E shtune, 27.04.2024, 03:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Zonja e zezë në gjuhën rumune

E premte, 04.12.2009, 08:56 PM


Korrespondencë nga Bukureshti

Zonja e zezë në gjuhën rumune

Nga Baki Ymeri

Organizuar nga Editura Humanitas, në kuadrin e Panairit të Librit Gaudeamus, këto ditë u përurua në Bukuresht një vepër e shquar e  shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Fahri Balliu. Monografia Zonja e Zezë, kushtuar vejushkës së diktatorit shqiptar Enver Hoxha, është një bestseller, e botuar për herë të parë në gjuhën shqipe më 2005, për ta parë në ndërkohë dritën e botimit në gjuhën franceze, maqedone dhe angleze. Varianta rumune mban titullin Sinistra Doamna (Zonja e Tmerrshme), e botuar në Editurën e famshme Humanitas (Koleksioni/Histori kontemporane), e shoqëruar me një parathënie të Ismail Kadaresë dhe me një argument të politikologut të famshëm rumun, Vladimir Tismaneanu. Në këtë manifestim të rëndësishëm morën pjesë diplomatë rumunë dhe përfaqësues të Amabsadës Shqiptare, shkrimtarë, studentë, gazetarë, pjestarë të komunitetit shqiptar dhe një publik i panumërt. Ishte prezent edhe ish/këshilltari i Zyrës rumune të Kosovës, Gheorghe Bucura, historiani Xhelku Maksuti etj.. Nga parathënia e Kadaresë kuptojmë se “Në galerinë e errët të grave të tiranëve, Gadishulli ynë Ballkanik ka dy modele: Elena Çausheskun, në Rumani, dhe Nexhmije Hoxhën, në Shqipëri. E para është bërë një model i injorancës dhe ngushtësisë mendore, e obseduar nga ideja për të pranuar tituj shkencorë, dhe sa më shumë që kishte, aq më shumë  mbulohej me karagjozllëk. E dyta u shqua përmes një përkushtimi ndaj trivialitetit dhe përmes një egërsie të pashoqe, gjë që i ka shtyrë shqiptarët ta konsiderojnë si “Pantera e zezë.”

Libri i Fahri Balliut e pa dritën e botimit në sajë të përkthimit besnik të mikut të madh të Kosovës, Tiberius Puiu (publicist, zëvendës/kryeredaktor i revitës Shqiptari dhe ish/këshilltar qeveritar), sipas të cilit: “Pasi e lexova këtë vepër, kuptova se në faqet e tij inkorporohet historia e komunizmit shqiptar, një histori e ngjashme me atë të diktaturës komuniste në Rumani. Ja vetëm dy shembuj: si komunizmi shqiptar, po edhe ai rumun, janë zhvilluar fillimisht nën influencën e fqinjëve, të rusëve, respektivisht të serbëve, duke i servuar në sfond afirmimit të idesë imperialiste të këtyre popujve. Flitet fare pak te ne se anëtarë të Partisë Komuniste Rumune ishin në të njëjtën kohë edhe anëtarë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Më kujtohen si fëmijë kur këngët e të burgosurve komunistë ishin komponuar sipas melodive popullore ruse. Në këtë kontekst, komunistët rumunë dhe shqiptarë e kanë tradhëtuar interesin nacional, duke u garantuar okupatorit territore etnike, siç janë Kosova dhe Besarabia.”

Në kuadrin e këtij përurimi historik, e mori fjalën autori i librit, duke nxjerrë në pah një gamë faktesh që dëshmojnë se numri i viktimave të terrorit komunist në Shqipëri ishte i ngjashëm me numrin e viktimave të një shteti shumëfish më të madh, siç ishte Bashkimi Sovjetik. Me këtë rast foli edhe Dr. Luan Topçiu (eseist, përkthyes dhe sekretar i Ambasadës Shqiptare në Bukuresht), si dhe analisti politik, Vladimir Tismaneanu, sipas të cilit, “Botimin e këtij libri e konsideroj një ngjarje të shënuar për lexuesin rumun. Që kur Shtëpia Botuese Humanitas më njoftoi se në planin botues ishte ky libër, kam reaguar i ekzaltuar, i ngazëllyer. E dija ekzistencën e këtij libri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U ngazëllova sepse, lexuesi rumun do të kuptojë më mirë dhe historinë e vendit të tij dhe rolin e Elena Çausheskut, gruas së diktatorit Nicolae Çausheku, në historinë moderne të Rumanisë. Enver Hoxha ndërtoi në Shqipëri një sistem si kamp përqendrimi me jetëgjatësi të pakrahasueshëme në Europë si ai i Koresë së Veriut. Në të gjitha veprimet e tij kishte pranë Nexhmijen, “shoqen e luftës dhe të jetës”.

Në vazhdim, V. Tismaneanu, do të theksojë se Nexhmije Hoxha u bë drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së. “Njësoj si Elena Çaushesku që ëndërronte të ishte kimiste e shquar, Nexhmija ëndërroi të ishte ideologe e shquar. Atmosfera në oborrin e sulltanit Enver ishte e mbuluar nga gënjeshtra, deliriumi enkomiastik, sadizmi dhe hakmarrjet tribale. Anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, duke kontrolluar qasjen tek diktatori, duke i ndikuar vendimet, Nexhmija ishte bashkëfajtorja kryesore. Ato që thuheshin në pleniume apo në mbledhjet e Byrosë Politike diskutoheshin në shtëpi, duke ngrënë apo në kohën e shëtitjeve në parkun rezidencial të ruajtur nga Sigurimi. Kjo monografi prezente përfaqëson një investigim për ndriçimin e një universi politik të tmerrshëm, i përshkuar nga urrejtja, ahmarrja, dhe xhelozia. Nuk është bota e intrigave firenciane, por ajo e vuajtjeve të shkaktuara nga një kurdisje makabre e një klani djallëzor.”





(Vota: 13 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora