E enjte, 03.10.2024, 12:37 PM (GMT+1)

Editorial

Ahmet Selmani: Papërgjegjësia e akademikut

E merkure, 09.09.2009, 09:33 PM


PAPËRGJEGJËSIA E AKADEMIKUT

Shkruan: Ahmet Selmani

Debatet që zhvillohen për letërsinë shqiptare gjithsesi janë të mirëseardhura në çdo kohë, kuptohet kur ato kanë karakter konstruktiv dhe të argumentuar, por kur ato dalin nga suazat e këtilla, kur shkelin mbi arsyen e shëndoshë, sidomos kur prapa tyre fshihen qëllime të mbrapshta, atëherë shndërrohen në skandale të vërteta. Mbase e këtillë ishte edhe ligjërata me titull “Zhvillimi i shpejtuar i letërsisë shqipe”, e akademikut Rexhep Qosja, të cilën e mbajti para të pranishmëve në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, (gusht 2009).
Lidhur me këtë është e nevojshme të thuhet se, R. Qosja bëri një rrokme të pahijshme, duke mos mbajtur fare llogari se çfarë përshtypje do të linte para albanologëve të huaj, të ardhur nga viset e ndryshme të botës.
Ai, duke bërë fjalë për letërsinë shqiptare, në mes të tjerash, theksoi: “Letërsia shqipe ka patur një zhvillim atipik apo të shpejtuar, ndryshe prej letërsive të mëdha evropiane”. Dhe, natyrisht nuk e la vetëm me kaq tezën e tij kaq mohuese, por vazhdoi duke e shtruar edhe pyetjen: “Çka do të thotë zhvillim atipik i një letërsie kombëtare?”
Ashtu siç pritej nga të gjithë pjesëmarrësit, edhe përgjigjen për këtë prapë e dha vetë: “Do të thotë zhvillim i veçantë që ndryshon pak a shumë prej zhvillimit të letërsive të tjera. Nuk është letërsia shqipe e vetmja letërsi në Evropë e cila ka shënuar një zhvillim atipik ose zhvillim të shpejtuar në historinë e saj.”
Kjo tezë sa naive, aq edhe djallëzore e shtruar nga ana e tij, doemos të shtyn që ta komentosh.
Së pari, kur letërsinë shqiptare në përgjithësi e shpall me gojën plot si atipike ose të shpejtuar, gjithsesi ndihesh i prekur e i përbuzur, aq më tepër kur i përket kësaj, kur je rritur dhe formuar me të. Pra, formulimet e mësipërme “atipike” ose “e shpejtuar” mund të nënkuptohen në shumë mënyra; bie fjala, si letërsi jonormale, artificiale, e sforcuar, e parakohshme, dështake, e papjekur, shkel e shko, mediokre, joserioze etj. Vërtet është për t’u habitur prej nga gjithë ky zell provokues që po vjen pikërisht nga Rexhep Qosja? Ose, ç’farë iu desh atij që ta shpallë letërsinë shqiptare si të tillë?
Këndej patjetër duhet të themi se në radhë të parë kjo është një vetëvrasje intelektuale për të, por edhe një fyerje e rëndë për gjithë letërsinë shqiptare, për të mos thënë edhe një veprim armiqësor ndaj saj. Prandaj, edhe çdo reagim që mund të vijë përkitazi me këtë është shumë i pritshëm dhe i arsyeshëm.  
Së dyti, R. Qosja në vazhdim e bëri edhe një marrëzi tjetër, kur para të pranishmëve e shtroi edhe pyetjen e dytë: “Cilat janë këto letërsi në Evropë që kanë një zhvillim atipik në letërsinë e tyre?”.
Për fat të keq duhet theksuar se përgjigjja është edhe më e marrë se pyetja. Për sa i përket kësaj, ai përsëri u përgjigj vetë: “Studiuesit dhe historianët e letërsive të Evropës thonë se këto janë letërsi të popujve që kanë qenë të pushtuar prej Perandorisë Osmane dhe historitë e letërsisë të popujve që kanë qenë të pushtuar prej Perandorisë Austo-hungareze. Do të thotë se këto janë letërsia shqipe, greke, bullgare, serbe, rumune, malazeze, maqedonase, kroate, sllovene”.
Vallë ç’është ky arsyetim? Këtu ka një kundërthënie shumë të çuditshme; në njërën anë u referohet studiuesve të huaj, që vetëm ai i di, domethënë dëshmon se kjo nuk është tezë e tij, por e dikujt tjetër, për të mos thënë ndoshta edhe e trilluar dhe, në anën tjetër, aty e fut edhe letërsinë shqiptare, pa qenë i vetëdijshëm se ç’po bën. Me sa duket, R. Qosja realisht nuk e njeh as letërsinë shqiptare, e lëre më letërsitë e pupujve që i përmend. Atëherë, prej nga gjithë ky përgjithësim kaq neveritës? Natyrisht, qëllimi fshihet brenda qenies së tij të kompleksuar, i cili në momente të caktuara di të të trallisë me energjinë e tij negative.
Se këto janë gjëra shumë të tepruara e të paqëndrueshme, dëshmon realiteti që ka të bëjë me letërsinë shqiptare dhe letërsitë e popujve të Ballkanit. Sa për dijeni, në secilën gjuhë kryesisht përkthehen dhe botohen autorët e huaj, kuptohet ata më të mirët. Prandaj, ky parim vlen edhe në gjuhën shqipe, ku janë përkthyer dhe botuar librat më të mirë të autorëve që u përkasin këtyre pupujve që i përmend ai. Atëherë si mund t’i fusë në atë kategori autorët si J. Seferis, N. Kazanxaqis, M. Kërlezha, Danilo Kish, Ivo Andriq, Mesha Selimoviq, M. Paviq, Marin Soresku, Nikita Stënesku etj? Nëse këta autorë i duken atipik ose të shpejtuar, atëherë nuk është diçka në rregull me shijen dhe me kriterin estetik të tij. Duket qartë se kjo është një megalomani jashtëzakonisht e mbrapshtë.
Së treti, për ta përligjur marrëzinë e tij lidhur me letërsinë shqiptare, R. Qosja më tej shton edhe një gjë: “Megjithëse ka shkrimtarë shqiptarë që janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, siç është Ismail Kadare, i cili ka fituar shumë çmime të rëndësishme letrare evropiane dhe është i nominuar për çmimin Nobël për letërsi, nuk duhet krijuar iluzione se letërsia shqipe është letërsi me vlera evropiane”.
Pra, sipas tij, edhe Ismail Kadare na bëka letërsi atipike ose të shpejtuar, dhe si i tillë, ai nuk paska vlera evropiane. Kështu, akademiku, që beson se është babai i kombit, i mëson pjesëmarrësit e huaj që të mos merren shumë e shumë me këtë autor, pavarësisht që veprat e tij janë përkthyer e botuar në dhjetëra e dhjetëra gjuhë të botës dhe njihet gjithandej rruzullit, e në saje të tij njihen edhe shqiptarët si popull.
Sipas kësaj logjike, del se të gjithë të huajt qenkan kokëkrisur që merren me veprat e Ismail Kadaresë. Ndaj, për t’i bindur ata se realieti është krejt ndryshe, ai u thotë atyre se nuk ka nevojë t’i krijojmë vetes iluzione.
Teksa i shohim këto gjëra kaq të mjerueshme, s’kemi si të mos i konsiderojmë si tepër skandaloze. Kjo bëhet edhe më e mjerueshme kur dihet përvoja e tij në fushën e studimit të letërsisë shqiptare, veçanërisht asaj të periudhës romantike. Ai e di fort mirë letrën e Lamartinit që dikur ia dërgonte Jeronim de Radës, kur i thoshte se poezia ka lindur në brigjet tuaja dhe atje duhet të kthehet. Sigurisht Lamartini nuk e thoshte kotas këtë gjë, por nga bindja e paluhatshme, ngaqë i kishte lexuar vargjet e De Radës. Atëherë pse letërsia e Lamartinit na qenka evropiane, ndërsa ajo e De Radës dhe e autorëve të tjerë shqiptarë na qenka atipike ose e shpejtuar?
Me sa duket, e keqja më e madhe e Rexhep Qosjes është se përpiqet t’i godasë vlerat më të larta, siç vepron me Ismail Kadarenë, duke e keqpërdorur autoritetin e tij për një qëllim shumë të ulët e ziliqar. Megjithatë, lexuesit tanimë e kanë të qartë mendjemadhësinë e tij, i kanë lexuar edhe polemikat me Ismail Kadarenë, rekomandimet fyese të këtij të fundit për të shkuar ai te neuropsikiatri etj., por kjo nuk paraqet kurrfarë arsyeje që ai të rrefkëtohet dhe t’i japë të drejtë vetes për ta goditur e nënçmuar gjithë letërsinë shqiptare. Kur vepron kështu me I. Kadarenë, atëherë ç’paska mbetur me të tjerët? Pra, ky studiues harron se letërsia shqiptare ka vlera të mirëfillta jo vetëm me I. Kadaresë, por edhe me Anton Pashkun, Martin Camajn, Azem Shkrelin, Mirko Gashin, Fatos Arapin, Moikom Zeqon, Mehmet Krajën, Teki Dervishin, Ali Podrimjen, Eqrem Bashën, Vath Koreshin, Mimoza Ahmetin, Visar Zhitin, Ridvan Dibrën, Besnik Mustafajn, Agron Tufën etj.
A thua R. Qosja e ka pyetur veten ndonjëherë se çfarë kanë më tepër se autorët e mësipërm, ta zëmë Gabriel Garsia Markezi, Le Klezio, Dario Fo, Doris Lesing, Joze Saramango, Vaclav Havel, Milan Kundera, Ernesto Sabato, Paulo Koelo, Dan Braun etj.?
Me sa duket, R. Qosja i ka lexuar shkel e shko autorët e mësipërm shqiptarë, ose shumicën prej tyre ndoshta edhe s’i ka lexuar fare, madje për disa as që i ka shkuar ndër mend se ekzistojnë.
Kur i merr parasysh këto gjëra, thirrja e secilit shqiptar me arsye të shëndoshë do të ishte kjo: Nuk duhet të bëhemi aq mohues e poshtarakë që t’i nënçmojmë autorët tanë. Është tjetër gjë që ne nuk kemi arritur t’i afirmojmë ashtu siç ka ndodhur me Ismail Kadarenë, por e vërteta është se këta emra janë të denjë për t’u ndodhur në krye të listës së veprave më të mira evropiane dhe më gjerë, jo pse kemi dëshirë ne, por se këtë e thonë vetë të huajt.
A thua nuk i mjaftojnë R. Qosjes ato që i thonë vetë të huajt për letërsinë shqiptare? Ja, po ia përkujtojmë vetëm disa mendime lidhur me veprën e Ismail Kadaresë: “një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët” (Bruse Bauwer), “shumë njerëz, në gjithë botën, falë kësaj vepre kanë zbuluar Shqipërinë” (Eric Faye), “nga Shqipëria e vogël na ka ardhur një shkrimtar i madh” (Guy Le Clec’h), “Shqipëria me Ismail Kadarenë e ka jetën përpara” (Laurence Cosse), “ai ka shkruar disa nga romanet epike më të bukur të këtij shekulli” (Claude Jennout), “Kadareja pëlqehet më shumë se Gabriel Garsia Markesi (Xhon Abdajk), “një nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës që jeton” (Jean-Christophe Casteli) etj.
Po ashtu, sa për ilustrim po e përkujtojmë R. Qosjen se mendime shumë të larta për letërsinë shqiptare kanë dhënë edhe disa, të cilët më herët kanë qenë të njohur me qëndrimet e tyre antishqiptare, por që më në fund e kanë pranuar realitetin e pakontestueshëm. I tillë është shkrimtari maqedonas, Ante Popovski i cili më në fund pat thënë troç: “tek unë gjithnjë e më tepër forcohet bindja se poezia bashkëkohore shqiptare është njëra nga poezitë më autoktone në qarkun letrar evropian dhe njëra nga poezitë prijëse që krijohet në Ballkan”.
Kur këto mendime kaq pozitive i shprehin vetë të huajt, atëherë pse të bëhemi ne shqiptarët kaq mohues ndaj vlerave tona? S’do mend, aq më tragjike duket kur këtë e bën një historian i letërsisë, siç është Rexhep Qosja. Por edhe më shumë se tragjike është kur këtë e bën para albanologëve të huaj, të cilët vijnë që të njihen me letërsinë dhe kulturën shqiptare, që dikush t’i udhëzojë e t’i informojë.
S’kemi si ta kuptojmë ndryshe këtë veprim të R. Qosjes, përveç si një kryeneçësi destruktive për qëllime personale. Të gjithë ata që e kanë përcjellë krijimtarinë e tij në fushën e letërsisë e dinë mirë se vite me radhë ai fliste shumë fjalë të mëdha për veprën e Ismail Kadaresë, por tani ka ndryshuar krejtësisht dhe harron se çfarë ka thënë. Marrëdhëniet e acaruara me të flasin qartë se ai ka krijuar një armiqësi dhe një xhelozi të sëmurë, madje, me sa duket, edhe të pashërueshme. Pra, mërinë që ka ndaj tij, akademiku Rexhep Qosja përpiqet që ta shprehë edhe para albanologëve të huaj. Por me këto sjellje ai po na del krejtësisht i papërgjegjshëm dhe i pandërgjegjshëm për dëmet që mund të shkaktojë.


(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora