E shtune, 27.04.2024, 02:50 AM (GMT+1)

Editorial

Burbuqe Thaçi: Objektivat e Mijëvjeçarit për Zhvillim – utopi dhe propagandë pa shije

E premte, 18.09.2009, 10:00 PM


Objektivat e Mijëvjeçarit për Zhvillim – utopi dhe propagandë pa shije

Nga Burbuqe Thaçi
Gazetare hulumtuese
Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike.

“Nuk qëndron ajo se ata nuk po mund ta shohin zgjidhjen. Çështja është se ata nuk po munden ta kuptojnë problemin.” Gilbert Keith Chesterton (Gazetar dhe Novelist, 1874 – 1936).

Kanë mbetur më pak se pesë vite deri më 2015 kur është menduar se do të arrihen të ashtuquajturat Objektivat e Mijëvjeçarit për Zhvillim (OMZH) të miratuara në shtator të vitit 2000 nga 192 shtete të OKB-së dhe së paku 23 organizata ndërkombëtare. Kosova si shteti më i ri ka nënshkruar këto objektiva në shtator të vitit 2008 dhe është deklaruar se do të jetë e përkushtuar në përmbushjen e tyre. Qëllimi i këtij artikulli është të bëjë një vlerësim të përgjithshëm rreth përparimit në OMZH me theks të veçantë në Kosovë. Janë gjithsej tetë objektiva të mijëvjeçarit: 1) zbutja e varfërisë së skajshme dhe urisë; 2) realizimi i arsimimit fillor në nivel global; 3) përkrahja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i rolit të gruas; 4) zvogëlimi i vdekshmërisë së foshnjave (mortalitetit); 5) përmirësimi i shëndetit të nënave; 6) luftimi i HIV/AIDS, malaries dhe sëmundjeve tjera; 7) sigurimi i mjedisit të qëndrueshëm; dhe 8) ndërtimi i partneritetit global për zhvillim. Secili prej këtyre objektivave përmbajnë nën objektivat. Do të përqendrohemi në ato që janë më të theksuara dhe cilësohen si probleme më madhore.

Me objektivin e parë është synuar të arrihet përgjysmimi i pjesëmarrjes së njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme ose që konsumojnë më pak se 1$ në ditë të shprehur sipas paritetit të fuqisë blerëse. Këtë objektiv tani e ka arritur Kina duke nxjerrë qindra miliona banorë nga varfëria, shumicën para se të miratohen OMZH-të, dhe kohëve të fundit në masë të madhe edhe India, si rezultat i rritjes së hovshme ekonomike. Me këtë ka qenë e mundur të bëhet përparim i madh edhe në arritjen e objektivave vijuese, sepse ekonomia është forca shtytëse kryesore e sferave tjera jetësore. Në disa vende të Afrikës ku varfëria ishte më së shumti e përhapur, zbutja e saj ka shënuar një rritje prej vetëm 1% pa ndonjë ndikim të theksuar në përmirësimin e cilësisë së jetës ose përparim në objektivat tjerë. Tani ekziston pajtimi i përgjithshëm se kjo pjesë e botës nuk mund t’i arrijë OMZH-të deri më 2015, vetëm nëse ndodhin ndryshime drastike pozitive që duken me gjasa shumë të vogla ose edhe të pamundura.

Çka ndikoj në ngecjen dhe rrezikun e mospërmbushjes së OMZH-ve?

Ngecja në arritjen e OMZH-ve në afatin e përcaktuar tani përballet me disa të papritura që nuk ishin parashikuar në kohën kur u bë marrëveshja afër një decenie më herët. Padyshim se e papritura më ndikimin më të madh është kriza globale financiare. Kjo krizë me origjinë nga vendet e zhvilluara i ka goditur edhe vendet më pak të zhvilluara. Papunësia është duke u rritur.  Parashikimet për dy vitet në vijim nuk duken aq optimiste, e disa i shohin të zymta në krahasim me gjendjen e tanishme. Drejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Dominique Strauss Kahn, paralajmëron se papunësia do të vazhdoj të rritet më 2010, e ndoshta edhe më 2011. Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) tërheq vërejtjen se vëllimi i tregtisë ndërkombëtare do të bie për 10% shkaku i tendencave në rritje të proteksionizmit ekonomik. Paralajmërimi i drejtorit të FMN-së, nëse del ashtu, e rëndon edhe më tepër arritjen e objektivit të parë të mileniumit, ndërsa ai i OBT-së sugjeron se objektivi i tetë është duke u futur në drejtim të kundërt – rritjen e proteksionizmit – fatkeqësisht disa vite para cakut më 2015. Kushtet për Kosovën janë duke u rënduar edhe më tepër me diskriminimin që po i bëhet kësaj në Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe tani edhe me diskriminimin nga Bashkësia Evropiane (BE) në liberalizimin e vizave, me çka vështirësohet edhe më shumë perspektiva ekonomike dhe për pasojë arritja e OMZH-ve mbetet iluzion.

Ngrohja globale është një tjetër e papritur efektet e të cilës nuk ishin paraparë, por ja që tani bota e ka kuptuar se sa problem serioz është duke u bërë dhe sa shumë mjete kërkohen për mbrojtjen e ambientit. Diçka edhe më e papritur është shfaqja e gripit të derrave gjatë vitit 2009, një sëmundje e panjohur për objektivin e gjashtë të mijëvjeçarit që po përhapet nëpër shtete të ndryshme dhe ka arritur edhe në shtetet e Ballkanit. Ndikimeve të tilla nuk mund t’i shmanget as Kosova, e për dallim nga shumica e shteteve tjera të botës nuk mund të kontribuoj aspak pozitivisht në faktorët e jashtëm. Mirëpo, Kosova mund të ndikoj pozitivisht apo negativisht te disa faktorë të brendshëm. Duket paradoksale kur themi “negativisht” pasi kjo mund të kuptohet si prirje për dëme të qëllimshme, por në nëntitullin në vijim fatkeqësisht argumentohet se kjo dukuri është shumë efikase ose nga injoranca, ose nga oportunizmi i pashembullt që nuk njeh kufij, i cili përsëri është pasojë e injorancës.    

OMZH-të dhe objektivat e Qeverisë së Kosovës në funksion

Kuvendi i Kosovës me një rezolutë miratoi OMZH-të në shtator 2008. Më herët ose në korrik, Qeveria miratoj ndryshimet në skemën tatimore që do të hynin në fuqi prej janarit 2009. Para se të diskutojmë për këto ndryshime, do të bëjmë një vështrim rreth gjendjes socio-ekonomike në kontekst të OMZH-ve. Raporti i fundit ose i dyti i zyrës së Programit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë thekson se Kosova është larg përmbushjes së OMZH-ve. Varfëria relative vlerësohet të jetë 44% ndërsa ajo absolute 14%. Vlerësimet e Bankës Botërore në raportin e saj të 2007-ës për varfërinë në Kosovë jepnin treguesit 45% për kategorinë e parë dhe 15% për të dytën. Shkalla tepër e lartë e varfërisë me tendenca për të mos u përmirësuar dukshëm deri më 2015 është pasojë e një varg faktorësh, ku në mes tjerash hyjnë shumë politika ekonomike të papërshtatshme që janë në kundërshtim me OMZH-të.

Duke e ditur këtë strukturë të pavolitshme socio-ekonomike, Qeveria miratoj dhe futi në veprim rritjen e Tatimit në Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 15% në 16%. Ndikimi negativ i kësaj rritjeje paraprakisht dihej për shtresat e varfra të popullsisë kryesisht konsumatore, por edhe tek prodhuesit. Mjaftuan gjashtë muaj që kjo rritje të bëhet shkak i sjelljes së prodhuesve vendor të qumështit buzë falimentimit me shumicë. Kryeministri Thaçi premtoj se do të hiqet TVSH-ja për këto ndërmarrje që të shpëtohen nga falimentimi. Por problemi ishte shkaktuar me qëllim kur u imponua rritja e TVSH-së. Kjo lojë mund të jetë analoge sikur dikush iu godet qëllimshëm për vdekje, e mandej tallet duke premtuar se do të gjejë ilaç për shërim. Pse të bëhen premtime rreth ilaçeve kur nuk keni pasur nevojë të shkaktoni lëndime me çka do të kursenit ilaçet tuaja dhe pacienti (prodhuesit e qumështit) do të ishte në gjendje më të mirë se sot? Me uljen e Tatimit në të Ardhurat Personale (TAP) nga 20% në kufirin më të lartë 10%, dhe Tatimit në të Hyrat e Korporatave (THK) po në të njëjtën normë, objektivi i Qeverisë është pasurimi i qeveritarëve dhe ndërmarrjeve të tyre në kurriz të popullsisë konsumatore (sepse konsumatorëve ia ka rritur TVSH-në ose tatimin që përsëri shkon në arkë Qeverisë).   

Përpos politikave zyrtare, disa institucione të Kosovës bëjnë punë konkrete “pa letra” kundër OMZH-ve, e që raportet e UNDP-së nuk i raportojnë shkaqet. Si është gjendja me objektivin e tretë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e rolit të gruas ku raporti e thekson nivelin e papunësisë gati dyfish më të madh të femrave? Edhe në mesin e femrave të punësuara pozitat vendimmarrëse mbeten shumë të kufizuara. Më së shumti janë të punësuara si marioneta sa për të përmbushur ndonjë kuotë ose për dekor. Në institucione, p.sh. në Kuvendin e Kosovës ku ato janë të përfaqësuara me tepër se në shumicën e vendeve të botës, nuk na bëjnë përshtypje aq me rolin e tyre, ashtu siç nuk na bëjnë deputetët meshkuj në Kuvendin që duket si një institucion kukull ku miratohen ligjet me këshilla të “miqve” ndërkombëtar. Roli i së paku gjysmës së femrave të punësuara në organizatat ndërkombëtare nuk dihet, edhe pse meshkujt, por edhe femrat, spekulojnë dhe sjellin dëshmi se ato janë punësuar për disa punë tjera që nuk figurojnë në profilin e këtyre organizatave. Një pjesë tjetër e femrave vendore të punësuar në këto organizata janë të shquara për arrogancë. Ato nuk përfaqësojnë shumicën e femrave në shoqëri që vazhdojnë të diskriminohen, përçmohen dhe shtypen. Është më shumë se e vështirë ta gjeni një numër treshifror të femrave nga Kosova që e kanë mendimin e vet.

Kemi edhe veprimet tjera të qëllimshme kundër arritjes së objektivit të OMZH-së për barazinë gjinore. Trafikimi i femrave për prostitucion, i cili në Kosovë jo më larg se në javën e parë të korrikut 2009 fatkeqësisht u zbulua se bëhet edhe nga disa me detyrë ekskluzive ta luftojnë atë – disa pjesëtarë të policisë së Kosovës. Turp! Kjo është në kundërshtim të plotë me objektivin e tretë të OMZH-së që mund ta rëndoj edhe më tepër objektivin e gjashtë (HIV/AIDS) dhe objektivat tjera. Edhe ashtu gjendja me objektivin e gjashtë në Kosovë është e përkeqësuar për shkak të sistemit shëndetësor të dobët i cili është duke u quajtur me shprehjen komike “shëndetësia e sëmurë”. Sa afër arritjes së këtij objektivi jemi me “shëndetësi të sëmurë”, pa llogaritur rreziqet e jashtme si gripi i derrave që ka ardhur në kufi dhe hyri në Kosovë pa “vizë”?

Propozime sipërfaqësore për Kosovën

Që Kosova të jetë shtet normal dhe t’i arrijë OMZH-të më së afërmi deri më 2030, së pari duhet të kthehemi në një fazë më normale se që jemi tani. Për të ardhur deri këtu, kërkohet ndryshimi i disa politikave si vijon:

1)    Normat tatimore, siç është ajo e TVSH-së, barrën e të cilit e bartin kryesisht konsumatorët përfundimtar, duhet të ulet dhe të zbatohet me shkallë. TAP të kthehet në normat e mëparshme. Mund të rritet deri në 25 për qind për pagat mujore mbi 1.200 euro. THK mund të jetë pak më e ultë se që ka qenë, por jo të mbetet në normën e tanishme;
2)    Shoqëria dhe komuniteti i biznesit të bëjë presion dhe pengoj metodat e kryeministrisë për falimentimin e ndërmarrjeve vendore, siç ishte përpjekja kundër sektorit të prodhimit dhe përpunimit të mishit;
3)    Në ndërlidhje me propozimin e dytë, të pengohen përpjekjet për dhënien me çdo kusht të pasurisë së Kosovës nëntokë, mbi tokë dhe ajër disa “miqve” ndërkombëtar nga disa politikanë mercenarë dhe të korruptuar. Prona e Kosovës nuk është e këtyre politikanëve për t’ia dhënë përgjithmonë disa miqve të tyre dhe armiqve të popullsisë së Kosovës;
4)    Qeveria dhe disa politikanë të heqin dorë nga retorika e pasqyrimit të Kosovës si një pikturë me lule kur nëpërmjet objektivave të tyre ua punojnë qytetarëve të Kosovës prapa shpine, e shpesh herë ashiqare. Objektivat e tilla janë diametralisht të kundërta me ato të OMZH-së të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, prandaj nuk duhet të ngatërrohen, sepse, objektivat e para që janë në veprim janë arritur në masë shumë të madhe, e ato janë korrupsioni, grabitja, krimi i organizuar, mafia shtetërore dhe e shumicës së politikanëve që bëjnë gara me krenari se cili po tregohet më i poshtër me vepra konkrete kundër popullit të vet;
5)    Më së miri do të ishte sikur raportet e ardhshme të UNDP-së të mos na përkëdhelin rreth largësisë së përmbushjes së OMZH-ve, por të bëhen të ndershëm dhe të tregojnë troç se e tëra është një utopi për Kosovën që nuk ka konsumatorë të arsyeshëm;
6)    Ekziston rreziku që mungesa e korrespondencës ndërmjet propagandës dhe realitetit krejtësisht tjetër në terren të shpie deri te konstatimi i arsyeshëm se armiku më i madh i shumicës së qytetarëve të Kosovës janë ata që miratuan OMZH-të dhe u deklaruan se do të jenë të përkushtuar në arritjen e atyre.

Zbatimi i rekomandimeve të mësipërme, dhe i disa tjerave që nuk i propozuam, janë të nevojshme për të ardhur në një gjendje më normale ose ta vejmë problemin në binarë të duhur. Atëherë do të vërtetohej se është hapur rruga në përkushtimin e përmbushjes së OMZH-ve në 20 vitet e ardhshme.


(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora