E diele, 28.04.2024, 06:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Udhë e gjatë e mëkëmbjes familjare

E premte, 04.12.2009, 07:23 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

LOTËT E KUJTIMEVE

Mahmud Mahmudi, nga Bozofca e Tetovës, në Gjermani vjen me dimrin, kryen ca nga punët e veta, viziton shokët dhe, sërish kthehet në Tetovë, te djemtë,  te nipërit e mbesat, me të cilët tashmë është i lidhur shumë. Ai pas 37 vjet pune e qëndrimi në Gjermani, tashmë është i pensionuar dhe, si thotë,  për këtë kohë jo vetëm që ka ngritur familjen e vet atje në Tetovë, por edhe në Gjermani ka bërë miq të shumtë, me të cilët e ka kaluar pjesën më të frytshme të jetës. Kur e pyesim se si e ndjeu veten në ditët e para të pensionimit dhe kur duhej t’i kthehej Tetovës, Bozofcës dhe familjes, ai rrëfen:
    - Duke iu afruar pensionimit, ndjeja një shqetësim të këndshëm se, më në fund, do të kthehem në familjen time, me të cilën kisha ndenjur jo më pak se 37 vjet ndaras. Por edhe qëndrimi në mërgim e kishte bërë të veten. Nuk është kohë e shkurtër kjo. Kisha shokët e ditëve të para të mërgimit, bashkëvendësit e mi nga Bozofca dhe fshatrat  e tjera të Malësisë së Sharrit, pastaj shokët nga Kosova, pastaj mërgimtarët e rinj, fëmijët e shokëve që u rritën këtu dhe u bënë për punë e kështu me radhë. Të gjithë këta duhej lënë prapa  për t’u kthyer përgjithmonë në atdhe. Ndoshta vitet e qëndrimit në mërgim e kishin bërë të vetën, por më duket, më rëndë e pata t’i lë këndej gjithë këta shokë me shumë kujtime të mira se sa kur kam ardhur në fillim në dhé të huaj. Kur shkova në Tetovë, aty ku kam bërë shtëpinë familjare, u gëzua familja ime, e cila po fillonte të mësohej të jetonte me mua më gjatë, pasi të gjithë aty ishin banorë të përhershëm, ndërsa vetëm unë i përkohshëm. Por jashtë familjes, edhe unë e kisha vështirë të mësohem me Tetovën time, ani që për të kisha parë pothuajse ëndrra natë për natë. E kërkoja atë kohën kur kam dalë si 24-vjeçar në mërgim, por nuk e gjeja. I kërkoja edhe njerëzit, por vështirë t’i takoja. Ishte ndjenjë e vështirë kjo, të dukesh i huaj në vendin tënd. Lëvizjet e mia ishin të ngadalshme, me kujdes, si fëmija kur mëson të ecën. Dalëngadalë, fillova t’i ritakoj e t’i rinjoh shokët e dikurshëm, të njohtohem me njerëz të rinj, që nga fqinjët e tutje, t’i njoh dyqanxhinjtë, berberët dhe hoxhallarët, e bashkë me të edhe pjesë të xhematit. Tash jam bërë pjesë e pashkulur e Tetovës, ku pjesën më të madhe të kohës e kaloj me nipër e mbesa, të cilët më duan dhe i dua shumë dhe më bëjnë shumë të lumtur. Shkoj në xhami, i lutem Zotit për vete , për familjen dhe për mbarë njerëzimin e vullnetit të mirë, por më ka mbetur si rremb nga vitet e mërgimit, t’i dëgjoj lajmet, ta përcjell në çdo hap  secilën lëvizje brenda trojeve shqiptare. Këtë qejf ma respektojnë edhe fëmijët e djemve, të cilët në zhurmat më të mëdha të humbur në lojë, ndalën të ma krijojnë qetësinë: baba po i dëgjon lajmet! Edhe ata sikur e kanë kuptuar se unë frekuentoj një vakt namaz në xhami dhe pesë vakte lajme në shtëpi! Unë kam pension, djemtë kanë një dyqan dhe kalojmë mirë ekonomikisht. Ndërkaq nga ana shpirtërore, tash bëj pjesë në mesin e njerëzve të lumtur, pasi kam realizuar ëndrrat e mia. Kam punuar e vuajtur gjatë në mërgim, por për asnjë moment nuk jam i penduar pse familjen e kam lënë në vendlindje, ku fëmijët janë zhvilluar aty ku kam dashur, në vendin tim, e nuk janë bërë mërgimtarë si unë. I kam gjashtë fëmijë dhe 15 nipër e mbesa. Vajzat e martuara i kam në Itali, por kam uzdajën se shpejt do të kthehen, pasi t’i investojnë fitimet në Tetovë. Të gjitha investimet e mia, qofshin ato materiale, qofshin ato shpirtërore, kanë rënë në vendin e vet. Kjo më bën të ndjehem i lumtur dhe krenar. Unë i ftoj të gjithë ata shqiptarë që të kthehen sa më shpesh në viset e tyre, pasi ashtu e ndjej unë, aty është parajsa, edhe pse vetë ende nuk kam qenë në parajsë.
    Mahmud Mahmudi di të flasë gjatë dhe me emocion për jetën e mërgimtarit. Por mbi të gjitha, ai ka kujtime të mira për shokët e punës e të jetës në Gjermani, pasi si thotë, përmes tyre i kam njohur edhe viset shqiptare. Por nga të gjitha, ai veçon vitet më të vështira dhe më të mira, ato pas vitit 1990, pasi si thotë në fillim e fituam lirinë të flasim të lirë. Dhe kur u bë sistemi shumëpartiak, edhe në Maqedoni, e morëm vesh sa e shtrenjtë është vota  jonë. Bashkëvendësi ynë Lazim Destani, që tashmë e kishte hapur agjencinë e udhëtimeve “Sharr-Turist”, për votimet e para kontraktoi dhjetëra autobusë që ne kush ishim me të drejtë vote, të shkojmë në Tetovë. Nuk pyeti kush sa kushton udhëtimi, a po i lëmë punët keq në Gjermani, kemi apo nuk kemi para me vete. Të gjithë ia mësymë Tetovës, sa me autobusë, sa me aeroplanë, sa me vetura private. Veç të arrijmë në kohën e duhur te kutia e votimit. Diku-diku, ku u zhvlerësuan zgjedhjet, pati njerëz që shkuan dy e tri herë, vetëm të triumfojë vota shqiptare, ashtu si do të duhej, drejt. Kur jemi te udhëtimet, pasi Lazimi e kishte bërë agjencinë, ne shqiptarët u bëmë si një familje. Nga Gjermania e deri në Tetovë dhe anasjelltas, flisnim shqip, dëgjonim këngë shqip dhe këndonim edhe vetë shqip, pa na u përzier kush. Ato udhëtime ishin të mira, por kishin edhe barrën e dhembjes. Po, shton Ibrahim Ibishi. Kur mbërrinim në Tetovë, na pikonin lotët e gëzimit, kur niseshim për në Gjermani, sërish lotë, por me pikëllim për çastin e ndarjes. Megjithatë, shton lala Mahmud, merrnim forcë dhe i fshinim lotët. Pasi duhej të punonim dhe puna jonë e ndryshonte familjen, Malësinë dhe Tetovën, për të mirë. Ata lot tashmë kanë mbetur si kujtime, pasi fluturimet janë shtuar dhe njerëzit si zogj i kthehen atdheut. Mahmud Mahmudi është i kënaqur edhe me lotët e kujtimeve, pasi tashmë është pranë familjes, pranë miqve, pranë majave.
Për Mahmud Mahmudin bashkatdhetarët flasin fjalët më të mira. Ai ishte njeriu që rikthente paqen në zemrat e egërsuara nga mërzia. Kurrën e kurrës nuk ka këmbyer me askënd fjalë të rënda. Vazhdimisht ka qenë në ballë të aksioneve kombëtare, qoftë në organizimin e ndihmave humanitare, qoftë në donacionet  për Universitetin e Tetovës, qoftë për luftën e drejtë të UÇK-së. Ai ishte edhe nga nismëtarët e themelimit të Klubit Kulturor Shqiptar “Bashkimi” në Stolberg, që t´i bashkojë shqiptarët nën një kulm. Për ndihmesën e tij në këto fusha, Kryesia e Klubit (Lirim Destani, Avdullah Halimi, Selman Zymberi etj.) me rastin e pensionimit të tij, më 2006, organizoi një mbrëmje muzikore dhe në mënyrë solemne, si kujtim dhe falënderim i dhuroi një orë xhepi të gravuar me emrin e Klubit që tash e mban me shëndet.

(2008)


(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora