e psherëtimave” të Mishel Xevakos. Pas çlirimit, Sotir Caci punoi në fillim si redaktor dhe përkthyes në gazetën “Bashkimi”, pastaj në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku për disa vjet ishte dhe anëtar i komitetit drejtues dhe në fund në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Ai është një nga themeluesit e këtij enti me emër në kulturën tonë, shef redaksie, mbi të gjitha përkthyes, që ia kushtoi tërë energjitë dhe vitet më të mira kësaj pune fisnike.
Komentoni
Artikuj te tjere
Kristaq Turtulli: Beniamini dhe unë
Bujar Ferhati: Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin Vangjush Saro
Ahmet Selmani: Nga dëshmia te poezia
Marius Chelaru: Universi poetik i ndjeshmërisë së brishtë
Agron Sela: Këngë në heshtje (Cikël poetik)
Agim Gashi - Drenica: Kush jemi ne...
Përparim Hysi: Do të vdes nga dashuria
Këze Kozeta Zylo: Ambasada shqiptare në New York, pritje me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar
Sejdi Berisha: Paja e nusërisë dhe protesta e luleve...!
Sabile Keçmezi-Basha: Nusja e gurtë (Cikël poetik)
Halit Bogaj: Antoni Kuin
Zef Mulaj: Një foto para monumentit të Pamvarsisë
Poezi nga Giuseppe Napolitano, Përktheyer nga Remzi Salihu
Tragjedia e Ballkanit - Poezi nga Jusuf Zenunaj
Ditët e fundit të Nonda Bulkës
Floresha Dado: Kadare, artist i fjalës dhe dijetar i mendimit njerëzor
Mexhid Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Përtej harrimit''
Mexhid Yvejsi: Miliona haxhinj, Miliona dashuri...
Rami Kamberi: Në darën e jetës
Nuhi Ismajli: Disa vërejtje një vepreje me vlerë