Kulturë
Cikël poetik nga Rexhep Bajrami
E enjte, 03.12.2009, 08:23 PM

Në vend të parathënies
GJAKU DHE SHPIRTI KUR QARKULLOJNË
NË DAMARËT E POEZISË
Nga Kalosh ÇELIKU
Në këtë kohë shterpë, kur të gjithë shkruajnë poezi e kemi shumë pak poetë, vështirë mund të të bie diçka e bukur në dorë. E them këtë se, shumica e shqiptarëve dëshirojnë të bëhen të gjithë poetë. E dhunojnë letrën e bardhë me parulla të thata, përshkrime të kota e patetikë kombëtare. Gjakun për liri e kanë derdhur deri në gju. E vrasin shkaun me poezi patetike. I këndojnë gjuhës shqipe. Flamurit. Skënderbeut. Besës. E harrojnë se një popull që i këndon aq shumë besës dhe trimërisë, atë nuk e ka në jetë.
Historia është dëshmitare, e siç duket popullit shqiptar po i përsëritet historia. Gjithmonë për liri ka qenë i vonuar: Turqia kur e humbte luftën edhe në Stamboll, populli shqiptar me armë në dorë kërkonte Baba Dovletin. Gjermania humbte luftën në Berlin, shqiptarët në malet e Zajazit ende e vazhdonin luftën për bashkim kombëtar. Komunizmi humbte në Rusi, studentët shqiptar në demostrata dilnin rrugëve të Prishtinës me fotografinë e Shokut Tito në ballë...
Dhe, siç duket edhe kësaj radhe jemi të vonuar për në Evropë. E pse të mos e themi se jemi të vonuar edhe në poezi. Një popull gjithmonë i këndon asaj që nuk e ka, i mungon me vite. Në këtë rastë Lirisë. Vetëm se, aq shumë i kemi kënduar me parulla të thata patetike, sa që në këtë kohë duhet ta vjellim me gjithë zorrë. Gishtat t’i fusim në gojë, t’i nxjerrim jashtë edhe mushkëritë. Skënderbeu po të ishte gjallë, vetë me shpatë me një të rame shumë poetëve patetikë do t’ua hudhte kokën para këmbëve të kalit. Mjaftë më u tallët me mua, më kënduat nëpër manifestime kulturore, revista letrare e libra. Ju nuk jeni poetë, po hadumë. Thyeni qafën nëpër parti politike dhe u këndoni atyre burrave mejdani, i hipni po të doni edhe në kalë të bardhë siç i keni hipur gjithmonë para zgjedhjeve parlamentare. Vetëm nga unë ikni sa më largë, nuk dua të më shkruani poezi, nuk dua të më këndoni këngë patriotike me çifteli.
Dhe, në këto beteja të përgjakshme me penë, pak poetë ia arrinë qëllimit, ulen këmbëkryq në letër. Një poet i tillë është edhe Rexhep Bajrami. I këndon Atdheut. Lirisë. Dashurisë. Po, jo siç këndon ushtria e poetëve patetikë me istikame plot gjak. Shpata. Pushkë. Topa. Poezia e këtij poeti në damarë ka gjak dhe shpirt. Ose: ky poet në poezitë e tia gjakon patriotizmin me dashurinë. Herë pas here mes këtyre vargjeve e ngre zërin e poetit rebel:
Udhëkryqeve të botës
jeta na braktisi.
Na u thanë kujtimet
si degët e një lisi...
Vargu poetit nuk i ka mbetur në fyt. Nuk e ngulfat veten, po as edhe lexuesin. Muza e tij nuk është Partia, prijësi me kalë të bardhë me një këmbë të thyer, po Mikja me dy shtamba verë nën Rrap. Hëna që është ulë si një Zanë në një degë. E merr në prehër, i jep gji. Fuqi për luftë. Shtatë sahat larg ta flukë vargun:
E nemitur seç po rrinte
nuk e di cilin ajo priste
kur e pashë në errësirë.
Thashë: është Hënë apo yll...
Dhe, në fund, poezia që ka gjak dhe shpirt nëpër damarë, është poezia e Ditës së nesërme Parullat e thata plot shterëzime e patetikë kombëtare, për një pikë gjak do të vdesin rrugës. Nuk do të ketë njeri t’i shti as në arkivol, t’u hudhë një grusht dhe në varr. E ku më të ngjiten dhiareve për në Baba Tomorr. Atdheun e perëndive. Tyrben ku pihet vera, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri...
Cikël poetik nga Rexhep Bjarami
THASHË: ËSHTË HËNË
Në një natë të errët shumë
seç kalova malin, një lumë.
Dhe, po shkoja tek një bredh
më priste vasha me të hollin bel.
E nemitur seç po rrinte
nuk e di cilin Ajo priste
kur e pashë në errësirë.
Thashë: është Hënë apo yll...
BORË NË ZEMËR
U tretën kujtimet
Si akulli në pranverë.
Shumë na u larguan vitet
Bashkë kurrë më s’do të jemi.
E mallkoj zemrën
Që mua më tradhtoi,
E mallkoj atë borë
Që zemrën ta mbuloi.
Udhëkryqeve të botës
Jeta na braktisi,
Na u thanë kujtimet
Si degët e një lisi…
NË TAVOLINË ME MIKUN
Në tavolinë unë dhe miku
ai shpalos kujtimet e rinisë
ditët më të bukura të jetës
rrëfen dashurinë e parë.
Të gjitha dashuritë e para
kanë diçka të përbashkët
një, dy, tre çdo gjë identike
sa bisedë e dashur
sa shumë u çmallëm!
Në fund
ju dërgojmë nga një përshëndetje
për të mos u harruar…
ATHUA
për zemrën time
nuk ka vend
në të bukurin
atë gjoksin Tënd
NËSE TI SHKON
Nëse Ti shkon
kënga largohet me Ty
sepse Ti je vetë kënga
Nëse Ti shkon
rrezet e Hënës
ikin me Ty
prandaj Ti bënë dritë
Nëse Ti shkon
unë mbetem pa zë
për mua kush s’flet.
Nëse Ti shkon
loti im vjen me Ty
syri im si të lotoj
gjithëçka pa Ty
është gjysmëhënë.
UNË DHE ALBUMI
Sa e rëndë kjo natë
unë i vetmuar
Ti e vetmuar.
Unë bisedoj me albumin e vjetër
Ti nuk ke me kë të bisedosh
unë të shoh
Ti nuk më sheh
Unë dhe albumi
LARG JEMI NE TË DY
Sa fortë malli më ka marrë
të jemi si më parë
unë i lumtur duke qeshë
Ti e bukur si Hyjneshë.
E kur Ti më shoqëroje
luaje, qeshje e këndoje
këngë të bukura thurnim bashkë
sa larg jemi ne të dy tash…
TAKIMI ME QYTETIN E VDEKUR
Kishim mbetur si të marrë
Që nga koha kur ishim ndarë
U takuam në një vend tjetër
Në një qytet, qytet të vdekur.
Zemrat tona ishin thyer
Aq shumë ishin mallëngjyer
Që nga koha kur kishim ikur
Shpresat tona ishin fikur.
Shpeshëherë jeta të gjen n’shtegtim
Dhe të kthen prapë në fillim…
FUNDI
Ditën
merr dritën me vete!
Mbrëmjen vjen me shi
pse vjen moj natë?
Tren
merre të Dashurën time
me lot mos të qaj.
Treni puth binaret
dhe gjarpëron tej fushave
s’më mbeti tjetër
pos erës që ngadalë
ma puth fytyrën...
MIKE MOJ
Mos ma përbuz fatin
se ma ngrive vargun
prej nga erdhi e shitoi
syri Yt e më përvëloi...
TË PRESIN...
Ku je gjumë që s’vjen dot
do të të gjej, dua shok!
Kur fryn era e shi bie
Ti nga qielli zbret si hije.
Një kujtim i asaj rinie
me dolli, terr e ag.
Eja natë, ti eja prapë
Se të presin shokët nën Rrap...
Bregut detit
Shëtisim bregut detit
deshëm hovin t’ua ndalim
erërave që bëjnë kërdi
ecje nëpër rërë
biseda të gjata
aty gjetëm fshehtësitë
tani e dimë rrugën
Dallgë deti
Do të më marrë malli
për ditët me diell
për lotin e natyrës
për zemrën e ngrirë
i trazuar si dallgë deti
shpirti im edhe sot mbeti
Në gur e shkruajta
emrin t’im
Emrin e shkruar në gur lumi ta gjeta
Aty kishe lënë mërzinë
E ditëve që kalove në vetmi
Erdha pas gjurmëve të tua
Më zuri edhe mua melenkolia
Çfarë e keqe të paska gjetur
Në gur e shkruajta edhe unë emrin t’im
Shoqëri t’i bëjë vetmisë
BJESHKA KUR ZBRET
NË FUSHË
Do të pres sot
të shoh te udhëkryqi i Lumit
moj e bija e maleve
që çdo ditë
bjeshkët i zbretë në fushë
me vete sjellë
frutat e vendlindjes.
E di se t’u shkrinë
ndjenjat për dashuri
por fati luan me njerëzit
moj shkëmbë bjeshke
çerpiku i syrit nuk të leviz
të them të lumtë
ruaje krenarinë malësorçe!...
Komentoni
Artikuj te tjere
Julia Gjika: Është ora
Pierre-Pandeli Simsia: Fragmente nga tregimi "Arturi"
Flet këngëtarja e polifonisë himarjote, fituese e dhjetra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare Katina Bejleri
Demir Krasniqi: Në rrugëtim me këngën nëpër dekada
Dhurata Hamzai: Adoleshentët në rrezik, mesazhi vjen nga TIFF
Kristaq Turtulli: Beniamini dhe unë
Bujar Ferhati: Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin Vangjush Saro
Ahmet Selmani: Nga dëshmia te poezia
Marius Chelaru: Universi poetik i ndjeshmërisë së brishtë
Agron Sela: Këngë në heshtje (Cikël poetik)
Agim Gashi - Drenica: Kush jemi ne...
Përparim Hysi: Do të vdes nga dashuria
Këze Kozeta Zylo: Ambasada shqiptare në New York, pritje me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar
Sejdi Berisha: Paja e nusërisë dhe protesta e luleve...!
Sabile Keçmezi-Basha: Nusja e gurtë (Cikël poetik)
Halit Bogaj: Antoni Kuin
Zef Mulaj: Një foto para monumentit të Pamvarsisë
Poezi nga Giuseppe Napolitano, Përktheyer nga Remzi Salihu
Tragjedia e Ballkanit - Poezi nga Jusuf Zenunaj
Ditët e fundit të Nonda Bulkës